Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2025Gazeta Fjala

Përpjekje për të ndaluar luftën/ BE dhe Mbretëria e Bashkuar ulin çmimin e naftës

By: el da
18 July 2025 at 20:50

BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë rënë dakord të ulin çmimin maksimal të naftës ruse, në një përpjekje për të kufizuar më tej aftësinë e Kremlinit për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës.

BE-ja ka rënë dakord të ulë çmimin maksimal për eksportet e naftës nga deti në 47.60 dollarë nga 60 dollarë për fuçi, si pjesë e asaj që shefja e saj e politikës së jashtme, Kaja Kallas, e quajti “një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më sot”.

Paketa përfshin kufizime mbi tubacionet dhe bankat ruse, si dhe eksportet e teknologjisë në vend.

“Po ushtrojmë më shumë presion mbi industrinë ushtarake të Rusisë, bankat kineze që mundësojnë shmangien e sanksioneve dhe bllokimin e eksporteve të teknologjisë së përdorur në dronë”, tha Kallas.

BE-ja tha se do të sigurojë që kufiri lëvizës të jetë gjithmonë 15% më i ulët se çmimi mesatar i tregut për naftën bruto Urals, përzierja kryesore e eksportit rus. Shtetet anëtare të BE-së blenë rreth 21.9 miliardë euro (18.1 miliardë paund) naftë dhe gaz rus në vitin 2024 .

Kufiri i ri do të zbatohet nga 3 shtatori, që do të thotë se kompanitë – ndërmjetësit e sigurimeve dhe transportuesit brenda BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar nuk mund të veprojnë për të lehtësuar shitjet mbi kufirin.

“Ky hap vendimtar për të ulur kufirin e çmimit të naftës bruto do të synojë të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe do të rrisë presionin mbi Putinin duke shfrytëzuar dobësinë e tij më të madhe – ndërkohë që do të mbajë të qëndrueshëm tregjet e energjisë”.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se po “ndërmerr veprime vendimtare për të ndërprerë tubacionin e furnizimit me naftë të Putinit” dhe se deri më tani ka sanksionuar më shumë se 250 anije përgjegjëse për transportimin e furnizimeve ruse me energji.

Kufiri fillestar u prezantua në dhjetor 2022 nga grupi i vendeve G7, por qeveria e Donald Trump nuk është e gatshme ta nënshkruajë.

BE-ja ka futur gjithashtu një ndalim për investimet në tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2.

Nord Stream 1 u bë i papërdorshëm në shtator 2022 pas një serie shpërthimesh nënujore për të cilat askush nuk e ka marrë përgjegjësinë./e.t

Kancelari Merz për BBC: Europa të bëjë më shumë për mbrojtjen

By: el da
18 July 2025 at 20:40

Kancelari gjerman, Friedrich Merz pranon kritikat e Presidentit Trump për mungesën e fondeve nga Europa për sigurinë e përbashkët. Në një intervistë për rrjetin britanik BBC, ai tha se pas samitit të mbajtur në Hagen një muaj më parë, kontributi financiar do të rritet nga vendet partnere.

“E dimë që duhet të bëjmë më shumë. Ata po na kërkojnë të bëjmë më shumë dhe ne po e bëjmë këtë. Besoj se tashmë jemi në të njëjtën linjë. Ne nuk jemi mjaftueshëm të fortë, ushtria jonë nuk është mjaftueshëm e fortë, prandaj po shpenzojmë shumë para”, tha Merz.

Në një intervistë për BBC, Merz u shpreh se marrëdhëniet me presidentin amerikan janë shumë të mira dhe janë në kontakt të vazhdueshëm duke diskutuar për luftën në Ukrainë dhe çështjen e tarifave.

“Po përpiqemi të sjellim fundin e kësaj lufte. Po koordinohemi për Ukrainën dhe për tarifat tregtare. Flasim në telefon një herë në javë, po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare”, shtoi Merz.

Kancelari Merz është një kritik i ashpër i Rusisë. Pas marrjes së detyrës, ai udhëtoi me tren së bashku me liderë të tjerë europianë drejt Kievit për t’i shprehur mbështetjen.

“Rusia është një kërcënim për paqen dhe rendin politik në Europë, jo vetëm për Ukrainën”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, BE-ja dhe SHBA-ja janë në negociata për ribalancimin e marrëdhënieve të tyre tregtare. Sipas paralajmërimeve të Trump, Evropës i mbeten edhe disa ditë deri në zbatimin e tarifave 30% për mallrat./e.t

Aplikacioni për mesazhe, WhatsApp mund të bllokohet shumë shpejt në këtë vend, ja arsyeja

By: el da
18 July 2025 at 20:30

Aplikacioni për mesazhe, WhatsApp mund të bllokohet shumë shpejt në Rusi, teksa ligjvënësit ashpërsojnë kufizimet ndaj platformave digjitale prej “shteteve armiqësore”.

“Është koha që WhatsApp të përgatitet për t’u larguar nga tregu rus”, ka thënë Anton Gorelkin, zëvendësudhëheqs i Komitetit të Dumas për Politika të Informacionit.

Aplikacioni në pronësi të gjigantit Meta pritet të shtohet në listën e aplikacioneve të ndaluara për shkak të lidhjeve me shtetet perëndimore, ka thënë ai.

Pas një dekreti të nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin më 2021, Qeveria ruse ka nisur të përpilojë një listë të “shteteve armiqësore”, duke përfshirë fillimisht Shtetet e Bashkuara dhe Republikën Çeke.

Lista është zgjeruar pas luftës në Ukrainë, duke e inkuadruar gjithë Bashkimin Evropian. Në qershor, Parlamenti rus e ka miratuar një ligj për krijim të një aplikacioni shtetëror për mesazhe.

