Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025KultPlus

Bukowski: Nuk ka asgjë më tërheqëse në këtë planet se sa një grua e mençur!

By: Kult Plus
23 July 2025 at 10:00

Nuk ka asgjë më tërheqëse në këtë planet se sa një grua e mençur.

Një grua që të vret me vetëbesimin e saj, madhështine, hijen e rëndë të një sundimtareje, një grua që peshon karakter e që të vret me mendimet e saj, e sigurtë për botën e saj; një që është pronare e trupit dhe shpirtit të saj.

Një që duket e ftohtë dhe egër, por që mund të të vrasë me ëmbëlsinë e zemrës.

Një që adhurohet nga burrat e mëdhenj dhe urrehet nga gratë e vogla.

Një që thotë jo aty ku nuk ka vend për vlerën dhe respektin e saj, një që vështirë thotë po, jo nga frika as nga guximi i tepruar.

Një që nuk admirohet vetëm për bukuri, sepse bukurinë e ka si bonus dhe jo si shkallë arritje, as si mjete joshje për t’i marrë gjërat që i do.

Ajo mundohet shumë për veten dhe punon që të jete dikush në jetë, që nesër asnjë, askush mos ta shkelë.

E kështu nuk ka gjë më të bukur se sa një grua tmerrësisht e pavarur dhe vetëvetja.

65 vite nga lindja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit

By: Kult Plus
23 July 2025 at 09:45

Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij.

Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina  e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Fadili i rrethuar nga tifozët

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.

Flamurtari – Partizani i Beogradit

Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”

Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.

Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.

Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.

Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.

Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.

Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak.

Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa, kujtojmë se sot shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të përurohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com

“WeBalkans” në zemër të Tiranës – ekspozitë që bashkon kulturat ballkanike

By: Kult Plus
23 July 2025 at 09:30

Nën kujdesin e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u çel sot në Shtëpinë e Evropës ekspozita e fotografive “Gati. Qëndro. Evropa jonë!”, një shfaqje vizuale e fotografive më përfaqësuese të realizuara nga të rinj të talentuar nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Ambasadori Gonzato hapi zyrtarisht ekspozitën, duke vënë në dukje rëndësinë e nismës si një platformë për të afruar të rinjtë e rajonit përmes artit dhe për t’i inkurajuar ata të mendojnë dhe veprojnë në frymën evropiane.

“Së pari, ju uroj mirëseardhjen në shtëpinë e Europës, pavarësisht klimës. Natyrisht që sot nuk po shohim thjesht disa foto, por po dëgjojmë zëra, zëra të të rinjve nga i gjithë rajoni, që kanë përdorur kamerën e tyre, aparatin, për të na treguar si e shohin Evropën, si e përjetojnë vlerat e saj dhe cili është përfytyrimi që ata kanë për vlerat e kësaj Evrope.

Në fakt, është një këndvështrim që rezonon me mënyrën sesi ne duam të bëjmë këto gjëra. Në javën e Evropës që organizuam, në fakt ishin dy javë, ajo çfarë ne bëmë ishte që të mos e thonim ne mesazhin por të ishin njerëzit këtu, artistët, që ndërvepruan me aftësitë e tyre artistike dhe intelektuale, në mënyrë që të përcillnim mënyrën sesi e shihnin

Është mënyra më efektive për të përçuar mesazhin përmes këtyre njerëzvve. Nxitëm një hapësirë për dialog, për të shprehur aspiratat dhe ndoshta ndonjë kritikë për ndërveprimin midis vendit dhe BE, nëse ka ndonjë të tillë.”

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe figura të njohura të sportit dhe artit. Klodiana Shala, kampione evropiane në atletikë dhe e para grua që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Athinë 2004”, iu drejtua publikut me një mesazh frymëzues mbi përkushtimin dhe përfshirjen e të rinjve në shoqëri.
“Ne kemi marrë pjesë më përpara në Olimpiadë në vitin 1996. Sepse unë siç dihet jam zëri i të vërtetës dhe gjithmonë ngre zërin për sportistët. Siç dihet unë kam vendosur rekorde në sprinte. Kam bërë gara të vështira në sprinte sepse jam sportiste e sprinteve.”/ballkanweb/

Dua Lipa “braktis” skenën për një gotë verë në Palermo, fansat të mahnitur nga thjeshtësia e saj

By: Kult Plus
23 July 2025 at 09:28

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, është fotografuar së fundmi në një nga rrugicat karakteristike të Palermos, teksa shijonte disa ditë pushimi mes pjesëve të turneut të saj ndërkombëtar “Radical Optimism”.

Në një video të shpërndarë në rrjet, 29-vjeçarja shihet ulur thjesht në një trotuar nën diellin italian, me një gotë verë në dorë dhe një cigare, duke qeshur me të fejuarin e saj, aktorin britanik Callum Turner, 35 vjeç, shkruan DailyMail, transmeton KultPlus.

Pamjet bënë bujë të menjëhershme në rrjetet sociale, me fansat që e përgëzuan Duan për natyrshmërinë dhe qetësinë që e karakterizon, ndryshe nga yjet e tjerë të nivelit të saj. “Thjesht është ulur në rrugë me verë në dorë… E adhuroj!”, shkroi një ndjekës në TikTok. Të tjerë komentuan: “Ka famën, pasurinë dhe suksesin por nuk duket aspak e përfshirë në botën e luksit bosh.”

Megjithatë, jo të gjithë ishin pozitivë. Disa përdorues shprehën kritika për pirjen e duhanit, duke u shqetësuar për ndikimin që kjo mund të ketë në zërin dhe karrierën e saj si këngëtare.

Kujtojmë se turneu “Radical Optimism”, që nisi në maj, e ka çuar këngëtaren në Australi dhe Britaninë e Madhe, ku së fundmi performoi në stadiumin Wembley. Turneu do të rifillojë në fillim të gushtit në Amerikën e Veriut dhe do të përfundojë më 5 dhjetor në Mexico City.

Në një intervistë për British Vogue, Dua Lipa konfirmoi fejesën me Callum Turner, duke shtuar se e sheh këtë kapitull si një hap të rëndësishëm drejt ndarjes së jetës me dikë që e quan “mikun më të mirë përgjithmonë”.

“Do të doja të kem fëmijë një ditë. Por gjithmonë mbetet pyetja: kur është koha e duhur? Mendoj se është një nga ato gjëra që do të ndodhin kur t’i vijë koha,” – u shpreh ajo./KultPlus.com/

Migjeni: Moll’ e ndalueme

By: Kult Plus
23 July 2025 at 09:15

Një tridhjetëvjeçar. I papunë. Qëndron përpara reklamave të kinemas’-e ditë pune asht. Phe!- I pshtyhet nga buzët dhe e sjell kryt prej reklama vet. Iu ba se e thret dikush… Por jo. Askush s’e thret. Askush nuk ka nevojë për puntuer. E ky rahat rahat vazhdon punën e përditshme: shikon reklamat e kinemas’. Phe! kta çojnë jetë-thotë, dhe afrohet për studim ma preciz. Asht filmi i përditshëm: një vajzë e bukur, e pranë saj nji djalë i pashëm. Një zili në sy të punëtorit. Një mnijë ndjen për protagonistin. E shikon me sy të keq. Pshtyjnë. Shikon mathen e vet. Nuk din as ai vetë se ç’asht. Inkarnacion i këpucëve; shkarpa. Ulet e njesh shkarpën me spagë dhe tue lëshue nji eeeh!

