Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Opinion.al

Qeveria holandeze në prag të kolapsit,kabineti i kryeministrit Schoof drejt largimit

By: e xh
27 August 2025 at 21:16

Ndërsa Holanda shkon drejt zgjedhjeve dhe disa ministrat kanë dhënë dorëheqjen, kryeministri Dick Schoof dhe kabineti i tij sot kanë një përballje parlamentare që mund të çojë në dorëheqjen e tyre, duke e zhytur vendin në një krizë politike të paprecedentë.

Dhoma e Përfaqësuesve në Hagë do të debatojë një mocion mosbesimi që mund të çojë në dorëheqjen e parakohshme të Schoof ose të gjithë kabinetit të tij, raporton Bloomberg.

Me qeverinë e tij tashmë në tranzicion pas rënies së qeverisë së koalicionit katërpartiak në qershor, ekziston një vakum në rast të një vote mosbesimi.

Të premten, një parti e qendrës së djathtë u largua nga koalicioni për shkak të mosmarrëveshjeve mbi masat më të ashpra kundër Izraelit për shkak të luftës në Gaza. Largimi i Ministrit të Jashtëm, Kaspar Feldkamp dhe kolegëve të tij nga partia Pakti i Ri Social e la qeverinë teknike me vetëm dy parti dhe një pakicë edhe më të vogël, vetëm 32 nga 150 vende.

Zgjedhjet janë planifikuar për në tetor, por në peizazhin politik të fragmentuar të Holandës, negociatat për të formuar një qeveri ka të ngjarë të zgjasin me muaj, duke e lënë vendin në një periudhë potencialisht të zgjatur pasigurie.

Nëse qeveria shpëtohet, Schoof do të ketë nevojë për mbështetjen e partive të tjera të opozitës për të zbatuar politikat e tij, të cilat nga ana tjetër bëjnë kërkesa që ai nuk ka gjasa të jetë në gjendje t’i përmbushë.

Për shembull, udhëheqësi i ekstremit të djathtë Geert Wilders i tha transmetuesit shtetëror NOS se ai do ta ndihmonte kryeministrin të qëndronte në pushtet vetëm nëse kabineti garanton një ndalim të menjëhershëm të azilkërkuesve. Nga ana tjetër, partia më e madhe e opozitës së krahut të majtë po bën thirrje për një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, por kjo është ajo që shkaktoi krizën e fundit.

Spiunonin për Serbinë, arrestohet piloti ushtarak dhe e dashura e tij nga Kosova

By: e xh
27 August 2025 at 20:38

Dy persona në Kroaci janë arrestuar nën akuzën për spiunazh në favor të Serbisë. Në pranga ka rënë një pilot i Forcave Ajrore të Ushtrisë Kroate, J.I., dhe partnerja e tij A.M., nga Kosova, shtetase serbe nga Mitrovica e Veriut.

Sipas informacioneve të medias kroate Index, hetimet po zhvillohen në bashkëpunim midis policisë civile dhe asaj ushtarake, ndërkohë që në rast është përfshirë edhe agjencia ndërkombëtare Europol.

Dyshohet se piloti i helikopterit ushtarak i ka transmetuar informacione të ndjeshme partneres së tij, e cila më pas i ka dërguar ato te partia “Lista Serbe” në Kosovë.

Të dy janë marrë në pyetje dhe pritet vendimi nëse do të vendosen në paraburgim. J. I., i cili ka shërbyer më parë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), dyshohet se i ka zbuluar partneres informacione konfidenciale për lëvizjen e trupave të KFOR-it si dhe për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, përfshirë komunën e Zubin Potok.

Sipas hetuesve, informatat përfshinin gjithashtu të dhëna për lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022 deri më sot, si dhe për angazhimet dhe vendndodhjen e njësive të KFOR-it.

Po ashtu, çifti dyshohet për shkëmbim informacioni lidhur me transportin e Dejan Pantiqit, një ish-polic kosovar i arrestuar për pjesëmarrje në sulmet ndaj përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut.

Pas arrestimit të Pantiqit në dhjetor 2022, shpërthyen protesta në veriun e Kosovës, me bllokada dhe barrikada në rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Meqë Kosova nuk disponon helikopterë të vet, autoritetet kërkuan ndihmën e KFOR-it për ta transferuar Pantiqin në një institucion tjetër. KFOR është i vetmi mekanizëm në rajon me kapacitet për transportin ajror të personave të ndaluar apo të plagosur.

Piloti kroat, i cili ka marrë pjesë në misione humanitare dhe operacione shpëtimi, përfshirë edhe Afganistanin, dyshohet se i ka kaluar informacione të ndjeshme partneres të tij që mund të kenë cënuar sigurinë kombëtare dhe stabilitetin në rajon.

Partnerja e pilotit kroat ka punuar më herët për një kompani të huaj në Serbi dhe është njohur në qarqet mediatike si gazetare nga Mitrovica e Veriut. Ajo është sociologe me profesion dhe ka vizituar disa herë Kroacinë më parë.

Çifti është arrestuar më 25 korrik të këtij viti, por çështja është bërë e ditur së fundmi.

Ndërkohë që piloti ndodhet në paraburgim, partnerja e tij është dëbuar nga Kroacia dhe është vendosur në qendrën e pritjes për të huajt në qytetin Trilj.

Dyshohet se hetuesit kanë gjetur më vonë komunikime komprometuese në telefonat e tyre, të cilat tani shihen si prova nën dyshimet për spiunazh në favor të Serbisë.

Ambasada ruse në Beograd:Për situatën në Serbi,zgjidhja vetëm sipas rregullave serbe

By: e xh
27 August 2025 at 20:16

Ambasada ruse në Beograd deklaroi se për situatën në Serbi zgjidhja e vetme është “dialogu në fushën e së drejtës”, siç theksoi, “sipas rregullave serbe”.

Në një postim në Telegram, Ambasada ruse theksoi se “vëren” se vëmendja e saj e kushtuar situatës në Serbi “kohët e fundit nuk ka kaluar pa u vënë re”, pa sqaruar për çfarë bëhet fjalë.

