Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 August 2025Main stream

Luftë me flakët në jug, zjarr masiv mes Patosit dhe Mallakastrës, situatë e vështirë edhe në Mirditë

By: A R
7 August 2025 at 23:01

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pylli me pisha në zonën kufitare mes bashkive Patos dhe Mallakastër, mes fshatrave Lofkënd dhe Drenie. Flakët, të cilat kanë nisur prej ditës së djeshme, po luftohen nga ajri dhe nga toka.

Në terren ndodhen forca të shumta, përfshirë ato të Emergjencave Civile, shërbime zjarrfikëse nga disa bashki, dhe trupa të Forcave të Armatosura. Në ndihmë është angazhuar edhe një helikopter, ndërhyrja e të cilit ka bërë të mundur izolimin e vatrave aktive. Pavarësisht situatës serioze, autoritetet po bëjnë maksimumin për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndodhet në zonë për të koordinuar operacionin dhe ka vlerësuar lart profesionalizmin e të gjithë atyre që janë angazhuar.

Ai theksoi se mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e mjedisit është prioritet absolut.

Në operacionin e shuarjes së zjarrit po marrin pjesë:

2 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura

3 zjarrfikëse nga bashkia Patos

1 zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër

1 zjarrfikëse nga bashkia Lushnjë

1 zjarrfikëse nga bashkia Fier

2 mjete të kompanisë Albpetrol

1 mjet zjarrfikës nga Roskoveci

Përveç dëmeve në ekosistem, autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që zjarri të jetë i qëllimshëm. Policia ka nisur hetimet dhe kujton se zjarrvënia e qëllimshme dënohet sipas Kodit Penal.

Situatë e vështirë edhe në Mirditë, flakët përfshijnë pyllin me pisha

Një vatër tjetër zjarri ka shpërthyer pasditen e së enjtes në fshatin Vjollcë (Malaj), në Mirditë. Terreni i thepisur dhe era e fortë kanë bërë që flakët të përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe pylli me pisha.

Zjarrfikësit, pavarësisht përpjekjeve të pandërprera, nuk kanë arritur ta izolojnë zjarrin. Për shkak të aksesit të vështirë në zonën malore, ndërhyrja po vijon me mjete të kufizuara. Zjarrfikësit janë ende në vendngjarje, duke u përpjekur të vënë situatën nën kontroll.

The post Luftë me flakët në jug, zjarr masiv mes Patosit dhe Mallakastrës, situatë e vështirë edhe në Mirditë first appeared on JavaNews.al.

FOTO / Arratiset 34-vjeçari serb nga Qendra e Paraburgimit, policia kërkon ndihmë

By: A R
7 August 2025 at 22:54

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është arratisur nga Qendra e paraburgimit në Mitrovicën e Veriut. Në një postim në Facebook, policia njofton se ka marrë masat duke ngritur pika kontrolli në të gjithë veriun e vendit dhe duke kontrolluar edhe fizikisht zonën për rreth qendrës se Paraburgimit edhe me njësi të specializuara.

“Sot me 07.08.2025 rreth orës 15:45 jemi njoftuar se nga Qendra e Paraburgimit ne Mitrovice Veri një person është arratisur. Policia menjëherë ka marrë masat duke ngritur pika statike te kontrollit ne tere veriun e vendit dhe duke kontrolluar edhe fizikisht zonën për rreth qendrës se Paraburgimit”, njofton policia.

Krah njoftimit policia ka bërë përshkrimin e të arratisurit. Bëhet shtetasin serb Dorde Radomiroviç, 34-vjeç të lindur në Novi Sad.

Arratiset 34-vjeçari serb nga Qendra e paraburgimit në

Policia thekson se vijon të jetë ende në kërkim të personit të arratisur, teksa kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe i bën thirrje të njoftojnë në numrin e saj ose stacionin më të afërt në rast se hasin të arratisurin.

“Në këtë kohe ne ende jemi ne kërkim te personit ne fjale ndërsa kemi angazhuar edhe njësi te specializuara  ( njësia Policore me qen- K9 ).

“Lusim qytetarët që të kenë mirëkuptim derisa jemi në operacion dhe po ashtu në rast se hasin ne këtë person të thërrasin në numrin 192 ose te lajmërojnë ne stacionin me te afërt.

Detajet e personit dhe vepra për te cilën kërkohet janë te paraqitura në dokumentin e bashkangjitur”.

The post FOTO / Arratiset 34-vjeçari serb nga Qendra e Paraburgimit, policia kërkon ndihmë first appeared on JavaNews.al.

Egnatia barazon pa gola në Slloveni, fati i aventurës europiane vendoset në Rrogozhinë

By: A R
7 August 2025 at 22:43

Egnatia ka barazuar me rezultatin 0-0 në transfertë ndaj skuadrës sllovene Olimpija Ljubljana në ndeshjen e parë të raundit të tretë të kualifikimeve për UEFA Conference League.

Pavarësisht se përballë kishin një kundërshtar me më shumë përvojë ndërkombëtare, kampionët e Shqipërisë vuajtën shumë ndaj ekipit slloven dhe luftuan fort për çdo top, duke mos lejuar gola në portën e tyre. Rrogozhinasit goditën vetëm dy herë në portën kundërshtare.

Në minutën e 90-të, Egnatia mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Abdurramani Fangaj u ndëshkua me karton të kuq, duke e komplikuar situatën në minutat e fundit të takimit, por djemtë e Edlir Tetovës ja dolën të mbanin portën të pastër edhe në minutat shtesë.

Barazimi pa gola i jep kampionëve të Shqipërisë shpresa reale për një kualifikim historik, teksa fati i tyre në aventurën europiane do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Rrogozhinë, përpara tifozëve shqiptar.

The post Egnatia barazon pa gola në Slloveni, fati i aventurës europiane vendoset në Rrogozhinë first appeared on JavaNews.al.

Hamasi: Netanyahu po sakrifikon pengjet për t’i shërbyer interesave të tij personale

By: A R
7 August 2025 at 22:35

Hamasi ka reaguar, lidhur me planin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin ushtarak të Gazës dhe për t’ia dorëzuar forcave arabe për qeverisje.

