Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Main stream

Andia Ulliri kërkon mandatin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, nis mbledhja në KAS!

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:56

Komisioni i Ankesave dhe Sanksione ka nisur mbledhjen e ditës së sotme me pikën e parë të rendit të ditës, shqyrtimin e ankimimit të kandidates së PD-së për zgjedhjet e 11 majit për qarkun Durrës, deputetes aktuale Andia Ulliri, e cila nuk u rizgjodh dot nga lista e hapur për legjizlaturën e ardhshme.

Kandidatja ka kërkuar që të zbatohet Kodi Zgjedhor për kuotën gjinore, dhe t’i jepet asaj mandati i deputetes që e ka fituar ish-prokurori i shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja.

Ulliri u përfaqësua në këtë mbledhje nga mbrojtësi i saj ligjor Indrit Sefa, i cili deklaroi se duhet të respektohet Kodi Elektoral për kuotat gjinore, pasi vihet re se në listat e mbyllura, jo vetëm në Durrës por edhe qarqe të tjera, nuk është respektuar.

Ai tha se në raste si lezha ka vetëm burra në listat e mbyllura dhe se mandati në Durrës i takon kandidates Ulliri, pasi nga 5 fituesit e listës së mbyllur aty gjendet vetëm një grua dhe sipas kuotës 30%, emri i radhës, pra i gjashti, i takon pikërisht Ullirit.

Përfaqësuesit e KQZ u shprehën kundër, duke deklaruar se është bërë shpërndarja e mandateve sipas listave përkatëse, të mbyllura dhe të hapura në listë rendore, apo fituese./E.T

Kodi i ri Penal, 2 vite burg kush lëviz me makinë pa i bërë kolaudimin

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:52

Sesioni i ri parlamentar në shtator do të nisë me diskutimet për Kodin e ri Penal, i prezantuar së fundmi nga Ministria e Drejtësisë.

Mes shumë neneve të propozuara, përfshihen ndryshime për kontrollin teknik të mjeteve.

Në nenin e draftit të Kodit të Ri Penal thuhet se moskryerja e kontrollit teknik të mjeteve motorike apo në kundërshtim me ligjin do të konsiderohet kundërvajtje penale që dënohet me gjobë deri në dy vite burg.

“Moskryerja e procedurave të kontrollit teknik të mjeteve motorike, apo kryerja e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, nga personi i cili ka për detyrë ta kryejë atë, kur kanë krijuar apo përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë e njerëzve gjatë qarkullimit rrugor ose, kur kanë sjellë ndotjen tej normave të lejuara të ajrit, ujërave apo tokës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”-thuhet në nen.

Pas tërmetit 8.8 ballë në Rusi, shpërthen vullkani Klyuchevskoy, reja e hirit arrin 3 km

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:50

Vullkani Klyuchevskoy në Rusi shpërtheu dhe hiri i tij arriti deri në 3 kilometra mbi nivelin e detit, sipas Ekipit të Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike të Kamchatka-s (KVERT), të Institutit të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë të Akademisë ruse të Shkencave, pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë goditi rajonin.

“Deri në këtë kohë, reja e hirit është përhapur 58 kilometra në lindje të vullkanit. Vullkani vazhdon të shpërthejë në majë. Emetimet e hirit në lartësi deri në 8 kilometra mbi nivelin e detit mund të ndodhin në çdo kohë. Aktiviteti i vazhdueshëm mund të ndikojë në fluturimet në lartësi të ulët”, thuhet në deklaratë, sipas Interfax.

KVERT raportoi gjithashtu se “krateri i vullkanit është pothuajse i mbushur me llavë dhe priten rrjedha llave”.

Një kod paralajmërimi portokalli për aviacionin është lëshuar, por fluturimet ndërkombëtare nuk kalojnë nëpër zonën e Klyuchevsky-t.

Vullkani Kluchevskaya Sopka, i njohur edhe si Kluchevskoy, ndodhet në Kamchatka, e cila gjeologjikisht i përket Unazës së Zjarrit të Oqeanit Paqësor.

Është maja më e lartë në Siberi dhe vullkani më i lartë aktiv në Euroazi, duke arritur një lartësi prej 4,750 metrash. Vullkani është pjesë e monumentit natyror të Vullkaneve Kamchatka, i cili është njohur si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Është një vullkan, i formuar rreth 7,000 vjet më parë nga shpërthimet e njëpasnjëshme të llavës, hirit dhe materialeve të tjera vullkanike.

Forma e tij klasike konike e bën atë një tipar mbresëlënës në peizazh, ndërsa aktiviteti i tij intensiv e rendit atë midis vullkaneve më aktive në botë./E.T

Fatos Klosi flet për rënien e Metës: PL do të shpërbëhet, u kthye në një parti familjare

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:34

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, komentoi arrestimin dhe paraburgimin e ish-presidentit Ilir Meta, si dhe ndikimin që kjo ngjarje ka në politikën shqiptare dhe të ardhmen e Partisë së Lirisë. Klosi, një ish-bashkëpunëtor i afërt i Metës, shprehu keqardhjen për gjendjen në të cilën ndodhet ish-presidenti, por nënvizon se fjalën e fundit për fajësinë ose pafajësinë do ta japë gjykata.

“Si bashkëpunëtor i tij, më vjen keq që përfundoi në gjendjen e sotme,” tha Klosi për gazetën “SOT”, duke komentuar situatën e Metës, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim për akuza të rënda si afera CEZ-DIA dhe lobimi i dyshimtë në SHBA.

Në lidhje me pretendimet e Metës se është tradhtuar nga njerëzit e tij në LSI dhe se nuk ka hedhur asnjë firmë që ta implikojë, Klosi deklaron se duhet të presim vendimin e formës së prerë.

“Për t’i dhënë përgjigje problemit, duhet të presim vendimet e gjykatës së formës së prerë.Uroj që ai të jetë në gjendje ta mbrojë veten nga akuzat që i bëhen”, tha ai.

