Normal view

Protesta është ulur tek “Taivani”

By: S M
13 July 2026 at 22:24

Nga Skënder Minxhozi/

Në një nga prononcimet e shumta gjatë 40 ditëve të protestave kryeministri Rama ka hedhur një frazë që dukej si një mesazh i mirëmenduar në drejtim të asaj pjese të protestuesve që sipas tij nuk bën pjesë as te “sorrat” as te “korbat”. “Një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit”, u shpreh ai, duke sinjalizuar se protesta e ka arritur të parin rezultat në drejtim të objektivave të saj: atë të të dëgjuarit “me ekip” nga qeveria për kërkesat që shtron.

Në qoftë kështu ky është një veprim i përgjegjshëm i maxhorancës ndaj një fenomeni që prej më shumë se një muaji ka shuar praktikisht të gjitha sherret dhe debatet në panairin partiak në vend. Është zhdukur Foltorja, kanë rënë spaletat e opozitës historike, ka dalë madje “prapa liste” dhe Spaku me lajmet e tij zhurmëmëdha dhe në plan të parë ka dalë përballja e qeverisë me sheshin.

Pas 40 ditësh protesta ka treguar shenja serioze “plakjeje”. Lodhja nga premtimi për të rrëzuar qeverinë pas çdo daljeje në bulevard (punë orësh bie Edi Rama!), mungesa kronike e një lidershipi dhe improvizimet e njerëzve të rastësishëm që kanë në dorë megafonët apo foninë e protestës, shto këtu edhe deklarata të çmendura si ato të burgosjes së atyre që shkuan në koncertin e Kanye West – janë të gjitha shkaqe të prekshme e të qenësishme për bjerrjen graduale të vrullit të protestës.

Në anën tjetër të kësaj tërheqjeje litari 40 ditore qëndron Edi Rama me mesazhet e tij të përditshme dhe me ministra e deputetë që papritur u kujtuan se nganjëherë edhe duhet të flasësh e madje të shkosh në luftë për të mbrojtur pozitat e tua politike. Qeveria ka qëndruar stoike në pozitën e saj të pritjes që protesta të shfaqë simptomat e një mode kalimtare, megjithëse sipas logjikës së rastit ky është një aspekt që duhet verifikuar me kalimin e javëve.

Sepse së pari nuk është asfare e thënë që këta që e mësuan sesi bëhet një procesion 40 ditor (madje ‘mbarëshqiptar’ falë Albin Kurtit e të tjerëve), nuk mund ta bëjnë këtë gjë sërish në vjeshtë, dimër apo pranverën e ardhshme. Planet e punës, metoda dhe mënyrat sesi nxirren në shesh disa mijëra njerëz tashmë janë të gjitha aty dhe nuk është e thënë të mos përsëriten me fushata.

Së dyti, e kjo është edhe më e rëndësishme, me ose pa flamengot, ekstremistët e majtë a të djathtë, protestuesit e importuar nga jashtë kufinjve dhe futjen e duarve të dreqin e di se cilave shërbime e ngatërrëstarëve të tjerë shqiptarë ose jo – pra edhe pa këtë mishmash aktorësh dhe faktorësh që ushqyen protestën, në brendësi të saj qëndrojnë njëherësh edhe arsye reale dhe të prekshme për t’u ndjerë keq në Shqipërinë e sotme.

“Flamengot” duket se po tërhiqen ngadalë nga bulevardi po kjo s’do të thotë që edhe problemet e mëdha e sfiduese që ata shfaqën me forcë gjetën zgjidhje pas pesë javësh protesta.

Shqipëria është një vend ende kaotik dhe pa rregulla loje në shumë prej sektorëve të jetës ekonomike, sociale, zbatimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve. Njëherësh është një vend ku pabarazia, papunësia, korrupsioni i elitave dhe një rritje çmimesh që ka mpakur rroga e pensione, po e bën të padurueshme jetën për një porcion jo të vogël të shoqërisë tonë.

Qeveria është investuar shumë këto vite që ta përshkruajë ikjen e shqiptarëve si një gjetje propogandistike të opozitës dhe medias së saj, por është fakt se në kemi sot sipas Eurostat dyfishin e popullsisë që ndodhet në prag të varfërisë (40.5%), krahasuar me 21% që është mesatarja evropiane. Më tej, është gjithashtu një shifër e thatë dhe kokëfortë ajo që na thotë se e kemi standartin e fuqisë blerëse, pra mundësinë për të blerë një sasi të caktuar mallrash e shërbimesh, sa 43% e mesatares evropiane të fuqisë blerëse.

Më e rënda është se katet e poshtme të shoqërisë janë ato që vuajnë më shumë. Ne kemi paga mesatare katër herë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Evropian, por edhe 30-50% më të ulëta se vendet fqinje. Pensionet tona janë një burim pasigurie dhe varfërie që disa herë shkon në kufinjtë e egzistencës. Mjafton të thuhet se gjysëm milioni pensionistë kanë 200 euro e poshtë pension mujor. Nuk duhet mund për të llogaritur sesa e vështirë është për ta të dalin deri në fund të muajit!

Shumëkush ka supozuar gjithfarë teorish në lidhje me burimin e vërtetë të pjesëmarrjes dhe rezistencës që po shfaq kjo protestë. Kur para disa javësh u protestua për rritjen e çmimit të karburantit para Kryeministrisë dolën vetëm katër protestues. Dhe si papritur më pas aty u shfaqën flamengot dhe gjithfarë zogjsh të tjerë me flatra e pupla partish, OJQ-sh apo edhe të importuar nga Kosova e Maqedonia e veriut.

Ajo që habit sot është rregullsia e veprimeve, një lloj ore e brendshme dhe protokolli veprimesh që duket se protesta ka. Pak dhjetra veta në sheshin Skëndërbej nga ora 7-8 që vijnë e fryhen më pas para kryeministrisë derisa procesioni i daulleve e parullave shetit rrugëve të Tiranës deri afër mesnatës. Kjo kronologji përsëritëse, këto turma që dalin si nga hiçi, gjithçka mund të jenë përveçse reagim vullnetar dhe anarkist dhe i rastësishëm siç duan ta paraqesin. Pa u shtyrë në hipoteza mund të thuhet me siguri se kjo protestë 45 ditë pas fillimit ka shumëçka të kalkuluar e të përgatitur dhe shumë pak improvizim dhe aktivizëm brenda. Dhe padyshim ka shumë më pak pjesëmarrës!
Megjithatë protesta duket se ka zbuluar kodin sekret të pjesëmarrjes dhe kohëzgjatjes, tipare ku dështuan ndër dekada të gjithë krerët e elitës politike, përfshirë edhe vetë Ramën e Berishën. Nisur nga këto premisa mund të thuhet se protesta është një modë e destinuar të fashitet ngadalë, por duke u larguar me manualin e saj të detajuar në xhep. Pra të tërhiqet, por jo të zhduket.
Figurativisht ajo po ulet te kafet e Parkut Rinia në pritje të dallgës së re të pasionit antiqeveritar që s’dihet se kur mund të vijë sërish. Në pritje gjithashtu edhe që kryeministri të nisë reflektimin që ka premtuar në bazë të shënimeve që ekipi i tij po mban. Dhe nga ajo që Rama do të bëjë konkretisht në këtë drejtim do të varet edhe sesa do të rrijë “në kafe” vetë protesta.
E tillë siç është sot kjo protestë është një prezencë që s’ka fuqi për t’i “prerë kokën” klasës politike dhe as shumicës socialiste, por me gjasë ka për të qenë aty si një prezencë bezdisëse që pret rastin të sjellë kaos dhe presion mbi qeverinë.
Rama dhe Berisha, por edhe tre satelitët e rinj politikë, këta të fundit figurat më qesharake që i bëjnë lajka nga jashtë protestës, duhet të mendojnë këtej e tutje se ka një palë gri të ulur diku në një cep që mund të marrë një impuls e të dalë sërish nga hiçi, mu në mes të Tiranës.
Njerëz që ndjehen keq padyshim, por bashkë me ta dhe të kamufluar nën rrobat e tyre, edhe pazarxhinj partish, matrapazë të mllefit popullor, spekulantë rrjeti dhe mercenarë të paguar nga dreqi e di se kush – e gjithë kjo larushi opozitarësh të orës së fundit mund të presin një krizë çfarëdo, një fushatë elektorale apo nje tensionim politik për t’u rishfaqur.

Vite më parë Greqia u dogj sepse policia vrau një djalë të ri, Serbia u shkrumbua sepse ra streha e një stacioni hekurudhor. Çdo rast vlen për aktivizmin antiqeveritar dhe Shqipëria duket se e ka një të tillë pas dekadash qetësie absolute. Kësisoj nuk përbëjmë ndonjë rast të veçantë. Thjeshtë po përjetojmë një fenomen me të cilin nuk ishim mësuar të merremi. Kaq e thjeshtë është.

 

 

S’ka “Shqipëri të re” me arkivol në krah

By: S M
5 July 2026 at 17:25

Nga Skënder Minxhozi/

 

Në Botërorin e Afrikës së Jugut vite më parë, gjatë ndeshjeve u shfaq në një zhurmë sfondi si zukatje bletësh, që shoqëronte gjithë lojën. Ishin vuvuzelat e famshme afrikane, disa instrumente të thjeshta si pipëza që krijonin një tingull monoton të pandërprerë. Për shumëkënd që ndiqte ndeshjet në televizor kjo ishte një bezdi akustike por në fakt ai qe një tipar që i dha ngjyrë e folklor gjithë atij turneu.

Një tingull të ngjashëm monoton dhe përsëritës ka krijuar në këto ditë Botërori edhe protesta 35 ditore e Tiranës, me parullat e saj të njëjta, thirrjet për burg, ndjekjen nga pas me miell e vezë të deputetëve, por aty-këtu edhe me shkatërrim makinash policie, sulm komisariatesh dhe një zukatje mllefi në rrjet që apelon për rrëzim me dhunë të qeverisë, për gjak dhe konfrontim. Flamengot janë zëvendësuar tërësisht nga vuvuzelat e bulevardit.

Ky sektor agresiv dhe emotiv e protestës po prek seriozisht atë pjesë të protestuesve të zemëruar që kërkojnë dalje nga kriza ekonomike e sociale, një shtet më të drejtë për qytetarin, luftë ndaj korrupsionit dhe rregulla të reja loje në një sistem politik që duket i kalçifikuar nga jetëgjatësia e lidershipit që e udhëheq.

Akoma më i rëndë për fatet e kësaj lëvizjeje të ngjizur nga shumë duar njëherësh është fakti që më shumë se një muaj pas fillimit, protesta nuk ka ende një figurë apo panel përfaqësues. Ajo funksionon vetëm në dhënie, jo në marrje, pasi nëse qeveria apo partitë e mëdha politike do të donin të komunikonin me të, kjo do të ishte e pamundur për sa kohë që ende nuk dihet cila është fytyra e protestës, cilët janë drejtuesit e saj që i japin formë dhe trajtë zemërimit të sheshit. Edhe kur u mblodhën 80 përfaqësues të protestës për të folur rreth kësaj, lajmi kryesor që doli nga mbledhja ishin sherret e konfliktet për të drejtën e përfaqësimit.

Megjithatë për t’i ikur këtij sikleti nga qendra e zërit e protestës duket se është formësuar një qëndrim që thotë se protestuesit nuk duan dialog me Ramën por vetëm dorëheqjen e tij. Shtojnë në vijim se duan që të ikë dhe Berisha. Pra një lëvizje njëmujore pa kokë dhe pa gojë kërkon të rrafshojë gjithë sistemin politik shqiptar pa artikuluar asnjë ide apo tezë politike përveç fjalës “dorëhiquni”!

Në këtë pikë protesta e ka ngritur në mënyrë eksponenciale stekën e objektivit të saj final. Kërkon rrëzim të klasës drejtuese e jo dialog me të. Ky është një objektiv mëse i respektueshëm për një lëvizje politike e qytetare, por si i tillë është edhe shumë sfidues për vetë organizatorët e lëvizjes.

Dialogu me qeverinë do të jepte kohë për protestën që të organizonte idetë dhe të identifikonte drejtuesit dhe prioritetet. Fiksimi pas idesë së ikjes së Ramës në formë ultimative të çon drejtëpërdrejt tek kalkulimi i forcave në bulevard e jo në tryeza kompromisesh. Dhe këtu protesta është përplasur tashmë me të njëjtën grykë shisheje tek e cila ngeli për 13 vite rresht opozita kryesore përballë Edi Ramës. Dilema e protesuesve sot është dilema e Lulzim Bashës dje dhe e Sali Berishës pas vitit 2021: si ta rrëzosh konkretish maxhorancën socialiste?! Si të arrish që të detyrosh me dorëheqje socialistët që vetëm një vit më parë morën mbi 80 mandate parlamentare?!

Protesta pretendon se e ka gjetur rrugën për t’ja arritur kësaj dhe kjo rrugë është presioni i shtuar popullor që do të detyrojë Ramën të largohet nga posti. Protesta e të shtunës ishte më e vogël në numër se ajo e dy javëve më parë, ndërkohë që protestat ditore të dy javëve të fundit kanë qenë një xhiro nëpër qytet darkave me një numër protestuesish që nuk fusin në vështirësi as edhe këshillin bashkiak të Tiranës e jo më qeverinë qëndrore. Arkivoli metaforik i Edi Ramës përveçse një shijeje të keqe për të paanshmit dhe një ekzaltimi për ekstremistët, vështirë se i futi frikën kryeministrit në ditën e lindjes. Qe një gjetje figurativisht makabër që më shumë prish sesa ndreq punë për protestën. Shqipëria e re me arkivol në krah është një imazh disi i vështirë të të bëjë të hidhesh përpjetë nga gëzimi.