Në një deklaratë të lëshuar nga udhëheqja e lëvizjes palestineze, thuhet se planet e Netanyahut për të zgjeruar operacionet ushtarake në Gaza tregojnë se qëllimi i tij është të sakrifikojë pengjet izraelite në shërbim të interesave të tij personale.

Në një deklaratë të enjten, grupi militant akuzoi kryeministrin izraelit për përmbysjen flagrante të procesit të negociatave pasi ai tha se Izraeli synon të marrë kontrollin ushtarak të Gazës.

“Deklaratat e Netanyahut përfaqësojnë një përmbysje të hapur të procesit të negociatave dhe zbulojnë qartë motivet e vërteta pas tërheqjes së tij nga raundi i fundit, pavarësisht afërsisë sonë me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Hamasi.

Komentet e Netanyahut erdhën pak para se kabineti i sigurisë i Izraelit të mblidhej për të votuar për një riokupim të plotë të Gazës. Zgjerimi i mundshëm i fushatës ushtarake të Izraelit është përballur me rezistencë nga disa izraelitë që kërkojnë përfundimin e luftës dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

“Planet e kryeministrit do të ishin një vazhdim i politikës së shfarosjes dhe zhvendosjesGaza do të mbetet rezistente ndaj pushtimit”, tha Hamasi ndërsa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të hedhë poshtë komentet e Netanyahut.

The post Hamasi: Netanyahu po sakrifikon pengjet për t’i shërbyer interesave të tij personale first appeared on JavaNews.al.

Paguan me euro false në një pikë karburanti, ndalohen dy shtetas të Shqipërisë në Kosovë

By: A R
7 August 2025 at 22:27

Dy shtetas të Shqipërisë janë ndaluar nga policia në Kosovë, pasi është konstatuar se kanë paguar me kartëmonedha të falsifikuara në një pikë karburanti, ku kanë furnizuar automjetin me karburant.

“Me datën 07.08.2025 Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK)– Prishtinë kanë arritur që të sigurojnë informata/prova se dy të dyshuarit  meshkuj shtetas të Shqipërisë në një pikë të derivateve janë furnizuar me derivate, dhe kanë kryer pagesë në vlerë prej 50 (pesëdhjetë) euro nga të cilat të gjitha në monedha nga 10 (dhjetë) euro. Pas pranimit të pagesës është vënë re se nga kartëmonedhat e ofruara 4 (katër) prej tyre janë të falsifikuara”, njofton policia.

Pas kësaj dyshja janë ndaluar në doganën e Morinit dhe në automjetin e tyre gjatë kontrollit u janë gjetur edhe 780 euro të tjera të dyshuara si të falsifikuara.

“Lidhur me rastin informacionet e shpejta dhe efikase janë ofruar nga zyrtarë të Njësisë për Mbështetje të Trafikut Rrugor, informacione të cilat kanë ndihmuar në koordinimin e njësive relevante policore, ku edhe si rezultat të dyshuarit janë ndaluar dhe arrestuar në Pikën Kufitare me Shqipërinë, në Vërmicë– Prizren. Të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit njëri nga të dyshuarit i cili ka kryer veprën Falsifikim i parasë është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërsa i dyshuari tjetër me urdhër verbal nga prokurori është liruar ne procedurë te rregullt”, sqaron më tej policia në Kosovë.

The post Paguan me euro false në një pikë karburanti, ndalohen dy shtetas të Shqipërisë në Kosovë first appeared on JavaNews.al.

Ushtria izraelite urdhëron evakuimin e lagjeve Daraj dhe Tuffah në Gaza: Shkoni menjëherë…

By: A R
7 August 2025 at 22:19

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë lëshuar një urdhër të ri evakuimi për banorët e lagjeve Daraj dhe Tuffah në Rripin e Gazës. Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, zëdhënësi i IDF-së, në gjuhën arabe, ka bërë thirrje që të gjithë banorët që nuk janë larguar ende, të evakuohen menjëherë për arsye sigurie, duke u drejtuar drejt jugut, në zonën humanitare të Al-Mawasi.

Ky urdhër vjen në kuadër të një përshkallëzimi të operacioneve ushtarake në Gaza, ku ushtria izraelite po intensifikon sulmet kundër grupeve militante dhe pozicioneve terroriste. IDF njofton se do të vazhdojë të ndërhyjë në çdo zonë ku evidentohen kërcënime ndaj sigurisë së Izraelit.

Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbledhur kabinetin e sigurisë për të diskutuar strategjinë e mëtejshme ndaj situatës në Gaza. Në këtë takim, ai ka nënvizuar nevojën për një ofensivë të plotë ushtarake në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar një pushtim të gjerë që synon shkatërrimin e kapaciteteve të grupeve terroriste dhe rivendosjen e sigurisë në rajon.

Netanyahu ka theksuar se kjo operacion do të jetë i gjatë dhe i ashpër, por i domosdoshëm për mbrojtjen e qytetarëve izraelitë dhe përfundimin e kërcënimit që vjen nga Gaza. Qeveria izraelite është duke koordinuar masat e evakuimit dhe sigurisë, ndërsa ushtria po vazhdon aktivitetet në terren.

The post Ushtria izraelite urdhëron evakuimin e lagjeve Daraj dhe Tuffah në Gaza: Shkoni menjëherë… first appeared on JavaNews.al.

“Nëna më e keqe e Australisë” merr mbi 1 milion euro dëmshpërblim pas 20 vitesh burgim të padrejtë

By: A R
7 August 2025 at 22:14

Kathleen Folbigg, gruaja që u cilësua dikur si “nëna më e keqe e Australisë”, do të përfitojë një dëmshpërblim prej mbi 1 milion euro për 20 vitet që kaloi padrejtësisht në burg.

Ajo u dënua në vitin 2003 për vdekjen e katër fëmijëve të saj, por u lirua në vitin 2023, pas një rishikimi gjyqësor të çështjes së saj, i cili zbuloi se fëmijët mund të kenë vdekur nga një sëmundje e rrallë gjenetike.

Sipas mediave ndërkombëtare, avokatja e saj, Rhanee Rego, deklaroi se Folbigg ka marrë një ofertë dëmshpërblimi prej 1.116.598 euro, një shumë që ajo e cilësoi si “të padrejtë” dhe “moralisht fyese”.

