Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Albeu

Tjetër aksident në vend/ Përplasen dy makina në Dimal, dy të mitur përfundojnë në spitalin e Beratit

By: M C
23 July 2025 at 17:48

Një tjetër aksident rrugor është shënuar ditën e sotme në vend. Pasditen e sotme në qytetin e Dimalit, pranë zonës së njohur si Parku i qytetit janë përplasur dy makina.

Sipas raportimeve, një automjet tip Mercedes Benz, i drejtuar nga shtetasi M.M., është përplasur me një mjet tip Golf, në të cilin udhëtonte shtetasi L.T. së bashku me dy fëmijët e tij të mitur, 12 dhe 8 vjeç.

Ata kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe grupi hetimor dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa bëhet me dije se shoferi i automjetit “Mercedes Benz” është shoqëruar në komisariat.

The post Tjetër aksident në vend/ Përplasen dy makina në Dimal, dy të mitur përfundojnë në spitalin e Beratit appeared first on Albeu.com.

Prej disa ditësh aktiv zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës, në rrezik stanet e bagëtive dhe kosheret e bletëve, kërkohet evakuimi i tyre

By: M C
23 July 2025 at 17:26

Zjarri i rënë prej disa ditës në Parkun Kombëtar të Lurës vijon të jetë aktiv ndërsa orës pas ore përhapet me shpejtësi. Duke qene se zjarri është aktiv prej ditësh edhe dëmi që ka shkaktuar është i madh duke djegur dhjetëra hektarë pyje me pishë të zezë, pemë ahu e bimësi tjetër.

Mësohet se deri tani zjarri ka djegur rreth 200 hektarë pyje halore. Nga zjarri rrezikohen edhe stanet verore të bagëtive dhe 100 koshere bletësh.

Autoritetet vendore kanë ndërhyrë por nuk kanë mundur të vendosin nën kontroll zjarrin. Një avion italian nisi operacionin për fikjen e zjarrit pasditen e së hënës dhe gjatë gjithë ditës së martë.

Pas dy ditësh avioni e ndali operaionin pasi uji po hidhej nga një lartësi e madhe dhe pengohej nga terreni gjë e cila solli që sasitë e ujit të hedhur nga lart të mos japin rezultatin e duhur.

The post Prej disa ditësh aktiv zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës, në rrezik stanet e bagëtive dhe kosheret e bletëve, kërkohet evakuimi i tyre appeared first on Albeu.com.

Rusia dhe Irani zotohen të forcojnë bashkëpunimin ushtarak

By: M C
23 July 2025 at 17:12

Ministri i mbrojtjes i Rusisë është takuar me homologun e tij iranian në Moskë, me të dy zyrtarët që janë zotuar të forcojnë bashkëpunimin ushtarak.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA raportoi se takimi erdhi pas bisedimeve midis Vladimir Putin dhe Ali Larijani, një këshilltar i lartë i Liderit Suprem të Iranit.

Dyshja zhvilloi bisedime mbi situatën në Lindjen e Mesme dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor të Iranit.

Rusia ka një traktat partneriteti strategjik me Iranin dhe kohët e fundit dënoi bombardimet izraelite dhe amerikane të centraleve bërthamore iraniane muajin e kaluar.

Moska gjithashtu përdor rregullisht dronë Shahed të projektuar nga Irani në Ukrainë.

The post Rusia dhe Irani zotohen të forcojnë bashkëpunimin ushtarak appeared first on Albeu.com.

BE përgatit një plan tarifor prej 100 miliardë eurosh nëse nuk do të ketë marrëveshje me Trumpin

By: D Marku
23 July 2025 at 17:06

Bashkimi Evropian po kërcënon të vendosë tarifa ndëshkuese me vlerë gati 100 miliardë euro për produktet amerikane – nga uiski te avionët Boeing – nëse Presidenti Donald Trump nuk bie dakord për një marrëveshje tregtare deri në fund të javës së ardhshme.

Sipas gazetës Guardian, Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se synon të bashkojë dy lista të produkteve amerikane që ishin përgatitur tashmë në të kaluarën, me qëllim që t’i përfshijë ato në kundërmasat e mundshme kundër tarifave të importit që Trump kërcënon të vendosë.

Listat në fjalë përfshijnë mallra me vlerë 21 miliardë euro (produkte shpendësh, alkool) dhe 72 miliardë euro të tjera (makina, avionë). Nëse propozimi miratohet nga shtetet anëtare të BE-së përmes një votimi që pritet në ditët në vijim, tarifat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.

“Prioriteti ynë është zbatimi” , thotë Komisioni.

Përfaqësuesi tregtar i Komisionit Evropian, Olof Gill, tha se qëllimi i BE-së mbetet arritja e një marrëveshjeje me SHBA-në, por shtoi se “ne vazhdojmë të përgatitemi për të gjitha eventualitetet”.

