Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 July 2025Main stream

63-vjeçarja amerikane gjendet e pajetë në Sarandë, jetonte prej vitesh në Shqipëri

17 July 2025 at 17:50

Një amerikane është gjetur e pajetë paraditen e sotme në banesën e saj në Sarandë.

Viktima është identifikuar si Sharly Lynn Chaddick, 63 vjeçe, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas burimeve paraprake, Chaddick jetonte prej disa vitesh në Sarandë, ku kishte blerë një apartament.

Trupi i pajetë është transportuar fillimisht në morgun e qytetit, përpara se të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të kryhet ekspertiza për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

The post 63-vjeçarja amerikane gjendet e pajetë në Sarandë, jetonte prej vitesh në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Të shtëna me armë zjarri në Sarandë/ Dy të plagosur, nisen me urgjencë drejt Traumës

17 July 2025 at 17:18

Dy persona janë plagosur me armë zjarri në rrethana të paqarta këtë të enjte në qytetin e Sarandës.

Sipas policisë rreth orës 15:00 në lagjen nr. 4, Sarandë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se janë plagosur me armë zjarri G. H., 32 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, të cilët pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Sarandës, janë dërguar drejt spitalit të Traumës, Tiranë, për mjekim të specializuar.

Sipas burimeve nga Policia e Sarandës, dy vëllezër janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Bëhet fjalë për R. Z, i njohur edhe me emrin R. C., 43 vjeç, dhe vëllanë e tij E. C, 35 vjeç.

Të dy vëllezërit janë të përfshirë më parë në incidente të dhunshme.

The post Të shtëna me armë zjarri në Sarandë/ Dy të plagosur, nisen me urgjencë drejt Traumës appeared first on Gazeta Si.

Erion Veliaj shfaq probleme shëndetësore, dërgohet në spitalin e Durrësit me 30 policë

17 July 2025 at 14:20

Nga Gazeta Si- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shoqërua me forca të shumta policie nga burgu i Durrësit në spitalin rajonal, pas shqetësimeve shëndetësore.

Burimet praprake tregojnë se Veliajt i janë bërë disa analiza dhe rreth orës 13:30 ka lënë ambientet e këtij spitali, ku mësohet se ka psur probleme me tensionin.

Gjithnjë sipas burimeve, Veliajn e kanë shoqëruar për në spital 30 policë, të cilët kanë nxjerrë pacientët e tjerë nga dhomat për arsye sigurie.

Pas analizave, kryebshkiaku është rikthyer sërish në qeli për të vijuar me trajtimin mjekësor brenda IEVP Durrës. Kreu i bashkisë më të madhe në vend ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit të këtij viti.

Ai do të vijojë të qëndrojë në qeli pa afat, pasi edhe Shkalla e Tretë e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, vlerësoi më 8 korrik, se masa e sigurisë “arrest në burg” nuk duhet të ndryshojë.

Veliaj ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, duke pretenduar se ajo është ekstreme dhe nuk i përgjigjet nevojave të hetimit.

SPAK e dyshon atë si të përfshirë në korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie bashkë me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.

Pak ditë më parë, përfundoi nga burgu në spital një tjetër ish-zyrtar i lartë i PS, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është ende i shtruar në QSUT, pasi kishte temperaturë të lartë dhe infeksion në lëkurë.

The post Erion Veliaj shfaq probleme shëndetësore, dërgohet në spitalin e Durrësit me 30 policë appeared first on Gazeta Si.

Zelensky zgjedh një grua si kryeministren e re të Ukrainës

17 July 2025 at 14:09

Ligjvënësit ukrainas miratuan Yulia Svyrydenkon, ministren e ekonomisë dhe zëvendëskryeministren, e cila udhëhoqi bisedimet me Shtetet e Bashkuara mbi një marrëveshje kritike për mineralet, si kryeministre në një riorganizim të kabinetit që synonte forcimin e marrëdhënieve me Uashingtonin dhe dhënien e një jete të re vendit të shkatërruar nga lufta.

Parlamenti dha lehtësisht miratimin e tij me 262 deputetë që votuan në favor të Svyrydenkos, krahasuar me 22 kundër dhe 26 abstenime midis të pranishmëve.

Svyrydenko, është një ekonomiste e njohur në Uashington për rolin e saj të shquar në arritjen e marrëveshjes për mineralet. 39-vjeçarja zëvendëson Denys Shmyhal, kreun më jetëgjatë të qeverisë në historinë e Ukrainës.

The post Zelensky zgjedh një grua si kryeministren e re të Ukrainës appeared first on Gazeta Si.

Shitet për 5.3 milionë dollarë në ankand, meteori më i madh i Marsit në Tokë

17 July 2025 at 13:18

Një meteorit i njohur si NWA 16788 dhe që është pjesa më e madhe e Marsit e gjetur në Tokë është shitur për 5.3 milionë dollarë, në ankand te një ofertues anonim.

Meteoritët janë ato që mbeten kur një kometë, asteroid ose meteoroid mbijeton kalimin e tij nëpër atmosferën e Tokës.

I zbuluar në nëntor 2023 në rajonin e largët Agadez të Nigerit, NWA 16788 është një “ekzemplar monumental” që është rreth 70% më i madh se pjesa tjetër më e madhe e Marsit e gjetur ndonjëherë në Tokë, sipas shtëpisë së ankandeve, Sotheby’s.

