Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 August 2025Main stream

Shpërthim tritoli në një banesë në Fushë-Kuqe. Gjenden dhe disa gëzhoja

26 August 2025 at 22:24

Nga Gazeta ‘SI’ – Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Gurëz, njësia administrative Fushë Kuqe, Kurbin.

Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të banesës së shtetases M. D. (alias M. B.) është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, e dyshuar si artizanale.

Mediat raportojnë se shënjestra ka qenë një figurë e njohur publike, por asgjë nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor. Nga këqyrja paraprake u konstatua se porta ishte dëmtuar lehtë si pasojë e shpërthimit.

Gjatë kontrollit në perimetrin përreth banesës, hetuesit gjetën dhe sekuestruan disa gëzhoja, të cilat sipas policisë janë në dukje të vjetra dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale.

The post Shpërthim tritoli në një banesë në Fushë-Kuqe. Gjenden dhe disa gëzhoja appeared first on Gazeta Si.

Aksident i rëndë në Korçë, ndërron jetë një grua

26 August 2025 at 21:41

Nga Gazeta ‘SI’ – Një 50-vjeçare është përplasur për vdekje nga makina në rrugën e Voskopojës, Korçë.

Sipas policisë, gruaja ishte duke lëvizur me biçikletë, kur është përplasur për vdekje nga makina me drejtures një 73-vjeçar.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 20:40, në rrugën e Voskopojës, një automjet me drejtues shtetasin F. H., rreth 73 vjeç, ka përplasur shtetasen A. E., rreth 50 vjeçe, banuese në Korçë, e cila lëvizte me biçikletë. Si pasojë, 50-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.

The post Aksident i rëndë në Korçë, ndërron jetë një grua appeared first on Gazeta Si.

Hetim i thelluar për bankat dhe sigurimin e kredive/ Konkurrenca kërkon dëshmi nga kredimarrësit

26 August 2025 at 18:53

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Konkurrencës ka thelluar më tej hetimin për sigurimin e kredive bankare. Përmes një njoftimi zyrtar, Autoriteti u ka bërë thirrje qytetarëve që të dërgojnë informacion pranë këtij institucioni për eksperiencat e tyre.

“Autoriteti i Konkurrencës fton çdo kredimarrës pranë bankave të nivelit të dytë të kontribuojnë me informacion mbi mënyrën sesi është bërë përzgjedhja nga ana e tyre e shoqërisë ku kanë bërë sigurimin e jetës për kreditë që kanë marrë gjatë viteve 2021 – 2025,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se është në një faze të avancuar të hetimit të thelluar lidhur me praktikat e bankave të nivelit të dytë në tregun e sigurimit të jetës të lidhur me kreditë. Sipas tij, qëllimi kryesor i këtij hetimi është forcimi i konkurrencës nëpërmjet ekzistencës së një tregu të lirë dhe konkurrues, ku kredimarrësit të kenë mundësi të zgjedhin lirisht, ofertën më të mirë.

“Hetimi mbulon periudhën 07.11.2021 deri më 26.03.2025 dhe ka si objekt verifikimin e rrethanave në të cilat kredimarrësit kanë realizuar sigurimin e jetës për kreditë e tyre gjatë kësaj periudhe,” vijon njoftimi.

Në kuadër të këtij procesi, Autoriteti i Konkurrencës fton çdo kredimarrës që ka marrë kredi dhe ka paguar në lidhje me sigurimin e jetës për kredinë, të japë me dëshirë informacion dhe dëshmi mbi eksperiencën e tyre.

Sipas njoftimit, në mënyrë të veçantë, kërkohet që kredimarrësit të informojnë Autoritetin për çdo rast kur:

-nuk u është dhënë mundësia të zgjedhin lirisht shoqërinë e sigurimit të jetës, apo;

-vlerësojnë se kanë pasur pengesa apo detyrime të imponuara nga bankat lidhur me këtë zgjedhje.

“Kontributi i qytetarëve është i një rëndësie të veçantë për të mundësuar një hetim të plotë, të drejtë dhe transparent në mbrojtje të konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg,” përfundon njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës.