I pyetur nëse rënia politike dhe ligjore e Ilir Metës është një simbol i përfundimit të tranzicionit politik shqiptar, Klosi është i prerë që jo.

“Jo, sipas meje, tranzicioni politik shqiptar do të mbyllet me pranimin në Bashkimin Europian,” u shpreh ish-kreu i SHISH.

Klosi foli edhe për të ardhmen e Partisë së Lirisë, duke dhënë një parashikim aspak optimist. Sipas tij PL pritet të shpërbëhet.

“Kjo parti, pas krijimit të saj, u kthye në një parti familjare, të cilën unë në Kongresin e ndarjes e quajta ‘Një SHPK me pak aksionerë’. Nuk besoj se ka të ardhme!”, tha ai.

Në vijim, Klosi ndalet te puna e SPAK dhe perceptimi publik për këtë institucion.

“Vlerësimin e punës së SPAK do ta bëjë gjykata, nuk është punë që mund ta bëjmë ne. SPAK nuk duhet të ketë merak balancat politike-Bibla e tij është ligji dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara tij”, u shpreh Klosi.

Së fundmi, ai foli dhe për konceptin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe nëse vendi është më në fund në rrugën drejt drejtësisë së vërtetë. Klosi tha se momentin do ta quaj të ardhur kur për ngjarjet e sotme të mos flitet më dhe ato të jenë harruar.

“Sigurisht, fenomeni i pandëshkueshmërisë ka filluar të preket dhe unë uroj që të mos e konsiderojmë eksperiment, por të përdorim eksperiencën e atyre që janë para nesh në këtë fushë. Momentin do ta quaj të ardhur kur për ngjarjet e sotme të mos flitet më dhe ato të jenë harruar. Kjo do të dojë dhe ca kohë, të paktën sa të mbarojnë gjyqet e çështjeve të hapura”, u shpreh Klosi./E.T

Tritol për borxhe, policia zbardh ngjarjen në Rrugën e Durrësit, pranga 46-vjeçarit

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:29

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 18 korrik ku u vendos lëndë plasëse në një lokal në Rrugën e Durrësit, duke vënë në pranga 46-vjeçarin Hysni Lila. Hysni Lila është pronari i motomjetit që ka përdorur autori i dyshuar në vendosjen e tritolit te rruga e Durrësit.

Përpara hetuesve ai nuk ka pranuar që të tregojë emrin e autorit të dyshuar. Sipas tij motorin e ka shitur ndërsa në një tjetër dëshmi ka thënë që e ka dhënë në përdorim tek një person tjetër.

Pista kryesore e policisë janë borxhet. Pronari i lokalit i kishte borxhe tek personat e tjerë rreth 50 mijë euro, çka sipas policisë mos shlyerja e borxheve dyshohet si shkak për vendosjen e tritolit.

Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./E.T

Qeveria miraton skemën, 5 metër kub ujë falas për familjet në nevojë! Kush përfiton

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:17

Qeveria ka miratuar metodologjinë e re për subvencionimin e konsumit të ujit për familjet në nevojë. Skema parashikon që përfituesit e ndihmës ekonomike dhe kategori të tjera sociale të mbështeten me mbulimin e plotë të konsumit jetik që përllogaritet deri në 5 m³ ujë në muaj, së bashku me tarifën fikse dhe kostot për kanalizimet e trajtimin e ujërave të ndotura.

Zbritja aplikohet automatikisht në faturat mujore dhe pa nevojë për aplikim nga qytetarët. Shoqëritë ujësjellësve janë të detyruara të zbatojnë skemën, teksa ngarkohet AKUK (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve) që të kontrollojë përdorimin e fondeve publike. Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në vështirësi dhe të garantojë akses të barabartë në një shërbim jetik siç është uji i pijshëm.

SI DO NDAHEN PARATË

Në thelb, metodologjia e publikuar në Fletoren Zyrtare parashikon që shteti të mbulojë konsumin bazë të ujit për disa kategori familjesh në nevojë, në një sasi prej deri në 5 metër kub në muaj për çdo kontratë, së bashku me tarifën fikse, atë të kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane. Ky është një ndryshim i rëndësishëm i bërë në metodologji për mënyrën se si jepet subvencioni i ujit të pijshëm. Skema përfshin të gjitha familjet që përfitojnë nga ndihma ekonomike sipas legjislacionit në fuqi, por edhe kategori të tjera sociale, si personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit pa mbështetje apo individë në kushte të vështira.

Në total, bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm përfituesish, të cilët nga muaji janar i këtij viti kanë filluar të ndiejnë ndikimin e kësaj mase në buxhetin e tyre familjar pasi skema është implementuar nga viti i shkuar. Ajo që e bën këtë skemë edhe më efektive është fakti se zbatimi i saj bëhet automatikisht. Çdo muaj, bashkitë i dërgojnë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve listat e individëve përfitues, dhe këto të fundit janë të detyruara të aplikojnë uljen përkatëse në faturat mujore të ujit. Qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë apo të paraqesin dokumente – ndihma vjen pa burokraci, në mënyrë të organizuar dhe të drejtë. Por përtej lehtësimit të drejtpërdrejtë financiar, skema synon të garantojë një standard minimal jetese për të gjithë.

Uji i pijshëm, i konsideruar si një e drejtë bazë e njeriut, merr në këtë rast trajtën e një politike sociale konkrete, e cila ndihmon në mbrojtjen e shëndetit dhe dinjitetit të familjeve më të brishta. Sipas metodologjisë, subvencioni jepet vetëm një herë për çdo familje, edhe nëse ka më shumë se një anëtar që përmbush kriteret. Për më tepër, shoqëritë e ujësjellëskanalizimeve që nuk kanë nënshkruar kontratën e performancës me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve nuk do të rimbursohen nga shteti, por mbeten të detyruara të zbatojnë zbritjen për qytetarët./E.T

Rama ndan pamjet nga ura e re e Bahçallëkut/ I jep qendrës së veriut një hyrje dinjitoze

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:13

Punimet për zgjerimin e rrugës dhe urën e re të Bahçallëkut në hyrje të Shkodrës po avancojnë me ritme të shpejta.

