Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 July 2025Main stream

Familja bllokonte parkimin e pallatit me blloqe betoni/ Arrestohet babai, nën hetim djali

By: Ke Si
15 July 2025 at 16:00

Një situatë absurdi është regjistruar në Tiranë, në rrugën “Ali Demi”, ku një familje bllokonte një hapësirë publike me blloqe betoni, përpara hyrjes së një parkimi në pallat.

Sipas policisë, kjo familje pretendonte për pronësinë mbi këtë hapësirë publike, dhe konfliktoheshin vazhdimisht me banorët e zonës që të mos parkonin automjetet.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet disa ditë më parë për këtë ngjarje, duke arrestuar me 7 Korrik 2025, 67-vjeçarin B.D. për 4 akuza; të falsifikimit të dokumenteve, pengimit të qarkullimit të automjeteve, vetëgjysi dhe kanosje.

Atë periudhë, policia hoqi 2 automjete që përdoreshin për të bllokuar rrugën dhe u sekuestruan. Ndërsa sot u hoqën blloqet e betonit dhe nisi hetimi për djalin e 67-vjeçarit, 25-vjeçarin E.D.

Babë e bir akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet për pronën që pretendonin se u përkiste dhe e bllokonin me vetëgjyqësi.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Vijon puna e mirorganizuar policore, në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse, për lirimin e hapësirave publike, të zëna në kundërshtim me ligjin.

Lirohet një hapësirë në rrugën “Ali Demi” që ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth 1 javë më parë, për këtë paligjshmëri.

Procedohet penalisht djali i 67-vjeçarit.

67-vjeçari dhe familjarët e tij e zinin vazhdimisht hapësirën, me blloqe betoni dhe me automjete, si dhe konfliktoheshin me banorët e zonës që ata të mos parkonin automjetet.

Në kuadër të një procedimi penal, të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko- Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtes së Trotuarëve dhe Zgarave bashkia Tiranë, ekzekutuan urdhrin për lirimin e një hapësire publike në rrugën “Ali Demi”.

Sot, nga hapësira u hoqën blloqet e betonit, ndërkaq, më parë, nga e njëjta hapësirë janë hequr dhe sekuestruar 2 automjete.

Për këtë rast, më datë 07.07.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, kanë vënë në pranga shtetasin B. D., 67 vjeç, ndërsa sot nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.

Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën me vetëgjyqësi e zinin vazhdimisht, me objekte të ndryshme.

Gjithashtu, ata konfliktoheshin me banorët e një pallati në këtë rrugë, që këta të fundit të mos parkonin automjetet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./E.T

Ministria e Bujqësisë: Fermerët s’janë fajtorë, nuk synojmë të vendosim gjoba

By: Ke Si
15 July 2025 at 15:51

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka dalë me një njoftim zyrtar pas aksionit të fundit për kontrollet e sigurisë ushqimore dhe pajisjen me faturë tatimore të produkteve bujqësore. Sipas ministrisë, këto kontrolle nuk janë kundër fermerëve, por janë një hap i domosdoshëm për formalizimin, forcimin dhe mbështetjen e sektorit bujqësor.

MBZHR, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore, thekson se qëllimi është ndërtimi i një sistemi transparent dhe të kontrollueshëm që garanton sigurinë ushqimore për të gjithë qytetarët shqiptarë.

“Fermerët nuk janë fajtorë, por bashkëpunëtorë të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme dhe të sigurtë,” thuhet në njoftim. Ministria sqaron se nuk synon vendosjen e gjobave, por krijimin e një zinxhiri prodhimi dhe tregtimi të pastër, ku çdo hallkë është në shërbim të konsumatorit.

Pikat kryesore të kësaj nisme janë:

-Gjurmueshmëria e produkteve: Për të ditur saktësisht ku është prodhuar, si është përpunuar dhe kush e ka tregtuar çdo produkt.

-Siguria ushqimore: Rritja e besimit të qytetarëve në cilësinë dhe origjinën e ushqimeve që konsumojnë.

-Transparenca dhe mbështetja: Fermerët e formalizuar kanë akses më të lehtë në subvencione, kredi, programe zhvillimi dhe mundësi për të eksportuar.

Ministria fton të gjithë aktorët e zinxhirit agroushqimor të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sektor bujqësor të qëndrueshëm, të kontrollueshëm dhe të sigurt, duke theksuar se eksportet shqiptare tashmë janë prezente në mbi 80 tregje elitare ndërkombëtare./E.T

OKB: Të paktën 875 palestinezë u vranë duke pritur për ndihmat humanitare në Gaza

By: Ke Si
15 July 2025 at 15:40

Zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara (OHCHR) ka njoftuar të martën se ka regjistruar të paktën 875 vrasje brenda gjashtë javëve të fundit në pikat e shpërndarjes së ndihmave të udhëhequra prej Fondacionit Humanitar të Gazës (FHG), i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, si dhe afër autokolonave humanitare të drejtuara prej grupeve të tjera të ndihmës, përfshirë vetë Kombeve të Bashkuara.

Shumica e palestinezëve (674) ishin vrarë pranë zonave të FHG-së, teksa 201 të tjerët kanë humbur jetën përgjatë rrugëve të autokolonave të tjera humanitare.