“Sipas mendimit tonë, kjo do të thotë vetëm një gjë: vlerësimet tona pasqyrojnë me saktësi, korrektësi, përgjegjësi dhe me qëllime të mira realitetin”, njoftoi Ambasada ruse, por po ashtu nuk sqaroi se për cilat vlerësime bëhet fjalë.

Kremlini veçse i ka dhënë mbështetje autoriteteve në Beograd, të cilat përballen me protesta antiqeveritare që po zgjasin që disa muaj, teksa demonstruesit po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Zyrtarët rusë përsërisin pohimet e autoriteteve serbe se protestat përbëjnë të ashtuquajturën “revolucion me ngjyra”, një term që i referohet kryengritjeve në ish-republikat sovjetike kundër regjimeve autoritare.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha më herët gjatë gushtit se “disa forca në Serbi, nën mbulesën e sloganeve për ‘kërkimin e drejtësisë dhe demokracisë’, nuk hezitojnë të përdorin agresion të hapur, barbarizëm dhe dhunë”, ndërsa ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harcenko, javën e kaluar deklaroi se Perëndimi dëshiron të zëvendësojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me një politikan të dobët që kontrollohet nga Bashkimi Evropian.

Kjo deklaratë e ambasadorit rus ka nxitur kritika nga opozita në Serbi, e cila e ka vlerësuar si ndërhyrje në çështjet e brendshme të shtetit.

Ambasada ruse në Beograd në njoftimin e fundit theksoi se “as nuk mund të flitet për ndonjë ‘ndërhyrje’ nga ana jonë në çështjet e brendshme të Serbisë” dhe se “Rusia, përgjatë historisë, ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme dhe të palëkundur sovranitetin, pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të Serbisë, si dhe lirinë e popullit serb”.

“Ne nuk dyshojmë se ekziston vetëm një rrugë, dhe ajo është dialogu në fushën e së drejtës. Sipas rregullave serbe. Për Serbinë. Për popullin e saj”, tha Ambasada ruse në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditëve të fundit ka bërë dy herë thirrje për dialog me protestuesit. Thirrjen e dytë ai e bëri gjatë një interviste për Euronews Serbia të hënën, ku gjithashtu deklaroi se anëtarësimi i Serbisë në BE mbetet prioriteti i tij.

Ambasada ruse shtoi se “vërejmë se dhuna është ende në arsenalin e tyre”, pa sqaruar për kë e ka fjalën.

Protestat që zgjasin disa muaj në Serbi, të cilat nisën me kërkesën për llogaridhënie për shkak të vdekjes së 16 personave gjatë shembjes së strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar, gjatë verës u karakterizuan nga përgjigja e dhunshme e policisë, por edhe pjesëmarrjes së përkrahësve të Partisë Progresive Serbe në pushtet, të cilët gjatë tubimeve ishin të pajisur me shkopinj dhe kanë hedhur mjete piroteknike ndaj kundërshtarëve të pushtetit./ REL

Probleme shëndetësore për Massimo Moratin, shtrohet në spital në terapi intensive

By: e xh
27 August 2025 at 19:43

Massimo Moratti është shtruar në spital, në terapi intensive, për shkak të një pneumonie.

Gjendja e tij nuk është kritike, por Moratti është intubuar, shkruajnë mediat italiane, pasi ka pasur vështirësi në frymëmarrje. Corriere della Sera raporton se situata është serioze.

Ish-presidenti i Interit, që festoi 80-vjetorin në maj me një festë surprizë të organizuar nga fëmijët e tij, ku morën pjesë emra të mëdhenj si Ronaldo, Vieri, Recoba dhe Pirlo, ka marrë drejtimin e klubit të Interit në vitin 1995.

Gjatë periudhës së tij si president, ai ka udhëhequr skuadrën drejt 16 titujve, me kulmin në vitin 2010, kur arriti të fitojë “Tripletën”.

Operacioni i SPAK/ IMT pas arrestimit të punonjësve: Janë shkarkuar nga detyra

By: e xh
27 August 2025 at 19:39

Menjëherë ka ardhur reagimi nga IMT pas arrestimit të disa punonjësve nga SPAK pasditen e sotme.

Në një reagimi në rrjetet sociale, IMT thotë se ‘katër punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që shkelën ligjin janë shkarkuar nga detyra’, ndërsa dënon ngjarjen e sotme.

Reagimi i plotë:

Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast.

Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.

IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij.

Qyteti ku çelin vetëm trëndafila të zinj

By: e xh
27 August 2025 at 19:20

Duke shijuar një drekë me peshk të freskët në një nga restorantet lundruese të Halfetit, vizitorët shpesh mendojnë për jetën e dikurshme në rrugët e vjetra të qytetit, sot të braktisura dhe të fundosura disa metra nën ujë.

Halfeti ndodhet në provincën Şanlıurfa, në juglindje të Turqisë, në brigjet e lumit Eufrat, jo larg burimit të tij. Në vitin 2000, dy qytete dhe 10 fshatra të vegjël u përmbytën plotësisht pas ndërtimit të Digës së Birecikut, 60 metra të lartë dhe 2,5 km të gjerë. Më shumë se 6000 banorë u detyruan të zhvendosen.

Rreth 40% e Halfetit, një qytet me rreth 2600 banorë para ndërtimit të digës, përfundoi nën ujë. Shtëpitë prej guri, dyqanet dhe një pjesë e madhe e xhamisë qendrore Merkez Camii të shekullit XIX u zhdukën përgjithmonë. Megjithatë, zonat në lartësi më të mëdha shpëtuan, dhe sot shumë banorë jetojnë ende në pjesën e mbetur mbi vijën e ujit.