Ky projekt infrastrukturor, që nis nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bahçallëkut, është një investim i rëndësishëm për të ofruar një hyrje dinjitoze për qytetin e Shkodrës dhe rajonin e veriut.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga kantieri i punës, duke theksuar progresin e shpejtë të realizimit të këtij projekti, që përfshin zgjerimin e rrugës dhe ndërtimin e këmbëve të urës.

“Ky është një investim i rëndësishëm infrastrukturor i qeverisë që i jep qendrës së veriut një hyrje dinjitoze”, shkruan kryeministri./E.T

Uria në Gaza, figura publike izraelite bëjnë thirrje për sanksione ndaj Izraelit

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:05

Një grup figurash publike izraelite të profilit të lartë, përfshirë akademikë, artistë dhe intelektualë publikë, kanë bërë thirrje për vendosjen e “sanksioneve shkatërruese” nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Izraelit, mes tmerrit në rritje për urinë e Gazës .

31 nënshkruesit e letrës së publikuar në “Guardian” përfshijnë fituesin e çmimit të Akademisë, Yuval Abraham; ish-prokurorin e përgjithshëm izraelit, Michael Ben-Yair; Avraham Burg, ish-kryetar i parlamentit të Izraelit dhe ish-kreu i Agjencisë Hebraike; dhe një numër marrësish të çmimit prestigjioz të Izraelit, nderi më i lartë kulturor i Izraelit.

Shifrat vijnë nga bota e poezisë, shkencës, gazetarisë dhe akademisë, dhe letra akuzon Izraelin se “i ka vrarë njerëzit e Gazës nga uria dhe po mendon për largimin me forcë të miliona palestinezëve nga Rripi i Gazës”.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosë sanksione shkatërruese ndaj Izraelit derisa të përfundojë këtë fushatë brutale dhe të zbatojë një armëpushim të përhershëm”, vijon letra.

Një organizatë bamirëse shpërndan ushqime për palestinezët që përballen me mungesë ushqimi për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite.

Letra është e rëndësishme si për kritikat e saj të hapura ndaj Izraelit, ashtu edhe për thyerjen e tabusë së miratimit të sanksioneve të rrepta ndërkombëtare, në një vend ku politikanët kanë promovuar ligje që synojnë ata që mbështesin masa të tilla.

Midis nënshkruesve të tjerë janë piktori Michal Na’aman; Ra’anan Alexandroëicz, një regjisor dokumentarësh i vlerësuar me çmime; Samuel Maoz, regjisori i filmit fitues të çmimit Luani i Artë, Lebanon; poeti Aharon Shabtai dhe koreografi Inbal Pinto.

Tmerri në rritje ndërkombëtar mbi trajektoren e luftës së Izraelit në Gaza po reflektohet gjithnjë e më shumë brenda vetë Izraelit – dhe brenda diasporës më të gjerë globale hebraike – mes imazheve të fëmijëve të dobësuar palestinezë dhe raporteve për të shtënat nga forcat izraelite ndaj palestinezëve të uritur në qendrat e shpërndarjes së ushqimit.

Letra u botua ndërsa u njoftua se më shumë se 60,000 palestinezë ishin vrarë në luftën 21-mujore Izrael-Gaza , sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës.

Të hënën, dy grupe të njohura izraelite për të drejtat e njeriut, B’Tselem dhe Physicians for Human Rights Israel, publikuan raporte duke vlerësuar për herë të parë se Izraeli po kryente një politikë “gjenocidale” kundër palestinezëve në Gaza, duke thyer një tjetër tabu./E.T

Malta lajmëron njohjen e shtetit të Palestinës në Asamblenë e OKB në shtator

By: Ke Si
30 July 2025 at 11:01

Malta do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, njoftoi të martën në mbrëmje kryeministri Robert Abela.

Deklarata, e bërë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, e pozicionon Maltën përkrah një numri gjithnjë e në rritje të vendeve evropiane që kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm në muajt e fundit në mbështetje të shtetësisë palestineze. Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, zbuloi planet e Britanisë për të bërë të njëjtën gjë dhe disa ditë pasi Franca premtoi gjithashtu njohjen.

“Qëndrimi ynë pasqyron angazhimin tonë ndaj përpjekjeve për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, shkroi Abela në Facebook, menjëherë pasi një demonstratë pro-palestineze u mbajt në Valeta, duke protestuar kundër situatës së vazhdueshme në Gaza.

 

 

Qeveria malteze është përballur me presion të brendshëm në rritje për të ndërmarrë këtë hap. Në maj, eurodeputeti laburist Alex Agius Saliba kërkoi publikisht njohjen, e ndjekur javën e kaluar nga një thirrje e ngjashme nga ish-ministri Edward Zammit Lewis. Partia Nacionaliste gjithashtu ka kërkuar njohje të menjëhershme./E.T

Përleshje mes shqiptarëve dhe grekëve në Athinë, tre të plagosur dhe dy të arrestuar

By: Ke Si
30 July 2025 at 10:00

Një përleshje e dhunshme ndodhi mbrëmë në sheshin e Ymittos në Athinë, ku të paktën pesë të rinj u përfshinë në një konflikt që përfundoi me tre të plagosur me thikë dhe dy të arrestuar.

Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi pas një debati të ashpër mes të rinjve jashtë një lokali. Sherri verbal përshkallëzoi në dhunë fizike, dhe në kulmin e përplasjes, njëri nga të rinjtë nxori thikë dhe goditi disa prej pjesëmarrësve.

