Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Main stream

Balluku inspekton sportelet për e‑Albania në Patos: Abuzuesit do ndëshkohen…

By: b b
21 July 2025 at 15:54

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka inspektuar sot një nga sportelet e dedikuara për asistencë ndaj qytetarëve në përdorimin e portalit “e-Albania” në Bashkinë e Patosit.

Gjatë vizitës së saj, Balluku tha se ky shërbim siguron që çdo qytetar të ketë mundësi të barabartë për të përdorur teknologjitë e reja pa pengesa financiare.

“Ne kishim identifikuar në terren prej disa kohësh që në disa raste kishte një shkelje të plotë me ligjin, në zyrat e noterisë apo edhe në zyrat e disa avokatëve jepej shërbim për e-Albania. Një shërbim që qeveria shqiptare e ofron falas, pensionistët shkonin dhe paguanin.

Për këtë arsye ne kemi ndërmarrë gjithë këtë proces dhe ua bëmë me dije gjithë qytetarëve, jo vetëm moshave të treta, por edhe ata qytetarë që nuk kanë akses të mundshëm në pajisjet elektronike që ofrojnë aksesin direk në e-Albania.

Ky është një nga shërbimet digjitale që administrata shqiptare është shumë krenare që e ofron prej kaq kohësh, ku mund të aksesohen një sërë shërbimesh që janë të kërkuara si certifikatat personale e shumë të tjera dhe janë falas”, tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

GJKKO reagon pas deklaratave të Berishës: S’kemi asnjë konflikt institucional

By: b b
21 July 2025 at 15:31

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, të bëra jashtë ambienteve të SPAK-ut.

Berisha tha për mediat se drejtuesi i institucionit, Altin Dumani, kishte qenë pranë një përplasjeje fizike me një gjyqtare gjatë një operacioni për sekuestrimin e një kompjuteri.

Përmes një reagim zyrtari, GJKKO sqaron se nuk ka pasur asnjë incident, përplasje apo tension gjatë këtij procesi në ambientet e SPAK.

Reagimi:

Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.

Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.

Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme.

Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës.

Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike.

Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.

Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.

Tentoi të hynte në Shqipëri, kapet në Morinë turku i shpallur në kërkim ndërkombëtar

By: b b
21 July 2025 at 15:17

Policia Kufitare e Morinës ka kapur në tentativë për të hyrë në Shqipëri një 35-vjeçar turk, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga verifikimet rezultoi se 35-vjeçari ishte dënuar nga autoritetet gjyqësore turke, me 4 vjet burgim për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës”.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e krimeve kufitare dhe për parandalimin e lëvizjes së shtetasve që janë në kërkim, kanë siguruar informacion për një shtetas në kërkim që po tentonte të hynte në Shqipëri.

Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, me shërbimet e DVP Kukës, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk Kadir Kuçukologu, 35 vjeç, banues në Turqi.

Nga verifikimet rezultoi se 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Gjykata e Lartë për Krimet në Karsikaya, Turqi, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës””, njofton policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Turqi, vijon procedurat për ekstradimin e shtetasit Kadir Kuçukologu.

Rituali i dollisë/ Gonxhja: Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore!

By: b b
21 July 2025 at 14:56

Rituali i Dollisë është shpallur Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Lajmin e bëri të ditur ministri Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka ndarë pamje dhe skena të dollive të realizuara në filma të ndryshëm shqiptarë.

“Mirëmëngjes dhe me Ritin e Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale, ju urojmë një javë të mbarë”, shkruan Gonxhja.

Deputetja Albana Vokshi shpallet e pafajshme për shpifje ndaj Vilma Nushit

By: b b
21 July 2025 at 14:39

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshme deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në procesin gjyqësor për shpifje të ngritur nga biznesmenia Vilma Nushi.

Sipas prokurorit të SPAK, deklaratat e Vokshit janë bërë në kuadër të detyrës së saj si deputete dhe nuk përmbajnë elementë të veprës penale të shpifjes.

Pas vendimit, Vokshi ka thënë për gazetarët se e vërteta vonon, por nuk harron.

Më tej, ajo paralajmëroi se denoncimet e saj do të vijojnë.

