Nga Av. Gurali Brahimllari
Në datën 24/09/2024 Gjykata e Strasburgut, duke shqyrtuar ankimet nr.44715/20 dhe nr. 47930/21 të shtetasve angleze A.L si dhe E.J kundër Francës, në lidhje me (pa)ligjshmërinë e përdorimit të të dhënave të platformave të enkriptuara EnchroChat, nuk zgjidhi në mënyrë përfundimtare çështjen me argumentin se aplikantët nga Mbretëria e Bashkuar, nuk kishin shterur mjetet ligjore të ankimit para gjykatave Franceze.
Ky qëndrim i GJEDNJ-së u determinua nga shpjegimet e pavërteta të Qeverisë Francese (palë e paditur në këtë proces), se për shkeljen e të drejtave të mbrojtura nga KEDNJ, dy aplikantët anglezë duhet të kishin ushtruar të drejtën e ankimit para gjykatave franceze.
Qeveria franceze është fshehur pas Urdhërit Europian të Hetimit, mbi të cilin ishin transmetuar të dhënat e transkripteve të EncroChat, duke shtrëmbëruar përmbajtjen e legjislacionit të saj procedurial duke parashtruar para GJEDNJ-së se:
“….118. …kërkuesit kishin në dispozicion mjete ankimi kundër instancave franceze që mund të kishin qenë efektive, dhe të cilat duhet të ishin përdorur/shfrytëzuar.
- Argumenton fillimisht se kërkuesit mund të kishin kërkuar nga autoritetet hetimore anulimin e transmetimit të të dhënave tek autoritetet britanike me qëllim përfshirjen e tyre si provë në procedime të ndryshme penale në bazë të nenit 694-41 të KPP-së… Nënvizon se ky mjet ankimi është i hapur për çdo “person/palë të interesuar” dhe se kërkuesve do t’u kishte mundësuar të mbështeteshin në praktikën gjyqësore të konsoliduar, e cila lejon, në një situatë tërësisht të brendshme, kërkimin e anulimit të përcjelljes së akteve/dokumenteve që rrjedhin nga një procedim me arsyetimin se ato janë marrë në kushte që bien në kundërshtim me nenin 8 të Konventës… Duke vepruar kështu, kërkuesit do duhej të kishin paraqitur të gjitha pretendimet e tyre në gjykatat e brendshme(franceze).”
Këto argumente të qeverisë franceze, jo vetëm janë pranuar si të vërteta, por edhe i kanë bindur gjykatësit e Strasburgut në vendimmarrjen e tyre kur shprehen se: “…142. Qeveria (Franceze) tregon në këtë mënyrë bindshëm se kërkuesit kishin një mjet ankimi që i lejonte ata të kundërshtonin ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e marrjes së të dhënave dhe transmetimit të tyre tek autoritetet britanike për përfshirjen e tyre si provë në dosjen penale.”
Prandaj Gjykata e Strasburgut, ndonëse ka dhënë në këtë vendim definicione të rëndësishme për prespektivën e zgjidhjes së çështjeve të ngjashme për të ardhmen (shih paragrafin 101 të vendimit), ka arritur në konkluzionin se:
“145. Në bazë të sa më sipër, Gjykata vlerëson se kërkuesit kishin në dispozicion një mjet ankimi, që u jepte mundësi të kundërshtonin në mënyrë efektive masën/vendimin për transmetimin e të dhënave të marra në ekzekutimin e Urdhrit Europian të Hetimit të lëshuar më datë 11 mars 2020, si dhe masën/vendimin për interceptimin, që mundësoi mbledhjen e tyre. Megjithatë, kërkuesit nuk kanë ndjekur asnjë mjet ankimi para gjykatave franceze dhe nuk provojnë ndonjë rrethanë të veçantë që do t’i përjashtonte ata nga një gjë e tillë.”
Por ky qëndrim është nxjerrë “zbuluar” si i pavërtetë nga një vendim i Gjykatës Franceze të Kasacionit, i dhënë në datën 3 qershor 2025, sipas të cilit ligji procedurial francez nuk i mundëson asnjë shtetasi që nuk është palë në një proces gjyqësor në gjykatat franceze, që të kundërshtojë në Francë, vlefshmërinë e përgjimit të komunikimeve të kryera nga autoritetet gjyqësore franceze.
Sipas përmbajtjes së këtij vendimi të Gjykatës Franceze të Kasacionit, ankuesi (një shtetas Belg), që ishte paraburgosur dhe po ndiqej penalisht para Gjykatës së Bruge-s në Belgjikë, mbi bazën e të dhënave të SkyECC, akuzohej “për trafik droge dhe konspiracion kriminal”, me dyshimin se kishte qenë përdorues i kësaj platforme dhe nëpërmjet saj, kishte shkëmbyer mesazhe me persona të tjerë. Mbrojtja e ankuesit, në tetor 2024 (bazuar edhe ne vendimin e GJEDNJ-së për aplikantët anglezë që u publikua më 17/10/2024), ka ngritur padi para gjykatave franceze për të deklaruar të pavlefshme transkriptet e përftuara nga hetimet e kryera dhe përgjimet në platformën SkyECC, edhe pse aplikanti nuk po ndiqej penalisht në Francë.
Në nëntor 2024, Gjykata e Apelit e Parisit e hodhi poshtë kërkesën duke e shpallur atë të papranueshme, për shkak se nga zbatim logjik i ligjit francez është e pamundur që një person i përfshirë në procedura penale jashtë vendit, të kundërshtojë ligjshmërinë e provave të mbledhura më parë në Francë. Ky qëndrim i Gjykatës së Apelit është ankimuar në Gjykatën e Kasacionit duke argumentuar shkeljen e të drejtës kushtetuese për një mjet juridik efektiv para gjykatave Franceze, duke referuar edhe qëndrimin e qeverisë franceze para GJEDNJ-së dhe përfundimet e saj në vendimin e aplikantëve anglezë.