Për pasojë, tre persona përfunduan në spitalin, dy shtetas grekë, 18 dhe 20 vjeç, si dhe një 30-vjeçar me kombësi shqiptare. 20-vjeçari ka pësuar plagë në shpinë dhe në mushkëri dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Menjëherë pas ngjarjes, forcat policore mbërritën në vendin e ngjarjes dhe pas kërkimeve intensive, arrestuan dy persona, një 18-vjeçar shqiptar dhe një 17-vjeçar grek, të cilët do të dalin sot përpara Prokurorisë./E.T

U largua nga Brazili për t’i shpëtuar burgut, arrestohet në Itali deputetja braziliane

By: Ke Si
30 July 2025 at 09:58

Deputetja braziliane Carla Zambelli, e dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Lartë e Brazilit për hakimin e sistemit kompjuterik të Këshillit Kombëtar të Drejtësisë, është arrestuar në Romë. Ajo u largua nga Brazili në 25 maj, duke kaluar fillimisht në Argjentinë dhe më pas në SHBA, për të mbërritur në Itali më 5 qershor, ku kërkoi të kandidonte për poste zgjedhore, por më vonë hoqi dorë nga ky plan.

Zambelli, e cila ka edhe shtetësi italiane, ishte në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj saj ishte lëshuar kërkesë për ekstradim nga autoritetet braziliane. Pas disa javësh hetime, ajo u lokalizua në Romë, ku u arrestua. Adresa e saj u raportua nga deputeti italian Angelo Bonelli.

“Zambelli është në një apartament në Romë. Unë ia dhashë adresën policisë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, tha se në momentin e hyrjes në Itali, Zambelli nuk kishte asnjë informacion të regjistruar që të lejonte ndalimin e saj.

Ndërkohë Matteo Salvini, kreu i Ligës, ka shprehur dëshirën për ta vizituar atë në burg.

Carla Zambelli është anëtare e partisë së ish-Presidentit Jair Bolsonaro, ka shtetësi italiane dhe u dënua nga Gjykata Supreme braziliane për hakimin e sistemit kompjuterik të Këshillit Kombëtar të Drejtësisë./E.T

Strategjia e Putinit që injoron ultimatumin e SHBA/ ‘Ukraina do të jetë Vietnami i Trump’

By: Ke Si
30 July 2025 at 09:55

Në sheshin Maneggio duket sikur ndodhesh në xhungël. Jo vetëm për shkak të të nxehtit përvëlues të këtyre ditëve, por edhe për shkak të bimësisë së dendur tropikale që prej të hënës së kaluar ka mbuluar hapësirën që të çon drejt Kremlinit. Instalacioni është pjesë e Festës së Kulturës Vietnameze që sapo ka nisur. E fshehur mes gjetheve, nuk mungon as manekini në përmasa reale i një prej ushtarëve Viet Cong, ata që dikur i shkaktuan aq shumë humbje “jankëve” të urryer.

Lidhja e ideve vjen vetvetiu, dhe në fakt dje shumë media e përshkruan situatën në Ukrainë si “Vietnami i ri” që i kanoset Donald Trump, i akuzuar për tradhti ndaj autoritetit shtetëror për shkak të ultimatumeve të njëpasnjëshme drejtuar Rusisë, i fundit prej të cilëve u përsërit dje me premtimin se Federata do të shmangë sanksione të reja vetëm nëse “do ta përfundojë luftën brenda dhjetë ditëve”. Por sapo u përballën me reagimin patriotik të stilit “askush nuk mund të na flasë në këtë mënyrë”, i cili flet shumë për kompleksin e superfuqisë që përshkon këtë vend dhe vertikalen e tij të pushtetit, nisi faza e pyetjeve.

Çfarë do të bëjë tani Vladimir Putin?

Për momentin, edhe ai është në pritje të zhvillimeve, siç deklaroi zëdhënësi i tij, Dmitri Peskov: “Operacioni i posaçëm ushtarak vazhdon dhe ne vijojmë të angazhuar në procesin e paqes për zgjidhjen e situatës në Ukrainë duke garantuar interesat tona.” Pra, gjithçka dhe asgjë njëkohësisht. Si zakonisht në këto raste, Kremlini preferon të presë zhvillimet.

Profesori

Por edhe nëse do të ketë ndryshime në qëndrim, ato nuk do të prekin konfliktin aktual – siç e dëshmojnë edhe 27 civilët e vrarë dje nga bombardimet në Ukrainë. Fundi i iluzioneve për një marrëveshje miqësore SHBA-Rusi po çon sistemin rus drejt një tërheqjeje edhe më të thellë brenda vetes. I kontaktuar në telefon, Sergey Markov, këshilltar për çështjet e jashtme i Putinit nga viti 2011 deri në 2019 – sot një profesor i thjeshtë universiteti, por me lidhje të forta dhe burime të informuara – paraqet një tablo alarmante:

“Putini nuk ka ndërmend të heqë dorë nga modeli aktual: profesionistët luftojnë, vullnetarët ndihmojnë dhe pjesa më e madhe e popullsisë jeton një jetë normale dhe paqësore. Por nëse SHBA vendosin vërtet të rreshtohen kundër nesh, shumë shpejt do të futemi në një fazë ku gjithçka do të jetë ‘Për frontin, për fitoren’, sepse nuk mund të tërhiqemi më. Kështu fitoi Bashkimi Sovjetik. Tani kjo është Ukraina. Nëse në gusht ndodh ndonjë ‘mjelmë e zezë’ amerikane që e përshkallëzon situatën, do të ketë një ndryshim rrënjësor në strategjinë politike. Po i këshilloj miqtë e mi të shijojnë javët e fundit të një jete pa shqetësime.”

Asnjë tërheqje

Ideja për një shtrëngim të mëtejshëm ndaj shoqërisë civile, me qëllim që të shtypet çdo reagim ndaj një Operacioni të posaçëm ushtarak të zgjatur apo, edhe më keq, ndaj një fitoreje të pjesshme – le ta quajmë kështu – nuk është një mundësi, por një siguri në zhvillim. Këtë e dëshmojnë edhe masat e marra në javët e fundit, të cilat e ngushtojnë edhe më tej hapësirën e kufizuar të lirive individuale. Në planin gjeopolitik, po shohim gjithashtu një rikthim të shpejtë te doktrina e vjetër e multikulturalizmit si shtyllë e politikës ruse.