Merr qëndrimin e drejtë. Hec-nëpër trotuare, u muar vesht. Edhe fare zbath’ mund të heci nëpër trotuare, pse jo!

Lëviz ngadalë, i qetë. Si njeri pa punë. Edhe të tjerët hecin, por jo të qetë-të shqetsuem. Sa mirë asht të jesh i qetë, të hecish ngadalë, si zotni. Por, ç’ka po tham?-A asht mirë të hecish ngadalë e i qetë?…Jo edhe po! Po edhe jo! Si të merret….Për nji zotni asht mirë të heci ngadalë se tretet ushqimi, për nji puntuer nuk asht mirë të heci ngadalë; pse? –E dini. Por puntori ynë po hec gjithnjë ngadalë me komoditet të plotë, i qetë. Nuk po ja le asgja mangut zotnis’. Ç’ti bajsh? Kështu e ka kjo kohë…edhe botë. Dhe po s’deshe të jesh zotni, bahe zotni. Puntori ynë nuk don të jetë zotni, as t’imitojë zotnit’, por koha…Hekë, s’ka qejf! Nuk i pëlqen ky soj zotnillëku. Jo se mërzitet –por… edhe kte e dini.

Tan-tan-tan-tan! Katër orë mbas dreke! Sa mizorisht therin midën e punëtorit! Katër orë tingllojnë nga kumonarja e shejtë dhe ushtojnë në mide të mallkueme të puntorit. Katër! Katër! Katër!

Gjithkund katër! E pse katër? Pse? Pse katër? Grindje. Kaperthini: Diçka si revolucjon. Revolucjon në miniaturë. Gjëmon….topi… Jo-midja nga uria.
Vazhdon puntori ynë t’u bije pash më pash rrugavet të qytetit. Kërkon punë. Si kolegët e tij në Berlin e në London. Askund një karrocë e ngarkueme që ta zhgarkojë ai. Askund udhtar me valixhe në dorë, që t’u ndihmojë. Askund! Askund! S’e do kush djersën e tij. Kurrsesi me fitue nja dy-tre lekë.

Ndalet puntori përpara dyqanevet dhe nëpër xhama shikon. Shikon dhe shijon romantizmin e kohës. Përpara xhamit të një kartolerije: prap artistat! Shtrëngoi dhambët. Nga inati u ngritën grushtat përpjetë me një qëllim….por ligji! Polici! Ja përshkruen trutë. Me përbuzje i len artistat. Pështyn. Vazhdon. Prap pështynë. Shikon djathtas e majtas. Dhe pështyn. I undshëm e xhele-mel hec ngadalë përbri të dyqanevet plotë me “molla të ndalueme” (Prralla biblike).

Një dashje instiktive don të shpallet! Puntori ynë sundon veten! Ligji! Polici! Për sigurim duert i ve mbrapa. E duart e tija janë të forta, të fuqishme. Edhe dreqin e kishin kapë për fytit dhe e kishin mbytë. Por edhe dreqin e mpron ligji.

(Shkëputur nga ‘Vepra 2’ e Migjenit, botim i Rilindjes )

Rama promovon Bazilikën e Linit: Një gur themeli për turizmin kulturor

By: Kult Plus
23 July 2025 at 09:01

Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë bazilikë, një ndër më të vizituarat në Shqipëri.

“Një ditë e zakonshme korriku në Bazilikën e Linit, mes natyrës së qetë, trashëgimisë sonë të çmuar kulturore dhe pamjeve piktoreske që ofron ky fshat buzë liqenit, si një nga perlat e historisë dhe turizmit kulturor shqiptar”, shkruan Rama.

Bazilika Paleokristiane e Linit u shpall Monument Kulture, Kategoria I, më 10 qershor të vitit 1973. Ajo daton prej shekullit V-VI pas Krishtit.

Bazilika paleokristiane e Linit, së bashku me mozaikët që ndodhen në të, gjendet në majën e kodrës së Shën Thanasit, që përbën gadishullin e Linit. Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1967 gjatë një ekspedite hulumtuese të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit, të cilët ndërmorën edhe një fushatë gërmimesh për ta nxjerrë në pah.

Një kërkim më i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri./atsh/

“Travel of Path”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane për t’u vizituar këtë verë

By: Kult Plus
23 July 2025 at 08:59

Nëse planifikoni të shkoni në Evropë këtë verë, por ende nuk keni vendosur plotësisht për një itinerar, ka të ngjarë që të habiteni me kostot shumë të larta – kur vendosni në minutën e fundit, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Nga Costa Brava e Spanjës, duke kaluar Rivierën Franceze, deri në Bregun Amalfi të Italisë dhe deri në Bregun Dalmatian idilik të Kroacisë, nevojitet një buxhet ditor deri në 194 dollarë ose më shumë, për të mos përmendur turmat masive.

Megjithatë, jo çdo destinacion veror evropian është aq i shtrenjtë sa Positano, në Bregun e Amalfit, në Itali.

Në fakt, ekzistojnë katër vende tërheqëse të “Botës së Vjetër” të cilat ofrojnë akomodim dhe ushqim me kosto më të lirë:

1-Vlora, Shqipëri; 2-Liqeni i Ohrit, Shqipëri/ Maqedoni e Veriut; 3-Nessebar, Bullgari; 4- Batumi, Gjeorgji.

Vlorë, Shqipëri

E vendosur midis maleve dhe detit, Vlora është destinacioni kryesor turistik në bregdetin e Shqipërisë, “perla e fshehur” e një vendi që është bërë pika e nxehtë e verës së ardhshme të Evropës.

Vlora është një qytet i qetë me një qendër historike të rinovuar së fundmi, me një trashëgimi të pasur kulturore, dhe një vijë bregdetare mahnitëse – të mbushur me apartamente të larta, bare plazhi të gjalla dhe taverna mikpritëse që shërbejnë ushqime të freskëta deti gjatë gjithë ditës.

Ky qytet i bukur bregdetar do të mundësojë fluturime direkte brenda Evropës.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është planifikuar të hapet në vitin 2026.