Bashkimi i dy listave, tha ai, synon t’i bëjë kundërmasat “më të qarta, më të thjeshta dhe më të forta”.

Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, ishte planifikuar të zhvillonte një video-konferencë me Sekretarin e Tregtisë të SHBA-së, Howard Latnick, përpara se të informonte ambasadorët e BE-së të mërkurën pasdite. Brukseli ngurtëson qëndrimin pas kërcënimeve të reja të Trump.

Burime diplomatike thonë se klima në Bruksel ka ndryshuar ndjeshëm, veçanërisht pas refuzimit të një marrëveshjeje paraprake nga Trump dhjetë ditë më parë dhe kërcënimit të tij të mëvonshëm për të vendosur tarifa prej 30% për të gjitha importet nga BE-ja që nga 1 gushti.

The post BE përgatit një plan tarifor prej 100 miliardë eurosh nëse nuk do të ketë marrëveshje me Trumpin appeared first on Albeu.com.

“Nuk djeg jorganin për një plesht”, mandati i kaloi kushërirës së Lapajt, reagon Shabani: E fal se nuk diti se ç’bëri, njeriu im i afërt dha dorëheqjen

By: M C
23 July 2025 at 16:58

Kreu i “Nismës Thurrje”, Endrit Shabani ka reaguar për herë të parë pasi mandati i deputetit shkoi në familjen e ish-aleatit të tij në zgjedhjet e 11 Majit, Adriatik Lapajt.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Shabani ka “treguar të vërtetat e tij” dhe atë çfarë ka ndodhur mbrapa syve të mediave.

Ai ka bërë me dije se njeriu i tij i afërt dha dorëheqjen, pra sipas listës i bie të jetë partnerja e tij Livia Stavri dhe si rrjedhojë mandati i kaloi kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuveli e cila ishte pas saj në listë.

“Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet. Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat”, shkruan Shabani ndër të tjera.

Kleana Xhuveli mori sot mandatin e deputetes. 27-vjeçarja, me profesion juriste, u shpreh për mediat se qëllimi i saj nuk është të bëhet deputete por t’ia rikthejë mandatin Lapajt, njeriut që sipas saj e meriton. Gjithashtu ajo sqaroi dhe dilemën që po qarkullon lidhur me lidhjen familjare me kreun e “Shqipëria Bëhet”, duke bërë me dije se Lapaj është kushëriri i saj dhe jo vëllai ashtu si dhe është përfolur.

Postimi i plotë:

U mbars mali dhe…Njëmijë akuza.

Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!

Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.

Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.

Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!

Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.

Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.

Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.

Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.

The post “Nuk djeg jorganin për një plesht”, mandati i kaloi kushërirës së Lapajt, reagon Shabani: E fal se nuk diti se ç’bëri, njeriu im i afërt dha dorëheqjen appeared first on Albeu.com.

AFP: Gazetarët tanë në Gaza po vdesin urie

By: D Marku
23 July 2025 at 16:56

Një grup gazetarësh në agjencinë e lajmeve Agence France-Presse po ngre alarmin për kushtet me të cilat përballen kolegët që punojnë në Gaza duke thënë se pa ndërhyrje të menjëhershme, gazetarët e fundit në Gaza do të vdesin, sipas AP.

Në një territor të shkatërruar nga lufta, ku Izraeli në përgjithësi u ndalon gazetarëve të jashtëm hyrjen, organizatat ndërkombëtare të lajmeve si AFP, ”The Associated Press” dhe Reuters mbështeten në ekipet lokale për të përhapur lajmet

Ata janë penguar nga shqetësimet për sigurinë tek uria në Gaza, ku rreth 59 000 njerëz kanë vdekur në konfliktin 21-mujor, sipas autoriteteve lokale.

Shoqata e Gazetarëve në AFP, një shoqatë profesionistësh në agjencinë e lajmeve, detajoi se me çfarë po përballen kolegët e tyre në Gaza.

Ajo tha se ”ndan shqetësime për situatën e tmerrshme” dhe se ”po punon për të evakuuar punonjësit e saj të pavarur dhe familjet e tyre”.

“Për muaj të tërë, ne kemi parë që kushtet e tyre të jetesës përkeqësohen në mënyrë dramatike. Situata e tyre tani është e padurueshme, pavarësisht guximit të tyre shembullor, përkushtimit profesional dhe qëndrueshmërisë”, tha AFP në një deklaratë.

Një nga fotografët e AFP-së, i identifikuar si Bashar, dërgoi një mesazh në mediet sociale gjatë fundjavës dhe tha se ”nuk kam më forcë të punoj për median, pasi trupi im është i dobët dhe nuk mund të punoj më”.

