Skandali pas vdekjes së Matthew Perry, mjeku personal pranon fajësinë
Doktori Salvador Plasencia është deklaruar fajtor për shpërndarjen e paligjshme të ketaminës ndaj aktorit të njohur Matthew Perry, i njohur për rolin e tij në serialin “Friends”. Ai është personi i katërt që përballet me drejtësinë në kuadër të hetimeve mbi vdekjen tragjike të Perryt në tetor 2023.
Edhe pse mjeku nuk ishte përgjegjës për dozën vdekjeprurëse që i mori jetën aktorit, rrëfimi i tij ka hedhur dritë mbi mënyrën se si ai abuzoi me profesionin dhe dështoi ta mbronte pacientin e tij, i cili ishte i njohur për betejën e gjatë me varësinë.
Plasencia pranoi katër akuza në një gjykatë në Los Angeles dhe do të dorëzojë vullnetarisht licencën e tij mjekësore. Ai pranoi se kishte dorëzuar Perryt dhe asistentit të tij 20 shishe me ketaminë, shiringa dhe tableta për thithje brenda një periudhe prej dy javësh.
Dorëzimi i lëndëve nuk kishte qëllime mjekësore dhe shpesh ndodhte në ambiente të pazakonta, përfshirë një parking pranë një akuariumi. Në një nga komunikimet e tij me një tjetër mjek të përfshirë, Mark Chavez, ai e quante Perryn “idiot” dhe përmendte pagesa të larta deri në 12,000 dollarë për një vizitë në shtëpi.
Gjatë një seance më 12 tetor 2023, aktorit iu rrit ndjeshëm tensioni i gjakut, por pavarësisht rrezikut të qartë për shëndetin, Plasencia la doza të tjera të ketaminës në duart e asistentit të tij.
Hetimet kanë zbuluar një rrjet të tërë personash të përfshirë në furnizimin e Perryt me ketaminë.
The post Skandali pas vdekjes së Matthew Perry, mjeku personal pranon fajësinë appeared first on Albeu.com.