Nëse presioni i sheshit është rruga e vetme që protesta ofron për të shkulur nga rrënjët sistemin politik tradicional, 35 ditë janë të mjaftueshme për të kuptuar se kanë gabuar taktikë dhe se po përsërisin vetveten duke mërzitur njerëzit dhe duke djegur në vakuum energjinë popullore që akumuluan. Një protestë që dëshëron të jetë diçka që le gjurmë e jo një shfryrje dufi stinore duhet të ndërtojë një projekt politik e jo t’i bjerë vuvuzelave rrugëve të Tiranës. Nuk rrëzohet qeveria duke dëgjuar fjalime nga personi i radhës që i bie rruga tek podiumi dhe që ka mik të zotin e fonisë. Sepse me këtë sjellje edhe ata që në ditët e para prisnin fundin e shpejtë të qeverisë për shkak të protestës, tani po fillojnë të pyesin veten nëse ja vlen të dilet nga shtëpia për të dëgjuar edhe një herë të njëjtat gjëra që kishin dëgjuar edhe një ditë më parë në bulevard.

 

 

 

 

Një protestë e dhunshme, dhurata më e bukur verore për Edi Ramën

By: S M
1 July 2026 at 12:19

Nga Skënder Minxhozi/

Pasi i lanë disa ditë nëpër shkallët e Kryeministrisë nën një diell përvëlues, policët u afruan dhe hoqën me kujdes si të ishin hajmali të shenjta disa këpucë të vjetra që protestuesit kishin lënë aty. Ishin një mesazh për qeveritarët, në shenjë proteste ndaj shqiptarëve të larguar nga vendi në emigracion. Ai gjest i policisë qe aq i kujdesshëm e në majë të gishtave, sa të vinte të mendoje se këpucët kishin shpirt e do të nisnin të protestonin nga çasti në çast pse po i hiqnin “zvarrë”.

E gjitha kjo skenë vetëm sa konfirmoi edhe një herë më tepër psikodramën që po luhet prej një muaji mes qeverisë dhe protestuesve. Një tërheqje litari ku secila palë kërkon ta dominojë palën tjetër duke luajtur kartat që ka në dispozicion. Por me një emërues të përbashkët: kush përdor dhunë i pari nënshkruan aktin e humbjes dhe kapitullimit!

Qysh në krye të herës protesta, kjo foshnje njëmuajshe me trup por ende pa kokë, ka predikuar një vijë të kuqe që është përpjekur ta respektojë: mospërdorimin e dhunës. Ka dashur të distancojë veten qartë nga protestat historikisht të dhunshme politike e partiake, ku janë vrarë njerëz, janë thyer xhama e dritare, janë pushtuar institucione e është kërcënuar me antitank vetë godina e qeverisë.

Protesta ka dashur t’i ikë me insistim këtij arketipi që ka rrudhur e tkurrur lëvizjet e protestave në Shqipëri, ku s’ka pasur vend as për familjet, as për gratë me fëmijë të vegjël dhe as për çiftet e reja që postojnë në instragram çdo gjë që ju ndodh gjatë ditës.

E megjithatë, pas një muaji kur protesta ka mundur të afirmojë rezistencë, por ka zbuluar gjithashtu edhe anët e saj të dobëta, duket se tundimi është i fortë për të provuar “diçka tjetër”. Në 30 ditë kemi parë të njëjtat fytyra që drejtojnë turmën, kemi dëgjuar të njëjtat fjalime shpesh banale e disa herë edhe vulgare, kemi kuptuar se niveli i panelit që drejton protestën nuk ngrihet dot në lartësinë e sfidave që ata vetë kanë hedhur në letër në formë kërkesash ultimative. Kemi parë se protesta ka klonuar vetveten duke u bërë përsëritëse, e mërzitshme dhe për pasojë edhe pafuqishme përballë qëndrimit në dukje shpërfillës e komod të kryeministrit dhe partisë së tij me shumë vota dhe mandate.

Aktet e dhunës ndaj Universitetit Politeknik dhe më në fund të përleshjeve me policinë tek Kuvendi, ose edhe zbritjet në arteriet kryesore të trafikut në orët e pikut për të penguar sa më shumë qytetarë në mjetet e tyre, tregojnë të gjitha se protesta më së pari nuk ka kohë. Ose më saktë nuk ka po aq kohë sa duket se ka qeveria nga brenda zyrave komode ku ndodhet.

Ashpërsimi i gjuhës, acarimi ndaj personave që nuk i bashkohen protestës por vijojnë jetën e tyre të përditshme, thirrjet për t’u ngritur nga kafet apo për të dalë nga shtëpitë janë një sinjal se protesta po fillon të flirtojë me vijën e kuqe që ka vizatuar po vetë në rërë që në ditën e parë që ka zbritur në shesh. Dhe që është moskalimi në akte dhune dhe rebelimi ndaj shtetit dhe ligjit.

E gjitha kjo vetëpërmbajtje e deritanishme e ka një motiv të qartë taktik dhe më gjerë akoma edhe strategjik. Një protestë agresive duhet t’i bëjë llogaritë me mpakjen e turmave, me zbrazjen e shesheve e rrugëve. Ikin gratë me fëmijë, ikin njerëzit e thjeshtë që kanë dalë aty për një hall ose pakënaqësi, ikin çiftet e të rinjve që besojnë tek normalja e jo te dhuna e goditja e shtetit me gurë e hunj. Një protestë e dhunshme është një autogol  fatal për imazhin e saj në botë dhe për mesazhin që përçon për të ardhmen ambicioze që thotë se ka.

Më në fund një protestë e tillë e dhunshme dhe me gojë të vrazhdtë, është një dhuratë nga qielli për Edi Ramën në këto kohë delikate dhe plot të panjohura. Është prova se në Shqipëri nuk u shfaq një alternativë pushteti, por një modë e dhunshme rruge. Një lloj korenti parapolitik që nuk është i prezantueshëm as në kancelaritë perëndimore, por as në kutitë e votimit nëse një ditë do të vijë momenti i hyrjes në garën e madhe të politikës.

I njëjti parim, por nga një pozitë e ndryshme vlen edhe për vetë shtetin. Ajo vetëpërmbajtja e policëve që mbledhin këpucë të vjetra në shkallët e Kryeministrisë është prova se dhuna nuk është zgjidhje as për qeverinë në përballjen me protestën. Prandaj këto ditë në bulevard nuk shihet asnjë polic dhe gjithçka është lënë në dorë të protestuesve. Madje duke toleruar edhe zënien abuzive të bulevardit gjatë ditës, apo duke duruar kilometrat e trafikut që krijohen darkave në Tiranë për shkak të xhiros nokturne të protestës që prej një muaji kërkon të përmbysë 36 vjet politikë, pa mundur të thotë asgjë me zë dhe me figurë. Duke u tunduar të kalojë tek ajo “diçkaja tjetër”. Që do të ishte edhe fundi i saj faktik.

A është rrëzimi i Edi Ramës një çeshtje e Preshevës, Prishtinës apo Shkupit?

By: S M
25 June 2026 at 17:32

Nga Skënder Minxhozi/

 

Protesta ditore që kërkon rrëzimin e qeverisë Rama në bulevardin kryesor të Tiranës ka sjellë bashkë me zhurmën dhe tendosjen politike në kryeqytetin shqiptar, edhe një temë delikate debati që lidhet me një pjesë të pjesëmarrësve të saj. Ardhja nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe lugina e Preshevës e një numri shqiptarësh për t’ju bashkangjitur protestës, ka ndezur një debat të vjetër në skenën shqiptare: atë të të drejtës që mund ose duhet të kenë shqiptarët kudo që ndodhen, për të influencuar në garën e pushtetit apo në ngjarjet politike në shtetin amë.

Pesë vjet më parë ishte Vetëvendosja dhe kreu i saj Albin Kurti që hapën siparin e këtij precedenti të rrezikshëm dhe thellësisht propogandistik, të veshur me një pekt hileqar patriotik. Vetë Kurti erdhi në Tiranë dhe votoi kundër Edi Ramës, pasi kishte ngritur edhe degën e Vetëvendosjes në Shqipëri, megjithëse qeveria Rama kishte fiksuar në kalendarin e punëve mbledhjen e radhës mes dy qeverive. Me një fjalë ta jap dorën kur të shihemi, por po të votoj kundër meqë mundem.

Precedenti i Vetëvendosjes dështoi zhurmshëm atë vit, por inercia e hapit që ajo hodhi vijon të jetë ende aktive dhe e ndjeshme. Në vijim të kësaj incercie është krijuar sot një narracion fals propogandistik gjoja patriotik, sipas të cilit shqiptarët duhet të kenë të gjithë të drejtë të thonë aktivisht fjalën e tyre për shtetin amë në çdo moment dhe për cilëndo çeshtje. Megjithëse Shqipëria nuk është as në luftë, as në pandemi dhe as në ndonjë fatkeqësi natyrore madhore.

Klasa politike shqiptare nuk është angazhuar ndonjëherë në krizat politike të Kosovës e aq më pak të Maqedonisë në këtë nivel influence dhe presioni. As që mbahet mend të kemi eksportuar mitingashë në garat elektorale apo krizat politike të dy shteteve fqinje. Ka pasur përgjithësisht kujdesin dhe respektin për t’i lënë të konsumohen këto procedura demokratike brenda subjekteve territoriale të këtyre vendeve. Edi Rama e ka mik Ali Ahmetin por vështirë se në fushatën elektorale maqedone do të gjeje ndonjë socialist nga Fieri, Tirana apo Lezha të brohoriste nëpër mitingje pro tij. Rama e ka mik edhe Hashim Thaçin por sërish nuk është investuar të eksportojë mbështetës për PDK kur ka pasur zgjedhje ose kriza politike. Po ashtu edhe Berisha ka pasur aleancat e miqësitë e veta, por nuk ka dërguar njerëz që të mbushin sheshet në krizat e brendshme të atjeshme.

Në një sistem demokratik një politikan mund të zgjidhet ose të shkarkohet nga ata shtetas me të drejtë vote që e kanë votuar pro ose kundër. Pra nga shtetasit në vendin ku ky politikan ushtron mandatin e tij në qeveri apo opozitë. Të shkarkosh qeveritë me protestues të importuar matanë kufirit shtetëror, të cilët objektivisht nuk dinë shumicën e arsyeve dhe rrethanave për të cilat protestohet e nuk kanë të drejta vote, do të thotë ta kthesh garën politike në një vend në një lloj votimi global online ku kanë të drejtë fjale dhe vendimmarrjeje edhe ata që votojnë nga një kompjuter në Zelandën e Re. Do të thotë me fjalë të tjera të falsifikosh vullnetin e zgjedhësve legjitimë të vendit duke deformuar lojën demokratike në themelin e saj.

Elita politike e një vendi mbahet në pushtet ose shkarkohet nga shtetasit e vendit të cilët janë subjekt i kësaj elite politike. Rrëzohet ose qëndron në qeverisje përmes atyre që kanë të drejtë vote në raport me mandatimin e të zgjedhurve në institucione. Votohet dhe shkarkohet nga ata që banojnë dhe paguajnë taksa në territorin ku veprojnë politikat dhe zgjedhjet që bën kjo elitë politike. Një banor i Kosovës apo i Luginës ose Gostivarit nuk ka asnjë mundësi të ushtrojë ndikim me votë fjala vjen mbi kërkesat aktuale e protestës, të cilat kalojnë të gjitha përmes vullnetit të votuesve shqiptarë që banojnë në Shqipëri. Po ashtu një banor i Durrësit për shembull nuk ka asnjë të drejtë apo mundësi ligjore të influencojë mbi ligjet apo politikat e elitës politike të Kosovës ose Maqedonisë së Veriut. Abuzimi me nocionin patriotik “jemi shqiptarë, kemi të drejtë të bëjmë ç’të duam” është vetëm një spekullim emotiv që fsheh pas perdes qëllime e interesa që s’kanë asnjë lidhje me patriotizmin dhe kombin.

Të drejtat politike të shtetasve shqiptarë janë sovrane dhe të patjetërsueshme në raport me elitën drejtuese të vendit. Siç janë të drejtat mbi elitën politike kosovare një e drejtë e patjetërsueshme e banorëve të Kosovës, e jo të banorëve të një krahine të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut apo ndonjë shteti tjetër.

Importimi i protestuesve dhe synimi për të influencuar mbi situatat e brendshme të Shqipërisë përmes abuzimit me konceptin patriotik dhe kombëtar, është një aventurë që vetëm sa hedh benzinë të panevojshme mbi marrëdhëniet ndërshqiptare në Ballkan. Shkojmë e vijmë mes nesh lirshëm prej shumë vitesh dhe është e drejtë që kjo të vazhdojë edhe më me intensitet në të ardhmen. Por e ka një arsye dhe një kuptim se përse kur jemi në shtëpitë tona zgjedhim deputetët tanë, krerët tanë lokalë, parlamentet dhe qeveritë tona. E ka një arsye përse kemi kushtetutat dhe ligjet tona kombëtare.

Përndryshe, me logjikën e përçartur të mësipërme, lushnjarë, dibranë e pukjanë duhet të kishin ngritur tashmë çadrat në sheshin para Kuvendit të Kosovës për të protestuar, meqë klasa politike aty s’po zgjedh dot as Presidentin e s’po formon dot as edhe qeverinë prej muajsh. Falë Zotit nuk funksionon kështu, sepse do të ishte përveçse skandaloze, edhe qesharake.