”Bashar ka punuar për AFP-në që nga viti 2010. Që nga shkurti, ai ka jetuar në rrënojat e shtëpisë së tij në Qytetin e Gazës me nënën e tij dhe anëtarë të tjerë të familjes, dhe tha se një nga vëllezërit e tij kishte vdekur nga uria”, sipas grupit të gazetarëve.

The post AFP: Gazetarët tanë në Gaza po vdesin urie appeared first on Albeu.com.

TABELAT DHE HARTAT PËR ÇDO ZONË/ Publikohen çmimet e referencës së banesave për të gjithë Shqipërinë

By: D Marku
23 July 2025 at 16:44

Ministria e Financave ka publikuar për konsultim publik edhe referencat e reja për banesat në të gjithë territorin e vendit, ndarë me qytete, me zona dhe me harta përkatëse. Bëhet fjalë për Projektvendimin “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “Ndërtesa”, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”

Projektvendimi paraqet çmimet e reja mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për vlerësimin e vlerës së taksueshme për banesat që ndodhen në qarqet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë (pa bashkinë Tiranë), për t’iu përafruar çmimeve reale të tregut. Çmimet e ndryshuara janë nxjerrë si rezultat i punës së grupit ndërinstitucional të punës, të ngritur në bazë të urdhrit të Kryeministrit nr. 19, datë 30.1.2024, “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e çmimeve mesatare referuese të banesave”, të ndryshuar. Grupi ndërinstitucional i punës ka bërë gjithashtu edhe ndarjen në zona të qyteteve.

Të gjitha zonat shoqërohen edhe me hartat përkatëse, të hartuara nga grupi ndërinstitucional i punës, ku përcaktohen zona dhe çmimi mesatar për metër katror sipërfaqe banimi për secilën zone

METODOLOGJIA E PËRDORUR NGA GRUPI NDËRINSTITUCIONAL I PUNËS

Ndarja e zonave për caktimin e çmimeve mesatare referuese është bazuar mbi këto faktorë:

– të dhënat kadastrale mbi shitblerjet;

– struktura dhe hierarkizimi i sistemit urban me një fokus të veçantë mbi zonat me kategori përdorimi banimin, bazuar mbi përcaktimet e planeve të përgjithshme vendore;

– ndërlidhja e hierarkisë hapësinore dhe çmimeve të tregut për të përcaktuar një logjikë ndarëse, që mund të parashikojë tendencat e ardhshme të tregut imobiliar;

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në zbatim të detyrave për evidentimin e çmimeve mesatare të ndara sipas zonave, realizoi grumbullimin e të gjitha kontratave të shitblerjeve për periudhën 2022-2024. Të dhënat specifike, të mbledhura për çdo kontratë, përfshijnë: zonën, numrin e pasurisë, sipërfaqen në metra katrorë, vlerën e kontratës dhe datën e kontratës.

Analiza u kufizua vetëm tek të dhënat për llojin e pasurisë “apartament” dhe “ndërtesë”, referuar objektit të Urdhrit. Këto të dhëna u organizuan sipas bashkive, të cilat u ndanë bazuar në zonat përkatëse. Gjithashtu, u bë konvertimi i vlerave monetare në lekë, duke përdorur kursin mesatar të këmbimit për monedhat e huaja (euro, dollarë, franga, paund, etj.) gjatë periudhës së shqyrtuar. Çmimi për metër katror u llogarit për çdo kontratë.

Në çdo zonë, të dhënat u ndanë më tej sipas blloqeve, që janë njësitë më të vogla me të dhëna digjitale të disponueshme nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Mbi këto blloqe, u përllogarit çmimi mesatar për metër katror për çdo bllok. Nga analiza u përjashtuan vlerat, të cilat nuk kanë logjikë ekonomike dhe ato më të ulëta se çmimi referencë.

Përpunimi i të dhënave përfshiu edhe analizën e informacioneve hartografike kadastrale, duke përdorur hartat digjitale të regjistrimit fillestar të zonave, që përfshijnë bashkitë dhe zonën bregdetare të specifikuar në Urdhër. Hartat u gjeneralizuan deri në nivelin e blloqeve dhe më pas u lidhën me të dhënat alfanumerike, bazuar në numrin e bllokut.

Rezultatet, në formën e të dhënave hartografike dhe alfanumerike, u paraqitën në formatin e files “shape” dhe “.kmz”, ku për çdo bllok që përmbante transaksione ishin të paraqitura numri i transaksioneve dhe çmimi mesatar për metër katror.

Përcaktimi i ndarjeve zonale është bazuar mbi një logjikë hapësinore që merr parasysh disa karakteristika të qyteteve për të bërë diferencimin e çmimeve. Këto përfshijnë:

– Afërsinë me zonën qendrore të qytetit – duke supozuar që zhvillimi ekonomik, kërkesa dhe si rrjedhojë dhe çmimet e banesave janë përgjithësisht më të larta në zonat qendrore të qyteteve.

