Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 July 2025Main stream

SPAK çon në gjyq ish-deputetin Jurgis Çyrbja, për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje

15 July 2025 at 16:03

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij të dyshuar, Ahmet Masha dhe Altin Hajri.

Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar, për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, përkrahje krimi dhe nxjerrje e sekretit shtetëror.

Ai akuzohet nga SPAK se u ka shitur informacione grupit kriminal të Altin Hajrit dhe madje ka ndërhyrë për t’i favorizuar në disa episode.

Lidhja e tij sipas dosjes hetimore, u zbërthye pas dekriptimit të mesazheve në platformën e koduar SKY ECC.

I përfshirë në këtë fashikull akuzohet edhe Ahmet Masha dhe Altin Hajri, ndërsa hetimet dhe verifikimet vijojnë.

Në dosjen e SPAK thuhet se ish-deputeti Çyrbja ka pasur miqësi me të kërkuarin ndërkombëtar të drejtësisë Altin Hajri, duke i premtuar këtij të fundit se do ta ndihmonte në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve.

“Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i pandehuri, Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024). Në periudhën objekt hetimi, ky i pandehur ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, (person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale). I pandehuri Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, – thotë SPAK.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr. 93/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

1. Jurgis Çyrbja i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021, 6.3.2021, 6.3.2021, 6.3.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.

ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 302/1/2 i Kodit Penal.

iii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

iv. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021) parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

v. “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal (në periudhën mes datave 5.3.2021-8.3.2021).

2. Ahmet Masha, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

3. Altin Hajri, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal (në periudhën midis datave 1.12.2020 – 8.3.2021)

ii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal (në episodin e datës 1.5.2020).

Nga aktet e administruara për këtë procedim penal, ka rezultuar e provuar se të pandehurit; Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”. I pandehuri Altin Hajri ka qenë përdorues edhe i platformës tjetër të enkriptuar, “Matrix”.

Nga tërësia e veprimeve të kryera hetimore, ka rezultuar e provuar se të pandehurit në 8 (tetë) episode të ndryshme, gjatë periudhës 1.5.2020 deri në datë 8.3.2021, janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto informacione lidheshin me planet e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.

Këto informacione që u siguruan nga të pandehurit, u janë transmetuar personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”kryer në bashkëpunim (sipas episodeve respektive).

Ndërsa, komunikimet që të pandehurit kanë zhvilluar me bashkëbiseduesit e tyre, përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyEcc”, (konfirmuar dhe nga aktet e dosjes se ishte persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar), u kanë shërbyer si një e dhënë e rëndësishme për të qëndruar të fshehur dhe për t’i shpëtuar kapjes apo arrestimit nga strukturat e policisë, duke konsumuar edhe elementët e veprës penale, “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.

Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i pandehuri, Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024).

Në periudhën objekt hetimi, ky i pandehur ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, (person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale).

I pandehuri Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga ana tjetër, i pandehuri Altin Hajri, duke pranuar favoret e ofruara nga ana e të pandehurit Jurgis Çyrbja, por në këmbim të votimit në favor të tij, si dhe angazhimit për t’i siguar vota ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Për interesa të këtij procedimi penal është bërë e mundur ekzekutimi i letërporosisë drejtuar autoriteteve të drejtësisë holandeze për disa përdorues të platformës së enkriptuar “Matrix”.

Nga analizimi i disa prej komunikimeve, ka rezultuar e provuar se gjatë periudhës tetor – dhjetor 2024, i pandehuri, Altin Hajri dhe bashkëbiseduesit e tij, diskutojnë lidhur me momentin e ekzekutimit të masës së sigurimit personal ndaj të pandehurve: Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha, (datë 20.10.2024 dhe në vijim). Nga përmbajtja e komunikimeve evidentohet njohja mes të pandehurve, pohimi i përmbajtjes së komunikimeve të zhvilluara mes tyre me anë të platformës së enkriptuar “SkyEcc”, si dhe veprimet e paligjshme të kryera në episodet objekt akuze, ku janë pohuar dhe vendtakimet që kanë realizuar me punonjësit e policisë, të cilët i kanë informuar edhe për operacionet e zhvilluara për kapjen e personave në kërkim.

Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se funksionarë publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 8(tetë) raste, kanë zbuluar akte, të përcaktuar si “sekret shtetëror” nga ligji, pasi me përmbajtjen e tyre, rezulton se janë vënë në dijeni edhe të pandehurit objekt gjykimi, duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve: Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe të funksionarëve publikë, të cilët kanë zbuluar akte të përcaktuar nga ligji si “sekret shtëtor”, Prokuroria e Posaçme ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal, nr. 93/1 të vitit 2024 në procedimin me nr. 93/1.1 të vitit 2025. Hetimet rreth këtij procedimi vijojnë.

The post SPAK çon në gjyq ish-deputetin Jurgis Çyrbja, për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje appeared first on Gazeta Si.

Rama në Bavari: Le të jemi aq të çmendur sa Mbreti Ludvig për të mbrojtur Europën

15 July 2025 at 15:33

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i ftuar nderi nga qeveria e Bavarisë në Gjermani për të mbajtur fjalën e rastit në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.

Teksa u shpreh se vlerat evropiane duhen mbrojtur edhe nëse është nevoja për t’u riarmatosur, Rama e vuri theksin edhe tek arti dhe shpirti i kontinentit duke marrë si shembull edhe Ludvigun e II Mbretin e Bavarisë që ndërtoi pallatin ku u mbajt ceremonia.

Ai tha se Evropa duhet ta rishpikë veten duke mbrojtur atë çfarë e karakterizon duke u nisur fillimisht nga siguria në rrugët e secilit shtet dhe ajo në shkolla.

“Nëse duhet të riarmatosemi për të mbrojtur tokën europiane, na duhet njëkohësisht të rishpikim veten për të mbrojtur shpirtin e Evropës. Le të bëjë sonte muzika që do të dëgjojmë atë që fjalimet nuk munden. Le ta mbartë shpirtin e Evropës, atë që Ludvigu e dëgjoi kur të tjerët nuk dëgjonin asgjë. Atë që duhet ta mbrojmë jo thjesht në traktate e me ushtarë, por në rrugët tona, në shkollat e fëmijëve tanë. Le të jemi si Ludvigu, pak të çmendur më së paku, të çmendur mjaftuëshëm për të besuar në bukuri, të çmendur aq sa ta mbrojmë dhe të çmendur mjaftueshëm që ta bëjmë shpirtin e Evropës përsëri”- u shpreh Rama mes të tjerash.

Sipas Ramës, Europa nuk duhet trajtuar si një fuqi nga e cila, “duhet të përfitosh, por edhe si një realitet për të cilin duhet të kujdesesh”.

Më pas, u ndal te sfidat aktuale të Europës, në një kohë frike për copëtim dhe harrese të asaj që i mban të lidhur popujt.

“Sonte, muzika na fton të kujtojmë se Europa ka qenë dhe duhet të mbetet civilizim. Një mënyrë për të besuar se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por stil jetese. Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një mbledhje rezistence ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor, ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor”.

The post Rama në Bavari: Le të jemi aq të çmendur sa Mbreti Ludvig për të mbrojtur Europën appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e Emiljano Ramazanit në 2020/ Tase: Armën e vendosëm në një vend për të akuzuar dikë tjetër! Paratë na i dha një grua

15 July 2025 at 15:22

Gazeta Si – Mes ngjarjeve kriminale të kryera prej tij dhe Henrik Hoxhës “ushtarit” të Nuredin Dumanit, Skerdi Tase rrëfeu edhe vrasjen e Emiljano Ramazanit në 2020-ën sapo ky i fundit kishte mbërrritur në shtëpi nga palestra.