Meteori përbën rreth 7% të të gjithë materialit marsian të njohur në Tokë dhe është 70% më i madh se fragmenti i dytë më i madh i gjetur deri më sot. Testimet laboratorike kanë konfirmuar se ai ka përbërje identike me shkëmbinjtë marsianë të studiuar nga sonda “Viking” në vitin 1976.

Është gjithashtu tepër e rrallë, sepse vetëm rreth 400 meteoritë marsiane janë gjetur ndonjëherë në Tokë.

Sipas shkencëtarëve NWA 16788 është një zbulim me rëndësi të jashtëzakonshme — meteori më i madh marsian i gjetur ndonjëherë në Tokë dhe më i vlefshmi i këtij lloji i ofruar ndonjëherë në ankand.

The post Shitet për 5.3 milionë dollarë në ankand, meteori më i madh i Marsit në Tokë appeared first on Gazeta Si.

Nuk ka shtretër/ Zhvendoset spitali i Psikiatrisë, mjekët: Po refuzojmë pacientë

17 July 2025 at 13:12

Nga Gazeta Si- Rritja e kërkesave për shtrime gjatë verës, mungesa e shtretërve dhe mbingarkesa e mjekëve kanë vështirësuar ndjeshëm trajtimin e pacientëve me probleme të shëndetit mendor në Tiranë.

Shërbimi i psikiatrisë në QSUT nuk ka kapacitete pasi godina e vjetër e spitalit psikiatrik po rikonstruktohet dhe stafi mjekësor është transferuar përkohësisht në pavionin e Toksikologjisë, në godinën e njohur si “6-katëshi”.

Kjo ka sjellë dhe më shumë problematika. Mjekët që punojnë në këtë pavion shprehen për Gazetasi.al se situata është përkeqësuar ndjeshëm pas transferimit.

Në ambientet e reja ka shumë më pak shtretër se në ato të mëparshme, të cilat gjithashtu ishin të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat e pacientëve.

“Mezi po i menaxhojmë rastet që na paraqiten. Edhe tek godina e vjetër kishim pak shtretër, por këtu ka edhe më pak. Situata është alarmante,” thonë mjekët.

Për shkak të kësaj mungese të kapaciteteve, spitali është i detyruar të pranojë vetëm pacientët më të rrezikuar, ato që paraqesin rrezik për jetën e tyre ose për të tjerët, duke lënë shumë të tjerë pa mundësinë për trajtim spitalor.

Një pjesë e madhe e familjarëve të pacientëve me probleme të shëndetit mendor ankohen se janë të detyruar të mbajnë të sëmurët në shtëpi, duke i trajtuar ata me medikamente, por pa mbikëqyrjen e duhur mjekësore.

Kjo paraqet një rrezik të madh për pacientët, por gjithashtu për sigurinë e familjeve.

“Kemi raste kur refuzojnë të marrin medikamentet dhe bëhen të dhunshëm. Nuk dimë ku të shkojmë. Na thonë të presim,” tregon një qytetar, i cili ka djalin të sëmurë.

Përballë kësaj situate, disa familje përpiqen të gjejnë mundësi përmes ndërhyrjeve të njohurive ose lidhjeve me autoritete të tjera, ndërsa të tjerët përballen me pasiguri dhe tension të lartë psikologjik.

Mjekët e shërbimit psikiatrik bëjnë thirrje për një zgjidhje urgjente, duke theksuar se nevoja për një qendër psikiatrike funksionale është jetike.

Sipas tyre, çdo ditë që kalon pa trajtim të duhur dhe pa kujdesin e nevojshëm, gjendja e pacientëve rëndohet, duke ulur mundësitë për rehabilitim.

“Po shohim gjithnjë e më shumë të rinj me çrregullime depresive, psikozë, varësi nga substancat. Nuk mund të vazhdojmë të refuzojmë pacientë. Po flasim për jetë njerëzish dhe familje që po shkatërrohen,” shprehet një psikiatër.

Rikonstruksioni i godinës së Psikiatrisë në QSUT është një projekt që pritet të përfundojë pas tre vitesh. Deri atëherë, përballja me fluksin e rritur të pacientëve, mungesa e kapaciteteve dhe strukturave të përshtatshme mbetet një sfidë serioze për sistemin shëndetësor të vendit.

The post Nuk ka shtretër/ Zhvendoset spitali i Psikiatrisë, mjekët: Po refuzojmë pacientë appeared first on Gazeta Si.

Zjarret në vend, 70 ushtarë dhe 2 helikopterë në ‘luftë’ me flakët

17 July 2025 at 10:35

Nga Gazeta Si- Prej ditësh, në Vaun e Dejës dhe në Drenovë vijojnë zjarret, që kanë pushtuar tashmë mijëra sipërfaqe toke.

Në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, vatra e zjarrit e rënë në datë 15 në një sipërfaqe prej rreth 25 ha me lis, dushk, shkurre dhe barishte ende nuk është shuar.

Gjithashtu, forcat po punojnë për shuarjen e zjarrit në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër.

Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Pranë vatrës ndodhet gjithashtu një pus gazi, që përbën rrezik të shtuar. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, si dhe janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj.

Sot, 36 forca operacionale vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe helikopteri Cougar.

Ministria e Mbrojtjes thotë se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 27 automjete zjarrfikëse dhe 288 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 70 forca ushtarake dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura.

