Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar vendimin, i cili përcakton afate standarde minimale kohore dhe standarde minimale sasiore për gjykimin e çështjeve. Ky vendim, i cili ka hyrë të enjten zyrtarisht në fuqi, u propozua nga anëtarët Irena Plaku, Ridvan Hado dhe Markelian Koça. Ai synon të rrisë efikasitetin e gjykatave, të balancojë ngarkesën e punës së gjyqtarëve dhe të forcojë besimin publik tek sistemi i drejtësisë.
Vendimi, sipas KLGJ-së, bazohet në parimet e mirëqeverisjes, efektivitetit, transparencës dhe gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Afatet dhe standardet e përcaktuara në këtë vendim janë orientuese dhe aplikohen vetëm për ato çështje për të cilat ligji nuk parashikon afate gjykimi.
Synimi, sipas saj, “është rritja e efektivitetit të gjyqtarëve në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe administrativ (shkalla e parë dhe apelit), si dhe në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar (shkalla e parë dhe apelit).”
Standardi minimal kohor do të thotë që gjykimet duhet të realizohen brenda një afati kohor minimal, që fillon nga data e caktimit të gjyqtarit të çështjes. Për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, afati fillon nga data e nxjerrjes së çështjes për gjykim.
Ndërsa standardi minimal sasior nënkupton një ngarkesë pune minimale që gjyqtari duhet të realizojë brenda një viti kalendarik.
“Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve mund të përcaktojë standarde të tjera kohore dhe sasiore, duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjeve, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe uljen e çështjeve të prapambetura.”, thuhet në vendim, shkruan rtsh.al.
Afatet standarde minimale kohore për llojet e çështjeve
Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, sa i përket seksioni penal, lidhur me kërkesat penale dhe kundërvajtjet penale, nuk duhet ti shqyrtojë më gjatë se 2 muaj.
Ndërsa çështjet penale me dënim deri në 10 vjet, jo më gjatë se 9 muaj.
“Çështjet penale me dënim mbi 10 vjet ose burgim të përjetshëm, jo më gjatë se 12 muaj.”, thuhet në vendim.
Seksioni civil
Kërkesat me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nuk duhet të shkojnë më gjatë se 1 muaj. Ndërsa çështjet civile pa palë kundërshtare, jo më gjatë se 2 muaj.
“Afati për çështjet civile me objekt marrëdhënie pune, nuk është më gjatë se 4 muaj. Çështjet tregtare dhe familjare pa palë kundërshtare, afati jo më gjatë se 4 muaj. Çështjet civile, tregtare dhe familjare me palë kundërshtare, jo më gjatë se 6 muaj. Çështjet civile themeli të natyrës komplekse, afati jo më gjatë se 12 muaj.”, thekson vendimi.
Lidhur me Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit Administrativ, kërkesat administrative me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, afati jo më gjatë se 1 muaj.
Kërkesat administrative pa palë kundërshtare, jo më gjatë se 2 muaj, ndërsa çështjet administrative me palë kundërshtare, jo më gjatë se 6 muaj.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm
Kundërvajtjet penale nuk duhet kanë si afat jo më gjatë se 2 muaj, ndërsa kërkesat penale jo më gjatë se 3 muaj. Sa i përket çështjeve penale nga themeli, ato duhet të kenë si afat shqyrtimi jo më gjatë se 6 muaj.
“Kërkesat civile me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe ato pa palë kundërshtare, jo më gjatë se 2 muaj. Çështjet civile me objekt marrëdhënie pune dhe çështjet familjare, jo më gjatë se 4 muaj. Çështjet civile dhe tregtare me palë kundërshtare, jo më gjatë se 6 muaj. Çështjet civile me palë kundërshtare, të natyrës komplekse, jo më gjatë se 12 muaj.”, nënvizohet në vendim.
Gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, lidhur me kërkesat penale, vendimi përcakton se ato duhet të kenë si afat shqyrtimi jo më gjatë se 4 muaj.
“Çështjet penale me dënim deri në 10 vjet, jo më gjatë se 9 muaj. Çështjet penale me dënim mbi 10 vjet ose burgim të përjetshëm, jo më gjatë se 12 muaj.”, përcakton vendimi.
Standardet minimale sasiore (për gjykimin si relator brenda një viti kalendarik)
Gjyqtari i shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm duhet të ketë jo më pak se 200 çështje me palë kundërshtare dhe jo më pak se 200 çështje pa palë kundërshtare.
Gjyqtari i shkallës së parë të juridiksionit administrativ, jo më pak se 200 çështje me palë kundërshtare dhe jo më pak se 150 çështje pa palë kundërshtare.
Ndërsa gjyqtari i gjykatës së apelit (përgjithshëm dhe administrativ) duhet të ketë jo më pak se 200 çështje me palë kundërshtare.
“Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ketë jo më pak se 20 çështje me palë kundërshtare. Ndërsa gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ketë jo më pak se 20 çështje me palë kundërshtare.”, theksohet në vendim, shkruan rtsh.al.
Monitorimi dhe raportimi
Kryetarët e gjykatave do të monitorojnë zbatimin e këtyre standardeve çdo tre muaj dhe do të dërgojnë raportet përkatëse pranë KLGJ-së. Në rast se një gjyqtar nuk i arrin këto standarde, ai duhet të raportojë tek Kryetari i Gjykatës për arsyet e mosrealizimit dhe masat që do të ndërmarrë, duke përcaktuar edhe nevojën për burime njerëzore shtesë. Raporti i gjyqtarit do të përfshihet në raportimin e gjykatës drejt KLGJ-së.
Ky vendim, sipas KLGJ-së, shënon një përpjekje të rëndësishme për të sjellë më shumë efikasitet dhe transparencë në sistemin gjyqësor shqiptar, duke vendosur pritshmëri të qarta për gjyqtarët dhe duke synuar një drejtësi më të shpejtë dhe më të besueshme për qytetarët.
The post Këshilli i Lartë Gjyqësor, hyjnë zyrtarisht në fuqi afatet dhe standardet e reja për gjykimin e çështjeve first appeared on JavaNews.al.