Atëbotë është thënë se shërbimet qeveritare duhet të përfshihen në këtë aplikacion mesazhesh që mund të quhet Max.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, tre vjet më parë, Moska e ka rritur në mënyrë të konsiderueshme censurën dhe kontrollin mbi internetin.

Brenda agjencisë që e censuron internetin në Rusi

Të enjten, Parlamenti e ka miratuar një legjislacion të ri që e bën të dënueshëm me 64 dollarë çdo kërkim të përmbajtjes në internet, të cilën autoritetet e klasifikojnë si “ekstremiste”.

Platformat që i kritikojnë elitat përfshirë Fondacionin kundër Korrupsionit, të themeluar nga lideri i ndjerë opozitar, Aleksei Navalny, janë në mesin e faqeve të shënjestruara.

Deri më tani në Rusi nuk ka ekzistuar një rregullore që ndalon kërkimin e lirë të informacionit në internet, pasi shumë uebfaqe të mediave të pavarura dhe atyre perëndimore, janë të bllokuara. /REL

Donald Trump lumturohet për “pushimin nga puna” të gazetarit kritik me të

By: el da
18 July 2025 at 20:27

Presidenti Donald Trump ka gjetur kohë në ditën e tij të ngjeshur për të duartrokitur vendimin e CBS News për të mbyllur “The Late Show With Stephen Colbert” majin e ardhshëm.

“Më pëlqen shumë që Colbert u pushua nga puna,” shkroi Trump, raportojnë mediat e huaja. “Talenti i tij ishte edhe më i ulët se shikueshmëria e tij”, vijoi ai.

Colbert ka qenë një kritik i hershëm i Trump. CBS tha se shfaqja e tij u anulua për arsye financiare, jo për përmbajtjen e saj.

Megjithatë, koha e vendimit ka ngritur dyshime. Ky vendim vjen tre ditë pasi Colbert kritikoi një zgjidhje ligjore midis Trump dhe kompanisë mëmë të CBS, Paramount Global.

Colbert gjithashtu kritikoi marrëveshjen për bashkimin e pritur prej 8 miliardë dollarësh të Paramount me Skydance Media, i cili kërkon miratimin nga një komision federal i kryesuar nga një i emëruar nga Trump. Ai e quajti marrëveshjen një “ryshfet të madh”./e.t

Zgjedhjet e 11 majit/ Prokuroria e Elbasanit kërkon pamjet nga disa qendra votimi

By: el da
18 July 2025 at 20:14

Prokuroria e Elbasanit është duke kryer një hetim në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.

Prokuroria ka kërkuar nga KQZ që të marrë pamjet filmike të disa qendrave të votimeve në Qarkun e Elbasanit.

Ende nuk dihet saktësisht rasti të cilin po e heton prokuroria e Elbasanit./e.t

Nën “radarin” e disa klubeve evropiane, Barça insiston për rikthimin e Xavi Simons

By: Admin
18 July 2025 at 20:10

Barcelona ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e Xavi Simons, duke eksploruar mundësinë e transferimit të mesfushorit holandez në “Camp Nou”. 21-vjeçari aktualisht është i huazuar te RB Leipzig, nga klubi francez Paris Saint-Germain, dhe është lidhur me disa skuadra të mëdha evropiane.

Simons, që dikur ishte pjesë e akademisë së La Masias, ka shkëlqyer me paraqitjet e tij te PSV Eindhoven dhe RB Leipzig, duke rritur interesimin e Barcelonës për rikthimin e tij. RB Leipzig kërkon të paktën 70 milionë euro për të lënë të lirë lojtarin, një shumë që mund të jetë pengesë për një transferim të përhershëm.

Barça tentoi ta huazonte Simons edhe verën e kaluar, por marrëveshja nuk u arrit, por këtë herë, situata duket më premtuese. Lidhjet e klubit katalanas me agjentë të afërt me përfaqësuesit e lojtarit mund të ndihmojnë në përshpejtimin e bisedimeve. Darren Dein, një agjent me lidhje me Joan Laportën, përfaqëson Simons dhe pritet të luajë rol kyç në negociata, veçanërisht nëse opsioni i huazimit bëhet më i mundshëm nga një klauzolë që i jep lojtarit të drejtën të zgjedhë destinacionin./ D.C

200 euro për 2 shtretër dhe 1 çadër? Pothuaj secili turist do t’u tregojë gishtin e mesit

By: el da
18 July 2025 at 20:00

Edhe të tjerët kanë det: kryeministri kroat me dëshpërim apelon te operatorët turistikë dhe gastronomia për përgjegjësi në politikat e çmimeve. Gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” njoftoi se Shqipëria nuk është më e popullarizuar tek italianët siç ishte viteve të fundit. Në një plazh në Mal të Zi turistët s’mund të hyjnë pa paguar 200 euro. Përkundër rënies së fluksit të turistëve nga Italia, Shqipëria mbetet ende një vend shumë atraktiv për pushime – jo vetëm për shkak të çmimeve ende relativisht të ulëta, por edhe imazhit si “vend i paharxhuar”, që duhet të zbulohet (ose në shqipen e re: eksplorohet).

Nga Enver Robelli

Plazhe të bukura, plazhe të zbrazëta. Siç shkruajnë mediat kroate, në disa destinacione bregdetare çmimet për dy shtretër (ose në shqipen e re: shezlongë), çadra dielli dhe pije kanë arritur nivele marramendëse, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë pushimin për njerëzit me buxhet të kufizuar.