“Sqarova edhe njëherë duke vënë në dispozicion dokumentacionin zyrtar të marrë nga unë si deputete, vërtetova që çdo thënie e imja qëndron dhe ka qenë e vërtetë. Zonja Nushi në një moment të caktuar u nervozua pasi përmenda faktin e ditur botërisht që ka qenë sponsore e PS dhe Edi Ramës. U nervozua për këtë fakt. Në fund, gjykata mori vendimin për të më shpallur të pafajshme. Kam kryer detyrën time si deputete, si kryetare e komisionit hetimor. SPAK vërtetoi faktin se Nushi është përsëri nën hetime për shkak të denoncimit që unë kam bërë para 5 viteve.

Betejën time do ta vijoj siç e kam bërë deri më tani për 10 vite me radhë. Do të vazhdoj të denoncoj skandalet në shëndetësi. Deri në fund, deri në zbardhjen e koncesionit të check-up dhe sterilizimit, do të depozitoj pranë SPAK dokumente të tjera. E vërteta vonon, por nuk harron. Nëse beteja është për interes publik, në fund të ditës është një betejë e fituar”, tha Vokshi.

Kontrollet në Elbasan, arrestohet vëllai i deputetit socialist

By: b b
21 July 2025 at 14:26

Policia e Elbasanit ka arrestuar vëllain e deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla.

Sipas uniformave blu mësohet se ai është vënë në pranga gjatë kontrolleve të zhvilluara mëngjesin e sotëm, në kuadër të hetimeve të prokurorisë për djegiet e ndodhura në landfillin e Elbasanit.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 30 fishekë luftarakë.

“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve:

-B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë;

-D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak“, thuhet në njoftimin e policisë.

Pengesë për zjarrfikësen, shemben mure rrethuese në Shkodër

By: b b
21 July 2025 at 14:10

Bashkia Shkodër ka shembur gardhe dhe mure rrethuese që pengonin hyrjen e mjeteve zjarrfikëse, pranë pallateve tek “Kryqëzimi i spitalit”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci ka bërë publike hartën me 41 pikat kritika që janë në evidentuar në qytetin e Shkodrës, të cilat bllokojnë hyrjen në godinë.

“41 pika kritike janë identifikuar në qytet, ku ndërtime të ngritura prej mbi 30 vitesh bllokojnë hyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

Sot strukturat e Bashkisë ndërhynë në njërën prej tyre, pranë kryqëzimit të spitaleve, ku jo vetëm që mungonte hapësira për raste emergjente, por edhe banorët hasnin vështirësi në qarkullim.

Paralelisht me lirimin e hapësirave publike do të vijojnë ndërhyrjet edhe në këto zona problematike, për t’i çliruar dhe për të shmangur çdo rrezik për qytetarët”, shkruan kryebashkiaku Benet Beci.

Opozita serbe në Kosovë në kërkim të bashkimit për zgjedhjet lokale

By: b b
21 July 2025 at 13:59

Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të caktuara për 12 tetor, brenda komunitetit serb po shtohen zërat që kërkojnë bashkim dhe krijim të një platforme të përbashkët veprimi.

Nisma për formimin e një lëvizjeje më të gjerë popullore, e cila, siç thuhet, do t’u kundërvihej politikave aktuale në Prishtinë dhe Beograd, vjen nga radhët e aktorëve opozitarë, që janë të pakënaqur me pozitën e serbëve në Kosovë.

Kreu i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, thotë se ka ardhur koha që lufta politike të zhvillohet në mënyrë të qartë, pa ndarje, frikë apo kalkulime partiake.

Ndërsa, Stefan Velkoviç, nga Partia Demokracia Serbe, thotë se thirrjet e tyre për veprime konkrete në terren, prej kohësh injorohen.

Ai nuk e përjashton bashkëpunimin me të tjerët, përveç me zyrtarët e lartë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka përkrahje nga Beogradi.

Politologu serb, Ognjen Gogiç, vlerëson se tek aktorët opozitarë serbë, nuk ka ende vetëdije të pjekur për bashkim, dhe se Lista Serbe nuk do të rrezikohet ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë, ka nisur procesin e aplikimeve për certifikimin e partive dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale, i cili do të zgjasë deri më 13 gusht.

Kujt i drejtohet thirrja për bashkim?

Javën e kaluar, udhëheqësi i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, u bëri thirrje aktorëve politikë, studentëve, përfaqësuesve të shoqatave dhe organizatave, bizneseve dhe intelektualëve që ta mbështesin, të tregojnë pjekuri dhe guxim për veprim të përbashkët.

