Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 31 July 2025Main stream

Plagosja me armë në Borsh, arrestohet autori i dyshuar, shpallet në kërkim një tjetër

31 July 2025 at 18:32

Nga Gazeta ‘SI’- Policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar të plagosjes në Borxh, ndërsa një tjetër i përfshirë është shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 02:20, pas një sherri për motive të dobëta, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është goditur me grushte nga shtetasi E. V, 55 vjeç, banues në Tiranë. Më pas, H. Ç. është larguar nga lokali dhe është rikthyer me armë zjarri, duke qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi E. Sh, 33 vjeç, të cilin e ka plagosur në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu, H. Ç. ka goditur me qytën e armës shtetasin A. D., 43 vjeç.

Pas ndërhyrjes së policisë dhe hetimeve të shpejta, H. Ç. u arrestua në flagrancë, ndërsa E. V. është shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Në vendngjarje u sekuestruan 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijon puna për gjetjen e armës së përdorur dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

The post Plagosja me armë në Borsh, arrestohet autori i dyshuar, shpallet në kërkim një tjetër appeared first on Gazeta Si.

Qeveria miraton Strategjinë e Turizmit: Objektiv, vizitorët elitarë!

31 July 2025 at 18:19

Nga Gazeta ‘SI’- Në mbledhjen e sotme, Qeveria Shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një video-mesazhi ku shprehet se është finalizim i një pune dyvjeçare.

“Qeveria Shqiptare sot miratoi Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, pas një procesi gati 2-vjeçar hulumtimesh, studimesh dhe konsultimesh, ndërsa kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve, ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit”, njofton Kumbaro.

Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

Oferta turistike e Shqipërisë 2030, do të orientohet drejt vizitorëve elitarë. Strategjia e turizmit 2024-2030, përfshin masa stimuluese për më shumë investime, lehtësi në taksa, përmirësim të ofertës turistike, marketing dhe disiplinim të ndërtimeve në turizëm.

Përtej ofertës turistike të detit dhe diellit, Shqipëria do të synojë të kthehet në një atraksion të ‘pazbuluar’ ku do të ndërthurur pasuritë natyrore, me ato të aventurës dhe më tej drejt kampingjeve të luksit.

Për të arritur në këtë stad vendit i duhen më shumë investime për të shtuar kapacitetet akomoduese, që me strategjinë e re nuk do të jenë më në fokus ‘fshatrat turistikë’ me vila 2-3 katëshe që po shtrihen në të katër anët e vendit, por resortet me hotele dhe struktura multifuksionale. (Pishina, restorante, shërbimet SPA, aktivitete argëtuese etj)

Kjo masë frenuese e resorteve aktuale që në qendër kanë vilat, dhe jo hotelet, sipas Ministrisë nuk i ka shërbyer turizmit, por vetëm tregut të pronave për shitje.

Vendi do të kalojë në fazën e resorteve me hotele, që ofrojnë edhe më shumë shtretër e kapacitete akomoduese, përmes një skeme të re investimi, që përfshin subvencione për mbulimin e normës së interesit të kredisë që marrin bizneset për këto investime, lehtësirat tatimore, proceset e thjeshtuara të dhënies së lejeve, e deri tek mekanizmat financiarë të tillë si PPP-të.

Po ashtu në strategji theksohet se duhet të punohet më shumë për të rritur cilësinë e shërbimit, ku ndihmë për këtë fazë do të jetë sistemi arsimor, që duhet të përshtatet me nevojat e tregut të shërbimeve thotë Ministria e Turizmit.

Me gjithë këto investime, Ministria e Turizmit thotë se do të bëhet i mundur shtimi i numrit të shtretërve nga 270 mijë në vit, në 477 mijë në vitin 2030.

The post Qeveria miraton Strategjinë e Turizmit: Objektiv, vizitorët elitarë! appeared first on Gazeta Si.

Ashpërsim të dënimit për zjarrvënësit. Qeveria, paketë mbështetëse për dëmtimet nga flakët

31 July 2025 at 14:09

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.

Lajmin e dha kryeministri Edi Rama.

“Masat e marra, rritja e gatishmërisë për muajin Gusht 2025 dhe mobilizimi i strukturave përkatëse për menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, ku qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit”, shkruan Rama në Facebook.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme, e Bujqësisë dhe Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile njoftuan se kanë përgatitur një plan masash për rritjen e gatishmërisë për muajin gusht.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bëri një bilanc të situatës së zjarreve në vend, duke theksuar se këtë vit janë regjistruar 59 vatra të mëdha dhe 961 zjarre të vogla, kryesisht në banesa dhe pyje.