FHG-ja përdor kompani private të sigurisë dhe logjistikës për të qarkulluar furnizimet humanitare në Gazë, duke e anashkaluar gjerësisht sistemin e ndihmave të udhëhequr prej OKB-së, për të cilin zyrtarët izraelitë kanë pretenduar se i mundëson militantëve të Hamasit të plaçkisin pakot ushqimore që synojnë popullatën civile.

Në këtë fondacion i kanë mohuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha incidentet e aluduara pranë pikave të saj, teksa i kanë akuzuar Kombet e Bashkuara për “keqinformim”./E.T

Zaptuan hapësirat publike dhe i kthyen në parkim privat, procedohen dy persona në Vlorë

By: Ke Si
15 July 2025 at 14:52

Policia e Vlorës ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike.

Gjatë kontrolleve të kryera në lagjen ‘Ujin e Ftohtë’ konstatuan se dy persona kishin zaptuar hapësirat publike duke i kthyer në parkim privat.

49-vjeçari dhe 57 vjeçari do të hetohen në gjendje të lirë për “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paregjistruar në organet tatimore”dhe “Pushtimi i tokës”.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve në terren dhe në bashkëpunim me strukturat vendore, kanë konstatuar se dy shtetas ushtronin aktivitet tregtar në mënyrë të paligjshme, në një hapësirë publike të administruar nga Bashkia Vlorë.

Në lagjen “Uji i Ftohtë”, u konstatua se shtetasit E. S., 49 vjeç, dhe S. D., 57 vjeç, ushtronin aktivitet tregtar për parkimin e automjeteve, pa qenë të pajisur me leje përkatëse nga institucionet përgjegjëse për menaxhimin e hapësirave publike, pa qenë të regjistruar në organet tatimore, si dhe pa poseduar NIPT.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paregjistruar në organet tatimore”dhe “Pushtimi i tokës”, në ngarkim të dy shtetasve E. S, dhe S. D./E.T

Merr flakë autobusi në aksin Gjirokastër-Sarandë

By: Ke Si
15 July 2025 at 14:49

Një autobus që udhëtonte nga Gjirokastra drejt Sarandës është përfshirë nga flakët e zjarrit.

Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Kardhiq, 4 kilometra përpara hyrjes në tunelin e Skërficës.

Fatmirësisht nga zjarri nuk ka asnjë person të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Shkaqet e rënies së zjarrit në autobus nuk dihen. Për këtë do të pritet rezultati i hetimit./E.T

Rama në Bavari: Europa gjendet e rrethuar nga oshëtima e armëve dhe frika e copëtimit

By: Ke Si
15 July 2025 at 14:38

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Ceremoninë e Hapjes së festivalit ‘Herrenchiemsee Festspiele’ më Bavari, ku mbajti një fjalim.

Gjatë fjalës së tij Rama u ndal te situatat gjeopolitike  në Evropë dhe jo vetëm.

Rama tha se sot Europa gjendet edhe njëherë e rrethuar nga oshtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur. Për rrjedhojë Kryeministri theksoi nevojën që Europa të mbetet një civilizim.

“Ja ku jemi sot, në zemër të asaj ëndrre, në një kohë kur Europa, shtëpia jonë e përbashkët, trashëgimia jonë kolektive, gjendet edhe njëherë e rrethuar nga oshtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë. Sonte, muzika na bën ftesë të kujtojmë. Të kujtojmë se Europa nuk ka qenë kurrë veç një traktat a një monedhë, as thjesht një parlament apo një treg. Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën. Një mënyrë për të besuar, siç besonte Ludvigu, se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por një mënyrë të jetuari.

Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore. Në sfidën e tij të heshtur, ai është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Europën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor. Rezistencë ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor. Ne, në Shqipëri, e dimë ç’tingull ka heshtja. Për dekada të tëra, jetuam pas perdes së hekurt që e ndërtuam vetë, të shkëputur nga simfonitë dhe sonatat që mbushnin sallat e koncerteve të Europës së lirë. E megjithatë, edhe atëherë, muzika e gjente rrugën e saj. Një kasetë e hyrë kontrabandë, një partiturë e ndaluar, një kujtim nga një koncert përpara se të ngriheshin muret, tha kryeministri./e.t

Ditëlindje si mafia/ Yamal përfundon i akuzuar! Persona me nanizëm dhe bjonde të paguara

By: Ke Si
15 July 2025 at 14:29

Ditëlindja e 18 e sulmuesit të Barcelonës Lamine Yamal ka shkaktuar shumë zhurmë në Spanjë. Kjo sepse në festën private të futbollistit, i cili po mrekullon në fushën e lojës, morën pjesë me dhjetra persona të cilët vuajnë me nanizëm.

Shoqata që mbrojnë të drejtat e tyre thonë se personat në fjalë janë punësuar për shfaqje argëtuese, duke cënuar të drejtat e tyre. Për këtë arsye ata kanë marrë veprime ligjore.

Jo vetëm kaq, por një modele në Spanjë tha se refuzoi 20 mijë euro për të marrë pjesë në festën e Yamal. Claudia Calvo pohoi se personat që e kishin kontaktuar kërkon bjonde me përmasa të caktuara trupore. /e.t

250 mln euro për bujqësinë u përdorën për të blerë vota!