“Shuma që ofrohet është një fyerje morale, krejtësisht e pamjaftueshme dhe e pajustifikueshme. Sistemi e ka dështuar sërish Kathleen Folbigg”, u shpreh Rego.

Katër fëmijët e Folbigg, Caleb, Patrick, Sarah dhe Laura, ndërruan jetë papritur midis viteve 1989 dhe 1999, në moshën nga 19 ditë deri në 18 muaj. Prokuroria në atë kohë pretendoi se ajo i kishte mbytur, duke u mbështetur në prova të dobëta dhe në ditarët e saj personalë, ku shfaqeshin momente të vështira emocionale.

Në vitin 2003, ajo u dënua me 40 vite burg për vrasjen e tre fëmijëve dhe për vrasje nga pakujdesia për fëmijën e katërt, dënim që më vonë u ul në 30 vite pas një ankese.

Në vitin 2023, një hetim i ri gjyqësor zbuloi se fëmijët mund të kishin vdekur nga shkaqe natyrore, për shkak të mutacioneve gjenetike shumë të rralla, duke çuar në lirimin dhe rehabilitimin e saj.

Avokatja e saj shtoi gjithashtu se krahasuar me raste të tjera, si ajo e Lindy Chamberlain – një nënë tjetër e dënuar gabimisht që mori 1.7 milionë dollarë për vetëm 3 vite burg – dëmshpërblimi për Folbigg është thellësisht i padrejtë.

Megjithëse Qeveria e Uellsit të Ri Jugor konfirmoi pagesën e kompensimit, ajo nuk pranoi të publikojë detajet e vendimit, duke iu përgjigjur kërkesës së vetë Folbigg për konfidencialitet.

The post “Nëna më e keqe e Australisë” merr mbi 1 milion euro dëmshpërblim pas 20 vitesh burgim të padrejtë first appeared on JavaNews.al.

“Adhuroja Pirlon e Baggio-n”, Jashari flet si milanist: Të luaj me Modriç është fantastike

By: A R
7 August 2025 at 22:01

Ardon Jashari, i cili sapo ka mbërritur te Milan, dha intervistën e tij të parë për televizionin e klubit.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të jem këtu pas këtyre javëve. Jam krenar që jam në këtë klub historik. Dua ta ndihmoj këtë ekip të kthehet aty ku i takon, të fitojë tituj dhe do të jap gjithçka për të arritur këtë qëllim. Interesi i Milan më bëri menjëherë krenar. Ishte një ëndërr që e kisha pasur që kur isha fëmijë. Ishte klubi që ishte gjithmonë i pranishëm në familjen time dhe në grupin tim të miqve, kështu që mund të them se ëndrra është bërë realitet”, tha Ardoni.

Mesfushori më pas foli për karakteristikat e tij teknike, duke thënë se do ta ndihmojë ekipin si në sulm ashtu edhe në mbrojtje.

“Do të përpiqem të bëj pasimin e fundit dhe t’i ndihmoj shokët e skuadrës të shënojnë. Lojtarët e Milan nga e kaluara që i kam admiruar më shumë?  Roberto Baggio dhe Andrea Pirlo  Më pëlqente shumë mënyra se si luanin, ishin teknikë dhe të fortë, krijues në pasimin e fundit. Kjo është ajo që përpiqem të bëj”, rrëfeu ai më tej.

Sa i përket faktit se do të ndajë mesfushën me një fitues të Topit të Artë si Luka Modric, Jashari tha se “është fantastike”.

“Udhëtimi im nis përkrah një lojtari kaq të pabesueshëm, i cili ka fituar kaq shumë. Ai vetëm mund të më ndihmojë, dua të mësoj gjithçka prej tij dhe të dëgjoj të gjitha mësimet e tij, brenda dhe jashtë fushës. Megjithatë, është një gjë fantastike të jesh pjesë e këtij klubi fantastik.”

I pyetur përse zgjodhi fanellën me numrin 30, talenti shqiptaro-zviceran tha: “Fillova me këtë numër në Zvicër, e zgjodha sepse gjithmonë e kam dashur Messin, i cili filloi me këtë numër. Ai më ndihmoi shumë, si në Zvicër ashtu edhe në Belgjikë, shpresoj ta bëj një numër historik.

The post “Adhuroja Pirlon e Baggio-n”, Jashari flet si milanist: Të luaj me Modriç është fantastike first appeared on JavaNews.al.

Yesterday — 7 August 2025Main stream

Protesta për ish-krerët e UÇK, Rama: Pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin?!

By: A R
7 August 2025 at 21:52

Në Prishtinë u mbajt këtë enjte, 7 gusht, një protestë në mbështetje të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku qytetarë të shumtë kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në lidhje me këtë zhvillim ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale u shpreh i habitur pse Kuvendi i Kosovës ende nuk ka miratuar një rezolutë të përbashkët, pa dallime politike, për të denoncuar shkeljet e të drejtave themelore të Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Rama nënvizoi se një veprim i tillë nga Kosova do të pasohej menjëherë edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, për të përçuar këtë mesazh të qartë në çdo shtet demokratik që mbështet financiarisht Tribunalin e Hagës.

The post Protesta për ish-krerët e UÇK, Rama: Pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin?! first appeared on JavaNews.al.

Putin gati të takohet me Trump, Zelensky lihet jashtë (Pikëtakimi: Emiratet e Bashkuara Arabe?!)

By: A R
7 August 2025 at 21:46

Pas më shumë se tre vitesh nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, duket se po afrohet mundësia për një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Vizita e fundit në Moskë e të dërguarit të Trump-it, Steve Witkoff, duket se ka përshpejtuar ndjeshëm këtë proces. Pas deklaratës optimiste të Trump-it për suksesin e misionit dhe gatishmërinë për t’u takuar me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në ditët në vijim, Kremlini ka konfirmuar se një takim mes Putinit dhe Trump është në agjendë, edhe pse një datë ende nuk është caktuar.

Moska shprehu kënaqësi për bisedën tre-orëshe midis Putinit dhe Witkoff-it, të cilën e cilësoi si “konstruktive dhe konkrete”, duke shtuar se është arritur një marrëveshje parimore për një takim dypalësh në ditët e ardhshme.

Corriere Della Sera shkruan se si vend i mundshëm për takimin po përmenden Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një bisede të Putinit me sheikun Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Ndërkohë, Putin mbetet i rezervuar për një takim me Zelenskyn, duke thënë se nuk është kundër në parim, por se ende nuk janë krijuar kushtet e nevojshme.