– Afërsinë me polet e zhvillimit strategjik të qytetit – projektet dhe investimet strategjike përbëjnë një motor ekonomik që parashikohet të rrisë zhvillimin dhe si rrjedhojë çmimet e banesave në këto zona. Këto projekte që planifikohen për t’u zhvilluar janë marrë në konsideratë për ndarjen e zonave dhe përcaktimin e çmimeve.

– Afërsinë me rrugët kryesore të aksesit ndaj qytetit (arteriet) – afërsia me akset qendrore të transportit është një nga faktorët për çmimet më të larta në tregun imobiliar për shkak të rritjes së aksesit fizik.

– Afërsinë me zonat historike të qytetit – zonat historike kanë vecoritë e tyre arkitekturore dhe urbanistike dhe si të tilla, mendohet që çmimi referencë i banesave të pasqyrojë këto veçori.

– Për bashkitë bregdetare, afërsia me zonën bregdetare – duke qënë se ka një fokus më të madh mbi zhvillimin e bregdetit nëpërmjet strukturave akomoduese dhe potencialit të turizmit, banesat në fashat bregdetare konsiderohen më atraktive dhe si rrjedhojë vërehet një ndryshim te çmimi.

The post TABELAT DHE HARTAT PËR ÇDO ZONË/ Publikohen çmimet e referencës së banesave për të gjithë Shqipërinë appeared first on Albeu.com.

Arrestimi i Meriton Mjekiqit, policia jep detaje

By: M C
23 July 2025 at 16:35

Moderatori i njohur kosovar, Meriton Mjekiqi, bashkë me vëllain e tij raportohet se janë arrestuar. Ndaj dy vëllezërve rëndon dyshimi për përfshirje në një incident të dhunshëm, që për pasojë ka lënë të lënduar një 29-vjeçar.

Në raporton 24 orësh të policisë së Kosovës, thuhet se dyshja është vënë në pranga më 22 korrik, pas hetimeve që pasuan incidentin.
“Më 22.07.2025 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar, më 11.07.2025”, thuhet në raportin e policisë.

Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Mjekiqi dhe vëllai i tij dyshohet se kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

The post Arrestimi i Meriton Mjekiqit, policia jep detaje appeared first on Albeu.com.

Humb jetën 68-vjeçarja nga Kamza, pësoi arrest kardiak sapo hyri në det tek “Gjiri i Lalzit”

By: M C
23 July 2025 at 16:16

Ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në plazhin e Gjirit të Lalzit ku ka humbur jetën një 68-vjeçare.

68-vjeçarja nga Kamza pësoi arrest kardiak në momentin që u fut në det, për pasojë ka humbur jetën.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 13:30, në plazhin e Gjirit të Lalzit, shtetasi P. Q., 68 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak kur ka hyrë në det dhe për pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës së 68-vjeçarit.

The post Humb jetën 68-vjeçarja nga Kamza, pësoi arrest kardiak sapo hyri në det tek “Gjiri i Lalzit” appeared first on Albeu.com.

Tërmet në Greqi, ja sa ishte magnituda

By: V K
23 July 2025 at 16:00

Para pak minutash, një tërmet i fortë me magnitudë 5.3, është ndjerë në Kretë të Greqisë.

Sipas të dhënave, tërmeti ndodhi 54 km në perëndim të Hanias në Kretë, në orën 16:26 me orën lokale.

Tërmeti ishte në një thellësi prej 47 km dhe u raportua se u ndje nga disa njerëz pranë epiqendrës.

Disa qytete dhe fshatra më të vogla ndodhen më afër epiqendrës dhe mund të kenë përjetuar dridhje më të forta, raportojnë mediat greke, ndërsa nuk bëhet e ditur për dëme apo të lënduar.

The post Tërmet në Greqi, ja sa ishte magnituda appeared first on Albeu.com.

Nga zonjë beqare te një histori dashurie e heshtur: Venus Williams konfirmon fejesën me Andrea Preti

By: D Marku
23 July 2025 at 15:36

Pas viteve si një ikonë e beqarisë dhe pavarësisë, Venus Williams ka ndarë lajmin se është e fejuar me aktorin dhe producentin italian Andrea Preti.

Në një intervistë pas ndeshjes së fundit, ajo tha se Andrea ka qenë mbështetja e saj më e madhe në rikthimin në fushë:
“Kur doja të hiqja dorë, ai më shtyu të vazhdoja.”

Çifti e mbajti romancën privat për një kohë të gjatë, por nisën të përfliteshin për fejesë që në shkurt, kur u panë në Romë dhe Venus mbante një unazë diamanti.

Në një intervistë më parë, ajo kishte thënë:
“Jeta ndryshon… dhe duhet të dish kur të ndryshosh edhe ti.”