Diga e Birecikut ishte pjesë e një projekti të madh zhvillimor në rajonin e Anadollit Juglindor. Ajo prodhon rreth 2500 GWh energji elektrike në vit, mjaftueshëm për të furnizuar pothuajse një milion familje, dhe u krijua për të ujitur 70 000 hektarë tokë bujqësore. Por pavarësisht përfitimeve, ndërtimi i saj u prit me keqardhje nga vendasit. “Shumë varreza dhe shtëpi mbetën nën ujë. Kultura humbi bashkë me to”, thotë për CNN Erhan Yildirim, studiues dhe guidë vendase.

Muslum Karaman, operator i anijeve turistike, kujton se dikur Halfeti jetonte kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria, qyteti ishte i famshëm për prodhimin e fëstëkëve. “Sot gjithçka është kthyer drejt turizmit. Shumë njerëz i kanë kthyer shtëpitë e tyre në restorante apo kafene”, thotë ai.

Sot, vizitorët eksplorojnë “qytetin e mbytur” me varka apo motorë uji. Zhytja nën ujë është bërë një tjetër atraksion, sidomos pas vitit 2020, kur kampionia botërore e zhytjes së lirë, Şahika Ercümen, u zhyt këtu për të ndërgjegjësuar botën mbi ndotjen plastike.

Përveç ujërave dhe historisë, Halfeti është i famshëm për “trëndafilat e zinj” që rriten vetëm këtu. Legjenda thotë se askund tjetër në botë nuk lulëzojnë kaq të errët. Në të vërtetë, ekspertët sqarojnë se nuk janë plotësisht të zinj, por një e kuqe shumë e errët që në sy duket pothuajse e zezë, sidomos para se të hapen plotësisht.

Mendohet se ngjyra unike vjen nga kushtet e veçanta të tokës dhe klimës së Halfetit. Banorët shesin produkte të shumta të përgatitura me trëndafil të zi, nga akulloret dhe çajret, te parfumet dhe sapunët. Madje kompania britanike e parfumeve Penhaligon’s ka krijuar një aromë me emrin “Halfeti”.

Sipas legjendës vendase, një vajzë e bukur me emrin Vartuhi, që kultivonte trëndafilat më të mirë në qytet, u dashurua me një djalë jetim nga ana tjetër e lumit. Dashuria e tyre u ndalua nga gjyshi i saj, arkitekti i xhamisë së qytetit. Zemërthyer, çifti u hodh në Eufrat dhe u mbyt. Që prej asaj dite, trëndafilat e qytetit çelin të zinj, si shenjë e dhimbjes dhe dashurisë tragjike.

Vizitorët mund të bëjnë një udhëtim me varkë drejt Kalasë së Rumkalasë, një fortesë e lashtë që qëndron mbi brigjet e Eufratit. Themelet e saj datojnë që nga Perandoria Bizantine (shek. V–VI), ndërsa më vonë ajo u bë qendra e Kishës Armene në Mesjetë. Më pas, kalaja ra nën sundimin e Mamlukëve dhe më vonë të Perandorisë Osmane.

Rumkalaja (Kalaja e Romakëve) sot është një dëshmi e historisë së ndërlikuar të rajonit, plot pushtime, fe dhe kultura të ndryshme që kanë lënë gjurmët e tyre.

Në vitin 2013, Halfeti u bë pjesë e rrjetit Cittaslow (“qytetet e qeta”), për angazhimin e tij në ruajtjen e traditave dhe cilësisë së jetës. “Njerëzit e Halfetit ndihen thellësisht të lidhur me historinë dhe kulturën e tyre”, përfundon Yildirim.

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Qyteti nënujor ku çelin vetëm trëndafila të zinj

Korrupsion në radhët e IMT-së Tiranë, kush janë dy inspektorët e arrestuar

By: e xh
27 August 2025 at 18:48

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ndërmarrë një operacion për goditjen e korrupsionit në radhët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë.

Sipas informacioneve, janë arrestuar dy punonjës të kësaj strukture, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë Gerald Fuçia dhe Edmond Çela. Ata ndodheshin së bashku në një lokal në zonën e Kombinatit në kryeqytet në momentin kur u arrestuan.

Ndërsa në kërkim është Klajdi Zhilla. Ky i fundit është shoferi i drejtorit të IMT-së së Tiranës.

Operacioni u zhvillua pas një denoncimi të mbërritur më herët në polici, ku raportohej se punonjësit e IMT-së kërkonin dhe merrnin para nga biznese të ndryshme, në këmbim të mosveprimit ndaj shkeljeve.

SPAK operacion për kapjen e disa punonjësve të IMT, dy të arrestuar dhe dy në kërkim

By: e xh
27 August 2025 at 18:12

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ndërmarrë një operacion për goditjen e korrupsionit në radhët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

Mësohet se deri tani janë arrestuar dy punonjës të kësaj strukture, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Operacioni u zhvillua pas një denoncimi të mbërritur më herët në polici, ku raportohej se punonjësit e IMT-së kërkonin dhe merrnin para nga biznese të ndryshme, në këmbim të mosveprimit ndaj shkeljeve.

Detaje të tjera pritet të mësohen në vijim nga operacioni që është duke u zhvilluar.

Moti i keq në Indi, 33 viktima dhe mbi 5 mijë të evakuuar në rajonin e Kashmirit

By: e xh
27 August 2025 at 18:11

Të paktën 33 persona kanë humbur jetën në rajonin himalajan të Jammu dhe Kashmir, në Indinë veriperëndimore, në përmbytje dhe rrëshqitje toke të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm, thanë autoritetet lokale.

Shirat përfshinë një rrugë që të çon në tempullin hindu Vaishno Devi, duke marrë me vete 33 persona, tha për AFP një zyrtar përgjegjës për operacionet e shpëtimit.

Dy rajone në Indi kanë regjistruar reshje rekord, tha Departamenti Meteorologjik Indian.

Jammu dhe Udhampur regjistruan reshjet e tyre më të larta në 24 orë sot, pasi qyteti i Jammu-t regjistroi 296 mm shi, 9% më shumë se rekordi i mëparshëm i vendosur në vitin 1973 dhe Udhampur regjistroi 629.4 mm shi, 84% më shumë se rekordi i vitit 2019.

