Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Java News

Zjarr në Gryksh të Peqinit, flakët përfshijnë sipërfaqe me ullinj e shkurre, vështirësi për ndërhyrje

By: B K
5 August 2025 at 13:52

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka shpërthyer në zonën e Grykshit, në Peqin, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe pemë ulliri. Sipas të dhënave nga terreni, zjarri ka avancuar me shpejtësi për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe terrenit të thyer.

Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe banorë të zonës, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të vënë nën kontroll flakët. Megjithatë, përpjekjet për shuarjen e zjarrit po pengohen ndjeshëm nga era e fortë, thatësira e motit dhe vështirësitë në aksesimin e zonës malore.

Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar, ndërsa banorët janë mobilizuar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në afërsi të banesave dhe sipërfaqeve të kultivuara. Zjarrfikësit janë në gatishmëri të plotë, por situata mbetet dinamike dhe kërkon koordinim të ngushtë mes të gjitha strukturave të emergjencës.

Dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme, veçanërisht në plantacionet me ullinj, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme mbetet ende i lartë. Organet kompetente po hetojnë shkaqet e mundshme të zjarrit, ndërkohë që mbetet e rëndësishme ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi i komunitetit për të parandaluar fatkeqësi të tilla që dëmtojnë rëndë mjedisin dhe ekonominë e kësaj zone.

The post Zjarr në Gryksh të Peqinit, flakët përfshijnë sipërfaqe me ullinj e shkurre, vështirësi për ndërhyrje first appeared on JavaNews.al.

Balluku: Prioritet, forcimi i administratës lokale dhe lirimi i hapësirave publike në Fier

By: B K
5 August 2025 at 13:44

Lirimi i hapësirave publike, sfidat dhe prioritetet e reja në funksion të qytetarëve shqiptarë kanë qenë kryefjalë e takimit të mbajtur këtë të martë (5 gusht) nga zv.kryeministrja Belinda Balluku me administratorët e rinj të njësive administrative.

Balluku theksoi se prioritet mbëtet forcimi i administratës lokale dhe përgjigja ndaj kërkesave të kohës.

Zv.kryeministrja vuri theksin ndërkaq edhe të punësimi i të rinjve të prirur ndaj inovacionit për ofrimin e shërbimeve ndaj të moshuarve. Në këtë kuadër ajo u ndal te abuzimi i noterëve e avokatëve për ofrimin e shërbimit të e-Albania ndaj moshës së tretë.

 “Kemi pasur një proces rreth 20 ditë për të bërë një reformim të administratës lokale në fier dhe kemi nisur nga më të rëndësishmit, administratorët e njësive. Fieri ka 13 njësi.

Iu është dhënë mbështetje kush ka bërë detyrën siç duhet duke i rikonfirmuar në detyrë dhe prurjeve të reja.

Na duhet forcim i administratës lokale, edhe në njësitë administrative për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës. Duhet të keni të rinj e të reja që janë të prirur ndaj inovacionit sepse duhet të ofrojmë shërbime që të moshuarit nuk mund t’i bëjnë përmes pajisjeve të tyre të telefonit. Me rastin e e-Albania është abuzuar me pamundësinë e të moshuarve nga noterë e avokatë që marrin para prej të moshuarve për aplikime për marrje certifikate familjare,

Do ju duhet ju si njësi, që brenda njësive dhe stafet që do keni në varësi t’u përgjigjen reformave që ne po bëjmë”, deklaroi Balluku.

Sa i përket aksionit të ndërmarrë nga qeveria për lirimin e hapësirave publike, Balluku u shpreh se në Fier, problematikat nuk janë sikurse në rastin e Vlorës apo Tiranës. Por shtoi se, administratorët do duhet të kenë në fokus çdo ankesë të qytetarëve për zaptimin e hapësirave publike.

“Duhet të jeni në lartësinë e duhur sepse lirimi i hapësirave publike në Fier nuk ka atë problematikë si në zona të tjera, si rasti i Vlorës apo Tiranës. Kemi qenë në terren e kam parë nga afër që se kemi atë problematikë. Por sërish kemi ankesa që vijnë nga qytetarët që po procesohen që kanë të bëjnë me sheshet e pallateve që përdoren nga parkingjet private, mure të dala jashtë konturit të kornizave.

Kjo duhet të jetë prioritet i çdo administratori që të shkojmë me rrugën që qeveria shqiptare po ecën në këto momente”, tha ajo.

The post Balluku: Prioritet, forcimi i administratës lokale dhe lirimi i hapësirave publike në Fier first appeared on JavaNews.al.

Berisha sulmon sërish Igli Hasanin: Ministri i Jashtëm avokat i farsës elektorale, letër misioneve mund t’iu dërgonte opozita, jo MPJ

By: B K
5 August 2025 at 13:39

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj ministrit të Jashtëm Igli Hasani, pasi ky i fundit dërgoi një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare menjëherë pas publikimit të raportit për zgjedhjet e 11 majit.

Berisha e akuzoi Hasanin si një “narko-ministër” dhe “avokat të farsës elektorale”, duke e cilësuar këtë veprim si provë të qartë se shteti dhe partia janë një në Shqipëri.

Sipas tij, një komunikim i tillë i takonte opozitës, jo Ministrisë së Jashtme.

 

 

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:

Narko-ministri i Jashtëm reagoi dje në mënyrën më të papërgjegjshme, duke faktuar pakundërshtueshëm se ai, njëlloj si Altin Troplini, është një ushtar i Edi Ramës, është një avokat i farsës elektorale të 11 majit 2025.

Për çdo qytetar shqiptar, unë shtroj pyetjen: një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre, a mund t’i dërgonte ministri i Jashtëm i vendit?

Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar misionet e vëzhgimit se në Shqipëri partia dhe shteti ishin një dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë zgjedhje por veçse farsë.

Pra, letra e ministrit dhe reagimi i tij mbrapa, fakton edhe njëherë se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale.

Ministri vetë, është bashkë me Dumanin, një avokat i këtij krimi të shëmtuar.

The post Berisha sulmon sërish Igli Hasanin: Ministri i Jashtëm avokat i farsës elektorale, letër misioneve mund t’iu dërgonte opozita, jo MPJ first appeared on JavaNews.al.

Detaje nga vrasja e Frrok Lleshajt në Vaun e Dejës: Autori e qëlloi nga afër me pistoletë, dyshohet se u arratis me motorçikletë

By: B K
5 August 2025 at 13:32

Hakmarrja dyshohet të jetë pista kryesore e hetimit nga grupi hetimor i Policisë së Shkodrës në lidhje me ekzekutimin e 65-vjeçarit Frrok Lleshaj mbrëmjen e së hënës në Vaun e Dejës. Burime pranë Policisë së Shkodrës bëjnë me dije për ‘Shqiptarja.com’ se janë marrë në pyetje 12 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Sipas të dhënave nga ekspertiza e policisë, 65-vjeçari është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, çka forcon dyshimet se autori nuk ka qenë i vetëm, por ka pasur bashkëpunëtorë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së një banese pranë vendit të ngjarjes, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Gjithashtu, dyshohet se autori është larguar me motorçikletë, duke përfituar nga errësira për t’u zhdukur me shpejtësi nga vendi i krimit.

Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90 pesë viktima deri më tani.

Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim të viteve ’90, ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj, me të cilin nisi konflikti, si dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Ngjarja e parë ndodhi në vitin 1991, kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se i riu ishte vrarë nga policia greke në rrethana të paqarta, por familja e Frrok Lleshajt dyshonte se pas ngjarjes fshiheshin kushërinjtë e tij.

Disa vite më vonë, dyshohet se Frrok Lleshaj mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj. Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, për të cilin e pranoi autorësinë në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg.

Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshajt.

Me vrasjen e 65-vjeçarit mbrëmjen e 4 gushtit 2025, shkon në pesë numri i viktimave si pasojë e kësaj gjakmarrjeje. Policia vendore e Shkodrës, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, nisi hetimet paraprake përmes grupit të posaçëm të ngritur për këtë rast.

Frrok Lleshaj, një ish-efektiv policie, u arrestua për vrasjen e ndodhur gjatë konfliktit me familjen nga Puka, por u arratis nga burgu në vitin 1997.

Ai u kap sërish në vitin 2006 dhe vuajti 21 vite burg, duke dalë para dy vitesh. Edhe pse u dënua, ai nuk e pranoi kurrë autorësinë për vrasjen e kushëririt.

Pas daljes nga burgu, ai ishte braktisur nga familja, gruaja dhe fëmijët, dhe jetonte i vetëm në fshatin Paçram, duke u marrë me blegtori.

Vrasja ndodhi pranë banesës së tij, ndërsa ai po ecte në rrugët e fshatit. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Dyshimet kryesore për vrasjen e Frrok Lleshajt lidhen me këto dy hasmëri të vjetra, por deri më tani nuk ka persona të ndaluar.

The post Detaje nga vrasja e Frrok Lleshajt në Vaun e Dejës: Autori e qëlloi nga afër me pistoletë, dyshohet se u arratis me motorçikletë first appeared on JavaNews.al.

Artan Fuga: Ore a martohen më shqiptarët a jo?

By: B K
5 August 2025 at 13:22

Artan Fuga thotë se sot, shqiptarët më shumë po ndahen, se po martohen.

“Herë pas here pyes veten me habi: Ore a martohen më shqiptarët?

Nuk dëgjoj më orkestra dasmash nëpër lokale!

Dikur i urreja, më dukesh si zhurmë që shoqëria i impononte çifteve për të mos u ndarë më vonë, por tani kam uri për atë daulle e saze dasmash.

Ore, më duket se nuk martohet më njeri me saze.

Ose nuk martohet më fare.

Lëre synet që nuk shoh më të bëhet kush.

Se habitem! Kur nuk martohen, si ndahen? Se divorce ka pafund”, shkruan ai.

The post Artan Fuga: Ore a martohen më shqiptarët a jo? first appeared on JavaNews.al.

“Ecim”, Rama publikon pamjet nga lirimi i hapësirave publike

By: B K
5 August 2025 at 13:14

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në vend.

Një lokal i ndërtuar në trotuarin ku kalojnë këmbësorët është çmontuar në videon e publikuar.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset po vijon prej javësh në vendin tonë pas ultimatumit të kryeministrit

The post “Ecim”, Rama publikon pamjet nga lirimi i hapësirave publike first appeared on JavaNews.al.

Një skandal në Hollivud!

By: B K
5 August 2025 at 13:07

Pamela Anderson ka rikthyer në vëmendje një nga historitë më të diskutueshme të së kaluarës së saj, atë me Sylvester Stallone, duke e akuzuar sërish publikisht për një propozim paksa të pazakontë.

Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Watch What Happens Live with Andy Cohen”, ish-ylli i “Baywatch” u përball me një sfidë, ku nuk kurseu as detaje nga romancat e kaluara, renditjen e ish-bashkëshortëve dhe, më pikantja, zënkën me Stallone.

Sipas Pamela-s, Stallone i kishte propozuar të bëhej “vajza e tij numër një”, duke i ofruar një apartament dhe një Porsche.

Kur moderatori e pyeti për reagimin e Stallone-s pas publikimit të dokumentarit “Pamela, A Love Story” në 2023, ku për herë të parë ajo ndau këtë histori, ajo u përgjigj prerë:

“Po si mund ta shpikja një gjë të tillë? Ishte shumë specifike.”

Stallone, nga ana e tij, i ka mohuar këto pretendime përmes përfaqësuesve të tij, duke i quajtur të pavërteta dhe të sajuara.

Megjithatë, Pamela ka qenë e qartë se gjithmonë ka kërkuar “dashuri të vërtetë” dhe s’ka pranuar kurrë të bëjë kompromis për më pak.

Ndërkohë që romanca me Stallone nuk ndodhi kurrë, Pamela duket se është në një lidhje premtuese me Liam Neeson, partneri i saj në filmin e ri “The Naked Gun”.

Thashethemet për lidhjen e tyre janë gjithnjë e më të zëshme dhe sipas një burimi për People, “është një romancë që sapo ka nisur, por duket e sinqertë dhe ata janë realisht të fiksuar pas njëri-tjetrit”.

Pamela mbetet Pamela, asnjëherë e zakonshme dhe gjithmonë me një histori për të treguar.

The post Një skandal në Hollivud! first appeared on JavaNews.al.

Mbolli kanabis në oborrin e banesës në Lazarat, në pranga 55-vjeçari

By: A R
5 August 2025 at 13:00

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 55-vjeçar nga fshati Lazarat, pasi u kap në flagrancë duke kultivuar bimë narkotike në oborrin e banesës së tij.

Operacioni u zhvillua si pjesë e kontrolleve të shtuara me dron, në kuadër të planit operacional “Koordinata”, i cili synon parandalimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit në territor.

Shtetasi i arrestuar është Xh. Ç., 55 vjeç, për të cilin dyshohet se kishte mbjellë disa bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa në pronën e tij private.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një sasi të vogël të bimëve si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie në vendngjarje.

The post Mbolli kanabis në oborrin e banesës në Lazarat, në pranga 55-vjeçari first appeared on JavaNews.al.

Horoskopi ditor për nesër, e Mërkurë 6 Gusht 2025

By: A R
5 August 2025 at 12:51

Dashi

Jeta juaj ne çift do jete mjaft e animuar gjate kësaj dite. Do ja kaloni për mrekulli pranë atij qe dashuroni dhe nuk do keni me çfarë te kërkoni tjetër prej tij. Beqaret duhet te reflektojnë njëqind here para se te pranojnë ftesat qe do iu bëhen. Jo te gjithë personat janë ashtu si duken. Qielli yjor do jete i qete për sa iu përket financave. Nuk priten as probleme dhe as vështirësi.

Demi

Gjate gjithë ditës se sotme do reflektoni për te ardhmen e jetës suaj ne çift ne mënyrë qe me pas te merrni edhe vendimet e duhura. Beqaret do kenë mbështetjen e Venusit, planetit te dashurisë. Shume gjera do ndryshojnë sot për ta. Nëse e neglizhoni sektorin e financave dhe kryeni shpenzime te pamenduara, situata mund te përkeqësohet me shume sesa e keni menduar.