Aktive është edhe vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Si pasojë, deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu.

Në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, bashkia Bulqizë vijon puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar. Si pasojë, deri tani është djegur një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje lokalisht të dobëta.

Sa u përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër nivel rreziku “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera.

The post Zjarret në vend, 70 ushtarë dhe 2 helikopterë në ‘luftë’ me flakët appeared first on Gazeta Si.

Shkencëtarët krijojnë embrione nga ADN-ja e 3 prindërve, lindin 8 foshnje të shëndetshme në Britani

17 July 2025 at 10:07

Tetë foshnje kanë lindur me sukses në Mbretërinë e Bashkuar, përmes një teknike të avancuar që përfshin material gjenetik nga tre persona të ndryshëm, për të parandaluar sëmundje mitokondriale të pashërueshme, të cilat kalohen nga nëna dhe mund të jenë fatale për fëmijën.

Kjo metodë, e pionierizuar nga shkencëtarë britanikë, kombinon vezoren dhe spermën e prindërve biologjikë me një vezore donatore nga një grua e tretë.

Teknika është e ligjshme në Britani që nga viti 2015, por këto janë rastet e para të konfirmuara që kanë çuar në lindjen e fëmijëve pa sëmundje mitokondriale.

Çfarë janë sëmundjet mitokondriale?

Sëmundjet mitokondriale janë çrregullime të rënda që ndikojnë në mënyrën se si qelizat prodhojnë energji, duke shkaktuar lodhje kronike, probleme muskulore, neurologjike dhe në raste të rënda, vdekje të hershme. Ato trashëgohen nga nëna dhe shpesh nuk kanë trajtim efektiv.

Si funksionon teknika?

Fëmijët e lindur me këtë metodë trashëgojnë pjesën dërrmuese të ADN-së (rreth 99.9%) nga nëna dhe babai biologjik, ndërsa vetëm 0.1% e ADN-së, që gjendet në mitokondri, merret nga donatorja. Kjo pjesë nuk ndikon në tiparet fizike apo gjenetike të fëmijës, por parandalon që sëmundja të trashëgohet tek brezat e ardhshëm, shkruan BBC.

Asnjë nga familjet që ka kaluar në këtë proces nuk ka folur publikisht, për të mbrojtur privatësinë e tyre. Megjithatë, deklarata anonime janë dhënë përmes Qendrës së Fertilitetit në Newcastle, ku janë kryer procedurat.

Mjekët në qendër e kanë cilësuar këtë si një moment historik për mjekësinë riprodhuese, duke theksuar se teknika është aplikuar vetëm në raste kur ekzistonte rrezik i lartë për trashëgiminë e sëmundjes.

The post Shkencëtarët krijojnë embrione nga ADN-ja e 3 prindërve, lindin 8 foshnje të shëndetshme në Britani appeared first on Gazeta Si.

Rama pret presidentin e Emirateve të Bashkuara: Mik i shtrenjtë i shqiptarëve! Bin Zayed: Forcojmë partneritetin

17 July 2025 at 09:59

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed ka zhvilluar të mërkurën një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama. Në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme si edhe një sërë çështjesh rajonale e ndërkombëtare.

Kreu i qeverisë ka ndarë sot disa pamje nga pritja në Aeroportin e Rinasit, teksa e cilëson si mik të vjetër dhe të shtrenjtë të popullit shqiptar.

Në një reagim në rrjete sociale, presidenti i Emirateve ka bërë me dije se kanë diskutuar për një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare si dhe për zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.

“Pata kënaqësinë të takohesha me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Tiranë për të diskutuar mënyrat për të përforcuar më tej partneritetin në zgjerim të vendeve tona”, ka shkruar ai.

The post Rama pret presidentin e Emirateve të Bashkuara: Mik i shtrenjtë i shqiptarëve! Bin Zayed: Forcojmë partneritetin appeared first on Gazeta Si.

Pse presidenti Zelensky po ndryshon qeverinë në Ukrainë?

17 July 2025 at 09:55

Në Ukrainë pritet ndryshimi më i madh i kabinetit qeveritar që nga fillimi i luftës. Cili është qëllimi i Presidentit Zelensky me emërimet e reja?

Zërat për ndryshime në qeveri kanë kohë q% kanë qarkulluar në Ukrainë tani ato janë bërë realitet. Të mërkurën, parlamenti ukrainas miratoi dorëheqjen e kryeministrit Denys Shmyhal. Kabineti u shpërbë automatikisht. Shmyhal kishte shërbyer më parë për më shumë se pesë vjet – më gjatë se çdo kryetar tjetër qeverie ukrainas para tij. Dy ditë më parë, Presidenti Volodymyr Zelensky kishte propozuar ish-Ministren e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko në krye të qeverisë së. 39-vjeçarja kishte qenë më parë zëvendëse e Shmyhal dhe u bë e njohur gjatë negociatave disajavore për një marrëveshje për lëndët e para me Shtetet e Bashkuara, e cila u nënshkruan në Uashington në fund të prillit. Svyrydenko dëshmoi të ishte një negociatore e fortë.

Zelensky tha se ishte e nevojshme të ristrukturohej ekzekutivi në vend, mënyrë që të zbatoheshin marrëveshjet e arritura me partnerët ndërkombëtarë. Presidenti ukrainas deklaroi se priste së shpejti një program të ri qeveritar.