Tase tha se për ngjarjen e ndodhur në Elbasan, makinën ua kishte siguruar i penduari tjetër i drejtësisë Erjon Alibej ndërsa zbuloi se informacionet i merrte nga vrasësi me pagesë Nuredin Dumani.

“Pastaj vendosëm të mernim pjesë tek vrasja e Emiljano Ramazanit, pasi për Bujar Celën teksa po e ruanim njëher na u identifikua makina passat që do përdornim. Nuredini e dëgjoi në radion e policise që u dha si targë e dyshimtë. Për Emiljano Ramazanin jepeshin 130 mijë euro, këtë kohe shkonim përditë në Elbasan, perdornim makina me qira, makinën e atentatit e kishte siguruar Erion Alibej me Nuredin Dumanin, kishim 4 armë, 2 kallash 2 pistoleta, ditën e ngjarjes jemi nis herët për Elbasan, na vinin info nga Nuredini është në palestër është ketu është atje, ne palester sna u duk e pershtatshme për ta vrarë, dhe e lamë kur të vinte tek shtëpia, e pritëm tek pallati, sapo ai parkoi, zbrita nga makina, Henriku ishte shofer, iu afrova e qëllova disa herë, në kokë dhe në qafë me pistoletë”, – deklaroi Tase.

Më pas Tase rrëfeu se me makinën që kishin marrë me qira ishin larguar nga vendngjarja drejt Tiranës, ndërsa arma e krimit u la në një vend të caktuar sipas porosisë së Nuredin Dumanit, i cili kishte në plan të fajësonte dikë tjetër. Për vrasjen Skerdi Tase tha se lekët ua kishte sjellë një grua me emrin Klara duke mos zbuluar detaje të mëtejshme.

“Dogjëm makinën dhe u larguam me makinen me qira që kishim ardhur nga Tirana, i ramë nga rrogozhina, armen e krimit e lam në një vend rrugëes që e dinte Nuredini pasi do vendosej diku per te akuzuar nje person tjeter. Kam marrë 23 mijë euro për vrasjen edhe pse sipas muabeteve na binte nga 60 mijë. Lekët i ka sjell nje grua, Klara, Henriku më tha emrin e saj”- shtoi ai në dëshminë e tij.

The post Vrasja e Emiljano Ramazanit në 2020/ Tase: Armën e vendosëm në një vend për të akuzuar dikë tjetër! Paratë na i dha një grua appeared first on Gazeta Si.

I dënuar në Itali, 53-vjeçarit në Tiranë i sekuestrohen pasuri qindra mijëra euro

15 July 2025 at 13:57

Gazeta Si – Gjykata ka sekuestruar 4 pasuri me vlerë 287 mijë euro në pronësi të Artan Lekës, 53 vjeçarit i cili rezulton i dënuar më parë në Itali me 9 vite burg dhe 60 mijë euro gjobë për prostitucion.

Mësohet se janë sekuestruar 2 apartamente dhe 2 automjete në pronësi të Lekës i cili dyshohet se veprën penale e kishte kryer në kuadër të grupit kriminal. Dyshohet se këto pasuri 53 vjeçari i kishte siguruar falë veprimtarisë kriminale. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post I dënuar në Itali, 53-vjeçarit në Tiranë i sekuestrohen pasuri qindra mijëra euro appeared first on Gazeta Si.

Trump inkurajon Zelenskin të godasë Moskën, presidenti ukrainas: Po, nëse na jepni armë

15 July 2025 at 13:11

Gazeta Si – Donald Trump e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të shtojë sulmet më në thellësi të territorit rus.

Presidenti amerikan madje e pyeti Volodimyr Zelenskin, nëse ai mund të godiste Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi.

Në këtë kontekst, vendosmëria e Trump për të rritur presionin mbi Vladimir Putin u shpreh javën e kaluar në një bisedë që pati me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.  

Sipas “Financial Times”, Trump dyshohet se e inkurajoi Zelenskin të shtonte sulmet ukrainase në territorin rus, madje duke e pyetur presidentin ukrainas nëse ai mund të godiste Moskën nëse SHBA-të do t’i siguronin armë me rreze të gjatë veprimi. 

Gazeta britanike, duke cituar dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelenski, raportoi se presidenti amerikan e pyeti homologun e tij ukrainas nëse ai mund të godiste objektiva ushtarake thellë brenda Rusisë nëse ai do t’i siguronte armë të afta për ta bërë këtë.

“Volodymir, a mund ta godasësh Moskën? A mund ta godasësh Shën Petersburgun?”, – pyeti Trump gjatë telefonatës, sipas burimeve. Zelenski u përgjigj: “Absolutisht. Mundemi, nëse na jepni armët”.

Sipas një burimi të njohur me diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, vendimi i Trump për të përshkallëzuar tensionet ndaj Rusisë është për shkak të tre arsyeve: nga njëra anë, ai besonte se Putini e përçmonte, duke pretenduar se kërkonte paqe, ndërsa injoronte kërkesën e Uashingtonit për armëpushim; nga ana tjetër, ai vlerësoi se përdorimi i fundit i bombarduesve B-2 dhe raketave Tomahawk kundër Iranit demonstroi efektivitetin e fuqisë amerikane; dhe së fundmi, ai beson se Putini do të ulet në tryezën e negociatave vetëm nën kërcënimin e një presioni më të madh ushtarak.

Ndërkohë, Donald Trump po shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave “Tomahawk” në Ukrainë , në një veprim që mund të rrisë ndjeshëm presionin mbi Rusinë , sipas informacionit të cituar nga “Washington Post”.  

Sa i përket “Tomahawk”-ëve  tani, ato janë të njëjtat raketa që u përdorën së fundmi për të sulmuar objektivat bërthamore iraniane dhe, nëse do të lëshoheshin nga territori ukrainas, do të kishin aftësinë të arrinin Moskën dhe Shën Petersburgun .

The post Trump inkurajon Zelenskin të godasë Moskën, presidenti ukrainas: Po, nëse na jepni armë appeared first on Gazeta Si.

‘Plumbi i Artë’/ Skerdi Tase zbardh atentatet (e dështuara) në Fier, emrat e porositësve dhe si shpëtuan shënjestrat

15 July 2025 at 12:34

Gazeta Si – Pas disa seancash të dështuara, i penduari i tretë i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, Skerdi Tase, ka zbardhur detaje tronditëse për atentate të porositura në Fier, ku sipas tij ishte përfshirë së bashku me emra të njohur të botës së krimit.

Si porositës i dy atentateve në vitin 2018 dhe 2019, akuzohet Albert Pashaj dhe ekzekutimi do të kryhej nga “vartësi” i Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhaj, të cilin e kishte paguar 80 mijë euro.

Në dëshminë e tij, Tase tha se ishte njohur me Henrik Hoxhajn në vitin 2017, përmes një shoku të përbashkët, të cilin e identifikon si Viron Tavanxhi dhe dyshohet të ketë qenë edhe kontakti i porositësit të njërit prej atentateve.

“Henrikun e takova për herë të parë në vitin 2017. Viron Tavanxhi na njohu për të ekzekutuar një person në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e shënjestrës dhe një makinë ‘Alfa Romeo’, si dhe një armë automatike”, deklaroi Tasi.