By: Ke Si
15 July 2025 at 14:20

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe disa ministrave të kabinetit të tij, lidhur me zgjedhjet vendore të 11 majit 2025. Në një deklaratë për mediat, Berisha i cilësoi ato si “farsa më e shëmtuar zgjedhore që nga koha e diktaturës”, duke akuzuar qeverinë për përdorim të parave publike në funksion të blerjes së votave.

Sipas Berishës, qeveria përdori skemën e garancisë sovrane për kreditë bujqësore në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës zgjedhore, duke e kthyer atë në një mjet elektoral për të favorizuar “fermerët e lidhur me pushtetin”. Ai pretendon se janë shpërndarë 200 milionë euro garanci, ndërkohë që kodi zgjedhor ndalon transaksione të tilla gjatë periudhës zgjedhore.

“Nuk ishte ndihmë për fermerët, por një skemë për të blerë vota. Nga një fond vjetor prej 32 milionë euro, u premtuan 250 milionë. Kjo është një shkelje e hapur e ligjit zgjedhor dhe e standardeve demokratike,” deklaroi Berisha./e,t

“Je ku**ë, majmune”/ Vajzat kapen prej flokësh për një vend parkimi (VIDEO)

By: Ke Si
15 July 2025 at 14:03

Një sherr i ashpër mes vajzazh ndodhi në New York City, për një vend parkimi.

Ne sherr u përfshinë një 45-vjeçare Andrea Dumitru nga Rumania, vajza e saj 21-vjeçare Sabrina Starman dhe studentja 21-vjeçare Jada McPherson.

Incidenti u shkaktua nga përpjekja e studentes 21-vjeçare për të parkuar në një vend të rezervuar për 45-vjeçaren nga një mik i saj. Në video, vajza 21-vjeçare e gruas rumune shihet duke sulmuar e para, duke e kapur shoqen e saj studente nga flokët.

“Je majmun, je ku*vë”, dëgjohet Dumitru duke i thënë studentes, e cila u përgjigj: “Je emigrante, je ku*vë”. “Je skllave e mallkuar”, shtoi vajza e 45-vjeçares nga Rumania.

“Ata u përpoqën të më shkulnin flokët, kisha frikë për jetën time”, tha studentja 21-vjeçare pas sulmit.

Si Starman ashtu edhe nëna e saj u arrestuan në lidhje me incidentin dhe u akuzuan për sulm dhe ngacmim.

Megjithatë, ata vetë pretendojnë se pasi videoja u bë publike, morën dhjetëra mesazhe kërcënuese, disa madje i kërcënonin se do t’i vrisnin. “A jeni gati të vdisni? Sepse unë jam gati t’ju vras”, shkruhej në një nga mesazhet.

“Kemi marrë qindra mesazhe që na kërcënojnë me jetë. Na shkruajnë se “do të vijmë për ju”. Nuk kam pasur kurrë më shumë frikë në jetën time. Kam frikë për jetën time, nuk fle, nuk ha”, përshkroi Dumitru, e cila së bashku me vajzën e saj i kërkuan falje studentes 21-vjeçare në një video publike./E.T

Autofatura” bëhet e detyrueshme për blerjet nga fermerët vendas

By: Ke Si
15 July 2025 at 14:01

Administrata Tatimore njoftoi më datë 7 korrik tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë, se më datë 14 korrik nis kontrolli në terren, për verifikimin e faturës së fiskalizuar, në zbatim të ligjit.

Referuar nenit 8, pika 1, gërma “a” e udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, mallrat e blera nga prodhuesit bujqësorë e blegtoralë duhet të shoqërohen me faturë të fiskalizuar.

Për lëshimin e saktë të këtyre faturave, tatimpaguesit duhet të ndjekin disa hapa:

1. Zgjidhni opsionin “autofaturë”, i cili përmban automatikisht të dhënat e blerësit që po lëshon faturën

2. Lloji i faturës duhet të jetë “Blerje nga fermerët vendas” (Domestic)

3. Vendosni të dhënat e fermerit shitës (emri dhe NIPT-i)

4. Përshkruani mallrat e blerë, pa llogaritur TVSH-në

Për të vërtetuar saktësinë e transaksionit dhe origjinën e mallrave të shitur, rekomandohet që fatura të jetë e nënshkruar nga shitësi (fermeri).

Administrata Tatimore sjell në vëmendje të tatimpaguesve të këtij sektori se për të qenë subjekt kompensimi duhet të plotësojnë kushtet për t’u regjistruar si “fermer”.

Referuar nenit 147, të ligjit nr. 92/2014, “Për TVSH-në”, i ndryshuar duhet që:

1. Qarkullimi vjetor të mos kalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në

2. Të furnizojnë mallra apo shërbime me prejardhje nga puna e tyre, kryer në një nga aktivitetet e përcaktuara

3. Këto mallra dhe shërbime t’u furnizohen personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompesimit

4. Të jenë të pajisur me NIPT nga Drejtoria Rajonale Tatimore ku ushtrojnë aktivitetin prodhuesi bujqësor, pa i’u nënshtruar detyrimit për deklarim, sipas nenit 106 të këtij ligji.