Çmimet mesatare në Vlorë, Shqipëri

Vakt i Lirë – (Restorant) 8 dollarë

Vakt me 3 pjata për 2 persona – (Restorant i nivelit të mesëm) 28 dollarë

Akomodim i lirë – (Hostel) 14 dollarë

Akomodim i nivelit të mesëm (Hotel/B&B/shtëpi pritjeje me 3 yje) 59–69 dollarë

Hotel me 5 yje (Luksoz gjithëpërfshirës) 184–295 dollarë

Tarifa e taksisë (Për 0, 5 milje) 1,90 dollarë

Liqeni i Ohrit 

Liqeni i Ohrit shtrihet në kufirin malor midis pjesës jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë lindore. Është një nga liqenet më të thella dhe më të vjetra të Evropës, me një ekosistem unik ujor me rëndësi botërore, me më shumë se 200 specie endemike.

Imagjinoni një varg qytetesh buzë liqenit të kryqëzuara me rrugë me kalldrëm, me anije shumëngjyrëshe të ankoruara pranë porteve të tyre piktoreske, kisha mahnitëse të lashta dhe madje plazhe me guralecë – të shtrira pranë klubeve të lundrimit.

Mos humbisni Qytetin e Ohrit, një nga vendbanimet më të vjetra në Evropë.

I ndërtuar kryesisht midis shekujve VII dhe XIX, ai ka manastirin më të vjetër sllav (Shën Pantelejmonin) dhe më shumë se 800 ikona të stilit bizantin që datojnë nga shekulli XI deri në fund të shekullit të XIV./atsh/KultPlus.com

‘Kujtesa e Mesdheut’, edhe një javë më shumë e hapur për vizitorët

By: Kult Plus
22 July 2025 at 23:00

Biblioteka Kombëtare bëri të ditur se ekspozita e saj titulluar “Kujtesa e Mesdheut”, do të qëndrojë e hapur edhe një javë më shumë se afati fillestar.

Duke parë interesin e shtuar të grupeve të vizitorëve, vendas e të huaj, BK vendosi ta lërë të hapur edhe për 1 javë. Deri më tani ekspozita “Kujtesa e Mesdheut” është parë nga 2600 vizitorë, në një muaj, 9 mijë prej të cilëve janë të huaj.

“Kujtesa e Mesdheut – nga antikiteti në kohët moderne”, një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, i paraqet publikut mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV, deri në XIX, ku përfshihen libra, dorëshkrime, harta e gravura.

Nga Kurani më i vjetër, tek Biblat në hebraisht e latinisht; nga Aristoteli e Odiseja, në greqishten e vjetër me përkthime të tyre ndër shekuj; nga hartat e para, deri te ditarët e udhëtimeve, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare mbajnë thesare të cilat mezi presin të ekspozohen e të mahnisin këdo që i sheh.

E vendosur në zemër të Tiranës, ekspozita të josh ta vizitosh, të shkrepësh foto e të frymëzohesh për historinë, kulturën, gjuhën e letërsinë e këtyre popujve që i bën bashkë Deti Mesdhe./ atsh/ KultPlus.com

‘E desha, o miq, me gjithë zemër, mësuesen e klasës së parë’

By: Kult Plus
22 July 2025 at 22:31

Nga Adelina Mamaqi

Poezi pêr Mësuesen

Dhe sot ia dëgjoj zërin e ëmbël,
Dhe sot ia vështroj sytë zjarr.
E desha, o miq, me gjithë zemër,
Mësuesen e klasës së parë.

Ajo më mësoi si të shkruaj
Dy emrat: Atdhe e Nënë,
Këshillat, qortimet e saj,
Ç’mbresa n’shpirt m’kanë lënë!

Një tufë me vjollca e lila
Gjithmonë ia vë mbi varr,
N’zemër me zgjohet dëshira
Ta kem at’ pranë Si më parë.

Ajo zë e flet sërish me mua
Ashtu si kur isha fëmijë!
Në gjirin e kohës së shkuar
Kthehem me mall përsëri.

Dhe dorën që dridhej nga pak
Ndër flokë sërish e ndiej,
Endërrimet e mia miturake
Në sytë e saj prapë i gjej.

Ah, ç’gaz kur dëgjoj zën’ e ëmbël,
Këshillat e saj kur kujtoj!
E desha, o miq, me gjithë zemër
Dhe s’mundem askurr’ ta harroj. / KultPlus.com

Yesterday — 22 July 2025KultPlus

Banjat e Caracallas, mrekullia e Romës së lashtë, ku lahej trupi dhe shpirti

By: Kult Plus
22 July 2025 at 22:00

Nga Albert Vataj

Ka vende ku koha nuk shkon, por qëndron e derdhur në gur, në mermer dhe në ujin që një herë e një kohë freskonte trupat dhe shpirtrat. Një prej këtyre vendeve është Banjat e Caracallas në Romë, një mrekulli e antikitetit që edhe sot të lë pa frymë.

Në zemër të qytetit të përjetshëm, mes rrënojave që mbajnë aromën e perandorive të dikurshme, ndjesh një thirrje të largët: një epokë kur banja nuk ishte vetëm pastrim, por një ceremoni për trupin dhe shpirtin, një rit i përditshëm që përziente luksin, kulturën dhe shpërthimin e jetës urbane.

Në vitin 216 pas Krishtit, perandori Caracalla ndërtoi këtë kompleks gjigant jo vetëm për të lahet, por për të krijuar një univers ku qytetarët e Romës gjenin freski, strehim nga vapës, shoqëri dhe kulturë. Këtu shkriheshin bisedat politike me filozofinë, leximi me sportin, biznesi me artin. Ishte një “qytet brenda qytetit”, një përvojë e plotë jetese.

Arkitektura që sfidon shekujt

Edhe sot, teksa hyn mes këtyre mureve të rrënuara, ndjen ende fuqinë e madhështisë. Hallet e shekujve, era dhe shiu nuk e kanë zbehur dot solemnitetin e tyre. Shikon harkime gjigante, kupola që dikur mbulonin mijëra njerëz, korridore të gjera dhe salla që ende mbajnë hijeshinë e artit romak.

Këtu ndodhesh përballë një simfonie gurësh, ku çdo bllok mermeri është një notë e një muzike të përjetshme.

Banjat ndaheshin në caldarium (pishinë e nxehtë), tepidarium (pishinë e ngrohtë) dhe frigidarium (pishinë e ftohtë), një cikël i plotë relaksi dhe pastrimi që tingëllon si një ritual antik. Përveç kësaj, kishte palestra për ushtrime dhe salla leximi, duke i dhënë këtij vendi një karakter enciklopedik të jetës urbane romake.

Dyshemetë janë një galeri e hapur arti: mozaikë që tregojnë skena mitologjike, kafshë detare, motive gjeometrike, të gjitha punuar me mjeshtëri të pabesueshme. Shumë prej tyre kanë mbijetuar dhe ende shkëlqejnë nën rrezet e diellit, duke i dhënë këtij vendi një magji shtesë.