Binjaket

Nuk do keni as vështirësi dhe as probleme gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift. Përkundrazi do i shtoni dozat e komunikimit dhe do flisni për çdo gjë me partnerin. Edhe beqaret do kenë një dite te bukur dhe me disa takime te veçanta. Shume shpejt jeta do ndryshoje rrënjësisht për ta. Financat do jene te mbrojtura. Mund te kryeni te gjitha shpenzimet e domosdoshme.

Gaforrja

Nëse doni qe lidhja juaj ne çift te jete me e forte dhe te vazhdoje për shume kohe, duhet te dini te toleroni dhe te hapni rruge. Jo gjithmonë duhet te dale e juaja. Beqaret qe kane njëfarë moshe do jene me fat, te tjerët do duhet ende te presin edhe pak kohe. Financat do jene te qëndrueshme fale perkujdesit qe keni treguar kohet e fundit.

Luani

Do keni një nevoje te tejskajshme për qetësi ne jetën tuaj ne çift sot. Për këtë duhet te flisni me partnerin. Ai do ua plotësojë dëshirën. Beqaret nuk do kenë ne humorin e duhur për te kërkuar princin e kaltër dhe do mbeten serish vetëm. Gjithsesi kjo nuk do i shqetësojë aspak. Sektori i financave do jete goxha i trazuar. Kujdes me çdo hap qe do hidhni.

Virgjeresha

Çastet romantike do jene te shumta gjate kësaj dite për ju te dashuruarit. Emocionet do jene te fuqishme dhe shpesh do iu duket vetja si ne ëndërr. Beqaret do fiksohen keq pas dikujt dhe nuk do mendojnë aspak se çfarë do thonë te tjerët. Financat duhet t’i mbani me patjetër ne një gjendje te qëndrueshme. Mos jepni hua dhe hiqni dore nga shpenzimet e panevojshme.

Peshorja

Ka shume mundësi qe ambienti ne çift te jete i zymte gjate kësaj dite dhe shpesh te bini ne melankoli. Nuk do ndodhe asgjë emocionuese sikurse ju e prisnit. Beqaret do e forcojnë edhe me shume shoqërinë me dike qe kane njohur para disa kohesh dhe do mendojnë te kalojnë ne një tjetër etape. Ne planin financiar do jeni me fat dhe çdo gjë qe doni do iu plotësohet.

Akrepi

Do merrni bekimin e yjeve sot ne planin sentimental dhe emocionet do jene te njëpasnjëshme. Do ndiheni me se miri. Beqaret do përballen me surpriza te këndshme. Shume gjera kane për te ndryshuar ne jetën e tyre. ne planin financiar do korrni ato qe keni mbjelle. Nëse keni shpenzuar kuturu pa menduar për ta ardhmen situata do jete e trazuar.

Shigjetari

Do keni shume dyshime për partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe do shihni me vëmendje çdo veprim qe ai do beje. Do bënit mire qe te ruanit qetësinë dhe te mos nxitoheni te debatoni me te. Beqaret do kenë një dite te bukur dhe plot takime interesante. Për financat do kujdeseni me shume de kurrë. Do e dini mire sa te shpenzoni dhe çfarë te bëni qe situata te përmirësohet.

Bricjapi

Mos kërkoni me shume sesa duhet nga partneri juaj sot, por mundohuni edhe ju te jepni me tepër nga vetja. Beqaret do jene ata qe do kenë me tepër fat dhe do e gjejnë me ne fund personin qe kane kërkuar prej kaq shume kohesh. Ne planin financiar do jeni te detyruar te bëni paksa ekonomi sepse situata mund te dale tërësisht jashtë kontrollin ne rast te kundërt.

Ujori

Do keni disa debate te vogla sot me atë qe keni ne krah, megjithatë gjithçka do rregullohet sa hap e mbyll sytë. Si ju ashtu dhe partneri do i pranoni gabimet dhe do dini te kërkoni falje. Beqaret do ndihen mire ashtu si janë dhe nuk do kërkojnë asgjë me shume sesa aq. Edhe pse te ardhurat do jene te mira nuk duhen kryer shpenzime marramendëse.

Peshqit

Dita e sotme do jete e mrekullueshme për te dashuruarit. Ne disa momente pasioni do jete i zjarrte dhe emocionet do arrijnë kulmin. Beqaret do kenë veten dëshirë për aventura kalimtare kështu qe gjithçka do iu realizohet. Ne planin financiar nuk duhet te tregoheni impulsive. gabimi me i vogël mund t’iu kushtoje rende.

The post Horoskopi ditor për nesër, e Mërkurë 6 Gusht 2025 first appeared on JavaNews.al.

Abuzoi me fondet dhe punësoi familjarët, shkon në gjykim ish-kreu i urdhrit të stomatologut

By: A R
5 August 2025 at 12:42

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut, Nikollë Deda dhe ish-zëvendësen e tij për tre vepra penale.

Sipas Prokurorisë, Deda në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.

Ai u denoncua për shpërdorim të fondeve dhe se ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit.

’Edhe shtetasja A.G., nga hetimet rezultoi se ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi duke mos patur atributet ka marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024. Ajo ka vendosur të autorizojë zbatimin e buxhetit të përkohshëm në një periudhë të caktuar kohore. Shtetasja A. G. u emërua si zv.Presidente e USSH në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë nr.1537, datë 07.02.2020, ku Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka qenë nën masë sigurimi”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë.

The post Abuzoi me fondet dhe punësoi familjarët, shkon në gjykim ish-kreu i urdhrit të stomatologut first appeared on JavaNews.al.

“Nuk do të punoja kurrë me ta”, Liam Neeson zbulon kolegët ‘e bezdisshëm’

By: A R
5 August 2025 at 11:58

Për Liam Neeson, një nga aftësitë më të mira që duhet të ketë një aktor është përpikëria. Në një intervistë për Rolling Stones, ylli i kinemasë i cili po promovon filmin e tij të ri, “The Naked Gun”, ku luan krah Pamela Anderson, foli rreth aftësive që ka fituar gjatë karrierës. Ai nuk hezitoi ‘të qortonte’ një kategori të caktuar kolegësh pasi tha se “nuk do të punonte kurrë” me ta.

“Me aktrimin, je gjatë gjithë kohës duke zbuluar. Më kupton ç’dua të them? Nuk ndihem kurrë sikur ia kam dalë. Ka gjithmonë gjëra për të mësuar, me aktorë  dhe aktore të ndryshëm që punon, si dhe me regjisorë të ndryshëm. Siç thashë më herët, thjesht përpiqem të jem i vërtetë. Dhe të mbërrij në kohë. Kjo është shumë e rëndësishme. Dëgjoj histori shqetësuese për aktorë dhe aktore që janë shumë të talentuar, por vijnë në sheshxhirim me dy, tri apo katër orë vonesë. Nuk do të punoja kurrë me këta njerëz. Mendoj se është shumë ofenduese.”