Mediat amerikane raportojnë se një nga kushtet e Trump-it për takimin me Putinin është pranimi i një dialogu të drejtpërdrejtë edhe me Zelenskyn. Presidenti ukrainas, në komunikim me liderët evropianë dhe sekretarin e ri të NATO-s, Mark Rutte, tha se Evropa duhet të luajë një rol aktiv në paqe dhe se Ukraina është gati për një armëpushim të vërtetë, por se nga Moska ende mungon një përgjigje e qartë.

The post Putin gati të takohet me Trump, Zelensky lihet jashtë (Pikëtakimi: Emiratet e Bashkuara Arabe?!) first appeared on JavaNews.al.

Turbulencat po përkeqësohen, studimi: Ja rrugët më të ashpra të fluturimit…

By: A R
7 August 2025 at 21:37

Një valë incidentesh të kohëve të fundit ka vënë në qendër të vëmendjes turbulencat gjatë fluturimeve, një fenomen gjithnjë e më i shpeshtë dhe i paparashikueshëm. CNN ka sjellë analizën e uebsajtit të parashikimit të turbulencave “Turbli”, i cili ka analizuar më shumë se 10,000 shtigje fluturimi, duke përdorur të dhëna nga burime, përfshirë Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike dhe Zyrën Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar, për të renditur rrugët më të turbullta të planetit.

Në një fluturim Delta nga Salt Lake City në Amsterdam, turbulenca të forta shkaktuan lëndime dhe një ulje emergjente, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar në mbarë botën, përfshirë edhe një vdekje tragjike në një fluturim Londër-Singapor.

Turbulenca ndodh kur rrjedha e ajrit në atmosferë shqetësohet nga pengesa si malet, stuhitë apo ndryshimet e shpejta të erës me lartësinë. Një ndër format më të rrezikshme është turbulenca në ajër të pastër, e cila ndodh pa ndonjë shenjë vizuale si re apo stuhi, duke e bërë të vështirë për pilotët ta parashikojnë.

“Turbulencat e forta të ajrit të pastër mbi Atlantikun e Veriut, një nga rrugët më të ngarkuara të fluturimit në planet, ishin 55% më të shpeshta në vitin 2020 sesa në vitin 1979”, thuhet në një studim të vitit 2023, i cili gjeti rritje prej 41% mbi SHBA-në kontinentale.

Turbulencat po përkeqësohen, studimi: Ja rrugët më të

Dhe kjo sipas studimit pritet të përkeqësohet. Turbulencat mjaftueshëm të forta për të shkaktuar lëndime parashikohet të dyfishohen ose edhe të trefishohen në frekuencë globalisht deri në fund të shekullit, sipas një studimi të vitit 2017.

Sipas analizës së platformës Turbli, rrugët më të prirura ndaj turbulencës janë ato që kalojnë mbi vargmale të mëdha si Mendoza (Argjentinë) – Santiago (Kili): rruga më e trazuara në botë, mbi Andet; Natori – Tokoname (Japoni): ndër më të trazuarat në Azi për shkak të rrymave të fuqishme ajrore; fluturimet mbi Malet Shkëmbore në SHBA, veçanërisht nga/to Salt Lake City dhe Denver.

Ndërsa në Evropë, rrugët mbi Alpet janë ndër më problematiket, sidomos ato që lidhin Francën, Italinë dhe Zvicrën.

Studimet tregojnë se ngrohja globale po e përkeqëson ndjeshëm problemin. Ngrohja e atmosferës po krijon rryma ajrore më të paqëndrueshme, veçanërisht mbi rajonet ku përplasen masa ajri të ftohtë dhe të ngrohtë, si në Japoni, Atlantikun e Veriut dhe Bregun Lindor të SHBA-së.

Por ekspertët theksojnë se aviacioni mbetet forma më e sigurt e transportit. Aeroplanët janë të ndërtuar për të përballuar edhe turbulenca të forta, dhe rripi i sigurimit mbetet masa më e rëndësishme për të parandaluar lëndimet.

Parashikimet e turbulencës po përmirësohen, dhe tani shkencëtarët pretendojnë se rreth 75% e rasteve mund të parashikohen me saktësi. Megjithatë, sfidat mbeten, veçanërisht në zonat e stuhive intensive tropikale dhe në kushtet gjithnjë e më të ndryshueshme klimatike.

The post Turbulencat po përkeqësohen, studimi: Ja rrugët më të ashpra të fluturimit… first appeared on JavaNews.al.

“Po e them për herë të parë”, Tahiri: Ja dy rrugët që kishte Kosova kur u krijua ‘Specialja’

By: A R
7 August 2025 at 21:28

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri në një intervistë me gazetarin Besard Jacaj, për Klan News, ka ndarë për herë të parë publikisht dy opsionet që Kosova kishte për krijimin e Gjykatës Speciale, si dhe arsyet pse u zgjodh që ajo të themelohej nga institucionet vendase.

Në dritën e protestës masive të mbajtur këtë të enjte kundër kësaj gjykate në Prishtinë, Tahiri theksoi se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, dhe e cilësoi të padrejtë mbajtjen në paraburgim të liderëve të UÇK-së për vite të tëra, pa një vendim të qartë dhe transparent. Ajo kritikoi vonesat, mungesën e transparencës dhe ndikimet politike që, sipas saj, kanë cenuar seriozisht legjitimitetin e procesit gjyqësor.

Duke folur për sfondin politik të krijimit të Gjykatës, Tahiri zbuloi se në kohën kur u diskutua themelimi i saj, Kosova kishte dy rrugë: ose krijimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, çka do e bënte të pazhbëshme për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës, ose themelimin përmes institucioneve vendase, që, sipas amerikanëve, do mund të zhbëhej në të ardhmen. Ajo theksoi se kjo ishte arsyeja pse Kosova pranoi ta themelonte vetë Gjykatën, ndonëse procesi mbetet i kontestuar.