Protesta që e di cilët do të heqë nga puna, por jo cilët dëshëron të marrë në punë

By: S M
21 June 2026 at 20:08

Nga Skënder Minxhozi/

 

Nëse i pyet ato mijëra të rinj, familjarë, aktivistë, opozitarë fshehur ose të deklaruar ose të ardhur nga emigrimi me makina të shtrenjta, se cilin duan të rrëzojnë me protestën e tyre, përgjigja është ajo më e thjeshta: Edi Ramën. Shtojnë edhe Berishën për të qenë “politikisht korrektë”. Nëse nga ana tjetër i pyet se cilët protestuesit i sotëm do të vendosë në këto dy poltrona të larta dhe në të tjera akoma që revolucioni do të boshatisë gjatë rrugës, përgjigja mjegullohet, shikimet bëhen të pasigurta dhe fjalët fillojnë e rrëshqasin: po ja, ne protesta do të marrim pushtetin, ne do të pastrojmë Shqipërinë. Seç të kujtohet partizani Meke i shtrirë në krevatin e perëndorit që thotë në ajër plot vetësiguri “tani jam vetë Perandor”!

I pari reagim i protesuesve është një përgjigje e qartë, i pëlqen ose jo shumicës së shqiptarëve. Duan të rrëzojnë ata që janë në pushtet. Por e dyta nuk mund të quhet përgjigje. Ajo është në fakt një faull e rëndë që do e dëmtojë protestën shumë përtej ngulfatjes së sheshit të tre javëve të para, kur romantika fiton mbi arsyen  e ftohtë dhe idealizmi mbi llogaritë e pushtetit.

Çeshtja e identitetit të lidershipit që qëndron pas protestës ka qenë në krye të diskutimeve në Tiranën politike e mediatike qysh në ditët e para të shfaqjes të këtij fenomeni që më pas u kthye në ritual të përditshëm. Pas tre javësh protestën aktuale e kemi sërish pa kokë. Ka foni, ka aktivistë që i rrijnë pranë, ka banderola dhe parulla të qëlluara, shumë hare dhe njëherësh edhe shumë dinamizëm rinor e mllef kundër qeverisë, por s’ka asnjë emër që të konsiderohet si kreu apo krerët e protestës.

Një protestë pa kokë është de facto një turmë amorfe që shfryn dufin e saj për problemet që kalon vendi. Dhe kjo vlen vetëm për atë pjesë të saj që realisht ka dalë aty në emër të halleve që ndjen mbi lëkurë. Sepse këto orë po duket e qepur si me pe të bardhë mbi telajon e protestës një mozaik laraman partiakësh të vegjël me kalkulatriçe në dorë, të tjerë partiakë që për 13 vjet s’panë veçse humbje e tani kujtojnë se tani më në fund ja dolën me Ramën, mërgimtarësh që s’kanë ardhur në atdhe ndoshta as kur ju kanë vdekur të afërmit por shfaqen tani si me magji, albinistë që vijnë me kamion nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ashtu si edhe një lukuni magjistarësh të rrjetit social, personazhe qesharakë studiosh e portalesh që kanë vite që thonë të njëjtat gjëra dhe që shpresojnë se erdhi koha për të kapur një copë në “qeverinë teknike”.  Duhet të ketë nja 50 portofole kjo qeveri mesa kemi lexuar në rrjetin e çmendur social shqiptar, që t’i ngopë të gjithë këta karrieristë të minutës së fundit.

Pjesa e parë e familjarëve, të rinjve, të papunëve dhe grave e vajzave të revoltuara me mungesën e perspektivës, jetën e pasigurt, çmimet e larta, korrupsionin ose arrogancën e elitës politike, nuk ka asnjë lidhje me taboret e skuthëve që i vijnë rrotull sheshit për të kapur ndonjë copë tani që kalit i ranë patkonjtë sipas horoskopit të tyre. Ajo pjesë e parë idealistësh e njerëzish realisht të dëshpëruar bëhet pis nga bashkëjetesa me këtë të dytën.

Në një protestë që kërkon të jetë masive, qytetare dhe të shërbejë si një pikë kthese në historinë e një vendi, podiumi s’mund të rrijë bosh. Kalimtarët që marrin fjalën sipas logjikës “kështu do i zoti i fonisë” nuk mund të jenë as panel liderësh të nesërm dhe as sfidues seriozë për elitën tonë politike 35 vjeçare. Janë thjesht një karaoke mllefesh të paorganizuara dhe për pasojë të destinuara të mos lenë gjurmë.

Zgjedhjet janë ende larg por nëse një tekë fati do t’i sillte ato afër, kjo që sot duket si prezenca më sfiduese ndaj klasës së vjetër politike do të ishte faktikisht struktura më e hallakatur dhe pa strategji në një garë të mundshme elektorale. Sepse kjo masë e madhe njerëzish që zbret çdo ditë në bulevrad e di cilët dëshëron të heqë nga puna, por ende s’ka asnjë ide se cilët do të marrë në punë në rrugën drejt pushtetit të nesërm.

PD duartroket ata që po i sharrojnë degën ku është ulur

By: S M
18 June 2026 at 17:39

Nga Skënder Minxhozi/

Këto ditë ka një situatë surreale në Partinë Demokratike. Futja e beftë në skenë e protestave ditore kundër Sazan-Zvërnecit (kupto qeverisë), ka krijuar në PD gjendje shumëplanëshe, një lojë pasqyrash ku është e vështirë të shohësh dhe kuptosh një linjë zyrtare, një qëndrim të qartë dhe pa ekuivoke ndaj asaj që po ndodh këto orë në Tiranë.

Në harkun e dy javëve lidershipi demokrat e ka parë veten të shajë e përçmojë fillimisht protestuesit, të distancohet nga protesta si shkelje syri ndaj çiftit Kushner-Trump, e më pas ta përkrahë protestën në parim por të vijojë të përkrahë edhe projektin Sazan-Zvërnec “me kusht që të respektohen standartet mjedisore”. Më pas është parë sesi Berisha ka anuar thuajse i gjithi në favor të sheshit që kërkon kokën e Ramës dhe e ka harruar tashmë projektin bashkë me flamengot.

Të enjten në Kuvend opozita hipi e gjitha në karron e protestës. Identifikoi axhendën e vet me atë të protestuesve dhe tentoi të kushtëzojë punën e parlamentit duke diskutuar vetëm kërkesat e tyre. Me fjalë të tjera opozita dha mesazhin se jo axhenda e saj politike, natyrisht jo ajo e qeverisë, por axhenda e një proteste që kërkon kokën e kreut të opozitës nga mëngjesi në darkë vonë, duhet të jetë e vetmja lëndë me të cilën duhet të merren 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo hare naive dhe kjo lehtësi befasuese me të cilën opozita zyrtare e vendit e hoqi mënjanë veten nga përfaqësimi i gjysëm milion shqiptarëve që e kanë votuar nuk është diçka e re dhe as befasuese. Prej ditësh, qëkurse në bulevard është derdhur turma e “flamengove”, me një gëzim e dëshirë që tejkalon ku e ku seancat e foltoreve apo edhe protestat kombëtare, deputetët e PD i sheh të postojnë foto, komente e qëndrime nga një protestë që nuk është e tyre.

Pjesa më e madhe e zyrtarëve demokratë i bashkohen çdo ditë nëpër cepa protestës krejt të shpërfillur se pas shpinës së tyre turma bërtet papushim “Berisha në burg” dhe ata vetë rrethohen kudo nga parulla që tallen me shefin e partisë që ju ka dhënë mandatin dhe rrogën.

Opozita e sotme i është dhënë e tëra tundimit dhe eksitimit kolektiv të protestës. Pa qenë vetë në gjendje që të prodhojë një tillë në një dekadë e gjysëm, PD mendon se çdo kauzë është e mirë për të luftuar Edi Ramën. Armiku i armikut tim është miku thotë proverbi.

Por ka një problem në rastin konkret: protesta është kundër Ramës, po aq sa refuzon dhe kërkon të rrëzojë edhe  Berishën. Protesta nuk ka lidhje me ndonjë palë, të paktën së jashtmi dhe me aq sa deklamohet në podiumin e saj të improvizuar. Ajo predikon rënien e sistemit politik, ku PD është njëra nga dy shtyllat 35 vjeçare të themelit. Të brohorasësh pro kërkesave të protestuesve do të thotë të sharrosh degën ku je ulur. Asgjë më tepër se kaq.

Nëse kjo protestë kërkon t’i japë fund sundimit të PS-PD në jetën politike shqiptare, ajo e ka arritur tashmë njërin nga këto objektiva. Atë që lidhet me fushën e lojës së PD, të cilën de facto e ka pushtuar të tërën. S’ka më Foltore, s’ka më protesta kombëtare, as konferenca shtypi ditore të Berishës. Nuk ka më kundërvënie pozitë-opozitë siç jemi mësuar ta shohim historikisht. Zëri i partisë zyrtare të opozitës është mbytur nga oshëtima e protestës. Mikrofoni historik i opozitës është spostuar dhunshëm në bulevard tek protesta e përditshme, e cila megjithëse s’ka ende një fytyrë dhe një emër, që tani ka lënë pa punë një lidership të tërë partiak. Përfshirë partiçkat e vogla të cilat përpiqen të marrin paksa nga zulma që ka nxitur protesta duke pretenduar të jenë aksionere të saj periferike.

Opozita shqiptare është viktima e parë e protestës. Tashmë lufta politike nuk bëhet më në raport me qëndrimet, interesat dhe kërkesat e Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediut dhe as ato të Agron Shehajt (i cili deklaronte sot se zgjedhjet do bëhen me Ramën në krye të qeverisë), Adriatik Lapajt dhe Arlind Qorit. Ajo bëhet edhe në raport me qëndrimet kaotike dhe rrëmujën e protestës që nuk ka as kokë, as lidership dhe as program.

Kërkesa e demokratëve në parlament për t’u identifikuar me axhendën e protestës dëshmon së praktikisht partia më e madhe e opozitës jo vetëm e ushqen me pjesëmarrje, reklamë dhe tifozë protestën, por ka kapitulluar përballë kalendarit të saj politik. Zelli me të cilin opozita zyrtare po e përkrah protestën, e cila kërkon fundin edhe të kësaj opozite, është një akt vetëvrasjeje kolektive që do të ketë pasoja të rënda në të ardhmen për vetë PD dhe kryetarin e saj. Është prova materiale e dobësisë ekstreme dhe e agonisë terminale ku gjendet kjo parti në këtë moment delikat politik. Një parti që kur s’ka më ide dhe motive për të ecur përpara shkon e rekrutohet kolektivisht në një lëvizje revolte të cilën e ka realisht kundërshtare, është një parti që në fakt ka pushuar së funksionuari si e tillë.

Në pritje të partisë së atyre që s’duan as Ramën, as Berishën

By: S M
15 June 2026 at 19:24

Nga Skënder Minxhozi/

Tashmë flamengot kanë mbetur një kujtim egzotik në protestën ditore të Tiranës.  140 kilometra më tutje në qytetin e Vlorës, “atdheun” real të flamengove, nuk ka ende sot pas dy javësh nga nisja e protestave, asnjë shenjë serioze rebelimi kundër qeverisë. Është shenja e sigurt se vetë protesta e ka braktisur shtratin mbi të cilin lindi e mori hov dhe po shkon drejt hapjes së diapazonit të objektivave të saj. Kërkon kokën e Edi Ramës, jo mbrojtjen e pelikanëve.

Ndërkohë ata që protestojnë janë në kërkim të një lidershipi për barrën e rëndë të kauzave e sfidave që kanë deklaruar. Më e para fare, ajo e largimit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Menjëherë pas saj ndëshkimi “me burg” i dy liderëve politikë më jetëgjatë, dyshes Rama-Berisha. Pra me fjalë të tjera rrëzimi i sistemit politik siç ne e njohim qysh nga dita e parë e pluralizmit politik në vitin e largët 1990.

Në Shqipëri ndodhemi këto ditë përballë një fenomeni i cili natyrshëm ka brenda një pakënaqësi të akumuluar për elitën politike shqiptare, e konkretisht për maxhorancën 13 vjeçare të Partisë Socialiste. Është prova më e dukshme e më agresive e konsumit të një qëndrimi të gjatë në pushtet.

Më gjerësisht akoma, kjo lëvizje ekspozon mërinë që është akumuluar në një pjesë të shoqërisë shqiptare ndaj elitave politike të tre dekadave të fundit. Është një fenomen edhe ky shumë i njohur jashtë Shqipërisë, kryesisht në demokracitë perëndimore, ku qëndrimi i gjatë në karrierë i figurave politike shihet si një defekt themelor i lidhur me cilësinë e funksionit të tyre si drejtues apo menaxherë publikë ose partiakë.

Në rastin e protestave shqiptare gjejmë në fakt një ndërthurje elementesh të cilat kanë sjellë ujë deri tani tek ai shesh ku protestuesit mblidhen çdo ditë, të shumtë dhe të zhurmshëm. Përtej aspektit fillestar ambjentalist kjo protestë është në planin e brendshëm një reagim i fortë antiqeveritar, ashtu siç është në planin e jashtëm një vëmendje dhe pasqyrim që ka në bazë antipatinë e medias dhe politikanëve të huaj anti-Trump.

Kush i ka ndjekur protestat nga dita e parë, kupton se një masë jo e vogël shqiptarësh protestojnë kundër arrogancës dhe mungëses së transparencës së shtetit, por edhe ndaj krizës ekonomike, rritjes së çmimeve e korrupsionit. Kush merr në dorë ndërkohë celularin e nis të shohë mediat e mëdha perëndimore që raportojnë për protestën kupton nga ana tjetër se vëmendja fokusohet tek dhëndrri i Donald Trump dhe e shoqja, pa neglizhuar edhe elementin e ekspansionit të supozuar izraelit që ka marrë përmasë muajt e fundit në lajmet/thashethemet që vijnë për vende si Qipro, Greqia dhe Shqipëria.

