Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 August 2025KultPlus

Pendim

By: Kult Plus
10 August 2025 at 12:32

Poezi nga Jorge Luis Borges  

E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdha
që nji njeri mundet me bâ: s’kam qenë
i lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë,
m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.

Prindët m’lindën që ta lu’j
nji lojë t’rrezikshme e t’bukur në kët’ botë,
për tokë, ajër, zjarm e ujë.
I mashtrova. S’qeshë i lumtun. Qe e kotë

dëshira e tyne e rinisë. Trunin tim
ia fala me vullnet e kâmbëngulje
simetrive t’artit gjithë lajlelule.

Ata m’lanë trashëgim vlerat. Unë s’kam qenë trim.
Nuk më braktis kurrë, gjithmonë më rri pran’
hija e të qenit nji mjeran. / KultPlus.com

Konica: Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar

By: Kult Plus
10 August 2025 at 12:07

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34). / KultPlus.com

Shoqëri

By: Kult Plus
10 August 2025 at 11:33

Nga Raymond Carver

Përktheu Edon Qesari

Sot në mëngjes u zgjova me shi
mbi qelq. Dhe kuptova
se prej kohësh tashmë
kam zgjedhur të kalburën kur
mund të bëja tjetërsoj. A përndryshe,
thjesht më të lehtën e mundshme.
Përballë të virtytshmes. Apo të zorshmes.
Mendime të këtilla më vijnë
kur kaloj ditë me radhë në vetmi.
Si tani. Orë që shpenzoj
në shoqëri të vetes gojëkyçur.
Orë e orë të tëra
njësoj si një dhomë e vogël.
Me veç një rrip tapeti ku mund të ecësh./ KultPlus.com

Havzi Nela, poeti shqiptar të cilin e varën midis qyteti, por la poezinë më prekëse

By: Kult Plus
10 August 2025 at 10:57

10 gushti i këtij viti shënon 37-vjetorin e vdekjes së poetit të njohur shqiptar, Havzi Nela. Poet ky, i cili ra viktimë e diktaturës komuniste në Shqipëri, duke u varur midis qytetit, shkruan KultPlus.

Havzi Nela padyshim mund të konsiderohet si ndër të paktët shkrimtarë disidentë që ka pas Shqipëria e periudhës komuniste.

E gjithë jeta e tij ka kaluar mes peripecirash të panumërta, midis burgut, internimeve, arratisjen për një kohë të shkurtër në Kosovë nën ish-Jugosllavi, kapjes nga policia jugosllave dhe rikthimit në burgjet komuniste në Shqipëri, dhe në fund dënimi me varje në mes të qytetit të Kukësit. Por, pavarësisht të gjithave, poeti shpirtlirë i “brezit të humbur” të periudhës së zezë komuniste shqiptare, asnjëherë nuk iu nënshtrua këtij regjimi, dhe e luftoi me të gjitha mënyrat që kishte mundësi.

Që kur ishte adoleshent në shkollë të mesme në Kukës, Havzi Nela shfaqi kundërshtitë e para ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Ndër varfërisë ekstreme në të cilën jetonte dhe persekutimit, ai arriti të gjente punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit. Por, nuk do kalonte shumë kohë që Havzi Nela të dëbohej edhe nga ky fshat si armik për shkak të “aktivitetit të tij të dyshimtë” duke qënë se i lexonte vjersha të ndaluara nxënësve të tij. Me datë 26 prill 1967, Havzi Nela dhe gruaj ae tij rrezikuan jetën e tyre duke kaluar ilegalisht kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës (nën Jugosllavi atë kohë), ndërsa me pezmatim në zemër për ditët e errëta që kalonte atdheu i tij nën regjimin komunist, ai do të linte një letër në të kaluar të kufirit:

“”Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun…” duke e vendosur në degën e një peme.

Por, fati tragjik e ndjek poetin kuksian dhe gruan e tij edhe në Kosovë, ku vetëm pak ditë pas kalimit të kufirit, ato arrestohen nga policia jugosllave, të cilët do t’i rikthenin sërish në Shqipërinë komuniste. Menjëherë pas rikthimit, poeti dënohet me plot 50 vite burg. Por, Havzi Nela kurrë, edhe në burgjet famëkeqe komuniste, nuk u përthye dhe nuk rreshti kurrë së urryeri “Partinë” dhe kriminelat e saj. Në vitin 1988, poeti shpirtlirë kuksian u dënua me varje dhe kjo ndodhi në mes të qytetit të tij të lindjes.