Ai njoftoi se 21 persona janë arrestuar dhe 120 të tjerë janë proceduar lidhur me zjarrvënien, që në shumicën e rasteve është e qëllimshme.

Ministri kërkoi ashpërsimin e dënimeve për ata që shkaktojnë zjarre, duke nënvizuar se ky vit ka qenë ndër më të vështirët për shkak të flakëve dhe se përgjegjësia për mbrojtjen e natyrës dhe jetës është e madhe.

Nga zjarret më e prekur është Vlora me 17 mijë e 500 hektarë sipërfaqe të djegur, ndjekur nga Dibra, Tirana dhe më pas Berati.

The post Ashpërsim të dënimit për zjarrvënësit. Qeveria, paketë mbështetëse për dëmtimet nga flakët appeared first on Gazeta Si.

Klima e biznesit në Shqipëri u përkeqësua në 2024-n

31 July 2025 at 12:41

Nga Gazeta ‘SI’ – Klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar me 1.1 pikë gjatë vitit 2024, sipas Indeksit të matur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Shumica e indikatorëve që mat Indeksi kanë pësuar rënie gjatë vitit 2024, ndërsa kërcënimi më madhor për bizneset mbetet rekrutimi i stafit të kualifikuar brenda vendit.

Konkurrenca e padrejtë, informaliteti, burokracitë në qeveri mbeten problematikat kryesore me të cilat hasen bizneset në Shqipëri.

Rreth 53% e bizneseve të anketuara pranojnë se janë përballuar me korrupsion nga 47% një vit më parë.

62% raportojnë kushte të pafavorshme konkurrence, nga 58% në 2023-shin.

Nga ana tjetër, “Furnizimi me energji” dhe “Rendi dhe siguria në vend” janë perceptuar pozitivisht nga kompanitë, ndërsa infrastruktura ka pësuar një përmirësim të lehtë me +0.60 pikë. Megjithëse marrëdhënia me autoritetet publike është perceptuar si kryesisht pozitive gjatë 2024-ës, disa indikatorë kanë shënuar rënie: -Marrëdhëniet me ministritë: -1.35 pikë -Marrëdhëniet me pushtetin vendor: -2.87 pikë -Marrëdhëniet me gjykatat: -3.50 pikë

Perceptimi për “Performancën e Ekonomisë Shqiptare” ka shënuar rënie me -3.05 pikë, i shoqëruar nga një ulje në kërkesën për mallra dhe shërbime me -3.83 pikë.

The post Klima e biznesit në Shqipëri u përkeqësua në 2024-n appeared first on Gazeta Si.

Censi i Bujqësisë, INSTAT kërkon 9 mln euro. Gjobë kush s’jep informacion

31 July 2025 at 11:09

Nga Gazeta ‘SI’– INSTAT do t’i duhen rreth 9 mln euro për të kryer Censin e Bujqësisë, ku 5 mln parashikohen vetëm për burimet njerëzore.

Sipas projektligjit që ka dalë në konsultim, Censi do të ekzaminojë 98 për qind të sipërfaqes së përdorur për bujqësi, me përjashtim të kopshtarisë, si dhe 98 për qind të njësive blegtorale në të gjithë vendin.  Sipas draftit, ai do të regjistrojë gjithçka që ka të bëjë me ekonominë bujqësore të vendit, nga sipërfaqja e kulturave të mbjella, por edhe numri i bagëtive.

Sipas projektligjit, refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar apo dhënia e të dhënave të rreme do të gjobitet me vlerë që varion nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë. Dita e Censit do të përcaktohet nga INSTAT.

Ky Cens i Bujqësisë është një nga proceset më të rëndësishme statistikore në vend, i cili do të sigurojë të dhëna të sakta dhe të përditësuara për sektorin bujqësor dhe blegtoral, duke ndihmuar në hartimin e politikave zhvillimore dhe menaxhimin më të mirë të burimeve rurale në Shqipëri.

The post Censi i Bujqësisë, INSTAT kërkon 9 mln euro. Gjobë kush s’jep informacion appeared first on Gazeta Si.

Qeveria i ka hapur ‘luftë’, por paraja jashtë bankave në rekord historik

31 July 2025 at 10:46

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndërsa qeveria i ka hapur “luftë”, paraja jashtë sistemit bankar ka prekur një rekord të ri.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në qershor 2025, jashtë bankave qarkullojnë 441 mld lekë, me një rritje rreth 12% nga qershori i shkuar, kur shënohej 395 mld lekë.