Administrata Tatimore fton të deklaroni saktë dhe në mënyrë të plotë mbi aktivitetin tuaj tregtar, në përputhje me detyrimet ligjore në fuqi, në të kundërt mungesa e faturave të fiskalizuara do të sjellë penalitete sipas legjislacionit në fuqi.

Sqarojmë se kategoria e fermerëve të regjistruar në Drejtoritë Rajonale Tatimore nuk ka detyrim të mbajë kontabilitet, të deklarojë dhe dorëzojë në Administratën Tatimore Formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi apo Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale për të ardhurat e realizuara nga aktiviteti i fermerit.

Sa më lart, të ardhurat e realizuara nga këta fermerë janë të ardhura biznesore, pra fermeri nuk mbart detyrimin ligjor të deklarimit të tyre. Si vlerë totale e të ardhurave të realizuara shërbejnë të dhënat sipas faturave të blerjes të lëshuara nga grumbulluesit bujqësorë.

Nese qarkullimi vjetor tejkalon kufirin prej 10 000 000 leke, prodhuesit bujqësorë dhe blegtoralë (fermeri) duhet të ç’regjistrohen nga organi tatimor dhe të regjistrohen si tatimpagues pranë Qëndrës Kombëtare të Biznesit, duke marrë numër identifikimi të ri.

Sa i takon prodhuesve të tjerë bujqësorë, që nuk janë regjistruar si përfitues të kësaj skeme kompesimi apo që nuk tregtojnë produktet bujqësore tek grumbulluesit bujqësorë, mbartin detyrimin të regjistrohen dhe të deklarojnë të ardhurat e realizuara njëjtë si tatimpaguesit e tjerë. /E.T

E rrallë/ Zbuloi se ishte shtatzënë vetëm 17 orë para lindjes

By: Ke Si
15 July 2025 at 13:46

Një grua 20-vjeçare, Charlotte Summers, ndau përvojën e saj të papritur të lindjes vetëm 17 orë pasi zbuloi se ishte shtatzënë për shkak të një gjendjeje të rrallë të quajtur shtatzëni e fshehtë.

Ky fenomen ndodh kur një person mbetet i pavetëdijshëm për shtatzëninë e tij deri në fazat e fundit.

Para se të lindte një djalë të shëndetshëm, Summers ia atribuoi shtimin në peshë dhe rritjen e madhësisë së rrobave stresit, në vend të shtatzënisë.

Ajo shpjegoi në një video: “Unë ende blija rroba të madhësia tetë. Shtova pak në peshë, mendoj. Por jam në një lidhje dy vjet e gjysmë dhe thjesht supozova se ishte pak peshë e lumtur në një lidhje. Gjithashtu po kaloja shumë gjëra stresuese në jetën time në atë kohë.”

Gjatë një vizite te mjeku i përgjithshëm për shqetësime të ndjeshmërisë ndaj glutenit më 6 qershor, Summers iu kërkua papritur të bënte një test shtatzënie.

Mjeku i përgjithshëm konfirmoi shtatzëninë e saj, por besonte se ishte herët.

Megjithatë, pasi familja e të dashurit të saj caktoi një kontrolle te gjinekologu po atë ditë, ajo u trondit kur mësoi se ishte 38 javë e katër ditë shtatzënë, një zbulim që i zuri të gjithë në befasi.

Pak më vonë, ajo u pranua në repartin e maternitetit dhe lindi një djalë vetëm 17 orë e 21 minuta pas konfirmimit fillestar të shtatzënisë./e.t

99% e të rinjve shqiptarë çdo ditë online, por të fundit në Europë për aftësitë dixhitale

By: Ke Si
15 July 2025 at 12:49

Në një kohë kur aftësitë digjitale janë thelbësore për integrimin në tregun modern të punës dhe për përfshirjen në shoqërinë digjitale, Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me përgatitjen më të ulët në Europë.

Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm 51% e të rinjve të moshës 16–29 vjeç në Shqipëri zotërojnë aftësi digjitale bazë, përqindje që qëndron shumë poshtë mesatares së Bashkimit Europian (rreth 71%)

Në vendin tonë, nuk ka dallim midis gjinive – si meshkujt ashtu edhe femrat kanë të njëjtin nivel përgatitjeje dixhitale (51%). Por ndryshe nga Shqipëria, në shumicën e vendeve të BE-së femrat e reja kanë tejkaluar meshkujt për nga zotërimi i aftësive dixhitale bazë.

Në vitin 2023, në nivel BE-je kishte më shumë të reja (73%) që raportuan se zotëronin aftësi digjitale bazë krahasuar me të rinjtë meshkuj (69%). Ky trend vihet re edhe në shumicën e vendeve anëtare. Diferenca më e madhe në favor të vajzave të reja u regjistrua në Kroaci, ku 94% e tyre (krahasuar me vetëm 80% të djemve) kanë të paktën aftësi digjitale bazë.

 

 

E kundërta vihet re në pesë vende të tjera të BE-së, ku përqindja e të rinjve meshkuj me aftësi digjitale bazë është pak më e lartë se ajo e vajzave – këto vende janë Gjermania, Malta, Rumania, Estonia dhe Sllovakia.