“Së pari, në çdo luftë çlirimtare, gjithmonë ka ekzistu një lloj gjykate, po flasim botërisht. E dyta, ka shumë debate në Kosovë dhe janë kontraverse: ‘Pse u votua, pse Parlamenti i votoi…’ Nuk e kam thënë shpesh, sonte do ta them. Gjykata ka patur 2 opsione. Opsioni i parë që ta bëjë Këshilli i Sigurimit, opsioni i dytë ka qenë që ta bëjë Kosova vetë. Nga bisedat me armerikanët, na kanë shpjeguar se nëse bëhet nga Këshilli i Sigurimit, nuk mund të zhbëhet sepse do të jetë vetoja e Rusisë. Nëse bëhet e bllokojnë Rusia më së pari, por edhe Kina dhe prandaj është sugjeruar që më mirë i bëni institucionet tuaja, që ne mund t’i zhbëjmë. Pro zhbërja nuk është një fjalë goje. Si është e mundur, aq shumë ka investime financiare për këtë Gjykatë, 5 vjet vonohen hetimet? Këto janë pakënaqësitë. Vendimet e drejtësisë, kur janë të drejta dhe të paanshme, Kosova i pranon. Liderët vetë e pranuan. Kosova njihet për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare. Prandaj mendojmë se është e padrejtë. Nuk është transparente. Dy-tri ditë përpara ishte një lajm, ‘shtyhet paraburgimi për Hashim Thaçin’, ata kishin dhënë një shpjegim por nuk ishte bindës.

Unë them që Gjykata në parim do duhej të jetë jashtë ndikimeve politike. Edhe sot që nuk është bërë nga Këshilli i Sigurimit, është bërë nga Kosova, nuk përjashtohen ndikimet nga vendet e tjera. Por sido që të jetë unë kam besim që kjo mbështetje e madhe që kemi nga Amerika nuk do të lejojë që të ndodhë ndonjë padrejtësi më e madhe se kjo që po ndodh. Ne jemi gjallë, ne jemi ata që bashkë i bëmë. Ne liderët, kemi patur dhe popullin mbrapa me guxim. Ky qe një mesazh shumë i fortë për Gjykatën Speciale në Hagë.”, tha Tahiri.

Ish-zv.kryeministrja Tahiri gjithashtu hodhi dritë mbi një episod të paditur më parë, ku asaj iu ofrua posti i presidentes nga përfaqësues amerikanë, por që dështoi për shkak të një ndërhyrjeje nga ana e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, që kërkoi ndihmë për të dalë nga gjykata në këmbim të votës për të. Sipas Tahirit, kjo u refuzua menjëherë nga SHBA, që respekton ndarjen e pushteteve dhe nuk ndërhyn në drejtësi.

Këtë episod Tahiri e zbuloi pasi u pyet nëse kishte shpresë që Amerika do të ndërhynte në procesin e drejtësisë në favor të ish-liderëve të UÇK-së.

“Jo. Asnjëra prej tyre nuk qëndron. Amerika është lider në botë i demokracisë, që i ka të ndara pushtetet. Drejtësinë, pushtetin ekzekutiv dhe Kongresin. Është i njohur parimi amerikan i qeverisjes Check and Balance. Kur është çështje e drejtësisë nuk ndërhyjnë.

Kam me ta dhanë një shembull nëse kemi kohë. Ishte një kohë në vitin 2010, isha minister. Ka qenë ambasadori amerikan Christopher Dell bashkë me Peter Fay, në atë kohë ka qenë përfaqësuesi special, dhe më thanë që nëse jam e gatshme të pranoj postin e presidentes. Biseduam dhe unë i dhashë përgjigjen dhe iu thashë jam e gatshme. Pastaj më erdhi ambasadori amerikan, hera e parë po e them. Më tha Edita nuk kemi mundësi me e shty përpara sepse një prej politikanëve, nuk është këtu por është në gjykatë jashtë, edhe ka kërkuar nga amerikanët, ju më ndihmoni të dal nga Gjykata dhe unë votoj Edita Tahirin. Edhe më tha ambasadori: A e di Edita se çfarë është për Amerikën që të prekim ligjin apo të ndërhyjmë në gjykatë? Ne për interestat tona është vijë e kuqe. Çfarë flet Grenell rrugëve janë deklarata. Haradinaj ka qenë. E qëllove por nuk po dua të them më shumë.”, tha Tahiri.

The post “Po e them për herë të parë”, Tahiri: Ja dy rrugët që kishte Kosova kur u krijua ‘Specialja’ first appeared on JavaNews.al.

FOTO / Jennifer Lopez shtanget në Stamboll, dyqani luksoz i refuzon hyrjen

By: A R
7 August 2025 at 21:20

Një ngjarje e papritur ndodhi për Jennifer Lopez, në një nga qendrat tregtare më luksoze të Stambollit.

Këngëtares së famshme iu refuzua hyrja nga stafi i dyqanit Chanel, në qendrën tregtare Istinye Park, pasi sigurimi nuk e njohu. Sipas mediave turke, JLo po shëtiste në qendrën tregtare së bashku me ekipin e saj të sigurisë kur tentoi të hynte në butikun e Chanel.

Megjithatë, një roje i tha se dyqani ishte i mbushur dhe se nuk mund të hynte. Këngëtarja reagoi me qetësi dhe sportivitet, duke thënë thjesht: “Në rregull, asnjë problem”, përpara se të largohej drejt dyqaneve të tjera.

Pas këtij incidenti, Jennifer u drejtua drejt dyqaneve Celine dhe Beymen, ku kaloi mbi tre orë duke bërë blerje luksoze. Raportet tregojnë se ajo harxhoi mijëra dollarë në veshje dhe aksesorë të markave të njohura, duke mos u ndikuar nga incidenti në dyqanin e Chanel.

Jennifer Lopez shtanget në Stamboll, dyqani luksoz i refuzon hyrjen

E veshur me një kostum rozë tërheqës dhe syze të mëdha të stilit retro, JLo u fotografua nga paparacët teksa hynte në dyqane, e rrethuar nga truproja e saj.

Burime të Chanel për mediat turke tregojnë se stafi e kuptoi më vonë se bëhej fjalë për një yll botëror dhe tentoi ta ftonte përsëri në dyqan, por Jennifer refuzoi ftesën.

Aktualisht, Jennifer është në mes të turneut të saj muzikor “Up All Night Live 2025”, ku ka performuar në disa qytete. Në Instagram, ajo ndau disa momente nga koncerti i saj në Stamboll, duke shkruar: “ISTANBUL! Ju ishit një publik fantastik”.