A mund të bëhet ndryshim qeverie nën gjendjen e jashtëzakonshme?

Parlamenti ukrainas pritet të votojë qeverinë e re që të enjten (17 korrik). Megjithatë, neni 10 i gjendjes së jashtëzakonshme thotë se kompetencat e presidentit, parlamentit, qeverisë, Bankës Kombëtare dhe disa organeve të tjera shtetërore nuk mund të ndërpriten gjatë vendosjes së tij. Përfaqësuesit e opozitës dyshojnë në legjitimitetin e ndryshimit të qeverisë. “Parlamenti kohët e fundit e zgjati afatin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe mund të shkelë Nenin 10 me këtë, megjithëse të gjithë bien dakord se legjislacioni duhet të më parë precizohet ose ndryshohet “, tha Yaroslav Zheleznyak, një anëtar i fraksionit opozitar “Holos”- “Zëri”.

Ishte presidenti i pakënaqur me qeverinë?

Studiuesi i shkencave politike dhe bashkëthemeluei i Platformës Kombëtare për Qëndrueshmëri dhe Kohezion, Oleh Saakyan, është i mendimit, se parlamenti do të votojë për këtë rezolutë për shkak të oportunitetit politik, duke injoruar ligjet. Saakyan argumenton se ky ndryshim i qeverisë “është i vonuar”, në fakt ai ishte planifikuar për vitin 2024.

Arsyet kryesore për këtë janë tensionet e vazhdueshme brenda qeverisë dhe “një numër problemesh të dukshme të menaxhimit” në fusha të ndryshme të politikave qeverisëse – nga sektori i mbrojtjes te infrastruktura dhe politika sociale. “Qeveria dëshiron të qetësojë publikisht disa nga këto tensione. Ata duan të fitojnë ‘kredibilitet të ri’, si të thuash, në kohën e duhur”, thekson eksperti.

Ndërsa Volodymyr Fesenko, politolog dhe kreu i Qendrës Ukrainase për Studimet Politike të Aplikuara “Penta”, dyshon megjithatë se ndryshimi i kreut të qeverisë do të sjellë ndryshime të mëdha politike të brendshme. “Vendimet kryesore politike do të vazhdojnë të merren në zyrën presidenciale dhe Svyrydenko, ashtu si qeveria, do t’i zbatojë ato”, tha Fesenko. Svyrydenko, që më parë ka qenë zëvendëskryetare e administratës presidenciale nën Andriy Yermak, konsiderohet si e besuara e Zelensky-t dhe një politikane e re dhe dinamike që potencialisht mund të sjellë qasje të reja. Fesenko thekson se Svyrydenko ka “përvojën e nevojshme në punën në kushte lufte dhe në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare”.

Do të ndryshojë puna e qeverisë?

Petro Oleshchuk, ekspert i politikës në Universitetin Taras Shevchenko në Kiev, beson se pavarësisht disa skandaleve të korrupsionit në kabinetin qeveritar, Zelensky dëshiron të tregojë se ai ende ka një ekip që do të vazhdojë të punojë me të – aq më tepër që qeveria nuk do të ndryshohet plotësisht dhe një numër ministrash do të mbeten në detyrë.

Edhe Denys Shmyhal nuk pritet të largohet plotësisht nga qeveria, përkundrazi pritet të bëhet Ministër i Mbrojtjes. “Transferimi i Shmyhal në një pozicion tjetër brenda qeverisë synon të tregojë se nuk ka mosmarrëveshje të brendshme. Këto janë thjesht ndryshime personeli brenda një ekipi”, tha Oleshchuk për DW.

Nga ana tjetër, eksperti Oleh Saakyan beson se ndryshimi i pjesshëm i qeverisë tregon një mungesë akute të personelit të kualifikuar dhe të besueshëm. Ministrat e rinj dhe ata aktualë janë të detyruar të japin rezultate shpejt. Saakyan është skeptik në lidhje me perspektivat afatgjata. “Kjo është një dozë adrenaline për qeverinë aktuale. Por nuk do ta ndryshojë në thelb cilësinë”, thekson eksperti politik ukrainas.

Ndërkohë, Presidenti Zelensky ka përcaktuar tashmë prioritetet kryesore për qeverinë e re të ardhshme, duke përfshirë rritjen e prodhimit vendas të armëve, zhvillimin e projekteve të mbrojtjes dhe liberalizimin gjithëpërfshirës të ekonomisë./DW

The post Pse presidenti Zelensky po ndryshon qeverinë në Ukrainë? appeared first on Gazeta Si.

Priten reshje shiu në disa zona

17 July 2025 at 09:19

Ditën e enjte vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të përqendruara në veri të vendit dhe përgjatë relieveve malore.

Në orët e mesditës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes në zonën e veriut dhe përgjatë relieveve malore të vendit do ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët.

Në periudha afatshkurtra në zonën e Alpeve dhe lokalisht në verilindje do ketë reshje në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

The post Priten reshje shiu në disa zona appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 16 July 2025Main stream

Marta Kos: Shqipëria po përparon me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në BE

16 July 2025 at 15:14

Nga Gazeta Si- Marta Kos vazhdon të përcjellë sinjale optimizmi për rrugën e vendit drejt BE-së.

“Bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po përparojnë më shpejt se kurrë. Përfshirja e të gjithë shoqërisë do të jetë thelbësore për të arritur qëllimin e Shqipërisë që negociatat të mbyllen deri në vitin 2027”, ka shkruar Komisionerja e Zgjerimit në profilin e saj në Facebook.