E mrekullueshme është se Banjat e Caracallas nuk janë thjesht një rrënojë. Çdo verë, mes këtyre mureve të lashta ngrihen skena për opera, balete dhe koncerte simfonike. Imagjinoni tingujt e Verdit apo Puçinit që ngrihen nën kupolat e shekujve, ndërsa nata romake mbush ajrin me aromën e jaseminëve. Ky kontrast i së lashtës me të sotmen i jep banjave një frymë të re dhe një emocion të pazëvendësueshëm.

Banjat e Caracallas mbeten një testament i kulturës së trupit dhe shpirtit, një monument që dëshmon se antikiteti nuk ishte i thjeshtë, por plot dritë, madhështi dhe kërkim të përjetshëm për bukurinë.

Edhe sot, ndërsa ecën mbi ato dysheme të mbuluara nga koha, ndjen të njëjtën pyetje që ndoshta ndjenin edhe romakët e lashtë:

A mund të ketë diçka më të bukur sesa të lahet shpirti dhe trupi në të njëjtin vend?/ KultPlus.com

‘Chamber Fest Durrës’ mbyllet me klas e elegancë – Festival që bashkoi artistë vendas e të huaj

By: Kult Plus
22 July 2025 at 21:31

Në mjediset e Katedrales “Shën Luçia” në Durrës, u zhvillua koncerti përmbyllës i Festivalit të XX Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Durrës një ngjarje kulturore, e cila prej dy dekadash sjell në skenë emra të njohur të muzikës klasike shqiptare dhe ndërkombëtare.

Publiku u përshëndet me një performancë të nivelit të lartë artistik nga kuarteti i përbërë nga Nevila Kalaja në violinë, Amir Xhakoviq në piano, Besnik Yzeiri në violë dhe Gjorgj Kroqi në violonçel. Repertori i përzgjedhur solli një përjetim emocional dhe artistik të rrallë, duke u duartrokitur gjatë nga të pranishmit.

Violinistja dhe njëkohësisht drejtoresha artistike e festivalit, Nevila Kalaja, u shpreh se ky edicion jubilar ishte një sukses i plotë dhe ne jemi shumë të kënaqur që edicioni i XX i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës i përmbushi plotësisht pritshmëritë tona, si në aspektin artistik, ashtu edhe në atë organizativ.

Vitet që kanë kaluar kanë konsoliduar njëri pas tjetrit këtë aktivitet”, u shpreh violinistja Kalaja.

Ky festival, që tashmë është bërë pjesë e pandarë e kalendarit kulturor të qytetit bregdetar, vazhdon të kontribuojë në promovimin e vlerave artistike dhe në nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e muzikës klasike./rtsh/ KultPlus.com

Ekspozitë performative në Pogradec, 9 artistë në rezidencë kërkimore

By: Kult Plus
22 July 2025 at 21:00

Tirana Art Lab do të çelë në Pogradec një ekspozitë të veçantë e cila bën bashkë 9 artistë të arteve pamore.

“Ekspozita Performative #5 – Lyhnida – Liqeni i Dritës”, është një projekt që sjell në Pogradec një rezidencë kërkimore njëjavore e cila do të kulmojë me prodhimin e veprave të reja artistike dhe një ekspozitë publike në galerinë e arteve të këtij qyteti.

Projekti bën bashkë artistë, kuratorë dhe aktivistë: Bora Baboçi, Adela Demetja, Genc Kadriu, Denisa Kasa, Anastas Kostandini, Ledia Kostandini, Mariana Kostandini, Fabio Toska, Ilir Tsouko.

Projekti fokusohet në liqenin e Ohrit, liqenin më të vjetër natyror në Evropë (me një moshë të vlerësuar rreth 4 milionë vjet) dhe një nga më të vjetrit në botë, duke nxjerrë në pah vlerat e tij natyrore dhe kulturore duke trajtuar gjithashtu rreziqet që kërcënojnë këtë ekosistem unik. Përmes një qasjeje inovative, projekti kombinon rezidencën e artistit, krijimin e veprave të reja dhe një prezantim publik për të promovuar praktikat e qëndrueshme artistike dhe për të rritur ndërgjegjësimin për ruajtjen e këtij ekosistemi të mbrojtur nga UNESCO.

Emri i projektit i referohet Lychnidos (gjithashtu shkruhet Lyhnida ose Lychnida), emri i lashtë i qytetit të Ohrit, tani në Maqedoninë e Veriut. Fjala Lychnidos rrjedh nga greqishtja lychnos, që do të thotë “llambë” ose “dritë”, duke iu referuar qartësisë dhe shkëlqimit të liqenit të Ohrit, pranë të cilit ndodhet qyteti.

“Ekspozita Performative” është një format i krijuar nga Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, që synon zbërthimin e formatit të ekspozitës dhe bërjen publike të proceseve artistike dhe kuratoriale nëpërmjet performancës. Ky koncept synon të përfshijë mjetet dhe kushtet e prodhimit artistik përtej vetë ngjarjes së ekspozitës, duke propozuar mënyra të reja ekspozimi dhe pune së bashku.

Projekti do të inaugurohet më 26 korrik, por për publikun do të jetë i vizitueshëm prej datës 27 korrik deri më 5 gusht në Galerinë e Artit Pogradec. Ky projekt ka gjetur edhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. /atsh/ KultPlus.com

Roberts, Clooney, Stone dhe Law yjet e Festivalit të Filmit në Venecia

By: Kult Plus
22 July 2025 at 20:31

Julia Roberts, George Clooney dhe Emma Stone janë yjet e këtij vit që do të marrin pjesë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Një total prej 21 filmash do të konkurrojnë për çmimin kryesor, “Luanin e Artë”, siç u njoftua sot nga drejtori i festivalit Alberto Barbera.

Programi i konkursit përfshin regjisorët e njohur Jim Jarmusch, Guillermo del Toro dhe Yorgos Lanthimos.

Festivali do të zhvillohet nga 27 gushti deri më 6 shtator.

Jude Law në rolin e Putinit është një film ku spikat trilleri i ri nga Olivier Assayas, i cili përqendrohet në ngritjen e presidentit rus Vladimir Putin.

“Magjistari i Kremlinit” do të shfaqet në konkurs.

Jude Law luan rolin e Putinit, me Alicia Vikander dhe Paul Dano që luajnë gjithashtu. Historia tregohet nga perspektiva e një këshilltari fiktiv.

Noah Baumbach do të prezantojë komedinë e tij “Jay Kelly”, e cila shënon një tjetër bashkëpunim me gruan e tij, regjisoren e “Barbie” Greta Gerwig. Mes aktorëve janë Clooney, Adam Sandler dhe Laura Dern.

Filmi i ri i Jarmusch “Father Mother Sister Brother” paraqet Cate Blanchett, Tom Waits, Adam Driver, Charlotte Rampling dhe Vicky Krieps.