Sigurisht Neeson nuk përmendi emra, por pranoi se përpikëria është thelbësore.

“Shumë e rëndësishme, mendoj. Ke një ekip prej  60, 70, 80 vetash që të presin ty. Më e pakta që mund të bësh është t’i respektosh duke ardhur në kohë.”

“The Naked Gun” debutoi në kinema fundjavën e shkuar. Neeson vjen në rolin e Frank Drebin Jr., i cili njësoj si babai i tij i cili luhej nga Leslie Nielsen, shkakton rrëmuja dhe të qeshura.

The post “Nuk do të punoja kurrë me ta”, Liam Neeson zbulon kolegët ‘e bezdisshëm’ first appeared on JavaNews.al.

Zhduket i riu nga Tirana në Dhërmi, për herë të fundit u pa në hotel

By: A R
5 August 2025 at 11:50

Një 27 vjeçar nga Tirana ka ngritur në këmbë policinë e postës së Dhërmiut pasi vëllai i tij ka kallëzuar se ka humbur kontaktet me të.

Shtetasi K.Z. është paraqitur në polici ku ka thënë se vëllai i tij është larguar nga një hotel në Dhërmi dhe nuk e ka kontaktuar më.

Për këtë arsye u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Z., 27 vjeç, banues në Tiranë, dhe po punohet për gjetjen e tij.

The post Zhduket i riu nga Tirana në Dhërmi, për herë të fundit u pa në hotel first appeared on JavaNews.al.

Detaje nga vrasja e Frrok Lleshajt: Historia e gjakmarrjes me 5 viktima që nisi 33 vite më parë

By: A R
5 August 2025 at 11:41

Po kthehej me bagëtitë ashtu si çdo ditë, por Frrok Lleshaj nuk arriti ta mbaronte rrugën deri në shtëpi. Plumbat e një pistolete nga persona ende të paidentifikuar i morën jetën 65-vjeçarit që banonte në fshatin Paçram të Vau Dejësit.

Policia është njoftuar rreth orës 21:00 për vrasjen e ndodhur, por ka dyshime se viktima kishte të paktën një orë më përpara i vrarë. Nga deklarimet e deritanishme, fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna çka lë dyshime se autorët janë kujdesur për të përdorur një pistoletë me silenciator. Ka qenë një prej banorëve që ka konstatuar trupin e 65-vjeçarit pa shenja jete dhe ka lajmëruar bashkëshorten e tij, e cila më pas ka njoftuar policinë për ngjarjen e ndodhur.

Pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani. Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90, ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Gjithçka nisi në vitin 1991 kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se të riun e vrau policia greke në rrethana që nuk dihen, por familja e Frrok Lleshaj dyshonte se kishin gisht në këtë ngjarje kushërinjtë e tij. Kështu, pak vite më vonë, ka dyshime të forta se 65-vjeçari mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj.

Pavarësisht dyshimeve dhe akuzave, Frrok Lleshaj nuk e pranoi asnjëherë autorsinë e kësaj ngjarje. Ndërkohë një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe për të cilën u dënua me 25 vite burg.

Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshaj. Bashkë me 65-vjeçarin që u qëllua mbrëmjen e 4 gushtit me pistoletë shkon në 5 numri i viktimave për shkak të gjakmarrjes.

Policia vendore e Shkodrës e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje nisi hetimet paraprake përmes grupit të punës të ngritur për këtë vrasje të rëndë. Dyshimet kryesore të vrasjes së 65-vjeçarit lidhen me këto dy hasmëri por deri më tani nuk ka ende persona konkret të ndaluar nga efektivët. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për vrasjen si dhe familjarë por deri më tani nuk ka asgjë konkrete lidhur me autorsinë e ngjarjes ku mbeti i vrarë Frrok Lleshaj.

Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë është duke punuar për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë që dyshohet se erdhi si shkak i gjakmarrjes por pa përjashtuar ndonjë pistë tjetër të mundshme.

The post Detaje nga vrasja e Frrok Lleshajt: Historia e gjakmarrjes me 5 viktima që nisi 33 vite më parë first appeared on JavaNews.al.

‘Hidhu përpjetë, vulën e PD do t’a marr”, Kokalari-Berishës: S’do lejoj që Shkëlzeni të emërojë kryetarin

By: A R
5 August 2025 at 11:33

Evi Kokalari thotë se nuk d t’i ndahet Sali Berishës, deri sa të dorëzojë vulën e PD-së dhe të largohet nga drejtimi i kësaj partie.

“E vetmja mënyrë që unë do t’ju ndahem Sali Berishas dhe familjes së tij, është kur të dorëzojnë vulën tek unë, jo ta dorëzojnë tek ata që i janë lëpirë këtyre dhe i servilosen e do ti kontrollojë Shkëlzeni si t’ja dojë qejfi, apo dhe t’ja kalojnë familjarëve të tyre!! Kjo parti nuk është pronë që e trashëguat nga babai dhe më peng nuk keni për ta mbajtur!!

Realisht flas për ‘dorëzim’ pa kushte, sepse asnjë garë e ndershme nuk fitohet në atë parti. Kur të dorezohet vula, atë parti do e riformoj unë, dhe kam një listë të atyre që do përjashtohen nga ajo parti që ditën e parë dhe s’do fusin më kurrë këmbët.

Ndërkohë dera do t’ju hapet të gjithë atyre që këta përjashtuan dhe përzunë përgjatë 34 vjeçarit, dhe çdo intelektuali apo mbështetësi që kanë sinqeritetin të forcojnë opozitën dhe të fitojnë maxhorancë në parlament.

Berisha të hidhet përpjetë, me hir apo me pahir ajo vulë do ti merret, dhe ajo opozitë do RITHEMELOHET, me parimet bazë të konservatorizmit që vetë i solla nëpër foltore, dhe që ju klani, me patos i përdorët për të na hedhur hi syve të gjithëve.

Në fakt, fjala ‘konservatizëm’ është futur në përdorim të gjërë në Shqipëri vetëm mbasi filluan foltoret, dhe në fillim talleshin duke j’u referuar si ‘konservë’. Ky ishte niveli i edukimit politik mbas komunizmit.

Sa për kujtesë, figuroj si një nga rithemelueset e PD-së në 2021, dhe emrin e keni të qartë dhe të plotë në dokumentat e çuara në gjykatë, dhe atij formacioni politikë j’u kthye vula.

Për më tepër, asnjë në atë parti të ‘rithemeluar’ s’ka bërë luftën time për të futur primaret dhe për të mbrojtur meritokracinë, për të ndaluar koalicionin me LSI dhe për të ndaluar mbetjet që erdhën nga ana e Bashës, por të gjithë u bënë pjesë e fiaskos masive dhe të turpshme, si e tillë, asnjë nga ju nuk kanë kredibilitet apo resume të pastër për t’ju besuar te riformoni apo të rithemeloni opozitën ashtu siç duhet, totalisht dhe pa kompromise.

Dhe sulmet tuaja mbasi ngrita zërin, i kam akoma të freskëta, por as më përulët, dhe as nuk më bëtë të dorezohem ndaj baltës që hodhët ndaj meje dhe familjes time.