Kos e ka bërë të qartë se BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë në krah të vendit tonë, teksa apelon edhe më shumë angazhim, për të mbyllur të gjithë kapitujt brenda dy vjetësh.

“Zgjerimi është një projekt gjithëpërfshirës për shoqërinë dhe kërkohet angazhim i plotë nga e gjithë shoqëria shqiptare për të arritur objektivin ambicioz, por realist, të mbylljes së të gjitha kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027”, ka qenë komenti i saj.

Javën që shkoi,  u miratua me 502 vota pro dhe 120 kundër progres raporti për Shqipërinë, që vlerësonte ecurinë në rrugën europiane.

The post Marta Kos: Shqipëria po përparon me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në BE appeared first on Gazeta Si.

Mësoi turistët të hedhin mbeturinat në tokë, 1 milion lekë gjobë Kozakut të Tik Tok

16 July 2025 at 14:07

Tik Tok-eri i njohur, Kozak Braçi është gjobitur me 100.000 lekë gjobë nga policia e Tiranës, pak kohë pasi një video e tij, ku mësonte një turist sesi të hidhte mbeturinat nga makina në rrugë, qarkulloi në rrjetet sociale.

“Nuk është problem. Nuk është problem në Shqipëri”, dëgjohet Braçi teksa i sugjeron turistit, që ndodhet pasagjer në të njëjtin automjet me të, që të bëj edhe ai një veprim të ngjashëm. “Për ty, ndoshta”, ia kthen ai.

Braçi u shoqërua në ambientet e Komisariatit dhe u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 000 lekë.

The post Mësoi turistët të hedhin mbeturinat në tokë, 1 milion lekë gjobë Kozakut të Tik Tok appeared first on Gazeta Si.

Pas prishjes së ndërtimeve në Theth, Rama publikon hartën me aplikantët e ‘Paketës së Maleve’: Ndërtoni me leje

16 July 2025 at 13:35

Nga Gazeta Si- Në 5 ditë, janë bërë 787 aplikime për Paketën e Maleve. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një hartë, që tregon aplikuesit në të gjithë vendin. Rama u bën thirrje emigrantëve që duan që të kthejnë objekte të tyre të vjetra në biznes të aplikojnë për leje.

“Të gjithë emigrantët posaçërisht, po edhe të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal a në zonat kodrinore të vendit, për një bujtinë, një agroturizëm, një hotel malor, një fermë apo një linjë agropërpunimi, janë të ftuar të aplikojnë dhe ndërtojnë me leje”, shton Rama.

Paketa e Maleve u miratua nga Kuvendi në janar të këtij viti dhe ka për qëllim që t’i kthejë zonat malore në zona atraktive për zhvillim. Një nga sfidat kryesore në këto zona është mungesa e certifikatave të pronësisë, e cila e vështirëson dhënien e lejeve për zhvillim apo ndërtim. Shumë toka administrohen nga individë apo familje që i zotërojnë tokat pa dokumentacion të rregullt.

Për këtë arsye, Paketa e Maleve parashikon një procedurë të thjeshtuar administrative: poseduesit jopronarë mund të regjistrohen ligjërisht pas një verifikimi të kryer nga bashkia. Pasi të përfundojë ky proces, ata mund të marrin pronësinë me çmim simbolik (1 euro), me kushtin që të kenë një plan zhvillimi dhe të marrin lejen përkatëse.

The post Pas prishjes së ndërtimeve në Theth, Rama publikon hartën me aplikantët e ‘Paketës së Maleve’: Ndërtoni me leje appeared first on Gazeta Si.

‘Gushti do jetë më i nxehtë’/ Si po i nxit ndryshimi i klimës zjarret në Europë

16 July 2025 at 13:21

Nga Gazeta Si- Zjarre të mëdha përfshinë këtë muaj disa vende mesdhetare, duke i detyruar mijëra banorë në Katalonjë të Spanjës të izolohen dhe duke rrezikuar qytetin e dytë më të madh të Francës, Marsejën.

Çfarë i nxit zjarret në të gjithë Europën dhe si është situata deri më tani?

Zjarret kanë djegur 227,000 hektarë tokë që nga fillimi i vitit, më shumë se dyfishi i mesatares për këtë kohë të vitit gjatë dy dekadave të fundit, sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje të BE-së.

Edhe pse shumë mbi mesataren, nuk është më e larta në të dhënat e EFFIS, të cilat datojnë që nga viti 2002. Europa pati sezone veçanërisht të këqija zjarresh në vitet 2003 dhe 2017, kur flakët dogjën më shumë se 1,100,000 hektarë në çdo vit, një sipërfaqe ekuivalente me ishullin e Xhamajkës.

Nuk është ende e qartë nëse viti 2025 do të jetë një vit rekord, pasi kjo do të varet nga mënyra se si do të evoluojë sezoni i zjarreve në muajt në vijim.

Numri i zjarreve në Europë është rritur gjithashtu këtë vit deri më tani, me 1,118 zjarre të zbuluara që nga 8 korriku, krahasuar me 716 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha EFFIS.