Sipas tij, viktima që synonin ishte Agim Boriçi, një emër i njohur në Fier. Tase tregoi se ditën e atentatit, Hoxhaj e kishte njoftuar me urgjencë: “Henriku më tha se porositësi i kishte kërkuar llogari – ‘Shumë po e zgjasni atë punë’.”

Agim Boriçi

Atentati ndaj Agim Boriçit

Tase rrëfeu tentativën për vrasjen e Agim Boriçit në vitin 2018 në një lokal në Fier. Fillimisht, ai bashkë me Henrik Hoxhën kanë shkuar në spital për ta ekzekutuar Gim Boriçin, por nuk e kanë gjetur.

Më pas ata shkuan drejt shtëpisë, për ta vrarë, ndërsa Gim Boriçi ka qenë duke pirë kafe bashkë me të vëllanë.

Të dy i shpëtuan atentatit, ndërsa Tase ka rrëfyer në GJKKO se teksa po qëllonte me breshëri ndaj tyre, i ngeci kallashi.

Më pas, në rol është futur edhe Henrik Hoxhaj, i cili ka qëlluar me pistoletë derisa i mbaruan plumbat, por vëllezërit Boriçi shpëtuan pa i kapur asnjë fishek.

“Gim Boriçin shkuam ta qëllonim tek spitali, por nuk e gjetëm, ishte larguar, në makinën e punës, ‘Reno Clio’ kishim edhe armët, ishim të pajisur dhe me maska si këto që përdor policia, pastaj shkuam tek shtëpia e tij, e pamë duke pire kafe me vëllain, Henriku tha :’Bëhu gati se qenkan të dy’. Ndaluam para lokalit, fillova të qëlloj, më ngeci kallashi. Henriku gjuajti me një pistoletë deri sa i mbaruan fishekët, ata nuk i kapi asnjë fishek”, tha Tase në GJKKO.

Më pas ai ka rrëfyer si dogjën mjetin, duke pësuar edhe vetë djegie në fytyrë e duar. “Dogjëm makinën pas atentatit diku tek shinat e trenit, u dogja dhe vet pak nga zjarri në fytyrë dhe duar, u larguam pastaj në shtëpi”, tregon Tase.

Fajin për atentatin që nuk u realizua, Henrik Hoxhaj ia la Skerdi Tases. “Kisha hedhur dorezat në një kosh plehrash pas atentatit ndaj Boriçit, edhe ato mu dogjën pak. Henriku më bënte mua fajtor që nuk u bë puna siç duhet. Henriku kishte frikë mos kishim lënë prova, por ‘Reno’, Renato Saliaj, i tha që të rrinim pa merak se s’kishin asgjë”, ka thënë Tase.

Atentati ndaj Hajredin Beharit

Në vijim, Skerdi Tase deklaroi se Hoxhaj kishte marrë përsipër edhe një tjetër atentat, ekzekutimin e Hajredin Beharit, i njohur si tregtar nafte. Shënjestra sipas tij, frekuentonte një lokal përballë shtëpisë dhe kishte një dyqan vajrash për makina.

Ai shtoi se Behari ishte lokalizuar në një bar pranë rrethrrotullimit të parkut në Fier. “Mora armën dhe shkova atje. Kur më pa, ai bërtiti dhe u shtri përdhe. Mendova se e qëllova, por pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit dhe hodha pistoletën në lumin Gjanicë”, rrëfeu Tasi.

Ai konfirmoi gjithashtu se atentati ishte porositur nga Viron Tavanxhi dhe se tentativa ishte realizuar në vitin 2018, edhe pse përgatitjet kishin nisur një vit më herët.

Ai ka treguar se si qëlloi me breshëri për ta vrarë Beharin, ndërsa ky i fundit është futur poshtë një tavoline për t’i shpëtuar plumbave.

Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes dhe armën tha se e kishin hedhur në lumin Gjanica. Por, ndërsa Behari i shpëtoi atentatit, Tase tregon përplasjen me Henrik Hoxhajn, i cili i ka bërtitur se përse nuk u krye vrasja.

“Qëllova një breshëri për të vrarë Aredin Behari, ai u fut poshtë një tavolinë, mendova se e kapën fishekët, pastaj u largova me priste “Riku” 100 metra më larg, un mendova e kam vrarë, kaluam mbi lumin Gjanica aty ku hodhëm dhe armën ‘scorpion’. Debatuam me Henrikun që nuk u krye vrasja, më tha pse e more përsipër kur se bëje dot, pasi Aredini kishte thënë emrin e porositësit në polici. Henrikun e pyeten në polici, dhe me tha qe kishte dale emri i porositësit (i referohet Albert Pashaj)”, ka dëshmuar Tase.

Akuzat

Henrik Hoxhaj, i akuzuar si “ushtar” i Nuredin Dumanit, u arrestua mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi Dumani kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.

Së bashku me Dumanin, ai është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.

Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.

Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.

The post ‘Plumbi i Artë’/ Skerdi Tase zbardh atentatet (e dështuara) në Fier, emrat e porositësve dhe si shpëtuan shënjestrat appeared first on Gazeta Si.

Godina e fundit në Theth do të shembet me tritol. Aktivistë nga Mirdita në mbështetje të banorëve

15 July 2025 at 11:02

Gazeta Si – Për herë të parë në Theth, do të përdoret shpërthimi me tritol. Mëngjesin e sotëm, forcat e IKMT dhe forcat xhenio të Forcave të Armatosura kanë mbërritur ne godinën e fundit për ta shembur.

Mbrëmë u shemb vetëm një shtëpize druri ndërsa sot, do të shembet një godinë 3 katëshe. Për këtë arsye kanë mbërritur edhe forcat xhenio të cilët po studiojnë objektin dhe po marrin masat për vendosjen e lendes plasëse. Në afërsi të ndërtesës është edhe shtëpia tjetër e familjes Çerkaj, me leje.

Ndërkohë, një grup qytetarësh nga Mirdita u nisën drejt Thethit, në solidaritet me banorët e zonës së Dukagjinit.

Nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, kjo iniciativë vjen si shprehje e mbështetjes për vëllezërit e gjakut në Shalë e Shosh, të cilët po përballen me sfida serioze që prekin jetesën, trashëgiminë dhe të ardhmen e tyre në këto treva historike.

Mirditorët u shprehën se ky udhëtim nuk është thjesht simbolik, por një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar dhe veprim konkret.

“Mirdita, ka qenë krah për krah me pjesën tjetër të Veriut në kohë vështirësish, sot rikonfirmon lidhjet e gjakut, të besës dhe të trashëgimisë kulturore me Dukagjinin. Mirdita nuk hesht. Mirdita qëndron krah Dukagjinit, në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe tokës që na rriti”, shprehen ata.

“Mirdita solidarizohet me Dukagjinin” – sepse jemi një, sepse bashkimi është forca jonë më e madhe.

The post Godina e fundit në Theth do të shembet me tritol. Aktivistë nga Mirdita në mbështetje të banorëve appeared first on Gazeta Si.

Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT për një infeksion të rëndë

15 July 2025 at 10:56

Gazeta Si – Që prej të shtunës së datës 12 korrik, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndodhet i shtruar në spital.

Sipas burimeve paraprake, Beqaj është shtruar me urgjencë në QSUT pasi kishte temperaturë të lartë dhe infeksion të rëndë në lëkurë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është ende e pastabilizuar.

Ish-ministri Beqaj mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit për dosjen SASPAC të abuzimit me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme për dosjen e “Sterilizimit”.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

SPAK i akuzon për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe shpërdorimit të detyrës.

The post Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT për një infeksion të rëndë appeared first on Gazeta Si.

