Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Opinion.al

Qarkullonte me municion luftarak në automjet, arrestohet 44-vjeçari në Vlorë

By: b b
24 July 2025 at 11:55

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 44-vjeçar, pasi qarkullonte me armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, në automjet.

Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Blerimas”, Delvinë, ndërkohë që qarkullonte me një automjet tip “Toyota”.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë.

“Në vijim të kontrolleve intensive të ndërmarra nga strukturat e komisariateve të Policisë Sarandë dhe Delvinë me mbështetjen dhe të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me fokus të veçantë qytetet e Sarandës dhe Delvinës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e shtetasve në kërkim dhe kontrollin e shtetasve me precedent penal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Ngarkesa”.

Gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

E. S., 44 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Blerimas”, Delvinë, ndërkohë që qarkullonte me një automjet tip “Toyota”. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Zgjedhjet në Elbasan nuk përsëriten, Kolegji rrëzon PD

By: e xh
24 July 2025 at 11:45

“Nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në Elbasan”. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot, 24 korrik, ankimimin e Partisë Demokratike për pavlefshmëri të procesit të 11 majit, duke vulosur kështu rezultatin përfundimtar të këtij qarku.

Vendimi u mor pas hapjes së kutive në dy bashki, Gramsh dhe Peqin, aty ku PD kishte depozituar pretendime për manipulim dhe parregullsi të rënda, duke folur madje për një “tren bullgar” me vota të fabrikuara.

Megjithatë, pas verifikimeve, Kolegji nuk konstatoi shkelje që të çonin në rrëzimin e rezultatit. Ndërkohë, sot pritet të shqyrtohen në Kolegj edhe ankesat për qarkun e Durrësit dhe Fierit.

Mandatet në Tiranë, të certifikuara zyrtarisht nga KQZ

Kujtojmë se dje, 23 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi tabelën përmbledhëse për qarkun e Tiranës, duke zyrtarizuar shpërndarjen e mandateve.

-Partia Socialiste 19 mandate

-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (koalicioni me PD-në) 13 mandate

-Partia Mundësia 1 mandat

-Nisma “Shqipëria Bëhet” 1 mandat

–Lëvizja Bashkë 1 mandat

Me vendimin për Elbasanin dhe certifikimin e mandateve për Tiranën, procesi pas zgjedhor po shkon drejt fundit, ndërsa priten vetëm vendimet e Kolegjit për Durrësin dhe Fierin./tvklan.al

 

Po transportonte pacientin, ambulanca përplaset me makinën te Ura e Kardhiqit

By: b b
24 July 2025 at 11:41

Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme, në urën e Kardhiqit, ku tre persona kanë mbetur të plagosur.

Sipas tvklan bëhet me dije se të plagosur kanë mbetur drejtuesi i ambulancës, shtetasi Gj. Sh., pacienti, shoqëruesja dhe infermierja.

Gjithashtu mësohet se të plagosur kanë mbetur edhe shoferi i mjetit tjetër dhe pasagjerja që udhëtonte me të.

Të dëmtuarit ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasi I.M. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkohë që të dëmtuarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e shkakut të aksidentit.

“Antikorrupsioni”/Xhafaj:Dorëzohen në Kuvend 2 dokumente bazë të punës së Komisionit

By: e xh
24 July 2025 at 11:38

Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, mbajti sot një konferencë për mediat në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni, si dhe bëri një bilanc të punës së realizuar deri më tani.

Kreu i komisionit Xhafaj theksoi se ky Komision i Posaçëm e ka përmbushur qëllimin e ngritjes së tij ndonëse pati një mandat të kufizuar me vetëm 14 muaj dhe me periudhën elektorale në mes.

Në konferencën për mediat, Xhafaj nënvizoi se janë hartuar dy dokumente të rëndësishme kombëtare gjatë kohës së punës së komisionit, ku sipas tij i pari është dokumenti analitik me 700 faqe dhe i dyti Plani Kombëtar i Veprimit që do t’i shërbejnë qëllimit për negociatat e Shqipërisë me BE dhe integrimin e vendit.

 “Përgjatë këtyre 14 muajve komisioni ka përmbyllur dy fazat e para të tij dhe i ka dorëzuar Kuvendit dy dokumente parlamentare bazë: Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit.

Dokumenti Analitik për të tre fushat; Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit, është një dokument me 709 faqe dhe trajton të gjitha aspektet në 18 kapituj. Struktura e analizës është e organizuar në mënyrë të tillë që për çdo çështje të ofrohet një pasqyrë e situatës aktuale, duke shqyrtuar masat ligjore dhe institucionale të zbatuara. Për përgatitjen e kësaj analize, ekspertët e nivelit të lartë kanë skanuar dhe analizuar mbi 15.000 faqe dokumente, analiza e raporte të ndryshme.

Plani Kombëtar i Veprimit është një dokument që përcakton masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, të cilat synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Plani Kombëtar i Veprimit përmban 56 fusha tematike të cilat adresojnë çështjet kryesore me 238 masa konkrete, nga të cilat 78 janë nisma ligjore dhe 160 masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm parlamentar, produkt i punës së komisionit. Ndërkohë që kemi hapur rrugën edhe për zbatimin e masave ligjore dhe institucionale të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit.

Ashtu siç bëmë jo më larg se dje në diskutimin dhe konsultimin publik të dy projektligjeve si masa institucionale të propozuara në Planin Kombëtar të veprimit të shtyllës antikorrupsion dhe siç do bëjmë me procesin që pason. Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit të miratuar e të publikuar në faqen e komisionit, përbëjnë dokumente parlamentare me rëndësi dhe janë pjesë e përgjegjësive dhe angazhimit të strukturave të Kuvendit në fushat respektive”, tha Xhafaj.

Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion mbyll mandatin 14-mujor/Xhafaj:Përmbushi qëllimin

By: b b
24 July 2025 at 11:34

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj ka dalë sot në një konferencë për mediat në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni.

Gjatë fjalës së tij, ai bëri një bilanc të punës së realizuar deri më tani, ku theksoi se Komisioni ka funksionuar me transparencë dhe e ka përmbushur qëllimin e tij.

Sipas tij, komisioni ka pasur në fokus tri sfida thelbësore: zhvillimin, mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e sundimit të ligjit.

“Komisioni me dokumentat e hartuara dhe të miratuara adresoi një sërë poblematikash dhe vendosi piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqëverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit ,thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumentave qartësoi përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vetë Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi.

Gjithë ky proces i ndërtuar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë: Gjithëpërfshirja, Transparenca, Profesionalizmi dhe Standardet më të mira ndërkombëtare.

Synimi kryesor i komisionit ka qënë dhe besoj se ja kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvehte dhe veçanërisht dokumentat që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarte europiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese”, tha Xhafaj.

Asnjë i mbijetuar/Rrëzohet avioni në Rusi me 49 persona në bord, 5 prej tyre fëmijë

By: e xh
24 July 2025 at 11:19

Rrëzohet në rajonin lindor të Amurit, një avion pasagjerësh rus me 49 persona në bord, ku raportohet se nuk ka të mbijetuar.

Siç thonë agjencitë lokale, avioni i tipit An-24, i operuar nga kompania ajrore siberiane Angara, ishte nisur nga qyteti Blagoveshchensk, pranë kufirit me Kinën, dhe ishte drejtuar drejt qytetit Tynda, kur humbi kontaktin me kullën e kontrollit.

Përveç anëtarëve të ekuipazhit, pasagjerëve, në bord ndodheshin edhe 5 fëmijë.

“Janë angazhuar të gjitha forcat dhe mjetet e nevojshme për kërkimin e avionit”, bëri të ditur guvernatori rajonal Vasily Orlov në platformën Telegram.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, të gjithë personat në bord kanë humbur jetën. Dyshohet se shkaku i aksidentit ka qenë një gabim gjatë uljes në kushte të vështira të dukshmërisë.

Zyrtarët e emergjencave thanë se një helikopter shpëtimi ka zbuluar trupin e djegur të avionit, ndërsa autoritetet lokale kishin raportuar më herët se avioni ishte zhdukur nga radarët vetëm disa kilometra larg destinacionit të tij.

Ndërkohë, agjencia ruse SHOT raportoi se kontakti me avionin është humbur në një distancë të shkurtër nga aeroporti i Tyndës. Ministria e emergjencave në rajon dha një numër disi më të ulët për personat në bord, duke e vlerësuar atë rreth 40. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim.

Rritet dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, vajzat më të prekura

By: b b
24 July 2025 at 11:16

Dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri ka shënuar një rritje alarmante gjatë vitit 2024.

Të paktën sipas Raportit Kombëtar për Sigurinë në Internet për Fëmijët dhe të Rinjtë, të publikuar pak ditë më parë, nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt (iSIGURT.al).

Raporti zbulon se në periudhën nga janari deri në dhjetor të vitit 2024, janë evidentuar 407 incidente serioze, që përbëjnë një rritje prej 67% krahasuar me vitin e mëparshëm. Kjo është një shifër shqetësuese që nxjerr në pah rreziqet në rritje me të cilat përballen fëmijët në hapësirën dixhitale.

Tirana, si qarku më i madh dhe më i urbanizuar, mban vendin e parë për numrin e raportimeve, me 48% të rasteve, e ndjekur nga Durrësi dhe Kukësi. Ndërkohë, vajzat dhe gratë rezultojnë si viktimat më të shpeshta të dhunës digjitale, me 62% të raportimeve, ndërsa 34% vijnë nga djemtë dhe në 4% të rasteve gjinia nuk është deklaruar.

Grupmosha më e prekur është ajo 15–18 vjeç, që përbën 43% të totalit të raportimeve, e ndjekur nga të rinjtë 19–24 vjeç. Për herë të parë, janë regjistruar edhe 4 raste nga fëmijë 6–10 vjeç, të cilët më parë nuk kishin raportuar incidente, me shumicën e viktimave sërish vajza.

Incidentet më të zakonshme përfshijnë kërcënime, përndjekje dhe shantazh online, që përbëjnë rrezikun kryesor për fëmijët dhe të rinjtë. Pas tyre renditen bullizmi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale.

TikTok rezulton të jetë platforma me numrin më të madh të incidenteve të raportuara (209 raste), e ndjekur nga Facebook dhe Instagram. Megjithatë, raporti vlerëson se TikTok ka reaguar me efikasitet, duke mbyllur ose bllokuar shumicën e faqeve problematike brenda një kohe të shkurtër.

Raporti thekson gjithashtu nevojën për forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve online, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit tek fëmijët, të rinjtë dhe prindërit në lidhje me rreziqet e hapësirës digjitale.

Publikimi i raportit u bë i mundur me mbështetjen e nismës netSMARTkids Shqipëri, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe CRCA-ECPAT Shqipëri, në partneritet me ALO 116 Shqipëri dhe iSIGURT.al./tvklan

Berat/Prostitucion në banesën e marrë me qira, arrestohen 2 shtetaset e huaja dhe…

By: b b
24 July 2025 at 11:01

Prokuroria njofton se janë vënë në pranga dy shtetase të huaja nga Vietnami dhe pronari i banesës me qera në Berat, në të cilën ushtronin prostitucion.