Më poshtë gjendet një nga poezitë më të bukura dhe të ndjera të tij, si një trashëgimi për periudhën e zezë komuniste të Shqipërisë së atyre ditëve. Në atë kohë, sic kishte edhe një shprehje në Shkodër, “të gjithë ishin të vde,kur; ndaj atyre që vdi,snin u thonin se ato thjesht kishin ndërruar jetë”.

Kur të vdes

Kur të mësoni se kam vde.kë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”
 / KultPlus.com

’Hipokriti i vërtetë është ai që pushon së perceptuari mashtrimin e tij, ai që gënjen me sinqeritet’

By: Kult Plus
10 August 2025 at 10:29

André Gide ishte një autor francez dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi (në 1947).

Ai është autor i më shumë se pesëdhjetë librave. Gazeta “The Neë York Times” e kishte përshkruar atë si “njeriu më i madh bashkëkohor i Francës në letra”.

Për lexuesit tanë sjellim këtë koleksion me thëniet më të bukura të tij:

Të dish të lirosh veten nuk është asgjë; gjëja e mundimshme është të dish çfarë të bësh me lirinë e dikujt.

Njeriu nuk mund të zbulojë oqeane të reja, nëse nuk ka guximin të harrojë bregun.

Besojuni atyre që kërkojnë të vërtetën. Dyshoni tek ata që e gjejnë.

Ji besnik ndaj asaj që ekziston brenda vetes.

Gjithçka është thënë tashmë, por meqenëse askush nuk po dëgjonte, ne duhet të fillojmë përsëri.

Ngjyra e së vërtetës është gri.

Vetëm ato gjëra janë të bukura të cilat janë të frymëzuara nga çmenduria dhe të shkruara nga arsyeja.

Hipokriti i vërtetë është ai që pushon së perceptuari mashtrimin e tij, ai që gënjen me sinqeritet.

Ju lutem mos më kuptoni shumë shpejt.

Të kesh zili për lumturinë e një njeriu tjetër është çmenduri; nuk do të dinit çfarë të bënit me të nëse do ta kishit.

Ai që dëshiron një trëndafil duhet ta respektojë gjembin e tij.

Vetëm budallenjtë nuk e kundërshtojnë vetveten.

Ka shumë gjëra që duken të pamundura për aq kohë që dikush nuk i provon ato.

Frika nga tallja lind frikacakun më të keq.

Guxo të jesh vetvetja.

Atëherë ju mendoni se dikush mund të mbajë një dashuri të pashpresë në zemrën e tij për aq kohë sa? … Dhe se jeta mund të marrë frymë mbi të çdo ditë, pa e shuar atë?

Ji besnik ndaj asaj që ekziston askund tjetër veç te vetja jote – dhe kështu bëhu i domosdoshëm.

Urtësia nuk vjen nga arsyeja por nga dashuria.

Eshtë më mirë të të urrejnë për atë që je sesa të të duan për atë që nuk je.

Si do të ishte një rrëfim i lumturisë? E tëra që mund të përshkruhet është se çfarë e përgatit atë, dhe pastaj çfarë e shkatërron atë.

Veprimet më vendimtare të jetës sonë – dua të them ato që ka më shumë të ngjarë të vendosin gjithë rrjedhën e së ardhmes sonë – janë, më shpesh , të pamenduara.

Ne duhet ta shijojmë këtë verë, lule më lule, sikur të ishte e fundit që do të shohim.

Të lexosh një shkrimtar është për mua jo thjesht të marr një ide se çfarë thotë ai, por të shkoj me të dhe të udhëtoj në shoqërinë e tij.

Çdo çast i jetës sonë është në thelb i pazëvendësueshëm: duhet ta dini këtë në mënyrë që të përqendroheni në jetë.

Unë nuk dëshiroja asgjë përtej buzëqeshjes së saj dhe të ecja me të kështu, dorë për dore, përgjatë një dielli të ngrohur, në shtegun e luleve.

Trishtimi nuk është pothuajse kurrë asgjë, por një formë e lodhjes.

Kapaciteti për të fituar falas nuk është asgjë; aftësia për të qenë i lirë është detyra.

Gjërat më të rëndësishme për të thënë janë ato që shpesh nuk i mendoja të nevojshme t’i thosha – sepse ishin shumë të dukshme.