Përdorimi ditor i internetit

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, 99% e të rinjve shqiptarë të moshës 16–29 vjeç përdorën internetin çdo ditë gjatë vitit 2024, mbi mesatarene BE-së prej 97 për qind.

Megjithatë, përqindja e popullsisë së përgjithshme që përdor internetin çdo ditë është vetëm 83%, çka krijon një hendek prej 14 pikë përqindjeje mes të rinjve dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Ky hendek është më i thellë se mesatarja e BE-së (9 pikë përqindjeje) dhe tregon për një ndarje të fortë ndërbrezore në përdorimin e teknologjisë.

Krahasimisht, në vende si Irlanda apo Holanda, ku 100% e të rinjve janë online çdo ditë, edhe pjesa tjetër e popullsisë ndodhet shumë afër kësaj norme (98%), duke reflektuar një shoqëri më të digjitalizuar në tërësi./ Monitor

Zbardhet vendimi/ Koeficienti i ri i indeksimit rrit pensionet e reja në vitin 2025!

By: Ke Si
15 July 2025 at 12:36

Është miratuar në parim vendimi për indeksimin e bazës së vlerësuar të vitit 2023 për efekt të llogaritjes së pensioneve, i cili do të zbatohet për të gjithë qytetarët që përfitojnë të drejtën për pension pas datës 1 janar 2025.

Sipas projektvendimit të Këshillit të Ministrave, indeksi i ri vjetor është llogaritur në masën 9.3% për pagat e viteve 1994–2023, duke reflektuar ecurinë e kontributeve mesatare për person të siguruar. Ky indeks do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e bazës mbi të cilën llogaritet pensioni, duke bërë që pensionet fillestare mujore të jenë më të larta për ata që dalin në pension gjatë vitit të ardhshëm.

“Duke rritur dhe bazën e vlerësuar individuale, për të gjithë personat që e drejta për pension iu lind nga data 01.01.2025, nga kjo datë e në vazhdim do të arrihet të përllogariten, të jepen pensione mujore që janë të lidhura drejtpërdrejt me kontributet e paguara dhe që vetëm për shkak të tyre mund të jenë më të larta së më parë”, – thuhet më tej në relacion.

Paralelisht me vendimin, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përgatitur edhe relacionin shoqërues, ku bëhet e ditur se për pagat përpara vitit 1994 do të përdoret një koeficient unifikues prej 13.397, duke u dhënë atyre një rritje mesatare me 8.6% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo do të thotë se për shembull, një punonjës që ka marrë 3.233 lekë në muaj në vitet ‘80, do të ketë një pagë të rivlerësuar prej 43.312 lekë për llogaritjen e pensionit. Pas miratimit të vendimit, paga maksimale e rivlerësuar bëhet 110.123 lekë nga 100.752 që ishte një vit më parë, ndërsa paga minimale shkon në 33.037 lekë nga 30.225 lekë. Ky përmirësim përfiton direkt rreth 40 mijë qytetarë që do të aplikojnë për pensione të reja deri në fund të vitit 2025.

Vendimi thekson gjithashtu se për pensionet me datë lindjeje të së drejtës deri në 31 dhjetor 2024, llogaritja do të bëhet mbi bazën e indeksit të çmimeve të konsumit, ndërsa nga 1 janari 2025 e në vazhdim do të përdoret baza e rivlerësuar. Për periudhën 1994–2023, indeksimi do të bëhet sipas pagave të paguara çdo muaj dhe sipas punëve dhe profesioneve të përcaktuara në vendimin nr. 561 të Këshillit të Ministrave të vitit 2005. Kjo metodologji ruan frymën kontributive të sistemit të pensioneve, ku pensioni lidhet ngushtë me shumën dhe kohëzgjatjen e kontributeve të derdhura. Për vitet pas 1994-ës, koeficientët janë të ndryshëm për çdo vit, për shkak të luhatjeve të pagave reale në ekonominë shqiptare. Për shembull, për vitin 1995 koeficienti është 10.781, për vitin 1996 është 8.365, ndërsa për vitin 1999 është 5.673.

Për vitet 2024 dhe 2025 nuk aplikohet indeksim, por paga referohet në masën reale të deklaruar. Ndërkohë, ISSH sqaron se rritja e pensioneve të reja do të varet edhe nga rritja vjetore e kontributeve mesatare që derdhen nga punonjësit aktivë. Formula aktuale e përcaktimit të pensionit fillestar, e ndryshuar me reformën e vitit 2014, përcakton një pension bazë (aktualisht rreth 9.800 lekë) dhe një shtesë mbi të që është 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar. Ky sistem synon të sigurojë që pensionet të jenë sa më të drejta dhe në përputhje me kontributet e dhëna. Pritet që vendimi të kalojë për miratim në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë, ndërsa koeficientët e indeksimit do të përfshihen në përllogaritjet për pensionistët e rinj nga fillimi i vitit 2025./e.t

Rrënjët e rrumpallës së territorit: Ligji 7501 apo Berisha-92?