Valët e të nxehtit në Europë në fillim të këtij muaji shkaktuan zjarre në të gjithë Mesdheun, përfshirë Sirinë, ku zjarret kanë djegur më shumë se 3% të mbulesës pyjore të vendit, sipas OKB-së. Në ishujt grekë të Evias dhe Kretës, zjarret këtë muaj detyruan mijëra njerëz të evakuohen.

Por, ndërsa Europa në përgjithësi ka parë një rritje këtë vit, shkencëtarët që vëzhgojnë zjarret thonë se ato në rajonin e Mesdheut, ndonëse shkatërruese, deri më tani kanë qenë relativisht të izoluara.

Çfarë po e shkakton këtë?

Shkencëtarët thonë se verat më të nxehta dhe më të thata të rajonit të Mesdheut e vënë atë në rrezik të lartë për zjarre. Pasi të fillojnë zjarret, bimësia e bollshme e thatë dhe erërat e forta në rajon mund të shkaktojnë përhapjen e tyre të shpejtë dhe djegien jashtë kontrollit.

Ndryshimi i klimës e përkeqëson këtë rrezik, duke krijuar kushte më të nxehta dhe më të thata në sfond. Në vendet që kufizohen me Detin Mesdhe, kjo ka kontribuar në fillimin e sezonit të zjarreve më herët në vitet e fundit, duke thyer rekorde për intensitetin e zjarreve dhe duke djegur më shumë tokë.

Emetimet e gazrave serrë, kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit, e kanë ngrohur planetin me rreth 1.3 gradë Celsius që nga kohërat para-industriale. Europa është ngrohur me dyfishin e mesatares globale që nga vitet 1980, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike.

Kjo bazë më e ngrohtë do të thotë se temperaturat më të larta mund të arrihen gjatë valëve të nxehtësisë, të cilat ndryshimet klimatike po i bëjnë gjithashtu më të shpeshta. Kjo është konfirmuar nga paneli global i shkencëtarëve të klimës i Kombeve të Bashkuara, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike.

Vendet po përgatiten për zjarre më të këqija. Temperatura më të ngrohta se mesatarja parashikohen në të gjithë Europën në gusht, tha EFFIS, që do të thotë se rreziku nga zjarri do të mbetet i lartë në pjesën më të madhe të Europës jugore dhe lindore.

Ndërsa Europa Jugore pritet të shohë modele normale të reshjeve, pjesa tjetër e kontinentit pritet të jetë më e thatë se normalja në gusht, tha EFFIS, duke përkeqësuar potencialisht rrezikun e zjarrit në rajone të tjera.

Qeveritë po përpiqen të përshtaten. Greqia ka mbledhur një rekord prej 18,000 zjarrfikësish këtë vit, në pritje të zjarreve të rënda, dhe ka përshtatur taktikat dhe patrullimet e saj të zjarrfikjes për të provuar të zbulojë zjarret më herët dhe të kufizojë dëmet, tha qeveria.

Faktorë të tjerë e përkeqësojnë rrezikun e zjarreve, përfshirë menaxhimin e pyjeve. Popullsia në rënie në zonat rurale të vendeve, përfshirë Spanjën, ndërsa njerëzit zhvendosen në qytete, ka bërë që fuqia punëtore më e vogël të largohet nga bimësia dhe të shmangë lëndën djegëse për zjarret pyjore që po shtohen.

OKB-ja u ka kërkuar qeverive të investojnë më shumë në parandalim, në vend që të përqendrohen kryesisht në reagim pas shpërthimit të zjarreve dhe ka paralajmëruar se ndryshimi i klimës pritet të rrisë zjarret ekstreme në nivel global deri në 14% deri në fund të dekadës.

Parandalimi i zjarreve mund të përfshijë ndezjen e zjarreve të kontrolluara përpara sezonit të verës, për të pastruar lëndën djegëse me të cilën mund të ushqehen flakët, tha OKB-ja.

The post ‘Gushti do jetë më i nxehtë’/ Si po i nxit ndryshimi i klimës zjarret në Europë appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Shqipëria prodhon refugjatë dhe emigrantë

16 July 2025 at 11:33

Nga Gazeta Si- Në konferencën “The Western Balkans Paradigm” që po zhvillohet në Tiranë, Sali Berisha deklaroi se Shqipëria “është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh”.

“Shqipëria nisi negociatat e aderimit dhe mund t’u siguroj se nisi negociatat në një kohë kur nuk plotësonte asnjë kriter përveçse gjeopolitikës. Kushdo që dëshiron të ulet, ne jemi gati t’u ofrojmë të dhënat europiane dhe statistikat që mbështesin këtë që them”, tha Berisha, duke shtuar se Shqipëria i nisi negociatat kur të gjitha pushtetet, 94 për qind përqendrohen në një dorë.

Berisha tha gjithashtu se kur nisëm negociatat, ekonomia shqiptare u zëvendësua nga narko-ekonomia.

“Kush do të shohë se çfarë do të thotë narko-ekonomi, nuk ka pse të shkojë në Bolivi apo në vendet e tjera, mjafton të vijë në Shqipëri sepse është narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë”.

Ai shtoi gjithashtu se nga viti 2014 deri në 2024, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në zonën Shengen, “pa llogaritur këtu ata të cilët janë larguar për në SHBA, Britani, Zvicër, Kanada, Australi apo Lindjen e Mesme. Vendi është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh”.

Por, sipas tij, Shqipëria gjithashtu po eksporton kriminelë dhe drogë.

“Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, qendra operacionale e organizatave kriminale të Europës, Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme, është kthyer Shqipëria”.