Mësohet se është arrestuar shtetasi Xh. S., 31-vjeç, i cili rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja” mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Vjedhja”.

Vietnamezet me iniciale Th. D., 39 vjeçe dhe Th.(Th.) D., 39 vjeçe, dhe pronari i banesës u arrestuan me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprën penale “Prostitucioni”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Ushtronin prostitucion në banesën e marë me qera, me kërkesë së Prokurorisë Berat arrestohen 2 shtetaset vietnameze dhe pronari i banesës

Tre persona, dy shtetase vietnameze dhe shtetasi shqiptar Xh.S. u arrestuan me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprën penale “Prostitucioni” parashikuar në nenin 113 të Kodit Penal dhe për veprat penale parashikuar nga neni 115 dhe 300 i K.Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.370, të vitit 2025, rezultoi se të implikuar në këtë veprimtari kriminale janë disa shtetase të huaja të cilat janë organizuar nga një person në qytetin e Beratit ende i paidentifikuar. Shtetaset në fjalë, deklaruan se kishin ardhur për turizëm  por me pas duke pasur nevojë për më shumë para për biletën e kthimit, vendosën të kryejnë këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Shtetaset e huaja ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës në një  apartament me qera të rezervuar nga “Airbnb” dhe kishin edhe një faqe ë eb me numrat e tyre të kontaktit shërbimet që ofronin.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në bashkëpunim me në bashkëpunim me Drejtorine Vendore te Policise Berat, arriti të zbulojë vendndodhjen dhe aktivitetin e paligjshëm.

Pas kontrollit të apartamentit në posedim nga shtetasi Xh.S., u konstatuan valuta të huaja dhe para shqiptare.

“Pas lirimit nga zaptimet e paligjshme”/ Rama: Në Qeparo, çadra falas për pushuesit

By: e xh
24 July 2025 at 10:55

Autoritetet qeveritare po ndërmarrin aksion për lirimin e hapësirave publike përfshirë këto edhe ne zonat bregdetare. Konkretisht, policia dhe autoritetet e tjera po punojnë për lirimin e plazheve që janë zënë në mënyrë të paligjshme.

Kryeministri Rama, pak më parë ndau me ndjekësit e tij në “Facebook” pamjet nga plazhi i Qeparoit.

Sipas kreut të qeverisë në Qeparo, tashmë pas lirimit nga zaptimet e paligjshme, Bashkia Himarë ka vendosur çadrat që do të jenë falas për të gjithë pushuesit.

“Qeparoi, pas lirimit nga zaptimet e paligjshme, ku Bashkia Himarë ka vendosur tani çadrat që do të jenë falas për të gjithë pushuesit”, shkruan kryeministri Rama.

Këto ditë kryeministri ka publikuar pamje nga zona të ndryshme bregdetare.

“Me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, agjencitë rajonale dhe strukturat e tjera, jemi çdo ditë në terren, për të monitoruar garantimin e një sezoni turistik të pastër, të rregullt dhe respektim të parcelave publike siç parashikohet në rregulloren e re të menaxhimit të plazheve, ku dyfishimi i aksesit në plazhet publike, shton edhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen, pastrimin dhe modelin qytetar në respektimin e hapësirave të përbashkëta

Sarandë, Zvërnec, Darzezë, Radhimë, Ksamil, Livadh, Velipojë, Golem, Spille, Golem dhe Gjiri i Lalzit”, shkroi Rama disa ditë më parë./opinion.al

Tirana mirëpret Walk21, konferencën botërore për ecjen për herë të parë në Ballkan

By: b b
24 July 2025 at 10:51

Pas Londrës, Nju Jorkut, Hong Kongut e Sidneit, konferenca Walk21 vjen për herë të parë në Ballkan.

Nga data 6-10 Tetor, kryeqyteti shqiptar do të jetë mikpritës i edicionit të 25-të Walk21 Tirana, konferenca më e madhe ndërkombëtare kushtuar ecjes dhe komuniteteve të jetueshme, organizuar nga Bashkia e Tiranës, në partneritet me GIZ dhe Walk21 Foundation.

Tirana i bashkohet kështu rrjetit të qyteteve që po udhëheqin lëvizjen globale për më shumë ecje dhe më pak ndotje.

Konferenca do të mbledhë në Tiranë më shumë se 500 pjesëmarrës nga mbi 50 shtete, urbanistë, drejtues politikash, ekspertë të transportit, studiues, aktivistë dhe përfaqësues të qeverive vendore për të diskutuar mbi mënyrat si qytetet mund të bëhen më miqësore për këmbësorët dhe më të shëndetshme.

Tirana është përzgjedhur si qytet mikpritës falë kulturës së fortë të ecjes.

“Xhiroja” e mbrëmjes, si traditë e përbashkët e brezave, por edhe fakti që mbi 75% e qytetarëve ecin çdo ditë për të arritur në destinacion, e kanë bërë kryeqytetin shqiptar shembull të rrallë për jetesën urbane aktive në Europë.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë në vitet e fundit një sërë nismash për të transformuar hapësirat publike, duke i dhënë prioritet këmbësorëve, duke shtuar hapësirat e gjelbra dhe vendet ku komuniteti mund të ndërveprojë.

Projektet me impakt më të lartë për këmbësorët kanë qenë projekti i sheshit Skënderbej, Pazarit të Ri, Bulevardit “Zogu i parë“ dhe Bulevardit të ri, Sheshit “Italia” dhe rrugët për fëmijë në shkollat “Edit Durham” e “Gustav Mayer”, ndër të tjera.