By: Ke Si
15 July 2025 at 12:33

Nga Eduard Zaloshnja

Deri në fund të vitit 1990, e gjithë toka e Republikës së Shqipërisë ishte pronë e shtetit – fakt juridik i konsakruar në kushtetutën komuniste të 1976-ës. Por kur lindi Pratia Demokratike (më dhjetor 1990), një nga pikat kryesore të programit të saj ishte pikërisht privatizimi i tokës.

Dhe kur Partia Demokratike u përball me Partinë e Punës (komuniste) në zgjedhjet e para pluraliste (31 mars 1991), çështja e pronësisë së tokës ishte nga më të debatuarat. Dhe atë debat e “fitoi” Partia e Punës (komuniste), që kishte si kandidatë për deputetë kryetarë komunistë kooperativash bujqësore (të cilët ishin të intersuar personalisht të ruhej pronësia shtetërore e tokave dhe kryetarllëku i tyre).

Përballë kandidatëve të tillë, ne kandidatët demokratë nuk kishin asnjë shans të fitonim. Si rrjedhojë, në zgjedhjet e1991-shit, Partia e Punës (Komuniste) mori 170 mandate (pothuaj të gjitha rurale), ndërsa ne të opozitës morëm vetëm 80 mandate (pothuaj të gjitha urbane).

Dhe kur analizuam humbjen e zgjedhjeve, arritëm në përfundimin se pa shpërndarë tokat e koperativave bujqësore tek antëtarët e tyre, ne nuk kishim shans të vinim ndonjëherë në pushtet (2/3 e popullsisë banonte në fshatra atëherë). Dhe u përbetuam unanimisht se kur të vinim në pushtet, ligji i parë që do të kalonim në Kuvend do të ishte ai i kompensimit të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.

Qeveria e Partisë së Punës (komuniste) dha shpejt dorëheqjen dhe u krijua Qeveria e Stabilitetit, me përfaqësues të të gjitha partive. Një nga pikat kryesore të programit të saj (të imponuar nga PD-ja) ishte shpërbërja e kooperativave bujqësore. Dhe kjo pikë e programit u realizua më 19 korrik 1991, me miratimin në Kuvend të Ligjit 7501, sipas të cilit toka e kooperativave bujqësore iu dha anëtarëve të tyre.

Pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore, ne i fituam në mënyrë plebishitare zgjedhjet e parakohëshme të 1992-shit (si në qytete, edhe në fshatra). Koalicioni i PD-së siguroi 2/3 e votave në parlament, mëse të mjaftueshme për të kaluar ligjin e shumëpritur për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist!

Rasti e solli që profesori im në Virginia Tech (ku kisha shkuar për studime pasuniversitare) dhe një koleg i tij të ishin ekspertë të ligjeve për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga shtete të ndryshme në botë. Dhe kur u tregova për zhvillimet e mësipërme, ata shprehën interes dhe erdhën me mua në Tiranë për të takuar Berishën, që sapo ishte zgjedhur President i Republikës.

Në atë takim ata i prezantuan Berishës një skicë-projekt që konsistonte në këto pika kryesore:

·         Nga 700 mijë hektarë tokë bujqësore, vetëm 350 mijë hektarë kishin patur pronarë privatë në vitin 1944. Kështu, 350 mijë hektarët e tjerë (në pronësi të shtetit) mund të përdoreshin për kompensim fizik të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.

·         Pronarëve të truajve urbanë duhej t’u ktheheshin ato, ku nuk ishin të zëna nga ndërtime të kryera pas vitit 1944. Ndërsa për truajt e zëna, duheshin kompensuar fizikisht pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.

·         I gjithë procesi i kompensimit fizik duhej të mbyllej brenda dy vjetësh me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i, dhe në përfundim të tij, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë duhet të kishte një titull pronësie (privat apo shtetëror).

·         Deri sa të përfundohej procesi i kompensimit, duhej vendosur një moratorium për mosdhënien e lejeve të ndërtimit, të cilat duhej të jepeshin më pas vetëm në bazë të planeve të zhvillimit në secilën bashki e komunë të vendit.

Pasi dëgjoi prezantimin e mysafirëve amerikanë, Berisha tha me një ton solemn: “Tokat shtetërore janë të përqendruara në bregdet, por malsorët shqiptarë e kanë patur ëndërr shekullore të zbresin në bregdet. Këtë ëndërr ua pengoi regjimi i Enver Hoxhës, dhe ne tani nuk mund t’u bëhemi pengesë”. Dhe pas disa fjalive të përgjithshme kortezie, ai na përcolli…

Kur dolëm nga zyra, profesori im më pyeti për origjinën e Berishës dhe unë iu përgjigja se është nga malësia. “Kot na solle deri në Tiranë, sepse ai do që përkrahësit e tij të vijnë në bregdet,” më tha profesori i zhgënjyer nga takimi…

Se si janë zhvilluar ngjarjet rreth pronësisë së tokës dhe ndërtimet mbi të i di i madh e i vogël në Shqipëri. Vlen të theksohet se vetëm dy vjet pas atij takimi me Berishën, pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist u futën në grevë urie, nga e cila ai i nxorri me forcat speciale të policisë. Dhe e gjithë Ultësira Perëndimore u mbush me ndërtime kaotike sipas parimit “tokë e xanun”.