Deri tani protesta ka përfituar nga të gjitha këto prurje të ndryshme mes tyre, duke marrë përmasë dhe dimensione megjithë kundërshtitë, rivalitetet e zënkat e njohura mes personave që e drejtojnë pas perdeve. Një larushi të rinjsh të demoralizuar, familjesh në vështirësi ekonomike, aktivistësh, shoqatash të lidhura me lloj-lloj financimesh të huaja, operativë politikë të Albin Kurtit dhe opozitarë demokratë të kamufluar po i japin jetë një proteste që kujtohej e pamundur në Shqipërinë e fjetur të dy partive të mëdha. Algoritmi i rrjetit social dhe organizimi e financat që ofrojnë shumë duar mesa duket bëjnë çudira, aq sa momentalisht emigrantë nga diaspora janë gati të marrin avionin më të parë “për të shpëtuar Shqipërinë” që po shitet, megjithëse s’kanë vënë kurrë këmbën në Sazan dhe nuk e dinë se ku bie Narta apo Zvërneci. Aq më pak dinë se çfarë po ndodh me saktësi, por “kështu kanë dëgjuar e lexuar në rrjetet sociale”.

Të dielën në darkë protesta pati çarjen e parë pasi turma mori rrugën drejt Rinasit. Orët që pasuan treguan sesa kollaj është që protestuesit të sherrosen e të tregojnë me gisht njëri-tjetrin si tradhëtarë e spiunë të qeverisë.

Protesta e ka përmbushur misionin e saj emancipues, pasi ka nxjerrë në sheshe edhe një kategori qytetarësh që rëndom ishin te distancuar nga procesi politik dhe shiheshin si abstenues në zgjedhje.

Tani protestuesve iu takon të përballen me misionin më të vështirë. Të kthejnë në realitet konkret programor dhe konkurues tapetin e ëndrrave që kanë shtrirë në bulevardin qëndror të Tiranës.

Duhet pranuar se në 35 vite pluralizëm fabula politike dhe partiake parashihte vetëm dy parti kryesore. Duhet të ishe ose votues i njërës ose i tjetrës (pa llogaritur abstenuesit).

Sot ndodhemi në një realitet krejt të ri dhe këtë po e dëshmon qartë kjo protestë. Ka një sektor të konsiderueshëm të votuesit shqiptar i cili nuk do as njërën dhe as tjetrën forcë politike historike. Janë kryesisht të rinjtë që nuk e njohin fare historinë e 30 viteve të fundit (imagjinoni atë më të hershmen) dhe që i shohin Ramën dhe Berishën si dy prezenca të vjetra e të bezdisshme në krye të punëve, të cilat kanë vokacionin por jo përgatitjen që t’i drejtojnë vetë një ditë. Kjo turmë e di që nuk ndjehet mirë, por nuk e ka shumë të qartë se çfarë i dhemb dhe mbi të gjitha sesi shërohet bezdia dhe sikleti që ndjen. Të vërtetat e merr nga rrjeti e jo nga librat, për pasojë edhe kauzat që mbron i ka shpesh të mbushura me teori konpsirative dhe rrena banale të internetit.

Megjithatë një demokraci që funksionon mbi bazën e delegimit të pushtetit nuk korigjohet thjesht nga protestat. Ato e ndihmojnë shoqërinë të fokusohet dhe të drejtojë shikimin, por janë zgjedhjet mekanizmi që prodhon pushtet dhe zbatim programesh qeverisëse. Tashmë protesta duhet të prodhojë jo vetëm sherrin banal se nga duhet të shëtisin në errësirë pas orës 9, por të shpalosë veten se çfarë planesh ka dhe cilët persona do të delegojë për të zbatuar këto plane. Ka ardhur koha të shohim partinë realisht të re që pretendon të ndërpresë trashëgiminë 35 vjeçare të dypartitizmit PS-PD.

Një sfidë e rëndë ku kanë dështuar shumë burra të zotë në këto dekada. A do të jenë këta protestues të parët që do t’ja arrijnë? A do të mjaftojë sharmi i pretenduar që ka krijuar kjo protestë me qytetarinë dhe karrocat me fëmijë, për t’i dhënë këtij formë këtij projekti historik? Emrat që janë parë aty-këtu (megjithëse s’ka asgjë të sigurt deri tani) janë më shumë një listë e improvizuar personash që ju njihet emri dhe profesioni, sesa një brez alternativ pushteti që do të shkundin Ramën dhe Berishën nga poltronat 35 vjeçare. Precedenti që të vjen ndërmend është dhjetori i vitit ’90, por me shumë skonto.

Nëse është tallur e ironizuar fjala vjen PS për rekrutime deputetësh të rastësishëm si këta që këto orë po japin dorëheqje, e njëjta gjë vlen edhe për listat e përfolura të drejtuesve të nesërm të forcës politike që thuhet se do të prodhojë protesta. Nëse realisht ky hap pasardhës do të kishte këtë brumë, protestuesit më mirë të rrinë kështu siç janë, dinamikë, kaotikë dhe të hareshëm, që nuk dinë nga cila rrugë e Tiranës do i çojnë këmbët pas orës tetë të darkës. Kjo po që ka romantikë dhe idealizëm brenda.

Është e madhe dhe e hareshme sepse nuk ka (ende) gjë për të ndarë

By: S M
11 June 2026 at 23:25

Nga Skënder Minxhozi/

 

Si nga hiçi në rrugët e Tiranës është derdhur një masë e madhe njerëzish që protestojnë kundër sistemit politik në fuqi, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Madje i duan që të dy në burg, paçka se njëri prej tyre ka dhe gëzim të madh këto orë. I kanë hequr non gratën, siç deklaron vetë.

Protesta e përditshme qytetare kundër projektit Sazan-Zvërnec ka krijuar një dinamikë të papritur politike në Tiranën e lodhur nga hija e rëndë e dy siglave PS e PD. Shumëkush ka përshëndetur energjinë që ka prodhuar kjo lëvizje qytetare deri tani, jo pak të tjerë qëndrojnë në pritje për të kuptuar sesi një masë e tillë të rinjsh, familjesh me fëmijë e të tjerë që deri dje llogariteshin tek populli gri, tani kanë mbushur rrugët përditë me pjesëmarrje dhe stoicizëm deri në orët e vona.

Mendjet mosbesuese pyesin fjala vjen se ku ishin këta të rinj deri dje kur shembej Teatri, kur Tirana mbushej me ndërtime, kur bregdeti kthehej në një shesh gjigand ndërtimi apo kur zyrtarë të të gjitha niveleve përfundonin në qeli me akuza të bujshme korrupsioni. Nga roli i shërbimeve të huaja e deri tek teoria e pikës së ujit që derdh gotën, të gjitha këto supozime janë subjekt diskutimesh e debatesh në të gjitha poret e shoqërisë së sotme shqiptare.

Rreth faktorëve që kanë prodhuar këtë vërshim ditor protestuesish që s’e kanë për zakon as pjesëmarrjen në procesin politik dhe as vetë protestën, do të debatohet shumë edhe në vijim. Kjo është tashmë kryengjarja politike e Shqipërisë që ka pasionuar mediat ndërkombëtare dhe një numër personalitetesh nga e gjithë bota.

Protesta tashmë ka depozituar fitoret e para publike. Akti i parë, ai i koagulimit të një mase të konsiderueshme qytetarësh, në antitezë me mitingjet politike me xhepat plot molotov, është arritur. Edhe hapi i dytë, po aq i vështirë, ai i rezistencës shumëditore, është gjithashtu një sfidë që mund të quhet e fituar deri më sot. Po bëhen dy javë që në bulevard pas orës 6 të mbrëmjes nuk ka më lëvizje makinash apo kombësorësh, por protestë me pankarta, oratorë dhe thirrje për rrëzimin e qeverisë.

Tani pyetja një milion dollarëshe është se çfarë do të bëjë protesta “kur të rritet”? Eshtë pyetja klasike që bëhet në çdo vend i cili çeshtjen e pushtetit e zgjidh përmes zgjedhjeve e jo përmes revolucionit, siç brohorasin çdo natë protestuesit. Që të bësh realitet atë që kërkon duhet të marrësh pjesë në një garë elektorale. Por mesa duket vetë protesta e ka të paqartë si fillim çfarë kërkon, e më pas se cilët do të jenë ata që do të marrin përsipër të avancojnë në sistemin politik atë që protesta kërkon.

Flamengot, pelikanët kaçurrelë e kafshë të tjera egzotike janë një kauzë fisnike për një lëvizje ambjentaliste. Nuk mjaftojnë ndërkaq për të ndërtuar një projekt të mirëfilltë politik. Pasi një i tillë është ajo çfarë i shkon kësaj lëvizjeje dyjavore masive që kërkon të burgosë dy politikanët më të rëndësishëm të vendit. Kalibrimi i një liste kërkesash, dalja me një skaletë programi politik dhe me piketa konkrete për daljen e Shqipërisë nga ky moment delikat, janë hapi më logjik që duhet të pasojë dy javë demonstrime ku s’kanë munguar fjalime banale, sharje dhe deklarime rastësore që i ngjajnë një përroi logjik më shumë sesa një grumbullimi njerëzish me ide të qarta konkrete. Protesta ka folur me perceptime dhe me veprim më shumë sesa me fjalë dhe me gojë.

Distilimi i pasionit dhe energjisë që ka prodhuar, në një dokument programor është një sfidë që çdo lëvizje që shfaq ambicje të mëdha duhet ta përballë. Ndryshe fiton kaosi, improvizimi dhe emocionet e çastit.

Në anën tjetër protestës i takon tashmë të ketë panelin e saj të fytyrave, nëse kërkon të jetë sfiduese dhe eventualisht e suksesshme në vitrinën e punëve të mëdha të vendit. Në muajt e parë të vitit Adriatik Lapaj ndenji me javë në sheshin para zyrës së Edi Ramës me një grusht njerëz, aq sa u detyrua të largohet në heshtje duke arkivuar një humbje djegëse për ambicjen e tij për t’u përballur me qeverinë. Sot problemi i pjesëmarrjes është i zgjidhur por protesta nuk ka ende një fytyrë. As edhe një emër që të simbolizojë atë që është dhe që dëshëron të jetë së afërmi.

Nuk është e vështirë të kuptohet se kjo gjendje pezullie po maskon problemin delikat dhe konfliktual të lidershipit që do të marrë në dorë frenat e lojës brenda kësaj lëvizjeje. Është gjithashtu e kuptueshme se kjo pikë e dobët dhe ende e papërcaktuar është në fakt edhe një aspekt force i protestës. Sepse në bulevard po dalin aktualisht të gjithë, Berisha, Lapaj, Shehaj, Qori dhe ndoshta edhe Albin Kurti me të vetët. Dalin të gjithë për sa kohë që asnjeri nuk është lideri i protestës. Ndjehen mirë në këtë masë të madhe që s’ka komandantë e gjeneralë. Kësisoj kemi një protestë të madhe sepse kemi një protestë ku s’ka ndodhur ndarja e punëve, e përgjegjësive dhe e posteve që do të provokonte sherre, ndasi dhe rivalitete.

A do të jetë kështu edhe kur të përpiqen të gjejnë një formulë përfaqësimi mes tyre? Dyshimet janë të forta duke parë per shembull raportet e PD e Berishës me partitë e reja si dhe rivalitetet e inatet mes vetë forcave të reja politike, pa folur për të panjohurit që janë afruar këto orë me podiumin e protestës dhe që nuk dihet se çfarë roli kanë dhe çfarë idesh e qëndrimesh mbrojnë.

Për këto arsye shumëkush pyet pa marrë përgjigje shterruese këto ditë se cilët janë organizatorët e protestës dhe çfarë kërkojnë ata. Sidomos tani që Zvërneci u harrua dhe protestuesit e spostuan pikën e gravitetit të lëvizjes së tyre në fushën politike. Një fushë e cila siç e dimë luan sipas rregullash të qarta: me konkurim programesh, idesh dhe liderësh. Për flamengot gjendet lehtë ilaçi, për Shqipërinë duhet një ndërhyrje pak më masive dhe kapilare. Protesta mund të vijojë të shijojë masivitetin dhe simpatinë që ka ngjallur në një pjesë të opinionit të brendshëm e të jashtëm, pasi ka arritur të kanalizojë në një korsi të vetme si dashurinë për natyrën dhe ligatinat, edhe inatin e urrejtjen globale për familjen Trump. Çeshtja është se kjo fazë erdhi dhe po kalon me shpejtësi. Të parakalosh çdo natë rrugëve të Tiranës është njëra anë. Të fitosh përballë qeverisë është një gjë krejt tjetër. E ka provuar prej 13 vjetësh opozita me çadra e molotovë dhe s’ka arritur gjë. Rreziku që edhe kjo protestë “no face, no name, no number” të bëjë të njëjtin gabim është përditë e më i madh. Nëse nuk do të hyjë në ujë e të notojë, protesta nuk ka për të arritur asgjë me varavingo bulevardi.

FOTO/ Sara Mila e kthen teken me fund: Ta pijmë për protestuesit, dikur të vrisnin në protestë!

By: S M
7 June 2026 at 17:48

Deputetja e PS-së, Sara Mila, ka kthyer një teke raki me fund ‘për Shqipërinë Europiane’, në eventin për 35-vjetorin e themelimit të kësaj force politike në Elbasan.

Teksa komentoi protestat për ‘Zvërnecin’, Mila tha se ishte e lumtur që njerëzit sot protestojnë të lirë. Ajo tha se në qeverisjen e Sali Berishës, nëse do të protestoje, mund të dhunoheshe apo vriteshe.