Emma Stone luan në “Bugonia”, një histori e re fantastiko-shkencore që shfaqet në garë.

Aktori dhe regjisori Benny Safdie do të shfaqë premierën e filmit “The Smashing Machine”, një biografi për luftëtarin e arteve marciale të përziera Mark Kerr, me protagonistë Dwayne Johnson dhe Emily Blunt.

Regjisorët Park Chan-wook dhe François Ozon janë gjithashtu në garë për “Luanin e Artë” me filmat e tyre të fundit.

Festivali do të hapet me “La Grazia”, filmin më të fundit nga Paolo Sorrentino, i cili është gjithashtu në garë – ndryshe nga vepra e re e kolegut të tij regjisor italian, Luca Guadagnino.

Trilleri i ri i Guadagnino-s “After the Hunt” përqendrohet në çështjen e ngacmimit seksual dhe ka në role kryesore Julia Roberts dhe Andrew Garfield.

Roberts luan rolin e një profesoreshë kolegji të zënë në mes të një skandali. /atsh/ KultPlus.com

Donald Barthelme: Rebeka

By: Kult Plus
22 July 2025 at 20:00

Donald Barthelme (1931 – 1989), shkrimtar amerikan, i njohur për stilin postmodern të fiksionit të shkurtër

REBEKA

Nga Donald Barthelme

Rebeka Lizard po mundohej të ndryshonte mbiemrin e saj të shëmtuar, reptilor, plotësisht të papranueshëm. 

“Lizard,” tha gjykatësi. “Lizard, Lizard, Lizard, Lizard. Nuk ka asgjë të keqe me të nëse e thua mjaftueshëm herë. Nuk mund të bësh rrëmujë kalendarin e gjykatës për irritime të tilla bajate. Edhe ashtu këtyre kohëve shumë njerëz kanë ardhur këtu që ta ndryshojnë mbiemrin. Ndryshimi i mbiemrit është në kundërshti me interesat më të larta të kompanisë telefonike, kompanisë elektrike dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Mocioni mohohet.”

Lizard në lot.

Lizard u largua nga gjykata. Një krizantemë Kleenexi e mbante nën hundë.

“Zonjë e pavendosur,” i tha një burrë, “a mos je ti mësuese?”

Sigurisht se është mësuese, mor idiot.  A nuk e sheh se gruaja e shkretë është kaq e trishtuar? Pse s’e lë të qetë?

“A mos je lezbike? Për këtë arsye nuk je martuar kurrë?”

O Krisht, po de, lezbike është, siç e the ti. Pse nuk e mbyll sqepin tash?

Rebeka shkoi te dermatologu i mallkuar (një dermatolog i ri i mallkuar), por ai ia tha po ato gjëra që ia kishin thënë të tjerët.

“Gjelbëroshe,” tha ai, “gjelbërsi e lehtë, anomali gjenetike, s’ka ç’të bëjë njeriu këtu, kam frikë, Mrs. Lizard.”

“Miss Lizard.”

“Nuk kemi çfarë të bëjmë, Miss Lizard.”

“Faleminderit, doktor. A mund të të jap ndonjë gjë të vogël për shqetësimin tënd?”

“Pesëdhjetë dollarë.”

Kur Rebeka u kthye në shtëpi, rritja retroaktive e qirasë po e priste aty, kutullaç në kutinë e saj të postës si bebëza gati të pëlcasë. 

Duhet të marrë edhe ca KleenexaOse një Ph.D. S’ka mënyrë tjetër.

Mendoi ta rraste kokën në oxhak. Por ishte furrë elektrike. 

E dashura e Rebekës, Hilda, u kthye vonë.

“Si shkoi?” pyeti Hilda, duke iu referuar ditës.

“Për ibret.”

“Hmm,” bëri Hilda dhe qetësisht përgatiti pije të forta alkoolike për të dyja. 

Hilda është grua me një pamje shumë të bukur. Edhe Rebeka. E duan njëra-tjetrën – një çështje pabesueshmërisht e brishtë dhe e rrezikshme, siç e dimë. Hilda ka flokë të gjata të verdha dhe ndoshta është për një fije më e bukur. Natyrisht Rebeka ka një figurë klasike dhe seksuale që nxit një adhurim të madh te kushdo që e sheh. 

“Je vonë,” tha Rebeka. “Ku ishe?”

“U ndala për një pije me Stefaninë.”

“Pse të pish me Stefaninë?”

“Ajo kaloi kah zyra ime dhe më tha hajt të pimë nga një.”

“Ku shkuat?”

“Te Barclay.”

“Si është Stefania?”

“Mirë është.”

“Pse u desh të pije me Stefaninë?”

“Më pihej një gotë.”

“Stefania nuk e ka një gjelbërsi të lehtë, a nuk është kështu? Stefania e trëndafiltë e lezetshme”.

Hilda u ngrit dhe vuri një album të mrekullueshëm C. & W. në gramafon. Ishte ‘Farewall to the Ryman’, nga David Rogers, Atlantic SD 7283. Përmbante këngë të parapëlqyera si ‘Blue Moon of Kentucky’, ‘Great Speckled Bird’, ‘I’m Movin’ On’ dhe ‘Walking the Floor over You.’ Një pjesë e mirë e personalit të Nashvillit paraqitej në këtë regjistrim.

“E trëndafilta nuk është gjithçka,” tha Hilda. “Dhe Stefania është paksa e mërzitshme. Ti e di këtë.”

“Jo aq e mërzitshme sa të mos dalësh për një pije me të.”

“Nuk jam e interesuar për Stefaninë.”

“Derisa po largohesha nga gjykata,” tha Rebeka, “një burrë ma zbërtheu zinxhirin.”

David Rogers po këndonte ‘Oh please release me, let me go.’

“Çfarë kishe veshur?”

“Këtë që e kam tash.”

“Paska pasur shije të mirë,” tha Hilda, “për një njeri të shpifur si ai.” E përqafoi fort Rebekën, në divan. “Të dua,” i tha.

“Mbërtheje atë,” the Rebeka qartë dhe e shtyu Hildën tutje. “Hajt shko rro me Stefani Saserin.”

“Nuk më intereson Stefani Saseri,” tha Hilda për herë të dytë.

Shumë shpesh ne ‘shtyjmë tutje’ një gjë që duam ta rrëmbejmë, si një dashnor. Ky është një mekanizëm i rëndomtë, megjithëse i dhimbshëm, psikologjik, që ka të bëjë (me mendjen time) me faktin se ajo që është e pranishme nuk është e pranishme ‘pastërsisht’, se ka një hilet fare të vockël ose një vend të zymtë diku aty. Sidoqoftë, gjërat e këqija mund të ndodhin. 

“Rebeka,” tha Hilda, “vërtet nuk më pëlqen gjelbrësia jote e lehtë.” 