Mirëpriteni gjithçka që ju vjen, por mos dëshironi për asgjë tjetër.

Arti fillon me rezistencën – në pikën ku rezistenca kapërcehet. Asnjë kryevepër njerëzore nuk është krijuar kurrë pa punë të madhe.

Arti është një bashkëpunim midis Zotit dhe artistit, dhe sa më pak që bën artisti, aq më mirë.

Në mënyrë që të jem plotësisht i lumtur, e vetmja gjë e nevojshme është të përmbahem nga krahasimi i këtij momenti me momentet e tjera në të kaluarën, të cilat shpesh nuk i shijoja plotësisht, sepse i krahasoja me momentet e tjera të së ardhmes.

Më shpesh njerëzit kërkojnë situata të jetës për të këmbëngulur në mendimet e tyre sesa për të arsimuar veten e tyre.

Rrugët më të rrahura janë sigurisht më të sigurtat, por mos shpresoni të fitoni shumë me to.

Kam ndërmend t’ju sjell forcë, gëzim, guxim, zgjuarsi, sfidë.

Novelisti nuk ka shumë dëshirë ta shohë luanin duke ngrënë bar. Ai e kupton që i njëjti Zot krijoi ujkun dhe qengjin, pastaj buzëqeshi, “duke parë që puna e tij ishte e mirë”.

Ata krijojnë dallime dhe rezerva të cilat unë nuk mund t’i zbatoj për vete, sepse ekzistoj vetëm si një i tërë; I vetmi pretendim im është të jem i natyrshëm dhe kënaqësinë që ndiej gjatë një veprimi, e marr si shenjë se duhet ta bëj.

Vetë gjërat që më ndanin dhe më dallonin nga njerëzit e tjerë ishin ato që kishin rëndësi; gjërat që askush tjetër nuk do të donte dhe nuk mund të thoshte, këto ishin gjërat që unë kisha për të thënë.

Krijimet më të bukura të burrave janë vazhdimisht të dhimbshme. Cili do të ishte përshkrimi i lumturisë?./KultPlus.com

Shko Dallëndyshe

By: Kult Plus
10 August 2025 at 09:56

Poezi nga Filip Shiroka

Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Shndet prej mejet të m’i falesh
saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt e fmnisë,
shko n’at Kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Me ato male, me ato kodra,
me ato prronje rreth t’përfalesh;
n’ato fusha qi m’ka Shkodra,
të lulzueme, aty t’ndalesh,
tue këndue me ambëlcim:
fal me shndet gjytetit tim!

T’mujshe edh’ un me fluturue,
dojsh’ edhe un me u nisë me ty,
dojshe n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at vend me sy!…
Por… ti shko atje flutrim;
e ti qajma fatin tim!…/KultPlus.com

124 vite nga lindja e profesorit dhe veprimtarit shqiptar, Safet Butka

By: Kult Plus
10 August 2025 at 09:28

Sot janë bërë 124 vite nga lindja e profesorit, publicistit dhe veprimtarit kombëtar, Safet Butka, shkruan KultPlus.

Safet Butka u lind në Butkë, të Kolonjës, më 10 gusht, 1901. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, ai shkoi për studime të mëtejshme në Linz, Austri, ku përfundoi shkollën e mesme.

Gjatë qëndrimit të tij në Linz ai mori me vehte kushëririn e tij të, të riun Qemal Butka, një arkitekt i famshëm shqiptar, i cili më vonë do të bëhej kryetari i bashkisë së Tiranës. Pas shkollës së mesme, Safet Butka shkoi për të studiuar në Universitetin e Gracit, ku ai u diplomua me nderime në filozofi në vitin 1928.

Në Austri, ai ishte organizatori i shoqatës studentore “Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania” bashkë me Aleks Budën, Eqerem Çabejn, Krist Malokin, Lasgush Poradecin, kushuririn Qemalin, Skënder Luarasin, etj.

Botoi një koleksion të poezisë së zgjedhur të Naim Frashërit (“Naim Frashëri, vjershëtori dhe edukatori kombëtar“)dhe në vitin 1925 një studim mbi veprën e Naim Frashërit (“Naim Frashëri një shëmbull, një udhëheqës dhe një ideal për djalërinë shqiptare”).

Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe u emërua profesor në Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1929 ai u martua me Hatixhe Lubonjën, me të cilin ai kishte 4 fëmijë.