“Sot ne festojmë 35-vjetorin e PS, por përtej nesh, është duke ndodhur një ngjarje që nuk ka pse të kalojë pa koment. Në Tiranë me mijëra njerëz, ndër ta të rinj, gjenerata Z, kanë dalë duke shpalosur kreativitetin e vet me pankarta, me emocione dhe gjithçka ka ky brez i ri. Unë kur i shoh jam shumë krenare. Por më shumë sesa krenare, jam shumë e lehtësuar, sepse jam bërë pjesë e PS, pjesë e gjeneratës së tyre për një arsye të vetme. Sepse demokracia funksionon vetëm atëherë kur nuk matet me duartrokitje, por me nivelin e kundërshtisë që mund të të bëjnë. Prandaj jam shumë e lumtur që t’i shoh, kushdo qoftë kauza e tyre. Qoftë edhe që një meme të shkojë virale, jam e lumtur t’i shoh atje të lirë. Ju e dini shumë mirë që kjo nuk ka qenë norma. Ka burra e gra në këtë sallë, që e kanë kthyer standardin e të protestuarit lirë në normë. Dikur kur protestohej, keni përjetuar edhe dhunë. Ka pasur protesta kur ju kanë vrarë, si në 21 janar. Ngjyra e të zezës së frikës është eleminuar tërësisht nga Shqipëria. Në zonat e fshatrave në Elbasan kam vetëm 2 porosi. E para ‘ndreqja mirë qejfin atij plakut Mere’. E dini ju për kë e kam, për Saliun. E dytë është ‘moj vajzë të ecësh për zonën tonë në gjurmët e Bukurosh Stafës’. Siç e do tradita kam vendosur që bashkë me Bukuroshin ta kthejmë një teke raki për nder të kësaj dekorate. Me fund për Shqipërinë Europiane”, tha mes të tjerash Mila.

Në kërkim të një bashkëjetese të vështirë për Zvërnecin

By: S M
7 June 2026 at 10:37

Nga Skënder Minxhozi

 

Imagjinoni për një çast sikur në projektin e Zvërnecit të mos kishte asnjë një sherr apo pretendim pronësie mbi tokën turistike. Imagjinoni që investitorët me katër miliard euro në duar të vinin e të blinin rregullisht një masë toke e cila ka të gjithë dokumentacionin e saktë, me letra reale gjykatash e kadastrash, e jo me falsifikime dhe grabitje siç po heton edhe drejtësia.

Më tej imagjinoni që territori ku do të zbatohet projekti të mos ishte i rrethuar si një kamp përqëndrimi i kohës së komunizmit dhe sikur rojet e sigurisë të atij territori të mos silleshin me protestuesit sikur të ishin hajdutë të kapur në një shtëpi private duke vjedhur një televizor apo lavatriçe. Imagjinoni sikur të mos kishte as klimë tensioni në Zvërnec dhe as reklamime palësh, por një pritshmëri pozitive plot shpresë për një investim gjigand që do t’i ndryshojë fatin Vlorës dhe të gjithë turizmit shqiptar.

Imagjinoni më në fund, por jo më e parëndësishmja, që edhe qeveria të ishte më transparente dhe komunikuese me publikun. Më së pari me publikun vlonjat e më pas me të gjithë ne të tjerët sepse nuk ndodh shpesh që të ofrohen kaq shumë para për këtë Shqipërinë tonë të varfër. Kemi dëgjuar lloj-lloj dokrrash me miliarda në 35 vite, kemi ëndërruar se do të binte shi jeshil pas vitit ’90 e do të futeshim në Evropë për pesë vjet e shumta! Kemi ëndërruar teksa dëgjonim turlifarë onxhobonxhosh nga bota që na ofronin qiellin e më pas zhdukeshin pa lënë gjurmë pasi kishin nxjerrë ca  para nga ky vend i varfër.

Nuk është ky rasti mesa duket në Zvërnec. Nuk është mashtrimi me premtimet për investime, por e kundërta, është vetë përmasa e investimit që tremb më shumë sesa mashtruesit e vegjël të së shkuarës. Dhe kur në një territor kaq të vogël sa Vlora ofrohet për t’u injektuar një masë kaq e madhe parash afërmendsh duhet matur dora dhe duhet frenuar firma pa kryer disa procedura që e gjithë bota demokratike i zbaton në të tilla raste. Përfshirë një fushatë ekstensive shpjegimi, konsultimesh e informimi krahas marrje së garancive se projekti do të përkojë me standartet që i kërkohen. Kështu bëhen punet që të mos ketë pakënaqësi e protesta, por mbi të gjitha, që të ketë pjesëmarrje proaktive të publikut në politika që i japin formë jetës së tyre në territor për dekada, jo vite.

Zvërneci po merr formë si një projekt i madh turistik që potencialisht do të ndryshojë imazhin e vendit, por edhe si një laborator në qiell të hapur në lidhje me debatin kombetar mbi temat e mëdha sociale, ambjentaliste dhe politike të Shqipërisë. Nuk është vetëm një projekt turistik me impakt potencialisht të fuqishëm në jetën e shqiptarëve. Është dhe një lakmues i temperaturës së vendit, shqisave të tij reaguese dhe aftësisë për t’u orientuar për problemet reale edhe kur mbi tryezë ka një premtim disamiliardësh.

Ironia me flamengot, zogjtë shtegëtarë e kafshë të tjera të ligatinave nuk duhet të jetë më një sport cinik shpotish e batutash vulgare e provinciale në diskurin publik shqiptar. Një vend evropian që po nënshkruan një kontratë me Bashkimin Evropian (ku ambjentalizmi është një fe më vete) nuk mund të tregojë këtë shkallë naiviteti ndaj një teme kaq delikate për asete në zhdukje për të cilat bota e qytetëruar tregon maksimumin e seriozitetit dhe kujdesit. Do ta provojmë këtë kur me Brukselin të diskutojmë mbylljen e kapitujve që prekin mjedisin!

Së dyti, në tryezën ku do të derdhen miliarda nuk duhet shkuar me hijen e letrave të trukuara. Pronësia mbi tokën private na ka ndjekur si makth në 35 vjet sa herë kemi dashur ta zhvillojmë këtë vend. Ka qenë një shkak madhor i prapambetjes ekonomike ku ndodhemi. Janë vrarë e prerë breza shqiptarësh, kanë dështuar dhjetra projekte biznesi në çdo cep të Shqipërisë, është ngritur një makineri manipulimi e trukimesh që nis tek kadastrat e zyrat e tjera e përfundon në sirtarë prokurorësh e gjyqtarësh të pistë që kanë marrë miliona për  të marrë tokën nga ai që e ka e për t’ja dhënë atij që paguan për ta pasur. Është gjëja më elementare dhe normale që edhe për Zvërnecin të kryhet një verifikim i thellë i pronësisë mbi tokën. Nuk hedh njeri miliarda pa e ditur se ka blerë tokë me letra.

Së treti, e më e rëndësishmja në këtë histori, protestat për Zvërnecin nuk kanë parasysh vetëm Zvërnecin. E kundërta është e vërtetë. Dalja e protestuesve me teza politike, kërkesa për dorëheqjen e Ramës tregon se kjo pjesë e shoqërisë nuk e ka inatin vetëm me ligatinat e rrezikuara të Nartës por shumë më tepër se kaq. Në listë është e gjithë politika e kësaj dekade ndaj zhvillimit turistik të vendit, e shtrirë në të gjithë vijën bregdetare, në parqet e zonat e mbrojtura nga Alpet e deri në Butrint. Nën akuzën e protestuesve është sistemi-Shqipëri , me mënyrën sesi është ndërtuar e po ecën këto dekada.

Shqipëria ka nevojë të zhvillohet e të rrisë kapacitetet e saj turistike, por nuk ka pse ta bëjë këtë duke futur nën trysni të skajshme territorin e saj më të vlefshëm, atë që shtrihet në zonat më të brishta dhe më ekskluzive. Gjetja e një balance mes zhvillimit dhe konservimit është një sport i vështirë dhe një pjesë e shoqërisë shqiptare po na thotë se mendon se menaxhimi ka anuar dukshëm nga zhvillimi pa filtra dhe kufinj.

Me gjerë se kaq, kjo që po ndodh është një përballje mes shumë prurjesh të cilat takohen dhunshëm në bulevardin qëndror të Tiranës. Anarkistë të majtë, të vetëquajtur minoritarë, sovranistë të orës së fundit, persona të manipuluar nga rrjeti, opozitarë të sistemit dhe natyrisht edhe qytetarë të zakonshëm të pakënaqur me qeverisjen dhe përgjithësisht me elitat politike deh me mënyrën sesi po shkojn ë punët e këtij vendi – tashmë ky konglomerat ka një pamje konkrete tek protesta e përditshme, duke mos qenë më vetëm “zhurmë sfondi” që belbëzon në internet apo mjetet e mass medias. Politika duhet të dijë të përballet me këtë realitet të ri ky ka hyrë shoqëria shqiptare.

Fundja politika shqiptare dhe kjo maxhorancë qeverisëse duhet të pranojë sfidën që vjen nga pakënaqësia e shprehur në protesta, qoftë edhe kur shoqërohet apo provokohet edhe nga faktorë të tretë si ndërhyrjet e huaja, manipulimi apo interesat e papastra. Racionalja e protestës është shumë e rëndësishme se pjesa e saj e manipuluar dhe hipokrite.

Sazan-Zvërneci si projekt turistik duhet pranuar dhe ndërtuar paralelisht me ndërtimin e një vetëdijeje të ftohtë e të bazuar mbi arsye, se politika dhe qeverisja nuk mund të veprojnë përjetësisht në vakuum dhe pa oponencë publike. Ato janë përditë nën shqyrtimin dhe nën skepticizmin e opinionit publik. Është një “provim” i vazhdueshëm që nuk mbaron ditën e zgjedhjeve. Fillon atë ditë!

Kjo është një ndër shtyllat mbi të cilat ndërtohen dhe funksionojnë demokracitë liberale sot në Evropë dhe jashtë saj. Aty ku projekte turistike, infrastrukturore apo industriale gjejnë shpesh oponencën e shesheve, shoqërisë civile apo aktorëve të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë. Nuk ka ndodhur asnjë tragjedi në thelb. Duhet bashkëjetuar me idenë se çdo gjë në një demokraci është relative, e përkohshme dhe nën diskutim. Ky është ndër kushtet primare të progresit në kontinentin ku jetojmë dhe duam të integrohemi.

 

 

Finalja e Eurovizionit/ Alis shkëlqen në finalen e Eurovizionit me baladën “Nân”

By: S M
16 May 2026 at 22:46

Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis Kallaçi, ka dhuruar një performancë të jashtëzakonshme dhe plot dritë në skenën e madhe të “Wiener Stadthalle” në Vjenë të Austrisë, ku po zhvillohet Finalja e Madhe e edicionit të 70-të të Eurovizionit. I renditur i pesti në radhën e të konkurrimit, Alis u ngjit në skenë me këngën e tij “Nân”, një baladë prekëse që ka arritur të rrëmbejë duartrokitjet e gjata të publikut europian dhe të lërë gjurmë të thella emocionale.

Kënga, e cila trajton lidhjen e thellë dhe të pazëvendësueshme midis nënës dhe fëmijës, ka rezonuar fort me audiencën, duke prekur një temë universale që lidhet ngushtë me eksperiencën shqiptare të emigracionit, ndarjes dhe mallit për vendlindjen.

Një dimension i ri artistik me Rajmonda Bulkun

Surpriza e madhe e kësaj nate finale ishte prania në skenë e aktores së madhe të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Rajmonda Bulku. Shoqërimi i saj i dha performancës një dimension tjetër artistik, duke ndërthurur muzikën me artin dramatik.

“Nân”, një krijim me tekst dhe kompozim nga vetë Alis Kallaçi në bashkëpunim me Desara Gjini dhe me produksion të Erjet Barbullushit, u interpretua me vokale tejet të pastra, intensive dhe me një prezencë skenike të mprehtë. Elementet dramatike të përfshira në skenografi theksuan edhe më shumë ndjenjat e nostalgjisë, pritjes dhe forcës së pashtershme të lidhjeve familjare.

Vargjet që u kthyen në himn virale

Se sa e fuqishme është bërë kjo këngë për publikun, këtë e vërteton edhe reagimi i menjëhershëm në rrjetet sociale. Vargjet kryesore të baladës:

“Ta dish se nana po ju pret / E nana ju po ju përcjell…”

janë bërë menjëherë virale që prej mbrëmjes së gjysmëfinales së dytë të së enjtes. Ky impakt është pasqyruar edhe në shifra, duke e rreshtuar “Nân” si një ndër këngët më të klikuara dhe më të ndjekura në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube.

Mes kritikëve dhe fansave të shumtë të festivalit evropian, përfaqësimi i Alis Kallaçit po konsiderohet si një nga performancat më autentike dhe më emocionale të këtij edicioni jubilar. Shqipëria solli sonte në Vjenë një histori njerëzore të pastër, e cila kalon çdo kufi kulturor dhe që ka nevojë tani për mbështetjen maksimale të votave të diasporës (Kodi 05) për t’u vlerësuar ashtu siç meriton.

Si të votoni për Alis (Kodi 05)

Rregullat e votimit janë të thjeshta dhe lejojnë deri në 10 vota për person. Dritarja e votimit hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të mbetet e hapur gjatë gjithë performancave LIVE, duke u mbyllur rreth 40 minuta pas këngës së fundit. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në Eurovizion 2026 kanë të drejtë vote, përfshirë ato që nuk u kualifikuan në finale.