The post Hetim i thelluar për bankat dhe sigurimin e kredive/ Konkurrenca kërkon dëshmi nga kredimarrësit appeared first on Gazeta Si.

Kosto 3.800 dollarë/ Rusia nxjerr vaksinën kundër kancerit. Nis testimet e para në pacientë

26 August 2025 at 14:31

Autoritetet shëndetësore në Rusi po përgatiten të nisin eksperimentimin e vaksinës së personalizuar kundër kancerit tek pacientët.

Njoftimin e dha drejtori i institutit që e krijoi vaksinën, pak kohë pas Vladimir Putin e kishte njoftuar.

Alexander Gintsburg, drejtor i Institutit për Kërkime Epidemologjike dhe Mikrobiologji, konfirmoi se prova me pacientin e parë do të nisë në muajt e ardhshëm, me një vaksinë të personalizuar. Trajtimi do të nisë me të prekurit e melanomës, kancerit të lëkurës.

Një tipar përcaktues i ilaçit të ri është natyra e tij shumë e personalizuar, e cila ka kërkuar një kuadër unik rregullator. Sipas Gintsburg, vaksina është krijuar bazuar në të dhënat gjenetike dhe personale të një pacienti individual dhe, si e tillë, mund të përdoret vetëm për atë person specifik. Kjo është thelbësisht e ndryshme nga rregulloret për të gjitha barnat e tjera.

“Kjo është arsyeja pse qeveria nxori një dekret përkatës në fillim të vitit, në të cilin vendosi rregulla krejtësisht të ndryshme që po përdoren për herë të parë,” tha Gintsburg. “Përkundër kësaj, ne po gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe po ecim përpara me punën tonë.

Drejtori gjithashtu vuri në dukje se zhvillimi ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme globale, duke deklaruar se Instituti ka marrë “dhjetëra letra hetimi nga kombe të tjera”.

Kjo lëvizje në provat klinike pason një njoftim të profilit të lartë nga presidenti rus Vladimir Putin në fund të vitit 2024, në të cilin ai tha se vendi kishte zhvilluar një vaksinë kundër kancerit dhe se ajo do të vihej në dispozicion të pacientëve në vitin 2025.

Në lidhje me koston e trajtimit, agjencia TASS, duke cituar Andrey Kaprin, kreun e Qendrës Radiologjike Kombëtare të Kërkimeve Mjekësore të Ministrisë së Shëndetësisë Ruse, raportoi se një dozë e vaksinës kushton 300.000 rubla ruse, ekuivalente me afërsisht 3.800 dollarë.

Zhvillimi vjen ndërsa Rusia përballet me një sfidë në rritje të shëndetit publik. Vendi është ndër vendet ku shkalla e incidencës së kancerit po rritet çdo vit. Sipas statistikave dhe të dhënave të vitit 2024, 4.160.000 njerëz në Rusi janë diagnostikuar me kancer.

The post Kosto 3.800 dollarë/ Rusia nxjerr vaksinën kundër kancerit. Nis testimet e para në pacientë appeared first on Gazeta Si.

Trump trondit (sërish) tregjet: Shkarkon guvernatoren e bankës qendrore

26 August 2025 at 12:06

Donald Trump pa ndrojë ka treguar se do interesa të ulëta dhe i do shpejt. Prej muajsh, presidenti ka sulmuar Rezervën Federale, banka qendrore e SHBA-së, se po bën shumë pak për të ulur normat e interesit. Gjatë korrikut ai “flirtoi” me shkarkimin e drejtuesit Jerome Poëell, por u tërhoq. Një tjetër front lufte u hap kur kreu i agjencisë Federale për Financimin e Strehimit, Bill Pulte, akuzoi Lisa Cook, guvernatore në bordin e FED, se kishte gënjyer në aplikimin e saj për kredi.