Në sezonin veror 2023, resorti luksoz Aman Sveti Stefan në Mal të Zi e kishte rezervuar të ashtuquajturin “Plazhi i Mbretëreshës” vetëm për klientët e vet, ndërsa në plazhin ngjitur – “Plazhi i Mbretit” – vizitorët e tjerë mund të hynin, por duhej të paguanin deri në 200 euro për një vend me dy shtretër dhe një çadër.

Situata është e ngjashme edhe këtë vit: në një pjesë të plazhit në Përzhno, që i përket hotelit Maestral, turistët e raportojnë të njëjtin çmim – 200 euro për dy shtretër dhe një çadër. Ky shërbim është falas vetëm për mysafirët e hotelit. Popullariteti i këtyre vendeve dëshmohet edhe nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale. 200 euro për dy shtretër dhe një çadër? Secili turist do t’ua tregojë gishtin e mesëm! Shumica nuk pjerdh në popullaritet të plazheve.

Edhe në Kroaci ka debate të zjarrta mbi çmimet, sidomos në bregdet. Ka turistë të huaj që thonë se do të mendojnë nëse do të kthehen sërish në këtë vend, të tjerët janë më të kujdesshëm me kritika.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i ka paralajmëruar operatorët turistikë dhe sektorin e gastronomisë të jenë të përgjegjshëm me çmimet. Ai ka thënë për mediat kroate se politika e çmimeve ndikon drejtpërdrejt edhe në inflacion dhe u ka bërë thirrje operatorëve turistikë që të jenë të arsyeshëm, sepse shumë turistë europianë e bazojnë zgjedhjen e destinacionit veror, duke i marrë parasysh edhe çmimet. “Nuk kemi vetëm ne det, kanë edhe të tjerët”, ka deklaruar Plenkoviq. Prandaj, vendimet për çmimet duhet të jenë të balancuara, në mënyrë që vizitorët të rikthehen edhe vitin tjetër. Kryeministri kroat tregoi se viti i kaluar ishte sezoni më i suksesshëm turistik për Kroacinë, me 21.7 milionë hyrje, 110 milionë qëndrime dhe 15 miliardë euro të ardhura nga turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të.

Në mediat sociale ka mjaft turistë që shprehen të habitur mbi çmimet në bregdet dhe në ishujt kroatë. Në profilin e njohur të Instagramit, WorldTraveler, janë publikuar disa video nga dyqanet në Kroaci, ku tregohen çmime shumë të larta për produkte të zakonshme. Për shembull, një krem kundër diellit kushton rreth 30 euro, një qese me çipsa më shumë se 4 euro dhe një çokollatë e vogël mbi 8 euro. Disa komentues shprehen të habitur se si kroatët arrijnë të mbijetojnë me rroga aq të ulëta.

Të premten edhe gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” njoftoi se Shqipëria nuk është më e popullarizuar te italianët siç ishte viteve të fundit. Interesimi i turistëve italianë për t’i kaluar pushimet në Shqipëri ka rënë ndjeshëm në vitin 2025, pas një periudhe trevjeçare kur bregdeti shqiptar tërhiqte gjithnjë e më shumë italianë falë çmimeve të lira dhe bukurive natyrore. Sipas agjencisë turistike “Goodays” në Bari, rezervimet për pushime në Shqipëri janë përgjysmuar krahasuar me tre vjet më parë.

Arsyeja kryesore është rritja e çmimeve në Shqipëri, që e ka prishur raportin dikur të favorshëm mes kostos dhe shërbimit. Ndërkohë, agjencia ka pasur më shumë sukses me udhëtime të organizuara drejt vendeve, si Egjipti, Dubai dhe Spanja. Imazhi i Shqipërisë si “vend i lirë” për pushime nuk qëndron më, shkruan e përditshmja nga bregu tjetër i Adriatikut. Shërbimet, transparenca e çmimeve dhe cilësia e ofertës turistike në Shqipëri kërkojnë ende përmirësim, gjë që e kanë vënë re edhe vetë udhëtarët, vazhdon gazeta.

Përkundër rënies së fluksit të turistëve nga Italia, Shqipëria mbetet ende një vend shumë atraktiv për pushime – jo vetëm për shkak të çmimeve ende relativisht të ulëta, por edhe imazhit si “vend i paharxhuar”, që duhet të zbulohet (ose në shqipen e re: eksplorohet)./e.t

Po kullotnin bagëtitë me nënën e tyre, mbyten dy vëllezër të mitur në lumin Shkumbin

By: el da
18 July 2025 at 19:44

Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Labinot-Fushë të Elbasanit, ku dy të mitur kanë humbur jetën pasi u mbytën në rrjedhën e lumit Shkumbin. Paraprakisht raportohet se të miturit ishin vëllezër 8 dhe 10 vjeç

Sipas informacioneve paraprake, fëmijët ndërsa ruanin bagëtitë së bashku me nënën e tyre kishin hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe mungesa e sigurisë bënë që ata të mos arrinin të dilnin më në breg.

Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës që mbërritën aty u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht, trupat e pajetë të të miturve u gjetën pak më vonë në një  kanal të lumit më poshtë.

Ngjarja ka tronditur gjithë zonën, ndërsa familjarët ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike të afërm e bashkëfshatarë të viktimave. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

 

 

Kjo është një tjetër ngjarje që ngre shqetësimin për sigurinë e fëmijëve pranë zonave ujore, veçanërisht gjatë stinës së verës, kur temperatura e lartë i shtyn të miturit të kërkojnë freski në lumenj apo rezervuarë pa mbikëqyrje./e.t

Çfarë fitojmë nga fatura e qumështit?