Për shqiptarët në diasporë (Votim me SMS):

Nëse jetoni në shtetet e mëposhtme, klikoni mbi lidhjen përkatëse për të gjeneruar automatikisht SMS-në e votimit për Alisin (Kodi 05):

Shqipëria kalon në finalen e Eurovision, Alis arrin suksesin e parë me “Nân”

By: S M
14 May 2026 at 23:37

Nata e dytë e gjysmëfinales së Eurovision Song Contest 2026 ka ulur siparin me një lajm të jashtëzakonshëm për publikun shqiptar: Alis ka prekur me sukses Finalen e Madhe! Me një interpretim vokal të fuqishëm dhe thellësisht emocional, artisti ynë elektrizoi arenën e “Wiener Stadthalle”, duke i siguruar Shqipërisë biletën për në natën e shumëpritur të së shtunës.

“Nân” elektrizon skenën
Alis dhuroi një performancë të shkëlqyer që tërhoqi menjëherë vëmendjen e sallës dhe miliona shikuesve në mbarë Evropën. Me një interpretim plot siguri dhe energji, ai arriti të krijojë një nga momentet më të bukura të mbrëmjes.

Kënga u shoqërua me një performancë skenike moderne dhe efekte vizuale mbresëlënëse. Duartrokitjet e gjata dhe brohoritjet në fund të interpretimit treguan qartë entuziazmin e publikut. Ky triumf vjen pas një jave ku kënga “Nân” dhe vokali i Alis u vlerësuan gjerësisht nga mediat ndërkombëtare si një nga interpretimet më të forta dhe vokalisht më të përsosura të këtij edicioni.

Krenaria e Flamurit
Mes dritave verbuese dhe atmosferës elektrizuese të Vjenës, një simbol mori vëmendje të veçantë: Flamuri Kuqezi. Gjatë gjysmëfinales së dytë, ngjyrat e Shqipërisë u valëvitën me krenari të ligjshme.

Në zemër të “Dhomës së Gjelbër” (Green Room), aty ku rrahjet e zemrës shtoheshin për çdo delegacion në pritje të rezultateve, si dhe në arenën e spektatorëve, prania e flamurit shqiptar krijoi një emocion të papërshkrueshëm. Valëvitja e tij shërbeu si një mesazh i qartë i pranisë së fortë të kulturës dhe pasionit shqiptar në këtë jubile të 70-të të festivalit evropian, duke dëshmuar sërish se mbetet një element i pandashëm i identitetit tonë në skenat ndërkombëtare.

10 shtetet e kualifikuara
Në përfundim të televotimit dhe vlerësimit të jurive, Shqipëria u shpall mes 10 shteteve që kalojnë në Finalen e Madhe. Ata do t’u bashkohen 10 shteteve të kualifikuara nga nata e parë dhe vendeve të “Big 5” (+ shteti mikpritës).

Më poshtë është lista e plotë e 10 shteteve që u kualifikuan nga gjysmëfinalja e dytë:

Shqipëria – Alis – Nân

Australia – Delta Goodrem – Eclipse

Bullgaria – Dara – Bangaranga

Çekia – Daniel Zizka – CROSSROADS

Danimarka – Søren Torpegaard Lund – Før vi går hjem

Malta – AIDAN – Bella

Norvegjia – JONAS LOVV – YA YA YA

Qipro – Antigoni – Jalla

Rumania – Alexandra Căpitănescu – Choke me

Ukraina – LELÉKA – Ridnym

Tashmë sytë dhe zemrat janë drejtuar te e shtuna, ku Alis do të ngjitet sërish në skenë me shpresën, pse jo, për të sjellë trofeun e madh në Tiranë./Balkanweb/

Nuk e kanë me Robertin, nuk e kanë as me Ndrenikën

By: S M
12 May 2026 at 22:07

Nga Skënder Minxhozi/

 

Nuk e kanë fare me Robert Ndrenikën sepse atij nuk ke çfarë t’i thuash as sikur ta vrasësh mendjen një vit të tërë për t’i gjetur ndonjë skelet në dollap. Është një ndër patriarkët e kinematografisë e teatrit shqiptar që ka bërë të qeshin, qajnë apo të mendohen thellë shumë breza në 60 vjetët e fundit. Ndrenika është një mal i lartë të cilit mizat vetëm mund t’i zukasin duke i ardhur rrotull. Tjetër gjë s’i bëjnë dot sepse mizat nuk e rrëzojnë dot malin.

Aq më tepër kur goditjet e organizuara në formë detashmenti digjital mundohen të fshehin thelbin e kësaj historie të shëmtuar. Nëse Ndrenika nuk do të kishte shkuar në seancën e Erion Veliajt, ai mund të bënte çdo sakrilegj tjetër publik, e të mos merrte këtë histeri kolektive sharësish mbi shpinë. Është sharë e mallkuar më pak kur mori pozicion të hapur për shembjen e Teatrit. Dhe kjo e ka një shpjegim i cili nuk është as i ri, as i panjohur. Është acarimi që kaplon një porcion të njohur të rrjetit social, medias dhe politikës kur është fjala për të sulmuar kreun e bashkisë Erion Veliaj.

Lali i ka të vjetër dhe të shumtë armiqtë. Një pjesë i ka tërhequr vetë mbi shpinë me stilin polemik dhe sulmet publike ndaj atyre që i konsideron kundërshtarë. Shumicën, të tjerët që përbëjnë edhe korin anti-Ndrenika, i ka krijuar për shkak të karrierës politike dhe peshës që ka marrë në të majtën shqiptare.

Është ky kontigjent pushkatarësh më shumë pa emër e fytyrë, sesa me identitet dhe adresë, i cili mallkon cilindo që aprovon publikisht diçka që bën Veliaj, e kjo është pjesë e një karriere politike të shpejtë dhe të suksesshme. Është e skajshme në rastin e kryebashkiakut por është gjithsesi pjesë e trajtimit rutinë me të cilin politikanët në këtë vend përballen prej vitesh.

Ai që nuk e meritonte të bëhej pjesë e këtij procesioni të dhunshëm e abuzues ishte Robert Ndrenika. Një ndër aktorët legjendarë të skenës dhe ekranit tonë, Ndrenika ka falur mjaftueshëm admirim dhe kënaqësi tek shikuesit në dekada, që të mos fyhej asisoj në një veprim personal e privat që është e drejtë e tij dhe e askujt tjetër. E shpjegoi arsyen pse e kishte puthur në ballë Veliajn dhe pse i kishte thënë ato fjalë. As e dëgjuan fare, por i kujtuan Teatrin. Tamam si në ato faqet e errëta të komunizmit ku i pandehuri nga drejtësia e proletariatit shihej si lebroz nga lagja e opinioni, që s’duhej prekur e madje nuk i duhej hedhur as vështrimi.

Kjo kryqëzatë e vogël budallaqe ndaj një aktori që ka provuar se nuk preket aspak nga këto goditje anonimësh, nuk ka ta bëjë as me qytetarin Robert dhe as me aktorin Ndrenika. Ajo është një deformacion kolektiv i një shoqërie që ka dalë vetëm me një këmbë nga e shkuara dhe që të dënon pa rënë ende çekiçi i gjyqtarit. Është dhe një hipokrizi e skajshme që tenton të hedhë poshtë një karrierë ndër më të mëdhatë në artin shqiptar të 50 viteve të fundit, për një puthje në ballë ndaj një njeriu që siç na e kujton edhe ligji, është i prezumuar i pafajshëm deri në një vendim gjykate.

Përbaltja në tentativë e Ndrenikës tregon se jemi në epokën e dhunës verbale që e ka zanafillën në dekadën e egër të parë të tranzicionit. Ajo subkulturë xhungle e asaj kohe formësoi më pas praktikën e eliminimit, përgojimit, poshtërimit, sharjes, fyerjes deri në palcë të atij që mendon e vepron ndryshe. Ajo sjellje e shfrenuar që u krijua nga kaosi, armët dhe autoritarizmi politik, krijoi më pas degëzimet e veta në të gjithë jetën sociale të cilat ndjehen fuqishëm edhe sot. Nuk do ta heqim lehtë vitin e mbrapshtë ’97 nga subkoshienca jonë.

Nga ajo kohë i kemi edhe sharjet e urrejtjen në skenën politike, vrasjet politike e shtetërore, dhunën e gazetave dhe më në fund edhe çmendurinë e rrjetit social. Një figurë e lartë si ajo e Robert Ndrenikës nuk meriton të jetë objekt i këtij llumi dixhital, politik dhe personal që sot shitet i paketuar si protestë qytetarësh, mllef politikanësh apo puritanizëm me pudër nga drejtësia e re. Çfarëdo të kishte bërë…

Habia është pse habiteni!

By: S M
10 May 2026 at 12:32

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ka një habi të madhe që endet këto muaj në ajrin politik të Tiranës. Është habia që lidhet me procesin përjashtues të të gjitha kandidaturave që guxuan të aplikojnë për të garuar në zgjedhjet e 23 majit për kreun e Partisë Demokratike. Është një habi e cila po zbërthehet në lloj-lloj analizash, komentesh e qëndrimesh në studiot televizive, mediat e tjera dhe rrjetin social përjetësisht të zhurmshëm e folklorik.

Habiten ata që gjithë ditën thonë e stërthonë po vetë se Doktori e ka privatizuar partinë. Habiten ata që kanë jetuar këtu 35 vitet e fundit dhe i kanë parë të gjitha peripecitë që ka kaluar PD e bashkë me të e gjithë Shqipëria, edhe për shkak se kryetari i saj nuk ka pranuar kurrë t’i lëshojë qoshen dikujt tjetër. Habiten edhe ata që panë sesi Berisha deklaroi me lot në sy largimin nga posti i kryetarit në vitin 2013 dhe përjetuan një surprizë të hidhur kur ai u kthye pas tetë vitesh në zyrën e Lulzim Bashës. Habiten më në fund ata që nga mëngjesi në darkë flasin e shkruajnë për nevojën e rotacionit të elitave dhe për domosdoshmërinë e hapjes së procesit politik ndaj të rinjve, e që bëjnë sikur nuk shohin sesi politikani më i vjetër i tranzicionit vazhdon të mbajë fort në duar frenat e partisë së dytë më të madhe të vendit. Një habi kombëtare për një ngjarje të vjetër sa vetë mosha e pluralizmit politik shqiptar.

Të vetmit që nuk habiten janë ata që i qëndrojnë pas Doktorit dhe që kanë vendosur të ndajnë fatin politik final me të. Këta janë më të qartët dhe paradoksalisht më realistët rreth asaj që (s)ndodh në Partinë Demokratike. Një forcë politike ku mund të hapen, madje të shkalafiten të gjitha zyrat, seksionet, grupseksionet, grupi parlamentar, këshilli kombëtar dhe institucionet e tjera më të larta, kati i parë, i dytë dhe i tretë e deri te kolibja e rojes së parkingut në selinë qëndrore, përveç një zyre që është e dhënë me tapi qysh në ditën 1 të egzistencës së PD 35 vjet më parë: zyra e kryetarit Berisha!

Gjithçka mund të rinovohet, gjithçka mund të ndryshojë e transformohet përveç kësaj zyre. Cilido mund të vijë e të shkojë në atë parti, por jo kryetari i cili e ka marrë zyrën me tapi, siç thonë  edhe të habiturit. Ajo zyrë dhe ai post do t’i rezistojë çdo gare të humbur zgjedhore, edhe duke shkelur nenin e famshëm Basha i cili thotë se në ditën e humbjes kryetarit i mbaron mandati, pa pikë dhe pa presje. Ajo zyrë me pronësi nominale duhet t’i rezistojë çdo tërmeti politik, negociate, thirrjeje për ndryshim, fraksioni të madh apo të vogël. Është një zyrë e blinduar politikisht në nivelin personal dhe nuk ka kurrfarë stuhie e furtune që mund ta luajë nga vendi. Aty koha nuk ecën, ajri qëndron pezull dhe i palëvizshëm, aty nocionet e evolucionit dhe ndryshimit shbëhen, logjika e thjeshtë e rinovimit dhe e ligjësive të mëdha të jetës humbet fuqi, aty edhe ligjet e fizikës dhe të gravitetit duken sikur stepen.

Berisha e provoi se dëshëron të jetë një kryetar i pakohë. Le të habiten ata që habinë e paskan me tepri dhe që e përdorin vend e pa vend. Le të habiten e të mos kuptojnë se kryetari historik i PD është i tillë, pra historik, sepse përjetësisht ka qenë kandidat pa rival në partinë e tij. Ka qenë një lloj atleti i garave të thellësisë që ka garuar rregullisht i vetëm, pa konkurentë dhe pa bërryla që ta shqetësonin. Kushdo ka guxuar e ka parë veten në rrugë ose dhe më keq. Historia i njeh mirë rastet dhe emrat.

Prandaj kjo pozitë përjetësisht dominuese brenda partisë i ka krijuar Sali Berishës luksin që kur edhe humbet zgjedhjet, të mos i quajë të tilla, pra zgjedhje, por “farsë”. Paçka se askund në statutin e ndryshuar të PD pas ikjes së Lulzim Bashës, nuk thuhet që nëse partia i konsideron zgjedhjet të vjedhura nga kundërshtarët, kryetari nuk ikën nga posti.

Sot rreziku Doktorit nuk po i vjen nga ndonjë pusi senatorësh apo thikë pas shpine në katet e larta të partisë. Aq më pak po i vjen nga neni Basha me të cilin tallet nga mëngjesi në darkë. Në atë ambjent që quhet PD s’ka më rrezik për Berishën pasi e ka spastruar me kohë fushën e lojës. Risku po i vjen nga s’e priste: nga një grua e panjohur e quajtur Mereme Sela që pati guximin e çmendur të garojë për kryetare partie. Dhe që pasi u skualifikua, siç pritej, vendosi ta çojë në gjykatë nenin e famshëm Basha.