Tragjedia / ‘Pse i fike motorët, pse?’ Ulërimat mes pilotëve të Air India para rrëzimit: Nuk e bëra unë!

15 July 2025 at 10:44

Gazeta Si – Pak para përplasjes së Boeing 787 të Air India, në kabinën e pilotimit ka pasur një “debat të ashpër” mbi arsyen pse motorëve u ishte ndërprerë furnizimi me karburant në një fazë kritike, duke i nxjerrë ata jashtë funksionit dhe duke shkaktuar rrëzimin e avionit. Njëri nga pilotët i ka kërkuar tjetrit — disa herë — “pse i fike?”, me një ton “dramatik dhe gjithnjë e më të dëshpëruar”.

Ky është një nga detajet më të rëndësishme që del nga dëgjimi i skedarëve audio të kutisë së zezë, sipas asaj që rrëfejnë për “Corriere della Sera” dy burime perëndimore në dijeni të përmbajtjes.

Raporti paraprak

Të njëjtat burime theksojnë se raporti paraprak — i hartuar nga autoritetet indiane — e ka anashkaluar plotësisht këtë moment, të konsideruar thelbësor për të kuptuar çfarë ka ndodhur në bord.

Po ashtu, kritikohet vendimi për ta reduktuar në vetëm një rresht e gjysmë — në një dokument prej 15 faqesh — shkëmbimin mes komandantit dhe zëvendëspilotit mbi arsyen e fikjes së motorëve, “kur biseda ka zgjatur disa sekonda dhe një pilot ka pyetur disa herë “pse i fikët?”, zbulojnë burimet.

Aksidenti

Fluturimi AI171 i Air India u rrëzua në periferi të Ahmedabad-it rreth tridhjetë sekonda pas ngritjes. Avioni ishte nisur drejt Londrës, në aeroportin Gatwick, Londër.

Aeroplani — me 242 persona në bord — kishte probleme me motorët që në çastet e para. Në përplasje humbën jetën 260 vetë: 241 mes pasagjerëve (vetëm një person i mbijetuar) dhe anëtarëve të ekuipazhit, si dhe 19 të tjerë që ndodheshin në mensën universitare mbi të cilën u përplas avioni (e jo 29 siç ishte komunikuar më parë).

Fikja e motorëve

Gjithçka në bord ndodhi me shpejtësi, konfirmon raporti paraprak. Tre sekonda pas ngritjes, ndërprerësit që kontrollojnë rrjedhën e karburantit janë zhvendosur njëri pas tjetrit nga “Run” në “Cut off’.

Dokumenti nuk saktëson se si janë zhvendosur. Burimet e konsiderojnë këtë një “veprim të qëllimshëm njerëzor”.

Zyra për hetimin e aksidenteve ajrore të Indisë — përgjegjëse për hetimin — nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e “Corriere”-s.

Pikat e errëta

Raporti nuk sqaron nëse ishte komandanti ai që e pyeti zëvendëspilotin nëse i kishte fikur motorët, apo anasjelltas.

Skedarët audio, sipas burimeve, janë në duart e autoriteteve indiane, të cilat e dinë, bazuar në katër “pista” zanore, se kush ka thënë çfarë. Por pyetja — “e drejtpërdrejtë, jo hezituese” — të lë të kuptosh se njëri prej pilotëve mund të ketë parë diçka. Kutia e zezë regjistron atë që përshkruhet si të bërtitura dhe përsëritjen e pyetjes “pse e bëre?”, e ndjekur nga “nuk kam qenë unë”.

Dhjetë sekonda

Debati dhe habia e përzier me tronditje, mund të shpjegojnë pse janë dashur disa sekonda për të rikthyer rrjedhën e karburantit në të dy motorët.

Dhjetë sekonda më vonë, një nga pilotët në kabinë rindez furnizimin e karburantit për motorin 1 (atë në të majtë), dhe katër sekonda më pas për motorin 2.

Një sekuencë që nuk konfirmon nëse ishte komandanti ai që u përpoq të shpëtonte situatën, pa sukses, apo zëvendësi i tij.

Po ashtu, nuk sqarohet se cili prej të dyve lëshoi alarmin e trefishtë “may-day”, gjashtë sekonda para përplasjes.

Buletini i vitit 2018

Raporti i autoriteteve indiane përmban disa pjesë të kritikuara nga përfaqësuesit perëndimorë, sepse — siç shpjegojnë ata — “fut elementë që krijojnë konfuzion”.

Si për shembull referenca ndaj një buletini informues të vitit 2018 të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) të SHBA-së lidhur me një “çaktivizim të mundshëm të mekanizmit të bllokimit të ndërprerësit të kontrollit të karburantit”, i cili megjithatë nuk përfaqësonte një “gjendje rreziku”, që të justifikonte masa më të rrepta.

Air India e ka zëvendësuar dy herë, pas vitit 2018, të gjithë konsolën qendrore ku ndodhen dy ndërprerësit.

Inspektimet

Hetuesit, në raportin paraprak, shkruajnë se deri tani nuk kanë gjetur prova që kërkojnë ndërhyrje në avionët Boeing ose në motorët GE Aerospace.

Por kjo ka mjaftuar për të krijuar alarme. Dhe për këtë arsye vetë FAA ka njoftuar ditët e fundit homologët ndërkombëtarë se dy levat “nuk përfaqësojnë një problem sigurie”.

Autoriteti rregullator i aviacionit të Indisë ka urdhëruar kompanitë ajrore vendase që të inspektojnë ndërprerësit në avionët 787 (si ai i përfshirë në aksident) dhe 737 “për të verifikuar ndonjë mosfunksionim në mekanizmin e bllokimit”. Air India ka nisur tashmë kontrollet, pa konstatuar deri më tani ndonjë problem.

Pa probleme të konstatuara

Edhe disa kompani ajrore të Lindjes së Mesme kanë filluar të inspektojnë flotat e tyre Boeing. “Oman Air” ka përfunduar kontrollet në ndërprerësit e karburantit të rreth dhjetë avionëve 787 dhe tani po kontrollon 737-at e flotës së saj, pa gjetur ndonjë problem.

“Royal Jordanian” ka përfunduar një kontroll vizual të levave në avionët e saj 787 dhe as aty nuk janë konstatuar ndonjë problematikë.

Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA), ka deklaruar se aktualisht nuk ka në plan inspektime të detyrueshme për modelin Boeing 787.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”

The post Tragjedia / ‘Pse i fike motorët, pse?’ Ulërimat mes pilotëve të Air India para rrëzimit: Nuk e bëra unë! appeared first on Gazeta Si.

Rusia ironizon Trumpin dhe kërcënon: Xhaxha Sam fryn flluska sapuni. Armët do flasin vetë!

15 July 2025 at 10:24

Gazeta Si – Fotoja e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, tregon një Xhaxha Sam me tiparet e Donald Trumpit, i cili me një armë lodër qëllon flluska sapuni drejt kullave të Kremlinit.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë shaka të zakonshme nga kanalet ultranacionaliste të Telegram-it, por për mënyrën se si agjencia “Ria Novosti”, një nga tre agjencitë shtetërore të lajmeve, ka vendosur të ilustrojë komentin e saj mbi njoftimin e bërë nga presidenti amerikan.

Titulli, edhe më thumbues, pasi është një citim i qartë i frazës që Trump i tha Volodymyr Zelenskit gjatë takimit të tyre të parë dhe të famëkeq në Shtëpinë e Bardhë: “Uashingtoni nuk ka kartat për të kërcënuar Moskën“.

