Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Sot nis Peja Outdoor Festival – tre ditë aventurë, natyrë dhe muzikë në zemër të Dukagjinit

13 June 2025 at 11:45

Në qytetin e Pejës sot fillon edicioni i dytë i Peja Outdoor Festival, një ngjarje tre-ditore që synon promovimin e potencialit të madh turistik, natyror dhe kulturor të këtij rajoni.

Festivali, i cili zgjat deri më 15 qershor, pritet të mbledhë mijëra pjesëmarrës nga vendi dhe rajoni.

Akyivitetet e festivalit do të shtrihen në zona të ndryshme të Pejës dhe Rugovës, duke përfshirë sporte në natyrë, aktivitete rekreative, panele tematike dhe koncerte me muzikë live në sheshin qendror të qytetit.

Fokus në turizmin aventurier dhe të qëndrueshëm

Agjenda e festivalit përfshin më shumë se 40 aktivitete të orientuara kah natyra dhe aventura. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në ngjitje në shkëmb (Via Ferrata), zip-line, paragliding, eksplorim shpellash, çiklizëm malor, hiking në shtigjet panoramike të Rugovës, si dhe në lundrim me kanoe dhe peshkim sportiv.

Përveç aventurës, festivali i kushton rëndësi edhe edukimit dhe diskutimit për çështje që lidhen me turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin lokal. Gjatë ditëve të festivalit do të mbahen panele dhe sesione informative me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që veprojnë në fushën e turizmit dhe mjedisit.

Program i pasur muzikor dhe kulturor

Në mbrëmje, sheshi qendror i Pejës do të shndërrohet në hapësirë koncertale, ku do të performojnë artistë dhe DJ të njohur vendorë. Programi muzikor është i hapur për të gjithë dhe synon të sjellë gjallëri kulturore për qytetarët dhe vizitorët.

Përmbledhje e programit të festivalit:

E premte, 13 qershor:

– Hapja zyrtare e festivalit

– Hiking dhe aktivitete hyrëse në natyrë

– Muzikë live në shesh

E shtunë, 14 qershor:

– Via Ferrata, zip-line, paragliding

– Eksplorim shpellash dhe aktivitete në lumë

– Panele për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit

– Koncert në shesh

E diel, 15 qershor:

– Trail running dhe çiklizëm malor

– Kanoe dhe aktivitete për familjarë

– Mbyllja e festivalit

Regjistrimi dhe pjesëmarrja

Shumica e aktiviteteve janë të hapura për publikun dhe falas. Për disa aktivitete specifike kërkohet regjistrim paraprak, i cili mund të bëhet në faqen zyrtare të festivalit ose në zonën e informimit të vendosur në sheshin qendror.

Pas suksesit të edicionit të parë, ku morën pjesë mbi 20 mijë vizitorë, organizatorët presin që edhe këtë vit Peja Outdoor Festival të ndikojë në promovimin e Pejës si destinacion i rëndësishëm turistik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar./Telegrafi/

The post Sot nis Peja Outdoor Festival – tre ditë aventurë, natyrë dhe muzikë në zemër të Dukagjinit appeared first on Telegrafi.

Raportohet një person i zhdukur në Pejë, policia nis hetimet

12 June 2025 at 09:54

Një person është raportuar i zhdukur në Pejë. Rasti është paraqitur nga një qytetar (ankues mashkull kosovar), i cili ka raportuar mungesën e një viktime, gjithashtu mashkull kosovar.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Sipas burimeve zyrtare, në konsultim me prokurorin kompetent, rasti është iniciuar si “Person i zhdukur” dhe hetimet janë në proces./Telegrafi/

The post Raportohet një person i zhdukur në Pejë, policia nis hetimet appeared first on Telegrafi.

Një grua gjendet pa shenja jete në Gurrakoc të Istogut, prokuroria jep detaje

10 June 2025 at 11:43

Një grua është gjetur pa shenja jete në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Gurrakoc të Komunës së Istogut.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, i cili ka bërë të ditur se rasti është raportuar te autoritetet dhe se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar për autopsi. Sipas të dhënave preliminare, dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi prej rreth 7-8 metrash dhe nga hetimet fillestare dyshohet për vetëvrasje,” ka deklaruar Nikqi./Telegrafi/

The post Një grua gjendet pa shenja jete në Gurrakoc të Istogut, prokuroria jep detaje appeared first on Telegrafi.