Duket si një shenjë e fatit, por ja që goditja mund të vinte vetëm nga persona të tillë jashtë rrethit të ngushtë politik, të palidhur me interesa, njohje apo histori të përbashkët me Berishën. Akti i padisë në gjykatë për nenin Basha ishte hapi që askush s’e ndërmori këto vite. As vetë Basha, as pasuesit e tij gjithnjë e më të paktë, as Edvin Salianji. Mereme Sela qe e vetmja. Duket si ndonjë barcaletë për ditë me shi por ja që një hap i tillë surprizë nga një grua e panjohur mund të kthehet potencialisht në ortek për Doktorin nëse gjykata do ta lexojë ftohtë dhe objektivisht statutin e ndryshuar të PD të miratuar nga një tjetër gjykatës me mbiemrin Zhukri. Nëse kjo padi-surprizë do të kthehej në realitet, mund të kishim një zhvillim që as Berisha e as të tjerët rreth tij s’do të dinin si ta menaxhonin. Atëhere do të kishte vërtetë vend për t’u habitur!

Drejtësia me pesë yje po i ngjan frikshëm asaj të vjetrës

By: S M
28 April 2026 at 18:19

Nga Skënder Minxhozi/

 

Debati më i fundit në lidhje me transmetimin televiziv të gjyqeve ndaj zyrtarëve të lartë, shoqëruar me reagimet normale për futjen e tyre pas xhamave të blinduar, duket se e kanë zënë të papërgatitur drejtësinë speciale. Papritur Meta, Veliaj, Beqaj dhe i fundit Ahmetaj kanë kërkuar që seancat e proceseve të tyre të jenë të hapura për publikun dhe mundësisht të transmetuara nga televizionet. Një kërkesë në pamje të parë paradoksale dhe e pakuptueshme, por me një prapamendim të qartë dhe të lexueshëm. Në interes të opinionit publik.

Mbyllja dhe hermetizmi në emër të sigurisë dhe sekretit hetimor,  janë justifikimi shabllon me të cilin Spak-Gjkko po trajtojnë sot listën e politikanëve që ka nëpër qeli. Ilir Meta, Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj izolohen dhe trajtohen de facto si kriminelë dhe si persona që i kanë marrë tashmë dënimet, listat e tyre të vizitave shihen si të ishin vrasës serialë (ndërkohë që këta të vërtetët presin eskorta nëpër burgje e kalojnë javë të tëra pushimesh nëpër spitale private).

Është tashmë e dukshme se mbi ashpërsinë e trajtimit dhe shkeljen e skajshme të të drejtave të treshes Meta-Veliaj-Beqaj, Spak-Gjkko po mundohen të ndërtojnë një gjysëm-narrative suksesi, sipas parimit “hiqi patentën e arrestoje atë që hyri me të kuqe, paçka se nja dhjetë makina të tjera bënë të njëjtën gjë dhe shpëtuan”. Ndëshkimi ndaj këtij grupi politikanësh është alibia për të mos prekur me dorë dosje të tjera të nxehta që gjallojnë çdo ditë në realitetin shqiptar e trajtohen me të njëjtën symbyllje si dhjetë apo njëzet vite më parë nën drejtësinë e plepave.

Më tej akoma këta pak politikanë me të cilët Spak-Gjkko kërkojnë të kompensojnë bashkëfajësinë për moszbardhjen e 21 janarit e të tjerave ngjarje të rënda, këta pra duhen futur në rrethin e nëntë të ferrit në mënyrë që populli jashtë të fërkojë barkun e t’u këndojë vargje prokurorëve e gjyqtarëve që po na shpëtojnë nga hallet. Duhet plotësuar grafiku, duhet kryer edhe teatri i ashpërsisë dhe rigorozitetit në sytë e miletit. Na shihni ç‘po ju bëjmë, a nuk jemi më të mirët?

Jo, nuk janë më të mirët! Patëm gjashtë vite kohë për t’ju mësuar emrat, tabiatet dhe mënyrat sesi infiltruan në sistemin e ri të drejtësisë. Gjashtë vite kohë gjatë të cilës kishin të gjitha mundësitë e kësaj bote që të gjenin vrasësit dhe urdhëruesit e 21 janarit e nuk e bënë, që të zbardhnin siç duhej shpërthimin e Gërdecit apo korrupsionin masiv në rrugën e Kombit e sërish nuk po e bëjnë duke e çuar gjithçka drejt parashkrimit, si paraardhësit e tyre. Kishin kohë natyrisht edhe për të thyer koracën e trashë të pandëshkueshmërisë, por edhe këtë e kanë bërë pjesërisht dhe në mënyrë selektive. Shihni gjyqin ndaj Berishës për leje pallatesh, e jo për të tjerat!

Hermetizmi që po aplikohet ndaj kësaj liste politikanësh që sot ndodhet nën kthetrat e drejtësisë së re, ka si metaforë kafazin prej xhami të blinduar, ku mbahet një ish-president, një kryetar bashkie i Tiranës në detyrë dhe një ish-ministër. Dikush kujtonte me të drejtë këto orë se kështu të mbyllur nuk janë mbajtur as shefat e nacional-socializmit hitlerian në Nurenberg megjithëse ishin të akuzuar për 50 milion viktima të Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë pyetja bazë e momentit është kjo: pse “hajdutët” e parave të këtij populli sot kërkojnë gjyqe televizive, ndërsa gjyqtarë e prokurorë rrudfhin buzët dhe refuzojnë? Çfarë e shtyn një zyrtar të lartë që ka mbi tryezë një dosje mijëra faqesh, që të pranojë më mirë riskun që i gjithi ky mal akuzash të bëhen publike e të dukshme edhe për një shqiptar që jeton në Zelandën e Re apo në Japoni, sesa një proces të mbyllur e hermetik ku prokurori intimidon gjyqtarin dhe e detyron të firmosë pretencën në heshtje? A mos ndoshta kjo ndodh sepse të pandehurit kanë bindjen e përbashkët se hapja e proceseve do të relativizojë edhe mijëra faqet e dosjeve të akuzës? Në qoftë kështu shpjegohet edhe hutimi e refuzimi i gjyqtarëve e prokurorëve ndaj hapjes së proceseve për publikun.

Pyetja e mësipërme duket se e ka përgjigjen brenda. Këta politikanë të lartë po mundohen t’i ikin poshtërimit dhe represionit shumëmujor pas perdeve në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që gjyqet popullore, gjithashtu televizive, i kanë shpallur tashmë të dënuar, i kanë telendisur e pushkatuar publikisht, duke ju komentuar deri në lodhje çdo detaj të marrë nga një dorë e kujdesshme nga dosjet e tyre, për t’i nxjerrë sa më keq në meidanin publik. Hapja e proceseve të tyre në këto kushte është akti i madh i transparencës për të gjithë: për të pandehur e për akuzues apo edhe për ata që do të bëjnë arbitrin në mbarim të seancave. Shqiptarët meritojnë të njohin të gjitha abuzimet e këtyre zyrtarëve nëse ata gjenden fajtorë, ose nga ana tjetër të njihen me heronjtë falsë dhe arrogantë brenda drejtësisë së re, nëse akuzat e tyre nuk provohen. Të dalin të gjithë në dritë, boll me fshehje pas procedurave.

Hapja e proceseve gjyqësore është një moment drejtësie publike. Sidomos për këtë drejtësi që është akuzuar prej vitesh për arrogancë, subjektivizëm dhe teatër selektiv me provat, të pandehurit dhe proceset. Pasi kemi dëgjuar gjyqet televizive me copa letrash e fraza të shkëputura nga hetimet, le të dëgjojmë të gjithë historinë se kështu është më e ndershme. Kush të dalë fajtor të shkojë me të vërtetë në burg, e jo të mbahet në paraburgim më të ashpër se vetë burgu duke pasur mbi uniformë etikëten mashtruese “i prezumuar i pafajshëm”!

Nuk na duhet një drejtësi selektive studiosh debati, por drejtësi që jepet në dritën e diellit, me kamera dhe mikrofon para gojës në një sallë gjyqi. Të atij gjyqi ku gjyqtari është më i frikësuari nga meraku se mos prokurori e fut nën përgjim! Apo kështu kemi frikë se na prishet vitrina e bukur dhe vezulluese e drejtësisë së re?! Kot lodheni, është prishur tashmë! Drejtësia me pesë yje po i ngjan frikshëm drejtësisë së vjetër, të cilën kujtuam se e hoqëm qafe.

Bamir Topi: Ols Dadon e solli Ina Rama për firmë, ajo është përgjegjëse për emërimin!

By: S M
14 April 2026 at 23:18

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ftuar këtë të martë në studion e emisionit “Quo Vadis” në Vizion Plus, ka rrëfyer për herë të parë se si është bërë emërimi i Ols Dados prokuror në vitin 2008. Sipas Topit, propozimi ka ardhur nga Kryeprokurorja e asaj kohe, Ina Rama, dhe institucioni i Presidentit ka pasur vetëm tagrin për ta dekretuar formalisht.

Ai tha se gjithçka që i takonte procedurës ezaurohej brenda Prokurorisë, e cila administronte të gjitha dokumentet kur hapej gara dhe te Presidenti vinte vetëm propozimi formal për dekretim.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë: Tek Presidenti nuk vijnë gjëra të karakterit analitik. Dekreti është në përputhje me parimet kushtetuese. Cilat janë parimet kushtetuese? Që në këtë marrëdhënie midis dy institucioneve, të drejtën e propozimit e ka Kryeprokurori, i cili vjen vetëm me një propozim formal dhe Presidenti e dekreton. Këtu mbyllet rruga institucionale. Me sa unë kam në memorie, jo thjesht si procedurë specifike, por sipas ligjit dhe Kushtetutës, ka pasur një tagër, ndoshta minimal, por e ka pasur edhe Presidenti, edhe Kryeprokurori, në rastin konkret Kryeprokurorja, e cila sipas analizës së rrethanave, unë nuk e kam shfrytëzuar personalisht, ka pasur një minimum të drejte për të futur në sistem edhe ndonjë person, burrë apo grua, ç’rëndësi ka, e cila e tejkalonte këtë pjesën e Shkollës së Magjistraturës”, ka thënë ish-Presidenti Topi.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar prej disa ditësh një kërkesëpadi pranë Gjykatës Administrative, në të cilën kërkon pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados prokuror, pikërisht pse ai është emëruar (siç e dëshmoi sot Presidenti Topi, me propozim direkt nga Kryeprokurorja Ina Rama) në detyrë pa pasur Shkollën e Magjistraturës.

Ndreca: Pas Nesti Angonit del Nasta Pëllumbi, anonimja tjetër e sajuar për të përndjekur Veliajn

By: S M
9 April 2026 at 23:50

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca ka zbuluar në Top Story se përveç Nesti Angonit, personit anonim mbi denoncimin e të cilit po mbahet i burgosur Veliaj, në dosje shfaqet edhe një Nasta Pëllumbi, një tjetër person që nuk ekziston, e që po ashtu nuk i firmos denoncimet.

Zbulimi i një emri tjetër anonim përforcon faktin se në fakt, dosja hetimore kundër Veliajt është bërë me denoncime personash të rremë dhe që nuk ekzistojnë.

Ndreca tha se çështja Veliaj është çështje tipike e një goditjeje apo eleminimi politik ndaj tij, por edhe një shembull ku drejtësia instrumentalizohet për të larguar nga detyra dhe për të eliminuar nga fusha politike një politikan.

Ai theksoi se çështja është komplekse e voluminoze dhe se Veliajt i është mohuar për një kohë të gjatë njohja me dosjen.

Pjesë nga debati në emision:

Ndreca: Çështja Veliaj është çështje tipike e një persekutimi ose më saktë, një goditjeje apo eleminimi politik të tij. Ky është rasti tipik ku drejtësia instrumentalizohet për produkt politik, pra për ta larguar nga detyra dhe për ta eliminuar nga fusha politike. Pse e them këtë?

Rakipllari: Kush e ka këtë fuqi për ta bërë?

Ndreca: Prokurorët…

Rakipllari: Prokurorët kanë interesa politike?

Ndreca: Sigurisht, ata kanë një interes të ndryshëm, pra jo partiak, por politik. Dhe politik do të thotë edhe statistikor, pra përfiton prokuroria, por nga produkti i punës së prokurorisë përfitojnë edhe aktorë politikë partiakë. Pra, është një shënjestër politike për ta eleminuar nga fusha politike dhe për të mos e lejuar të ushtrojë funksionin që i është besuar nga qytetarët e Tiranës. Mënyra se si është bërë hetimi, fakti që është nisur nga një person anonim, dhe para 2-3 ditësh kam zbuluar se paska edhe një anonim tjetër – nga një Nesti, na doli edhe një Nasta – pra, Nesti dhe Nasta kanë krijuar gjithë procesin Veliaj. Asnjë nga avokatët nuk e kishte parë më herët këtë sepse janë 60 mijë faqe dhe vazhdojnë të lexojnë 3-4 avokatë intensivisht, e nuk ia dalin dot që të shohin çdo fletë dhe na doli se qenka një informacion nga Nasta Pëllumbi, Lëvizja Qytetare Antikorrupsion. As Nasta Pëllumbi nuk ekziston. As Nesti Angoni nuk ekziston. As Lëvizja Qytetare Antikorrupsion nuk ekziston.

Mënyra se si është bërë hetimi, shkeljet e rënda proceduriale, mënyra se si është humbur një fazë e procesit gjyqësor pa u njohur me dosjen… pra ajo që diskutuam, prezumimi i pafajësisë, në rastin e Erion Veliajt është bërë një proces pa i dhënë dosjen, i konfirmuar nga gjykata e themelit që ia dha dosjen; pra, edhe gjykata e themelit e pranon se paska një problem, nuk e paska njohur dosjen, që do të thotë se ka humbur një fazë procesi. Eshtë një çështje kaq komplekse, kaq voluminoze, bëhet fjalë për 60 mijë faqe, për 1097 prova shkresore dhe materiale dhe për 190 dëshmitarë.