Sot unë e kam kokën lart, ju vini vërdallë me bishtë nën shalë, se të tillë kafshë jeni!

Intelektualët e vërtet që panë realitetin gjatë 34 vjetëve, dhe që nuk përballonin dot luftën që bëni ju të PD-së kundër tyre duke denigruar figurat dhe familjet (e vuajta në kurriz) u detyruan të largohen në heshtje.

Por mua këtu më keni.

NUK LARGOHEM DERISA JU TË DORËZONI PD DHE VULËN TEK UNË.

Formën se si do ta bëni, po ja u lë juve se jeni mjeshtra në këtë pikë. Kur të shoh që s’do e bëni, do marrë boll hapa për ta bërë realitet.

I sygjeroj Berishës apo Shkëlzenit të lidhen privatisht dhe të flasim në detaje. Teatro nuk bëj për askënd. Jam shumë e qartë dhe jam shumë e hapur publikisht  – ajo vulë do merret me hir ose me pahir, dhe kjo është një e vërtet që s’ka njëri në Shqipëri që e mohon, sidomos ata që vegjetojnë në PD-në aktuale.

E me që ra fjala, dosja nuk i shkoi Trumpit që të merret me Berishën, se Berisha nuk i intereson askujt këtu tek ne, sigurisht përveç atyre që mbushën xhepat me milliona dollarë. Dosja shkoi që të kuptojë Trump kush janë morrat e Marco Rubios dhe si po e shfrytëzojnë administratën e Trumpit, pra ishte detyrë morale e imja t’ju thoja realitetin shefave të kabinetit që i kanë shërbyer Trumpit shumë më gjatë se Susie Ëiles, që këta budallenjtë mendojnë se e kanë kapur.

Me Berishën do merren departamentet e tjera, me të cilët po punoj dhe nuk ndaloj derisa të ketë dorëzim pa kushte të partisë që morët peng që kur ra regjimi komunist dhe keni pafytyrësinë të vazhdoni dhe sot”, shkruan ajo.

The post ‘Hidhu përpjetë, vulën e PD do t’a marr”, Kokalari-Berishës: S’do lejoj që Shkëlzeni të emërojë kryetarin first appeared on JavaNews.al.

Vrasja e ish-policit Bejtja, jepet masa për Plakun! Çfarë fshihet në celularët e tij?

By: A R
5 August 2025 at 11:25

Gjykata e Tiranës ka vendosur të caktojë masën e sigurisë arrest në burg për shtetasin Flodian Plakun i njohur dhe me mbiemrin Mamo dhe Serjani, i cili u arrestua dy ditë më parë në një hotel në zonën e Orikumit.

42 vjeçari konsiderohej një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte shpallur në kërkim për vrasjen e ish-efektivit të policisë Gentian Bejtja.

Përpara trupit gjykues, Plaku ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke pretenduar se policia e ka vënë në kërkim vetëm pasi 10 ditë përpara këtij krimi ka përdorur një mjeti tip Golf.

Flodian Plaku u përfaqësua në gjykatë nga avokati i caktuar nga gjykata, Edvis Gorishti i cili kërkoi një masë më të butë sigurie, por qe u refuzua.

Sipas informacioneve Plakut i janë sekuestruar edhe aparate celularë gjatë arrestimit. Ato janë dërguar drejt SPAK pasi në brendësi të tyre ka prova të shumta, biseda në lidhje me ngjarje kriminale të organizuara më parë, pazare droge dhe ngjarje në organizim e sipër.

Telefonat do të zbërthehen nga SPAK dhe pritshmëritë janë që të luajnë një rol kyç për zbardhjen e ngjarjeve apo personazheve në botën e errët.

The post Vrasja e ish-policit Bejtja, jepet masa për Plakun! Çfarë fshihet në celularët e tij? first appeared on JavaNews.al.

Goditet nga rrufeja në Pogradec, humb jetën 47-vjeçari, ngordhin edhe 20 bagëti

By: A R
5 August 2025 at 11:17

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Velçan të Pogradecit, ku një bari ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rrufeja.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 10:00, 47-vjeçari L. Ç., i cili ruante bagëtitë në zonën malore të fshatit, u godit nga rrufeja gjatë një moti të keq. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë në vend, shkruan A2 CNN.

Nga goditja elektrike, kanë ngordhur gjithashtu rreth 20 krerë bagëti të imëta që po kullotnin afërsi të tij.

The post Goditet nga rrufeja në Pogradec, humb jetën 47-vjeçari, ngordhin edhe 20 bagëti first appeared on JavaNews.al.

Kush është Margo Martin, “sozia” e Melanias që ndjek Trumpin në hije

By: A R
5 August 2025 at 11:09

I veshur me një kostum blu të errët, këmishë blu të çelët dhe kravatë ngjyrë burgundy, presidenti Donald Trump largohet nga Shtëpia e Bardhë dhe drejtohet për në Marine One, helikopterin që zakonisht përdor për udhëtimet e tij. Rrugës për në helikopterin e tij…, ai përshëndet turmën, herë me grusht të shtrënguar dhe herë duke bërë shenjën e fitores.

Në krah të tij, duke mbajtur një telefon celular që regjistron çdo lëvizje të tij, qëndron një figurë mbresëlënëse dhe elegante, e veshur me një fustan të zi. Mund të thuhet lehtësisht se duket si Melania Trump, por nuk është. Kjo është Margo Martin, këshilltarja e komunikimit e presidentit amerikan, e cila është bërë “hija” e tij në çdo hap.

Një figurë me një prani të fortë publike dhe ndikim të rrallë politik në të 30-at e saj, Margo Martin nuk është thjesht një tjetër bashkëpunëtore e Donald Trump. Ajo është gruaja që e ndjek atë kudo, nga Zyra Ovale te fushatat dhe turnetë e tij politike dhe aventurat e tij ligjore.

Bukuroshja 30-vjeçare ka qenë asistente speciale e presidentit amerikan dhe këshilltare për komunikim që nga janari i vitit 2025, duke u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e dytë të Trump me një titull të ri dhe më shumë pushtet. Pavarësisht moshës së re, ajo tashmë ka përvojë të konsiderueshme në “bërthamën e fortë” të së djathtës amerikane dhe konsiderohet si një nga figurat më të besueshme të presidentit amerikan.

E lindur në Teksas dhe e rritur në Oklahoma, Margo Martin u diplomua në Universitetin e Krishterë të Teksasit dhe fillimisht u mor me sport. Ajo u dallua si anëtare e ekipit të tenisit All-State në vitin 2013, përpara se të ndiqte një karrierë politike.

Kontakti i saj i parë serioz me politikën erdhi në vitin 2019, kur mori detyrën e sekretares së shtypit në Shtëpinë e Bardhë të Trump. Ajo u bë shpejt një anëtare integrale e ekipit të tij të komunikimit dhe, kur ai u largua nga detyra, ajo vazhdoi të ishte në krah të tij si zëvendësdrejtoreshë e komunikimit në Save America PAC, duke mbikëqyrur strategjinë e komunikimit për paraqitjet e tij pas presidenciale, shkruan Protothema.