Shirat e rrëmbyeshëm në rajonin e administruar nga India kanë shkaktuar kaos, me përmbytje të menjëhershme që rrëmbejnë ura dhe rrugë, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në rajonin e Jammu, tha qeveria lokale të martën.

Shkollat ​​u mbyllën dhe shefi rajonal, Omar Abdullah, tha se autoritetet po përballeshin me “komunikime pothuajse inekzistente”.

Sipas zëdhënësit të qeverisë federale në rajon, Manoj Sina, më shumë se 5,000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre sot.

Ushtria izraelite paralajmëron palestinezët: Evakuimi nga Gaza i pashmangshëm

By: e xh
27 August 2025 at 18:07

Ushtria izraelite dëshiron që njerëzit të largohen nga qyteti i Gazës përpara se të hyjnë në të. Sipas mediave të huaja, ushtria izraelite u ka thënë palestinezëve se evakuimi i qytetit të Gazës është “i pashmangshëm”, ndërsa forcat e saj përgatiten ta pushtojnë atë.

Në një postim në rrjetin social ‘X’ të mërkurën, zëdhënësi i ushtrisë për gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha se familjet që do të zhvendosen në jug do të “marrin ndihmën më bujare humanitare”.

Tanket izraelite hynë në një zonë të re të Qytetit të Gazës gjatë natës, duke detyruar më shumë banorë të largohen, thanë dëshmitarët.

Mijëra njerëz janë zhvendosur tashmë për shkak të përparimeve të fundit të Izraelit, kryesisht në pjesë të tjera të qytetit, ku ende jetojnë rreth një milion palestinezë.

Thirrja për evakuim vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të kryesojë një takim në Shtëpinë e Bardhë mbi një vizion pas luftës për Gazën.

Në fillim të gushtit, Izraeli njoftoi planet për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës, përfshirë Qytetin e Gazës, të cilin e përshkroi si bastionin e fundit të Hamasit.

OKB-ja dhe organizatat joqeveritare kanë paralajmëruar se një ofensivë izraelite në qytetin e Gazës do të kishte një “ndikim të tmerrshëm humanitar”.

Vonë të martën, tanket hynë në lagjen Ibad al-Rahman, në periferi veriore të qytetit, duke shkatërruar disa shtëpi, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Krizë energjetike në Rusi pas sulmeve të dronëve nga Ukraina

By: e xh
27 August 2025 at 17:45

Rusia, e njohur si një superfuqi energjetike, po përballet me vështirësi të mëdha për të mbushur rezervuarët e makinave, pas disa javësh sulmesh me dronë të Ukrainës që kanë paralizuar kapacitetin e rafinimit të naftës në të gjithë vendin.

Karburantet janë bërë të pakta në shumë rajone të Rusisë, çmimet kanë arritur nivele rekord dhe qytetarët janë detyruar të bëjnë radhë për orë të tëra në stacionet e karburanteve.

Që nga vera e këtij viti, Ukraina ka intensifikuar fushatën e saj me dronë kundër infrastrukturës energjetike të Rusisë, një strategji e dizajnuar për të ushtruar presion mbi Moskën dhe për të treguar se Ukraina ende ka mundësi të ndikojë në bisedimet për paqen, të udhëhequra nga presidenti amerikan Donald Trump.

Krizat e karburanteve janë ndjerë më shumë në rajonet më të largëta të Rusisë, duke përfshirë Lindjen e Largët, jugun e vendit dhe gadishullin e aneksuar të Krimesë. Këtu, shoferët janë detyruar të kalojnë në naftë më të shtrenjtë për shkak të mungesës së benzinës A-95, më të përdorurës. Sipas analistëve, sulmet e fundit me dronë kanë çuar në humbjen e të paktën 17% të kapacitetit të rafinimit të naftës në Rusi, që i bie në 1.1 milionë fuçi naftë në ditë.

Në periudhën nga 2 deri më 24 gusht, Ukraina ka kryer të paktën 12 sulme ndaj infrastrukturës naftësore të Rusisë, shumica e të cilave kanë goditur objektet përgjatë korridorit Ryazan-Volgograd në jug-perëndim të vendit. Sulmi më i fundit ndodhi të mërkurën, kur media ukrainase raportuan një shpërthim të fuqishëm që goditi tubacionin e naftës Ryazan-Moskë, një nga arteriet kryesore që furnizon me karburant kryeqytetin rus.

Sipas Boris Aronstein, një analist i industrisë së naftës dhe gazit, ‘kjo është një nga krizat më të rënda të karburanteve që Rusia ka përjetuar në vitet e fundit’. Ai shpjegon se sulmet janë masive, të koordinuara dhe të përsëritura, duke bërë që rafineritë të mos kenë kohë të mjaftueshme për t’u riparuar para se sulmet e ardhshme të godasin përsëri.

Çmimi i naftës për benzinën A-95, më të përdorurën në Rusi, ka arritur nivele rekord, duke shkuar deri në 82,300 rubla për ton, rreth 54% më shumë se në muajin janar. Kjo situatë e çuditshme për një shtet që është një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë, ka shkaktuar habi në mesin e rusëve, pasi ata janë të detyruar të përballen me çmime të larta dhe mungesë karburanti në vendin e tyre, ndërkohë që ai eksportohen masivisht drejt tregjeve të tjera si Kina dhe India.

Sulmet me dronë, megjithëse zakonisht dëmtojnë vetëm një pjesë të kapacitetit të një rafinerie, janë bërë më të rënda dhe të vazhdueshme, duke penguar mundësitë për riparime të shpejta, veçanërisht për shkak të sanksioneve që kanë bllokuar teknologjinë perëndimore. Edhe para këtyre sulmeve, Rusia kishte marrë masa për të kufizuar eksportet e benzinës, në mënyrë që të përballonte kërkesën e lartë të brendshme.