Shifrat e BSH-së tregojnë një rritje të të gjithë agregatëve monetarë, pra një ofertë të rritur të parasë në vend.

M3 që njihet si paraja e gjerë u rrit në 1.830 trilionë lekë, nga 1.818 trilionë lekë që ishte në muajin maj.

Sipas shifrave të BSH-së, në qershor 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është shtuar me rreth 16 mld lekë nga maji dhe raportohet 884 mld lekë.

Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 22 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1.097 trilion lekëve.

Qeveria Rama dhe Banka e Shqipërisë parashikojnë vendosjen e një kufiri të parave cash midis individëve, por edhe midis individëve dhe biznesit. Qeveria ka propozuar vlerën 100.000-150.000 lekë, ndërsa Shoqata e Bankave lobon për një nivel deri në 70.000 lekë.

Në kuadër të kësaj nisme, qeveria dhe BSH do të ulin tarifat e përdorimit të kartave, për të inkurajuar kështu pagesat në terminalet POS dhe ato online.

The post Qeveria i ka hapur ‘luftë’, por paraja jashtë bankave në rekord historik appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese!

30 July 2025 at 13:29

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë ka kundërshtuar ndryshimet në Kodin Penal dhe ka njoftuar kontestim në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i Dhomës, Maks Haxhia e ka cilësuar si “represiv” Kodin e ri Penal dhe duke shprehur se na rikthen në kohën e komunizmit.

“Kodi që lamë pas në kohën e diktaturës po ta krahasojmë me dënimet ka dënime represive… Nuk ka logjikë që ta pranojë që një kod i tillë i cili është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknikë juridike që s’e pranon asnjë mendje profesionale që të jetë ky një draft që do ta pranojë Europa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal europian”, tha avokati.

Haxhia u shpreh se Kodi i propozuar ka “dispozita konfuze, të paargumentuara dhe të paorientuara”. 

“Janë bërë nene që nuk i pranojnë dhe janë tepër diskriminuese siç është neni 537 që bien ndesh me parimet e Dhomave të Avokatisë. Ata që kanë bërë këtë ligj nuk e njohin avokatinë. Nëse e njohin do jetë turp për ata që e kanë bërë, që nuk dinë një gjë që avokatia është një profesion i lirë, i vetëdrejtuar, i vetëadministruara dhe i pavarur. janë katër shtylla që nuk i ka ligji shqiptar si shpikje, por i ka sjellë eksperienca legjislacioni ndërkombëtar”, tha Haxhia.

Haxhia bie dakord se për momentin nuk ka qenë nevoja për krijimin e një kodi të ri. Problem është procedura penale dhe burimet njerëzore.  

Ndër të tjera Haxhia kërkoi të mos kalojë drafti në Kuvend. Ai theksoi se Kodi i ri duhet t’i nënshtrohet jo vetëm një diskutimi në opinion, por mbi të gjitha me aktorët në fushën e drejtësisë.

“Gushtin do punoj për të argumentuar teknikisht qëndrimin e Dhomës për të dalë në përfundim në një material që do ua bëjmë prezent të gjithë forcave politike në parlament duke kundërshtuar me forcë të mos kalojë ky draft, komisionit të ligjeve, organizatës sonë ku Shqipëria bën pjesë në ÇBE që është organizata e Dhomave të Avokatisë së BE-së ku Shqipëria është me status të veçantë”, tha Haxhia, i cili theksoi se mjeti i fundit do të jetë Gjykata Kushtetuese, por shpreson që çështja të mos shkojë deri aty.

Një ditë më parë, rezerva për Kodin e ri shprehu edhe kryeprokurori Olsian Çela, i cili tha se masat e ashpëra që parashikohen, rrisin potencialin për kriminalizimin e individëve.

“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve“.

Në reagimin e tij  Çela thekson se përpara çdo diskutimi mbi një draft të ri, do të ishte e domosdoshme një reflektim i gjerë shoqëror mbi vetë nevojën për ndryshim. Sipas tij, drafti i ri nuk i ka paraprirë një proces reflektimi mbi vlerat që duhet të përfaqësojë një kod penal në një shoqëri demokratike. Ai thekson se ndryshimi i kodit duhet të burojë nga një nevojë e thellë historike dhe jo si veprim i nxituar institucional, që rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë.