By: el da
18 July 2025 at 19:40

Fatos Çoçoli

Nga e hëna 14 korrik 2025, inspektorë të tatimeve, në bashkëpunim me punonjës të bashkisë dhe me policinë bashkiake, kanë nisur kontrollet në tregje, pika grumbullimi, baxho, dyqane dhe njësi shitjeje të produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Po kontrollojnë imtësisht tregjet e shitjes së produkteve të bulmetit dhe të mjaltit, duke kërkuar për çdo shitje nxjerrjen e faturës përkatëse tatimore. Kjo nismë, e ndërmarrë me urdhër të kryeministrit, është pjesë e fazës së re të luftës kundër informalitetit në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Deri tani, 90 përqind e qumështit që tregtohet tek ne shitet pa faturë. Qëllimi i nismës është të formalizojë aktivitetin ekonomik të fermerëve dhe bletarëve, të sigurojë transparencë për konsumatorin mbi origjinën dhe cilësinë e qumështit dhe mjaltit që blejmë, si dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përfitim nga skemat e subvencioneve (parave falas) shtetërore, për fermerët tanë që lëshojnë faturë, duke u regjistruar dhe duke marrë një NIPT (numër regjistrimi pranë organeve tatimore).

Informaliteti në qumështin dhe mjaltin e shitur

– Qumështi i shitur viti 2024              90%
– Mjalti i shitur viti 2024                    60%

Marrja e NIPT-it për fermerët bëhet shumë thjesht. Mjafton që ata të aplikojnë pranë drejtorisë rajonale të tatimeve të fshatit dhe rrethit të tij. Çdo fermer apo tregtar i produkteve ushqimore, që shet qumësht ose mjaltë, duhet të lëshojë faturë tatimore elektronike për çdo shitje, pavarësisht sasisë.

Mungesa e faturimit po ndëshkohet me gjoba dhe paralajmërime për pezullim aktiviteti për rastet e përsëritura. Shoqata të fermerëve kanë kërkuar më shumë informim dhe mbështetje teknike për procesin e fiskalizimit, duke kërkuar kohë adaptimi për fermerët e vegjël. Qeveria është shprehur se nuk ka kthim pas në zbatimin e ligjit dhe se do të ofrojë asistencë për ata që janë të gatshëm të formalizohen. Ministria e Financave ka folur për trajnime për fermerët dhe tregtarët e produkteve ushqimore, mbi përdorimin e sistemit të fiskalizimit dhe mënyrat e deklarimit të shitjeve të tyre. Këto trajnime duhet të fillojnë sa më shpejt, pasi nevoja për dije nga fermerët është e madhe.

Në këto dhjetë vitet e fundit, kemi humbur 700 mijë krerë bagëti të trasha(lopë) dhe të holla(dhen, dhi). Ose 35 përqind më pak tufa se në vitin 2015. Kjo duhet të na shqetësojë shumë. Nëse subvencioni për blegtorinë bëhet për njësi prodhimi, sikurse e permendi kryeministri, do të shohim rritje të fortë të prodhimit të qumështit, të numrit të krerëve bagëti  dhe të formalitetit në bujqësi.

Rënia drastikë e numrit të bagëtive tek ne
–  Numri i lopëve, dhenve dhe dhive në 2015                             2.4 milionë krerë
–   Numri i lopëve, dhenve dhe dhive në 2024                             1.7 milionë krerë (-35%)

Fatura tatimore për shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një instrument i rëndësishëm që sjell dobi konkrete për fermerët, bletarët, konsumatorët dhe shtetinPo cilat janë këto përfitime?

Së pari, bujqit, fermerët dhe bletërritësit do të mund të përfitojnë nga subvencionet (paratë falas) shtetërore dhe skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Deri tani, pa NIPT-in tatimor, nuk e kishin këtë mundësi.

Së dyti, fermerët që punojnë të formalizuar dhe lëshojnë faturë tatimore, do të mund të përfitojnë edhe nga programet e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian.

Së treti, me shitjen e produkteve ushqimore me faturë tatimore online, si konsumatorë përfitojmë nga një siguri më e madhe në treg. Ai fermer që ka menduar të shesë qumësht të skaduar apo me ujë, apo mjaltë që të tillë e ka vetëm emrin, me faturën që lëshon kapet shumë kollaj dhe ti si qytetar, po u ankove nga malli i blerë me këtë lloj mashtrimi, e gjen shumë kollaj mashtruesin. Fatura i bën të gjithë shitësit tanë ushqimorë më të disiplinuar dhe të përgjegjshëm për mallin që shesin dhe që ka të bëjë me jetën tonë.

Së katërti, me faturë dhe dokumentacion të rregullt, fermerët dhe bletarët mund të hyjnë më lehtë në kontrata me baxhot, pikat e grumbullimit dhe edhe me vetë supermerkatot e tregjet e mëdha, duke siguruar shitje të qëndrueshme.

Së pesti, formalizimi përmes faturës tatimore online për qumështin dhe mjaltin e shitur, i hap rrugën zhvillimit të mëtejshëm të biznesit për shitësit dhe grumbulluesit, për aplikim për kredi të buta, investime në pajisje moderne dhe për rritje të prodhimit.

Së gjashti, fatura tatimore barazon kushtet e lojës në treg, duke i mbrojtur të gjithë ata që e lëshojnë, nga konkurrenca e pandershme në treg.

Së shtati, si konsumatorë, kur blejmë me faturë na shtohet besimi në produktet vendase, pasi fatura për qumështin apo mjaltin që blejmë, është një lloj garancie se po marrim një produkt të kontrolluar dhe të çertifikuar.

Së teti, fatura që marrim na jep të drejtë si konsumatorë të ankohemi, të na kthehen paratë e shpenzuara, ose të fillojë një hetim nga organet ligjvënëse, në rast mashtrimi me çmimin apo me cilësinë.