Fuqia “në hije” e komunikimit.

Martin është përshkruar si gruaja më “e qetë” dhe e fuqishme në stafin e Trump, duke luajtur një rol vendimtar në imazhin e tij publik. Ajo është ajo që kujdeset për detajet, koordinon intervistat dhe regjistron bisedat e tij. Në vitin 2023, ajo u thirr madje të dëshmonte para një jurie të madhe në rastin e dokumenteve sekrete në Mar-a-Lago. Edhe pse nuk kishte akses të klasifikuar, regjistrimet e saj të bisedave të Trump ishin prova thelbësore për autoritetet.

Krahas ndikimit të saj politik, Martin ka kultivuar një profil të gjallë në stilin e jetës, me një llogari  në Instagram dhe paraqitje në evente të mëdha shoqërore. Ajo udhëton me avionin privat të Trump, fotografohet së bashku me Elon Musk dhe vajzën e presidentit, Tiffany, dhe mban marrëdhënie miqësore me zyrtarët e lartë republikanë.

Dy vjet më parë, ajo u bë virale, pa dashje, kur një gazetar i Fox News e ngatërroi me Melania Trump në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, për shkak të paraqitjes së saj në një gjykatë në Miami. Ngjashmëria, si dhe paraqitja e saj publike, e kanë bërë atë një figurë të njohur në qarqet republikane.

Ajo mban një profil të ulët në jetën e saj personale. Edhe pse nuk e ka konfirmuar publikisht se është në një marrëdhënie, përflitet se është në një lidhje me Brock Sorensen, me fotot e tyre së bashku që bëjnë xhiron e internetit. Ajo është gjithashtu e afërt me familjen e saj. Motra e saj, Markey Martin, është spikere lajmesh në NewsNation, ndërsa ka shprehur një dobësi të veçantë për mbesën e saj, duke e quajtur veten “Tezja GoGo”.

Me Donald Trump që hyn në mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Martin po merr një rol edhe më të rëndësishëm në strategjinë e tij. Ajo shfaqet tashmë përkrah tij në udhëtime publike dhe private, në takime me këshilltarë strategjikë dhe ishte një figurë kyçe në fushatën e tij. Ajo nuk është thjesht një tjetër konsulente komunikimi. Ajo është “ura” midis Trump dhe botës së tij. Dhe ndërsa Trump rikthen një formë të ashpër dhe të kontrolluar të lidershipit në Zyrën Ovale, ajo është aty, në hijen e tij, por gjithmonë në qendër të veprimit.

The post Kush është Margo Martin, “sozia” e Melanias që ndjek Trumpin në hije first appeared on JavaNews.al.

Gjykata Kushtetuese ç’bllokon ngërçin që vetë ajo kishte krijuar

By: Java News
5 August 2025 at 11:02

Nga Niazi Jaho

Pak histori:

Para disa ditëve, u njoha me vendimin nr. 35, datë 27.05.2025 të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij vendimi, rezulton se një e dhjeta e deputetëve kishte paraqitur në Kuvend një mocion në tëcilin pretendohej se deputeti V.S kishte kryer veprimtarifitimprurëse që buronte nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor. Mocioni bazohej në nenin 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës.

Kuvendi kishte vendosur rrëzimin e këtij mocioni, ndërsa jo më pak se një e dhjeta e deputetëve të Kuvendit i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 5, datë 30.01.2025 të Kuvendit dhe detyrimin e tij për ti dërguar gjykatës mocionine rrëzuar.

Gjykata Kushtetuesen në vendimin nr. 35, datë 27.05.2025 që përmendëm më lart është shprehur se: “në çdo rast, një e dhjeta e deputetëve ka të drejtën të kërkojë nga Kuvendi me mocion që të dërgojë në gjykatë çështjen e papajtueshmërisë së deputetit në ushtrimin e mandatit dhe në rast të rrëzimit të një mocioni të tillë, aktivizohet e drejta e jo më pak se një të pestës së deputetëve për të vënë drejtëpërdrejt në lëvizje gjykimin kushtetues për shqyrtimin në themel të çështjes së papajtueshmërisë dhe deklarimin e mbarimit të mandatit të deputetit.” (Shih Par. 28)

Në rastet e mëparshme kur mocioni i një të dhjetës së deputetëve është rrëzuar nga Kuvendi dhe është vendosur mos dërgimi içështjes në gjykatë (siç ka qenë p.sh rasti i deputetes O.XH), qendrimi i gjykatës ka qenë krejt i ndryshëm. Që çështja të jetë e qartë për lexuesin e shikoj të nevojshme ti referohem vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nr. 55, datë 10.07.2024, ku thuhet:

a) Kur Kuvendi vihet në lëvizje me mocion të Kryetarit tëKuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, duhet të vendoset dërgimi i çështjes në Gjykatë Kushtetuese, e cila është organ i vetëm që ka kompetencë të shqyrtojë në themel çështjen…

b) Në rastet kur Kuvendi vihet në lëvizje sipas pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës “Kuvendi nuk mund të vejë në diskutim nocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ja nënshtrojë atë debatit parlamentar…Kuvendi, në këto raste, nuk mund ti hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti, janë të papajtueshme me mandatin e tij.” (Par. 39 ivendimit)

c) Lidhur me mosdërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, në vendim theksohet se: “Kuvendi detyrimisht duhet të zbatojë vendimet e saj, konkretisht atë që sanksionohet në nenin 132 të Kushtetutës ku thuhet se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.” (Par. 44 i vendimit)

d) Gjykata vlerëson se “parimi kushtetues i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të kuptohet si liri absolute…Gjykata çmon se parimi i mandatit të lirë (jo detyrues) edhe pse është i zbatueshëm në procedurat parlamentare kur deputetët thirren në votim, nuk nënkupton se liria nëvotim e deputetëve është absolute. Përkundrazi kjo lirinë votimin e tij i nënshtrohet kufizimeve.” (Par. 58 ivendimit)
Kundër vendimit të mësipërm kam shprehur opinionin timkritik në një shkrim të publikuar në gazetën “Dita”, të datës16 janar 2025, të titulluar: “Ngërçin e ka krijuar vetë Gjykata Kushtetuese”.