Shkrimi vijon, i gjithi në vijën e ironisë: “Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar sërish — për të disatën herë! — politikën e tyre lidhur me furnizimin me armë të Ukrainës. Dje i furnizonin, sot jo, nesër ndoshta sërish. Strategjia jonë për të shtypur armatimet perëndimore dhe për të denazifikuar fizikisht Ukrainën po funksionon mirë dhe nuk ka arsye për ta braktisur atë. (…) Mbeten sanksionet, famëkeqet taksa doganore prej 500% që ligjvënësit amerikanë do të vendosin ndaj çdo vendi që blen hidrokarbure nga Rusia. Jo, nuk është një gabim shtypi apo një zero e tepërt: në planet e tyre janë vërtet taksa prej 500%… Blerësit tanë kryesorë sot janë India dhe Kina. A duan vërtet SHBA-të të shpallin një bllokadë tregtare ndaj këtyre vendeve gjigande? Do të jetë me të vërtetë interesante të shohim këtë spektakël…“.

Nëse ky është reagimi zyrtar nga mediat e kontrolluara nga presidenca dhe qeveria ruse, imagjinoni të tjerat.

“Veshët e Trumpit përkëdhelen nga elozhet e burokratëve amerikanë dhe ai duket i lumtur të nënshkruajë urdhrin ekzekutiv të nevojshëm, i stolisur me një dozë të mirë lajkash për mënyrën se si po e bën Amerikën sërish të madhe me një të rënë të stilolapsit. “Krenaria është padyshim mëkati im i preferuar”, thoshte personazhi i Al Pacinos në filmin “Avokati i djallit”.

Kështu flet nënkryetarja e Institutit shtetëror për kërkime dhe parashikime strategjike, Viktoria Fedosova, zakonisht e pozicionuar në linja më të moderuara.

Në të njëjtën vijë është edhe kanali Telegram, Rybar, që numëron një milion e gjysmë ndjekës: “Mali polli një mi të pafajshëm“.

Retorika amerikane për ruajtjen e paqes u zëvendësua, siç pritej, me deklarata për furnizimin e afërt me armë të reja për regjimin e Kievit. Nga llomotitja e zakonshme e Trump-it mund të kuptosh se Evropa do të paguajë për ndihmën.

E gjitha kjo forcon bindjen tonë: e rëndësishme për Rusinë është të kuptojë se në këto rrethana janë realitetet në fushën e betejës që përcaktojnë diplomacinë, dhe jo e kundërta“.

Qofshin nga skifterët e “partisë së luftës” apo nga “pëllumbat”, të gjitha reagimet janë në të njëjtën linjë, pasojë e refleksit pavlovian që aktivizohet gjithmonë në këto rrethana.

Me Rusinë, ultimatumet nuk funksionojnë, shkruan Izvestia, e jo më “para-ultimatumet”. Politika ngjitet mbi këtë krenari kombëtare me zellin e zakonshëm.

“Nxitoj të zhgënjej presidentin amerikan: aktualisht nuk tregtojmë pothuajse asgjë me SHBA-të, një qarkullim tregtar qesharak prej tetë miliardë dollarësh”, thotë Aleksej Zhuravlev, nënkryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Dumën ruse.

Në këtë kontekst, gati të çuditshme duken fjalët e kujdesshme të Kirill Dimitriev, “amerikani i Kremlinit” me studime në Harvard, figurë kyçe në negociatat me administratën amerikane, i cili kujton “nevojën për një dialog konstruktiv” me SHBA-të, duke theksuar se “retorika e presionit ndaj Rusisë” nuk funksionon më dhe se ka nevojë “të korrigjohen gabimet e bëra nga Biden”.

Dyshime të mëdha mbi sanksionet dytësore ka edhe një vëzhgues neutral, si Alexey Kalmykov, komentator ekonomik për shërbimin rus të BBC-së: “Nëse Trump i referohet Kinës si partneri kryesor tregtar i Rusisë, le të themi se ai e ka humbur tashmë këtë betejë. Trump e ka provuar më parë, por Pekini iu përgjigj ashpër dhe ia hoqi dëshirën. Kjo është një kërcënim pa peshë”.

Ndërkohë, kanali Telegram, “Insider”, që mbledh burime anonime nga Kremlini, pohon se presidenti po përgatit “një përgjigje të ashpër” ndaj Trumpit.

Por ndoshta, edhe kjo është vetëm propagandë. Kur gjërat janë të paqarta, ose e vendosin përballë një udhëkryqi, Vladimir Putin gjithmonë zgjedh të heshtë… dhe të presë.

Burimi: “Corriere della Sera”

The post Rusia ironizon Trumpin dhe kërcënon: Xhaxha Sam fryn flluska sapuni. Armët do flasin vetë! appeared first on Gazeta Si.

Tentoi të vriste me thikë një person në Korçë, kapet në Greqi pas 5 muajsh 39-vjeçari

15 July 2025 at 10:08

Gazeta Si – Një 39-vjeçar, Denis alias Denis Meçolli, u arrestua në Athinë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për një plagosje me thikë të ndodhur në Korçë.

Ndaj Meçollit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nën dyshimin se plagosi me thikë Ergys Shtyllën. 39 vjeçari akuzohet për veprat penale “vrasja me dashje e mbetur në tentativë”.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Korçës më 4 shkurt kur Meçolli goditi me thikë Shtyllën. Në dëshminë që ky i fundit dha për policinë tha se konflikti kishte nisur për shkak të shitjes së një makine.

Pas arrestimit në Greqi, kanë nisur procedurat për ekstradimin e 39 vjeçarit drejt Shqipërisë.

The post Tentoi të vriste me thikë një person në Korçë, kapet në Greqi pas 5 muajsh 39-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Shembet mes tensioneve të banorëve godina e fundit në Theth. Rama: Rilindja urbane 2.0

14 July 2025 at 21:34

Gazeta Si – Pas një aksioni që zgjati për më shumë se 7 ditë, mbrëmjen e së hënës është prishur dhe ngrehina e fundit e ndërtuar pa leje në zonën turistike malore të Thethit.

Edhe prishja e këtij objekti u shoqërua me protestën dhe kundërshtinë e pronarëve, të cilët pas disa orësh e panë të shembje nga ekskavatori i IKMT.

Pronarëve u ishte dhënë koha deri në orën 18:00 të ditës së sotme që strukturat t’i çmontonin vetë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe fadromat e IKMT-së kanë ndërhyrë natën për ta shembur.

Fillimisht pati rezistencë nga banorët, ku u tentua t’i bllokohej rruga fadromës dhe më pas rreth 30 banorë u ngujuan brenda godinës për të mos lejuar shembjen e objektit, ku mes tyre kishte edhe gra edhe fëmijë.

Gjithsesi, rezistenca e tyre nuk zgjati më shumë se një orë dhe ata u larguan paqësisht, pas një telefonate me pronarin e objektit, i cili ndodhej në Valbonë me një grup turistësh.

Sipas informacione, ai u ka kërkuar familjarëve të tij dhe banorëve të tjerë që të largohen për të mos rrezikuar jetën e askujt, duke qenë se është edhe natë.

Banorët kanë kërkuar një vendim gjykate që të justifikojë ligjërisht shembjen e ndërtesës, ndërsa janë ulur në rrugë për të bllokuar kalimin e mjeteve të IKMT-së.

Policia ka ndërhyrë duke krijuar një kordon sigurie dhe ka tentuar të largojë banorët, por situata mbeti për minuta e tensionuar.

Pavarësisht përpjekjeve për të nisur shembjen, familjarët janë futur brenda objektit, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e fadromës, deri sa më në fund u doreëzuan.