Së nënti, mijëra faturat e lëshuara në qumështin apo mjaltin e blerë, na e zvogëlojnë ndjeshëm informalitetin në ekonominë tonë. Ato na japin të dhëna të sakta për politikat bujqësore. Këto të dhëna ndihmojnë qeverinë të hartojë politika më të drejta për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral.

Së dhjeti, ne, si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, e kemi detyrim të afrohemi me praktikat e Bashkimit Evropian në fiskalizim dhe siguri ushqimore. Faturimi i qumështit dhe mjaltit është një hap drejt integrimit dhe tregut të përbashkët europian.

Fatura për qumështin dhe mjaltin: mundësi, jo pengesë

Fatura tatimore për qumështin dhe mjaltin nuk është një pengesë, por një mundësi zhvillimi për ne. Nuk është një taksë shtesë për fermerët tanë, por një shans që ata të ndihmohen nga subvencionet e Shtetit. Ajo është një element themelor për ndërtimin e një tregu të drejtë, të sigurt dhe të formalizuar, ku prodhuesi përfiton më shumë, konsumatori blen më me siguri dhe shteti vepron më me drejtësi.

Zbatimi korrekt i faturës tatimore në shitjet e qumështit dhe mjaltit është një test për seriozitetin e Shtetit tonë, në raport me sektorin informal, si dhe një thirrje për vetëdijesim për fermerët tanë, në bujqësi dhe blegtori./e.t

Detyroi pilotët të bëjnë ulje emergjente, kush është i riu shqiptar që tmerroi udhëtarët

By: el da
18 July 2025 at 19:29

I riu në foto është 23-vjeçari shqiptar, Mario Nikprelaj i cili tashmë po përballet me drejtësinë amerikane pas një sherri me stjuardesën gjatë një fluturimi nga Omaha në Detroit dhe tentativës së tij për të hapur derën e avionit.

Shqiptari i cili tashmë akuzohet për sulm dhe ngacmim, detyroi pilotët të bëjnë një ulje emergjente duke devijuar në Aeroportin Lindor të Ajovës në Cedar Rapids, Ajova, sipas CNN.

“Më 17 korrik 2025, afërsisht në orën 6:13 pasdite, Policia e Cedar Rapids u dërgua në Aeroportin Lindor të Ajovës pas një shqetësimi gjatë fluturimit nga një pasagjer në një fluturim Skyëest nga Omaha në Detroit”, tha Departamenti i Policisë së Cedar Rapids.

Mbeten ende të paqarta motivet e sherrit të të riut shqiptar me sjuardesën ndërsa të tjera detaje pritet të publikohen në vijim./e.t

Pushime makthi për pasagjerët e një krociere, 140 persona të helmuar

By: el da
18 July 2025 at 18:50

Një udhëtim njëjavor turistik me anije nga Los Angeles drejt Meksikës është kthyer në një makth për 140 persona në bord. Sipas raportimeve, 134 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit janë prekur nga një virus gastrointestinal ende i paidentifikuar.

Kompania që menaxhon udhëtimin ka deklaruar se janë marrë masa të rrepta higjienike për të ndaluar përhapjen e sëmundjes, përfshirë dezinfektimin e ambienteve dhe izolimin e të prekurve. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore po zhvillojnë një hetim për të zbuluar burimin e infeksionit.

Ky është një nga 18 shpërthimet e tilla të raportuara në anije turistike vetëm këtë vit, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Shumica e rasteve të mëparshme kanë qenë të shkaktuara nga norovirusi, një virus shumë ngjitës që shkakton të vjella dhe diarre.

Fatmirësisht, nuk raportohet për rrezik jete, por udhëtimi i pushimeve është kthyer në një situatë emergjente shëndetësore për dhjetëra turistë./E.T

Ndizet një tjetër konflikt… për një shkëmb në mes të detit

By: el da
18 July 2025 at 18:40

Spanja dhe Maroku po përballen me një valë të re tensionesh politike dhe ushtarake në Ngushticën e Gjibraltarit, në sfondin e pretendimeve të përsëritura marokene për sovranitet mbi Ceutën, Melillën dhe territoret spanjollë në Afrikën e Veriut. Në qendër të kësaj krize ndodhet përsëri ishulli i pabanuar Perejil, përballë bregut të Tangerit, me rëndësi të lartë simbolike dhe strategjike.

Së fundmi, Maroku ka riaktivizuar Komitetin për Mbrojtjen e Kauzave të Mbretërisë, më parë i njohur si Komiteti për Çlirimin e Melillës dhe Ceutës, me qendër në Castillejos, pranë kufirit me Spanjën. Ky grup, që ka lidhje të drejtpërdrejta me shërbimet sekrete marokene, tentoi më 12 korrik të organizonte një takim simbolik në Perejil, por, sipas tyre, lëvizja dështoi për shkak të kushteve të këqija detare. Gjithsesi, publikuan foto me ishullin në sfond, duke përsëritur besnikërinë ndaj Mbretit Mohamed VI dhe pretendimet mbi territoret spanjolle.

Kjo lëvizje vjen pas një përkeqësimi të marrëdhënieve diplomatike, që nisi kur përfaqësuesi i Frontit Polisario mori pjesë në kongresin e Partisë Popullore në Spanjë. Si reagim, Rabati mbylli doganat tregtare në Ceutë dhe Melillë, dërgoi një letër politike drejtuar liderit të opozitës Feijóo dhe rihapi komitetin nacionalist.

