Masat e BE-së i kushtuan Kosovës 613 milionë euro
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë pasur ndikim të thellë financiar për vendin, me një kosto të përgjithshme që arrin në 613.4 milionë euro për periudhën qershor 2023 – prill 2025.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se për dy vitet e kaluara sa Kosova është nën masa të BE, ato i kushtuan vendit me 613 milionë euro.
Ai ka thënë se nga kjo shumë totale tashmë, 7.1 milionë janë të humbura, përderisa ka përmendur sektorët se ku këto mjete financiare ishin planifikuar të investoheshin.
“613.4 mln euro është kostoja totale e masave të BE-së ndaj Kosovës për periudhën qershor 2023 – prill 2025. Këtu përfshihen projektet e pezulluara për afat të pacaktuar. Nga kjo shumë, 7.1 mln euro janë të humbura plotësisht, të cilat parashiheshin për bujqësi, turizëm rural, ndërmarrje etj. Sektorët më së shumti të ndikuar janë: mjedisi 351 mln euro, energjia 114 mln euro, digjitalizimi 57 mln euro, kultura 15 mln euro etj”.
Ai postimin e ka shoqëruar me nj tabelë në të cilën paraqiten projektet kryesore që janë të pezulluara.
Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor 2023, si reagim ndaj situatës së tensionuar në veri, ku ndodhën veprime të pakoordinuara nga autoritetet kosovare.
Masat përfshinin:
Suspendimin e grupeve punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (SAA),
Pezullimin e fondeve të programit IPA (Instrumenti për Para-Anëtarësim),
Mosftesën në nivel të lartë të takimeve përveç dialogut Kosovë-Serbi,
Ndalesa e shqyrtimit për projekte nën kornizën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF)
Sipas raportit të GAP Institute, pjesa e projekteve të pezulluara ose të vonuara arrin në 613.4 milionë euro për periudhën qershor 2023–prill 2025
Nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë humbur plotësisht, për shkak të skadimit të afateve procedurale
Sipas të dhënave, sektorët që kanë pësuar dëmin më të madh përfshijnë:
Mjedisin – 350.7 milionë euro,
Energjinë – 114.4 milionë euro,
Digitalizimin – 57 milionë euro,
Kulturën – 15 milionë euro.
Përveç këtyre parave, Kosova është duke rrezikuar që të humb edhe miliona euro tjera për shkak të bllokimit të institucioneve.
Ditë më parë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe organizatat joqeveritare u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë këtë institucion, duke thënë se një nga pasojat e mosthemelimit të institucioneve është ngecja në ratifikimin e Planit të Rritjes.
Përmes një reagimi, shoqëria civile tha se zvarritja e ratifikimit të marrëveshjes për Planin e Rritjes, rrezikon jo vetëm përfitimet e drejtpërdrejta financiare, “por edhe kredibilitetin e Kosovës si partnere e besueshme në proceset evropiane”, u tha në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.
Ata u bënë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve, që “të vendosin interesin publik dhe të ardhmen e qytetarëve mbi kalkulimet e ngushta politike dhe të ratifikojnë këtë marrëveshje sa më shpejtë që është e mundur”.
“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, së bashku me marrëveshjen për huazim, është kyç për kualifikimin për parafinancim prej 61.8 milionë eurosh. Ky plan parasheh zbatimin e reformave të rëndësishme për integrimin evropian të vendit si dhe financimin e tyre me anë të fondeve nga ana e BE-së. Kosova parashihet që të përfitojë deri në 883 milionë euro për zbatimin e Agjendës së Reformave”, u tha në reagimin e shoqërisë civile.
Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian synon përshpejtimin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, dhe sipas shoqërisë civile, ai paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe për integrimin evropian.
Kuvendi i Kosovës nuk është themeluar ende, edhe pse seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Deri më tani deputetët kanë dështuar që të përmbyllin këtë proces. Çështja ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, propozimi për të cilin i takon fitueses së zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
The post Masat e BE-së i kushtuan Kosovës 613 milionë euro appeared first on Revista Monitor.