The post Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese! appeared first on Gazeta Si.

Familjet me ndihmë ekonomike do të marrin ujë falas deri në 5m kub në muaj

30 July 2025 at 12:20

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar një skemë të re subvencionimi për konsumin e ujit.

Familjet në nevojë nuk do të paguajnë tarifë uji deri në 5m3 ujë në muaj, përllogaritur si sasia e nevojshme jetike.

Zbritja do të aplikohet automatikisht në faturat mujore dhe pa nevojë për aplikim nga qytetarët. Bashkitë i dërgojnë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve listat e individëve përfitues, dhe këto të fundit janë të detyruara të aplikojnë uljen përkatëse në faturat mujore të ujit.

Skema përfshin të gjitha familjet që përfitojnë nga ndihma ekonomike sipas legjislacionit në fuqi, por edhe kategori të tjera sociale, si personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit pa mbështetje apo individë në kushte të vështira. Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në vështirësi dhe të garantojë akses të barabartë në një shërbim jetik siç është uji i pijshëm.

Në këtë rast, kostot mbulohen nga vetë fondet e shoqërisë, deri në lidhjen e marrëveshjes me AKUK-në. Në rast se pas subvencionimit për familjet në nevojë mbetet fond i papërdorur, ai mund të shfrytëzohet për mbulimin e kostove të energjisë elektrike nga shoqëritë UK, por vetëm në rastet kur ato prodhojnë mbi 75% të ujit përmes ngritjes mekanike.

The post Familjet me ndihmë ekonomike do të marrin ujë falas deri në 5m kub në muaj appeared first on Gazeta Si.

Fondet e IPARD mbeten të bllokuara! BE: Shqipëria t’a trajtojë çështjen me prioritet

30 July 2025 at 12:05

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndonëse qeveria pati njoftuar rihapjen e fondeve IPARD në vitin 2025, kjo duket se do të ndodhë në një kohë më të largët.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësues të Bashkimit Europian në Tiranë kanë treguar se financimi për bujqësinë nga IPARD do të mund të rikthehet me kusht që të garantohet mbrojtja  e interesave europiane.

“Bashkimi Europian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Europian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigjen e publikuar nga Report TV.

Komisioni Europian i bën thirrje autoriteteve shqiptare që ta shohin me prioritet këtë çështje, që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, thotë KE.

Aktualisht KE thotë se është vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare që po bëhet një auditim për pagesat e IPARD II.

“Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Europian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Europian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm”, thotë KE.

Pak ditë më parë, një grup audituesish nga BE dhe IPARD zbarkuan në Tiranë për të vlerësuar masat e marra nga qeveria në kuadër të shkeljeve, por nuk ka ende një njoftim publik.

Fondet IPARD për Shqipërinë u bllokuan verën e 2023-shit, pasi u konkluduan abuzime.

OLAF, zyra anti-korrupsion pranë Bashkimit Europian, shpjegoi se procedura  edhënies së këtyre fondeve ka qenë abuzive. Aplikantëve i kërkohej që të paguanin një pjesë shumë të madhe të grantit që fitonin, tek një nga kompanitë e përzgjedhura të konsulencës, që më pas do të lehtësonte proceset me AZHBR-n, që menaxhonte fondet e IPARD. Konkursi për fituesit ishte i korruptuar ose tërësisht fals, kishte çmime të fryra dhe shkelje të rregullave.

Pas këtyre gjetjeve OLAF i rekomandoi BE-së, që të ngrijë financimin e dytë të IPARD II 33 milionë euro dhe financimin e IPARD III 112 mln euro.

The post Fondet e IPARD mbeten të bllokuara! BE: Shqipëria t’a trajtojë çështjen me prioritet appeared first on Gazeta Si.

Shqiptarët po paguajnë më pak për sigurimin e banesave

30 July 2025 at 10:47

Nga Gazeta ‘SI’ – Kompanitë e sigurimit kanë arkëtuar 12.8 mld lekë në 6-mujorin e parë të vitit, me rritje vjetore 8%.

Tregu dominohet nga sigurimet e detyrueshme në 56% të masës, ku kryesojnë sigurimet motorike. Nga janari në qershor 2025, sigurimi motorik ka kaluar vlerën e 7.5 mld lekëve, përkthyer në 13.4% rritje.