Në mbrëmje, kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga pastrimi i inerteve nga shembja masive e godinave pa leje në Theth.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE.

Kreu i qeverisë thekson se forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot- thekson Rama – Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale. Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama.

Ky aksion i IKMT-së, i cili ka zgjatur një javë, ka çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i Parkut Kombëtar.

The post Shembet mes tensioneve të banorëve godina e fundit në Theth. Rama: Rilindja urbane 2.0 appeared first on Gazeta Si.

Ultimatumi i Trump: I zhgënjyer me Putinin për Ukrainën, marrëveshje për 50 ditë ose tarifa 100%

14 July 2025 at 18:45

Gazeta Si – Të hënën, 24 korrik, gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë NATO-s “armë me cilësi të lartë dhe më të mirat në arsenalin e tyre”, e cila do të paguajë për to dhe nga ana tjetër do t’i dërgojë ato në Ukrainë, në mënyrë që të mund të mbrohet nga Rusia.

Diskutimet e tyre, u përqendruan tek lufta në Ukrainë. Trump është shprehur me kërcënim ndaj Rusisë, lidhur me situatën.

Presidenti i SHBA-ve, tha se Rusia do të përballet me tarifa shumë të ashpra, nëse brenda 50 ditëve nuk do të arrihet marrëveshja me Ukrainën.

Trump tha se Moska duhet ta rikthejë ekonominë e Rusisë në rrugën e duhur.

Ai u shpreh se Rusia ka “potencial të jashtëzakonshëm” dhe shtoi se duhet t’i përdorë burimet e saj për tregti dhe jo për luftë.

“Unë flas shumë me të”, thotë Trump për Presidentin e Rusisë Putin.

Ai thotë se bisedat janë shumë të këndshme, por shton se biseda “nuk do të thotë asgjë” pasi raketat godasin qytetet, raporton BBC.

Sakaq, Donald Trump thotë se është “shumë, shumë i zhgënjyer” me Rusinë dhe ka njoftuar planet për të dërguar armë “të nivelit të lartë” në Ukrainë , nëpërmjet NATO-s.

The post Ultimatumi i Trump: I zhgënjyer me Putinin për Ukrainën, marrëveshje për 50 ditë ose tarifa 100% appeared first on Gazeta Si.

Ku është ‘zhdukur’ udhëheqësi Xi Jinping dhe pse hesht media shtetërore! Çfarë po ndodh në Kinë?

14 July 2025 at 18:17

Nga Federico Fubini – Disa muaj më parë, Gao Shanwen, ekonomisti kinez që i kishte quajtur të dhënat ekonomike të vendit të tij të rreme, u zhduk në Pekin.

Jo, rritja aktuale nuk ishte 5% e deklaruar nga qeveria – kishte thënë Gao – por pak mbi 2%. Dhe jo, papunësia e të rinjve nuk ishte në nivelin më të lartë prej 17%, por rreth 40%. Pra, Gao ishte zhdukur dhe mbetet i tillë.

Ka kaluar pak kohë, por kurrë nuk e imagjinova se kinezi i radhës, zhdukjen e të cilit do ta raportoja, do të mbante emrin e Xi Jinping.

Po, ai: Sekretari i Partisë Komuniste, presidenti i Republikës Popullore dhe kryetari i Komisionit Qendror Ushtarak, që tani shërben një mandat të tretë të paprecedentë që nga koha e Mao Ce Dunit.

Ai u zhduk në moshën 72 vjeç. Pastaj, sigurisht, u rishfaq. Por nuk është normale që Xi të zhduket për dy javë, dy herë radhazi, midis majit dhe korrikut.

Është gjithashtu hera e parë që nga viti 2012 që Xi ka munguar në samitin vjetor të BRIC: ai nuk ishte në Brazil një javë më parë.

Edhe më pak normal është fakti që për tre ditë rresht – midis 2 dhe 5 qershorit – gazeta “People’s Daily” dhe agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua shmangën përmendjen e udhëheqësit të vendit në asnjë mënyrë.

Gjithashtu kurioze është rënia e ndjeshme – e vënë re nga vëzhguesit – në referencat ndaj “Mendimit Xi Jinping” si parimi udhëheqës i partisë në komunikimet e Këshillit të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme.

Çfarë po ndodh rreth udhëheqësit më të fuqishëm të ekonomisë më të madhe në botë (për sa i përket vëllimeve të prodhimit) që nga Deng Xiaoping?

Askush jashtë nuk mund ta dijë. Nuk ka aspak gjasa që Xi Jinping të bjerë siç ra Mikhail Gorbachev në gusht 1991. Por diçka po ndodh. Le të shohim.

Gjeneralët e zhdukur

Zhdukjet e papritura të figurave të larta në Pekin janë ekuivalenti kinez i rënies “aksidentale” të menaxherëve nga dritaret në Rusi.

Një nga rastet e fundit të dukshme ishte ai i Qin Gang, Ministër i Jashtëm deri më pak se dy vjet më parë dhe, para kësaj, ambasador kinez në Uashington.

Duket se krimi i tij ishte të kishte një marrëdhënie me një grua kineze që nuk ishte miratuar plotësisht nga partia, ndërsa ai jetonte në Shtetet e Bashkuara. Thashethemet e fundit sugjerojnë se ai u rishfaq së fundmi si zyrtar në bibliotekën qendrore të partisë në Pekin.

Por ajo që po i ndodh Xi Jinping dhe udhëheqjes ushtarake, ku ai është teorikisht udhëheqësi absolut, i përket një kategorie tjetër. Sepse në muajt e fundit, dhe me intensitet në rritje midis fundit të pranverës dhe verës, kanë ndodhur shumë ngjarje të pazakonta.

– Brenda ushtrisë, disa figura të larta që historikisht konsiderohen shumë të afërta me Xi Jinping i janë nënshtruar disa spastrimeve.

– Vetë udhëheqësi u zhduk publikisht, së pari midis 21 majit dhe 5 qershorit dhe më pas midis 24 qershorit dhe 7 korrikut.

– Në samitin e BRICS në Brazil, një grup udhëheqësish nga vendet në zhvillim që vetë Xi i ka ushqyer gjithmonë personalisht, udhëheqësi kinez për herë të parë u tërhoq nga eventi, duke përmendur “mbivendosje të rendit të ditës” (ai dërgoi Kryeministrin Li Qiang në vendin e tij).

– Së fundmi, siç u vu re nga kanali indian News 18 (i cili vepron në bashkëpunim me CNN), për tre ditë të gjata gjatë zhdukjes së Xi në fillim të qershorit, media zyrtare e partisë nuk e përmendi fare udhëheqësin e tyre.

Çuditërisht, apo jo?

Katër të dhëna nuk janë të mjaftueshme për të dekretuar fundin ose rënien e pushtetit të Xi, i cili tani është në gjysmë të mandatit të tij të tretë dhe teorikisht i kualifikuar për rizgjedhje për një kohë të pacaktuar.

Por ka mjaftueshëm të dhëna për të dyshuar se vështirësitë e zgjatura ekonomike dhe rezultatet kontradiktore të negociatave të tarifave me Shtetet e Bashkuara të Donald Trump po prodhojnë – ndoshta për herë të parë – një dobësim të Xi-së.

Spastrimet në nivelet më të larta të pushtetit në Kinë janë duke vazhduar dhe Xi Jinping ishte i pari që iu drejtua atyre për të ushtruar pushtetin e tij.