Më 3 qershor 2025, Gjykata Franceze e Kasacionit refuzoi ta referonte këtë çështje para Këshillit Kushtetues, duke POHUAR, ndër të tjera se, legjislacioni francez sipas neneve 170 dhe 173 të Kodit të Procedurës Penale, të drejtën e ankimit, për të kontestuar rregullshmërinë e akteve ose dokumenteve të përfshira në dosjen hetimore, e ka kufizuar vetëm për subjektet e procesit penal (gjykatësit hetues, prokurori publik, dëshmitari i asistuar ose palëve), duke synuar që të ruajë sekretin e hetimit dhe të integritetin e procesit hetimor si edhe të mbrojë interesat e personave të përfshirë në këto hetime. Madje Gjykata e Kasacionit thekson se: “Për më tepër, ankesat e bazuara në shkeljen e parimeve kushtetuese të respektimit të të drejtave të mbrojtjes, të drejtës për një mjet efektiv juridik dhe të drejtës për një gjykim të drejtë janë të pavlefshme pasi aplikanti, i cili pretendon shkeljen e këtyre parimeve para një gjykate të huaj, nuk është subjekt i ndonjë procedure në Francë.
Pra ky vendimi i Gjykatës së Kasacionit, që e konsideron të pavlefshme ANKESËN e kërkuesit nga Belgjika për shkak se nuk është subjekt i ndonjë procedure në Francë, provon të kundërtën e qëndrimit të qeverisë franceze para GJEDNJ-së në vendimin e shpallur më 24/09/2024.
Këtë vendim të Gjykatës së Kasacionit në Francë, do ta bashkëngjisim dokumenteve që kemi përcjellë në Gjykatën e Strasburgut, ndërkohë që bëjmë me dije lexuesin se para Gjykatës Kushtetuese kemi kundërshtuar pretendimet e përfaqësuesve të Prokurorisë së Posaçme, se legjislacioni francez prezumohet të jetë “kampioni” i respektimit të të drejtave të njeriut edhe në fushën e respektimit të standadeve për fshehtësinë e korrespondencës dhe të çdo mjeti komunikimi”.
Theksojmë përsëri se legjislacioni procedurial francez, është i vetmi legjislacion në të gjithë vendet e BE-së, që lejon përgjimin masiv (nëpërmjet sondave përgjuese që interceptojnë të gjithë fluksin e komunikimeve), ndërsa jurisprudenca e GJEDNJ-së, jo vetëm nuk e pranon këtë lloj përgjimi në proceset penale, por e ka venë në dyshim atë edhe për nevojat e inteligjencës sekrete kur lejohet nga legjislacioni i brendshëm (por me theksin se asnjëherë nuk janë prova në proces penal).
Për më tepër në kundërshtim, jo vetëm me jurisprudencën e GJEDNJ-së, por edhe me nenin 222/a të K.Pr.Penale të Republikës së Shqipërisë, ligji procedurial francez NUK LEJON ANKIMIN ndaj vendimit të përgjimit të telekomunikimeve.
Për të interesuarit, sjell në vëmendje jurisprudencën e GJEDNJ-së në çështjen LAMBERT k. FRANCËS, dt. 24 gusht 1998, ku Gjykata ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës për shkak se: “20. Z. Lambert parashtroi se vendimi i Gjykatës së Kasacionit për t’i refuzuar atij çdo të drejtë për t’u ankuar për përgjimin e disa prej bisedave të tij telefonike, me arsyetimin se ishte linja e një pale të tretë që ishte përgjuar, kishte shkelur nenin 8 të Konventës.
Ndërsa në çështjen MATHERON k. FRANCES, dt. 29 mars 2005, Gjykata gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës për shkak të pamundësisë për të kundërshtuar përfshirjen në dosjen e aplikantit, të transkripteve të bisedave të tij të përgjimeve telefonike të kryera në procese në të cilat ai nuk ishte i përfshirë. Gjykata pranoi ankimin duke konstatuar shkelje të nenit 8 të KEDNJ-së për shkak se “… është e qartë se arsyetimi i Gjykatës së Kasacionit mund të çojë në vendime që privojnë mbrojtjen e të drejtave të një numri të caktuar personash, përkatësisht të gjithë ata që do të ishin kundër rezultatit të përgjimeve telefonike të kryera në procese të huaja për ta”.
Duke iu kthyer vendimit të dt. 03.06.2025 të Gjykatës Franceze të Kasacionit, edhe pse kjo Gjykatë ende nuk është shprehur për pjesën e ankimit të shtetasit belg, në lidhje me të drejtën e tij për të kundërshtuar Urdhërin Europian të Hetimit që ka lejuar transmetimin e transkripteve, del qartazi se parashtrimet e qeverisë franceze para GJEDNJ-së kanë qenë të pavërteta, për shkak se aplikantët anglezë nuk kanë patur asnjë mundësi për të kundërshtuar ligjshmërinë e procesit të kapjes së të dhënave të EncroChat, para Gjykatëve Franceze. Madje ata nuk mund të kundërshtonin as transmetimin e këtyre të dhënave nëpërmjet UEH për shkak se ndryshe nga autoritetet belge, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte kërkuar paraprakisht ndihmë juridike nga Franca për zbulimin e vendndodhjes së platformës EncroChat dhe të përdoruesve të saj.
The post A e ka gënjyer qeveria franceze Gjykatën e Strazburgut në parashtrimet për çështjen e përgjimeve të EncroChat? first appeared on JavaNews.al.