Zbulohet shkaku i vdekjes së legjendës së rock-ut, Ozzy Osbourne
LONDËR, 5 gusht /ATSH/- Dy javë pasi rock-eri i “Black Sabbath” ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, është konfirmuar se shkaku zyrtar i vdekjes së tij ishte një atak në zemër – e cituar në certifikatën e vdekjes – të paraqitur nga vajza e tij Aimee Osbourne – si dhe sëmundje e arteries koronare, sipas “New York Times”.
Certifikata thotë se Osbourne vdiq nga “(a) Arrest kardiak jashtë spitalit (b) Infarkt akut miokardi (c) Sëmundje e arteries koronare dhe sëmundje e Parkinsonit me mosfunksionim autonom (Shkaqe të kyçeve).”
Familja e Ozzy-t njoftoi në një deklaratë se legjenda e rock-ut kishte vdekur në mëngjesin e 22 korrikut.
Vetëm disa ditë më parë, vajza e Ozzy-t, Kelly, hodhi poshtë thashethemet se shëndeti i babait të saj po përkeqësohej me shpejtësi dhe se ai dhe nëna e saj Sharon kishin bërë një pakt vetëvrasjeje.
“Ai nuk po vdes”, tha ajo në Instagram më 11 korrik.
“Po, ai vuan nga sëmundja e Parkinsonit dhe lëvizshmëria e tij është krejtësisht e ndryshme nga ç’ishte më parë, por ai nuk po vdes”, shtoi Kelly.
Përveç sëmundjes së Parkinsonit, Ozzy – emri i vërtetë i të cilit është John Michael Osbourne – kishte luftuar me një sërë problemesh shëndetësore gjatë viteve, por muzikanti arriti të ngjitej në skenë me grupin e tij në Birmingham, Angli, vetëm disa javë para se të ndërronte jetë.
Ozzy u rikthyer në skenë edhe një herë – për performancën e tij më 5 korrik me shokët e grupit “Black Sabbath”, Tony Iommi, Bill Ward dhe Geezer Butler.
Përveçse Ozzy bëri bujë në muzikën “heavy metal”, ai ishte i njohur për pjesëmarrjen në një reality show – të transmetuar në MTV – së bashku me familjen e tij ” The Osbournes” – nga viti 2002 deri në vitin 2005. //a.i/
The post Zbulohet shkaku i vdekjes së legjendës së rock-ut, Ozzy Osbourne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.