Megjithatë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se kjo ftesë nuk vlen për përfaqësuesit e Listës Serbe ose Nenad Rashiçin – ministër në Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Ne mendojmë se kjo politikë që ka ndjekur Lista Serbe, por edhe [Nenad] Rashiç, i cili është pjesë e institucioneve në Prishtinë, nuk është e mirë për popullin tonë. Me ta nuk ka hapësirë për dialog. Ata kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes në terren”, vlerëson Bishevac.

Ai kritikon Beogradin që, siç thotë, për vite me radhë ka mbështetur vetëm Listën Serbe, e cila, sipas tij, ka qenë e përfshirë në skandale dhe nuk ka sjellë asnjë të mirë për serbët në Kosovë.

Për institucionet në Prishtinë, Bishevac thotë se ato nuk interesohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, nuk duan dialog dhe zgjidhje paqësore, por se me veprimet e tyre, “nxisin nacionalizmin” dhe përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike.

Velkoviç: “Të orientohemi te kush është shtylla kryesore e bashkimit”

Partia Demokracia Serbe i ftoi, gjithashtu, qytetarët, aktorët shoqërorë dhe politikë, si dhe palët e tjera të interesuara që t’i bashkohen në “vazhdimin e luftës”.

Nënkryetari i kësaj partie, Stefan Velkoviç, thotë për Radion Evropa e Lirë se, gjatë vitit të fundit, ata i kanë ftuar aktorët opozitarë për bashkim “kundër represionit” të autoriteteve të Kosovës, por se nuk kanë gjetur mirëkuptim.

“Tani nuk shohim hapësirë për ndonjë bashkëpunim të madh, sepse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur, dhe ne kemi fituar më shumë vota si parti opozitare serbe. Ndaj, duhet të orientohemi te kush është shtylla kryesore e bashkimit”, thotë Velkoviç, duke shtuar se opozitarët “duhet të dëshmohen”.

Velkoviç thotë, gjithashtu, se anëtarët e Partisë Demokracia Serbe janë arrestuar disa herë.

Ai thotë se udhëheqësi i tyre, Aleksandar Arsenijeviç, po “persekutohet” dhe se askush nuk ka reaguar.

Arsenijeviç nuk gjendet në Kosovë, pasi është në kërkim, sepse në pronën e tij janë gjetur armë, për të cilat ai vetë ka thënë se “janë kurdisur”.

Më parë, Arsenijeviç dhe disa anëtarë të tjerë të partisë së tij janë arrestuar për “shqetësime” ose “shkelje të rendit publik” – kryesisht kur kanë protestuar kundër politikanëve shqiptarë të Kosovës që kanë vizituar pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

“Bashkimi i opozitës do të ndodhë vetëm nëse ka përfitim politik”

Politikologu Ognjen Gogiç thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët në Kosovë gjenden midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si dhe midis dy sistemeve, dhe është e vështirë për ta që të qëndrojnë jashtë këtij ndikimi.

“Reale është, por në praktikë është e vështirë”, vlerëson ai.

Ai shton se në komunitetin serb të Kosovës, nuk ka shumë aktorë opozitarë, dhe se me shumë mundësi pozitat e kryetarëve në dhjetë komunat me shumicë serbe do t’i takojnë sërish Listës Serbe.

“Nëse nga njëra anë keni Listën Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi, dhe nga ana tjetër është Rashiçi, i cili është i lidhur me Prishtinën, nuk mendoj se ka një rrugë të tretë për serbët. Nëse ka bashkim, do të jetë për arsye pragmatike, që të shpaguhet politikisht”, thotë Gogiç.

Sipas tij, mundësitë për bashkëpunim të opozitës serbe janë të vogla, edhe për faktin se në zgjedhjet lokale është më e lehtë të fitohen mandatet e këshilltarëve në kuvendet komunale.

Megjithatë, Gogiç thekson se zgjedhjet lokale të tetorit janë të rëndësishme për komunitetin serb në veri të Kosovës, sepse përfaqësuesit serbë do të rikthehen në kuadrin institucional, që e kanë braktisur në nëntor të vitit 2022 me iniciativë të Listës Serbe./REL

Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon 57 vite burg për vëllezërit Duka

By: b b
21 July 2025 at 13:46

Prokuroria e Posaçme ka dhënë konkluzionet përfundimtare në seancën gjyqësore ndaj të pandehurve për ekzekutimin e ish-policit, Santiago Malko, krim i ndodhur më 27 Gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Mësohet se ndaj të pandehurve, SPAK ka kërkuar masën e dënimit:

Leonard Duka – 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.

