Ashpërsim të dënimit për zjarrvënësit. Qeveria, paketë mbështetëse për dëmtimet nga flakët
Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.
Lajmin e dha kryeministri Edi Rama.
“Masat e marra, rritja e gatishmërisë për muajin Gusht 2025 dhe mobilizimi i strukturave përkatëse për menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, ku qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit”, shkruan Rama në Facebook.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme, e Bujqësisë dhe Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile njoftuan se kanë përgatitur një plan masash për rritjen e gatishmërisë për muajin gusht.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bëri një bilanc të situatës së zjarreve në vend, duke theksuar se këtë vit janë regjistruar 59 vatra të mëdha dhe 961 zjarre të vogla, kryesisht në banesa dhe pyje.
Ai njoftoi se 21 persona janë arrestuar dhe 120 të tjerë janë proceduar lidhur me zjarrvënien, që në shumicën e rasteve është e qëllimshme.
Ministri kërkoi ashpërsimin e dënimeve për ata që shkaktojnë zjarre, duke nënvizuar se ky vit ka qenë ndër më të vështirët për shkak të flakëve dhe se përgjegjësia për mbrojtjen e natyrës dhe jetës është e madhe.
Nga zjarret më e prekur është Vlora me 17 mijë e 500 hektarë sipërfaqe të djegur, ndjekur nga Dibra, Tirana dhe më pas Berati.
The post Ashpërsim të dënimit për zjarrvënësit. Qeveria, paketë mbështetëse për dëmtimet nga flakët appeared first on Gazeta Si.