Në përgjigje, Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes spanjolle ka shtuar në mënyrë të heshtur praninë ushtarake në rajon. Anija “Furor” është pozicionuar pranë shkëmbit Vélez de la Gomera dhe janë forcuar patrullimet në ishullin Alborán. Burime ushtarake spanjolle theksojnë se këto janë pjesë e operacioneve të rregullta, por “simbolizmi ka shumë rëndësi”. /E.T

VIDEO/ E pazakontë! E reja i jep lamtumirë burrit duke i kërcyer “twerk” para arkivolit!

By: el da
18 July 2025 at 18:30

Çdo person e përjeton pikëllimin në mënyrën e vet, por ajo që ndodhi në një funeral në Peru shkon përtej… të zakonshmes!

Në një video që po bën bujë në internet, një grua, në këtë rast e veja, kërcen pranë arkivolit të hapur të burrit të saj, me të pranishmit e tjerë që… brohorasin.

Videoja e çuditshme u ngarkua nga këngëtari El Cangri del Callao më 6 korrik, i cili shfaqet në një sallë të mbushur plot ndërsa një grua e re, e veshur me të zeza dhe që besohet të jetë e veja e të ndjerit,  bën “twerk”.

Videoja u bë shpejt virale dhe është parë mbi katër milionë herë në Instagram.

Një klip tjetër i postuar në llogarinë e këngëtarit në rrjetet sociale, që besohet të jetë nga i njëjti funeral, tregon gjashtë djem që lëkundin arkivolin dhe kërcejnë rreth tij në një dhomë. Njerëzit brohorasin ndërsa luhet muzikë reggaeton.

Edhe pse në shikim të parë mund të tingëllojë e pazakontë, madje kontradiktore, për El Cangri del Callao, ajo ka të bëjë me nderimin e të dashurve në një mënyrë të ndryshme.

Historia e El Cangri-t u shfaq madje edhe në televizionin kombëtar, duke nxjerrë në pah qasjen e tij unike dhe ndikimin që pati.

Siç e shpjegoi ai në emision, ai filloi të shfaqej nëpër festa, por pak nga pak, njerëzit që kishin humbur një të dashur po i kërkonin t’i ndihmonte të thoshin lamtumirë “në mënyrën e tyre”. Kështu lindi kthesa e tij e papritur artistike.

 

/E.T

Bankat përfitojnë nga kursi i Trump

By: el da
18 July 2025 at 18:20

Kur kompanitë hapin librat e tyre, fillon sezoni i fitimeve në tregun e aksioneve. Tradicionalisht, në SHBA, bankat janë të parat. Por pavarësisht rezultateve të mira, rreziqet janë gjithashtu të dukshme.

Kur tregu i aksioneve rritet e bie, bankat mbushin xhepat e tyre. Tre bankat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, JP Morgan Chase, Bank of America dhe Citigroup, kanë regjistruar rritje të fortë në operacionet tregtare në muajt e fundit.

Politika tarifore e Presidentit amerikan Donald Trump jo vetëm që gjeneron ankth, por edhe të ardhura të konsiderueshme për bankat. Luhatjet e tregut çojnë në vëllime të forta tregtare, të cilat u sjellin dobi bankave.

Dobësi ekonomike dhe shqetësime për kartat e kreditit

Situata e përgjithshme për bankat amerikane është e qëndrueshme. Lojtarët kryesorë shënuan fitime në miliona dollarë në tremujorin e fundit. Nuk ka shenja krize. Megjithatë, perspektiva për ekonominë amerikane është errësuar. Dobësia ekonomike mund të ndikojë edhe në bizneset e bankave.

“Për bankat amerikane, biznesi i kartave të kreditit është i rëndësishëm”, shpjegon Jarrid Klug i menaxherit të aseteve DWS. Kartat e kreditit janë kredi të pasigurta, kështu që ato mbartin rrezik. Nëse një klient humbet punën, një humbje është e zakonshme. Nëse, përveç kësaj, ekonomia ngadalësohet dhe papunësia rritet, ky do të ishte një faktor negativ.

Shqetësime rreth inflacionit dhe normave të interesit

Tani, vëmendja përqendrohet kryesisht në pyetjen: si do të ndikojë politika tarifore e qeverisë amerikane në ekonominë amerikane? Ekonomistët presin që çmimet të rriten ndjeshëm si rezultat i tarifave. Në qershor, kishte vetëm aludime për këtë. Megjithatë, sipas të dhënave të Departamentit të Punës të SHBA, inflacioni është rritur kohët e fundit, duke arritur në 2.7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Kjo zvogëlon hapësirën e manovrimit të Rezervës Federale për të ulur normat e interesit. Normat e larta të interesit dhe pasiguria e shtuar mund të ndikojnë në sjelljen e konsumatorit, dhe bankat e vënë re këtë kur klientët e tyre investojnë më pak.

Ky është edhe mendimi i analistit të tregut, Jochen Stanzl të CMC Markets. Sipas mendimit të tij, amerikanët mund të jenë më të pavullnetshëm për t’u angazhuar në shpenzime dhe eksperimente të mëdha. Ai e sheh këtë si një dobësi nga ana e bankave amerikane.

Reagimet e investuesve

Shqetësimi për ekonominë amerikane është bërë tashmë i dukshëm në tregjet financiare. Dollari po dobësohet dhe euroja është forcuar. Investuesit po ristrukturojnë fondet e tyre dhe po i vendosin ato, për shembull, në Evropë, gjë që i ka sjellë dobi edhe tregut gjerman të aksioneve.

Gjithashtu luajnë një rol shpresat se investimet shumëmiliardë dollarëshe të shpallura nga qeveria gjermane do të kenë ndikim pozitiv në ekonomi. Bankat evropiane mund të përfitojnë nga kjo në planin afatgjatë.