Edhe këtë herë, vendimi për të larguar dhe ndëshkuar gjeneralë të caktuar mund të jetë i tij, megjithatë ai ka të bëjë me besnikët që vetë Xi i kishte vendosur në ato pozicione.

Një analist kinez për Korporatën Australiane të Transmetimeve (ekuivalenti i BBC-së në Australi) vuri në dukje së fundmi se Gjenerali He Weidong, gjenerali i dytë më i lartë në ushtri dhe bashkë-nënkryetar i Komisionit të fuqishëm Qendror Ushtarak, nuk është shfaqur në publik që nga 11 marsi.

Sa i përket kolegut të tij, Xu Qiliang, ai zyrtarisht vdiq më 2 qershor në moshën relativisht të re, 75 vjeç, në rrethana që nuk janë shpjeguar kurrë saktësisht. Vdekja e tij ndodhi në të njëjtat ditë gjatë të cilave “People’s Daily” dhe Xinhua kishin ndaluar së raportuari për Xi.

Cilët ishin këta dy gjeneralë? Tek He Weidong dhe Xu Qiliang, Xi Jinping dukej se kishte gjetur dy burra të besuar për të konsoliduar kontrollin e tij mbi ushtrinë.

Spastrimet e mëparshme brenda ushtrisë në muajt e fundit kishin përfshirë Shefin e Shtabit të Marinës Li Hanjun, ish-gjeneralin e lartë Liu Shipeng (atëherë kreu i Korporatës Kombëtare Bërthamore të Kinës) dhe një gjeneral tjetër dhe anëtar të Komisionit Qendror Ushtarak të quajtur Miao Hua.

Gjenerali Lin Xiangyang, kreu i Komandës së Kuadrantit Lindor, gjithashtu dha dorëheqjen së fundmi.

Akuzat janë pothuajse gjithmonë të njëjta: “Shkelje të dyshuara serioze të disiplinës dhe ligjit”, pra, korrupsion.

Është një nga mjetet që Xi Jinping ka përdorur për të konsoliduar pushtetin e tij gjatë viteve, dhe është e mundur që ai vetë urdhëroi spastrimet e popullit të tij, paranojak si të gjithë perandorët nga frika e tradhtisë.

Por një tjetër mundësi është që ata gjeneralë që kishin qenë gjithmonë pranë udhëheqësit të jenë shkarkuar nga njeriu që – me të, ose ndoshta tani mbi të – është më i fuqishmi në Kinë: Zhang Youxia (foto më poshtë me Vladimir Putinin).

Shoku i Fëmijërisë

Kush është Zhang? Për Xi-në, ai është një shok i përjetshëm; gjenerali me gradën më të lartë në parti, i cili kontribuoi në mënyrë vendimtare në rizgjedhjen e tij të tretë në vitin 2022.

Por Zhang Youxia është gjithashtu armiku më i ngushtë i Xi-së. Një video tregon (minuta e katërt) se si, në një plenum të rëndësishëm të partisë këtë vit, Zhang Youxia kthen shpinën dhe as nuk shqetësohet ta përshëndesë Xi Jinping, ndërsa një vit më parë ai i ishte drejtuar atij me servilizëm dhe i kishte bërë homazhe.

Zhang Youxia është komandanti më i lartë ushtarak i partisë dhe nënkryetari (i dyti vetëm pas Xi-së) i Komisionit Qendror Ushtarak.

Babai i Xi-së dhe babai i Zhang-ut luftuan së bashku në revolucion përkrah Maos; prandaj është shumë e mundshme që të dy – të cilët janë pothuajse të njëjtën moshë – ta kenë njohur njëri-tjetrin që nga fëmijëria.

Por tani, ndër levat e tjera të pushtetit, Zhang kontrollon edhe zyrën që siguron sigurinë personale të Xi Jinping-ut, duke e bërë në një farë mase udhëheqësin e partisë një peng të mundshëm. Spastrimet në ushtri mund të jenë iniciuar nga Xi kundër Zhang-ut ose nga Zhang kundër Xi-së.

Këto me siguri tregojnë për paqëndrueshmëri në krye të Pekinit, një dobësim dhe vënie në pikëpyetje të pushtetit të pakontestueshëm të Sekretarit.

Nuk ka kaluar pa u vënë re që gjatë mungesës së Xi në maj-qershor, u mbajt një aktivitet i Këshillit të Shtetit që – në mënyrë të paprecedentë – nuk e përmendi Xi-në.

Pse na shqetëson e gjithë kjo? Ne kemi diskutuar tashmë vështirësitë dhe kontradiktat e ekonomisë kineze, plotësisht e pabalancuar drejt prodhimit të orientuar drejt eksportit, por e paaftë për të mbështetur konsumin e brendshëm dhe punësimin e të rinjve.

Tani, përshkallëzimi i tensioneve tregtare nën Donald Trump vetëm sa e ndërlikon situatën. Në këtë sfond, nuk është për t’u habitur që lidershipi i Xi-së po vihet në pikëpyetje në krye të partisë dhe shtetit: ai është treguar i paaftë për të ribalancuar ekonominë, për të mbështetur të ardhurat e familjeve ose për të hequr mbeturinat e flluskës së tmerrshme të pasurive të paluajtshme që shpërtheu vite më parë.

Fraksione të tjera në Pekin do të duan të qërojnë hesapet me të, jo më pak reformistët e moderuar që mbështetën ish-Presidentin Hu Jintao, të cilin vetë Xi e poshtëroi publikisht në vitin 2022.

A do të thotë kjo se Xi Jinping është gati të humbasë zyrtarisht pushtetin? Ndoshta jo; ai mbetet një kafshë politike me nëntë jetë. Por ia vlen të shikohen hapat e mëtejshëm.

Burimi: “Corriere della Sera”

The post Ku është ‘zhdukur’ udhëheqësi Xi Jinping dhe pse hesht media shtetërore! Çfarë po ndodh në Kinë? appeared first on Gazeta Si.

‘Veteranët’, dënohet me 1 vit burg ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku dhe 9 të tjerë

14 July 2025 at 17:50

Gazeta Si – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me nga një vit burg secilin ish-kryeministrin e vendit, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”, ndërsa i ka liruar plotësisht nga akuzat dy të tjerë.

Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, pastaj Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u gjetën fajtorë për keqpërdorim të detyrës duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme në vlerë mbi 88 milionë euro.

Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj u shpallën të pafajshëm për akuzat e njëjta.

Gjykatësi Gazmend Bahtiri tha se Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj lirohen nga akuza “pasi nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar”.

Bahtiri shtoi se pas administrimit të provave personale dhe materiale, përtej dyshimit të bazuar mirë, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale, raporton Betimi për Drejtësi.

Ky rast u kthye në rigjykim më vendim të Gjykatës së Apelit në vitin 2022, pasi Gjykata Themelore i kishte liruar nga akuzat që të gjithë 12 të pandehurit në vitin 2021.

Sipas prokurorëve, numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga statusi i veteranëve mund të jetë deri në 19 mijë njerëz.

Bahtiri shtoi se Gjykata nuk ka mundur ta identifikojë secilin prej 19 mijë e 500 aplikacioneve për statusin e veteranit, andaj vlerëson se duhet të shqyrtohet procedura përkatëse pastaj të merret vendim se a gëzojnë statusin e veteranit apo jo.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shfrytëzuan detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të shtetit./REL/

The post ‘Veteranët’, dënohet me 1 vit burg ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku dhe 9 të tjerë appeared first on Gazeta Si.