Nga 1928 në 1939 ai punoi si mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të mesme në qytetet shqiptare të Korçës, në Instutin Tregtar të Vlorës dhe në Normalen e Gjirokastrës, ku shërbeu dhe si drejtor.

Ai ishte edhe drejtori i Klubit të parë Shqiptar të Mesimdhënësve dhe ishte një nga profesorët e parë që zbatoi metodat perëndimore në procesin e mësimdhënies në vendin e tij.

Bashkëorganizator me ministrin e Arsimit Faik Shatkun, për kthimin e eshtrave të Naim Frashërit nga Turqia në Shqipëri. Në këtë kohë ai shkruajti artikuj në revista pedagogjike, sociale dhe filozofike. Botoi mjaft shkrime problemore në shtyp si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po shqiptarizmit dhe Perëndimit” etj.

Kulmin si edukator në shërbim të brezit të ri, ai e arriti gjatë kohës që punonte si drejtor i Gjimnazit të Tiranës, ku iu priu intelektualëve dhe studentëve në demostratave të para antifashiste në prag të pushtimit të vëndit, më 4 prill 1939 duke kërkuar armë dhe si mësues i shqipes në Gjimnazin e Shkodrës më 28 nëntor 1939 dhe 30 janar 1940. Për këto aktivitete ai u arrestua, i akuzuar si antifashist u arrestua më 2 shkurt dhe u internua në ishullin e Ventotenes në Itali, nga autoritetet fashiste./KultPlus.com

Rama ndan fotot: Qetësi nga plazhi i Livadhit në Himarë

By: Kult Plus
10 August 2025 at 09:00

Plazhi i Livadhit në Himarë, i njohur për ujin e tij të kristaltë dhe shkëmbinjtë e lartë që e rrethojnë, është shndërruar në një destinacion të preferuar për turistë vendas e të huaj që zgjedhin Rivierën Shqiptare për të pushuar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ky plazh, i cili përveç ujërave të kristalta të Jonit ofron qetësi për çdo pushues.

Ky plazh ndodhet poshtë Kalasë së Himarës, duke ofruar një kombinim të mrekullueshëm të historisë dhe natyrës.

Me një shtrirje prej rreth 1,2 kilometra dhe një gjerësi prej 100 metrash, me rërë të pastër dhe të mineralizuar, plazhi i Livadhit tërheq çdo vit vizitorë të shumtë, sidomos të huaj.

Ai ofron një qetësi jo të zakontë, gjë e cila është një nga kriteret kryesore që kanë pushuesit, dhe sidomos familjarët në përzgjedhjen e destinacioneve turistike gjatë sezonit veror.

Vendi është i përshtatshëm për t’u larë në thellësi dhe për hedhje nga shkëmbinjtë.

Plazhi i Livadhit ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për pushime relaksuese, me një larmishmëri hotelesh, lokalesh, restorantesh të çdo lloj portofoli. Ai është i përshtatshëm për çdo tipologji turistësh, vendas e të huaj.

Po në veçanti vizitorët e huaj duket sikur janë magjepsur nga ky plazh, për shkak të ujit të pastër dhe mundësisë që jep natyra për të eksploruar./atsh/KultPlus.com

Mbajini larg telefonave dhe pranë leximit: Disa këshilla si t’i afroni fëmijët me librat!

By: Kult Plus
9 August 2025 at 23:31

Leximet e para nuk harrohen kurrë dhe janë një hap thelbësor në rritjen e një fëmije.

Por cila është mënyra e saktë për t’i afruar të vegjlit me librat? Si është e mundur t’i bëjmë ata të apasionuar pas leximit?

Identifikoni nivelin e duhur të vështirësisë për të filluar

Eshtë e rëndësishme që fëmija të përjetojë një ndjenjë sfide dhe një shkallë të mirë të kënaqësisë: nëse tregimi është shumë i vështirë, ose përtej mundësive të fëmijës, ekziston rreziku që ta bëjë atë të ndiejë zhgënjim dhe zemërim; nëse është shumë i lehtë, ose jo shumë stimulues, rrezikoni ta mërzitni atë.