Termi ‘lizard’ (hardhucë) po ashtu përfshin gekotë, higuanat, kameleonët, kokëzogëzat dhe hardhucën monitor. Rendin e tyre e përbëjnë njëzet familje ekzistuese, sipas Larousse Encyclopedia of Animal Life dhe të tjerat janë të njohura vetëm nga fosilet e tyre. Ka rreth dy mijë e pesëqind lloje dhe janë në gjendje të ecin, vrapojnë, ngjiten, kacavirren dhe gërmojnë. Shumica kanë emra intersantë, si hardhuca mjekroshe, hardhuca me qafore, hardhuca që i përplas këmbët, hardhuca me kreshtë, hardhuca me bishtin unazë dhe hardhuca e murit. 

“Nuk ia kam vënë mendjen kësaj gjëje me vite, ngase të dua, por përnjëmend nuk më pëlqen gjithaq,” tha Hilda. “Është e lehtë…”

“E dija,” tha Rebeka.

Rebeka shkoi në dhomën e gjumit. Televizori me ngjyra ishte i ndezur, kush e di pse. Në një shkëlqim gjelbërosh, po jepej një film i quajtur Green Hell.

Jam e sëmurë, jam e sëmurë.

Do të bëhem bujk.

Dashuria jonë, dashuria jonë seksuale, dashuria jonë e rëndomtë!

Hilda hyri në dhomën e gjumti dhe tha, “Darka është gati.”

“Çfarë ka?”

“Mish derri me lakër të kuqe.”

“Jam e dehur,” tha Rebeka.

Shumë nga njerëzit tanë janë të dehur në kohën kur duhet të jenë esëll – në kohën e darkës për shembull. Dehja të bën të harrosh ku e ke lënë orën e dorës, çelësat, apo kutinë e parave dhe në njëfarë shkalle tkurr ndjeshmërinë ndaj nevojave, dëshirave dhe shëndetit të të tjerëve. Shkaqet i përdorimit të tepruar të alkoolit nuk janë të qarta si përfundim. Psikiatrët ndiejnë se në përgjithësi alkoolizmi është një problem serioz, por i trajtueshëm, në disa raste. A.A. thuhet të jetë njëkohësisht efektive dhe popullore. Në thelb, e gjitha është çështje e fuqisë së vullnetit.

“Ngrihu,” tha Hilda. “Më vjen keq për ato që i thashë.”

“E the të vërtetën,” tha Rebeka.

“Po, ishte e vërteta,” e pranoi Hilda.

“Nuk ma ke thënë të vërtetën në fillim. Në fillim më ke thënë se ishte e bukur.”

“Po ta thosha të vërtetën, në fillim. Mendoja se ishte e bukur. Atëkohë.”

Kjo ‘atëkohë’, fjala e fundit e serisë së tri fjalive të shkurtra të Hildës është njëra prej fjalëve që nxisin dhimbje më së shumti në fjalorin njerëzor, kur përdoret në atë kuptim. Kohë e shkuar! Dhe gjendjet e mëparshme që zhduken bashkë me të! Sa dhimbje njerëzore është të matesh? Por mbajeni në mend se Hilda, po ashtu… është korrekte të ndieni për Rebekën në këtë gjendje, por, lexues, as gjendja e Hildës nuk mund të konsiderohet për t’u pasur zili, se e vërteta, siç e dinte Bergsoni, është arrë e fortë, qoftë kur je duke e vërtitur, qoftë kur je duke e kapur. 

“Çka mbetet tash?” pyeti Rebeka ftohtësisht.

“Mund të të dua, pavarësisht…

A dua të jem e dashur, pavarësisht? A dua? A do ndonjëri? A nuk jemi të gjithë ne, në njëfarë shkalle? A nuk ka pjesë të rëndësishme te të gjithë ne që do të mund, le të themi kështu, shiheshin si të kaluara? 

Unë e bëj njërin sy qorr për këtë aspekt tëndin dhe ti e bën njërin sy qorr për këtë aspekt timin dhe me këta sy qorr sy në sy, që të përdorim shprehjen e viteve të hershme 1960, ne i vazhdojmë jetët tona të kollarisura dhe kundërmuese. 

Natyrisht kjo gjë po ashtu quhet ‘të bësh më të mirën’, çka unë prore e kam konsideruar më shumë si një ide të qulltë të idealit amerikan. Por kritika ime ndaj kësaj ideje mund të testohet kundër atyre të të tjerëve – presidentit të ndjerë McKinley, për shembull, i cili pohonte se të mbash një qëndrim të mirë, sado që jo domosdoshmërisht pozitiv, është shtegu më i vlefshëm që duhet ndjekur. 

Hilda i puqi duart e saj mbi kokën e Rebekës.

“Do të bjerë borë,” tha ajo. “Së shpejti do të jetë kohë me borë. Atëherë do të jemi bashkë si në kohërat e tjera me borë. Duke pirë përreth zjarrit. E vërteta është një derë e mbyllur ku ne trokasim dhe të cilën e mbyllim me çelës herë pas here dhe pastaj e përdorim prapë. Nesër do të më lëndosh ti mua dhe unë dë të të njoftoj se e bëre dhe kështu me radhë, pafundësisht. Ta hajë dreqi. Hajde, mike viridiane, eja darko me mua.”

U ulën bashkë. Mishi i derrit me lakër të kuqe avullonte para tyre. Folën qetësisht rreth administratës McKinley, që po rishikohej nga historianët revizionistë. Rrëfimi mori fund. Ishte shkruar për shumë arsye. Nëntë sosh janë sekrete. E dhjeta është se kurrë s’duhet të reshtim së marri parasysh dashurinë njerëzore. E cila mbetet e lemerishme dhe e artë si gjithmonë, s’ka rëndësi se çfarë trumpetash bien në faqen e nxehtë të timpanit. 

/Marrë nga Donald Barthelme, “Collected Stories”, Library of America, 2021/ KultPlus.com

Fotografi fashist që zbuloi dhe maskoi realitetin e Shqipërisë së vitit 1940

By: Kult Plus
22 July 2025 at 19:30

Nga Albert Vataj

Në një epokë të trazuar, kur Europa po tronditej nga marshimi i fashizmit dhe retorika e Musolinit kumbonte përtej brigjeve të Adriatikut, një sy i mprehtë, ai i Giuseppe Massanit, shihte dhe regjistronte një Shqipëri që ndodhej mes realitetit të saj të vjetër dhe imazhit të ri që propaganda donte t’i jepte.

Fotografitë e tij, të botuara në vëllimin “Albania: testo e foto di Giuseppe Massani” (Romë, 1940), nuk ishin thjesht kartolina nostalgjike. Ato ishin mjet politik dhe njëkohësisht dëshmi të paçmuara, ku ndërthuren mjeshtëria artistike dhe hijet e propagandës.