Erlis Duka – 25 vjet burgim

Fatmir Hyseni – 32 vite burgim

Aleksandër Manxhaku- 22 vjet burgim

Oltjon Loga – 23 vjet burgim

Dritan Agai- 23 vjet burgim

Ata akuzohen për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal.

“Shpërblim për angazhimin kriminal në fushatë”/Berisha: Karteli Troplini ka marrë…

By: b b
21 July 2025 at 13:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama i ka dhënë “kartelit Troplini” stadiumin e qytetit të Durrësit, “Niko Dovana”.

Në një konferencë për media, Berisha thotë se pas manipulimeve që kanë ndodhur më 11 maj, disa individë po shpërblehen me leje ndërtimi për kulla, kryesisht pranë zonës së stadiumit “Niko Dovana”.

“Kështu presidenti i klubit Teuta, që e ka mbajtur këtë klub nga viti 1999, dha dorëheqjen në mënyrë të papritur me datën 16 qershor dhe sipas burimeve të FSHF-së, të cilat nuk identifikohen dot nga terrori, aksionet e stadiumit Niko Dovana i kanë kaluar kartelit Troplini.

Kaq e vërtetë është saqë sot, secili prej jush po të shkojë dhe të shohë regjistrat e shtetit, nuk gjen dot një person se kush i mori ato. Një gjë është e sigurt që ish-presidenti Edmond Hasanbelliu dhe Edi Rama ia kaloi stadiumin dhe qindra mijëra metra katrorë rreth stadiumit korporatës famëzezë të investimeve. Kjo korporatë që merr përsipër, ka gjetur si blerës dhe zhvillues me urdhër natyrisht të Edi Ramës, kartelin famëkeq Troplini.

Sipas burimeve që nuk duan kurrsesi të flasin publikisht nga FSHF. E kuptoni vetë ju frikën e tmerrshme. Por, e vërteta, rrotull stadiumit janë planifikuar një seri ndërtesash, ndër të cilat kulla me lartësi 125 metra. Përsëri po të pyesni se kush është autori, pronari, zhvilluesi, ju emër nuk do gjeni sepse po sipas burimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ky emër do ishte Ergys Agasi.

Por, diskreditimi i tij kombëtar dhe ndërkombëtar, skandali dhe afera e tij me fabrikën e duhanit dhe një seri lidhjesh të tjera, detyroi që prestanome i Troplinëve të mbetet prapë sekret, pa emër. Ngjashmëri e madhe me tjetërsimin e pronave të Niko Dovanës me stadiumin Dinamo. Ndërkohë pronat tek stadiumi Dinamo dhe Niko Dovana kanë pronarët e tyre.

Dhe në të gjitha ligjet e vendit, ato duhet t’u rikthehen pronarëve, por janë bërë të gjitha, janë viktimë e një njeriu të pangopur, që i ka vënë vetes detyrë të tejkalojë edhe Alabarin në pasuri dhe që quhet Edi Rama“, tha Berisha.

Mbledhja e të dhënave/ “Nuk i përpunojmë dot”, Rama: Jemi për ibret!

By: b b
21 July 2025 at 12:58

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ditën e sotme stafin akademik të arsimit të lartë sa i përket për ruajtjen e të dhënave.

Pas pasqyrimit të të dhënave në raportin e Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, Rama tha se nevojitet qasje dhe strukturë e re në këtë fushë.

Ai tha se janë ‘ibret’ në këtë aspekt, së bashku edhe me qeverinë.

“Të ndryshojmë  drejtimin e ASCAL, për ne nga ana jonë leksioni që keni marrë nga bordi dhe të tjerat dhe mungesa e të dhënave, se në këtë pikë jeni ibret, por nuk jeni vetëm.

Jemi të gjithë ibret. Në raportin e shtetit me të dhënat në kuptimin sesa ne mbledhim të dhëna, përpunojmë dhe bëjmë politkika bazuar në të dhëna jemi të gjithë bashkë nqë nivelin më të ulet të mundshëm krahasimisht me vendin e fundit para nesh të BE.