Vendimi nr. 35, datë 27.05.2025 i gjykatës që ka ndryshuar thellësisht qëndrimet e saj të mëparshëm duke ç’bllokuar kështu ngërçin që vetë ajo ka krijuar, (në fakt edhe pse nuk shprehet) pranon se:

a) Qëndrimi i Kuvendit ka qenë i drejtë, dmth në pajtim me Kushtetutën. Ai nuk ka cenuar asnjë nen të Kushtetutës nërastet kur ka refuzuar mocionin dhe si pasojë nuk ishte i detyruar ti dërgonte çështjen Gjykatës Kushtetuese.

b) Neni 132 i Kushtetutës në një rast të tillë, nuk mund të zbatohej, sepse ndryshe nuk do të përfillej votimi i shumicës dhe autonomia e organit ligjvënës.

c) Të padrejta, jokorrekte, të pajustifikuara dhe të rënda kanë qenë shprehjet e përdorura në vendimin e gjykatës (është fjala për moszbatimin e nenit 132 të Kushtetutës) se Kuvendi ka cenuar “të gjithë strukturën e të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara në Kushtetutë, ç’ka do të përbënte një precedent të rrezikshëm…” (Par. 58 ivendimit të Gj.K, Nr. 35, datë 10.07.2024)

Pas vendimit të mësipërm, gjykata nuk do ti kërkonte Kuvendit shfuqizimin e vendimit të refuzimit të mocionit dhe as do të përmendte detyrimin sipas nenit 132 të Kushtetutës, sepse vendimi i Kuvendit do të ishte legjitim dhe nuk do të përbënte, siç shprehej gjykata në vendimin e mësipërm të vitit 2024, “një precedent të rrezikshëm”.

Duke ju rikthyer vendimit të Gjykatës Kushtetuese që legjitimon një të pestën e deputetëve për të venë në lëvizje gjykatën në rastet kur Kuvendi rrëzon mocionet e një të dhjetës së deputetëve, është e nevojshme të trajtohen çështjet e mëposhtme:

Së pari: A ka ndryshuar gjykata praktikën e saj të mëparshme?

Së dyti: Nëse po, për këtë ndryshim a ka parashtruar ajo arsyet dhe argumentet përkatëse?

Së treti: Kjo praktikë e ndryshuar a përbën normë të re kushtetuese?

Në trajtimin e çështjeve të mësipërme e shohim të nevojshme të shprehim mendimet e mëposhtme: Gjykata ka ndryshuar praktikën e saj, por pa arsyetuar domosdoshmërinë e këtij ndryshimi. Në fakt praktika e gjykatës mund të ndryshojë nëraste të rralla, në kushte dhe rrethana të veçanta dhe sidomosnë zbatim të standardeve (shih vendimin e Gj.K, Nr. 30, dt. 17.06.2010).

Ne mendojmë gjithashtu se ndryshimi i praktikës që legjitimon një të pestën e deputetëve në rastet kur Kuvendi rrëzon mocionet e paraqitura nga një e dhjeta e deputetëve, krijon normë të re që siç dihet është atribut i legjislativit. Në këtë përfundim ka arrritur edhe pakica e anëtarëve të gjykatësqë janë shprehur se: “nëpërmjet legjitimimit të subjektit jo më pak se një e pesta e deputetëve, gjykata ka tejkaluar Kushtetutën duke krijuar normë të re kushtetuese”(vendimi nr. 35, datë 27.05.2025, paragrafi 24)

Në përfundim e shikjmë të nevojshme të theksojmë se gjykata(përfshi kështu edhe rastin e deputetit V.S) në vështrim të nenit 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës, më parë nuk ka legjitimuar vënien në lëvizje të saj nga një e pesta e deputetëve, me arsyetimin se neni 70 i Kushtetutës është dispozitë specifike.

The post Gjykata Kushtetuese ç’bllokon ngërçin që vetë ajo kishte krijuar first appeared on JavaNews.al.

Saga e Papavramëve, ose të jesh “pasardhës”

By: Mero Baze
5 August 2025 at 10:57

Nga Mero Baze

Robert Papavramin e kam takuar fizikisht kur kryeministri Edi Rama, i cili është dhe një nga njerëzit që ka komunikuar gjithë jetën me të si njeriu më i afërt, e dekoroi atë në Nëntor të vitit 2014. Shkëmbimet e mesazheve në distancë me Papavramin, deri atëherë më kishin kompleksuar, për shkak të vëmendjes së tepërt që ai kishte ndaj artikujve të mi duke më vënë nofkën “antiLenin”.

Por për herë të parë për të kam dëgjuar fjalë të rënda nga ish Sekretari i Parë i Rinisë së KQ të PPSH pas arratisjes së tyre. Na bën një mbledhje në Pallatin e Kulturës “Studenti” dhe “Sekretari i Parë” foli për familjen e degjeneruar të Tedi Papavramit që “hëngrën bukën e shokut Enver dhe përmbysën kupën”. Interesante ishte se të gjithë ata që donin të shpjegonin një gjë më tepër pas kësaj “damkosje”, flisnin për Bertin, profesorin e famshëm të Liceut, që kishte “masakaruar” të birin me disiplinën e tij dhe kish krijuar mitin e profesorit rebel.

Pasi u takuam u çlirova, pasi mu duk se atë e njihja prej kohësh. Kur u largua më dërgoi një mesazh nga Athina, para se të mbërrinte në Francë. Dhe më tej ruajtëm një raport në distancë duke shkëmbyer mesazhe dhe dhurata, zakonisht një shishe grapa që ai nuk harronte të ma dërgonte kurrë me të njohurit e tij që vinin për Krishtlindje në Tiranë.

Saga e Papavramëve, ose të jesh “pasardhës”

I dashtun Z. Mero,

Njohja me juve ishte vitit se bashku me Medaljen e Edit.

Ju falenderoj per artikullin e bukur e sidomos per moralin e tij.

Besnik deri ne fund … Ndrove dhe fotografine, gjynah qe mungonte

nji stilograf i vertete …. (ne foto) megjithate falenderime dhe per kete

Edhe nji here falenderime dhe qe pranuat te vinit ne takim.

Gjynah qe smund te rri pak me gjate

Koke me koke (me koken e madhe… Te ANTILENINIT sqiptar)

Me respekt (vertete) te vecante, duj te urua te gjtha te mirat

Përshëndetje Prof. Berti!

Kur Edi më tha se duhet të vish të takosh një lexues tëndin, pata mëdyshjen që ka xhelati me viktimat e veta, pasi shumë nga lexuesit e mij nuk më lexojnë nga qejfi, por nga halli. Kur më tha kush ishe, mu duk sikur e mora unë atë medaljen e Mirënjohjes dhe lashë çdo plan të së djelës.

Më pyeti Edi më pas dhe më tha a ta duk si fëmijë Roberti?

-Po i thashë dhe ka një shpjegim për tipat e palëkundur si ai. Naivitetin fëminor e kanë si bindje për çdo objektiv të tyre. Besojnë si fëmijë dhe luftojnë si të çmendur. Faleminderit që të njoha.

Mero

Po ribotojë sot në ditën e ndarjes me të, editorialin e vitit 2014, kur ai mori mbprasht vlerësimin për betejat e jetës së tij.

Saga e Papavramëve, ose të jesh “pasardhës”

Nga Mero Baze

Sot kam takuar nga afër Bert Papavramin. Në sallën e hartave në Kryeministri, ku ai mori një dekoratë mirënjohjeje nga kryeministri i Shqipërisë, ai mbajti një leksion të dhimbshëm, të pashkruar askund mbi sagën e Papavramëve. Duke përjetuar dramën e të qenit në qendër të një brezi të shquar Papavramësh, ai u rrit, siç e tha dhe vetë, si “djali i doktorit” më të shquar shqiptar, dhe po ikën nga bota, si baba i djalit më të talentuar shqiptar.