GJKKO dënon me 2 vite e 4 muaj burg ish-shefin e Antidrogës, Gazmir Preçi

14 July 2025 at 17:33

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar këtë të hënë me 2 vite e 4 muaj burgim ish-shefin e Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi, i akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Po ashtu, atij i ndalohet që të kryejë funksione publike për pesë vite.

Fillimisht Preçi ishte dënuar me 3 vite e 6 muaj burg, mirëpo për shkak të gjykimit të shkurtuar, koha e kryerjes së dënimit i është reduktuar me 1 vit.

Vuajtja e dënimit për Preçin, do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

Ish-shefi i Antidrogës në Durrës, u vu në pranga në gusht të vitit 2024, pasi akuzohet se nëpërmjet presionit për mbylljen e biznesit i ka marrë 10 mijë euro pronarit të një lokali nate. Në këtë lokal ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.

The post GJKKO dënon me 2 vite e 4 muaj burg ish-shefin e Antidrogës, Gazmir Preçi appeared first on Gazeta Si.

Një vit më parë iu sekuestruan rreth 2 mln euro pasuri, 37-vjeçarit i konfiskohet edhe makina ‘Lamborghini’

14 July 2025 at 13:42

Gazeta Si – Prokuroria e Fierit, ka njoftuar sekuestrimin e automjetit luksoz tip “Lamborghini” në pronësi të Arbër Muçës, një personazhi të njohur të botës së krimit, të cilit një vit më parë iu sekuestrua pasuria me vlerë 2 milionë euro.

Mësohet se mjeti “Lamborghini Urus Mansory” u soll në Shqipëri nga Dubai me anë të personave të tretë, të cilët nuk janë bërë publikë nga prokuroria.

Hetimet ndaj Arbër Muçës, 37 vjeç, kanë nisur që në vitin 2020, nën dyshimet për përfshirje në aktivitete të paligjshme dhe pastrim të parave.

Një vit pasi iu sekuestrua pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, ku përfshiheshin mijëra hektarë tokë, apartamente, vendparkim, 12 makina dhe llogari bankare, një 37-vjeçari në Fier, i është konfiskuar edhe një automjet luksoz.

Sipas autoriteteve shqiptare 37-vjeçari dyshohet se i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë Shqipërisë.

Pasuritë e sekuestruara të Arbër Muçës:

2 sipërfaqe toke arë, në total 6831 m2, në Fier

3 sipërfaqe toke truall, në total 630 m2, në Fier

Njësi shërbimi me sipërfaqe 200 m2, në Fier

Njësi 2 kate me sipërfaqe 625 m2, në Fier

Njësi me sipërfaqe 100 m2, në Fier

The post Një vit më parë iu sekuestruan rreth 2 mln euro pasuri, 37-vjeçarit i konfiskohet edhe makina ‘Lamborghini’ appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Një krim shtetëror në Theth! Të ndërpritet terrori ndaj banorëve

14 July 2025 at 13:31

Gazeta Si – Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi sërish kryeministrin Rama, duke e cilësuar shembjen e banesave në Theth sërish “një krim shtetëror”. Kryeministrin Edi Rama, ai e quajti “armik të shpallur të Veriut në 12 vite të qeverisjes”.

“Edi Rama u soll ndaj Thethit si një shkatërrimtar, shfrytëzoi pabesinë, mashtrimin dhe ka dëmtuar më shumë se çdo pushtues tjetër gjer sot, atë zonë. Po të heqim Rrugën e Arbrit gjatë qeverisjes sonë, investimet janë të barabarta me ato të një rrethi të vetëm të kategorisë së tretë. Shikoni ç’ndodh me autostradën Milot-Lezhë, autostradë e vdekjes, ndodhin aksident pas aksidenti. Pas Rrugës së Kombit, është rruga me trafikun më intensiv në vend. Ky e urren veriun, e urren Shkodrën!”, tha kreu i PD-së.

Më tej, shtoi se e vetmja gjë që ka bërë është se “riinauguron akset rrugore të nisura nga qeveria e dikurshme”.

“Dënoj me forcën më të madhe aktet e krimit shtetëror të kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndëprerjen e menjëhershme të këtij terrori. Dëmshpërblim për banesat e prishura të premtuara që do legalizohen nga Edi Rama. I ka me zë dhe figurë premtimet e tij!”, deklaroi Berisha.

The post Berisha: Një krim shtetëror në Theth! Të ndërpritet terrori ndaj banorëve appeared first on Gazeta Si.

Mashtrim me ‘Call-Center’, kapet në Tiranë anëtari i grupit të Amant Josifit. Po përdorte celularin në timon

14 July 2025 at 13:02

Gazeta Si – Një 37-vjeçar, i identifikuar Ndriçim Sula, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për “mashtrim me pasoja të rënda”, është arrestuar në Tiranë krejt rastësisht.

Sula u ndalua këtë të hënë nga Policia Rrugore e Tiranës duke përdorur celularin gjatë drejtimit të makinës.

Por pas verifikimeve, rezultoi se Ndriçim Sula ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle, si pjesë e organizatës kriminale të Amant Josifit, për mashtrim me “Call-Center”-a.

Më konkretisht, 37-vjeçari akuzohet si pjesë e grupit të Amant Josifit, i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga disa shtete për mashtrim me dëm 2.4 miliardë euro nëpërmjet “Call-Center”-ave.

Aktualisht Josifi dyshohet se është arrestuar në Dubai, ndërsa më parë Josifi ka punuar si këshilltar i Olta Xhaçkës gjatë kohës që kjo e fundit drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Gjykata e Seu de Urgell, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Pas arrestimit të Sulës, policia tha se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës.

The post Mashtrim me ‘Call-Center’, kapet në Tiranë anëtari i grupit të Amant Josifit. Po përdorte celularin në timon appeared first on Gazeta Si.

Ambasadori i BE, Gonzato: Duhen ndërtuar ura mes gjykatave

14 July 2025 at 11:49

Gazeta Si – Gjatë aktivitetit “Jurisprudenca në Gjykatën Kushtetuese”, ku të pranishëm ishin kryetarja e kësaj Gjykate Holta Zaçaj, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ambasadori i BE, Silvio Gonzato, tha se Udhërrëfyesi i ri është fuqizues, përtej informacionit që ofron.

“Gjykata Kushtetuese ka krijuar një trupë të pasur dhe komplekse jurisprudence që ka mbrojtur të drejtat themelore dhe ka kontribuar në reformën në drejtësi. Për ta kuptuar, këto sfida me të cilat përballen profesionistët nuk kanë të bëjnë vetëm me kuptimin e përmbajtjes së vendimeve, por interpretimin e tyre në kohë dhe zbatimin praktik. Prandaj vlen ky udhërrëfyes, sepse përfaqëson një përgjigje të fortë ndaj këtyre sfidave. Ky udhërrëfyes ofron një bazë praktike njohurish për të nxënit e vazhdueshëm gjyqësor”, tha ai.

Ai nënvizoi faktin se duhet dialog e transparencë e vazhdueshme ndërmjet institucioneve të drejtësisë.

“Kjo që vendimet e formës së prerë të përmbushin standardet dhe të rrisin besimin. Duke ndërtuar ura mes gjykatave dhe një gjuhë të përbashkët për këto institucione. Drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por qytetarët duhet ta shohin, ta kuptojnë e të kenë besim”, tha Gonzato. Vetëm kështu, theksoi ai, anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të shihet si një mundësi transformuese.

The post Ambasadori i BE, Gonzato: Duhen ndërtuar ura mes gjykatave appeared first on Gazeta Si.

❌
❌