Sigurimet vullnetare arkëtuan 5.2 mld lekë, me rritje vjetore 11.5%. Sigurimi i pronës nga zjarri dhe forca e natyrës mbetet primi më i shitur, por vlera e sigurimit është ulur. AMF tregon se kontratat u rritën me 9% dhe vlera e sigurimit u ul me 2.3%.

Gjatë periudhës janar – qershor 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4 mld lekë, ose 0.73% më pak se në janar – qershor 2024. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3 mld lekë, apo 76.38% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

The post Shqiptarët po paguajnë më pak për sigurimin e banesave appeared first on Gazeta Si.

Të rinjtë, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve në Shqipëri

29 July 2025 at 13:16

Nga Gazeta ‘SI’ – Të rinjtë janë shoferët me rrezik më të lartë në rrugët e Shqipërisë.

Shifrat e INSTAT tregojnë se për muajin qershor, 28 nga 107 aksidente në total i përket grupmoshës 25-34 vjeç. Sjellja e drejtuesit të mjetit mbetet shkaku kryesor i aksidenteve.

Në qershor raportohen 140 viktima (të plagosur dhe të vdekur) nga aksidentet automobilistike.

Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së hënë me 19.6%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur gjatë ditës së martë, me 6.5%. Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 19:00 – 24:00, duke zënë 22.4% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.

Gjatë periudhës janar-qershor 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

The post Të rinjtë, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Shqiptarët mbajnë 35 mld lekë të borxhit të qeverisë

29 July 2025 at 12:49

Nga Gazeta ‘SI’ – Në gjysmën e parë të vitit 2025, shqiptarët kanë blerë 35 mld lekë të borxhit të qeverisë. Shifrat tregojnë një rritje vjetore prej 24%.

Përkthyer në numër transaksionesh, AMF tregon se ka pasur 30% më pak të tilla.

Bonot e Thesarit mbeten forma më e preferuar e investimit, 20 mld lekë me rritje vjetore 3%. Por Obligacionet kanë përjetuar rritje më të fortë, 50%, me një vlerë totale investimi 15 mld lekë. Bonot me maturim 6 mujor dhe Obligacionet me maturin 7 vjeçar kanë investimet më të larta.

AMF tregon se ka një rënie të interesit nga qytetarët e thjeshtë, pra klientët joprofesionistë, transaksionet e të cilëve janë pakësuar me 20% nga një vit më parë. Ndërkohë ka një rritje të transaksioneve nga persona juridikë dhe klientë të kualifikuar.

Përgjatë 2 viteve të fundit, yield-et e letrave me vlerë kanë qenë në nivele minimale, shumë pranë normës së interesit, duke e bërë këtë investim jo shumë tërheqës për qytetarët.

The post Shqiptarët mbajnë 35 mld lekë të borxhit të qeverisë appeared first on Gazeta Si.

Jo më burg për përdorim vetjak të drogës. Sasia e kokainës dhe kanabisit që do të lejohet në Shqipëri

29 July 2025 at 11:01

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka vendosur të dekriminalizojë përfundimisht përdorimin vetjak të lëndëve narkotike.

Një nga ndryshimet e parashikuara në Kodin Penal është vendosja e një limiti për drogërat, sipas llojit.

Konkretisht, për kanabis me qëllim përdorimin vetjak, nuk është e dënueshme deri në 10 gram. Për heroinën dhe kokainën limiti ësht 3 gram, njësoj sa edhe për lëndë të tjera të ngjashme që nuk janë emërtuar.

Gjithashtu, nuk ka rëndësi vendi ku është kapur autori në posedimin e hashashit, me kushtin që të jetë mbajtur larg demonstrimit në publik.

Në rast se substancat janë për qëllime përfitimi a shpërndarje, poseduesit do të përballen me ligjin që parashikon deri në 10 vite heqje lirie.

Lehtësimi vjen pak kohë pasi qeveria është fokusuar në legalizimin e kanabisit, kultivimin dhe tregtimin, por vetëm me qëllime shëndetësore dhe industriale e jo konsum apo të ngjashme.

The post Jo më burg për përdorim vetjak të drogës. Sasia e kokainës dhe kanabisit që do të lejohet në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Marrëveshja SHBA-BE, zhgënjen euro. Fuqizohet dollari

29 July 2025 at 10:36

Euro nuk po performon mirë tashmë që për investitorët u bë e qartë se përfituesit e marrëveshjes SHBA-BE janë vetëm amerikanët.

Franca e quajti “një ditë të zezë” për Europën duke thënë se blloku iu dorëzuar presidentit Donald Trump. Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se ekonomia e tij do të vuante shumë nga tarifa 15% e dakordësuar me SHBA.