Këtë herë, Trump nuk duroi më. Në një letër të postuar në rrjetet sociale, ai u shpreh se do ta heqë Cook nga posti i saj, menjëherë. Ajo tha se Trump nuk ka asnjë autoritet mbi postin e saj dhe nuk u largua. Ligjshmëria e vendimit të presidentit është shumë e pasigurt. Një vendim i Gjykatës së Lartë në maj konfirmoi vetëm se guvernatorët e Fed mund të shkarkohen me shkak, dhe Cook nuk është paditur, e lëre më e dënuar, për ndonjë krim. Akuzat, të cilat Departamenti i Drejtësisë po i heton, lidhen me dokumentet e dorëzuara përpara se Cook të merrte postin e saj. Ka pak precedent: asnjë guvernator i Fed nuk është shkarkuar për ndonjë shkak më parë.

Lëvizja ka përshkallëzuar luftën e Trump me FED, agjencia më e izoluar nga politika në SHBA. Në rrethana normale guvernatorët e FED kanë mandate jetëgjata dhe është e vështirë të largohen apo të shkarkohen. Mandati i Cook mbaron në 2038-n. Deri më tani ka qenë një luftë fjalësh, por gjasat janë të shkojë dhe në gjykatë. Ndërhyrjet e Trump në FED, do të dëmtojnë pavarësinë e bankës qendrore.

Tregjet kanë reaguar me nervozizëm. Dollari ra me 0.3% direkt pas njoftimit. Indeksi S&P 500, më i madhi ndër aksionet amerikane ra me 0.5% dhe yield-et e titujve 10-vjeçar të Thesarit u rritën me 0.04%. Ky është një kombinim fatkeq, që do të thotë se asetet amerikane po zhvlerësohen. Deri më tani rënia nuk ka qenë e madhe. Investitorët ende po presin ndonjë veprim tjetër.

Në fillim të këtij muaji, Trump përdori gjithashtu rrjetet sociale për të shkarkuar Erika McEntarfer, kreun e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), pasi rishikimet e të dhënave të punësimit treguan se rritja e vendeve të punës ishte dobësuar ndjeshëm. Ai ka propozuar zëvendësimin e saj me E.J. Antoni, një ekonomist i lidhur me Trump. Edhe pse ndryshimet e të dhënave të motivuara politikisht dhe ulja e normave janë ende disi larg, nuk duket më e pamundur. Trump do të duhet të kthejë disa vende të tjera në FED përpara se të ketë ndonjë shpresë për të bindur shumicën e vendosësve të normave të votojnë për më shumë se një pjesë të vogël të shkurtimeve. Dhe mijëra nëpunës civilë të përfshirë në përpilimin e të dhënave ekonomike të Amerikës me siguri do të jepnin alarmin nëse Antoni do të përpiqej të manipulonte vendet e punës ose shifrat e inflacionit.

Veprimet e Trump pothuajse me siguri do të rezultojnë vetë-shkatërruese, duke e bërë qëllimin e tij përfundimtar – kostot më të ulëta të huamarrjes për qeverinë federale dhe amerikanët e zakonshëm – shumë më të vështirë për t’u arritur. Fed kontrollon vetëm normat afatshkurtra të interesit; normat afatgjata përcaktohen nga tregu i obligacioneve. Ndërmjet deficiteve të fryra dhe kërcënimit se ndërhyrja politike mund të mbajë inflacionin në nivele të larta, investitorët po turbullohen. Yield-et e thesarit 30-vjeçar janë gati 5% dhe po qëndruar i ngritur gjatë muajve të fundit, edhe pse ekonomia është ngadalësuar. Nëse Trump i konsideron të padëshiruara normat e larta të interesit kur rritja ishte e fortë, kombinimi i tyre me rritje të dobët do të ishte akoma më i pakëndshëm./TheEconomist

The post Trump trondit (sërish) tregjet: Shkarkon guvernatoren e bankës qendrore appeared first on Gazeta Si.

Përfitimet fiskale të sezonit turistik/ Konsumi i lartë amortizohet nga informaliteti

26 August 2025 at 11:45

Nga Gazeta ‘Si’ – Sezoni turistik 2025 ka gjeneruar më shumë konsum se një vit më parë, përkthyer në më shumë të ardhura, por një pjesë e madhe e tyre vazhdon të minohet nga informaliteti.

Ky është konkluzioni i ekspertëve financiarë të qendrës ALTAX, të cilët analizojnë sezonin turistik nga pikëpamja e cilësisë fiskale.