The post Berisha: Shqipëria prodhon refugjatë dhe emigrantë appeared first on Gazeta Si.

Forbes: Pse duhet të planifikoni pushime në Shqipëri

16 July 2025 at 11:08

Nga Gazeta Si- Për dekada të tëra, shkruan Forbes, Mesdheu ka luajtur me të njëjtat destinacione të vjetra: Capri, Saint-Tropez, Mykonos, Ibiza, vende ku jahtet janë më të mëdha se flota lokale e peshkimit, dhe fatura për një drekë buzë detit mund të financojë një vresht modest ballkanik.

Por, ekspertët e udhëtimeve, ata që pëshpëritin emra në darka dhe fshehurazi, dëshirojnë që ju të mos i ndiqni këshillat e tyre, pasi ata kanë tashmë një emër të ri: Shqipëria, shkruan Jordi Lippe-McGraw për prestigjiozen ”Forbes”.

Po, Shqipëria.

Prestigjozja shkruan se “e vendosur midis Greqisë dhe Malit të Zi, me një vijë bregdetare të përshkuar nga Deti Jon, Shqipëria ka qenë për vite me radhë ‘kushërira’ e harruar e klubit të Adriatikut. E lënë në hije nga Kroacia, e keqkuptuar nga Europa Perëndimore dhe e mbyllur prej kohësh nga një regjim i zymtë komunist, ajo mbeti një vend i bardhë në hartën e Mesdheut”.

Sipas Forbes, Shqipëria është pjesa e Mesdheut që nuk i ka kushtuar vëmendje askush, dhe pikërisht për këtë arsye është interesante tani.

“Në bregdetin jugor, keni Rivierën Shqiptare. Ajo shtrihet përgjatë Jonit, me shkëmbinj dhe plazhe me guralecë që, sinqerisht, nuk do të dukeshin të çuditshme në Greqi apo Itali. Por atmosfera është krejtësisht e ndryshme. Nuk ka resorte masive apo klube plazhi me shkëlqim (ende), dhe çmimet janë shumë më të ulëta”, shkruhet në artikull, duke u përmendur plazhi i Palasës, ku mund të bësh seanca joge pranë detit, parashutizëm dhe mund të shohësh perëndimin e diellit në shkëmbinj.

Por vetëm pak kilometra në jug, gjërat duken pak a shumë siç kanë qenë prej vitesh.

Dhërmiu është një vendpushim popullor, i njohur për plazhin e tij të gjatë me guralecë dhe baret që mbushen gjatë verës me muzikë dhe kokteje. Ka edhe hotele të vogla, vende familjare ku merrni një dhomë bazë dhe një pamje, nuk ka spa ose pishinë, por një plazh disa hapa larg dhe ndoshta një kafene poshtë që shërben peshk të pjekur në skarë dhe birrë të ftohtë.

Jala është një tjetër plazh që tërheq të rinjtë, shkruan Forbes, veçanërisht kur zhvillohen festivalet e muzikës verore. Por nëse kërkoni diçka më të qetë, vazhdoni. Gjipeja është e fshehur midis shkëmbinjve, një gji që mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë. Nuk ka hotel, as rrugë, as shezlongje me qira të rreshtuara në rërë.

“Ajo që e bën Shqipërinë të ndihet ndryshe, të paktën për momentin, është ajo që mungon. Asnjë mega-hotel. Asnjë shezlong 80 euro. Asnjë turmë që të shtyn pranë rrënojave. Është ende pak e paqëndrueshme: rrugët nuk janë të mira, autobusët vonohen, ndonjëherë duhet të ngrihesh kur planet nuk funksionojnë. Por është gjithashtu bujare, pjata të mëdha me mish ose peshk të pjekur në skarë, verë vendase dhe njerëz që këmbëngulin që të provoni rakinë e tyre të bërë në shtëpi, pavarësisht nëse mendoni se mund ta përballoni apo jo. Mund të ecësh në një plazh që duket si diçka e nxjerrë nga një revistë udhëtimesh dhe të gjesh veten pothuajse vetëm, përveç disa vendasve që notojnë në fund të ditës”, shkruhet në artikull.

Megjithatë, ndryshimi po vjen me shpejtësi dhe, vijon Forbes, nëse jeni kuriozë për një pjesë të Mesdheut që ende ndihet si një zbulim, me përzierjen e saj të qyteteve osmane, maleve të egra dhe vijës bregdetare që nuk është gëlltitur nga zhvillimi, Shqipëria ia vlen të vizitohet tani.

Se sa gjatë do të qëndrojë kështu është e panjohur.

The post Forbes: Pse duhet të planifikoni pushime në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Milot/ Po digjte mbeturinat në oborrin e tij, i moshuari përfshihet nga flakët dhe ndërron jetë

16 July 2025 at 10:44

Nga Gazeta Si- Një 78-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm në fshatin Fushë-Milot, pasi u përfshi nga flakët teksa ishte duke djegur mbeturina në bahçen e tij.

Viktima D. H. 78 vjeç ka qenë duke djegur mbeturina në bahçen e tij kur flakët e zjarrit morën përmasa më të mëdha dhe përfshinë edhe vetë të moshuarin i cili nuk mundi të shpëtonte dhe fatkeqësisht humbi jetën.