Këto projekte kanë qenë përgjigje e kërkesave të mbi 8000 banorëve çdo vit, për përmirësime në përvojën e ecjes.

Gjatë konferencës, modeli urban i Tiranës do të prezantohet krahas praktikave frymëzuese të qyteteve të tjera, si Bratislava, Parisi, Vjena, Londra, Nju Jorku e më tej.

Të interesuarit për pjesëmarrje në konferencë mund të regjistrohen këtu: https://walk21.tirana.al/

Made for Germany:Gjigantët ekonomikë bashkohen për investime

By: e xh
24 July 2025 at 09:59

Jo “Made in Germany”, por “Made for Germany”- Gjigantë të ekonomisë bashkohen e premtojnë investime miliardëshe në Gjermani.

Ekonomia është gjithmonë pak psikologji. Kjo u pa edhe në samitin e fundit për investime, të mbajtur me kancelarin, Friedrich Merz, sepse kur kompanitë janë të sigurta se do të ecin mirë në të ardhmen, ato investojnë seriozisht. Nëse perspektiva duket e zymtë, ata i frenojnë investimet e tyre.

Kriza ekonomike prej disa vitesh

Pandemia e koronavirusit dhe problemet ndërkombëtare të furnizimit, lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe inflacioni, ngadalësimi i ekonomisë kineze – të gjitha këto e kanë goditur rëndë ekonominë gjermane të orientuar drejt eksportit. Gjermania ka qenë në recesion që atëherë.

Statistikat nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në vendet e industrializuara tregojnë se Gjermania do të ketë përsëri normën më të ulët të investimeve midis të gjithë 38 anëtarëve në vitin 2024.

631 miliardë euro premtim investimesh – Made For Germany

Por kjo gjendje tani pritet të ndryshojë. Të paktën sipas premtimit të krerëve të kompanive kryesore që operojnë në Gjermani. 61 prej tyre, përfshirë Rheinmetall, SAP, Volkswagen, BMW, Mercedes, Airbus, bursën gjermane – por edhe gjigantët amerikanë si Nvidia, BlackRock dhe Blackstone  po bashkojnë forcat në një iniciativë të quajtur “Made for Germany”.

Emri nuk u zgjodh rastësisht: ai kujton vulën e famshme gjermane të cilësisë “Made in Germany”. Së bashku gjigantët ekonomikë planifikojnë të investojnë 631 miliardë euro në Gjermani gjatë tre viteve të ardhshme – në mjedise prodhimi, makineri dhe pajisje, si dhe në kërkim dhe zhvillim. “Ne duam rritje ekonomike, duam të forcojmë konkurrueshmërinë e Gjermanisë, duam të mbrojmë dhe zgjerojmë avantazhin tonë teknologjik”, tha njëri nga dy iniciatorët, shefi i Siemens, Roland Busch, pas një takimi me biznesmenë dhe politikanë nga qeveria gjermane në Kancelari në Berlin.

Merz: “Gjermania është kthyer”

Sa i përket rëndësisë ekonomike, këto 61 kompani përfaqësojnë rreth një të tretën e ekonomisë gjermane. Christian Zewing, kreu i Deutsche Bank dhe një tjetër iniciator i iniciativës, supozon se më shumë kompani do t’u bashkohen atyre.

Qëllimi i përbashkët është që Gjermania të bëhet përsëri një “motor rritjeje për një Evropë të fortë”. “Rrallë ka pasur mundësi më të mira se tani – investitorët dhe kompanitë ndërkombëtare janë të gatshme të investojnë në ekonominë tonë. Ata e vlerësojnë Gjermaninë si një partner të qëndrueshëm dhe të besueshëm, veçanërisht në këto kohë të paqëndrueshme”, tha Zewing.

Politikanët janë të kënaqur. “Gjermania është rikthyer, ia vlen të investohet përsëri në Gjermani”, tha kancelari Friedrich Merz (CDU) pas takimit. “Po përballemi me një nga iniciativat më të mëdha të investimeve në dekadat e fundit. Nuk jemi një ekonomi e së kaluarës, por e së tashmes dhe mbi të gjitha e së ardhmes.”

Nga erdhi ky ndryshim i disponimit?

Atmosfera në samitin e biznesit me kancelarin ishte e shkëlqyer. “Patëm një shkëmbim të shkëlqyer pikëpamjesh”, përmblodhi Christian Zewing. Por nga erdhi kthes? Gjermania aktualisht është ende në vështirësi ekonomike dhe po përballet me një vit të tretë radhazi pa rritje ekonomike. Po t’i shtohet kësaj edhe politika kërcënuese tarifore e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, perspektivat janë gjithçka tjetër përveçse të mira.

Megjithatë, kursi politik tani është qartësisht i ndryshëm. Rigjallërimi i ekonomisë është përsëri përparësia absolute e qeverisë së re federale. Që nga fillimi i majit, koalicioni i partive konservatore, CDU/CSU dhe Socialdemokratët po ndërmarrin hapa konkretë. Hapat e parë janë ndërmarrë tashmë – Gjermania do të marrë borxhe të mëdha.

Bundestagu dhe Bundesrati e kanë miratuar një fond të posaçëm prej 500 miliardë eurosh, të destinuar për investime shtesë shtetërore në infrastrukturë dhe mbrojtje të klimës. Kjo përfshin investime në rinovimin e rrugëve të rrënuara, rrjetet e energjisë, dixhitalizimin dhe kërkimin.