Mos u ndjeni të vetë në këtë, mos u ndjeni të fyer por jeni të ibret. ASCAL  nuk mund të jetë dot një institucion që nuk përpunon dot të dhëna në mënyrë sasiore apo cilësore, s’mund  të pajtohet me ekspertë që nuk kanë arsim përkatës.

Ca faji ka bordi se eksperti x apo y nuk ka arsimit përkatës për tëe bërë atë punë që i kërkohet, apo nuk ka pikën e integritetit për të thënë se kjo nuk shkon dhe ky ptrogram nuk dunet adredituar.

Por thonë kjo nuk shkon, pro programi është ok. Muhabet shqiptarësh. Më keq akoma nga ato ekspertë të emëruar disave i jepet një volum i madh pune, disa të tjerë nuk thirren njëherë hajde t’u japim punë”, tha Rama

Lapaj-KQZ-së: Miratoni me shkrim dorëheqjet e 12 kandidatëve të listës së mbyllur

By: b b
21 July 2025 at 12:40

Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj i ka dërguar një shkresë zyrtare kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, përmes së cilës kërkon që të konfirmohet me shkrim vlefshmëria e dorëheqjeve të paraqitura nga 12 kandidatët e listës së mbyllur të koalicionit për qarkun Tiranë.

Ai thekson se dorëheqjet janë dorëzuar më 11 maj 2025, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave dhe se meqë KQZ nuk ka marrë një vendim të kundërt, ato duhet të konsiderohen si të miratuara në mënyrë të heshtur.

Kërkesa zyrtare e Adriatik Lapajt:

“Nisma “Shqipëria Bëhet” me Vendimin Nr. 237, dt. 04.03.2025, është regjistruar në KQZ si koalicion për zgjedhjet parlamentare të dt. 11 maj 2025, me përfaqësues z. Adriatik Lapaj në cilësinë e drejtuesit të koalicionit.

Në Qarkun Tiranë, ky koalicion ka siguruar 16,520 vota, duke fituar një mandat përfaqësimi. Ju bëjmë me dije se të gjithë kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, më datë 11 maj 2025, përpara fillimit të procesit të numërimit të votave.

Bazuar në Nenin 97, të Kodit të Procedurave Administrative, përsa kohë organi publik, në këtë rast Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, nuk është shprehur me vendim konsiderohen të miratuara në heshtje.
Në këtë kuadër, kërkojmë konfirmimin me shkrim se dorëheqjet e paraqitura janë konsideruar të miratuara në heshtje, në përputhje me ligjin në fuqi.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin!

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në përpjekjen e 50-të

By: b b
21 July 2025 at 11:49

Deputetët nuk arritur as për të 50-ën herë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokim të situatës.

Të pranishëm në seancë kanë qenë 104 deputetë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje që të mos lejojë “të keqpërdoret”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar Deharin për “abuzim” me pozitën.

Para nisjes së seancës, avokati Arianit Koci e ka qethur kokën para Kuvendit, duke thënë se ky është akt simbolik, përmes së cilit po dëshmon se “ka ardhur fundi”.

“Kjo nuk është më politikë prandaj unë kërkoj që menjëherë sot të formohet Kuvendi”, ka thënë avokati Koci, duke përsëritur se nga kjo zvarritje po rrezikohet “shtetësia e Kosovës”.

Kuvendi nuk është konstituuar as pas një takimi të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Hollësitë e takimit nuk janë bërë të ditura.

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku ka deklaruar paraprakisht se partia të cilës i takon ajo kërkon që Limaj të propozohet për kryetar Kuvendi.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë përsëritur të hënën se nuk kanë votë për Limajn si kryetar Kuvendi.

Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi./REL

Bujar Osmani: Disa parti shqiptare e tradhtuan zotimin për integrimin europian

By: b b
21 July 2025 at 11:30

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, në një intervistë për Klan News ka akuzuar partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut për shkelje të marrëveshjes së arritur para zgjedhjeve, që kishte në thelb angazhimin për integrimin europian të vendit.

“Para zgjedhjeve, partitë shqiptare kishin nënshkruar një dokument, ku angazhoheshin se pas zgjedhjeve nuk do të bënin koalicion me cilëndo parti që nuk deklarohej qartë se do të vijonte rrugën e integrimit drejt Bashkimit Europian.