“Po çfarë kemi në këtë moment?”, pyet Mikhail Rostovskij, editorialist i Moskovskij Komsomolets, i cili ka një histori të gjatë marrëdhëniesh me Putinin. “Logjikat e brendshme dhe ato të politikës së jashtme kërkojnë që Trump të ndëshkojë Rusinë. Por ka dy pengesa. Pengesa e parë është Kina. Kërcënimi me tarifa dytësore të ashpra ndaj partnerëve tanë tregtarë nënkupton që edhe Pekini do të duhet të përkulet përpara SHBA-ve. Trump po sulmon fort duon Moskë-Pekin, duke u përpjekur të ndajë ‘të mirët’ kinezë nga ‘të këqinjtë’ rusë. Ne mendojmë se udhëheqja kineze e kupton shumë mirë lojën që po luhet.”

Është e qartë se cila është pengesa e dytë

Dje, ministri i Jashtëm Sergey Lavrov deklaroi se, për herë të parë në histori, Rusia po lufton e vetme kundër gjithë Perëndimit. “Duhet të mbështetemi vetëm mbi forcat tona. Nuk duhet të tregojmë as dobësi, as tërheqje.” Dhe kjo na kthen te shtrëngesa e mëtejshme që prej kohësh po ushtrohet mbi shoqërinë ruse. Sepse në fund të fundit, ndoshta Putini dhe të tjerët kanë shpresuar vërtet në një ndryshim të rrënjësishëm të marrëdhënieve me pjesën më të rëndësishme të Perëndimit – Shtetet e Bashkuara. Por kurrë nuk e kanë besuar plotësisht./Corriere Della Sera

ZYRTARE/ Manaj befason me zgjedhjen e klubit të ri

By: Ke Si
30 July 2025 at 09:34

Rey Manaj është zyrtarisht lojtar i Sharjah FC. Manaj ka firmosur për dy vite me ekipin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sivasspor do fitojë 2 milionë euro nga shitja e sulmuesit të Kombëtares, shkruan A2.

Në anën tjetër, Manaj do të paguhet 2,5 milionë euro në sezon, që e bën rrjedhimisht një nga më të paguarit e Kombëtares.

Sulmuesi kuqezi i bashkohet te Sharjah lojtarit tjetër të Kombëtares sonë, Feta Fetait, i cili është i huazuar nga Lokomotiva e Zagrebit./e.t

KQZ ia dha mandatin kushërirës së tij, KAS shqyrton sot ankimin e Lapajt

By: Ke Si
30 July 2025 at 09:25

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve merr në duar fatin e mandatit të vetëm të fituar nga Nisma Shqipëria Bëhet që futi në sherr drejtuesit e koalicionit.

KAS shqyrton sot ankimimin e Adriatik Lapajt që kundërshton vendimmarrjen e Ilirjan Celibashit për t‘ja dhënë mandatin të katërtës së listës së mbyllur, Kleana Xhuvelit, kushërirës së tij.

Ndonëse ajo është kushërirë e Lapajt, kreu i Shqipëria Bëhet insiston që të njihen në bllok dorëheqjet e listës së mbyllur dhe mandati ti kalojë vetë Adriatik Lapajt.

Do të jetë në dorë të KAS nëse do të lërë në fuqi vendimin e Celibashit apo nëse do të prodhojë një vendimmarrje të re mbi mandatin që përçau partitë e reja./e.t

Pse turbulencat në aeroplan po bëhen më të shpeshta dhe më të rënda

By: Ke Si
30 July 2025 at 09:19

Andrew Davies, menaxher projekti për ekspozitën e “Doctor Who”, po udhëton drejt Zelandës së Re kur shohin diçka që do të kujtojë jetën.

Fluturimi i tij nga Londra drejt Singaporit ishte fillimisht i qetë. Por më pas, avioni u përfshi nga turbulenca ekstreme.

“U ndjeva sikur isha në një rollercoaster – dhe pastaj, papritmas, ramë. iPad-i më goditi në kokë dhe çdo gjë tjetër fluturoi. Ishte rrëmujë totale,” tha Davies.

Fatkeqësisht, një tjetër pasagjer, Geoff Kitchen, 73 vjeç, ndërroi jetë nga një atak në zemër gjatë incidentit. Autoritet raportojnë se nga viti 1981 ka pasur rreth katër vdekje të shumë lidhura me turbulencat – por numri i tyre është më i madh.

Vetëm në SHBA, nga viti 2009 janë mbi 200 lëndime serioze të turbulencave për shkak të shumës së tire pjesëtarë të ekuipazhit që ndodhin në këmbë gjatë lëkundjeve.

Turbulencat po më të shpeshta – dhe më të forta
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po ndjejnë në atmosferë, duke e bërë ajrin më të paqëndrueshëm. Paul Williams, një studim i klimës në Universitetin e Reading, thotë se: “Për çdo 10 minuta turbulencë të fortë që kemi sot, në të ardhmen mund të kemi 20 deri në 30 minuta.”

Rritja e temperaturave, ndryshimi i strukturës së saj dhe shtimi i reve stuhie (kumulonimbus) janë elementë kryesorë që po rrisin rastet e turbulencave në ajër të pastër – ato më të mira, sepse nuk shihen me sy.

Rruga e vështirë e Atlantikut të Veriut
Turbulenca e fortë përkufizohet si kur lëvizjet lart e poshtë të një aeroplani që kalon nëpër ajër të trazuar ushtrojnë më shumë se 1.5 g forcë në trupin tuaj – të mjaftueshme për t’ju ngritur nga sedilja nëse nuk do të kishit vendosur rripin e sigurimit.

Vlerësimet tregojnë se çdo vit ka rreth 5,000 incidente me turbulenca të rënda ose më të mëdha, nga një total prej më shumë se 35 milionë fluturimesh që tani ngrihen në të gjithë botën.