Çmimi i energjisë elektrike për industrinë do të ulet dhe ekonomia do të lehtësohet ndjeshëm nga barra e saj tatimore. Para së gjithash, duke bërë investime në impiantet e prodhimit, makineritë, uzina, si dhe në kërkim dhe zhvillim, të cilat njihen kryesisht gjatë llogaritjes së taksave. Në afat të mesëm, është planifikuar gjithashtu një ulje e përhershme e disa taksave për kompanitë. Pikërisht këtë i ka kërkuar ekonomia qeverisë së mëparshme, të përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP, por pa sukses. Qeveria e tanishme ka premtuar se do të ndryshojë politikat e ky ndryshim ka filluar.

Një afrim i ri midis politikës dhe biznesit

“Sot kemi filluar një formë të re bashkëpunimi”, tha shefi i Siemens, Roland Busch. “Biseda tregoi se politika dhe biznesi po lëvizin në të njëjtin drejtim.” Kreu i Deutsche Bank, Christian Zewing, shtoi: “Mendoj se kemi një qeveri që po bën një hap të rëndësishëm. Gjërat më të rëndësishme – rritja dhe konkurrueshmëria – janë në krye të agjendës.”

Sipas mendimit të tyre, që kompanitë të investojnë miliardat e premtuara, politika duhet të zvogëlojë rregulloret dhe t’u japë kompanive më shumë liri.

Ekonomia po kërkon veçanërisht reforma kur bëhet fjalë për burokracinë dhe kontributet sociale, të cilat rrisin ndjeshëm kostot e punës. Punëdhënësit dhe punonjësit në Gjermani mbajnë në mënyrë të barabartë kostot e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, pensional dhe të papunësisë. Kontributet e sigurimit shëndetësor u rritën ndjeshëm në fillim të vitit, dhe një rritje e re është shpallur tashmë për vitin 2026.

Çfarë do të ndodhë me pensionet?

Plot 42 përqind e produktit të brendshëm bruto – domethënë, prodhimi i përgjithshëm ekonomik – tashmë shkon në fondet sociale. Barra më e madhe mbahet nga fondet e pensioneve. Gjermania është një vend që po plaket me shpejtësi. Që shteti të vazhdojë të financojë pensionet, ai duhet të ndajë gjithnjë e më shumë fonde nga buxheti çdo vit.

OECD e konsideron reformën e sistemit të sigurimeve shoqërore si sfidën më të madhe për të ardhmen ekonomike të Gjermanisë. Nëse nuk ndryshon asgjë, shteti do të duhet të marrë hua gjithnjë e më shumë për të ruajtur sistemin e tij social.

Kancelari Federal Friedrich Merz ka njoftuar se reforma e sistemit social do të jetë pika tjetër në agjendën politike të koalicionit. Rezultatet e para priten në vjeshtë. DW

Flakët rrezikojnë Parkun e Llogarasë/ Nuk ndalet zjarri në Dukat

By: e xh
24 July 2025 at 09:49

Zjarri në malin e Dukatit në Vlorë mbetet ende aktiv, pavarësisht se një ditë më parë u raportua se ishte vënë nën kontroll.

Flakët janë përqendruar në dy vatra kryesore: një mbi fshatin Dukat dhe tjetra në drejtim të Parkut të Llogarasë. Siç raporton Tv Klan, në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, përfaqësues të Forcave të Armatosura dhe të Emergjencave Civile, të angazhuara për neutralizimin e zjarrit.

Zjarri ka shpërthyer më 5 korrik dhe që prej asaj kohe ka përpirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha dhe bredha, ndërsa në disa raste ka rrezikuar edhe banesat përreth.

Për të ndihmuar në përballimin e situatës, nga Greqia, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, kanë mbërritur dy avionë zjarrfikës, të cilët kanë ndërhyrë me hedhje uji për të ndaluar përhapjen e flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Zona e Dukatit është përfshirë nga flakët prej më shumë se dy javësh. Zjarri u përhap sot, 23 korrik, me intensitet, duke iu afruar Parkut Kombëtar të Llogarasë, një prej zonave më të bukura dhe të mbrojtura të bregdetit jugor.

Ndërkohë për mikrofonin e Klan News, Prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi, deklaroi ditën e djeshme se zjarri ka qenë tejet problematik që prej datës 6 korrik, ndërsa është riaktivizuar në 5 ditët e fundit.

“Apartamentet”, dy të arrestuar për mashtrim me pasuri, noterja shpallet në kërkim

By: e xh
24 July 2025 at 09:44

Polica e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Apartamentet”.

Gjatë 24 orëve, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare vuri në pranga autorët e 2 rasteve të mashtrimit.

Sipas policisë arrestohet një 31-vjear që i mori një shtetasi, 75 000 euro, duke e mashtruar se do t’i blinte një apartament në kryeqytet. Në pranga ka rënë edhe një 48-vjeçar që shiti 2 herë, apartamentin e tij, ndërkohë është shpallur në kërkim noterja që përpiloi 2 kontrata shitjeje për të njëjtën pronë.

“Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimeve të 2 shtetasve, se ishin mashtruar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare vunë në pranga, gjatë 24 orëve, autorët e të dyja rasteve. Konkretisht, në kuadër të operacionit “Apartamentet”, u arrestuan shtetasit:

-M. Q., 31 vjeç, pasi për më shumë se një vit, i ka marrë një 34-vjeçari, 75 000 euro, duke e mashtruar se do të blinte për llogari të tij, 1 apartament;

-N. K., 48 vjeç, pasi ka shitur 2 herë, apartamentin e tij. Në vijim të hetimeve për këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim noterja që dyshohet se ka përpiluar 2 herë kontrata për shitjen e këtij apartamenti, shtetasja M. D., 57 vjeçe. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e saj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. opinion.al

 

Applebaum: Perëndimi nuk e kupton ekstremizmin e Putinizmit

By: e xh
24 July 2025 at 09:33

Anne Applebaum, historiane, publiciste dhe shkrimtare e vlerësuar botërisht, shpjegoi në një intervistë për DW se përse Trump është kaq i duruar me Putin dhe cilat janë qëllimet përfundimtare të Putin në Ukrainë.