Spitali i Pejës njofton për rregulla të reja hyrjeje nga 16 qershori

9 June 2025 at 08:44

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se nga data 16 qershor 2025 hyjnë në fuqi rregulla të reja për hyrjen në objekt, me qëllim të parandalimit të infeksioneve spitalore dhe krijimin e kushteve më të mira për pacientët dhe stafin mjekësor.

Sipas njoftimit, hyrja nga dera e emergjencës do të jetë e lejuar vetëm për pacientët urgjent dhe një përcjellës, nëse është e nevojshme. Vizitorët do të lejohen vetëm gjatë orarit të caktuar të vizitave dhe përmes hyrjes së bllokut kirurgjik apo internistik.

Orari i vizitave për vizitorë është:

13:00 – 14:00

21:00 – 21:30

Jashtë këtij orari, hyrja për vizitorët do të ndalohet, përveç rasteve kur është e nevojshme prania e një përcjellësi për pacientë të hospitalizuar. Spitali falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në funksion të një ambienti më të sigurt shëndetësore./Telegrafi/

The post Spitali i Pejës njofton për rregulla të reja hyrjeje nga 16 qershori appeared first on Telegrafi.

Detaje të reja nga Policia e Kosovës për trupin e pajetë të gjetur në parkun “Karagaçi” në Pejë

2 June 2025 at 11:35

Policia e Kosovës ka dhënë informacione shtesë lidhur me rastin e gjetjes së një trupi të pajetë në parkun “Karagaçi” në Pejë, sot rreth orës 09:00 të mëngjesit.

Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, nga të dhënat fillestare dyshohet se bëhet fjalë për një burrë të moshës rreth 75-vjeçare.

‘Njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur procedurat hetimore”, tha Gashi për Telegrafin.

Rasti po trajtohet si “Hetim i vdekjes” dhe për momentin nuk ka të dhëna të tjera rreth shkaqeve apo rrethanave të vdekjes./Telegrafi/

The post Detaje të reja nga Policia e Kosovës për trupin e pajetë të gjetur në parkun “Karagaçi” në Pejë appeared first on Telegrafi.

Policia në Pejë arreston 61 persona me urdhëresa gjyqësore për muajin maj

30 May 2025 at 14:51

Gjatë muajit maj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përmes stacioneve policore përkatëse, ka zbatuar një numër të konsiderueshëm urdhëresash të lëshuara nga gjykatat kompetente.

Në periudhën 1 deri më 30 maj 2025, janë arrestuar gjithsej gjashtëdhjetë e një (61) persona, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit zyrtar, disa nga të arrestuarit janë dërguar për vuajtje të dënimit në qendrat e paraburgimit, ndërsa të tjerët janë paraqitur në seanca gjyqësore dhe, pas pagesës së gjobave, janë liruar.

Policia e Pejës thekson se do të vazhdojë zbatimin e urdhëresave gjyqësore, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të sigurisë publike./Telegrafi/

The post Policia në Pejë arreston 61 persona me urdhëresa gjyqësore për muajin maj appeared first on Telegrafi.

Takim informues me qytetarët e Istogut nga Avokati i Popullit

30 May 2025 at 10:37

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës do të zhvillojë një takim me qytetarët e Komunës së Istogut më 25 qershor 2025.

Me qëllim të pranimit të ankesave që lidhen me shkeljen e të drejtave të njeriut apo me keqpërdorimin e pushtetit nga institucionet publike.

Takimi do të mbahet në objektin e Shtëpisë së Kulturës në Istog, duke filluar nga ora 13:30.

Të gjithë qytetarët kanë të drejtë t’i paraqesin shqetësimet apo ankesat e tyre, të cilat trajtohen nga institucioni i Avokatit të Popullit në mënyrë të pavarur, konfidenciale dhe pa asnjë pagesë.

Ky takim është pjesë e angazhimeve të Avokatit të Popullit për të qenë sa më afër qytetarëve në të gjitha komunat e vendit, duke ofruar qasje të drejtpërdrejtë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre./Telegrafi/

The post Takim informues me qytetarët e Istogut nga Avokati i Popullit appeared first on Telegrafi.

KGJK shpall konkursin për Kryetar të Gjykatës Themelore në Pejë

29 May 2025 at 10:31

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e 347-të me radhë, ka miratuar vendimin për shpalljen e konkursit të brendshëm për pozitën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë.