Nga llogaritjet e ALTAX rezulton se çdo vizitor shtesë gjatë periudhës Janar–Korrik 2025 ka gjeneruar mesatarisht rreth 65.000 lekë të ardhura tatimore shtesë. Ky rezultat tregon se rritja e të ardhurave tatimore +9.4% ka qenë më e shpejtë se rritja e numrit të vizitorëve, +5.1%.

Rritja 11.8% e akcizës është po ashtu një tregues i konsumit të lartë të karburantit, transportit dhe produkteve të zakonshme turistike. Pozitivisht vërehet arkëtimi i lartë nga tatimi mbi pagat, +26.5%, si provë e formalizimit të punësimit sezonal dhe turizmit në tërësi. Nga llogaritjet e ALTAX rezulton se çdo punonjës sezonal në turizëm ka kontribuar mesatarisht rreth 406.000 lekë në tatimin mbi pagat dhe sigurimet shoqërore gjatë periudhës Janar–Korrik 2025.

Por në këtë drejtim ALTAX analizon se informaliteti në turizëm është ende i lartë dhe këtë e konfirmojnë shifrat nga TVSH-ja. Edhe pse rritja është +6.6%, TVSH mbeti nën planifikim, duke sinjalizuar se një pjesë e madhe e konsumit vijon të mos deklarohet dhe se informaliteti në shërbimet turistike është ende i lartë. TVSH fakt mbeti rreth 0.25% nën planin e buxhetit, që është relativisht e ulët në përqindje, por për një ekonomi si Shqipëria, kjo diferencë mund të përfaqësojë një volum të konsiderueshëm konsumesh të paregjistruara, sidomos në sektorin e turizmit ku shërbimet dhe hotelet mund të mos raportojnë të gjitha transaksionet.

Nga llogaritjet rezulton se, çdo vizitor mesatarisht kontribuoi 29 lekë konsum të paregjistruar (TVSH e papaguar). Në përqindje, informaliteti duket i vogël (~0.25% e TVSH-së totale), por për miliona vizitorë ky është një volum i konsiderueshëm i konsumit të paformalizuar, që lidhet kryesisht me shërbimet turistike të vogla dhe transaksionet e pa deklaruara.

Edhe rritja modeste +2.9% e tatimit mbi fitimin tregon se bizneset nuk kanë pasqyruar proporcionalisht fitimet e rritura nga konsumi turistik, duke ngritur dyshime mbi raportimin fiskal të tyre.

Taksat vendore me rënie -7.4%, nxjerrin në pah pamundësinë e bashkive për të kapitalizuar flukset turistike, veçanërisht përmes tatimit mbi pasuritë dhe shërbimet publike. Si pasojë, bashkitë humbasin pjesën e tyre të të ardhurave që mund të vinte nga shërbimet turistike, si pagesat për hotele, restorante, transport lokal dhe aktivitete argëtuese. Rënia e taksave vendore po ndikon në vijimësi gjithashtu në kapacitetin e investimeve lokale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe turistët.

The post Përfitimet fiskale të sezonit turistik/ Konsumi i lartë amortizohet nga informaliteti appeared first on Gazeta Si.

Anarkia perfekte – Shqipëria, një mit që duhet shpërbërë!

26 August 2025 at 10:50

Për ta sqaruar, Shqipëria nuk ishte ide e imja. Inteligjenca Artificiale ma sugjeroi si destinacioni perfekt në Mesdhe që përmushte të gjitha kushtet që unë kisha kërkuar: det i pastër, shërbime familjare, fasilitete infrastrukture, çmime konkurruese dhe vlera historike e kulturore.

Ideja ishte premtuese, por realiteti është një histori tjetër. Sapo zbret nga trageti, menjëherë e kupton se je në një Europë tjetër. Radhë të pafundme, kontrolle të rrepta sigurie, një atmosferë e vjetër e Securitate-s rumune.