Për fat të keq, disa nga nënshkruesit e këtij dokumenti janë bërë pjesë e një qeverie që nuk ka asnjë kalendar për integrimin dhe që po saboton aktivisht rrugën europiane të vendit,” u shpreh Osmani.

Deklarata e tij vjen në një kohë të ndjeshme politike, pasi qeveria e re në Shkup është përballur me kritika për mungesë transparence dhe angazhimi në procesin e afrimit me BE-në.

Negociatat për armëpushim/ Presidenti Zelensky i bën ofertë Rusisë

By: b b
21 July 2025 at 11:14

Presidenti ukrainas Zelenski dëshiron t’i japë një shtysë të re negociatave për armëpushim me Rusinë.

Ai propozon një takim në nivel udhëheqësish për javën e ardhshme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka përsëritur gatishmërinë për të zhvilluar bisedime personale me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Një takim i nivelit të lartë është i nevojshëm për të arritur vërtet paqe të qëndrueshme”, deklaroi ai në mesazhin e tij të fundit me video.

Zelenski shtoi se nevojitet një shtysë e re për negociatat e armëpushimit. Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare Rustem Umjerov i ka ofruar Moskës një takim javën e ardhshme.

Agjencia ruse e lajmeve Tass raportoi se një burim pranë ekipit negociator rus kishte konfirmuar se Kremlini kishte marrë një propozim të ngjashëm nga Kievi.

Moska kohët e fundit kishte shprehur gatishmërinë e saj bazë për të zhvilluar bisedime me udhëheqjen e Kievit, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump i dha Rusisë 50 ditë për të përfunduar luftën kundër Ukrainës. Përndryshe, Trumpi kërcënoi me sanksione ekonomike kundër partnerëve tregtarë të Rusisë.

Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu furnizimin e Ukrainës me sisteme të reja të mbrojtjes ajrore Patriot.

Megjithatë, këto do të paguhen nga Gjermania dhe partnerë të tjerë evropianë të NATO-s. Bashkimi Evropian vendosi të premten paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë për të rritur presionin mbi Moskën.

Bisedime në Stamboll

Përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në metropolin turk të Stambollit në maj dhe qershor.

Megjithatë, shkëmbimi i të burgosurve të luftës dhe kthimi i ushtarëve të rënë ishin të vetmet rezultate konkrete të bisedimeve. Nuk është bërë asnjë përparim drejt një armëpushimi në luftën e nisur nga Rusia në vitin 2022.

Gjatë negociatave të qershorit, Rusia përsëriti kërkesat e saj më të larta. Kremlini kërkon, ndër të tjera, ndërprerjen e ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin dhe tërheqjen e ushtrisë ukrainase nga katër rajone ukrainase që Rusia i pretendon si të vetat. Kievi i hedh poshtë këto kërkesa si të papranueshme.

Sulmet me dronë ukrainase ndaj Moskës

Ndërkohë, sulmet e ndërsjella vazhdojnë. Autoritetet ruse raportuan sulme të reja me dronë ukrainase ndaj kryeqytetit, Moskës, dhe zonave të tjera gjatë natës së së shtunës për të dielën.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, u rrëzuan gjithsej 93 raketa pa pilot, 19 prej tyre mbi rajonin e Moskës. Trafiku ajror në katër aeroportet e Moskës u pezullua përkohësisht, raportoi Tass. Deri tani nuk ka raportime për viktima.

Me sulmet e tyre ndaj objektivave brenda Rusisë, trupat ukrainase synojnë kryesisht të godasin furnizimet ushtarake të kundërshtarit. Sipas Forcave Ajrore Ukrainase, Rusia lëshoi 344 dronë luftarakë, si dhe 35 raketa, drejt Ukrainës natën e së shtunës. U kapën 208 predha.

Dy persona janë vrarë në një sulm me raketa në rajonin e Dnipropetrovskit, në Ukrainën qendrore, tha guvernatori rajonal Serhij Lysak. Një klinikë, një shkollë dhe një qendër kulturore në qytetin Vasylkivska u shkatërruan.