Drejtësia është përdorur si instrument për të goditur një politikan. Në asnjë nga vendimet, as e shkallës së parë, as GJL, nuk është futur fare në analizë fakti që Veliaj është Kryetar i Bashkisë së Tiranës në proporcionalitetin që kërkon një masë sigurimi. Ndërkohë që, kemi një vendim të Komisionit të Venecias, që është marrë me iniciativën e Presidentit të PE për rastin e kryetarit të Bashkisë së Stambollit, ku thuhet që “në rastin kur ka masa sigurimi ekstreme siç është arresti me burg për kryetarë bashkish, duhet të ketë një proporcion krejt tjetër dhe një kujdes të posaçëm sepse bëhet fjalë për një përfaqësues qyteti”.

Cili do ta fitojë i pari luftën, Bordi i Paqes apo Bordi i Transparencës?!

By: S M
31 March 2026 at 18:24

Nga Skënder Minxhozi/

Nëse do të njohësh një vend shko e shih varrezat e tij. Kjo është një shprehje e vjetër aksiomatike  e ofruar në formën e një këshille për cilindo që kërkon të njohë shpejt dhe pa harxhuar kohë dhe shojet e këpucëve një vend çfarëdo. Në kontekstin e sotëm të një vendi si ky i yni, i cili lufton ende për të dalë nga këneta plot gropa thithëse e tranzicionit, sfidat janë të panumërta dhe të të gjitha formave e përmasave.  Megjithatë 36 vjet pas rënies së komunizmit ka një mënyrë për të distiluar dhe tkurrur në palcë tabelën e halleve shqiptare. Nuk ka nevojë të shkosh në Sharrë apo Shishtufinë.

Mjafton të verifikosh dy aspekte që kanë të bëjnë jetën e përditshme, madje janë në një farë mënyre thelbi i saj: mallrat ushqimore dhe karburanti që përdorim. Dikur, në mesin e dekadës së shkuar, i thanë një ministri të sapozgjedhur socialist se nëse qeveria e tij do të arrinte t’i ofronte shqiptarëve naftë cilësore dhe ushqim të kontrolluar e me cilësi të lartë, jeta në Shqipëri do ndryshonte si nata me ditën. Natyrshëm përgjigja e ministrit qe pohuese, pasi e tillë ka qenë qasja e të gjithë minstrave kryeministrave, deputetëve e maxhorancave që nga dita e parë e pluralizmit shqiptar.

Ja pra që kanë premtuar në boshllëk që të gjithë. Thënë ndryshe, kanë premtuar por e kanë shkelur rregullisht premtimin. Jemi vendi me karburantin më të keq dhe më të shtrenjtë në rajon. Jemi gjithashtu vendi ku ushqimi kushton gjithashtu shtrenjtë, po aq sa në Greqi e shumë më tepër se në Maqedoni e Kosovë dhe që është më pak i kontrolluar dhe me standarte se i fqinjëve që na rrethojnë. Thënë me fjale të tjera, paguajmë më shumë që të ushqehemi më keq dhe që të drejtojmë automjete që na sëmurin me gazrat që nxjerr nafta e përzier me ujë a Zoti e di çfarë tjetër!

Kjo është një situatë që nuk ka ndonjë lidhje me luftën aktuale. Është normaliteti ynë i përditshëm, jo emergjenca jonë. Është një bashkëjetesë nga halli të cilën e kemi pranuar si shumë sfida të tjera gjatë shtegut të tranzicionit. Është një pranim në heshtje, një vetëdorëzim i cili nga politika trajtohet me nënqeshjen cinike të atij që e di qysh në krye të herës se në një protestë për çmimin e naftës do te dalin vetëm katër veta tek Kryeministria.

Në një hark kohor prej diçka më shumë se pesë vitesh kemi kaluar dy luftra dhe një pandemi. Që të gjitha me pasoja të rënda në ekonominë botërore. Patjetër dhe në ekonominë e brishtë dhe defektoze shqiptare. Brenda pesë vitesh kemi parë sesi mallrat e konsumit janë shtrenjtuar dukshëm më shpejt dhe më thellë sesa rritja e pagave e pensioneve. Kemi parë sesi nafta preku 2600 lek litrin para tre viteve, ashtu siç ka gjasa të ndodhë sërish së shpejti nëse një luftë idiote e nisur nga verbëria e jo nga vizioni, nuk i ul pushkët dhe topat. Jemi mësuar gradualisht që çmimet në dyqanin e lagjes ta tejkalojnë takatin e kuletës që mbajmë në xhep. Jemi mësuar edhe që naftën ta blejmë kur mundemi në shtetin tjetër, pasi ky i yni megjithëse pret çdo ditë anije e cisterna të mbushura me naftë, ka vendosur ta mbajë çmimin aty ku një amerikani do t’i binin syzet nga habia, po ta shihte tabelën e benzinatës në breg të Lanës. Jemi ndër më të varfërit në Evropë, por për nga të ardhurat, jo për nga çmimet!

Shqipëria ka shumë më tepër halle sesa nafta dhe ushqimi. Por këto duket se janë dy aspekte të jetës së përditshme që shkojnë drejt e në palcën e egzistencës materiale që kushtëzon cilësinë e jetesës për njeriun e thjeshtë në këtë vend. Janë gjithashtu dy ushtrime të komplikuara për shtetin, biznesin dhe hallkat e tjera ndërmjet tyre, pasi kërkojnë vullnet, korrektesë dhe ndershmëri.

Një vend e tregon veten në kohë krize. Eshtë momenti i sprovës ai qe teston te gjithe shoqerine, shtetin, institucionet dhe grupet e interesit. Është momenti i solidaritetit, i empatisë dhe vëmendjes, jo i spekulimit dhe i abuzimit si Grandeja i famshëm i Balzakut, i cili u pasurua gjatë Revolucionit Francez dhe luftrave napoleonike duke blerë vreshta për dy aspra dhe shitur batanije e verë për ushtrinë. Mes Bordit të Paqes që kërkon të zgjidhë luftrat (po jo këtë aktualen) dhe Bordit të Transparencës që kërkon të kapë për flokësh çmimet e naftës në Shqipëri, distanca është e madhe, por rezultati është i ngjashëm. Që të dy kanë dështuar ta fitojnë betejën e tyre.

“Dinosauri” 500 milion dollarë E3 Sentry: Pse aeroplani me radar amerikan i dëmtuar nga Irani është kaq i kushtueshëm?

By: S M
29 March 2026 at 15:18

E3 Sentry ishte simboli i supremacisë teknologjike amerikane në fazën e fundit të Luftës së Ftohtë: tani e gjen veten duke i dhënë fund historisë së saj të gjatë aeronautike në qiellin e Gjirit, i ekspozuar në pistat ndaj raketave iraniane, të cilat dëmtuan njërën prej tyre . Një humbje e konsiderueshme: Pentagoni kishte dërguar gjashtë në Arabinë Saudite , për të koordinuar një ofensivë ajrore që supozohej të përfundonte brenda pak ditësh. Ky gjigant i plagosur, që kushtonte gati gjysmë miliardi euro, duket se simbolizon të metat e makinës luftarake amerikane, e paaftë për të nënshtruar Republikën Islamike.

Shpesh i quajtur AWACS —shkurtim për Sistemin e Paralajmërimit dhe Kontrollit të Hershëm Ajror —dhe lehtësisht i dallueshëm nga disku i madh i zi me diametër nëntë metra i montuar në trup, ky modifikim ushtarak i kuadkopterit Boeing 707 ishte një makinë e jashtëzakonshme kur hyri për herë të parë në shërbim në vitin 1977: një qendër mbikëqyrjeje fluturuese që monitoronte hapësira të gjera. Karakteristika e tij unike ishte aftësia për të dalluar edhe avionë dhe raketa që fluturonin ulët, të cilat i shpëtonin radarit tokësor. Në bord, trembëdhjetë operatorë para ekraneve koordinonin lëvizjet e skuadriljeve dhe armëve kundërajrore. Kur hyri në shërbim, BRSS nuk kishte asgjë të ngjashme me të: dhe edhe sot, rusët nuk kanë arritur të prodhojnë një sistem konkurrues , me pasoja serioze në operacionet e tyre në Ukrainë.

Deri në vitin 1992, Shtetet e Bashkuara kishin blerë 68 prej tyre. 18 të tjerë u blenë nga NATO, me ekuipazhe shumëkombëshe që përfshinin personel italian dhe një bazë të avancuar në Trapani. Franca, Britania e Madhe dhe Arabia Saudite gjithashtu i përvetësuan ato. Ka pasur disa programe për të përmirësuar pajisjet në bord, duke zëvendësuar kompjuterët dhe radarin me tranzistor të viteve 1970, të cilat dyfishuan koston fillestare prej 270 milionë dollarësh për avion : ndërhyrje aq të kushtueshme sa Uashingtoni hoqi dorë nga pjesa më e madhe e flotës. Tani, vetëm gjashtëmbëdhjetë prej tyre mbeten në shërbim, shpesh të lëna jashtë funksionit për mirëmbajtje. Por ato konsiderohen të domosdoshme sepse janë i vetmi instrument i aftë për të koordinuar një mision jashtë vendit: një detyrë e kryer në dy konfliktet me Irakun dhe në operacionet në Kosovë dhe Libi.

Procedurat për zëvendësimin e tyre – siç ka ndodhur shpesh në dekadën e fundit – janë shndërruar në një sagë: u zgjodh Boeing E7 Wedgetail, me një radar skanimi të gjatë e të ngushtë në vend të modelit të vjetër rrethor. Miratimi i tij u vendos në vitin 2022, me dërgesat e planifikuara për vitin 2027. Administrata Trump e anuloi atë për shkak të kostove të tepërta dhe dyshimeve në lidhje me aftësinë e avionit për t’i mbijetuar forcës ajrore kineze: Sekretari i Luftës Pete Hegseth e quajti atë “një sistem që nuk do të na japë asnjë avantazh në të ardhmen”. Disa javë më parë, kontratat për dy E7 u rivendosën, me një investim prej gati 2.5 miliardë dollarësh.

Ndërkohë, pesha e ofensivës kundër Teheranit ka rënë mbi krahët e këtyre dinosaurëve. Misionet e tyre kryhen nga pistat e Aeroportit Princ Sultan të Arabisë Saudite, i cili tashmë është shënjestruar me sukses tre herë nga Pasdarani. Në misionin e parë, ata çaktivizuan – “përkohësisht”, sipas Trump – pesë tankerë KC135; në të dytin, furnizime të tjera ajrore; dhe së fundmi, dy ditë më parë, një E3 Sentry. Përhapja e konfliktit dhe nevoja për të patrulluar të gjithë Gadishullin Arabik javën e kaluar e detyruan selinë qendrore të dërgonte përforcime: pesë Hawkeyes më të vegjël E2D, që normalisht mbahen në transportues aeroplanësh, arritën në front ditët e fundit nëpërmjet një ndalese në Aviano. Ato janë versioni më i fundit i një veterani tjetër, të ndërtuar që nga viti 2010, të cilat duken veçanërisht të dobishme në zbulimin e dronëve kamikazë Shahed që janë në qendër të luftës bashkëkohore.

LAJMI I FUNDIT/ SHBA pranë tërheqjes nga lufta? Trump: Po i afrohemi shumë përmbushjes së objektivave tona!

By: S M
20 March 2026 at 23:10

Pak minuta me pare presidenti amerikan Donald Trump ka postuar nje mesazh ne rrjetin e tij social, i cili tingellon si nje parlajmerim per nje terheqje te afert te SHBA nga konflikti aktual me Iranin. “Shqyrtojmë shkurtimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me Regjimin Terrorist të Iranit”, shprehet Trump ne mesazh, duke renditur permbushjen e objektivave luftarake qe amerikanet i kishin vene vetes ne kete fushate ushtarake.

Ky mesazh vjen ne momentin kur lufta ne Gjirin Persik ka hyre ne rruge pa krye, me ngushticen e Hormuzit te bllokuar, vendet e Gjirit te goditura rende nga lufta, e mbi te gjithe me regjimin iranian i cili nuk tregon shenja terheqjeje. Rritja e cmimit te naftes mund te jete nje nder motivet kryesore te nje terheqjeje te mundshme amerikane, pasi reagimi i publikut amerikan ndaj rritjes se cmimit te hidrokarbureve ne ditet e fundit ka qene mjaft negativ.

Ja mesazhi i plote i Trump:

 

Po i afrohemi shumë përmbushjes së objektivave tona, ndërsa shqyrtojmë shkurtimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me Regjimin Terrorist të Iranit: (1) Degradimin e plotë të Aftësisë së Raketave, Lëshuesve dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me to. (2) Shkatërrimin e Bazës Industriale të Mbrojtjes së Iranit. (3) Eliminimin e Forcave të tyre Detare dhe Ajrore, duke përfshirë Armët Kundër Avionëve. (4) Moslejimin kurrë të Iranit që t’i afrohet Aftësisë Bërthamore, dhe gjithmonë të qenit në një pozicion ku SHBA-të mund të reagojnë shpejt dhe fuqishëm ndaj një situate të tillë, nëse ndodh. (5) Mbrojtjen, në nivelin më të lartë, të aleatëve tanë të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Kuvajtin dhe të tjerë. Ngushtica e Hormuzit do të duhet të ruhet dhe të mbikëqyret nga kombe të tjera që e përdorin atë – Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë! Nëse na kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të zhduket. Është e rëndësishme të theksohet se do të jetë një Operacion Ushtarak i lehtë për ta. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! Presidenti DONALD J. TRUMP

❌