Pastaj, disa hapa jashtë, dhe impakti i parë i një teatri ballkanik: një burrë me uniformë – nuk është e qartë se kush është – të ndalon me dorën e tij. Ai murmurit në italisht: “Sigurim”. Zbulon se jo të gjitha policat e sigurimit e mbulojnë këtë vend. Asgjë e pazakontë deri më tani. Problemi është se si: një kabinë e rrënuar, dy djem me sandale, një burrë që afrohet me një tufë kartëmonedhash në dorë. “Pesëdhjetë e pesë euro” për policën e sigurimit, pa shpjegim. Një lloj takse hyrjeje e pashkruar. Mirë se vini në Shqipëri.

Rruga dhe vendi i papërfunduar

Jashtë portit të Vlorës, peizazhi është klasik i Jugut të harruar të Italisë: trafik kaotik, motorë të dëmtuar, Mercedes të vjetër (një në katër këtu është një markë gjermane, shpesh me motorë njëzetvjeçarë) të parkuar pranë shtëpive të papërfunduara. Kamionë të ngarkuar me shalqinj ecin ngadalë. Në ngjitje, lopët që kullosin zënë asfaltin me indiferencë.

Pastaj SH8 (autostrada Vlorë-Fier) hapet si një frymë: kodra të gjelbra, Gjiri i Vlorës nga lart, beton i shpërndarë rastësisht, fabrika dhe ferma të vogla.

Në skajet e rrugës, tabelat “misra” reklamojnë kallinj misrash të pjekur. Në SH100 (segmenti Peshkëpi-Poçem), udhëtimi ndryshon ritëm. Rruga ngjitet midis maleve të shkreta, shpimeve të vjetra të papunë për dekada, guroreve të braktisura: kufomave të një socializmi që la vetëm skrap.

Grumbuj mbeturinash përgjatë rrugës, ura të pasigurta në Poçem, fshatra të çorientuar ku koha duket se ndalet. Sytë mbushen me stacione benzine të braktisura me streha të ndryshkura, hekura të rrënuara, të rinj që zvarrisin shapka në asfalt, duke ngulur sytë te celularët e tyre. Një peizazh njëkohësisht i ndyrë dhe zemërthyes.

Saranda, një qytet me dy fytyra

Pas një udhëtimi tre-orësh me makinë nëpër asgjëkundi, Saranda duket si një periferi që u rrit shumë shpejt. Shtëpi dhe dyqane të mbushura me rrëmujë, tabela neoni, ekrane të ndritshme dhe trafik frenetik. Tabelat flasin një leksik italo-ballkanik që duket si një parodi e italishtes: “Mobileri,” “Gomister,” “Parukeri,” “Pasticeri,” “Pizzeri”.

Këtu, njerëzit ngasin motoçikleta pa helmeta, madje edhe tre persona, si në Itali disa dekada më parë. Shqiptarët ngasin në mënyrë kaotike: policë trafiku të zemëruar nevojiten në mes të rrugëve për të drejtuar një rrjedhë të pamundur.

Makina, motoçikleta me sustë të hequr, skuter që enden midis korsive imagjinare: trafiku është si ai i Napolit në orën e pikut. Por rrugët mbeten ato të një fshati peshkatarësh: të ngushta, të papritura, me ballkone plot me lule që shohin kaosin.

E megjithatë: e bukur, Saranda është e bukur. Argëtuese dhe e gjallë si një Ibiza fshatare. Një perlë e vogël bregdetare: ujëra bruz, tarraca baresh të mbushura me turistë dhe të rinj shqiptarë, biseda dhe gota që kërcasin nën diell dhe hënë.

Jeta e natës është e jashtëzakonshme: muzikë, drita, të qeshura, energji. Vajzat franceze kudo i shtojnë poezi fytyrave paksa të zymta të banorëve. Në mbrëmje, anijet që shkëlqejnë, duke fishkëllyer me muzikë vallëzimi, nisen ngadalë për të festuar në det deri vonë natën.

Për ata që kërkojnë më shumë rehati, tre ndalesa që duhet të vizitohen: Bar dhe Restorant Limani, më simpatiku në Sarandë, një gadishull i vogël betoni mbi ujë ku mund të shijoni akullore me detin pothuajse në këmbët tuaja; Taverna Laberia, e mbushur me njerëz për mishrat e pjekur në skarë; Restoranti Ballkon, i famshëm për midhjet dhe pamjen e plazhit qendror.