The post Nga zonjë beqare te një histori dashurie e heshtur: Venus Williams konfirmon fejesën me Andrea Preti appeared first on Albeu.com.

Shtyhen afatet e hetimit/ Erion Veliajt i komunikohen akuzat në qeli, të pandehur dhe Gent Sula e Mirton Lika

By: V K
23 July 2025 at 15:32

Prokuroria e Posaçme, i ka komunikuar zyrtarisht ditën e sotme akuzat Erion Veliajt. Kanë qenë një grup oficerësh të BKH-së, të cilët kanë shkuar këtë të mërkurë në paraburgimin e Durrësit dhe i kanë komunikuar akuzat kryebashkiakut të Tiranë, i cili ka firmosur në praninë e një prej avokatëve.

Veliaj është marrë i pandehur si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Të njëjtat akuza si të Erion Veliajt, iu komunikuan ditën e sotme edhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila u paraqit në SPAK së bashku me avokatin e saj, Maks Haxhia.

Jashtë kamerave, avokati Maks Haxhiaj, deklaroi se SPAK e ka shtyrë afatin e hetimeve deri më 24 shtator dhe më pas dosja do të përgatitet për t’u dorëzuar në GJKKO për gjykim.

Ndërkohë, ditën e djeshme, u paraqit në SPAK biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule, i cili u mor i pandehur dhe iu komunikua akuza si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

I PANDEHURI GENTIAN SULA

Ditën e sotme, u paraqit në SPAK edhe biznesmeni Gentian Sula i “Kodrës së Diellit, i përfshirë në disa dosje politikanësh, ku mes tyre dhe ajo e Erion Veliajt. Ai u mor i pandehur dhe iu komunika akuza si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë”.

Sipas dosjes hetimore, Sula dhe Veliaj njihen që nga viti 2004 dhe kanë bërë të paktën 3 udhëtime me charter jashtë vendit. Po ashtu, rezulton se kur Erjon Veliaj ishte ministër i Punës, ka punësuar bashkëshorten e Gentjan Sulës si zv.ministre.

SPAK thotë se kompania “Agi Kons” e Gentjan Sulës ka përfituar leje ndërtimi dhe tendera pranë Bashkisë së Tiranës dhe në këmbim i ka dhënë çiftit Veliaj-Xoxa një vilë në “Marea Resort” në Qerret të Kavajës.

Vila nuk rezulton në emër të kryetarit të Bashkisë apo bashkëshortes së tij, por sipas SPAK ata kanë qëndruar aty gjë që vërtetohet nga qelizat telefonike, nga dëshmitë e shoferit të Ajola Xoxës dhe personave të tjerë të besuar.

Një nga provat shkresore më të forta gjithsesi janë deklarimet e kompanisë së administrimit “S&D Invest” në pronësi të Gentian Sulës që nga vitet 2020 dhe 2021 ka deklaruar në Drejtorinë e Përgjithsme të Tatimeve emrin e Erjon Veliajt si blerës i dy vilave.

I PANDEHUR EDHE BIZNESMENI MIRTON LIKA I “SKY TOWER”

Në lidhje me dosjen “Veliaj”, Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe shtetasin Mirton Lika, një biznesmen dhe Konsull Nderi i Sri Lankës në Republikën e Shqipërisë.

Ai është marrë i pandehur në lidhje me ambientin e ndodhur në katin e 11-të të kullës të quajtur “Sky Tower”, e cila dyshohet se posedohet nga bashkëshortja e Erion Veliaj, si pronë e fshehur.

Ambienti ndodhet një kat më sipër zyrës së regjistruar të organizatës “Harabel“ që drejtohet nga Ajola Xoxa, teksa nuk është deklaruar në asnjë prej deklaratave të pasurisë së çiftit Veliaj-Xoxa. Me urdhër të SPAK, BKH ka ushtruar kontrolle në këto ambientet, ku janë gjetur materiale që kanë implikuar Ajola Xoxën.

Në letra, ambineti zotërohet nga kompania “Lani Shpk”, që është administruese e kullës “Sky Tower” dhe pronarë të saj janë ish-deputeti i PS-së Vladimir Kosta me 70% të aksioneve, si dhe Mirton Lika me 30% të aksioneve.

Palët pretendojnë se ambienti ishte marrë me qira nga “Partners Law“ e Ajola Xoxës dhe përdorej për evente dhe skenografi, por SPAK, nga hetimet e kryera, dyshon se kemi të bëjmë me një pasuri të fshehur të bashkëshortes së Erion Veliajt.

“Brenda kësaj hapësirë, me disa dhoma, një hapësirë shumë e vogël (1 dhomë plus një pjesë e një dhome tjetër) përdoren si magazinë në kuadër të marrëveshjes së qirasë me “Partners Law”, ku ndodhen kryesisht objekte që përdoren për evente dhe skenografi.” – ka deklaruar avokati i Xoxës.