Mes reporterit të përkushtuar dhe artistit të paanshëm, mes njeriut që shërbente një ideologji dhe krijuesit që s’dinte të ndalonte së fiksuari bukuritë e vërteta, Massani lëvizte në një labirint të dyfishtë. Nga njëra anë, misioni i tij ishte i qartë: t’i paraqiste Italisë fashiste një Shqipëri të shkëlqyer, të ndriçuar nga rregulli dhe përparimi nën simbolin e Liktorit. Nga ana tjetër, objektivi i tij kapte gjeste, fytyra, peizazhe e zakone që asnjë censurë propagandistike nuk mund t’i zbehte.

Dhe lindin pyetjet që trazojnë çdo studiues:

– Ç’bënin portretet e Viktorit Emanuelit III dhe të Duçes në një shtëpi alpine në Theth?

– Ç’kuptim kishin buzëqeshjet dhe takimet miqësore të banorëve të Tiranës me ushtarakë italianë në rrugë?

– Çfarë tregonte biseda e çiltër e një zonje shqiptare, e veshur me kostum kombëtar, me vetë Benito Musolinin?

Këto nuk janë thjesht pamje të fiksuara në celuloid. Janë simbolika të një kohe kur Shqipëria po përdorej si skenë për të luajtur dramën e lavdisë romake. Por ato, në të njëjtën kohë, mbeten dëshmi e një realiteti etnografik, të zakoneve të gjalla, të lagjeve tradicionale, të tregjeve të gjallëruara, të punëve të dorës, riteve të përditshme dhe panoramave që frymojnë autenticitet.

Siç vëren albanologu Robert Elsie, Massani kishte qenë tashmë një ithtar i flaktë i fashizmit, autor albumesh për rajone të ndryshme italiane, përpara se të mbërrinte në Shqipëri. Albumi për Shqipërinë ishte një pasaportë ideologjike për publikun italian, e përgatitur me mbështetje zyrtare dhe një kujdes të hollë për të krijuar imazhin e një bashkimi italoshqiptar.

Por brenda atij kuadri të kujdesshëm propagandistik, objektivi i Massanit shpesh “tradhtonte” misionin e vet: ai ndalonte mbi një fytyrë të rrudhur bariu, mbi një veshje popullore të qëndisur me dorë, mbi një peizazh të egër që s’pranon të zbutet nga parullat, mbi lojën e fëmijëve në rrugë të gurta. Pikërisht këto çaste i japin albumit të tij vlerën e vërtetë etnografike e kulturore.

Albumi i Massanit është, kësisoj, një mozaik i dyfishtë:

një pasqyrë e një kohe para komunizmit, e një Shqipërie që kishte ende gjurmët e saj të lashta dhe të papërlyera nga dogmat e reja, por edhe një skenografi politike që donte të bindte publikun se “Riviera Shqiptare”, qytetet dhe fshatrat, ishin tashmë pjesë e një perandorie të ringjallur.

Një trashëgimi e dyfishtë

Sot, albumi i tij nuk lexohet vetëm si propagandë, por si një arkiv i pasur kujtesash, një koleksion pamjesh që shpalos jetën shqiptare në kufirin e një epoke të humbur. Aty ku synimi ideologjik donte të tregonte një vend të përkulur, pamjet e tij në fakt dëshmojnë një vend që jetonte, punonte, vallëzonte, dhe që kishte fytyra e histori përtej çdo pushteti.

Giuseppe Massani mbetet një figurë paradoksale: njëkohësisht shërbëtor i një regjimi dhe ruajtës i paqëllimtë i një trashëgimie vizuale që sot na ndihmon të kuptojmë më mirë veten tonë dhe rrugën që kemi përshkuar.

Në fund të fundit, fotot e tij janë më shumë se pamje: ato janë dëshmi të një kohe ku drita dhe hija e historisë bashkëjetonin në të njëjtin kuadër./KultPlus.com

Nicholas McCarthy, pianisti me një dorë që magjepsi Londrën

By: Kult Plus
22 July 2025 at 19:00

Më 20 korrik, Nicholas McCarthy mahniti audiencën me performancën e tij në Royal Albert Hall në Londër.

Ai është një pianist i veçantë, i vetmi profesionist në botë që luan vetëm me një dorë, të cilit pesë gishta i mjaftojnë për të krijuar magjinë në piano.

Edhe pse ky koncert përfaqësonte realizimin e një ëndrre për të, McCarthy është tashmë një figurë e njohur për publikun. Në vitin 2012, ai performoi në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Paraolimpike në Londër, duke ndarë skenën me grupin Coldplay. Ai sapo ishte diplomuar në Royal College of Music të Londrës, duke u bërë pianisti i parë me vetëm një dorë që kishte përfunduar këtë konservator të shquar në historinë 130-vjeçare të tij.

Në vitin 2018, Princi i Uellsit, tashmë Mbreti Charles, e nderoi McCarthy si anëtar nderi të institucionit, duke e vendosur në radhën e emrave të mëdhenj si Claudio Abbado, Cecilia Bartoli, Daniel Barenboim dhe Pierre Boulez, përcjellë KultPlus.

McCarthy u dashurua me pianon në moshën 14-vjeçare, kur dëgjoi një shok shkolle të luante një sonatë të Beethoven-it. Ai ka lindur pa dorën e djathtë, por nuk u dorëzua. Kur telefonoi në një shkollë muzike, i sugjeruan të gjejë një hobi tjetër, ndaj nisi të studionte vetë. Si autodidakt, më pas hyri në Guildhall School of Music and Drama dhe më vonë në Royal College.

“Përvoja ime dëshmon se muzika është për të gjithë,” tha ai. McCarthy është i vlerësuar nga kritikët, por jo vetëm ata, shumë nga njerëzit që e ndjekin në koncertet e tij janë të rinj në botën e muzikës klasike./KultPlus.com

Sporti si urë lidhëse, hapet në Tiranë ekspozita me fotot e të rinjve nga Ballkani

By: Kult Plus
22 July 2025 at 18:33

Në Shtëpinë e Evropës në Tiranë u çel ekspozita fotografike me titullin “Gati. Qëndro. Evropa jonë!”, e cila fokusohet në komunikimin përmes sportit.

Ekspozita përmban 18 fotografi të përzgjedhura nga rreth 200 aplikime të pranuara në konkursin fotografik të organizuar për këtë qëllim.

“Ky konkurs bashkoi disa elementë të rëndësishëm – tregimin e një historie përmes fotografisë dhe sportit. Kur këto tre gjëra bashkohen, dalin rezultate të veçanta. Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje është drita që shikoja në fotografi, shprehja e shpresës dhe e të ardhmes që ata donin të tregonin. Përmes fotografisë ndërtojmë ura, dhe ky ishte qëllimi i konkursit – të ndërtojmë ura lidhjeje.”, theksoi Armando Babani, fotoreporter dhe anëtar i jurisë së konkursit.