Një rreze shprese për bankat evropiane

Sipas mendimit të Stanzl-it, kjo përfaqëson një mundësi për bankat që të “përfitojnë nga kjo gjendje optimiste që ndihet aktualisht në tregun e aksioneve, në pritje të asaj që do të vijë”. Kjo do të çonte, ndër të tjera, në përmirësim në biznesin e huadhënies.

Megjithatë, një vështrim në bilancet e bankave zbulon se ende, edhe institucionet më të mëdha financiare evropiane, nuk mund të konkurrojnë me liderët e tregut amerikan. Pavarësisht pasigurisë së madhe që rrethon ekonominë amerikane, fuqia e bankave amerikane nuk ka gjasa të ndryshojë në plan afatshkurtër./ DW

“Eskortat në burg? Ç’ka këtu!”/ Avokati i Metës: Problemi korrupsioni, jo takimet intime

By: el da
18 July 2025 at 18:13

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i ka vënë kapakun debatit për takimet intime të të dënuarve, duke deklaruar se nuk ka asnjë problem nëse një i burgosur takohet me një eskortë. Sipas tij, kjo nuk është aspak e paligjshme, veçanërisht nëse i dënuari është beqar.

Në një intervistë për gazetaren Pranvera Borakaj, Cakrani hodhi dritë mbi realitetin tronditës të burgjeve shqiptare: mungesë ushqimi, mbipopullim, mungesë arsimimi dhe korrupsion i përhapur në çdo cep të sistemit. “Të dënuarit nuk marrin ditët e tyre nëse nuk paguajnë juristët. Ç’është kjo drejtësi?” – u shpreh ai.

Lidhur me klientin e tij, Ilir Meta, Cakrani tha se nuk di nëse i është bërë kontroll blic, por shtoi me ironi: “Metën e trajtojnë si të panjohur, edhe sikur ta kenë kontrolluar, nuk do çuditesha.”
Ai gjithashtu sqaroi se Meta rri i izoluar në qelinë e tij, ushqehet me produkte që i sjellin familjarët dhe ka të drejtë për 4 takime në muaj, ndonëse edhe këto, sipas avokatit, manipulohen nga administrata për qëllime të tjera.

Në fund, Cakrani ishte i prerë: “Në vend që të merremi me hallet e të burgosurve, merremi me Laert Haxhiun dhe ç’vajzë e ka vizituar. Mjaft me hipokrizi.”/E.T

Gjigandi i qiellit “Antonov” fluturon fshehurazi nga Ukraina, revoltë në Moskë

By: el da
18 July 2025 at 18:05

Një operacion masiv, nën radar, bëri që një nga avionët më të mëdhenj të transportit në botë, Antonov AN-124, me kodin UR-82073, të fluturonte nga kryeqyteti ukrainas në Leipzig të Gjermanisë.

Një fluturim i heshtur me një ndikim të fuqishëm politik dhe simbolik, ai zuri në befasi jo vetëm opinionin publik ndërkombëtar, por veçanërisht Kremlinin.

Avioni ishte i bllokuar në Ukrainë që nga 24 shkurti 2022, fillimi i pushtimit rus. Që atëherë, hapësira ajrore ukrainase ka qenë praktikisht e mbyllur për fluturime civile, me përjashtime të rralla të dhëna për operacione ushtarake ose humanitare.

Kolosi i qiellit, i projektuar gjatë epokës sovjetike, i është nënshtruar një procesi të plotë modernizimi që filloi në vitin 2021, siç konfirmohet nga vetë kompania Antonov. Gjatë viteve, teknikët dhe inxhinierët kanë punuar në kushte sfiduese për të rikthyer AN-124 në gjendje fluturimi, duke zëvendësuar shumë komponentë të prodhuar në Rusi me ekuivalentë perëndimorë.

Një zgjedhje teknike dhe strategjike, pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për t’u çliruar gradualisht nga varësia teknologjike nga Moska.

“Jemi të kënaqur të njoftojmë se, pas një procesi të gjatë dhe kompleks modernizimi, avioni është gati të rifillojë shërbimin në rrugët ndërkombëtare në dobi të Ukrainës”, shkroi kompania në një postim në Facebook.

Reagimi i Rusisë ishte i shpejtë. Sipas burimeve pranë Kremlinit, ngritja e AN-124 në fluturim përbënte “një provokim të drejtpërdrejtë”, veçanërisht pasi avioni u largua nga vendi pa u kapur ose zbuluar nga autoritetet ruse, pavarësisht nivelit të mbikëqyrjes së hapësirës ajrore në rajon./e.t

Një shqiptare emërohet në krye të Sekretariatit të CEFTA-s, reagon Rama: Moment krenarie!

By: el da
18 July 2025 at 18:00

Shqiptarja Pranvera Kastrati është emëruar në postin e rëndësishëm të Drejtoreshës së re të Sekretariatit të CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore).

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se ky është një moment krenarie për të gjithë.

Rama shkruan gjithashtu se “tashmë një përfaqësuese e Shqipërisë do të punojë në mënyrë efektive me të gjitha palët për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta drejt integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimit të integrimit me Tregun e Vetëm të BE-së”.

Postimi i Ramës:

Një moment krenarie për të gjithë, emërimi i shqiptares Pranvera Kastrati, në postin e rëndësishëm të Drejtoreshës së re të Sekretariatit të CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore)

Tashmë një përfaqësuese e Shqipërisë do të punojë në mënyrë efektive me të gjitha palët për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta drejt integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimit të integrimit me Tregun e Vetëm të BE-së./e.t

Luçiano Boçi i shqetësuar: Rama po na josh dhe merr njerëzit tanë!