Riti i të lexuarit

Eshtë e rëndësishme që leximi të bëhet pjesë e rutinës prind-fëmijë. Mund të jetë një herë në ditë, çdo dy ditë ose çdo javë: të dielën në mëngjes me një filxhan çaj bimor të zierë, në mbrëmje menjëherë pas darkës, të shtunën pasdite. Zhdukni të gjitha shpërqendrimet, mendimet dhe shqetësimet e jashtme, bëje të qetë dhe kushtojuni vetëm faqeve të librit që keni në dorë.

Rrëmbehuni nga leximi: emocione dhe argëtim

Roli i të rriturit është thelbësor për suksesin e aktivitetit. Gëzimi, argëtimi, imagjinata janë përbërësit për të përfshirë fëmijën dhe për të hapur mendjen e vet. Po aq e rëndësishme do të jetë, që prindi të ketë aftësinë të ndalet herë pas here, sepse vëmendja e fëmijëve ka një kohëzgjatje shumë të kufizuar.

Rëndësia e zërit për të artikuluar rrokjet dhe fjalët

Për fëmijën shumë fjalë dhe fraza janë thjesht një grup shkronjash ose rrokjesh. Prandaj, mbështetja juaj do të jetë thelbësore si për shqiptimin e saktë të fjalës, ashtu edhe për intonacionin e tërë fjalisë dhe për të kuptuar tekstin. Prandaj është e rëndësishme që së pari t’i jepet kënaqësia që ta lexojë fjalën në mënyrë të pavarur. Pastaj përsërisni fjalën e lexuar për të, duke qenë shumë të kujdesshëm për të vendosur theksin në rrokjen e saktë. Pasi fëmija të ketë lexuar të gjitha fjalët që përbëjnë fjalinë, ajo rilexohet, duke u siguruar që të jep intonacionin e saktë të zërit, të shtojë ngjyra në tekst dhe të lehtësojë të kuptuarit.

Rindërtoni të gjithë historinë së bashku

Pasi të keni lexuar fjalën e fundit të fjalisë së fundit, lexoni sërish tregimin së bashku. Tani që fëmija është njohur me fjalët, ai mund të përqendrohet në kuptimin e tekstit që ka lexuar. Pasi të lexoni përsëri historinë, përpiquni të argëtoheni me aktivitetet e propozuara në fund të tregimit, për të forcuar të kuptuarit tuaj për tekstin e lexuar./KultPlus.com

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë

By: Kult Plus
9 August 2025 at 23:30

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë

Petrit Ruka

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.

Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.

Pastaj jemi përqafuar ; “e po unë isha në gjumë “
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as O.K.B-ëja s’ka parë.

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!/KultPlus.com

Yesterday — 9 August 2025KultPlus

Dita Kombëtare e Gruas në Afrikën e Jugut

By: Kult Plus
9 August 2025 at 22:31

Më 9 gusht 1956, rreth 20 mijë gra nga e gjithë Afrika e Jugut marshuan drejt ndërtesës së Union Buildings në Pretoria, për të dorëzuar një peticion kundër ligjeve diskriminuese të apartheidit, veçanërisht atyre që kufizonin lëvizjen e personave me ngjyrë. Ky ishte një akt i jashtëzakonshëm guximi dhe uniteti, ku gratë nga të gjitha racat dhe etnitë dolën bashkë për të thënë se padrejtësia nuk mund të pranohej më.

Simbol i kësaj proteste u bë heshtja e fuqishme e grave, e ndjekur nga kënga “Wathint’ Abafazi, Wathint’ Imbokodo” (“Kur prek një grua, prek një shkëmb”), që u kthye në thirrje frymëzuese për barazi dhe dinjitet., shkruan KultPlus.

Pas rënies së regjimit të apartheidit, ky moment historik u bë festë zyrtare kombëtare në vitin 1995 dhe sot, Dita Kombëtare e Gruas në Afrikën e Jugut përkujton jo vetëm këtë protestë të madhe, por edhe rëndësinë e vazhdueshme të betejës për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore.

Në mbarë vendin organizohen ngjarje kulturore, ekspozita, koncerte dhe debate publike, që kujtojnë rolin kyç të grave në shoqëri dhe fuqinë e artit dhe kulturës si mjete për ndryshim shoqëror./KultPlus.com

Përmbyllet me sukses edicioni i 24-të i DokuFest në Prizren, shpallen fituesit e çmimeve prestigjioze

By: Kult Plus
9 August 2025 at 21:37

Sonte u mbyll me sukses edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe Ballkan. Për më shumë se një javë, qyteti historik i Prizrenit u shndërrua në një kinema të hapur, ku u shfaqën rrëfime kinematografike nga e gjithë bota, duke rikthyer vëmendjen ndërkombëtare në kinematografinë e rajonit.

