Takimi i ardhshëm midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin në Alaskë ka shkaktuar shqetësime të thella në një pjesë të opinionit publik evropian, veçanërisht në pjesën lindore të kontinentit.
Megjithëse paraqitet në mënyrë formale si një takim diplomatik mes dy fuqive botërore me qëllim “zgjidhjen e çështjeve kyçe ndërkombëtare”, në shumë kryeqytete të Evropës kjo ngjarje shihet si një përsëritje e mundshme e momenteve më të errëta të shekullit të XX-të – Konferenca e Mynihut e vitit 1938 dhe Samiti i Jaltës i vitit 1945.
Të dy këto ngjarje historike kanë mbetur të ngulitura në kujtesën kolektive të popujve, fatet e të cilëve u vendosën pa praninë e tyre.
Në Mynih, fuqitë e mëdha pranuan kërkesat territoriale të Gjermanisë naziste, duke sakrifikuar sovranitetin e Çekosllovakisë për të shmangur luftën.
Në Jaltë, disa vite më vonë, fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore e ndanë Evropën në sfera ndikimi, duke lënë vendet e Evropës Lindore nën dominimin sovjetik. Në të dy rastet, vendimet u morën pas dyerve të mbyllura, ndërsa popujt që prekeshin nga ato vendime – nuk ishin as të ftuar në tryezë.
Jalta: Simbol i formësimit gjeopolitik të botës

Në shkurt të vitit 1945, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po i afrohej fundit, liderët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Sovjetik u takuan në vendpushimin bregdetar të Detit të Zi – Jaltë.
Zyrtarisht, qëllimi ishte të merreshin vesh për hapat përfundimtarë në luftën kundër Gjermanisë dhe të vendoseshin themelet e rendit pasluftës, transmeton Telegrafi.
Jozyrtarisht, ai takim u bë sinonim për ndarjen e Evropës dhe për konfirmimin e kontrollit sovjetik mbi një pjesë të madhe të kontinentit. Kufijtë u vizatuan në harta, dhe fatet politike të tëra popujve u vulosën me marrëveshje për të cilat ata nuk kishin as mundësi t’i dëgjonin, e lëre më t’i kundërshtonin.
Për shumëkënd në Evropën Lindore, Jalta ka mbetur simbol i tradhtisë dhe përfaqëson idenë se fuqitë e mëdha mund të bëjnë tregti me territoret e shteteve më të vogla në emër të “paqes së përgjithshme”.
Sot, ndërsa flitet për kompromiset e mundshme “territoriale” mes Uashingtonit dhe Moskës, paralelja me Jaltën është e pashmangshme. Veçanërisht shqetësuese është fakti që, sipas informacioneve të deritanishme, në takimin e Alaskës nuk pritet të ftohen përfaqësues të Ukrainës – njësoj siç Polonia, vendet baltike dhe Çekosllovakia nuk qenë të ftuara në Jaltë.
Mynihu: Rreziku i lëshimit përballë agresorit

Një mësim edhe më i vjetër dhe po aq i hidhur vjen nga viti 1938.
Atëherë, kryeministri britanik, Neville Chamberlain, së bashku me liderë francezë, nënshkroi një marrëveshje me Adolf Hitlerin, përmes së cilës Gjermanisë naziste i dorëzohej rajoni Sudet – një pjesë kyçe për Çekosllovakinë.
Zyrtarisht, kjo politikë quhej “qetësim” (appeasement), një përpjekje për të shmangur luftën duke iu përgjigjur kërkesave të Hitlerit.
Në praktikë, ajo rezultoi si hyrje në një agresion edhe më të gjerë dhe në shkatërrimin e Çekosllovakisë vetëm pak muaj më vonë, raporton the hill.
Në prag të takimit në Alaskë, shumëkush ka frikë se çdo marrëveshje që do ta detyronte Ukrainën të dorëzonte një pjesë të territorit të saj Rusisë – sidomos ato zona që aktualisht nuk janë nën pushtim rus – do të ishte ekuivalente me Marrëveshjen e Mynihut.
Ashtu si rajoni Sudet ishte thelbësor për mbrojtjen e Çekosllovakisë, edhe qytetet lindore të Ukrainës dhe vijat e frontit janë jetike për sigurinë e vendit. Lëshimi do të mund të nënkuptonte hapjen e derës për një agresion të mëtejshëm rus.
Konteksti aktual: lufta në vitin e tretë dhe fronte të lodhura

Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të tretë pa shenja që do të përfundojë së shpejti. Forcat ruse vazhdojnë të kontrollojnë një pjesë të madhe të Ukrainës lindore dhe jugore, përfshirë Krimenë, ndërsa linja e frontit shtrihet për qindra kilometra. Ushtria ukrainase, edhe pse rezistuese, përballet me sfida serioze logjistike dhe kuadrove, ndërsa ndihmat ushtarake dhe financiare nga Perëndimi po arrijnë më ngadalë se më parë.
Në këto rrethana, bisedat për “marrëveshje paqeje” shpesh nënkuptojnë presion mbi Kievin për të pranuar dhurime territoriale në këmbim të armëpushimit. Megjithatë, përvoja e dekadave të fundit tregon se këto “konflikte të ngrira” rrallë mbeten të tilla – nga Transnistria deri në Gjeorgji, agresori zakonisht kthehet me kërkesa të reja sapo ndjen veten mjaftueshëm të fuqishëm.
Pikërisht për këtë arsye në Kiev dhe kryeqytetet e Evropës Lindore ekziston një dyshim i thellë ndaj çdo marrëveshjeje që bëhet pa pjesëmarrjen aktive të Ukrainës.
Ndërsa Stalini në vitin 1945 ishte formalisht aleat i Perëndimit, Rusia e sotme nën Putinin po zhvillon një luftë të hapur, të paarsyeshme kundër Ukrainës. Qëllimet që Kremlini ka shprehur shumë herë shkojnë shumë përtej kufijve të vendit – nga kërkesa që NATO të tërheqë trupat nga të gjitha shtetet që iu bashkuan Aleancës pas vitit 1997, deri tek krijimi i një “arkitekture të re sigurie” evropiane që do të njihte sferën e interesit rus në Evropën Lindore.
Këto kërkesa kujtojnë logjikën e gjysmës së parë të shekullit të XX-të, kur liderët autoritarë vendosnin ultimatum me kërcënim force, duke llogaritur në ndarjen dhe paqëndrueshmërinë e shteteve demokratike. Pikërisht kjo shqetëson shumë kryeqytete evropiane: mundësinë që, pas dyerve të mbyllura, të arrihet një marrëveshje që do të ndryshojë përkohësisht hartën e sigurisë së kontinentit.
Alaska si një pikë e re kthese
Takimi në Alaskë mund të shënojë një pikë kthesë. Nëse nga ky takim hapet hapësirë për “ndryshime territoriale” pa pranimin e palës së prekur, kjo do të përbënte një precedent të rrezikshëm, duke legjitimuar përdorimin e forcës për të marrë territore.
Një qasje e tillë do të dobësonte të drejtën ndërkombëtare dhe do të dëmtonte themelet e rendit që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore.
Për Ukrainën, por edhe për një numër vendesh nga Baltiku deri në Ballkan, kjo është një çështje ekzistenciale.
Kujtimet e Mynihut dhe Jaltës nuk janë vetëm shënime historike, por paralajmërime të gjalla për çmimin e tregtimit politik të territoreve dhe lirisë së të tjerëve.
Nëse nga historia mund të nxirret një mësim, ai është i qartë: marrëveshjet që bëhen pa praninë dhe pëlqimin e atyre që i përkasin – rrallë sjellin paqe të qëndrueshme dhe të drejtë.
Si viti 1938 ashtu edhe 1945 treguan se kompromiset me agresorët, pavarësisht se si justifikohen si “e keqja e nevojshme”, zakonisht hapin dyert për kriza të reja. Në këtë kuptim, Alaska mund të bëhet simbol i një tjetër kthese vendimtare në historinë e Evropës – pyetja mbetet vetëm në drejtimin që do të marrë. /Telegrafi/
The post Nga Jalta dhe Mynihu deri në Alaskë – marrëveshjet sekrete të fuqive të mëdha që shkruan fatet e popujve evropianë appeared first on Telegrafi.