Ky vendim është pjesë e angazhimeve të KGJK-së për të forcuar strukturat udhëheqëse brenda sistemit gjyqësor dhe për të garantuar efikasitet dhe transparencë në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve të gjykatave. Konkursi do të jetë i hapur vetëm për kandidatët nga brenda sistemit gjyqësor, në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregulloret përkatëse.

Informacionet lidhur me afatet dhe kriteret e aplikimit do të bëhen publike nga KGJK në ditët në vijim.

The post KGJK shpall konkursin për Kryetar të Gjykatës Themelore në Pejë appeared first on Telegrafi.

Ilir Ferati në shkollën “Trepça”, promovohet numri i dytë i revistës “Gjurmët e Diturisë”

27 May 2025 at 11:56

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka vizituar shkollën fillore “Trepça” në fshatin Banjë, ku u prezantua numri i dytë i revistës shkollore “Gjurmët e Diturisë”.

Revista paraqet punën, përkushtimin dhe kreativitetin e nxënësve dhe stafit arsimor të kësaj shkolle.

Me këtë rast, Kryetari Ferati u nderua me një mirënjohje nga drejtori i shkollës, Nexhmedin Beqiraj, i cili udhëheq shkollën që është cilësuar si një ndër institucionet më të suksesshme të shekullit XXI në komunë.

Ferati falënderoi stafin dhe nxënësit për përkushtimin dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme të vizionit arsimor të fëmijëve, duke shtuar se komuna do të vazhdojë të jetë partnere në çdo iniciativë që fuqizon arsimin cilësor dhe krijuesinë e të rinjve./Telegrafi/

The post Ilir Ferati në shkollën “Trepça”, promovohet numri i dytë i revistës “Gjurmët e Diturisë” appeared first on Telegrafi.

KRU “HIDRODRINI” – Aksion i gjerë çkyçjesh ndaj borxhlinjve në komunën e Istogut

23 May 2025 at 11:38

Në bashkëpunim me Policinë dhe me mbështetjen e Menaxherit të Njësisë, inspektorët rajonal dhe ata të njësisë operative të KRU “Hidrodrini” kanë realizuar një aksion të gjerë çkyçjesh në komunën e Istogut, duke inspektuar ekonomi familjare dhe biznese që kanë borxhe të pashlyera ndaj kompanisë.

Gjatë këtij aksioni, shumica e konsumatorëve borxhlinj i janë përgjigjur vendimit duke shlyer obligimet përmes procedurave bankare.

Për konsumatorët që nuk kanë përmbushur detyrimet financiare, janë ndërmarrë masa ndëshkuese dhe rastet janë proceduar për ndjekje gjyqësore.

KRU “Hidrodrini” njofton se aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe në zonat e tjera të mbuluara nga kompania, me qëllim të përmirësimit të mbledhjes së borxheve dhe funksionimit të qëndrueshëm të shërbimeve.

Ftojmë të gjithë konsumatorët me obligime të papaguara që të shlyejnë borxhet ndaj kompanisë për të shmangur masat ndëshkuese dhe ndërprerjen e shërbimeve./Telegrafi/

 

The post KRU “HIDRODRINI” – Aksion i gjerë çkyçjesh ndaj borxhlinjve në komunën e Istogut appeared first on Telegrafi.

“Qëndresa Kosovare” dhuron pajisje për trajtimin e pacientëve në Spitalin e Pejës

23 May 2025 at 11:32

Një aparat të avancuar të ultrazërit për Njësinë Koronare të këtij spitali e ka dorëzuar delegacioni i Organizatës “Qëndresa Kosovare”, pjesë e të cilit ishte edhe kryeimami i Pejës, Mulla Enes Goga.

Kjo pajisje moderne do të ndihmojë në diagnostikimin dhe trajtimin më efikas të pacientëve, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor në këtë njësi.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Fahri Hasani, falënderoi organizatën “Qëndresa Kosovare” për këtë donacion të vlefshëm. Ai theksoi se ky aparat do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimeve për pacientët.

Ky donacion është një motiv shtesë për angazhim edhe më të madh në shërbim të pacientëve./Telegrafi/

The post “Qëndresa Kosovare” dhuron pajisje për trajtimin e pacientëve në Spitalin e Pejës appeared first on Telegrafi.