“DokuFest” vazhdon të jetë pikë referuese për filmat dokumentarë dhe të shkurtër, duke promovuar tematika të rëndësishme shoqërore dhe artistike dhe duke mbështetur artistët e rinj dhe të afirmuar.

Filmi “SOS” nga Anita Morina u shpall fitues i kategorisë kombëtare, duke marrë çmimin kryesor të festivalit.

Në ceremoninë përmbyllëse u shpallën fituesit e çmimeve të ndryshme:

Çmimi i distribuimit: “Ndera”, nga Endrit Qarolli

Çmimi i publikut: “Palace of Youth”, nga Maddie Gwin

Çmimi për filmin më të mirë nga të rinjtë: “Coexistence My Ass”, nga Amber Fares

Mirënjohje speciale në kategorinë “The Green Dox”: “May the Soil Be Everywhere”, nga Yehui Zhao

Çmimi i kategorisë “The GREEN DOX”: “Shifting Baselines”, nga Julien Elie

Çmimi për të drejtat e njeriut: “My Dear Theo”, nga Alisa Kovalenko

Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër: “Blue Heart”, nga Samuel Suffren

Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër dokumentar: “We Were the Scenery”, nga Christopher Radcliff

Çmimi për filmin e gjatë dokumentar: “Action Item”, nga Paula Ďurinová

Mirënjohje speciale në kategorinë “Balkan Dox”: “Antigona”, nga Ibër Deari dhe Mirsad Abazi

Çmimi në kategorinë “Best Balkan Short Dox”: “Merging Bodies”, nga Adrian Paci

Mirënjohje speciale në kategorinë “Balkan Dox”: “Soil and Wings”, nga Stefan Malesheviq

Çmimi në kategorinë “Balkan Dox”: “A Strange Colour of Dream”, nga Yasemin Akinci

Çmimi i kategorisë kombëtare: “SOS”, nga Anita Morina

Ky festival i konsoliduar ka rikthyer Prizrenin në hartën kulturore ndërkombëtare dhe ka nxjerrë në pah talentet më të mira të dokumentarit, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e industrisë së filmit në rajon./KultPlus.com

Lindja e Whitney Houston, një zë që ndryshoi historinë e muzikës

By: Kult Plus
9 August 2025 at 21:29

Më 9 gusht 1963, në Newark të New Jersey-t, lindi Whitney Elizabeth Houston, një artiste që do të bëhej një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të historisë së muzikës moderne.

Me një timbër unik, diapazon të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të shkrirë soul, pop dhe gospel në një harmoni të përsosur, Whitney nuk ishte thjesht këngëtare, por një fenomen kulturor,shkruan KultPlus.

Që me albumin e saj të parë, i cili thyeu rekorde shitjesh në mesin e viteve ’80, ajo u ngjit në majat e klasifikimeve botërore dhe krijoi hite që u kthyen në himne të dashurisë dhe forcës. Performanca e saj e paharruar në filmin “The Bodyguard” dhe kënga “I Will Always Love You” mbeten ndër momentet më ikonike të muzikës dhe kinemasë.

Përtej skenës, Whitney ishte një frymëzim për breza të tërë artistësh, duke hapur rrugë për këngëtare të reja dhe duke treguar se fuqia e talentit të vërtetë mund të kapërcejë çdo kufi.

Edhe pse jeta e saj u shënua nga sfida personale dhe një fund tragjik në vitin 2012, trashëgimia e saj muzikore vazhdon të jetojë, duke i kujtuar botës se disa zëra nuk shuhen kurrë./KultPlus.com

Sonte përmbyllet edicioni i 24-të i DokuFest në Prizren

By: Kult Plus
9 August 2025 at 21:15


Pas më shumë se një jave plot rrëfime kinematografike nga e gjithë bota, sonte përmbyllet edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” në Prizren.

Ky festival i njohur ndërkombëtarisht ka rikthyer qytetin historik të Prizrenit në një kinema të hapur, duke sjellë një gamë të gjerë filmash që pasqyrojnë realitete dhe tema të ndryshme nga kultura dhe shoqëritë globale, shkruan KultPlus.

