Tifozët vërshojnë dyqanin e Barcelonës, duan fanellën e re të Yamal – nuk ndalet prodhimi
Barcelona ka zyrtarizuar sot rinovimin e kontratës me yllin e ri të skuadrës, Lamine Yamal, duke e lidhur atë me klubin deri më 30 qershor 2031.
Lajmi është konfirmuar në mënyrë pompoze nga vetë klubi në rrjetin social X, duke e shoqëruar me pamje nga ceremonia e nënshkrimit.
Yamal, vetëm 17 vjeç, ka qenë një nga zbulimet më të mëdha të Euro 2024 me kombëtaren e Spanjës dhe shihet tashmë si pasardhësi i logjikshëm i ikonave të së kaluarës së Barcelonës.
Ai do të mbajë fanellën legjendare me numrin 10, një simbol i rëndë për historinë e klubit.
Nënshkrimi i kontratës së re është bërë në prani të presidentit Joan Laporta, zëvendëspresidentit Rafa Yusta dhe drejtorit sportiv Deco, në një takim të zhvilluar të martën në ambientet e klubit.
Kjo marrëveshje vjen në një periudhë kyçe për Barcelonën, e cila është duke rindërtuar skuadrën dhe po mundohet të rikthehet fuqishëm pas disa sezoneve të vështira në aspektin sportiv dhe financiar.
Por lajmi ka ngjallur menjëherë entuziazmin e tifozëve. Dyqani zyrtar i Barcelonës është vërshuar nga fansat që po kërkojnë të blejnë fanellën me numrin 10 dhe emrin e Lamine Yamal, duke krijuar radhë të gjata që prej mëngjesit.
Klubi ka planifikuar gjithashtu një ceremoni publike prezantimi për fanellën e re të Yamal, duke e konsideruar këtë moment si një kapitull të ri në projektin e rilindjes blaugrana.
Me këtë rinovim, Barcelona dërgon një mesazh të qartë: e ardhmja është në duart e Lamine Yamal. /Telegrafi/
The post Tifozët vërshojnë dyqanin e Barcelonës, duan fanellën e re të Yamal – nuk ndalet prodhimi appeared first on Telegrafi.