Nga lëndimet e rënda të shkaktuara tek pasagjerët që fluturonin gjatë gjithë vitit 2023 – pothuajse 40% u shkaktuan nga turbulencat, sipas raportit vjetor të sigurisë nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil./e.t

Tërmeti i fuqishëm në Oqeanin Paqësor, Japonia evakuon 1.9 mln banorë

By: Ke Si
30 July 2025 at 09:17

Një tërmet me magnitudë 8.8, një ndër më të fuqishmit ndonjëherë, goditi gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë.

Disa shtete, përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë lëshuar urdhra për evakuim për shkak të cunamit ku valët e para kanë goditur Hawaiin.

Në Rusi, tërmeti në bregun lindor të vendit dëmtoi disa ndërtesa, përfshirë një kopsht fëmijësh që u shemb. Valët e cunamit filluan të vinin menjëherë pas kësaj, me disa që goditën distriktin Severo-Kurilsk në skajin jugor të Gadishullit Kamchatka në lindje të largët të vendit.

Në Japoni, valët e cunamit po godasin tashmë shumë pjesë të bregdetit lindor, nga ishulli më verior i Hokkaidos deri në pjesën më të madhe të ishullit kryesor Honshu – duke përfshirë edhe zonën pranë Zonës Metropolitane të Tokios.

Më shumë se 1.9 milion njerëz në 21 prefektura janë urdhëruar të evakuohen në zona të sigurta.

Shumë vende të tjera kanë lëshuar gjithashtu paralajmërime për cunami – duke përfshirë Filipinet, Indonezinë , Kilin, Perunë, Ekuadorin, Meksikën, Panamanë dhe Tajvanin./e.t

Valët e cunamit godasin brigjet e SHBA-së, ja kur pritet të shfaqen në pjesë të tjera

By: Ke Si
30 July 2025 at 09:11

Valët e cunamit kanë filluar të godasin brigjet e SHBA-së, me valët e para që kanë arritur në brigjet e Hawaiit, sipas të dhënave nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike.

Sipas të dhënave, nivelet e ujit u regjistruan mbi 4 metra në Haleiwa, në bregun verior të ishullit Oahu të Hawaiit.

Me shumë gjasa do të shohim që nivelet e ujit do të rriten dhe do të ulen ndërsa afrohen më shumë valë.

Shteti i Havait, pjesë të Ishujve Aleutian të Alaskës dhe një pjesë e Kalifornisë Veriore janë aktualisht nën paralajmërim për cunami, alarmi më i rëndë, ndërsa pjesa tjetër e Bregut Perëndimor të SHBA-së është nën një paralajmërim për cunami më pak të rëndë.

Valët e para të cunamit kanë goditur tashmë Alaskën, ndërsa valët pritet të godasin Hawaiin çdo minutë.

Pjesa tjetër e shteteve perëndimore të SHBA-së po përgatitet për ndikimin, me valë që priten në orët në vijim. Ja kohët e parashikuara të mbërritjes nga Qendra e Paralajmërimit të Cunamit në SHBA:

Mbërritjet në Oregonin dhe Uashingtonin pritet të fillojnë rreth orës 23:35 të mbrëmjes sipas orës PT (orës së Paqësorit).

Mbërritjet nga Kalifornia pritet të fillojnë rreth orës 23:50 të mbrëmjes sipas orës PT, duke arritur në Gjirin e San Franciskos rreth orës 00:40 të mëngjesit sipas orës PT dhe në Portin e Los Anxhelosit rreth orës 01:00 të mëngjesit sipas orës PT./e.t

Shkrumbohet kamionçina në autostradën Levan-Vlorë

By: Ke Si
30 July 2025 at 09:08

Një mjet i llojit kamionçinë, në pronësi të një prej firmave të ndërtimit në qytetin bregdetar, ka marrë flakë në ecje.

Dyshohet se mjeti ka rënë në flakë si pasojë e një defekti që ka prodhuar më pas shkëndijë elektrike.

Ngjarja ka ndodhur në autostradën Levan-Vlorë. Kamionçina është shkrumbuar totalisht.

Në momentin e ngjarjes në të ka qenë veç drejtuesi, i cili ka dalë nga automjeti.

Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar, por nga kamionçina nuk ka mbetur më asgjë./e.t

A jemi në pragun e Luftës së 3-të Botërore?

By: Ke Si
30 July 2025 at 07:54

GJENERAL PIRO AHMETAJ

Pyetje trilona dollarë: ”A ndodhemi në prag të Luftës së Tretë Botërore?” Cilat janë mësimet nga Lufta I dhe II? Çfarë peshe do të ketë Inteligjenca Artificiale (IA), robotët, dronët dhe fuqia kibernetike? “Cilat mund të jenë pasojat, a të ketë fitues, apo vetëm të humbur?” ”Çfarë duhet/mund të bëjnë vendet si RSh në rast lufte?”. Besoj se këto pyetje mbartin peshë si dhe sencitivitet të lartë për qytetarët, pasi:

Së PARI: “nga vimë, ku jemi dhe ku po shkojmë”? Tre e ½ vjet pas agresionit neonazist të Rusisë-Putiniste ndaj Ukrainës; statuquosë, fuqisë ushtarake dhe interesave euroatlantike (USA/NATO/ BE); riciklimi i përballjes së përgjakshme me terroristët në Lindjen e Mesme; tensioni Kamboxhia-Tajlandë në Azi, e kanë tronditur rëndë rendin global të sigurisë.

A jemi në prag të Luftës 3-Botërore ? Mbas ri-Triumfit të Trump, demokracitë burokratike po shkunden dhe një rendi i Ri i sigurisë po lind. Ndërsa ShBA po ri-bëhet edhe më e fuqishme, aleanca të reja po ri-lindin. Me retorikën edhe të forcës, Trump synon Kanadanë, Groenlandën, Kanalin e Panamasë; Putin, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe ambicie për ish-republikat sovjetike; ndërsa Xi Jinping Tajvanin dhe zgjerimin në Lindjen e Largët. Duket sikur Bota po ndahet sërish në 2 blloqe: “i pari SHBA-të, NATO, BE, Japoninë, Australinë, Izraelin & Korenë e Jugut”; ndërsa i 2-ti: Rusinë, Kinën, vendet BRICS, Iranin, Korenë e Veriut. Përveç SHBA, pyetja mbetet: “A/sa janë diktatorët, autokratët e mbi-pushtetshëm, të vendosur për të evituar një konfrontim fatal”?