By: el da
18 July 2025 at 17:53

Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi tha në studion e MCN se ikja e Genc Deromemajt në Vlorë i shqetëson dhe i lë një shije të hidhur demokratëve.

“Rama është cinik, diversionist, goditës në njërin krah me elementët e tjerë politik dhe joshës në krahun tjetër.

I lë njerëzit në kufijtë e ekzistencës dhe bën njeriun e mirë që nuk është aspak i tillë. Që shkojnë njerëz atje, është e drejta e tyre.

Kur kemi zgjedhur të jemi në politikë, kemi marrë përsipër që mund të jemi dhe përballë situata të vështira. Kemi njeriu kapërcen marrëveshjen me veten, është çështje personale.

Na shqetëson, nuk na pëlqen, krijon shije të hidhur (ika e Deromemajt). Por politika është dikush del dikush hyn, dikush e ndërpret kontributin e tij zëvendësohet nga dikush tjetër. Natyra e urren boshllëkun. E plotëson”, tha ai.

Boçi tha se do të behët një analizë në çdo qark për përgjegjësinë e çdo drejtuesi politik.

“Ne kemi pas një grabitje industriale të votës dhe brenda kësaj grabitjeje që nuk mund të jepte rezultat të ndryshëm në asnjë rrethanë, sot pas kësaj, pasi pranohet kjo dhe publikisht, po, një analizë në çdo qark do të bëhet për përgjegjësinë e çdo drejtuesi politik.

Është PD, që ka përvojën dhe modalitet dhe mekanizmat  për të sjellë një frymë të re. Janë krej natyrale”, tha ai.

Boçi tha se aksioni në Theth ka të bëjë me largimin e vëmendjes nga problemet kryesore që ka vendi dhe zgjedhjet e 11 majit.

Sipas Boçit, se ndërhyrja në Theth ka dhe rrafsh politik.

“Ndoshta ka të bëjë me largimin e vëmendjes nga problemet kryesore që ka politika, shoqëria dhe ekonomia. Problemi kryesor ka të bëjë me procesin zgjedhor të 11 majit. Është goditje për të tërhequr vëmendjen e Ramës. Rama kërkon të rikrijojë veten, ka pikëpyetje të madhe.

Doli në një situatë pothuajse lufte kundër ndërtimeve pa leje. Këto ndërtime janë ndërtuar gjatë qeverisjes së tij. Kemi Ramën kundër Ramës. Kërkon të rikrijojë veten se është bërë i bezdisur për mënyrën si drejton vendin. Ndërhyrja ka rrafsh politik. Berisha e ka përmendur. Se u nis nga Thethi, në Theth kemi triumf të PD-së.

Ndërtime pa leje ka në qendër të Tiranës. Kullat kanë shtuar kate të tëra.

Rama ishte ai që nuk dinte çfarë bënin ministrat e tij, tani nuk di as çfarë bëjnë administratorët, apo qeveritarët e vogël. Kur nuk e di pse bën si ‘i bukuri shejtan’? Çfarë është ky lloj sistemi që është prekur me këtë lloj qeverisjeje dhe regjimi të tij.

Nuk ka mbështetje popullore të qytetarëve, por mekanizma për të të rrëmbyer votën.

Kemi një shoqëri ku elitat flenë, ata që duhet të jenë zë publik heshtin. Referenca duhet të jetë e mira publike dhe e vërteta”, tha ai.//e.t

Rama: Në fund të dekadës, Shqipëria të mos përdorë cash

By: el da
18 July 2025 at 17:43

Qeveria Shqiptare synon që në fund të dekadës, vendi ynë të mos përdorë para cash, por transaksionet financiare të jenë të gjitha dixhitale.

Në takimin me përfaqësuesit e teknologjisë që u zhvillua në Berat, Edi Rama tha se duhet ende sensibilizim për këtë pjesë.

“Në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë vetëm me cash, që gjithë transaksionet financiare të jenë dixhitale. Për këtë na duhet sforco e madhe, na duhet goxha sensibizilim. Teknologjia nuk mungon. Besoj që nëse do dimë ta bëjmë si duhet vizatimin e rrugës që do dimë të ecim, kjo është e realizueshme dhe do çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”, deklaroi Kryeministri Edi Rama./e.t

23-vjeçari shqiptar sherr me asistenten e fluturimit, avioni bën ulje emergjente (Emri)

By: el da
18 July 2025 at 17:33

Një aeroplan që fluturonte nga Omaha për në Detroit u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një pasagjer shqiptar u përpoq të hapte njërën nga dyert.

Fluturimi 3612 i Delta Connection, i operuar nga SkyWest Airlines, u detyrua të devijonte në Aeroportin Lindor të Ajovës në Cedar Rapids, Ajova, sipas CNN.

Mario Nikprelaj, 23 vjeç, nga Nebraska, siç u identifikua, dyshohet se ishte grindur më parë me një asistente fluturimi dhe ishte përpjekur të hapte një derë daljeje emergjence.

“Më 17 korrik 2025, afërsisht në orën 6:13 pasdite, Policia e Cedar Rapids u dërgua në Aeroportin Lindor të Ajovës pas një shqetësimi gjatë fluturimit nga një pasagjer në një fluturim SkyWest nga Omaha në Detroit”, tha Departamenti i Policisë së Cedar Rapids në Facebook.

Nikprelaj u dërgua në Qendrën Korrektuese të Qarkut Linn dhe u akuzua për sjellje të çrregullt, sulm, posedim të barnave me recetë dhe ngacmim të shkallës së parë, me akuza të tjera që nuk përjashtohen.

Aeroplani përfundimisht u ul në destinacionin e tij në Detroit, gati një orë e gjysmë më vonë se sa ishte planifikuar, sipas Flight Aware./E.T

❌
❌