Deutsche Welle: Përse presidenti amerikan Donald Trump është kaq i duruar me Vladimir Putin? Ata njihen prej një kohe të gjatë. Përse Trump është treguar kaq i sjellshëm me Putin deri tani? Si e shpjegoni ju?

Anne Applebaum: Njerëzit ja bëjnë këtë pyetjes vetes prej një dekade tashmë. Pati një hetim madhor gjatë presidencës së parë të Trump, rreth burimeve të ndikimit rus në fushatën elektorale të tij. Hetimi tregoi se pati ndikim, por nuk u arrit të provohej se pati përfshirje kriminale. Ne e dimë se Trump ka pasur lidhje ruse prej më shumë se 30 vitesh. Në bizneset e tij ka pasur investime ruse. Dhe kjo nuk është teori konspirative. Kjo është e provuar. Ne dimë gjithashtu se ai ka pasur mendime pozitive rreth Rusisë. Dhe dimë se ai ka pasur mendime negative rreth aleancave të Shteteve të Bashkuara për një kohë të gjatë. Është në historikun e tij prej më shumë se një dekade.

Që prej ardhjes në pushtet, Trump është shumë i impresionuar nga njerëz të cilët funksionojnë pa kontrolle dhe balanca, pa kufizime, pa gjykata, pa gazetarë. Ai e admiron këtë lloj pushteti. Bindja ime është që ai ka qasje pozitive ndaj rusëve dhe është personalisht i impresionuar nga Putin. Sigurisht që nuk e di se çfarë ndërveprimi personal kanë me njëri-tjetrin, por Putin është një oficer i përgatitur nga KGB. Ai e di se si t’i zbulojë pikat e dobëta të dikujt, dhe se si ta gjejë rrugën për të manipuluar dikë dhe ta bindë atë person të besojë që janë miq. Dhe unë mendoj që ky është rasti kur Trump beson se Putin është miku i tij dhe ai e ka thënë këtë gjë, e ka përdorur këtë fjalë.

Cilat janë qëllimet përfundimtare të Putin në Ukrainë? Si e konsideroni strategjinë e tij?

Absolutisht që Putin ka një strategji dhe ai ka 3 qëllime, të cilat mbivendosen paksa. Qëllimi parësor është ai perandorak. Ai dëshiron të ringjallë Perandorinë Ruse dhe ta udhëheqë vetë. Dhe ky do të ishte roli i tij historik. Dhe për të arritur këtë qëllim, ai do të donte ta shihte Ukrainën me një “qeveri kukull” ose tërësisht pjesë të Rusisë, në mënyrë që të fshinte “Ukrainëzimin”. Ai dëshiron që Ukraina të ndalojë së ekzistuari si komb dhe që ajo të bëhet pjesë, në një formë ose një tjetër, si pjesë e Perandorisë Ruse. Plani i tij fillestar ishte të pushtonte Kievin brenda tri ditësh dhe pjesën tjetër të vendit brenda gjashtë javësh. Por plani i dështoi. Tani ai po zbaton planin B, që është ta minojë dhe shkatërrojë Ukrainën sa më shumë të mundet. Pra, ky është qëllimi i tij parësor.

Qëllimi i dytë është të shkatërrojë idetë që çuan në Revolucionin ukrainas të vitit 2014, me të cilat ai u përball gjatë demonstratave të Majdanit (Sheshi i Pavarësisë). Asokohe njerëzit valëvisnin flamujt e BE-së, mbanin pankarta kundër korrupsionit dhe bënin thirrje për largimin e presidentit autokrat të vendit, që po e çonte Ukrainën drejt Rusisë.

Kur revolucioni pati sukses, me fjalë të tjera, kur presidenti Yanukovych (Viktor Yanukovych ishte president i Ukrainës nga 2010-2014 – shënim redaksional) u largua nga vendi, kjo për Putinin ishte këmbanë alarmi sepse ishte lloji i revolucionit të cilit ai i druhej. Ishte i njëjti revolucion që ndodhi në vitin 2010 ose 2011 në Rusi. Retorika anti-korrupsion ishte gjuha që përdorte Alexei Navalny. Kjo retorikë – për demokracinë, sundimin e ligjit, transparencën, përgjegjëshmërinë, anti-korrupsionin – është gjuha që e dëmton dhe kërcënon më së shumti Putinin. Nevoja për të shkatërruar Ukrainën është kryesisht nevoja për të shkatërruar këtë retorikë edhe në Rusi. Është një lloj lufte idesh.

Qëllimi i tretë është botëror. Putin ka një strategji gjeopolitike botërore, që është të minojë ligjin ndërkombëtar dhe rregullat botërore që u vendosën pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas Luftës së Dytë Botërore? Jo pas Luftës së Ftohtë?

Jo! Statuti i Kombeve të Bashkuara është ai i cili garanton sovranitetin e kombeve në kufijtë e tyre; konventa e Gjenevës përcakton rregullat e luftës dhe nuk ka si qëllim civilët; konventa e OKB-së mbi gjenocidin, parashikon se nuk duhet shkatërruar apo minuar ekzistenca e një kombi. Putin dëshiron që të gjitha këto të mos kenë asnjë vlerë, të mos kenë asnjë kuptim.