Në disa prej rajoneve më të prekura, si në qytetin Dalnegorsk në Lindjen e Largët, qytetarët kanë shpërthyer në ankesa, duke thënë se kanë qëndruar në radhë për orë të tëra dhe askush nuk di nëse mund të mbushin tanket e makinave të tyre. Në rrjetet sociale ruse, po qarkullojnë meme dhe shaka për situatën, ku disa përdorues thonë se mbushja e karburantit tani është pothuajse si një udhëtim në një butik luksoz, ku për një litër benzinë kthehesh me një portofol bosh.

Kriza është bërë edhe më e keqe për shkak të sezonit të korrjes, që tradicionalisht rrit kërkesën për karburant, ndërkohë që rafineritë janë në punë për mirëmbajtjen e planifikuar dhe eksportuesit përpiqen të shfrytëzojnë çmimet më të larta. Ky ka qenë një faktor që ka çuar në një mungesë të plotë të karburanteve.

Përveç kësaj, Krimeja e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, ka qenë një nga rajonet më të goditura, pasi ai përballet me mungesë të konsiderueshme karburanti. Kjo ka ndikuar edhe në industrinë e turizmit, me mijëra turistë që nuk kanë mundur të fluturojnë për shkak të kërcënimit nga sulmet me dronë, duke shtuar më tej presionin mbi furnizimet e pakta.

Duke folur për situatën, ekspertët thonë se kjo krizë nuk ka arsye të shkaktojë një ndalim të luftës, pasi shumica e transportit dhe pajisjeve ushtarake të Rusisë përdorin dizel dhe jo benzinë. Megjithatë, nëse kjo krizë vazhdon dhe përkeqësohet, autoritetet mund të detyrohen të zbatojnë racionimin e benzinës, gjë që do të sjellë pasoja të mëtejshme për qytetarët dhe ekonominë ruse.

Presidenti i Kroacisë: Njihni shtetin e Palestinës, e vetmja mënyrë për paqe

By: e xh
27 August 2025 at 17:35

Presidenti kroat Zoran Milanoviç dënoi ashpër operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe përsëriti thirrjen e tij ndaj qeverisë së kryeministrit Andrej Plenkoviç për të filluar procedurat parlamentare për njohjen e Palestinës.

Në takimin me ministrin e Jashtëm palestinez Varsen Aghabekian sot në Zagreb, Milanoviç  dënoi “sulmet brutale të kryera nga ushtria izraelite kundër civilëve në Gaza për muaj të tërë, dhe veçanërisht në ditët e fundit”.

Një pushtim ushtarak i Gazës nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E vetmja zgjidhje për krizën e Gazës është një zgjidhje me dy shtete”, theksoi ai.

“Kroacia duhet ta njohë Palestinën si një hap drejt përfundimit të luftës dhe katastrofës humanitare në Gaza. Njohja e të drejtës së popullit palestinez për të pasur shtetin e vet është e vetmja mënyrë për të vendosur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha presidenti kroat.

Sulmi me armë zjarri në shkollën katolike në SHBA, 3 viktima dhe 20 të plagosur

By: e xh
27 August 2025 at 17:33

Të paktën 20 persona janë plagosur dhe 3 persona kanë humbur jetën, pas disa të shtënash me armë zjarri në një shkollë katolike në Minneapolis, Minesota të SHBA-së, sipas Reuters.

Raportet e mediave lokale thonë se dy persona janë vrarë dhe katër janë plagosur rëndë.

Është e mundur që një bombë të jetë vendosur brenda ndërtesës.

Policia lokale nuk e ka konfirmuar zyrtarisht informacionin fillestar.

Një forcë e madhe policore dhe punonjës shpëtimi kanë nxituar në Kishën e Ungjillit. Incidenti i përgjakshëm ndodhi rreth orës 8:30 të mëngjesit të së mërkurës kur policia u thirr për raportime për të shtëna në kishë.

Dëshmitarët përshkruan një burrë të veshur me të zeza, që mbante një pushkë gjahu.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, tha në një postim se incidenti ndodhi në shkollë. Nuk është e qartë nëse sulmi kishte në shënjestër shërbesën e përditshme në kishë apo në shkollë.

Trump reagon për sulmin me armë: E tmerrshme, FBI është në vendngjarje

By: e xh
27 August 2025 at 17:27

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për sulmin me armë që ndodhi në një shkollë katolike në Minneapolis, ku raportohet për disa persona të plagosur, ndërsa autori është vrarë nga policia.

Në një reagim në rrjetin social “Truth Social”, Trump e konsideron ngjarjen si një skenë të tmerrshme, teksa shton se situatën po e mban në monitorim.

“Jam informuar plotësisht për të shtënat tragjike në Minneapolis, Minesota. FBI-ja reagoi shpejt dhe është në vendngjarje. Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të monitorojë këtë situatë të tmerrshme. Ju lutem bashkohuni me mua në lutjet për të gjithë personat e përfshirë”, ka shkruar Presidenti Trump.

SHBA/Sulm me armë në shkollën katolike në Minneapolis, disa të plagosur

By: e xh
27 August 2025 at 17:11

Një sulm me armë ka ndodhur në një shkollë katolike në Minneapolis në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas mediave amerikane, sulmi ka ndodhur në Shkollën Katolike Annunciation, rreth orës 15:30, sipas kohës tonë lokale.

Të paktën 20 persona persona raportohen të plagosur. Ndërsa autori dyshohet se është vrarë nga policia amerikane.

Autori ka qenë i veshur me rroba të zeza dhe ishte i armatosur me një pushkë. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore dhe ambulanca.

Për ngjarjen ka reaguar edhe kryebashkiaku i Mineapolis, Jacob Frey, i cili në një postim në rrjetet sociale thotë se po ndjek me shqetësim atë që po ndodh. Motivi i sulmit të armatosur në shkollën katolike nuk dihet.

Hetuesi suedez: Futbollistë të njohur kanë trukuar ndeshje

By: e xh
27 August 2025 at 17:09

Premier League është përfshirë në një skandal të ri, pasi një ish-shef i policisë suedeze ka deklaruar se disa futbollistë të kampionatit anglez kanë qenë të përfshirë në trukime ndeshjesh dhe baste të paligjshme.