Rama ka deklaruar se (më së fundi) më 2028, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë do të ketë një titull pronësie (privat apo shtetëror). Por duhej të ishte bërë qysh në vitin 1994 kjo gjë kaq e rëndësishme për zhvillimin normal të territorit (me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i). Siç i propozuam atëherë Berishës…/e.t

Krisje totale me tifozët, Interi kërcënohet me gjyq: Na hoqët lirinë

By: Ke Si
15 July 2025 at 12:31

Një përplasje e ashpër po nxeh edhe më shumë marrëdhëniet mes klubit të Interit dhe bërthamës më të zjarrtë të tifozërisë së saj, “Curva Nord”. Me hapjen e fushatës së abonimeve për sezonin 2025-2026 më 10 korrik, qindra tifozë janë përballur me një refuzim befasues për të rinovuar vendet e tyre të zakonshme.

Sipas burimeve nga vetë grupet e tifozëve, ky vendim është pasojë direkte e hetimit të quajtur “Doppia Curva”, një operacion i ndërmarrë nga Prokuroria Antimafia në Milano, që ka zbuluar lidhje të mundshme kriminale në mesin e disa elementëve të organizuar të tifozërisë si nga ana e Interit, ashtu edhe nga ajo e Milanit.

AKUZA E TIFOZËVE- Përfaqësues të “Curva Nord” kanë reaguar me tone të ashpra, duke deklaruar se në listën e të përjashtuarve janë përfshirë edhe persona të pastër ligjërisht, pa ndonjë precedent penal apo masa administrative si DASPO. “I vetmja ‘faj’ i tyre është se kanë qenë të lidhur prej dekadash me tifozërinë e organizuar dhe kanë ndjekur ekipin kudo, në çdo ndeshje, me përkushtim dhe sakrificë,” thuhet në komunikatën e shpërndarë nga grupet ultras. Ata e cilësojnë këtë vendim të klubit si një “marrëveshje e heshtur represive”, një veprim “i denjë për një regjim”, ku shkeljet e të drejtës së përparësisë dhe seleksionimi subjektiv i tifozëve përbëjnë një abuzim të hapur ndaj lirisë së shprehjes brenda stadiumeve.

PRITET GJYQ- Avokati Mirko Perlino, figurë e njohur pranë tifozërisë së organizuar, ka paralajmëruar se do të ndiqen rrugët ligjore. “Pasi të kërkohen zyrtarisht sqarime nga klubi mbi kriteret e përjashtimit, do të nisim paditë civile për diskriminim dhe shkelje të së drejtës së abonimit. Kemi persona që për dekada kanë qenë prezentë në shkallët e stadiumit pa asnjë problem ligjor”, thekson ai.

SAN SIRO E HESHTUR- Mes protestave të “Curva Nord” dhe masave të ashpra që vijnë nga hetimet, stadiumi legjendar i Milanos rrezikon të humbasë një nga elementët më të identifikueshëm, pasionin e papërmbajtshëm të tribunave. Tifozët e përjashtuar paralajmërojnë se do të reagojnë me çdo mjet ligjor, ndërsa i bëjnë thirrje edhe pjesës tjetër të publikut interist të ndërgjegjësohet për atë që ata e quajnë “fillimi i një kontrolli të verbër dhe të paprecedentë mbi tifozërinë”./e.t

Rrëzimi i avionit Air India, hetuesit zbulojnë një tjetër audio nga kabina e pilotëve

By: Ke Si
15 July 2025 at 12:20

Hetimet paraprake mbi rrëzimin tragjik të avionit të Air India kanë ofruar disa të dhëna të rëndësishme, por ende nuk kanë nxjerrë një konkluzion përfundimtar mbi shkakun e ngjarjes.

Një tjetër audio e publikuar së fundmi, e regjistruar në kabinën e pilotëve pak çaste para përplasjes, zbulon një bisedë mes dy pilotëve për një problem kritik: ndërprerjen e furnizimit me karburant në motorë. Në regjistrim, njëri nga pilotët pyet disa herë për arsyen e fikjes së motorëve, ndërsa tjetri mohon të ketë kryer ndonjë veprim të tillë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se pilotët janë përpjekur menjëherë të rikthejnë kontrollin e avionit.

Sipas raportit paraprak, Motori 1 pati një përpjekje për t’u rifunksionalizuar, ndërkohë që Motori 2 nuk arriti të rikthejë shtytjen. Megjithatë, analizat e mëvonshme treguan se si gjendja teknike e avionit, ashtu edhe ajo e motorëve, ishte brenda parametrave të lejuar për fluturim.

Audioja e kabinës ndodhet aktualisht në duart e autoriteteve indiane, ndërsa hetuesit nuk kanë arritur ende të përcaktojnë nëse ndërprerja e furnizimit me karburant ishte rezultat i një defekti mekanik apo i një veprimi aksidental.

Burime pranë hetimeve kanë ngritur gjithashtu dyshime rreth përmbajtjes së audios, ku thuhet se njëri nga pilotët mund të ketë vënë re diçka të pazakontë.