The post FOTO / Jennifer Lopez shtanget në Stamboll, dyqani luksoz i refuzon hyrjen first appeared on JavaNews.al.

Protesta në mbështetje të UÇK, Spiropali: Rikonfirmoi indinjatën e thellë ndaj padrejtësisë

By: A R
7 August 2025 at 21:12

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar, lidhur me protestën e mbajtur të enjten pasdite në Prishtinë, në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët gjenden në Hagë me akuzat për krime lufte.

Protesta u organizua nga veteranët e UÇK-së.

Sipas Spiropalit, “protesta masive në Prishtinë rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike, si dhe mbështetjen ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët, në kundërshtim me çdo standard ligjor, ndërkombëtar, moral, logjik e njerëzor, po mbahen të mbyllur në hapsanën e Hagës; një akt kundër të drejtës, kundër lirisë, në abuzim me sovranitetin e një shteti të pavarur e demokratik”.

“Drejtësia nuk mund të përmbyset, viktimat nuk mund të shpallen agresorë dhe agresorët nuk mund të shiten si viktima.”, shkruan Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Të enjten në Prishtinë, mijëra qytetarë protestuan kundër asaj që e quajnë padrejtësi nga Gjykata e Hagës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ata shprehën pakënaqësinë ndaj procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

The post Protesta në mbështetje të UÇK, Spiropali: Rikonfirmoi indinjatën e thellë ndaj padrejtësisë first appeared on JavaNews.al.

Shqipëria barazon ndeshjen e dytë miqësore me Italinë

By: A R
7 August 2025 at 21:04

Shqipëria U-19 barazoi me rezultatin 1-1 në ndeshjen e dytë miqësore ndaj Italisë, e zhvilluar sot në “Novarello Sporting Center”. Golin për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj e shënoi Mateo Dashi në pjesën e dytë të takimit.

Tekniku kuqezi hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Culi (GK), Avdullari, Gecaj, Sylejmani, Sina, Huqi, Shpuza, B.Krasniqi, Arifi (C), Malaj, L.Krasniqi.

Italianët kaluan të parët në avantazh falë golit të realizuar nga Andrea Orlani në minutën e 28-të. Gjatë pjesës së parë, trajneri Ahmataj u detyrua të bëjë tre zëvendësime, dy prej të cilëve për shkak dëmtimi. Arifi dhe Gecaj pësuan tërheqje muskulare dhe u zëvendësuan nga El Malem dhe Dashi, ndërsa në fushë u aktivizua edhe Krasniqi. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 1-0 për Italinë.

Kuqezinjtë reaguan dhe barazuan rezultatin në pjesën e dytë, me një gol të shënuar nga Mateo Dashi në minutën e 60-të. Tekniku kuqezi bëri edhe dy zëvendësime të tjera gjatë kësaj pjese, duke hedhur në fushë Latajn dhe Gashin në vend të Leart Krasniqit dhe Diart Gashit. Rezultati nuk ndryshon dhe ky takim mbyllet me shifrat 1-1.

Kjo ishte ndeshja e dytë për Shqipërinë U-19 të drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj kundër bashkëmoshatarëve të Italisë. Takimi i parë u mbyll me rezultatin 4-1 për axurrët. Këto ndeshje miqësore i shërbejnë ekipit për t’u përgatitur për kualifikueset e Europianit të ardhshëm. Stafi kuqezi pati mundësinë të provojë thuajse të gjithë lojtarët në këto dy ndeshje.

The post Shqipëria barazon ndeshjen e dytë miqësore me Italinë first appeared on JavaNews.al.

Sulmohen me thikë kryetari i bashkisë dhe i biri

By: A R
7 August 2025 at 20:55

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik francez dhe institucionet shtetërore, pas sulmit brutal ndaj kryetarit të bashkisë së Villeneuve-de-Marc, Gilles Dussault, dhe djalit të tij.

France 3 shkruan se sulmi ndodhi pasditen e të mërkurës, më 6 gusht, teksa 63-vjeçari kishte dalë për shëtitje me të birin 28-vjeçar në zonën Chemin de la Chapelle. Autoritetet kanë bërë të ditur se të dy janë goditur me një mjet të fortë (thikë), ndërsa sulmuesi është ende në arrati dhe kërkohet intensivisht nga policia.

Kryebashkiaku u transportua me urgjencë në spitalin Édouard-Herriot në Lyon, në gjendje kritike për jetën, por sipas raportimeve të fundit mjekësore, ai është jashtë rrezikut për jetën. Djali i tij, i cili ka pësuar lëndime më të lehta, është duke u trajtuar në spitalin e Vienës. Ndërkohë, autoritetet konfirmuan se autori i sulmit u largua fillimisht me automjet, por pas një përplasjeje me mur, ai u zhduk në këmbë dhe nuk është kapur ende.

Valë reagimesh në Francë

Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh në skenën politike franceze. Presidenti Emmanuel Macron u shpreh i tronditur dhe deklaroi se “Gjithçka po bëhet për të kapur dhe ndëshkuar autorin e këtij akti të ulët. Kur sulmohet përfaqësuesi i shtetit, Republika duhet të reagojë me ashpërsinë më të madhe.”

Prefektja e departamentit Isère, Catherine Séguin, dënoi me forcë sulmin, duke e quajtur atë një akt të papranueshëm dhe shprehu mbështetjen e saj për kryetarin, familjen e tij dhe stafin bashkiak.

Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë Yannick Neuder, si dhe zyrtarë të tjerë lokalë si Jean-Pierre Barbier, president i departamentit të Isère, dhe Fabrice Pannekoucke, president i rajonit Auvergne-Rhône-Alpes, dënuan me forcë aktin dhe kërkuan tolerancë zero ndaj dhunës ndaj zyrtarëve publikë, duke theksuar se kryetarët e bashkive janë “shtylla e jetës demokratike dhe duhet të mbrohen me çdo kusht”.

Hetimet po vijojnë ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje publike për çdo informacion që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e autorit të ngjarjes.

The post Sulmohen me thikë kryetari i bashkisë dhe i biri first appeared on JavaNews.al.