Përveç prezantimit të filmave me cilësi të lartë, DokuFest ka ndërtuar një reputacion si pikë referuese në Kosovë dhe Ballkan sa i përket kinematografisë, duke shërbyer si platformë për artistë dhe krijues të rinj dhe të njohur.

Edicioni i 24-të i këtij festivali i ka ofruar publikut mundësinë të përjetojë artin e filmit në forma të ndryshme dhe ka kontribuar në zhvillimin kulturor dhe artistik të rajonit./KultPlus.com

Presidentja Osmani: DokuFest shndërron Prizrenin në kryeqendrën kulturore dhe të ideve të reja

By: Kult Plus
9 August 2025 at 20:49

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar ndikimin e jashtëzakonshëm që DokuFest ka në qytetin e Prizrenit, duke e kthyer atë në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe artistike në rajon.

Në një postim të fundit, Osmani e përshkroi këtë festival si një përvojë të mrekullueshme, ku bashkohen historitë që frymëzojnë dhe njerëzit që e bëjnë artin pjesë të jetës së tyre të përditshme. Sipas saj, DokuFest nuk është vetëm një festival filmi, por një hapësirë ku kultura, arti dhe idetë e reja takohen dhe ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë.

Ky festival ndërkombëtar, i cili sjell në Prizren artistë, kineastë dhe krijues nga e gjithë bota, është bërë një platformë e fuqishme për promovimin e filmit dokumentar dhe diskutimeve kulturore, duke rritur edhe më shumë vlerën dhe rëndësinë e Prizrenit si qytet multikulturor dhe historik.

Përmes DokuFest, qytetarët dhe vizitorët kanë mundësinë të ndjekin filma me tematika të ndryshme, të marrin pjesë në punëtori, panele dhe debate që sjellin ide dhe perspektiva të reja, duke nxitur dialogun dhe bashkëpunimin artistik në një mjedis kreativ dhe stimuluese.

Presidentja Osmani falënderoi organizatorët, artistët dhe komunitetin lokal për përkushtimin në zhvillimin e këtij festivali, duke e cilësuar atë si një gur themeli të rëndësishëm të kulturës së Kosovës dhe rajonit./KultPlus.com

Studentja shqiptare Fiona Kabashi diplomon në Universitetin Mjekësor të Vjenës dhe kthehet si mjeke në spitalin ku lindi

By: Kult Plus
9 August 2025 at 20:26

Një histori inspiruese suksesi vjen nga Vjena, ku Fiona Kabashi, një e re nga Kosova, ka përfunduar me sukses studimet në Universitetin Mjekësor të Vjenës (Medizinische Universität Wien) dhe tashmë do të fillojë punë si mjeke në spitalin ku ka lindur para 25 vitesh.

Fiona ka marrë titullin Dr. med. univ dhe është një shembull i përkushtimit dhe sakrificës që mund të bëjë një student i përkushtuar. Historia e saj është përshkruar në mënyrë emocionuese edhe nga nëna e saj, Miradije Berisha, mësuese e gjuhës shqipe në Vjenë, e cila ka ndarë dedikimin e saj për Fionën.

“Fiona, bija jonë e dashur, sot hyn në klinikën ku linde para 25 vitesh, jo si paciente, por si mjeke. Një rreth i plotë, një simbol i bukur i jetës dhe përkushtimit tënd,” shkruan ajo.

Pavarësisht ofertave të shumta për punë, Fiona ka zgjedhur të kthehet në vendlindjen e saj dhe të shërbejë komunitetin që e ka rritur, duke bërë krenar familjen dhe komunitetin e saj.

Kjo arritje e saj është një dëshmi për dashurinë ndaj profesionit dhe vendit, si dhe një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë që aspirojnë për sukses në fushat e tyre./albinfo.at

Kosova U19 feston fitoren e parë historike në Botërorin e Hendbollit në Egjipt

By: Kult Plus
9 August 2025 at 19:53

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka shënuar një fitore të madhe në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Egjipt. Të shtunën, në arenën “Hassan Moustafa” pranë Kajros, djemtë tanë triumfuan me rezultat bindës 32:22 ndaj ekipit të Marokut.

Pas dy humbjeve në ndeshjet e para ndaj Zvicrës dhe Hungarisë, kjo fitore përfaqëson një kthesë pozitive për Kosovën, që tani avancon nga pozita e tretë në grupin B, me dy pikë në total.