Fredrik Gardare, i cili ka udhëhequr hetime të nivelit të lartë mbi krimin e organizuar dhe manipulimin në sport, ka thënë se gjatë një bastisjeje në një kazino të paligjshme në vitin 2021, policia konfiskoi telefona që përmbanin prova të qarta se lojtarë të Premier League kishin marrë pjesë në manipulime rezultatesh, përfshirë baste mbi kartonë të verdhë, goditje këndi dhe elementë të tjerë të lojës.

Gardare ka qenë gjithashtu në qendër të një hetimi të gjatë 18-mujor që ekspozoi ish-mesfushorin e Manchester City, Dickson Etuhu, i cili u dënua për përpjekje për të trukuar ndeshje në Suedi dhe u përjashtua për pesë vite nga futbolli.

Megjithatë, ndonëse provat e reja që dolën nga hetimi i fundit konsiderohen “të qarta dhe të pakontestueshme” sipas Gardare, policia suedeze vendosi të mos e çonte më tej çështjen. Telefona me të dhëna të rëndësishme mbeten ende të sekuestruar nga autoritetet në Stokholm.

“Kam punuar me qindra raste të trukimit të ndeshjeve, por ky ishte më i qarti nga të gjithë. Është e pamundur të injorohet kur e sheh të dokumentuar në një celular të konfiskuar,” tha Gardare për Daily Mail.

Federata Suedeze e Futbollit ka konfirmuar se mori informacion “të përgjithshëm” nga policia lidhur me manipulimin e ndeshjeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, por pa detaje specifike për shkak të sekretit hetimor.

Nga ana tjetër, Premier League deklaroi për mediat britanike se “nuk është në dijeni të kësaj çështjeje” dhe se kompetencat për hetime të tilla i takojnë Federatës Angleze të Futbollit (FA).

Kujtojmë se vetëm një vit më parë, sipas një raportimi të The Telegraph, të paktën pesë lojtarë të Premier League ishin kontaktuar nga rrjete ndërkombëtare të basteve të paligjshme për të ndikuar në ndeshje.

Rafti i librave të Putinit, si Kremlini po i paraqet pamjet e vjetra si të reja

By: e xh
27 August 2025 at 17:06

Rafti i librave mund të tregojë shumë për pronarin. Në rastin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, rregullimi më i fundit i librave në një dollap pas tavolinës së tij tregon se Kremlini i ka paraqitur pamjet e vjetra të takimeve në zyrën e tij si video të reja të paktën pesë herë këtë vit, ka zbuluar njësia hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë, Systema.

Takimet e shpeshta ballë për ballë të Putinit me guvernatorë rajonalë, drejtues të agjencive shtetërore dhe të tjerë në zyrën e tij në Pallatin e Senatit në Kremlin, janë pjesë e përhershme e programeve të lajmeve në televizionet shtetërore, si pjesë e një përpjekjeje për t’iu treguar rusëve se ai po i menaxhon vazhdimisht punët në gjithë vendin dhe po i mban zyrtarët nën kontroll.

Por, pesë takime të paraqitura si ngjarje të ditës në prill dhe maj, në fakt ishin incizuar muaj më parë, ka gjetur Systema.

Librat në dollapin me dyer prej xhami e tradhtuan atë: në pesë raste, pamjet tregojnë një renditje librash që ishte përdorur para se të ndryshohej në fund të shkurtit.

Ndër ndryshimet e tjera të bëra në rirregullimin e shkurtit, një kopje e lidhur e Kushtetutës ruse, e vendosur me ballë përpara, u zhvendos nga ana e djathtë e dollapit në anën e majtë.

Përveçse hedhin dritë mbi praktikat e Kremlinit, këto mashtrime ngrenë pyetje për vendndodhjen e Putinit – dhe çfarë po bënte ai – në ditët përkatëse.

Ka kohë që gazetarët janë të vetëdijshëm se administrata e Putinit mban pamje të gatshme për t’i përdorur më vonë.

Kremlini ruan me fanatizëm të dhënat për shëndetin dhe jetën private të Putinit, 72 vjeç, dhe kur ai zhduket nga sytë e publikut për disa ditë, raportet televizive shqyrtohen me kujdes për shenja nëse po fshihen gjurmët e vendndodhjes së tij.

Katër nga rastet e përdorimit të pamjeve të vjetra këtë vit ndodhën në ditët para se Putini të takohej në Shën Petersburg më 11 prill me Steve Witkoff, një i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka shkuar disa herë në Rusi për të biseduar për përpjekjet e Trumpit për ta ndërmjetësuar përfundimin e luftës në Ukrainë, e cika ka hyrë në vitin e katërt pasi Putini urdhëroi pushtimin e plotë në shkurt 2022.

Pamje të publikuara më 2 dhe 7 prill tregonin Putinin duke u takuar me kreun e rajonit Buryatia dhe shefin e Aeroflot-it, përkatësisht, ndërsa video të 9 dhe 10 prillit e shfaqnin atë duke u takuar veçmas me dy zyrtarë të tjerë. Të gjitha këto pamje shfaqnin dollapin e librave në renditjen e para shkurtit.

Putini nuk u shfaq në publik apo në ndonjë takim grupor ose aktivitet më të madh nga 2 deri më 10 prill.

Një tjetër përdorim i pamjeve të para shkurtit ndodhi më 12 maj, kur Kremlini publikoi video që e shfaqte Putinin në zyrën e tij duke u takuar me guvernatorin e rajonit Ivanovo, Stanislav Voskresensky.

Dymbëdhjetë maji ishte 42-vjetori i ditëlindjes së Alina Kabayevas, fitueses së medaljes së artë olimpike në gjimnastikën ritmike në vitin 2004, për të cilën thuhet bujshëm se është partnerja e kamotshme e Putinit dhe nëna e të paktën dy fëmijëve të tij.