Është pak e paqartë, por ai flet për një botë “shumëpolëshe” në të cilën do të jetojë. Fjala “shumëpolëshe” s’do të thotë asgjë. Dakord, botë shumëpolëshe do të thotë ekzistencë e shumë fuqive. Por është e dukshme se ne jetojmë në një botë të tillë. Por mendoj se ai nënkupton diçka tjetër. Ai nënkupton një botë në të cilën shtetet e fuqishme mund të pushtojnë shtetet më të pafuqishme dhe shtetet e mëdha mund të mbizotërojnë shtetet më të vogla. Dhe në këtë botë do të jetojë ai.

Jo në një botë me rregulla, ku e pengojnë Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara e të tjera pengesa që i dalin rrugës. Këto janë qëllimet e tij personale, politike dhe botërore.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë s’kupton Perëndimi nga Rusia e Putinit dhe mënyrës si ai qeveris?

Mendoj se Perëndimi nuk e kupton ekstremizmin e “Putinizmit”. Ata vijojnë të imagjinojnë se mund të ketë një marrëveshje që mund të arrihet, që “nëse i japim Krimenë Rusisë, ata do t’i japin fund luftës”. Dhe unë mendoj se ata nuk e kuptojnë që qëllimet e tij janë më të gjera dhe ambicioze, se qëllimet e tij përfshijnë shkatërrimin e Aleancës Transatlantike dhe mbase edhe Bashkimin Europian.

Mendoj se nuk kanë kuptuar sa duhet se sa të gjera janë këto qëllime dhe rrjedhimisht nuk kanë kuptuar se para se lufta të marrë fund, Putin duhet ta humbasë atë ose të paktën ai duhet të bindet se s’mund ta fitojë. Rruga drejt paqes është të bindurit e Putin që ai s’do ta fitojë luftën, se nuk ka shpresë.

Por për momentin, e vetmja gjë që shoh është se nëse vërtetë doni paqen, atëherë duhet të armatosni Ukrainën dhe ta mbroni atë, derisa Putin të kuptojë se lufta ka mbaruar. Mendoj se është gjëja kryesore të cilën perëndimorët nuk e kuptojnë.

Dhe çfarë nuk kupton Putin rreth Perëndimit?

Që prej fillimit, ai i nënvlerësoi ukrainasit. Ai di shumë pak rreth Ukrainës moderne. Ai nuk i njeh njerëzit. Ai nuk e kupton se qeveria ukrainase është një qeveri e zgjedhur, ka mbështetje dhe se identiteti kombëtar ukrainas është i vërtetë. Dhe se ukrainasit do të luftojnë derisa të munden. Kjo përfshin edhe bërjen e një lufte guerilase nëse Kievi do të binte.

Ai e nënvlerëson mundësinë dhe vullnetin e Europës dhe Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Ukrainën. Dhe ai nënvlerëson fuqinë e ideve. Nuk bëhet fjalë vetëm për demokracinë. Ka të bëjë me bashkimin dhe integritetin që motivon një pjesë të Perëndimit dhe udhëheqësve europianë. Ai në vijimësi po i nënvlerëson ata, dhe në vijimësi po gabon. DW

 

SHBA miraton shitjen potenciale të armëve në Ukrainë në vlera milionëshe

By: e xh
24 July 2025 at 09:27

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e armëve në Ukrainë në vlerë të 322 milionë dollarëve, për të forcuar mbrojtjen e këtij shteti në ajër dhe fushëbetejë, teksa përballet me pushtimin rus.

Shitjet e pajisjeve HAWK për mbrojtje ajrore do të kushtojnë 172 milionë dollarë, derisa pajisjet luftarake të këmbësorisë Bradley do të kushtojnë 150 milionë dollarë, ka bërë të ditur Agjencia e Departamentit amerikan të Mbrojtjes për Siguri dhe Bashkëpunim.

Pajisjet HAWK do t’i “përmirësojnë kapacitetet e Ukrainës për t’u përballur me kërcënimet e së tashmes dhe të ardhmes”, ka thënë kjo agjenci. Departamenti amerikan i Shtetit i ka miratuar shitjet dhe agjencia e Departamentit të Mbrojtjes e ka njoftuar Kongresin amerikan, i cili duhet ta japë miratimin e fundit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik, se planifikon të pajisë Ukrainën me armë në vlerë të “miliarda dollarëve” të cilat do t’i blejë aleanca veriatlantike. Në të njëjtën kohë, Trump i ka dhënë Rusisë një afat prej 50 ditësh për t’u pajtuar për një armëpushim, ose do t’i vendosë sanksione të ashpra.

Miratimi i shitjes potenciale të këtyre armëve vjen pasi Pentagoni ka urdhëruar pezullim të dërgesave tjera në Ukrainë për t’i vlerësuar rezervat e veta, pavarësisht se Kievi është përballur me sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa. Sulmet kanë vazhduar edhe më 23 korrik, pasi forcat ruse kanë goditur portin e Odesas në Detin e Zi, duke përhapur flakë në ndërtesa banimi. Në anën tjetër, dronët ukrainas kanë goditur territoret ruse, duke vrarë një person dhe duke plagosur një tjetër.

Autoritetet ruse të aviacionit kanë thënë se i kanë pezulluar operacionet në aeroportin e Soçit për katër orë. Sulmet kanë ndodhur të njëjtën ditë kur Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për këmbim të të burgosurve në negociatat e zhvilluara në Turqi. Në takim nuk është arritur përparim për kushtet e armëpushimit, dhe palët nuk janë marrë vesh për ndonjë takim në mes të liderëve të Ukrainës dhe Rusisë.

“Kemi arritur përparim në aspektin humanitar dhe jo për ndalje të armiqësive”, ka thënë shefi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, pas takimeve.

Shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky i ka ripërsëritur thirrjet për armëpushime 24 ose 48-orëshe për të mundësuar largimin e trupave të ushtarëve. Ukraina ka thënë se është e interesuar për armëpushim të menjëhershëm dhe afatgjatë. Sa i përket këmbimit të të burgosurve, Medinsky ka thënë se negociatorët janë pajtuar për t’i këmbyer mbi 1.200 të burgosur të luftës nga të dyja palët, dhe që Rusia është zotuar për dorëzim të 3.000 trupave të ushtarëve ukrainas. Medinsky ka thënë se edhe individët e plagosur rëndë do të këmbehen në front të luftës.

Zelensky ka thënë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për këmbim.

“Po presim kthimin e njerëzve tanë në shtëpi. Është shumë e rëndësishme që, pavarësisht gjithë vështirësive, ukrainasit të kthehen në shtëpi”, ka thënë ai. REL

Sigurimi nga tërmetet bëhet i detyrueshëm: Kush nuk paguan, penalizohet!

By: e xh
24 July 2025 at 09:22

Qeveria ka rikthyer sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, përmes një projektligji të ri të hedhur në konsultim publik nga Ministria e Financave.

Ndryshe nga versioni i mëparshëm i ndalur disa vite më parë, drafti aktual parashikon krijimin e një Fondi për Tërmetet si shoqëri aksionare shtetërore, e cila do të mbledhë primet e sigurimit dhe do të kryejë pagesat për dëmet në rast tërmeti.

Sigurimi do të jetë i detyrueshëm për të gjitha banesat, përfshirë ato në proces legalizimi apo me qira sociale. Shtresat në nevojë do të mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërsa bashkitë do të paguajnë për kategoritë përkatëse.

Kush nuk paguan primin, nuk do të ketë akses në shërbime të rëndësishme publike, si Kadastra, QKB apo e-Albania.

“Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve në zbatim të këtij ligji, i nënshtrohen masave shtrënguese si më poshtë:

Nuk marrin shërbime kadrastale;

Nuk marrin shërbime nga e-albania;

Nuk marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit”, thuhet në nenin 33 të projektligjit.

Primi i sigurimit dhe shuma maksimale e dëmshpërblimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, shoqëritë private të sigurimit janë përjashtuar nga procesi, dhe kontrolli do të bëhet nga vetë ministria.

Sipas qeverisë, ky hap vjen në përgjigje të rrezikut të lartë nga tërmetet, pasi Shqipëria renditet ndër vendet më të ekspozuara në Evropë. Kujtojmë se tërmeti i 2019 preku mbi 200 mijë qytetarë dhe shkaktoi dëme në 18% të banesave në vend./tvklan.al

 

Shqipëria “fluturon” drejt NATO-s, njihet zyrtarisht Autoriteti i Aviacionit Civil

By: e xh
24 July 2025 at 09:17

Shqipëria ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar, këtë herë nga NATO.

Në një video të postuar këtë mëngjes, në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë është njohur zyrtarisht nga Aleanca e Atlantikut për Vlefshmërinë Ajrore. Sipas tij, vendi ynë ka përmbushur në mënyrë të plotë të gjitha standardet që kërkohen nga NATO në këtë drejtim.

“MIRËMËNGJES, dhe me lajmin e mirë se Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë është njohur nga NATO për Vlefshmërinë Ajrore, duke përmbushur plotësisht standardet e përcaktuara nga Aleanca e Atlantikut, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij.

 

Një arritje që forcon më tej pozitat e Shqipërisë brenda NATO-s dhe rrit besueshmërinë e infrastrukturës ajrore shqiptare në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

(Detajet)Zyrtarët e Bashkisë Fier s’arkëtuan rreth 40 mln lekë. Ulën taksat për..

By: e xh
24 July 2025 at 09:12

Pas operacionit të kryer nga policia në qytetin e Fierit janë arrestuar e pezulluar nga detyra disa persona.

Në mesin e tyre, është edhe ish-nënkryetarja e bashkisë Fier, Adela Hysenaj, ndaj së cilës është lëshuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Hysenaj ka mbajtur postin e ish-Drejtoreshës së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në këtë bashki.

Sipas policisë këta shtetas, “duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.

Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregtare në Fier, kundrejt përfitimit”.

Njoftimi i policisë Fier

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:

– “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;

– “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.

Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregëtare në Fier, kundrejtë përfitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.

Operacion në Fier, ish-nënkryetarja e bashkisë në “arrest shtëpie”. Pezullime nga..

By: e xh
24 July 2025 at 08:45

Një operacion i gjerë është kryer nga policia në qytetin e Fierit. Siç raportohet nga uniformat blu janë arrestuar dhe pezulluar nga detyra disa persona.

Në mesin e tyre, është edhe ish-nënkryetarja e bashkisë Fier, Adela Hysenaj, ndaj së cilës është lëshuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Hysenaj ka mbajtur postin e ish-Drejtoreshës së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në këtë bashki.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:

– “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;

– “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.

 

 

Shpërthim në Tiranë orët e para të mëngjesit/ Dëmtohen disa automjete

By: e xh
24 July 2025 at 08:28

Vendoset edhe shpërthen një sasi lënde plasëse në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K., 39 vjeç në Tiranë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 03:50, në rrugën “Peti”, ku si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara.

Grupi hetimor ka administruar pamjet filmike nga vendngjarja dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Tiranë/Informacion paraprak nga policia.

-Rreth orës 03:50, në rrugën “Peti”, dyshohet se në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K., 39 vjeç, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara.

Grupi hetimor ka administruar pamjet filmike nga vendngjarja dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

❌
❌