“SPAK ka dalë jashtë kontrollit”, vëllai i Erion Veliajt flet për “The Economist”: Po mbahet në burg për arsye të pabaza

By: A R
7 August 2025 at 20:46

“Njësia e re kundër korrupsionit në Shqipëri po godet të pushtetshmit”. Kështu e quan britanikja The Economist veprimtarinë e SPAK-ut, në rrjetën e të cilit kanë rënë politikanë të rëndësishëm në Tiranë.

Teksa përmend arrestin shtëpiak të Sali Berishës apo arrestin me burg të Ilir Metës, The Economist ndalet gjithashtu edhe te arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Vëllai i këtij të fundit ka folur për britaniken ku e quan SPAK-un të dalë jashtë kontrollit dhe se po e mban kryebashkiakun në burg për arsye të pabaza.

Shkrimi i The Economist:

Në Tiranën e viteve 1930, siç shkruan akademikja shqiptare Lea Ypi në një libër që pritet të botohet, njerëzit debatonin nëse korrupsioni ishte “shkaku i mjerimit shqiptar apo pasoja më e natyrshme e tij”. Të njëjtin debat mund ta dëgjosh edhe sot në kryeqytetin shqiptar. Por një gjë ka ndryshuar: për herë të parë në një shekull shtetësi, një njësi e pavarur kundër korrupsionit po arreston politikanë, zyrtarë dhe trafikantë droge — pa frikë dhe pa favor.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi punën në vitin 2019. Sipas sondazheve, 76% e shqiptarëve i besojnë, duke e bërë institucionin më të popullarizuar në vend. Gjithnjë e më shumë pjesëtarë të elitës shqiptare, përfshirë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, po kapen në rrjetën e saj. Edi Rama, kryeministri, nuk është më aq entuziast sa dikur, kur SPAK arrestonte vetëm kundërshtarët e tij.

Në vitin 2023, SPAK vendosi në arrest shtëpie Sali Berishën, ish-president dhe drejtuesin e partisë kryesore opozitare. Ai është në gjyq për korrupsion. Vitin e kaluar, u arrestua edhe Ilir Meta, një tjetër ish-president dhe tani lider opozitar. Edhe ai është akuzuar për korrupsion. Ish-ministra të qeverive të zotit Rama janë gjithashtu arrestuar, dhe në shkurt erdhi radha e Erion Veliajt, kryetarit socialist të Bashkisë së Tiranës, i konsideruar si pasues i mundshëm i Ramës. Të tre mohojnë akuzat.

Në luftën kundër krimit të organizuar, SPAK ka pasur suksese të mëdha në bashkëpunim me policitë e huaja. Zakonisht, një bos droge shqiptar mund të operojë nga Dubai. Blerësit e tij në Ekuador e transportojnë drogën në Evropë, ku njerëzit e tij e shpërndajnë. Më pas ai i investon fitimet në ndërtim në Shqipëri, dhe ushtarët e tij blejnë apartamente. Në korrik, SPAK sekuestroi pasuri nga persona që dyshohet se pastronin para droge nga Zvicra dhe akuzoi një tjetër grup për përpjekje për të kontrabanduar armë në Britani.

Arrestimet e politikanëve janë më të diskutueshme. Z. Berisha thotë se z. Rama po e persekuton dhe e quan SPAK-un “kamxhiku i tij”. Por rritja e numrit të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës të akuzuar për korrupsion ka dëmtuar imazhin e tij gjithashtu. Kur u arrestua Veliaj, ishte radha e kryeministrit për të akuzuar SPAK-un për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo i solli kritika nga Bashkimi Evropian; një diplomat i një vendi anëtar e quajti këtë pretendim “budallallëk”. Rama e ndaloi shpejt sulmin.

Rama ka premtuar se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030. Lufta kundër korrupsionit është një kriter kyç, dhe disa shtete anëtare e vlerësojnë lartë bashkëpunimin e SPAK në luftën kundër grupeve të drogës. Sado që Rama mund të ketë dashur të mbështesë Veliaj, ai e kuptoi gjithashtu që sulmet ndaj SPAK-ut do t’i kushtonin politikisht. Një burim në sistemin gjyqësor thotë me ironi se “nëse klasa politike shqiptare do të ishte e kënaqur me punën e SPAK-ut, atëherë do të kishim një problem.”

Veliaj e nisi karrierën si aktivist kundër korrupsionit. Si kryetar i bashkisë së Tiranës që nga viti 2015, ai ka ndihmuar ta transformojë atë nga një qytet i rrënuar në një kryeqytet tërheqës. Por SPAK thotë se Veliaj dhe gruaja e tij pastruan para nga ndërtues përmes një sistemi që përfshinte edhe donacione për OJF. Gjashtë muaj pas arrestimit, Veliaj ndodhet ende në burg; ai u padit zyrtarisht vetëm më 23 korrik. Kjo është normale për Shqipërinë, ku 62% e të burgosurve janë në paraburgim, shumë më tepër se në pjesën tjetër të Evropës. Bashkë me Veliajn, është paditur edhe një deputete e Partisë Socialiste e akuzuar për ndërhyrje te dëshmitarët. Më 15 korrik, SPAK paditi gjithashtu një ish-deputet socialist për ndarjen e informacionit policor me një bos krimi në këmbim të ndihmës në zgjedhje. Veliaj, gruaja e tij dhe të dy deputetët i mohojnë akuzat e SPAK-ut.

Arbi Veliaj, vëllai i kryebashkiakut, thotë se SPAK ka “dalë jashtë kontrollit” dhe se po e mban në burg për arsye të pabaza. Arrestimi i tij ka ndarë opinionin publik në Tiranë. Disa e krahasojnë SPAK-un me Sigurimin, policinë sekrete të kohës së komunizmit. Të tjerë gëzohen për rrëzimin e të pushtetshmëve, që besojnë se kanë vjedhur prej kohësh nga populli. Burimi gjyqësor thotë se qëllimi i krijimit të SPAK ishte për t’i dhënë fund “kulturës së pandëshkueshmërisë” në vend. Në Shqipëri, kjo do të ishte historia e shekullit.

The post “SPAK ka dalë jashtë kontrollit”, vëllai i Erion Veliajt flet për “The Economist”: Po mbahet në burg për arsye të pabaza first appeared on JavaNews.al.