DOSJA VELIAJ

Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 Shkurtit në Bashkinë e Tiranës, teksa i është lënë në fuqi masa e “arrestit me burg” nga të tre shkallët e gjyqësorit.

Pas një hetimi 1 vjeçar, SPAK i ngriti fillimisht akuzat Veliajt për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Pas vendimit të Apelit, Erion Veliajt iu shtua edhe akuza e futjes së sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit, pasi ishte në përgjim dhe zhvilloi telefonata me celularin e një prej efektivëve të Burgjeve, teksa ishte në fugon për t’u transferuar në burg. Ky procedim penal është ndarë më vete nga dosjas e korrupsionit.

Për të njëjtën çështje akuzohet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në masën “detyrim paraqitje”, dhe mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.

Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.

Ndërkoh, më 22 Maj, SPAK rëndoi pozitat penale të çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa, pasi i shtoi një akuzë të re, si dhe i sekuestroi edhe një tjetër apartament, e cila dyshohet si pasuri e fshehur e tyre.

Bëhet fjalë për apartamentin në katin e dytë të godinës ku ndodhet dhe apartamenti i Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në zonën e “Kodrës së Diellit” në kryeqytet, ku më parë ishte ushtruar kontrolle edhe nga oficerët e BKH-së.

Ndaj çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa është shtuar akuza e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Aktualisht Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e burgut të Durrësit. Nga qelia, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave që e mbështesin, kryebashkiaku ka ndërmarrë një fushatë linçimi publik ndaj prokurorit të çështjes dhe gjyqtarëve që kanë vlerësuar masën e sigurisë, në një përpjekje të dështuar për t’i frikësuar.

Veliaj ka angazhuar në mbrojtje të tij edhe dy studio ligjore ndërkombëtare – në Nju Jork dhe Londër, si dhe një kompani ‘PR’ britanike.

The post Shtyhen afatet e hetimit/ Erion Veliajt i komunikohen akuzat në qeli, të pandehur dhe Gent Sula e Mirton Lika appeared first on Albeu.com.

Drama me Gjestin – Egli Tako e përshkruan veten me katër fjalë

By: D Marku
23 July 2025 at 15:17

Marrëdhënia mes Egli Takos dhe Gjestit duket se ka marrë fund, të paktën sipas lëvizjeve të tyre në rrjete sociale.

Dyshja, të cilët ishin komentuar shpesh për raportin mes tyre, nuk ndiqen më në Instagram, një detaj që zakonisht konsiderohet si tregues i ftohjes ose përfundimit të një lidhjeje.

Në mes të këtyre zërave, Egli ka zgjedhur të reagojë në mënyrën e saj, jo me fjalë të drejtpërdrejta, por me një postim që duket të jetë një mesazh simbolik.

Ajo ka publikuar një fotografi provokuese në bikini, ku shfaqet duke marrë rreze dielli, e qetë dhe e buzëqeshur.

Më shumë se fotografia, ajo që ka tërhequr vëmendjen ishte përshkrimi që i ka bërë vetes përmes katër fjalëve.

“E lirë, e dashur, e vlerësuar, e fuqishme”, ka shkruar ajo.

Për momentin, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për ndarjen, por sinjalet në rrjete sociale flasin vetë

The post Drama me Gjestin – Egli Tako e përshkruan veten me katër fjalë appeared first on Albeu.com.

Aksident i rëndë në Bulqizë/ Makina del nga rruga, 2 viktima dhe një i plagosur (EMRAT)

By: V K
23 July 2025 at 15:16

Pasditen e sotme rreth orës 14:15, një aksident i rëndë ka ndodhur në Bulqizë, ku si pasojë kanë vdekur 2 persona kurse një tjetër ka mbetur i plagosur.

Burhan Gjoka dhe Destan Gjeta, kanë ngelur viktimë e këtij aksidenti.

Njoftimi:

Bulqizë/Informacion paraprak

Rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Antena”, në Qafë-Buall Bulqizë, një automjet tip “Nisan”, ka dalë nga rruga.

Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën shtetasit B.Gj., dhe D.Gj, si dhe ka mbetur i dëmtuar dhe po transportohet në spital për ndihmë mjekësore shtetasi A.Gj.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.

 

The post Aksident i rëndë në Bulqizë/ Makina del nga rruga, 2 viktima dhe një i plagosur (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

SPAK zgjat afatet e hetimit edhe me 3 muaj për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci

By: V K
23 July 2025 at 14:59

Prokuroria e Posaçme, ka zgjatur edhe me tre muaj të tjerë hetimet ndaj Benet Becit, kryetar i Bashkisë së Shkodrës.

Beci është i pandehur nga SPAK, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera bashkë me 7 vartës.

Më herët, Beci është marrë në pyetje nga prokurorët ku ka dhënë shpjegimet e tij për çështjen në hetim.

