SHPETIM LUKU – Një reklamë televizive: dy të rinj të buzëqeshur takohen “rastësisht” në hyrje të një institucioni financiar dhe nisin bashkëbisedimin.
“Po ti, ç’po bën këtu?”
“Po mendoja të merrja një kredi për pushime. Ti?”
“Edhe unë! E shoh që kemi shije të përbashkëta!”
Kamerat i ndjekin ndërsa imagjinata e tyre fluturon drejt plazheve me rërë të bardhë, pamjeve në Instagram, koktejeve dhe relaksit. Në sfond një muzikë e lehtë verore. Në fund, me zë të ulët dhe të shpejtë dëgjohet: “Kujdes, kredia ka kosto financiare. Ju lutemi lexoni me kujdes kushtet e marrëveshjes.”
Një paralajmërim thuajse i pavërejtshëm, por që në fakt duhet të ishte pika e parë ku duhet të ndalonte çdo qytetar para se të vendoste të hynte në borxh për një luks që zgjat dhjetë ditë dhe paguhet për muaj të tërë.
Me afrimin e verës, reklamat për kredi të shpejta “për pushime të paharrueshme” pushtojnë mediat, rrjetet sociale dhe çdo ekran bankomati. Institucionet financiare, bankare apo jo, ofrojnë kredi konsumatore për të mbuluar shpenzimet e pushimeve verore. Në pamje të parë, këto produkte tingëllojnë si një zgjidhje e shpejtë dhe e arsyeshme. Por në thelb, janë një ftesë për të konsumuar sot me para që nuk i ke, dhe për të paguar më vonë me interesa që shpesh nuk janë të ulëta.
Vetë ideja që dikush të marrë hua për të pushuar është një paradoks. Pushimet janë të rëndësishme për mirëqenien mendore dhe sociale, por sërish mbeten një luks. Ndërkohë, kredia është një detyrim afatmesëm që do të rëndojë buxhetin e familjes për muaj me radhë.
Po nëse një familje nuk arrin dot të kursejë gjatë vitit për pushime, si mund të përballojë një kredi që kërkon çdo muaj të kthejë më shumë sesa mori?
Këto kredi, sidomos ato që ofrohen nga institucione mikrofinanciare apo kompani që premtojnë “kredi të menjëhershme”, shpesh kanë interesa të larta. Më të ekspozuarit janë pikërisht ata që nuk kanë stabilitet ekonomik, persona të cilët bien më lehtë pre e tundimit për të përjetuar “një pushim si gjithë të tjerët”, pa patur bazë reale financiare. Pra ata që vendosin sipas vendosmërisë së tipit “qeni qepën të hajë”.Por pas pushimeve vjen realiteti.
Reklamat përpiqen ta paraqesin borxhin si një mjet për “kujtime të bukura”. Por në realitet, bëhet fjalë për konsum të parapaguar me para që nuk ekzistojnë. Ajo që nisi si relaks, për shumë familje kthehet në stres të përmuajshëm që ndonjëherë zgjat deri në sezonin tjetër veror atëhere kur, sërish, nuk do të kenë para për pushime.
Pushimet janë të bukura kur nuk të kushtojnë paqen mendore. Nuk ka asgjë të keqe të pushosh brenda vendit, për pak ditë, ose edhe fare pak ditë, por pa hyrë në borxh. Sepse asnjë foto në Instagram nuk mbulon faturën e një kredie me përqindje të lartë interesi .
Zgjedhjet individuale dhe përgjegjësia institucionale
Ekonomia e shëndoshë nuk ndërtohet vetëm nga politika makroekonomike, por nga zgjedhje të kujdesshme individuale. Pushimet mund të organizohen me buxhet modest, brenda mundësive reale, pa e kthyer relaksin në një barrë financiare.
Ndërkohë, institucionet financiare duhet të jenë më të ndershme në komunikim: nuk mjafton të thuash në fund të reklamës se “kredia ka kosto financiare” me një zë të shpejtë dhe të zbehtë. Kjo kosto duhet të jetë pikërisht në qendër të reklamës, jo në fund të saj.
Pushimi i vërtetë nuk merret me kredi
Pushimet janë të domosdoshme, por jo nëse për të pushuar sot, duhet të vuash për muaj të tërë. Kujdesi financiar është një formë tjetër qetësie. Dhe ajo nuk ka nevojë për hua. m.p.