Aperitivët e perëndimit të diellit shijohen më së miri në Kalanë e Lekursit: Saranda poshtë, deti përpara, Korfuzi në horizont. Një atmosferë pothuajse joreale. Qyteti është i zhurmshëm, i etur për modernitet, vazhdimisht kontradiktor: një fshat ballkanik dhe një qytet bregdetar njëkohësisht, kaos dhe vitalitet të shkrirë në një dëshirë të vetme për zhvillim.

Është e qartë se deri 15-20 vjet më parë, gjërat ishin ndryshe këtu: fundi i komunizmit, kriza financiare e vitit 1997 dhe anarkia që pasoi kishin lënë pas një rrëmujë shkatërruese që vetëm turizmi, duke shpërthyer si një flluskë lumturie, mund ta mbulonte, por kurrë plotësisht.

Pranë hoteleve luksoze, ka shtëpi të vjetra, të papërfunduara, mbeturina, rrënim, makina të grumbulluara dhe një mungesë të plotë rregulloresh. Shërbime të dyshimta, shpesh menaxhim i paligjshëm – punonjës të paligjshëm parkimi, pak terminale POS, edhe më pak fatura – që duken nën sipërfaqen e normalitetit.

Trafikimi është gjithashtu i dukshëm nga shumë lidhje këtu me Italinë e klaneve, kryesisht ‘Ndrangheta’-s. Në pjesën më të re, qendra është një sërë baresh, restorantesh dhe tezgash me ushqim rruge që punojnë gjithë natën: është e habitshme që në katin përdhes nuk sheh kurrë dyer shtëpie, vetëm bare dhe dyqane. Një shenjë se gjithçka është ndërtuar vitet e fundit vetëm për turizëm.

Ksamili, perla e Rivierës Shqiptare, surprizon me ujëra të ngjashme me Karaibet në nuanca të blusë dhe të gjelbër që duken si një kartolinë. Por shërbimet mbeten të ngjashme me Jugun e Thellë të Italisë: rërë e hedhur mbi tokë për të krijuar plazhe të rreme elegante, pa asnjë organizim.

Po çmimet? Jo pikërisht në nivelin më të ulët: shumë larg klisheve të Shqipërisë me kosto të ulët. Më të ngjashme me ato të Italisë së vitit 2022 para inflacionit, përpara krizës energjitike dhe luftës në Ukrainë.

Midis Detit dhe Kufirit

Nga Saranda në veri, me varkë përgjatë bregdetit, zbuloni plazhe të vogla e të izoluara si Krorezi, me taverna dhe çadra që nxjerrin muzikë dhe alkool, ose Gremina, një mur i bardhë guri që zhytet në një det të pastër si qelqi. Në jug, nëse vazhdoni drejt Greqisë, rruga bëhet një sqep asfalti, duke vizatuar male, që papritmas zbresin dhe ngrihen.

Pas një kthese, pamja humbet: male të shkreta, liqene, shkurre mesdhetare. Gjithmonë aty, Korfuzi shfaqet si sfond, dinak dhe i palëvizshëm. Herë pas here, shfaqen periferi të vogla rurale, shtëpi të shpërndara, të pabanuara kurrë vërtet.

Përgjatë rrugës, burra, gra, mushka dhe fermerë; furgonë Mercedes të ngarkuar me trupa të mbushur si sardele ecin me vështirësi në kodër. Toka flet për bujqësi qartazi mbijetese, fusha të pjekura nga dielli dhe një ekonomi që nuk ka asgjë për të treguar, por thjesht kalon me vështirësi.

Në kufirin me Greqinë, udhëtimi ndalet përsëri. Kontrolle të dyfishta, radhë të pafundme makinash me motorët ndezur, kamioneta kërcënuese të Frontex, kontrolle të rastësishme në bagazh. Orë pritjeje që na kujtojnë ne “gjeneratën Shengen” se sa përpjekje duhet për të hequr dorë nga liria jonë e lëvizjes. Dhe sa e rëndësishme është ta mbrojmë atë, gjithmonë, pa e marrë kurrë si të mirëqenë.