Ndeshja ishte e tensionuar, por djemtë tanë mbajtën vazhdimisht epërsi gjatë gjithë pjesës së dytë. Suad Pajaziti u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, me tetë gola nga dhjetë tentime, ndërsa performanca e Olt Kabashit në portë ishte vendimtare me pritjet e shumta.

Në fitoren e ekipit kontribuan edhe golat e Olsi Mulajt (6 gola), Drijon Istefit (5 gola) dhe Amar Muqollit (4 gola), si dhe përpjekjet e gjithë lojtarëve në fushë.

Kombëtarja jonë do të pushojë të dielën dhe do të vazhdojë garën me ndeshjen e radhës të hënën./KultPlus.com

“Çast” – Muzeu që nderon dhe përkujton mbijetueset e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

By: Kult Plus
9 August 2025 at 19:34

“Çast” është muze unik i krijuar nga Fondacioni Jahjaga, i dedikuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky muze përdor gjuhën e artit dhe simbolikën për të sjellë zërin dhe përjetimet e grave që kanë kaluar këtë dhimbje, duke i kthyer ato në një thirrje të fuqishme dhe të heshtur për drejtësi dhe ndërgjegjësim.

Në një takim të fundit me presidenten Atifete Jahjaga, Sibel Halimi vlerësoi thellësisht kontributin e saj në ngritjen e kësaj kauze dhe krijimin e muzeut si një hapësirë kujtese dhe respekti ndaj dinjitetit njerëzor. Diskutimet përfshinë nisma të përbashkëta për promovimin e muzeut dhe forcimin e rolit të tij në rritjen e ndërgjegjësimit publik.

Drejtoria për Kulturë u zotua se do të mbështesë vazhdimisht projekte artistike që ruajnë kujtesën kolektive dhe përçojnë mesazhin e nderimit ndaj viktimave dhe dinjitetit njerëzor./KultPlus.com

Lord Bajron: “Shqiptarët janë raca më e bukur dhe trimat më të fortë se kështjellat e tyre”

By: Kult Plus
9 August 2025 at 19:30

Shqiptarët kanë mahnitur prej kohësh udhëtarët dhe poetët e huaj, por pak kush i ka përshkruar me aq pasion sa Lord Bajron, poeti i madh romantik anglez. Gjatë udhëtimeve të tij në fillim të shekullit XIX në territoret shqiptare, Byron u frymëzua nga bukuria e natyrës, fisnikëria e veshjeve tradicionale dhe karakteri i fortë i popullit.

“Shqiptarët me kostumet e tyre krijojnë peizazhin më mahnitës në botë. Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston dhe me trima më të fortë se kështjellat e tyre,” shënon ai në një nga shënimet e tij të udhëtimit.

Vlerësimet e Bajron-it jo vetëm që e vendosën Shqipërinë në hartën romantike të Evropës, por edhe dëshmuan se imazhi i shqiptarëve si popull krenar, trim dhe mikpritës ka rrënjë të thella historike. Ky portret poetik vazhdon të mbetet një nga dëshmitë më të bukura të lidhjes mes artit dhe identitetit kombëtar./KultPlus.com

Përfundon restaurimi i shtëpisë ikonike në Janjevë, vazhdojnë punimet në monumentet tjera

By: Kult Plus
9 August 2025 at 19:06

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur përfundimin e punimeve restauruese në një nga shtëpitë më ikonike të Janjevës, duke theksuar se puna për restaurimin e monumenteve historike nëpër gjithë Kosovën vazhdon me intensitet të lartë, shkruan KultPlus.

Sipas Çekut, drejt përfundimit janë edhe kulla e Azem Ramë Lokajt dhe ajo e Florim Gecajt në Deçan, ndërsa vijojnë punimet në kullën e Bashor Pren Gegajt në Istog, shtëpinë e Naser Thaçit në Han të Elezit, si dhe në shtëpinë Dobruna-Polloshka, kullën e Shain Dulës dhe kullën e Tahsun Beut në Gjakovë.

Ministri ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke theksuar se ajo nuk duhet të shihet si një barrë, por si një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik dhe turizëm në vend.

“Trashëgimia kulturore nuk është barrë, por mundësi për zhvillim dhe turizëm,” ka shkruar Çeku në njoftimin e tij, duke i bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të vazhdojnë përkushtimin në këtë drejtim./KultPlus.com

❌
❌