Të gjithë që folën, vizatuan karakterin e tij të fortë, pedagogun e rreptë deri në diktator, dhe skalitësin e vullnetit të djalit të tij të talentuar që një ditë t’ia dilte dhe të sundonte botën me Stradivarin e tij.

Por, përse Prof. Papavrami meriton më shumë se një dekoratë mirënjohjeje?

Shqipëria është një vend pa histori elitash të trashëgueshme. Është një lloj vendi ku shfaqen udhëheqës pa pasardhës, gjeni të keqkuptuar dhe anatemuar, dhe milionerë që shndërrijnë e shuhen si xixëllonja.

Ne kishim një mbret, i cili për kohën ndoshta ia doli të sundonte me marifetet shqiptare, dhe që arriti të formësonte një identitet të shtetit shqiptar, por që nuk ia doli të lërë pasardhës të nivelit të tij. Ne kishim një diktator që sundoi Shqipërinë 50 vjet, por që përveç shkretëtirës ekonomike dhe morale që la pas, nuk la as ndonjë pasardhës për të qenë. Ne kishim një njeri që hoqi zvarrë këtë vend për 24 vjet dhe vazhdon të zvarritet akoma, që simbol të pushtetit të tij bëri “Familjen” makute, që përdor pushtetin për t’u pasuruar dhe rrezaton banalitet, mediokritet, inferioritet dhe tek brezi i dytë dhe një urrejtje ndaj Shqipërisë që nuk vazhdoi ta mbajë në pushtet Supergjyshin.

Ne kemi gjeni si Ismail Kadareja, të cilët mjedisi meskin shqiptar nuk i gjykon nga veprat, por nga muhabetet e shitëses së djathit në lagje, dhe nga fakti pse ia doli të mos burgosej nga Enver Hoxha. E gjithë duket një përpjekje për të vrarë çdo gjeni që mund të lindë në këtë vend, me një “kamë” banale të smirës që kemi ndaj vlerave.

Këto 25 vjet ne kemi parë dhe njohur miliarderë të bërë brenda vitit, që po brenda disa vitesh u harrohet emri, ose bëhen për anekdota. Akoma nuk kemi një milioner shqiptar, i cili të na bindë se do ketë dhe djalin e stërnipin e tij, po të suksesshëm në biznes. Tani jemi të mbushur me drama fëmijësh që i kishin baballarët milionerë dhe janë pa perspektivë.

Bert Papavrami është një përjashtim i madh i historisë së Shqipërisë, pasi ai ishte djali i doktor Papavramit, që të vriste me emrin dhe peshën e rëndë të autoritetit të tij në kohën që jetoi, dhe ia doli të ishte një pasardhës. Dhe këtu nuk i la shumë kohë vetes të krekosej si i tillë, por i hyri punës të linte dhe pasardhësin e tij.

Tedi Papavrami, ndoshta do t’ia tregojë varrit ç’ka hequr nga i jati derisa të bindej se nuk ishte fëmijë i zakonshëm, por duhet të ishte me detyrim, në mos një violinist i madh, një Papavram i madh. Sot ia ka dalë, por natyrisht me çmimin e rëndë që të diktojnë rregulla të tilla dragoniane, për të qenë një pasardhës. Saga e Papavramëve është e tillë, që për të mbetur Papavram, diçka duhet të lësh rrugës. Doktor Papavrami la pleqërinë në internim për t’u hapur rrugë dy pasardhësve të vet. Prof. Papavrami shpërndau talentin e tij si grimcat e arit në një zall lumi që nuk i shikon askush, për të mbushur Shqipërinë me violinistë të talentuar si Spahiu, Skënderi dhe djali i tij, Tedi. Ky i fundit natyrisht që sakrifikoi fëmijërinë e tij, për të qenë ky që është sot. Ai nuk pati lodra, nuk u gërvisht kurrë në fusha futbolli dhe as u rrah dot me shokët e lagjes, pasi një xhelat i rrinte tek koka për ta bërë pasardhës.

Tani ia kanë dalë. Doktor Papavrami nuk ka peng asgjë nga ato që i ndodhën pas ikjes së dy pasardhësve. Tedi natyrisht që mund të vajtojë fëmijërinë, por jo suksesin që arriti. Por mbi të gjithë këta, Bert Papavrami ka meritën të ishte kyçi i sagës së Papavramëve. Ai vendosi të ketë një dinasti të tillë dhe ia arriti. Sikur disa shqiptarë më shumë të bënin atë që ka bërë ai, Shqipëria do ishte një vend më fisnik, me më shumë pasardhës, me më shumë familje të mëdha dhe jo “Familje” mafioze banale në pushtet, me më shumë mbiemra që rëndojnë shumë herë më tepër se llogaritë e fryra të këtyre që vijnë, mjelin Shqipërinë dhe ikin.

Mos u trishto Prof. Berti. Edhe Doktor Papavrami, edhe Tedi Papavrami, ndoshta s’do kujtoheshin, po të mos i mbaje ti në shpinë dhe t’i nxirrje në breg. Nga një pinjoll prej një dere, në këtë vend kemi pasur plot! Për të pasur tre rresht, duhet një Bert Papavrami në mes. Këtu është diferenca mes atyre që lind Zoti dhe atyre që rriten si pasardhës.

The post Saga e Papavramëve, ose të jesh “pasardhës” first appeared on JavaNews.al.

16 vatra zjarri gjatë 24 orëve, Ministria e Mbrojtjes: Vetëm 1 vatër aktive, një tjetër në monitorim

By: A R
5 August 2025 at 10:49

16 vatra zjarri janë evidentuar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 14 prej këtyre vatrave janë shuar, ndërsa ka mbetur aktive një vatër, ndërsa një tjetër është nën monitorim.

Ministria njofton se vatra e cila është ende aktive është në fshatin Dhores në bashkinë Skrapar, ndërsa vatra e cila po monitorohet është në Gurë-Lurë në bashkinë Dibër.

Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 16 automjete zjarrfikëse, 142 forca operacionale dhe 15 efektivë nga Forcat e Armatosura.

Zjarre të shuar:

Në malin e Allushit, Bulqizë;

Në rrugën Delvinë-Kardhiq, njësia administrative Vergo, bashkia Delvinë;

Në fshatin Gumenicë,  bashkia Selenicë

Në fshatin Bolenë, bashkia Himarë;

Në lagjen Shijan, bashkia Delvinë;

Në fshatin Dukat, bashkia Vlorë;

Në lagjen Nr. 2, njësia administrative Rrogozhinë;

Në fshatin Qerret, bashkia Kavajë;

Në fshatin Kallmet, bashkia Lezhë;

Në fushat e stërvitjes pranë stadiumit të KF Skënderbeu, bashkia Korçë;

Në fshatin Vashtëmi, njësia administrative Libonik, bashkia Maliq;

Në lagjen Çole, bashkia Vlorë.

The post 16 vatra zjarri gjatë 24 orëve, Ministria e Mbrojtjes: Vetëm 1 vatër aktive, një tjetër në monitorim first appeared on JavaNews.al.

❌
❌