Disa shtëpi private dhe makina u dëmtuan gjithashtu. Në qytetin portual të Detit të Zi, Odesë, një grua u vra në një sulm me dron, sipas shërbimeve rajonale të emergjencës./DW

“Irena Gjoka është…”/Berisha para SPAK: Altin Dumani, anëtar i organizatës Troplini

By: b b
21 July 2025 at 10:52

Kreu i PD, Sali Berisha u paraqit sot në SPAK, nga ku hodhi sërish akuza ndaj kreut të këtij institucioni dhe gjyqtares, Irena Gjoka.

Gjatë fjalës së tij për gazetarët, Berisha e quajti kreun e SPAK, anëtar të organizatës së Troplinëve.

Ndërsa për gjyqtaren Irena Gjoka, Berisha thotë se është një mashtruese ordinere, me 3 mbiemra.

“Po lexoj deklaratën që unë lashë për kreun e SKAP-it, Altin Troplini. Pasi mbajti në xhep për javë të tëra mandatin e arrestit të kreut të kartelit Troplini, duke u bërë kështu anëtar i organizatës Altin Troplini, hapi dosje për Irenën me 5 mbiemra, pa emër.

Ka hapur çështje penale pa emër, ky është një krim, një abuzim i madh me drejtësinë. Irena me 3 apo 5 mbiemra është një delikuente e cila ka vendin, jo në drejtësi, por atje ku e meriton. Altin Troplini me urdhër të Ramës, bën çdo gjë ti zgjasë kësaj qenie delikuente qëndrimin në sistem, duke u bërë bashkë me Altinin fytyra  e vërtetë e sistemit.

Irena me 3 mbiemra, është mashtruese ordinere, është shkarkuar në 1996 për korrupsion nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe këtë ua ka mohuar avokatëve të mi. Irena me 3 mbiemra, që mbrohet me të gjitha mënyrat nga altin Troplini, është një delikuente e cila ka mashtruar në formularët”, tha Berisha.

Seanca për “Partizanin”, Berisha mbërrin në SPAK

By: b b
21 July 2025 at 10:34

Kreu i PD, Sali Berisha ka mbërritur në ambientet e SPAK, ku është pritur nga simpatizantë të shumtë të Partisë Demokratike.

Kujtojmë se sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të zhvillohet seanca e radhës për dosjen “Partizani”.

Nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Seanca e parë, që u mbajt më 30 qershor, u shty për shkak të mungesës së kryedemokratit Berisha, i cili pretendoi se nuk kishte marrë fletëthirrjen zyrtare për t’u paraqitur në gjykatë.

Në atë seancë mungoi gjithashtu edhe Bektashi, për arsye shëndetësore.

Dosja “Partizani” lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Yesterday — 20 July 2025Main stream

Donald Trump: Ne kemi rigjallëruar SHBA-në, tani jemi më të respektuarit

By: b b
20 July 2025 at 22:46

Donald Trump ka shënuar ditën e sotme gjashtë muaj në krye të presidencës së SHBA-së.

“Sot shënohet gjashtëmuaj nga mandati im i dytë, i konsideruar si një nga periudhat më domethënëse të çdo presidenti“, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.

“Me fjalë të tjera, ne kemi arritur shumë gjëra të mëdha, duke përfshirë përfundimin e disa luftërave në vende që nuk janë të lidhura me ne. Gjashtë muaj nuk është një kohë e gjatë për të rigjallëruar një vend të madh. Një vit më parë, ne ishim të vdekur, pothuajse pa asnjë shpresë për rigjallërim. Tani, ne jemi vendi më i respektuar në botë”, shtoi ai.

Në një postim të publikuar në platformën Truth Social, Trump deklaroi: “Shifrat e mia në sondazhe brenda Partisë Republikane dhe brenda lëvizjes MAGA janë rritur ndjeshëm që kur u zbulua mashtrimi me çështjen e Jeffrey Epstein.”

Rrëfimi i vrasësit të profesorit të Berkeley në Athinë: E bëra për ish-gruan dhe …

By: b b
20 July 2025 at 22:30

Një ngjarje e rëndë me përmasa ndërkombëtare ka tronditur Athinën dhe komunitetin akademik të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley. Profesori i marketingut, Przemyslaw Jeziorski, 43 vjeç, u vra mëngjesin e 4 korrikut në një lagje të qetë të kryeqytetit grek, ndërsa po shkonte të merrte binjakët e tij të vegjël nga shtëpia e ish-gruas.