Putini dhe gruaja e tij, Lyudmila, u shkurorëzuan në vitin 2014.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, nuk iu përgjigj një pyetjeje të Systema në Telegram për të marrë një koment.

Bill Gates takohet me Donald Trump për të diskutuar mbi shëndetin global

By: e xh
27 August 2025 at 16:56

Bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates u takua me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

NBC News tha se një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi takimin e planifikuar, ndërsa një zëdhënës i manjatit Gates theksoi se diskutimi u përqendrua në “rëndësinë e programeve globale të shëndetit të SHBA-së dhe kërkimit shëndetësor që është i nevojshëm për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur shëndetin e amerikanëve dhe për të ruajtur lidershipin e SHBA-së në botë”.

Më herët këtë muaj, Fondacioni Gates njoftoi një angazhim prej 2.5 miliardë dollarësh deri në vitin 2030 për të adresuar fushat e lëna pas dore të kërkimit dhe zhvillimit të shëndetit të grave në nivel global.

Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmoi publikisht takimin ndërsa Gates gjithashtu nuk publikoi deklaratë personale.

Avion luftarak i ri, Merzi dhe Macroni duhet të vendosin

By: e xh
27 August 2025 at 16:53

Me të paktën 100 miliardë euro, ky është projekti më i shtrenjtë i veçantë i armëve në Evropë: “Sistemi i Ardhshëm Ajror Luftarak” (FCAS) do të kombinojë nga viti 2040 një avion luftarak të ri evropian me flota dronësh, të pilotuar nga një re mbrojtëse evropiane.

“Është më shumë një sistem luftarak fluturues”, shpjegon eksperti gjerman i sigurisë Christian Mölling në një intervistë me DW. Qëllimi: pavarësi më e madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe avioni i saj luftarak F-35 i pajisur me sisteme të fshehta.

Por është kryesisht vetë avioni që është objekt i një mosmarrëveshjeje midis kompanive të përfshira, Dassault në Francë dhe Airbusit në Gjermani dhe Spanjë.

Presion nga prodhuesi francez i armëve Dassault

Përshkallëzimi tani është aq i rëndë sa duhet të ndërhyjnë liderët: Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarigjerman Friedrich Merz marrin pjesë papritur në takimin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes franko-gjermane në Toulon, në Francën jugore. Ky organ mblidhet dy herë në vit, zakonisht pa dijeninë e publikut të gjerë.

Por mbi të gjitha është kryetari i bordit të prodhuesit francez të avionëve luftarakë Dassault ai që ka ushtruar presion të fortë në muajt e fundit. Kompania ndërton komponentë kritikë për pengesën bërthamore të Francës, baza e pavarësisë ushtarake të vendit.

Në korrik, Drejtori ekzekutiv i Dassault-it, Éric Trappier, luajti kartën kombëtare para Komitetit të Mbrojtjes të parlamentit francez: ai tha se disa deklarojnë se “një dobësim i kësaj pavarësie”, siç është ai i shkaktuar nga projekti FCAS, “nuk do të ishte aq dëmtues”, sepse do të kompensohej nga ndërvarësia e partnerëve evropianë. Por Trappieri beson, se “pasi ta kemi ndërmarrë këtë hap, nuk mund të kthehemi prapa”.

Airbus Germany pretendon pjesët e prodhimit

Prandaj është e nevojshme të peshohet me kujdes “çfarë u lëmë aleatëve tanë”. Ky është një tronditje për avokatët e një industrie mbrojtëse mbarëevropiane. Politika duhet të vendosë me kë do të ndërtojë Franca avionin luftarak të gjeneratës së ardhshme.

Grupi evropian i hapësirës ajrore Airbus, nga ana e tij, po kërkon të ketë të drejtë të barabartë fjale. Airbus ndërton avionin luftarak Eurofighter të Forcave Ajrore gjermane në Gjermani dhe nuk dëshiron të përjashtohet nga ky aktivitet. “Kjo është diçka që Gjermania e bën shumë mirë dhe dëshiron ta mbajë”, shpjegon eksperti i armatimiz Emil Archambault i organizatës kërkimore DGAP (Deutsche Gesellschaft für Auswärtige Politik) në Berlin në një intervistë me DW.

Negociatat e kontratës për fazën e dytë të projektit

Arsyeja për përshkallëzimin aktual të konfliktit franko-gjerman është se kontratat po negociohen në sfond për fazën tjetër të projektit, të dytën: ndërtimin e prototipit të parë të avionit që do të jetë zemra e sistemit të ri. Dassault dëshiron të ketë edhe më shumë fuqi vendimmarrëse aty sesa ka tashmë.

Shpërndarja e saktë mund të ndryshohet, sipas studiuesit të DGAP, Archambault. “Në mënyrë që Franca të ndërtojë një pjesë më të madhe të avionëve” dhe, nga ana tjetër, të forcohen zona të tjera në Gjermani dhe Spanjë. “Por kjo mund të jetë gjithashtu shumë e ndërlikuar. Sepse nuk janë vetëm kompanitë kryesore, por edhe nënkontraktorët e mesëm. Është çështje e të diturit se kush bën çfarë saktësisht dhe kush e koordinon atë”, shpjegon Archambault. Në një video reklamuese online, Airbusi të paktën po përpiqet të japë përshtypjen se është në ballë të teknologjisë.

Një shenjë e sovranitetit të Francës, një fuqi bërthamore: avionët luftarakë Rafale nga grupi francez i armëve Dassault në aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle. Pamje e avioneve.

Pritet sinjal politik në Toulon

Në takimin midis presidentit Macron dhe kancelarit Merz në jug të Francës, Archambault pret pak më shumë se një “sinjal politik” që tregon se Franca dhe Gjermania po ecin përpara me projektin. Nuk mund të ketë diskutime mbi detajet e kontratës derisa partneri i tretë – Spanja – të ulet në tryezë.

Por koha po mbaron: Gjatë vizitës së tij në Berlin në korrik, Presidenti francez Macron u pajtua me Kancelarin Merz tha se ministrat e tyre të mbrojtjes duhet të paraqesin një zgjidhje përfundimtare deri në vjeshtë. Përndryshe, fillimi i fazës së dytë të projektit vitin e ardhshëm është jorealist.