Zjarri në Mallakastër dhe Patos/ Vengu në terren: Mbrojtja e jetës dhe e mjedisit, prioritet absolut

By: A R
7 August 2025 at 19:53

Zjarri që ka përfshirë një zonë të gjerë me pisha dhe bimësi të dendur në kufirin midis Bashkisë së Mallakastrës dhe Bashkisë së Patosit, vijon të përbëjë një sfidë serioze për autoritetet. Ndërhyrja për izolimin dhe shuarjen e flakëve po zhvillohet me intensitet të lartë nga toka dhe ajri.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vizitoi sot zonat e prekura në fshatrat Lofkënd dhe Drenie, ku ndodhen në terren forca të shumta të armatosura dhe struktura të emergjencave civile të qarkut Fier.

“Na duhet shumë ndihma juaj në këto momente në mënyrë që të krjohet një farë sigurie. Gjithë qëllimi është që të mos na zërë përsëri një 24-orësh tjetër, gjithë kjo vatër, sepse temperaturat do rriten, do jetë më e vështirë ta mbikqyrim në ditët në vijim. Edhe rreziku rritet. Prioritet banesat.”, iu drejtua ministri forcave të emergjencës.

Gjatë këtij takimi, ministri Vengu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e trupave të angazhuara, duke theksuar se “mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e mjedisit është prioritet absolut”.

Në operacion po marrin pjesë:

2 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura

3 zjarrfikëse nga Bashkia Patos

1 zjarrfikëse nga Bashkia Mallakastër

1 zjarrfikëse nga Bashkia Lushnjë

1 zjarrfikëse nga Bashkia Fier

2 mjete të kompanisë Albpetrol sha

1 mjet zjarrfikës nga Roskoveci

Operacioni zhvillohet me bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, ndërsa puna për neutralizimin e plotë të flakëve po vijon me ritme të shpejta. Strukturat e emergjencave janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për të garantuar sigurinë e komuniteteve lokale.

The post Zjarri në Mallakastër dhe Patos/ Vengu në terren: Mbrojtja e jetës dhe e mjedisit, prioritet absolut first appeared on JavaNews.al.

Donin dhe ta ngrinin në detyrë, infermierja pa licencë arrestohet pasi vizitoi mbi 4 mijë pacientë

By: A R
7 August 2025 at 19:36

Një grua është arrestuar në SHBA nën dyshimin se është paraqitur si infermiere e regjistruar pa pasur licencë. BBC shkruan se hetimi policor filloi pasi drejtuesit e spitalit AdventHealth Palm Coast Parkëay, në qytetin Palm Coast, i ndërprenë kontratën infermieres me emrin Autumn Bardisa, për shkak të dyshimeve mbi kualifikimet e saj.

Sipas hetuesve, 29-vjeçarja ka ofruar shërbime mjekësore për 4 mijë e 486 pacientë nga qershori i vitit 2024 dhe janarit 2025. “Ky është një nga rastet më shqetësuese të mashtrimit mjekësor që kemi hetuar ndonjëherë”, deklaroi Sherifi i Qarkut, Rick Staly.

Bardisa akuzohet se ka dorëzuar dokumente të falsifikuara dhe ka përdorur një numër licence që i përkiste një infermiereje tjetër me të njëjtin emër, e punësuar në një spital tjetër të së njëjtës rrjetë spitalore. Ajo e justifikoi mospërputhjen duke pretenduar se ishte martuar së fundmi dhe kishte ndryshuar mbiemrin, por nuk e paraqiti kurrë certifikatën e martesës.

Në janar, ajo ishte propozuar për një promovim, por një kolege që zbuloi se licenca e saj si asistente infermierie kishte skaduar e raportoi në autoritete. Pas kësaj, kontrata iu ndërpre dhe u nis një hetim penal shtatëmujor.

Policia ekzekutoi një urdhër-arresti ndaj saj me 7 akuza për ushtrim të paligjshëm të profesionit në kujdesin shëndetësor dhe 7 akuza për përdorim të rremë të informacionit personal. Bardisa u arrestua më 5 gusht, në banesën e saj, ndërsa ishte e veshur me uniformë mjekësore.

Kjo grua mund të ketë rrezikuar mijëra jetë duke u shtirur si dikush që nuk ishte, duke shkelur besimin e pacientëve, familjeve të tyre, spitalit dhe të gjithë komunitetit mjekësor,” tha Sherifi Staly.

Zyra e Sherifit ka hapur një adresë të posaçme emaili: fakenursecase@flaglersheriff.com, për këdo që mendon se mund të jetë trajtuar nga Bardisa. Ajo ndodhet aktualisht në paraburgim në me një garanci të vendosur prej 70 mijë dollarësh.

The post Donin dhe ta ngrinin në detyrë, infermierja pa licencë arrestohet pasi vizitoi mbi 4 mijë pacientë first appeared on JavaNews.al.

Mblidhet kabineti për të miratuar pushtimin, Netanjahu: Do t’ia dorëzojmë Gazën forcave arabe

By: A R
7 August 2025 at 19:28

Kabineti Politik dhe i Sigurisë në Izrael është mbledhur aktualisht në zyrën e kryeministrit në Jerusalem për të diskutuar planin e pushtimit të Gazës.

Benjamin Netanjahu pritet të kërkojë miratimin e kabinetit për të urdhëruar IDF-në të pushtojë plotësisht Rripin dhe që kabineti ta autorizojë atë dhe Ministrin e Mbrojtjes Israel Katz të marrin vendime mbi modalitetet e pushtimit.

Ndërkohë, pak para mbledhjes Netanjahu ka thënë për Fox News se Izraeli dëshiron ta çlirojë Gazën nga Hamasi, jo ta qeverisë atë.

“Ne duam të krijojmë një perimetër sigurie dhe t’ia dorëzojmë Gazën forcave arabe të cilat do ta qeverisin atë siç duhet”, tha kryeministri izraelit.

Sakaq, gazetari i Axios, Barak Ravid duke cituar një zyrtar amerikan shkroi në platformën ‘X’ se “administrata Trump nuk e mbështet aneksimin e pjesëve të Gazës nga Izraeli”.

The post Mblidhet kabineti për të miratuar pushtimin, Netanjahu: Do t’ia dorëzojmë Gazën forcave arabe first appeared on JavaNews.al.

❌
❌