Avioni i kompanisë Air India, që ishte nisur drejt Londrës, u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar humbjen e 290 jetëve./e.t

“Valë” dorëheqjesh në Lushnje/Ikin 13 drejtorë dhe 10 drejtuesit e Njësive Administrative

By: Ke Si
15 July 2025 at 12:10

Në Bashkinë e Lushnjes kanë dhënë dorëheqjen 13 drejtorë të këtij institucioni pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, po në Lushnje, janë dorëhequr 10 drejtues të Njësive Administrative dhe 5 drejtues të rajoneve të qytetit të Lushnjes.

Dorëheqjet e drejtorëve të bashkive dhe kryetarëve të njësive administrative vijnë pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, në kuadër të rifreskimit të stafeve dhe rritjes së performancës në punë./e.t

Kuvendi i Kosovës s’gjen rrugëdalje, 47 dështime radhazi! Seanca mbyllet për pak minuta

By: Ke Si
15 July 2025 at 12:04

Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik.

Edhe kësaj radhe, mbledhja e deputetëve të zgjedhur nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tash e tre muaj.

Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

Në seancën e 15 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 17 korrik.  Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet.

Kjo ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, të cilat mbeten të ndara në qasjen e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.

Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale.

Pas përfundimit të konsultimeve, ajo theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor – të vendosur nga Kushtetuesja – nuk është çështje vullneti, por obligim kushtetues.

Osmani u bëri thirrje partive që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë.

Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja po shqyrton mundësitë ligjore për t’i drejtuar një kërkesë sqaruese Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të kuptohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të dhënë./REL

Tensionet me Vladimir Putin – Donald Trump pyet Zelensky-n nëse mund të godasë Moskën

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:50

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të përshpejtojë sulmet e thella në territorin rus, madje e ka pyetur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nëse ai mund ta godiste Moskën.

Kjo, nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi, ka raportuar Financial Times, duke cituar njerëz të informuar mbi diskutimet.

Gazeta, duke cituar dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelenskyyt, tha se presidenti i SHBA-ve e kishte pyetur homologun e tij ukrainas nëse ai mund të godiste objektiva ushtarake thellë brenda Rusisë nëse ai do të siguronte armë të afta për ta bërë këtë.

Biseda, e cila u zhvillua gjatë telefonatës së 4 korrikut midis udhëheqësve të SHBA-ve dhe Ukrainës, shënon një ndryshim të mprehtë nga qëndrimi i mëparshëm i Trump mbi luftën e Rusisë dhe premtimi i tij i fushatës për t’i dhënë fund përfshirjes së SHBA-ve në konfliktet e huaja.

Teksa mbetet e paqartë nëse Washingtoni do të dorëzojë armë të tilla, diskutimi nënvizon zhgënjimin gjithnjë e më të madh të Trump me refuzimin e presidentit rus Vladimir Putin për t’u angazhuar në bisedimet e armëpushimit të propozuara nga presidenti amerikan, i cili dikur u zotua ta zgjidhte luftën brenda një dite.

Biseda me Zelenskyyn më 4 korrik u nxit nga telefonata e Trump me Putin një ditë më parë, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si “të keqe”./e.t

“Plumbi i Artë”/ Dëshmon Tase: Si u përgatit atentati ndaj tregtarit të naftës

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:39

Në kuadër të mega-procesit “Plumbi i Artë”, bashkëpunëtori i drejtësisë Skerdi Tase ka dëshmuar këtë të martë për herë të parë para trupit gjykues.

Bashkëpunëtori i drejtësisë Skerdi Tase ka dëshmuar për herë të parë në mega-procesin “Plumbi i Artë”, ku më herët kanë dhënë dëshminë edhe të penduarit Nuredin Dumani dhe Erion Alibej.

Tase u pyet nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, lidhur me atentatin e dështuar ndaj tregtarit të naftës, Aredin Behari, ngjarje e ndodhur në vitin 2017 në Fier.

Në dëshminë e tij, Tase ka rrëfyer si u njoh me Henkrik Hoxhajn dhe përpjekjet për realizimin e atentatit ndaj tregtarit të naftës.

“Me Henkrik Hoxhaj jam njohur nga një shok i përbashkët, ky shtetas Viron Tavanxhiu na foli për një atentat që do i bëhej një personi në Fier. Henriku kishte siguruar një makinë, armët dhe i ishin vënë në ndjekje këtij personi. Ditën e ekzekutimit Henriku më tha se porositësi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë pse po e vononi atë punë. I shkuam në lokal për ta qëlluar, por u fut poshtë tavolinës e më pas brenda në lokal, nuk u futa më tej se isha pa doreza.”- tha Tase.

Më tej, ai ka deklaruar para trupit gjykues se ishte kontaktuar sërish nga Tavanxhiu edhe për një tjetër atentat në Fier, ndaj shtetasit Agim Boriçi, ngjarje që sipas tij kishte nisur të përgatitej në vitin 2018.

“Vironi më ka kontaktuar edhe për të bërë vrasjen e Agim Boriçit po në qytetin e Fierit. U realizuan veprimet në vitin 2018. Me Henrikun takoheshim përditë për të bërë planet, Riku më tha se kishte marrë dhe një punë tjetër për Aredin Beharin.”

Procesi në SPAK vijon, ndërkohë që dëshmitë e të penduarve po ndihmojnë hetimet për zbardhjen e disa atentateve të bujshme dhe rrjeteve kriminale të përfshira./e.t

❌
❌