Megjithatë, kancelari gjerman mund të ketë argumentet më të mira për momentin: mbi të gjitha, më shumë para. Franca është në borxhe të thella dhe qeveria rrezikon të gjendet me shpatulla pas muri nëse nuk arrin të sigurojë shumicën për buxhetin.

“Ajo që është e veçantë është se Gjermania është në situatën unike kur nuk i duhet të përparësojë midis projekteve afatshkurtra dhe afatgjata të armatimit, sepse kemi përjashtimin e frenës së borxhit për shpenzimet e mbrojtjes”, shpjegon eksperti i sigurisë Christian Mölling në një intervistë me DW.

A është riarmatimi i shpejtë i Gjermanisë më i rëndësishëm sesa projektet e ardhshme si FCAS? Në kontekstin e kërcënimit rus dhe luftës së agresionit të Moskës në Ukrainë, Gjermania ka “një agjendë shumë afatshkurtër armatimi, që do të thotë se po blejmë më shumë nga ato që kemi tashmë dhe që funksionojnë. Dhe pastaj ka projekte të ardhshme si FCAS, të cilat nuk janë aq të rëndësishme tani për tani”, tha Mölling. Ai mund ta përfytorojë që projekti FCAS të zvogëlohet ose edhe të shpërndahet me kalimin e kohës.

Është gjithashtu e mundur që një ndryshim perspektive mund të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit të vazhdueshëm me prodhuesin francez të avionëve luftarakë Dassault.

“Edhe nëse disa njerëzve nuk u pëlqen ta dëgjojnë”, tha Mölling, duke iu referuar krenarisë së Francës për prodhimin e vet të avionëve luftarakë: “Avioni, domethënë struktura e avionit, nuk është aspak teknologjia më e rëndësishme” për FCAS. Dronët, të ashtuquajturit “bartës” dhe ndoshta edhe më e rëndësishmja, “Combat Cloud”, softueri që lidh të gjitha sistemet e luftimit, janë shumë më të rëndësishme.

Më i rëndësishëm se avioni luftarak: rrjetëzimi digjital

Kjo është pikërisht ajo që shohim në mbrojtjen e Ukrainës, ku dronët luajnë një rol qendror, sipas Mölling-ut. Në të vërtetë, nuk janë vetë dronët që e ndihmojnë Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse, por rrjetëzimi i të gjitha informacioneve: imazhet e dronëve, satelitët, zbulimi.

“Ky është në fund të fundit çelësi që duhet të zotërohet, veçanërisht nëse duam të bëhemi të pavarur nga amerikanët.” Dhe kjo është ajo që duan të gjitha palët e përfshira.

Kjo është arsyeja pse, sipas Möllingut, ai beson se FCAS nuk do të zhduket. Presidenti dhe Kancelari e kanë bërë të qartë: “Kjo nuk mund të vdesë, kështu që nëse të dy vijnë këtu, kjo do të jetë para së gjithash një rritje energjie, një sinjal i qartë politik” – për një të ardhme për FCAS. Një ditë./DW

Lufta në Ukrainë, Rusia: S’do të pranojmë asnjë prezencë të trupave të NATO-s

By: e xh
27 August 2025 at 16:51

Rusia ka qëndrim negativ për propozimet evropiane për garanci të sigurisë për Ukrainën dhe nuk do të pranojë asnjë prezencë të trupave të NATO-s në territorin e shtetit fqinj, tha Kremlini më 27 gusht.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, lavdëroi përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke i cilësuar si “shumë të rëndësishme”, megjithatë ai tha se Moska shpreson që do të vazhdojnë këto përpjekje.

Si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme të paqes, aleatët evropianë të Ukrainës po punojnë për të hartuar një paketë garancish për Ukrainën, që do ta mbronin vendin nga një sulm i mundshëm i Rusisë.

Por, Peskov tha se dislokimi i trupave evropiane në Ukrainë do të nënkuptonte prani të NATO-s atje, gjë që sipas tij Rusia ka synuar që ta parandalojë që nga fillimi.

“Në fakt, që në fillim, ishte avancimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s dhe depërtimi i kësaj infrastrukture ushtarake në Ukrainë që mund të përmendet ndoshta si një nga shkaqet themelore të situatës së konfliktit që lindi”, tha ai.

“Prandaj, ne kemi një qëndrim negativ për këto diskutime”.

Të gjitha palët u pajtuan se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë pjesë e një marrëveshje të paqes, por kanë dallime thelbësore se çfarë forme duhet të marrin këto garanci.

Rusia thotë se duhet të jetë një nga garantuesit e sigurisë së Ukrainës dhe dëshiron të ringjallë një propozim që palët e kanë diskutuar më 2022, në javët e para të luftës. Kievi e refuzon një gjë të tillë, duke thënë se do t’i jepte Moskës veto ndaj çdo mbështetje të jashtme ushtarake për Ukrainën.

Peskov tha se garancitë e sigurisë ishin “ndër temat më të rëndësishme”, por Rusia nuk beson se është e dobishme që këto tema të diskutohen publikisht.

Ai tha se samiti që u mbajt këtë muaj mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, ishte “shumë përmbajtësor, konstruktiv dhe i dobishëm”.

Trump ka thënë se SHBA-ja nuk do të dislokojë trupa në Ukrainë si pjesë e ndonjë garancie sigurie në të ardhmen. Por, ai e ka lënë të hapur mundësinë për përfshirje të tjera ushtarake amerikane, përfshirë mbështetje ajrore dhe të inteligjencës.

Peskov tha se negociatorët rusë dhe ukrainas për paqen ishin në kontakt, por se ai nuk mund të jepte një datë për kur ata do të takoheshin sërish. Dy delegacionet zhvilluan për herë të fundit bisedime ballë për ballë në Stamboll më 23 korrik, në një takim që zgjati vetëm 40 minuta. / REL

❌
❌