Një mit që duhet shpërbërë

Shkurt, Shqipëria është, në fund të fundit, një mit që duhet shpërbërë. E bukur, po, por jo absolutisht mahnitëse. Nuk ka asgjë vërtet unike që justifikon një udhëtim këtu.

Deti, plazhet dhe peizazhet janë evokuese, por jo më shumë se bregdeti i Kalabrisë – me më pak shërbime dhe sigurisht më pak cilësi. Gjithçka duket e mbërthyer në Italinë e viteve 1990: zhvillim i improvizuar dhe i paarsyeshëm (Planet Master në Shqipëri nuk janë pikërisht një përparësi), një industri turizmi që lulëzon nga entuziazmi dhe ndërtimet e paligjshme, një bukuri e papërpunuar që nuk është e mjaftueshme për të bërë kërcimin.

Kjo tokë është e gjitha këtu: dete të përsosura dhe përbindësha ekologjikë betoni të papërfunduar vetëm pak hapa larg plazhit, një vend i pezulluar midis së vjetrës dhe së resë, improvizimit dhe modernitetit, nostalgjisë dhe një garë për të ardhmen.

I ndyrë dhe prekës, kaotik dhe magjepsës, i papërfunduar por i gjallë. Jugu i Italisë që dëshiron të bëhet Veri me çdo kusht. Por edhe nëse kokën e ka në Europë, bytha mbetet gjithmonë në Tunizi.

Shkruar nga Francesco Condoluci për Notizie.it. Condoluci punon si gazetar dhe këshilltar i komunikimit pranë ministrisë italiane për Reformat*

The post Anarkia perfekte – Shqipëria, një mit që duhet shpërbërë! appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Mungesa e punonjësve, filipinasit dhe indianët ‘pushtojnë’ Shqipërinë

25 August 2025 at 13:53

Nga Gazeta ‘SI’ – Rreth 22 mijë të huaj jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, sipas shifrave të lejeve të qëndrimit për vitin 2024.

Shtetasit nga Kosova dhe Italia dominojnë shifrat, por ka një rritje të fortë të emigrantëve nga vendet e Oqeanisë, +23.4% dhe Indisë, +20%. Konkretisht, INSTAT raporton se në Shqipëri jetojnë më shumë se 1.5 mijë indianë dhe më shumë se 1 mijë filipinas.

Siç tregon INSTAT, 54% e të huajve në Shqipëri janë për arsye pune dhe India e Filipinet janë dy nga vendet me të cilat shteti shqiptar ka krijuar marrëdhënie për kontraktimin e fuqisë punëtore, kryesisht në sektorin e hotelerisë, ndërtimit dhe punë të ngjashme elementare. 62% e tyre janë meshkuj, raporton INSTAT dhe pjesa tjetër femra. Mosha që dominoi më shumë ishte ajo mes 30 dhe 39 vjeç.

Një zhvillim pozitiv është ulja e ndjeshme e numrit të të huajve të parregullt në territorin shqiptar. Gjatë vitit 2024 u identifikuan 1.540 raste të tilla, shumë më pak se në vitin 2023, kur u regjistruan 6.630 persona në kushte të parregullta.

The post Mungesa e punonjësve, filipinasit dhe indianët ‘pushtojnë’ Shqipërinë appeared first on Gazeta Si.

Nga Ballkani në Portugali, Europa po digjet. The Economist: Qeveritë duhet të bëjnë më shumë!

25 August 2025 at 12:12

Meteorologjikisht, Europa është një vend mesatar. Ajo nuk preket nga uraganët, musonët apo stuhitë e rërës. Por diçka tjetër ka futur kontinentin në panik.  

Që prej mesit të 1990-s temepraturat mesatare janë rritur me 0.53 gradë celsius për dekadë, që është sa dyfishi i mesatares botërore. Pasojat u ndjenë këtë verë.

Valët e të nxehtit “poqën” Europën veriore në qershor dhe atë jugore gjatë gushtit.