Shpenzimet për luftën po rriten në mënyrë eksponenciale. Sipas prestigjiozes “SIPRI”, shpenzimet ushtarake në 2025 kanë arritur kuotat më të larta që nga Lufta e Ftohtë (2.83 trilionë $), prej të cilave, SHBA 1 trilion $ ose 66% e shpenzimeve të NATO-s; Kina 300 miliardë $, Rusia 130 miliardë $ dhe BE 454 miliardë €

Nacionalistët radikalë dhe liderët autoritarë. ”Më e rrezikshmja nga të gjitha luftërat është ajo që justifikon pushtimet në emër të identitetit”, thoshte Huntington. Ndërsa projekti Trump: ”Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe, ose të pakonkurrueshme dhe vdekjeprurëse”; Putini: “Rusinë Historike”, Xi Jinping: “Rilindja e Kinës,”. Deri ku do të shkojë kjo narrativë ekspansioniste dhe mitologjike, e ngjashme me atë të Hitleriti e cili e (sh) përdori krizën ekonomike dhe politike të viteve ‘30 për të ndërtuar një shtet militar si dhe legjitimuar pasojat e luftës barbare.

Së DYTI: ”Kush nuk e kujton të kaluarën, është i dënuar ta përsërisë atë”, thoshte George Santayana. Vrasja e princit austriak (1914), në Sarajevë shërbeu si fitili që ndezi Luftën e I. Ndërsa para Luftës së II Botërore, Evropa shijonte “La Belle Époque”, ose zhvillim industrial, lulëzim kulturor dhe rritje ekonomike. Por, nën këtë fasade, fshiheshin tensione të mëdha: “gara armatimesh, interesa koloniale dhe aleanca të ndërlikuara”.

“Pse ndodhemi në një situatë të ngjashme”? Lufta e II-të, me mbi 70 milionë të vrarë, përfshiu fuqitë industriale si dhe për herë të parë u përdorën armët bërthamore nga SHBA në Hiroshimë dhe Nagasaki. Lufta e Ftohtë (1945-90): “u shoqërua me garë armatimesh, tensione dhe frikën nga një katastrofe planetare”! Historia po përsëritet, në vend të plumbave po përdoren embargot, në vend të lëvizjes së lirë po ngrihen mure, në vend të tregtisë së lirë po vendosen tarifa.

Së treti: ”pasojat e një Luftë e Tretë Botërore”. Me të drejtë, Ajnshtajni i madh thoshte: “Nuk e di me çfarë armësh do të luftohet në luftën e 3-të, por e Katërta do të bëhet me gurë dhe shkopinj”. Ndërsa historiani “best seller” Yuval Harari: “nëse Lufta I Botërore ishte e bajonetave dhe gazit helmues; e II-ta e tankeve, avionëve dhe bombës atomike; Lufta e III do të jetë e dronëve, robotëve dhe e kodit binar (IA)”, çka mund të çojë në shfarosjen e qytetërimit”.

Lufta hibride dhe kibernetike do të jenë fuqia përcaktuese e luftës pasi do të shërbejë si “arma e padukshme” që mund të çaktivizojë rrjetet e energjisë, të paralizojë sistemet bankare, sistemet e transportit ajror, kolaps në spitale, do manipulojë opinionin publik dhe zgjedhjet, etj. Lufta/Epoka e frikshme e Inteligjencës Artificiale (IA), do të përdoret për zbulim, analizë dhe vendimmarrje në koordinimin e sulmeve të robotëve. Kur algoritmet vendosin vetë se Kë, Kur dhe Ku do të sulmojnë, atëherë lind një paradoks: ”Kush do të marrë përgjegjësitë për viktimat e shkaktuara?”.

E ardhmja e luftës po ashtu do jenë raketat hipersonike, me shpejtësi mbi Mach-5 (pesë herë më e shpejtë se e zërit) duke i bërë të pamundur zbulimin dhe asgjësimin nga mbrojtja ajrore. ShBA zotëron Hypersonic Glide Vehicles (HGV); Rusia Kinzhal dhe Avangard; ndërsa Kina DF-ZF të avancuar. Si shembull ilustrues: “Në Luftën e II Botërore, Gjermania sulmoi Londrën me raketat V-2, nga teknologjitë më të avancuara të kohës, sot, hipersonikët janë 10 herë më të shpejtë dhe 100 herë më të saktë…, “kështu edhe pasojat”!

Armatimi orbital dhe satelitor. Lufta e 3- të do të zhvillohet edhe në hapësirë. SHBA, Rusia dhe Kina kanë testuar radarë dhe armë anti-Satelit të gjeneratës së fundit. Pra, hapësira nuk do jetë më thjesht “laborator eksperimentesh”, por pjesë integrale e fateve të Luftës së Tretë.

Bioarmët dhe armët kimike. Megjithëse të ndaluara me konventa ndërkombëtare, në situata të dëshpëruara: “virusë të krijuar në laborator dhe agjentë biologjikë mund të përdoren nga terroristët dhe diktatorët si sulme në qytete të mëdha për të shkaktuar panik masiv”. Armatimi Elektromagnetik (EMP), mund të shkatërrojë sistemet elektronike, duke i kthyer qytete të tëra në epokën para-digjitale. Nëse një raketë bërthamore shpërthen në atmosferë, valët EMP mund të çaktivizojë të gjithë teknologjinë digjitale duke sjellë kolaps të sistemeve dhe infrastrukturave me peshe jetike.