Benet Beci, ka mbajtur dhe detyrën e drejtorit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Për disa vite ai ka qenë edhe drejtor i KESH-it, detyrë nga e cila u largua në 2021, kur kandidoi për deputet të PS në Qarkun e Shkodrës.

Benet Beci, u zgjodh kryetar i Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku fitoi përballë Bardh Spahisë së PD.

The post SPAK zgjat afatet e hetimit edhe me 3 muaj për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci appeared first on Albeu.com.

Turqia dhe Britania nënshkruajnë marrëveshjen që i lejon Ankarasë të jetë përdoruese e aeroplanëve luftarakë Eurofighter

By: D Marku
23 July 2025 at 14:56

Turqia dhe Britania kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi (MoU) për t’i lejuar Ankarasë të jetë përdoruese e aeroplanëve luftarakë Eurofighter Typhoon, në një hap të madh drejt sigurimit të prokurimit të avionëve pas vitesh negociatash.

Turqia ka qenë në bisedime për të blerë 40 aeroplanë luftarakë, të cilët janë ndërtuar nga një konsorcium i Gjermanisë, Britanisë, Italisë dhe Spanjës, të përfaqësuar nga Airbus, BAE Systems dhe Leonardo.

“Ministrat e Mbrojtjes kanë nënshkruar sot së bashku një Memorandum Mirëkuptimi. Ky dokument kodifikon marrëdhëniet midis vendeve, duke i çuar ato një hap më afër një marrëveshjeje të plotë për Typhoon”, tha Ministria Turke e Mbrojtjes në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja.

“Të dy Ministrat e mirëpresin nënshkrimin si një hap pozitiv drejt sjelljes së Turqisë në klubin Typhoon dhe ndajnë një ambicie të ndërsjellë për të përfunduar marrëveshjet e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur”, është thënë më tej në deklaratë.

Më parë, revista Spiegel raportoi se Gjermania kishte hapur rrugën edhe për dorëzimin e 40 aeroplanëve luftarakë në Turqi, pas një vendimi pozitiv nga këshilli federal i sigurisë.

Marrëveshja vjen një ditë pas bisedës telefonike të presidentit Rexhep Tajip Erdogan me kryeministrin britanik Keir Starmer, në të cilën ata shqyrtuan progresin e fundit në lidhje me prokurimin e mundshëm të aeroplanëve luftarakë nga Turqia.

Të dyja palët shprehën optimizëm se zhvillimet në këtë fushë do të forconin më tej bashkëpunimin në mbrojtje midis Ankarasë dhe Londrës.

Erdogan më herët të dielën tha se Britania dhe Gjermania treguan një qëndrim “pozitiv” ndaj blerjes së mundshme të Eurofighters nga Turqia, duke theksuar se Ankaraja dëshiron ta finalizojë blerjen sa më shpejt të jetë e mundur.

The post Turqia dhe Britania nënshkruajnë marrëveshjen që i lejon Ankarasë të jetë përdoruese e aeroplanëve luftarakë Eurofighter appeared first on Albeu.com.

“E paska zënë”, modelja shqiptare i përgjigjet ndjekësit për raportin me Butrint Imerin

By: D Marku
23 July 2025 at 14:49

Modelja dhe influencuesja shqiptare, Melisa, ka reaguar së fundmi ndaj një komenti që ka qarkulluar në rrjete sociale pas paraqitjes së saj në videoklipin më të ri të këngëtarit Butrint Imeri, të titulluar “Harrom”.

Një ndjekës kishte komentuar: “E paska zënë Butrinti”, duke lënë të nënkuptohet se mes dyshes mund të ketë lindur diçka më shumë se një bashkëpunim profesional.
Melisa nuk ka nguruar të përgjigjet me ton të drejtpërdrejtë dhe ironik: “Okej, sot është 2025. Nuk do të thotë që një çikë e një djalë po e bëjnë një klip bashkë që i kanë 25 fëmijë bashkë, edhe që janë martu edhe që gjithë jetën kanë me qenë bashkë”.

Ajo sqaroi më tej se bashkëpunimi i tyre ishte thjesht profesional dhe nuk ka vend për spekulime.

“Një klip e kemi bërë dhe aty ka përfunduar puna”, shtoi ndër të tjerash.

Reagimi i Melisës ka marrë vëmendje të madhe në rrjete, duke hapur diskutime mbi pritshmëritë e publikut kur vjen puna te bashkëpunimet artistike mes vajzave dhe djemve në industrinë shqiptare të muzikës.

Paraqitja e saj në klip gjithashtu mori reagime të shumta e mjaft pozitive nga fansat e dyshes.

The post “E paska zënë”, modelja shqiptare i përgjigjet ndjekësit për raportin me Butrint Imerin appeared first on Albeu.com.