Në Klinë mbahet paneli i diskutimit mbi promovimin dhe zbatimin e barazisë gjinore

23 May 2025 at 09:48

 Në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, u organizua në Komunën e Klinës një panel diskutimi me temën “Promovimi dhe Zbatimi i Barazisë Gjinore”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve komunalë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit më të gjerë “Instrumenti për Barazi Gjinore” (Gender Equality Facility – GEF), i financuar nga Bashkimi Evropian, implementuar nga UN Women dhe zbatuar nga Mitrovica Women Association for Human Rights, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore.

Në panel morën pjesë nënkryetarja e Komunës së Klinës, Marqe Tanushi Selmanaj, zyrtarja për Barazi Gjinore, znj. Vitore Shala, drejtori i Administratës, Binak Sylaj, drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Lorenc Marleku, si dhe zyrtarë tjerë komunalë dhe përfaqësues të mediave.

Diskutimi shërbeu si platformë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave në lidhje me integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e politikëbërjes, duke përfshirë planifikimin strategjik, zbatimin dhe vlerësimin e politikave publike.

Nënkryetarja Selmanaj theksoi rëndësinë që barazia gjinore të jetë e përfshirë në çdo proces vendimmarrës brenda komunës dhe nënvizoi nevojën për përfshirjen aktive të grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e zhvillimit politik dhe institucional. Ajo e konsideroi këtë qasje thelbësore për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të drejtë./Telegrafi/

The post Në Klinë mbahet paneli i diskutimit mbi promovimin dhe zbatimin e barazisë gjinore appeared first on Telegrafi.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë realizon 14 operime brenda 24 orëve

22 May 2025 at 11:39

Gjatë 24 orëve të fundit, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka realizuar 14 operime.

Përveç operacioneve, janë regjistruar edhe këto të dhëna për aktivitetin e djeshëm:

457 vizita specialistike

35 pranime të reja

206 pacientë të shtrirë aktualisht

287 pacientë kanë kryer gjithsej 3,323 analiza laboratorike

3 lindje, ku kanë lindur 3 djem dhe 1 vajzë (përfshirë një lindje binjake)

37 seanca dialize

87 ekzaminime me rëntgen

38 ekzaminime me ultrazë dhe 22 me CT

43 shërbime fiziatrike/Telegrafi/

The post Spitali i Përgjithshëm në Pejë realizon 14 operime brenda 24 orëve appeared first on Telegrafi.

Autobusi nga Peja përfshihet nga zjarri në Gjermani, shoferi shpëton pa lëndime

21 May 2025 at 13:50

Një autobus është përfshirë nga zjarri në territorin e Gjermanisë, rreth 10 kilometra pas daljes nga një servis ku kishte qenë për mirëmbajtje. Sipas informacioneve zyrtare, në mjet nuk ka pasur udhëtarë, pasi ai ishte në proces të servisimit.

Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një neglizhence teknike që lidhet me kabllot elektrike. Në momentin e incidentit në autobus ka qenë vetëm shoferi, i cili për fat të mirë ka shpëtuar pa asnjë lëndim.

Autoritetet përkatëse po hetojnë rrethanat e ngjarjes./Telegrafi/

The post Autobusi nga Peja përfshihet nga zjarri në Gjermani, shoferi shpëton pa lëndime appeared first on Telegrafi.

Skanime falas për kancerin e lëkurës në Pejë, pjesë e fushatës kombëtare të vetëdijesimit

20 May 2025 at 13:16

Sot, në sheshin “Mbretëresha Teutë” në Pejë, u mbajt aktiviteti i skanimit falas për qytetarët, në kuadër të fushatës kombëtare për vetëdijesim ndaj kancerit të lëkurës.

Aktiviteti u realizua nga mjeket specialiste të Dermatologjisë së Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

Qytetarët mund të kryejnë skanime falas në repartin e lëkurës pranë Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 14:00, deri të premten, më 23 maj 2025.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fushatës kombëtare të organizuar nga Euromelanoma Kosovë, në bashkëpunim me Shoqatën e Dermatovenerologëve të Kosovës, dhe përfshin aktivitete të ngjashme në qytete të ndryshme të vendit gjatë muajit maj./Telegrafi/

The post Skanime falas për kancerin e lëkurës në Pejë, pjesë e fushatës kombëtare të vetëdijesimit appeared first on Telegrafi.