Së katërti, a mund të ketë fitues në rast të një Lufte të 3-të Botërore? ”Nëse do të jetë një luftë bërthamore, fituesi do të jetë ai që vdes i fundit” – thoshte me sarkazëm nobelisti i paqes Andrei Sakharov. Ende rreth 13,000 armë bërthamore kanë SHBA, Rusia, Kina, UK, Franca, etj. Gjatë Luftës së Ftohtë, koncepti i deterrence/shkurajinit i mbajti palët në paqe të imponuar ose nga frika reciproke. Sot, fuqia bërthamore është 10-ra herë më e madhe.

“Përplasja e qytetërimeve”, Huntington theksonte se: “konfliktet e së ardhmes nuk do jenë vetëm ideologjike apo interesat ekonomike, por edhe nga përkatësia e qytetërimeve”. Konfliktet në Ballkan në vitet 1990; përplasjet aktuale midis SHBA/Perëndimit dhe Kinës/Rusisë, si dhe përballja me terrorizmin: “ilustrojnë këtë përplasje qytetërimesh”.

Gjithsesi, konsideruar shkatërrimin shembullor që ShBA realizoi ndaj bazave bërthamore të Ajatallah-ut të Iranit, por dhe ndaj paranojave të diktatorëve të dalldisur nga fuqia e të gjithë-Pushtetit (p.sh Putinit), mbetem besimplotë se *: “falë (super) fuqisë ushtarake të pathyeshme dhe vdekjeprurëse të ShBA si dhe Leadershipit të fortë të Trump, Bota nuk do të rrokulliset në Luftën e 3-të Botërore”. Pra, falë (mirënjohje) ShBA, jo Lufta por: “paqja, rendi global i sigurisë, vlerat e qytetërimit dhe demokracia do të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçet, si dhe ndaj shteteve dhe organizatave terroriste”! (*Autori)

Së pesti: ”çfarë qasje mund të ndjekin vendet e vogla si Shqipëria në rast të një Lufte fatale/botërore”? Në vijim të pesë gjetjeve po paraqes edhe “5 rekomandime strategjike”:

1. Historia na tregon se luftërat nisin nga veprimet dhe mosveprimet, nga kokëfortësia dhe oshilacionet e Diktatorëve gjakatarë, Autokratëve Suprem, si dhe shpërfillja e mësimeve nga luftërat e mëparshme. Në ditët e sotme, teknologjia (IA) e bën luftën më të pa-parashikuar por dhe më të pamëshirshme. Kështu, nëse shpërthen “lufta e 3-të”, ajo mund të jetë “edhe e fundit për njerëzimin”

2. Asnjë vend nuk i mbijeton dot i vetëm një lufte botërore, por “sidomos shtetet e vogla nuk e kanë luksin të bëjnë gabime strategjike”, thoshte Kissinger. As nuk duhet ta mendojmë rikthehemin te marrëzia e ”mbrojtjes me forcat e veta”! Në rast të një përballje fatale, na duhet të mbështetemi dhe forcojmë edhe më tej bashkëpunimin strategjik me ShBA dhe NATO. Me këtë rast, inkurajojmë RSh për mbështetjen e pakushtëzuar të vendimmarrjeve të ShBA/NATO, si dhe kontributet ndaj Ukrainës.

3. Duke duartrokitur “marrëveshjen mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes”, do t’i Këshilloja vëllazërisht aktorët relevant në Tiranë dhe Prishtinë: ”të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore”, për t’i dhënë jetë Platformës: ”2-Shtete Sovrane, 1-Komb i Vetëm”, duke e konfirmuar në Washington, Bruksel etj., që ”edhe pse e vonuar” kjo qasje nuk kërcënon asnjë vend, përfshi Serbinë. Përkundrazi do të kontribuojë si një balancë racionale për paqen dhe integrimin euroatlantik të Rajonit.

4. Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nga 2% në 5% deri në vitin 2030 nuk është kurrsesi ”për ta marrë me të mirë Presidentin Trump (!)”, por domosdoshmëri kritike për të transformuar Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSh, në përputhje me Konceptin e Ri të NATO-s, duke përditësuar dhe modernizuar aftësitë operacionale të FA në përmbushjen e misionit kushtetues: ”mbrojtjen e integritetit territorial (neni 5); zhvillimin e interesave kombëtare, promovimin e vlerave euroatlantike si dhe përmbushjen e detyrimeve në NATO”.

5. Në suksesin e reformave të sigurisë kombëtare, ”asnjë grosh nuk vlejnë”, privatizimi Partive dhe i dashurisë për mëmëdheun; as festimet bolshevike nga superfitorja (e mbi-Pushtetit) si dhe as mjerimi i Opozitës nga humbja e 4-t radhas. Përkundrazi, mbeten jetike ri-kthimi i demokracisë funksionale, balancave kushtetuese, dashurisë për Atdheun, përkushtimi në ushtrimin e detyrave shtetërore, përgjegjësia ndaj interesave kombëtare, si dhe ”besimi dhe mirënjohja” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO.

Punëtorët evakuojnë centralin bërthamor të Fukushimës për shkak të frikës nga cunami

By: Ke Si
30 July 2025 at 07:50

Punëtorët në termocentralin bërthamor të Fukushimës në Japoninë lindore, i cili pësoi një nga dy aksidentet më të këqija bërthamore në historinë moderne dhe u godit gjithashtu nga një cunami në vitin 2011, u evakuuan të hënën pasi u lëshua një paralajmërim për cunami pas një tërmeti të fuqishëm që goditi Oqeanin Paqësor pranë brigjeve të Rusisë, tha operatori TEPCO.

“Ne kemi evakuuar të gjithë punëtorët dhe punonjësit tanë”, tha një zëdhënës i TEPCO-s për AFP-në, duke shtuar se “nuk është vërejtur asnjë anomali” në termocentral.

Punimet e pastrimit dhe çmontimit janë duke u zhvilluar në centralin bërthamor Fukushima Daiichi, i cili pritet të zgjasë për dekada, pas katastrofës së shkaktuar nga tërmeti dhe cunami historik që e goditën atë në mars të vitit 2011./e.t

 

❌
❌