Vrasja ndodhi në prag të një përballjeje ligjore për kujdestarinë e fëmijëve dhe ka ngjallur indinjatë të madhe për mënyrën brutale dhe motivet që qëndrojnë pas saj.

Sipas autoriteteve greke, Jeziorski u qëllua disa herë nga afër nga një person i maskuar, ndërsa kalimtarët u përpoqën ta ndihmonin, por ai vdiq në vend. Hetimet zbuluan shpejt një skemë të dyshuar të mirëplanifikuar, ku në qendër rezulton të jetë partneri i ri i ish-bashkëshortes së tij, i cili më pas rrëfeu para policisë se kishte qëlluar profesorin “për të mbrojtur partneren dhe fëmijët” nga mundësia që Jeziorski t’i merrte përfundimisht në SHBA.

Në dëshminë e tij, autori i dyshuar tha se kishte frikë se Jeziorski do ta fitonte kujdestarinë e plotë të fëmijëve dhe se kjo do të “shkatërronte” të dashurën e tij. “E bëra për të dhe për fëmijët tanë, në mënyrë që të kishim një jetë të qetë”, deklaroi ai, duke shtuar se kishte planifikuar gjithçka me ndihmën e tre personave të tjerë – dy shqiptarë dhe një bullgar – të cilët e ndihmuan në ndjekjen dhe sulmin ndaj profesorit. Të gjithë janë arrestuar dhe përballen me akuza të rënda për bashkëpunim në vrasje me paramendim.

Ndërkohë, deklaratat kontradiktore të bashkëpunëtorëve kanë komplikuar më tej hetimin. Njëri prej tyre ka deklaruar se e gjithë skema ishte organizuar nga vetë ish-bashkëshortja e viktimës, e cila nuk donte që Jeziorski të kishte më kontakt me fëmijët. Ajo përballet aktualisht me akuza si bashkëpunëtore morale, por avokati i saj mohon çdo përfshirje të saj në planin për vrasje.

Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në SHBA dhe Poloni. Universiteti i Kalifornisë në Berkeley e përshkroi Jeziorskin si një profesor të përkushtuar dhe studiues të shquar, që kishte mësuar mbi 1,500 studentë gjatë 13 viteve të tij në institucion dhe kishte kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në fushën e marketingut sasior dhe ekonomisë digjitale.

Familja e tij është shprehur e zemërthyer dhe po kërkon që trupit i tij të kthehet në Poloni për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Fëmijët e binjakë, të cilët janë shtetas amerikanë dhe polakë, aktualisht janë nën kujdesin e përkohshëm të autoriteteve greke dhe sipas avokatëve të familjes, nëna dhe vëllai i viktimës do të kërkojnë kujdestarinë e plotë të tyre në Poloni.

Italia përfshihet nga vala e të nxehtit ekstrem, temperaturat arrijnë në 48.8 gradë

By: b b
20 July 2025 at 22:03

Një valë e re e të nxehtit, e treta që nga fillimi i verës, ka goditur Italinë që prej së dielës, më 20 korrik, ndërsa kulmi i saj pritet të arrihet të martën, më 22 korrik.

Sipas meteorologëve, temperaturat në Siçili mund të kapërcejnë rekordin historik prej 48.8°C, të vendosur në vitin 2001. Nëse ky parashikim realizohet, nuk do të jetë vetëm një rekord kombëtar për Italinë, por edhe rekordi më i lartë i regjistruar ndonjëherë në Evropë.

Edhe Sardenja pritet të goditet rëndë nga vala e të nxehtit, me temperaturat që mund të arrijnë deri në 45°C. Autoritetet italiane u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës, sidomos në zonat e ekspozuara.

Vala e të nxehtit do të përfshijë edhe rajonin e Apulias, me kryeqytet Barin, si dhe pjesë të mëdha të Italisë qendrore, ku gjithashtu priten temperatura shumë të larta.

Sipas parashikimeve, temperaturat do të fillojnë të bien nga e enjtja në mbrëmje, duke sjellë një lehtësim të përkohshëm nga moti përvëlues.

Ndërkohë, në Italinë veriore, situata meteorologjike do të jetë e ndryshme: të hënën priten reshje të dendura shiu, të cilat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Italia vijon të jetë një nga vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike dhe ekstremet sezonale, me motin që këtë verë ka sjellë valë të përsëritura të nxehti dhe përmbytje të lokalizuara në zona të ndryshme.

❌
❌