Ekspozita synon të reflektojë mbi entuziazmin e të rinjve për sportin, kreativitetin dhe vlerat evropiane, duke ftuar të rinjtë të tregojnë sesi sporti lidh popujt e Ballkanit, duke mos krijuar ndarje, por bashkim.

“Sot nuk po shohim thjesht fotografi, por po dëgjojmë zëra të të rinjve nga gjithë rajoni, të cilët përmes aparatit të tyre tregojnë se si e shohin Evropën, vlerat e saj dhe përfytyrimin që kanë për të ardhmen e saj. Ky aktivitet përcjell mesazhe qëndrese, bashkëjetese, përfshirjeje, respekti dhe punë ekipore – vlera që qëndrojnë në themel të Bashkimit Evropian.”, tha Silvio Gonzato, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, thekson:

Më parë, ekspozita ka udhëtuar në Beograd, Podgoricë dhe Shkup, dhe pas Tiranës do të vijojë në Bosnjë e Hercegovinë dhe Prishtinë. Gjashtë fotografitë më të mira do të ekspozohen më pas në një nga kryeqytetet e Bashkimit Evropian.

Gjatë çeljes së ekspozitës ishte e pranishme edhe Klodiana Shala, kampione evropiane e atletikës dhe gruaja e parë shqiptare që mori pjesë në Lojërat Olimpike në Athinë 2004./euronews.al/KultPlus.com

Billy Joel e krahasoi çrregullimin e tij neurologjik me “të qenit në një barkë” dhe tha se megjithatë ndihet “mirë”

By: Kult Plus
22 July 2025 at 18:12

Billy Joel ka ndarë një përditësim mbi shëndetin e tij disa muaj pas anulimit të turneut të tij, i cili erdhi si pasojë e diagnozës së tij me hidrocefalinë me presion normal (NPH), një gjendje që ndikon në tru.

Joel dha këtë përditësim duke thënë se megjithëse gjendja “nuk është shëruar” dhe “ende po punohet mbi të,” ai në përgjithësi ndihet “mirë”.

“Balancimi im është i dobët. Është si të jesh në një barkë,” tha Joel, duke shtuar më vonë: “Ndjehem mirë. Mendoj se ata vazhdojnë ta quajnë atë që kam një çrregullim truri, kështu që tingëllon shumë më keq sesa ndihem unë.”

Joel njoftoi në maj se datat e turneut të tij ishin anuluar në mënyrë që ai të mund të kërkonte trajtim për NPH, duke thënë në një deklaratë atëherë se kjo gjendje “është përkeqësuar nga performancat e fundit në koncerte, duke shkaktuar probleme me dëgjimin, shikimin dhe balancimin.”

“Nën udhëzimet e mjekut të tij, Billy po ndjek terapi fizike specifike dhe i është këshilluar të mos performojë gjatë këtij periudhe rikuperimi,” thuhej në deklaratë. “Billy është mirënjohës për kujdesin e shkëlqyer që po merr dhe është plotësisht i përkushtuar t’i japë përparësi shëndetit të tij.”

Njoftimi i Joel në maj erdhi pasi ai më parë kishte shtyrë tetë data të turneut për t’u përqëndruar në rikuperimin pas një operacioni të fundit, përcjellë KultPlus.

Java e kaluar, një dokumentar i ri mbi vitet e hershme dhe karrierën e Joel debutoi në HBO Max.

Titulluar “Billy Joel: And So It Goes,” dokumentari përshkruan fillimet dhe partneritetet muzikore të tij të hershme, dhe gjithashtu thellohet në disa nga përpjekjet e tij personale./CNN/KultPlus.com

Monotonia

By: Kult Plus
22 July 2025 at 18:00

Poezi nga Carl Sandburg

Monotonia e shiut është e bukur,

Dhe ngritja e beftë dhe rënia e prâjtë

E shiut të gjatë të pareshtur.

Dielli mbi kodra është i bukur,

Apo çasti i perëndimit të ndezur në det,

Shkruar me flakë dhe flori.

Një fytyrë që unë njoh është e bukur –

Me flakë dhe flori qielli dhe deti,

Dhe me paqen e shiut të ngrohtë të papushuar.

Përktheu: Skënder Buçpapaj/KultPlus.com

Zonja Çurre, një emër i pashuar në kujtesën e rezistencës shqiptare

By: Kult Plus
22 July 2025 at 17:29

Më 22 korrik përkujtojmë 81-vjetorin e rënies së Zonja Çurres, një gruaje të re që la gjurmë të thella në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

E lindur në fshatin Tragjas të Vlorës në vitin 1920, Zonja Çurre është simbol i përkushtimit, trimërisë dhe vetëflijimit të grave shqiptare në përpjekjet për çlirimin e atdheut nga pushtuesit fashistë.

Në vjeshtën e vitit 1943, Zonja doli vullnetare dhe shkoi në mal partizante dhe u rreshtua në një nga batalionet që do të formonte më vonë Brigadën e V-të. U vendos në Kompaninë e parë dhe u caktua mitraliere. Me atë mitroloz Zonja nuk u nda, deri sa më 22 korrik 1944 dha jetën për lirinë e atdheut.

Që në moshë fare të re, ajo u bë përgjegjëse për organizimin e të rejave antifashiste në fshatin e saj, një rol që kërkonte jo vetëm vizion dhe guxim, por edhe një shpirt të palodhur përballë rreziqeve të përditshme që sillte lufta dhe terrori i pushtuesve, përcjellë KultPlus.

Në janar të vitit 1944, në kulmin e Operacionit të Dimrit, një nga periudhat më të vështira për forcat partizane, Zonja Çurre radhitet në formacionet luftarake të Brigadës së V-të Sulmuese.

Në ditët e fundit të jetës së saj, ajo vepronte në zonën e Klosit, në Mat, ku forcat partizane po zhvillonin luftime të ashpra. Ajo u përfshi me gjithë qenien në luftën për çlirim, duke u bërë pjesë e atij brezi të rinjsh që luftuan jo vetëm për të larguar pushtuesin, por për të ndryshuar rrënjësisht shoqërinë shqiptare.

Zonja Çurre nuk ishte një emër i rastësishëm në radhët e grave partizane, ajo përfaqësonte një brez grash që nuk pranuan të qëndronin në hije. Me armë në dorë dhe me idealin e lirisë në zemër, ato u bënë pjesë e betejës për çlirimin e vendit.

81 vjet pas rënies së saj, kujtimi për Zonja Çurren mbetet i gjallë. Ajo është një figurë që frymëzon, jo vetëm për trimërinë në luftë, por edhe për rolin e gruas shqiptare në ndërtimin e qëndresës popullore, duke na kujtuar se historia nuk duhet harruar, ajo duhet rrëfyer me nderim dhe me përgjegjësi./KultPlus.com

❌
❌