Euro ra me 1.3% dhe këmbehet me 1.15 dollarë. dollari nga ana tjetër u rrit me 1%.

 “Ndërsa forca e dollarit amerikan…mund të pasqyrojë perceptimin se marrëveshja e re SHBA-BE është e anashkaluar në favor të SHBA-së, forca e dollarit amerikan mund të pasqyrojë gjithashtu një ndjenjë se SHBA-ja po ri-angazhohet me BE-në dhe me aleatët e saj kryesorë,” tha Thierry Wizman, strateg global i FX dhe Rates Group në Macquari.

Megjithatë, Trump tha të hënën se shumica e partnerëve tregtarë që nuk negociojnë marrëveshje të veçanta tregtare së shpejti do të përballen me tarifa prej 15% deri në 20% për eksportet e tyre në Shtetet e Bashkuara, shumë më tepër se tarifa e gjerë prej 10% që ai vendosi në prill./Reuters

The post Marrëveshja SHBA-BE, zhgënjen euro. Fuqizohet dollari appeared first on Gazeta Si.

Rama paralajmëron ndëshkim për arkitektët: Do të krijojmë treg të ri imobiliar, jo klering dhe shitje në gropë!

28 July 2025 at 14:46

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndëshkuese edhe për arkitektët që i bashkohen ndërtuesve në shkeljet e tyre.

Duke ripërmendur se do të krijohet një “Listë e Zezë” me ndërtuesit që kanë abuzuar, kreu i qeverisë tha se dhe arkitektët do të vendosen përballë përgjegjësisë ligjore në rast se ndërtimi ka devijuar nga projekti për të cilin është dhëna leja.

Rama e cilësoi një ndër problemet më të mëdha në vend, theksuar se ndërtuesve u jepet leja dhe më pas ndërtimi shkon në drejtim të paditur. 

“Ky është një problem që e kemi sot të shtruar në tryezë, si do të arrijmë që projektet ti realizojmë besnikërisht. Bëhet ajo punë bashkë me investitorët dhe ndërtuesit, bëhet ajo punë për ti filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, i jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur. Ndryshojnë edhe volume, këtu është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që do përfshijnë arkitektin si personin garant, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Kjo nuk është çështje masash ligjore, por vetëdije nga ana e investuesve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë”, tha Rama.

Ai shtoi se ndërtuesit që kanë abuzuar nuk do të mund të marrin më leje ndërtimi.

 “Karrota nga një ana, shkopi nga ana tjetër, në të kundërt e kemi të pamundur, mund të humbasim shans historik dhe s’do afrohet njeri për të financuar. Këto projekte të mëdha s’mund të realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit e rastit brenda vendit. Listë të zezë për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat, pamundësi për të marrë leje”, tha Rama.

Në takim, kreu i qeverisë së bashku me një grup të rinjsh, u prezantuan ndërtuesve edhe një formë të re financimi, që sipas Ramës shmang nevojën për shitjet në gropë.

“Këto projekte të mëdha s’mund të realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit e rastit brenda vendit. janë projektet të financuara nga institucione dhe nga fonde investimesh që nuk janë banka drejtpërdrejtë dhe që përfaqësojnë investitorë të interesuar, që nga investitorë të mëdhenj, deri te investitorë fare të vegjël, që janë investitorë që duan të blejnë një apartament apo duan të blejnë një shtëpi në plazh”, tha Rama. 

The post Rama paralajmëron ndëshkim për arkitektët: Do të krijojmë treg të ri imobiliar, jo klering dhe shitje në gropë! appeared first on Gazeta Si.

Ulen vitet e dënimit për autorët e incestit. Burg për përhapje të sëmundjeve seksuale

28 July 2025 at 12:57

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndryshimet e reja në Kodin Penal parashikojnë një ulje të dënimit për personat që kryejnë incest.

Sipas paragrafit në draftin e qeverisë, kryerja e marrëdhënieve seksuale me pëlqim të subjekteve, një pasardhës ose paraardhës, ose me një të afërm gjaku në vijë të drejtë, ose me motrën ose vëllain, dënohet me dënohet me gjobë ose me burgim nga dy deri në pesë vjet. Ndërkohë në Kodin në fuqi, kjo dënohet deri në 7 vite burg.