Termometri 43 gradë/ Meteorologu: Vala Afrikane godet Shqipërinë

By: V K
23 July 2025 at 14:37

Vendi ynë, po përballet me ditët më të nxehta të këtij viti, si pasojë e një vale të të nxehtit afrikan që ka përfshirë të gjithë rajonin.

Sot temperaturat kanë arritur deri në 37°C, ndërsa kulmi i valës pritet të godasë këtë të premte, me 43°C ku deri tani parashikohet te jete niveli më i lartë i regjistruar Meteorologu Hakil Osmani nga MeteoAlb, njofton se kjo situatë ekstreme vjen si pasojë e masave ajrore shumë të nxehta nga Afrika e Veriut.

Temperaturat ekstreme po vazhdojnë të përfshijnë vendin tonë, ndërsa vala e të nxehtit afrikan do të vijojë dhe në ditët në vijim

Sot, termometri ka shënuar 37 gradë Celsius, por sipas parashikimeve nga MeteoAlb, kulmi i të nxehtit pritet të arrijë këtë të premte, ku temperaturat do të ngjiten deri në 43 gradë Celsius

Hakil Osmani, meteorolog pranë MeteoAlb, bën me dije se vala e të nxehtit po vjen nga Afrika e Veriut, duke ndikuar ndjeshëm në të gjithë rajonin.

Por ka edhe një lajm të mirë, pasi e diela pritet të sjellë ulje të temperaturave, shoqëruar edhe me reshje të përkohshme shiu, kryesisht në zonat veriore dhe në gjysmën lindore të vendit.

Si pasojë e temperaturave të larta mjeket vazhdimisht bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të mesditës ku këshillohet të konsumohet shumë ujë, shmangni qëndrimin në diell dhe mbani të mbrojtur fëmijët dhe të moshuarit.

The post Termometri 43 gradë/ Meteorologu: Vala Afrikane godet Shqipërinë appeared first on Albeu.com.

KQZ i akordoi vendin në Parlament, reagon Kleana Xhuveli: Mandati do të rikthehet tek i zoti kur të fitojmë betejën ligjore

By: V K
23 July 2025 at 14:22

Kleana Xhuveli, kandidate në listën e mbyllur të koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, njoftoi se do të ushtrojë mandatin e deputetes, i cili iu akordua ditën e sotme nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi i cili shqyrtoi dokumentacionin.

Në një deklaratë për mediat pas marrjes së mandatit këtë, Xhuveli theksoi se ky vendim është marrë në bazë të rrethanave aktuale dhe dëshirës për të mbështetur misionin e listave të hapura, të cilat përbëjnë themelin e lëvizjes së tyre politike.

Ajo premtoi se do të përfaqësojë me dinjitet mandatin e shqiptarëve që votuan koalicionin, ndërsa theksoi se, “në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi”.

“Duke qenë se lëvizja jonë ka në themel garën me lista të hapura, zotohem se do ta përfaqësoj me dinjitet mandatin.

Në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes tonë, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi”, deklaroi Kleana Xhuveli.

The post KQZ i akordoi vendin në Parlament, reagon Kleana Xhuveli: Mandati do të rikthehet tek i zoti kur të fitojmë betejën ligjore appeared first on Albeu.com.

Alarmi për mjet shpërthyes në një diskotekë në Prishtinë, ku pritej të performonte Noizy – Policia jep detajet

By: D Marku
23 July 2025 at 14:12

Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes ka shkaktuar panik gjatë natës në një nga diskotekat e njohura të Prishtinës, ku ishte paralajmëruar një performancë e reperit të njohur shqiptar, Noizy.

Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të mëngjesit të së mërkurës, kur Policia e Kosovës pranoi një informacion të dyshuar për prezencën e një mjeti shpërthyes në ambientet e lokalit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Policia ka reaguar dhe ka dërguar në vendin e ngjarjes njësitë e specializuara për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, përfshirë njësitin për deminim dhe njësinë K9 me qen gjurmues.

“Pas evakuimit si dhe kontrollit të plotë të hapësirave nga njësitë përkatëse, është konstatuar se nuk ka asnjë mjet shpërthyes dhe se informata ka qenë e rrejshme”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci po ashtu theksoi se rasti është referuar tek prokurori kompetent, dhe hetuesit policorë do të vazhdojnë procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat dhe burimin e informacionit.

Policia e Kosovës po ashtu falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që të shmangen përhapjet e informatave të pabazuara, pasi ato jo vetëm që krijojnë panik të panevojshëm, por edhe vënë në lëvizje pa arsye resurset shtetërore që mund të jenë të nevojshme në situata reale emergjente.

The post Alarmi për mjet shpërthyes në një diskotekë në Prishtinë, ku pritej të performonte Noizy – Policia jep detajet appeared first on Albeu.com.

❌
❌