The post Milot/ Po digjte mbeturinat në oborrin e tij, i moshuari përfshihet nga flakët dhe ndërron jetë appeared first on Gazeta Si.

Rrëmbehet një aeroplan në Kanada, aeroporti ndërkombëtar i Vankuverit i paralizuar për një orë

16 July 2025 at 10:22

Aeroporti Ndërkombëtar i Vankuverit, një nga më të mëdhenjtë dhe më të ngarkuarit në Kanada, u mbyll për gati një orë të martën pasi një aeroplan i vogël u raportua se ishte “rrëmbyer”, sipas autoriteteve.

Policia tha se mori një raport në orën 13:10 se një Cessna 172, një aeroplan me një motor dhe katër vende, ishte ” rrëmbyer në zonën e Ishullit të Vankuverit dhe po i afrohej hapësirës ajrore pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Vankuverit” (perëndim).

“I dyshuari ishte personi i vetëm në bordin e avionit”, tha Policia kanadeze në një deklaratë. Ai u arrestua pa rezistencë dhe pa “asnjë incident” pasi Cessna u ul rreth një orë më vonë, tha policia, pa shpjegime të mëtejshme.

Nëntë fluturime hyrëse u devijuan në aeroporte të tjera, tha aeroporti në një deklaratë, e cila tha se ndalimi i uljes zgjati 39 minuta.

The post Rrëmbehet një aeroplan në Kanada, aeroporti ndërkombëtar i Vankuverit i paralizuar për një orë appeared first on Gazeta Si.

Kreu i organizatës për emigracionin thirrje BE-së: Shtoni dëbimet e emigrantëve

16 July 2025 at 10:18

Kreu i një organi me ndikim e financuar nga Bashkimi Europian për këshillim mbi emigracionin ka bërë thirrje që blloku europian të forcojë dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar në kuadër të paktit të ri për emigracionin dhe ka mbrojtur organizatën e tij ndaj kritikave për shkelje të të drejtave të njeriut.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare për Politikat e Migracionit (ICMPD) mohoi përgjegjësinë për atë që e quajti “raste individuale” të abuzimeve me të drejtat e njeriut nga autoritetet në vendet ku vepron organizata e tij.

Michael Spindelegger, ish-zëvendëskancelar nga Partia Popullore Austriake konservatore, foli në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, ndërsa Brukseli po përballet me presion për të ndaluar apo dëbuar emigrantët, për shkak të forcimit të partive të djathta ekstreme që kanë qasje kundër migracionit në mbarë Europën.

Pakti i emigracionit i BE-së, i miratuar vitin e kaluar dhe që do të hyjë në fuqi në qershor 2026, forcon procedurat për azilkërkuesit në kufijtë e bllokut.

“Është shumë e rëndësishme që të krijohet një politikë funksionale e kthimit, gjithashtu në frymën e këtij pakti”, tha Spindelegger për AFP-në.

“Nëse dikush vjen, nuk merr azil dhe më pas qëndron gjithsesi, dhe nuk ndodh asgjë, kjo është një shenjë shumë e keqe për shtetin ligjor”, shtoi ai.

Ai theksoi se është e rëndësishme që personat e dëbuar të riintegrohen në vendet e tyre të origjinës në mënyrë që të mos largohen sërish.

Aktualisht, më pak se 20 për qind e personave të urdhëruar të largohen nga BE-ja kthehen në vendet e tyre të origjinës, sipas të dhënave të BE-së.

Në lidhje me reformat e emigracionit të BE-së, “treni është në lëvizje, kjo është e qartë, por ka ende stacione të ndryshme që duhen marrë në konsideratë”, tha Spindelegger.

ICMPD-ja, me seli në Vjenë, këshillon institucionet e Bashkimit Evropian dhe aktorë të tjerë për politikat e migracionit dhe zbaton projekte në Afrikë, Azi dhe Europë.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar vazhdimisht për projektet jashtë BE-së që synojnë të reduktojnë numrin e emigrantëve që mbërrijnë në Europë.

ICMPD-ja ka bashkëpunuar me rojet bregdetare të Tunizisë dhe autoritetet libiane, të cilat janë akuzuar për keqtrajtim të emigrantëve.

“Më vjen shumë keq sa herë që vazhdojnë raste negative individuale (të abuzimeve me të drejtat e njeriut). Ne nuk mund të marrim përgjegjësi për to”, tha Spindelegger.

Ai theksoi se kurset e trajnimit të organizuara nga ICMPD-ja për rojet kufitare në vendet tranzit përfshijnë edhe trajnim mbi të drejtat e njeriut.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësime edhe për planet e Komisionit Europian, të paraqitura në maj, që synojnë të lehtësojnë dërgimin e azilkërkuesve në vende të treta për përpunimin e kërkesave të tyre.

Ky propozim shihet si një hap drejt krijimit të qendrave jashtë BE-së që do të funksiononin si pika kthimi për emigrantët.

Për të hyrë në fuqi, propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare. ICMPD-ja ka 21 vende anëtare, kryesisht nga BE-ja, dhe një staf prej më shumë se 500 personash. E themeluar nga Austria dhe Zvicra në vitin 1993, organizata vepron në më shumë se 90 vende. Rreth 70 për qind e buxhetit vjen nga Komisioni Evropian./Rel/

The post Kreu i organizatës për emigracionin thirrje BE-së: Shtoni dëbimet e emigrantëve appeared first on Gazeta Si.

❌
❌