Anijet turistike drejt Sazan-Karaburunit, rreth 9 mijë turistë vetëm në qershor
Parku i vetëm detar kombëtar, Sazan-Karaburun edhe këtë sezon turistik po vizitohet nga një numër i lartë turistësh vendas e të huaj.
Udhëtimi me anije drejt këtij parku i ofron mundësi turistëve të kalojnë një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.
Kapiteneria e portit të Vlorës bën të ditur se “për muajin qershor ky park u vizitua nga 8876 turistë vendas e të huaj. Edhe gjatë korrikut ka një numër të lartë vizitorësh jo vetëm vendas, por edhe nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës”.
Sipas Kapitenerisë, në portin e Vlorës operojnë 12 anije turistike, të cilat janë licencuar për të kryer këto udhëtime.
Sazan-Karaburuni, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në Vlorë është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës.
Me një shtrirje detare rreth 1,9 km në këtë park detar ndodhen monumentet e natyrës, Shpella e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike. Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë./ATSH