Ushtroi dhunë ndaj gruas së tij, arrestohet burri në Klinë

19 May 2025 at 09:56

Një burrë nga Klina është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të marra. I dyshuari është arrestuar nga ana e Policisë dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente në përputhje me legjislacionin në fuqi./Telegrafi/

The post Ushtroi dhunë ndaj gruas së tij, arrestohet burri në Klinë appeared first on Telegrafi.

Aksion policor në Pejë për tentim-vrasje, sekuestrime dhe arrestime

16 May 2025 at 12:07

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, në bashkëpunim me njësitë hetimore nga Gjakova dhe Gjilani, ka realizuar sot një plan operativ në lidhje me rastin “Vrasje e mbetur në tentativë” që ka ndodhur më 29 janar 2025 në rrugën “Mikel Marku” në Pejë.

Gjatë aksionit janë kryer tetë bastisje në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar: Tri armë zjarri, 19 fishekë dhe një jelek antiplumb.

Personat e dyshuar janë arrestuar dhe aktualisht janë duke u intervistuar nga hetuesit në praninë e avokatëve mbrojtës.

Policia ka bërë të ditur se veprimet janë pjesë e hetimeve të vazhdueshme për zbardhjen e plotë të rastit./Telegrafi/

The post Aksion policor në Pejë për tentim-vrasje, sekuestrime dhe arrestime appeared first on Telegrafi.

Bora mbulon Strellcin në mes të pranverës

16 May 2025 at 08:43

Ndërkohë që jemi në mesin e muajit maj, reshje bore janë shënuar sot në bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit.

Pamjet nga terreni tregojnë shtresa dëbore mbi tokë, ndonëse pranvera është në kulmin e saj.

Reshjet e borës në këtë periudhë janë të pazakonta për këtë rajon, por jo të paprecedentë në lartësitë malore, ku temperaturat vazhdojnë të jenë më të ulëta.

Ndërkohë, moti i paqëndrueshëm ka përfshirë disa zona malore të Kosovës, duke sjellë reshje të shiut dhe rënie të temperaturave./Telegrafi/

The post Bora mbulon Strellcin në mes të pranverës appeared first on Telegrafi.

Qytetari nga Juniku dorëzon në Polici kuletën e gjetur me 1300 euro dhe dokumente personale

14 May 2025 at 13:57

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 8 maj 2025, një qytetar ka dorëzuar në Stacionin Policor në Junik një kuletë të gjetur, në të cilën ndodheshin para të gatshme dhe dokumente personale.

Sipas komunikatës zyrtare, qytetari Imer Krasniqi, imam nga Juniku, kishte gjetur kuletën në qytetin e Junikut dhe menjëherë e kishte dorëzuar atë në polici. Në kuletë ndodheshin 1,300 euro si dhe dokumente personale të pronarit.

Policia, pas procedurave të nevojshme, ka arritur të identifikojë dhe kontaktojë personin të cilit i kishte humbur kuleta. I njëjti është ftuar në stacionin policor dhe i janë kthyer të gjitha sendet e humbura – përfshirë të hollat dhe dokumentet.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin Imer Krasniqi për veprimin e tij dhe për nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare që ka treguar, duke e cilësuar këtë rast si shembull pozitiv për komunitetin./Telegrafi/

The post Qytetari nga Juniku dorëzon në Polici kuletën e gjetur me 1300 euro dhe dokumente personale appeared first on Telegrafi.

Dy persona të ndaluar nga Prokuroria e Pejës për ‘vrasje në tentativë’ dhe ‘grabitje’

14 May 2025 at 09:58

Prokuroria Themelore në Pejë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ndaluar dy persona gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit të shtetit.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikqi, i cili ka bërë të ditur se njëri nga të ndaluarit dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa tjetri për veprën penale “Grabitja”, përcjell Telegrafi.

Prokurori i shtetit pritet të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së sigurimit ndaj të dy të ndaluarve në procedurë penale.

Hetimet në të dy rastet janë në vazhdim, ndërsa Prokuroria mbetet e përkushtuar për ndjekjen dhe trajtimin me prioritet të rasteve të natyrës së rëndë penale./Telegrafi/

The post Dy persona të ndaluar nga Prokuroria e Pejës për ‘vrasje në tentativë’ dhe ‘grabitje’ appeared first on Telegrafi.

❌
❌