Dënimi është rritur në 10 vite nëse i mituri është më i vogël se 14 vjeç. Deri më tani dënimi ishte 5 vite. Neni njeh si të afërm edhe personat kujdestarë, birësuesit, njerkët dhe thjeshtrit.

Dënohet me heqje lirie edhe transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme kur autori është në dijeni.

“Me përjashtim të rastit, kur përbën vepër penale më të rëndë, transmetimi një personi tjetër nëpërmjet marrëdhënieve seksuale ose çdo akti seksual të barasvlershëm i një sëmundjeje veneriane, duke e ditur autori se është i infektuar me këtë sëmundje, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet”, thotë dokumenti.

The post Ulen vitet e dënimit për autorët e incestit. Burg për përhapje të sëmundjeve seksuale appeared first on Gazeta Si.

Kodi i ri Penal ashpërson dënimin për lojërat e fatit, por e lehtëson për trukimet në garat sportive

28 July 2025 at 12:52

Nga Gazeta ‘SI’ – Kodi i ri Penal ka ashpërsuar dënimin për aktivitetin ilegal të lojërave të fatit.

Sipas draftit të ndryshuar, ushtrimi i kësaj veprimtarie dënohet nga 1 deri në 3 vite burg, ndërsa me Kodin në fuqi dënohet vetëm disa muaj. Kur aktiviteti ndodh në hapësira publike, dënimi shkon deri në 5 vie burg.

Dënimi shtohet me një të katërtën për funksionarët shtetërorë të përfshirë.  

Vënia në dispozicion e mjediseve për organizimin apo luajtjen e lojërave të fatit dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

E anasjella ka ndodhur për trukimet në garat sportive, ku parashikohet një lehtësim i dënimit. Marifetet me rezultatet sportive në kuadër të përfitimeve dënohet deri në 3 vite burg me Kodi e ri nga 7 vjet që parashikon Kodi i vjetër Penal.

Paracaktimi i rezultateve dënohet deri me 10 vite burg.

“Kërkimi, pranimi i premtimeve ose i një përfitimi për vete ose për një të tretë në këmbim të
ndikimit në zhvillimin ose rezultatin e një gare të organizuar sportive në dobi të kundërshtarit në
garë, si rezultat i të cilit do të përfitohet një përfitim i paligjshëm në të holla, apo çdo përfitim
tjetër, nga sportisti ose trajneri, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në draft.

The post Kodi i ri Penal ashpërson dënimin për lojërat e fatit, por e lehtëson për trukimet në garat sportive appeared first on Gazeta Si.

‘Modeli Tirana – Fituesit dhe humbësit e ndërtimeve masive në Shqipëri’

28 July 2025 at 11:45

Arkitekti i famshëm (archistar) ka projektuar për mikun Edi Rama planin e qytetit dhe 4 zona për privatët: miliona metra katrorë beton, pak gjelbërim dhe hapësira publike, shumë fitime për tregun e pasurive të paluajtshme.

“Tirana Riverside”, “Capitol Residences”, “Downtown One”, “MET Building”… emrat tingëllojnë si një përzierje mes planifikimit urban dhe marketingut elitar. Janë ndër projektet më të mëdha të zhvillimit urban të planit Tirana 2030 (që duhet të përmbyllet në atë vit), por që kanë nisur të marrin formë veçanërisht gjatë pandemisë së Covid-it.

Në qytet, ndërkohë, mungojnë hapësirat e përbashkëta, hapësirat publike, gjelbërimi, dhe transporti publik nuk është i sigurt apo i qëndrueshëm. Por gjithsesi, këto ndërtime vazhdojnë, dhe ndonjëherë edhe mbështeten nga fonde publike.

Kush përfiton nga kjo? Sigurisht ndërtuesit. Kush humb? Banorët. Dhe pyetja që shtrohet është: për kë po ndërtohet Tirana e re? “Për banorët e ardhshëm që, sipas planit, do të jenë 1.6 milionë” – thonë autoritetet.

Por tani për tani, këtu jetojnë vetëm rreth 590 mijë banorë. Nuk është çudi që shumë ndërtesa të reja janë të zbrazura, shumë apartamente nuk janë të banuara. Ndërtohet për tregun, jo për njerëzit.

Në këtë kontekst, për t’u përmendur është roli i arkitektit italian Stefano Boeri, autor i planit “Tirana 2030”, por edhe pjesëmarrës në disa prej garave për ndërtimin e pallateve.
Boeri ka marrë pjesë në disa prej garave publike (së bashku me SON Engineering & Construction Group) për projektet e reja të ndërtimit në zona të mëdha urbane të Tiranës, si ajo e Fushës së Aviacionit.

Kjo përfshin, për shembull, ndërtimin e disa miliona metrave katrorë sipërfaqe ndërtimi në qendra të reja banimi. Një pjesë e vogël e sipërfaqes do të jetë për gjelbërim apo shërbime publike, pjesa tjetër – për shitje të lirë në treg.

Në realitet, hapësirat publike janë shpesh vetëm në letër. Në shumë raste, ajo që quhet “parqe” janë thjesht hapësira mes dy grataçelave, ndërsa mungojnë shërbime të nevojshme si shkolla, çerdhe apo transport i mirë.

Në këtë mënyrë, ndërtimi duket se ndjek një logjikë spekulative, e jo të nevojave reale të popullsisë. Tirana nuk po rritet për njerëzit që jetojnë në të, por për të prodhuar fitim për pasuritë e paluajtshme.

Marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Stefano Boeri-t është e gjatë. Që në vitin 2005, kur Boeri botoi një artikull për Rilindjen Urbane dhe e përmendi Ramën si një lider “vizionar”, dyshja kanë punuar së bashku në disa projekte.

Në 2016-ën, kur u prezantua plani “Tirana 2030”, Boeri ishte aty si autor kryesor i projektit. Ndërkohë, studioja e tij ka fituar disa projekte edhe për ndërtime private në qytet.

Në fund, mbetet pyetja: A është ky një model i drejtë urban për qytetin? Apo një projekt për të pasurit, ndërsa shumica e popullsisë përjashtohet nga Tirana e së ardhmes? /Il Fatto Quotidiano

The post ‘Modeli Tirana – Fituesit dhe humbësit e ndërtimeve masive në Shqipëri’ appeared first on Gazeta Si.

Marrëveshja SHBA-BE, rritet euro

28 July 2025 at 10:40

Euro ka nisur pozitivisht javën pas nënshkrimit të marrëveshjes tregtare midis SHBA-së dhe BE-së.

Monnedha europiane forcoi pozicionin e saj duke u rritur përballë dollarit, jenit dhe paundit britanik.

Aksionet në bursat europiane dhe në ato amerikane përjetuan një rritje.

Ekspertët kërkojnë vigjilencë dhe kujdes me të gjitha fenomenet “e mira” që po ndodhin.

SHBA ra dakord që të tarifojë BE-në vetëm me 15% nga 30% që kishte njoftuar më herët. Tregjet po e shohin ngjarjen si një rikthim në kohën e stabilitetit dhe politikave normale tregtare.

Nafta po ashtu u rrit me 5%, ndërsa ari pësoi rënien më të madhe në dy javët e fundit./Reuters

The post Marrëveshja SHBA-BE, rritet euro appeared first on Gazeta Si.

Parashikim i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Bien valutat dhe aksionet. Bitcoin në korrektim

28 July 2025 at 10:24

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet nën vlerën 1.176 trenda do të jetë rënëse me target 1.166. Tregtimi mbi vlerën 1.176 do të pasohet me avancim të mëtejshëm drejt objektivit 1.184.

Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet nën vlerën 1.3476 trenda do të jetë negative në target 1.337. Tregtimi mbi vlerën 1.3476 do të ndiqej nga tentativë e testimit të rezistencës 1.349.

Për sa kohë CRUDE OIL do të tregtohet nën vlerën 65.7 trenda do të jetë bearish me target 63.7. Tregtimi mbi vlerën 65.7 do të pasohej me testimin e rezistencës 66.

Për sa kohë USD/JPY do të tregtohet nën vlerën 148 trenda do të jetë rënëse me objektiv 146. Tregtimi mbi vlerën 148 hap rrugën për avancim të mëtejshëm me target 147.8.

Për sa kohë DOW JONES do të tregtohet nën vlerën 45100 trenda do të jetë rënëse me target 44600. Tregtimi mbi vlerën 45100 do të ndiqej nga avancimi mëtejshëm me target 45600.

Për sa kohë BTC/USD do të tregtohet nën vlerën 119500 trenda do të jetë korrektuese me target 118400. Reagimi negativ ndaj saj e avancon rënien drejt suportit 116600. Tregtimi mbi vlerën 119599 do të pasohej me avancim të mëtejshëm drejt rezistencës 122700.

The post Parashikim i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Bien valutat dhe aksionet. Bitcoin në korrektim appeared first on Gazeta Si.

❌
❌