Sipas Sistemit Euuropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, zjarret në Bashkimin Europian kishin djegur pothuajse 10.000 kilometra katrorë deri më 19 gusht. Kjo krahasohet me një mesatare prej 2.440 km katrorë në të njëjtën periudhë që nga viti 2006. Flakët kanë përfshirë zona të Ballkanit, Qipro, Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë. Disa prej tyre janë afruar tmerrësisht me qytetet e mëdha, duke përfshirë Madridin, Porton, Podgoricën dhe Patras, të tretin më të madh të Greqisë. Të paktën tetë persona kanë vdekur, ndoshta edhe shumë të tjerë. Vendet që po luftojnë për të përballuar kanë kërkuar ndihmë 17 herë përmes mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së, një sistem për koordinimin e reagimit ndaj fatkeqësive.

Në lidhje me madhësinë e saj, Portugalia është goditur më rëndë. Zjarri ka djegur 2.9% të të gjithë territorit të vendit: 2600 km2, më shumë se sa u dogj në të gjithë BE-në në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 4000 km2 të tjera janë shkatërruar në Spanjën fqinje. Rreth 30.000 spanjollë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Disa nga zjarret janë me intensitet shpërthyes, një trend i ri.

“Ka zona ku nuk ka asnjë mënyrë që zjarret të kontrollohen me mjete njerëzore,” tha Margarita Robles, ministrja e mbrojtjes e Spanjës. “Vetëm moti do të na lejojë të kemi atë kontroll.”

Me uljen e temperaturave dhe parashikimin e reshjeve, gjërat mund të ndryshojnë. Por shumë pyetje mbeten nëse qeveritë qendrore dhe rajonale duhet të bëjnë më shumë. Në Spanjë, investimet totale publike në parandalimin e zjarrit ranë me më shumë se gjysmën midis 2009 dhe 2022, sipas një grupi lobi të kompanive pyjore.

Ngrohja globale ka dhënë kontributin e saj në zjarre, por jo aq të madh. Ndezja vjen ose nga ngjarje natyrore, ose nga ndërhyrja njerëzore. Studimi më i fundit i shkaqeve të zjarreve në Europë përdori të dhëna nga viti 2016. Nga flakët me shkaqe të njohura (më shumë se gjysma e totalit), u zbulua se vetëm 4% kishin nisur natyrshëm. Aksidentet dhe pakujdesia shpjeguan 39%. Por arsyeja kryesore, që përbën 57% të shpërthimeve, ishte se zjarret ishin ndezur qëllimisht.

Pse? Në fillim të viteve 2000, policia pyjore e Italisë, Corpo Forestale dello Stato (CPS) tashmë e shpërbërë, kreu një studim të detajuar bazuar në të dhënat e vitit 2001. Përqindja e zjarreve që i atribuohen zjarrvënieve ishte 60%, pothuajse identike me shifrat e BE-së në sondazhin e mëvonshëm. CPS zbuloi se vetëm një në dhjetë zjarre ishin ndezur nga piromanë ose të tjerë me probleme mendore. Arsyeja më e zakonshme ishte se një përpjekje për të pastruar tokën për kullota kishte dalë jashtë kontrollit. Zjarret e tjera u ndezën me dredhi në mënyrë që zona e djegur të mund të riklasifikohej më pas për ndërtim.

Është e qartë se ekziston një rast për forcimin e dënimeve për ndezjen e zjarreve dhe për të siguruar që toka e shkatërruar nga flakët të mos përdoret më pas për kullotje ose ndërtim./TheEconomist

The post Nga Ballkani në Portugali, Europa po digjet. The Economist: Qeveritë duhet të bëjnë më shumë! appeared first on Gazeta Si.

Kompanitë e sigurimit mblodhën mbi 15 mld lekë, por dëmshpërblyen vetëm 1/3

25 August 2025 at 10:46

Nga Gazeta ‘SI’ – Kompanitë e sigurimeve në Shqipëri kanë arkëtuar më shumë se 15.4 mld lekë në 7 mujorin janar-korrik 2025, me rritje 9% nga viti i shkuar. Për të njëjtën periudhë numri i kontratave u rrit me 7%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.75% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.25% të totalit të tregut.

Sigurimi motorik i detyrueshëm është rritur me 13.1% gjatë kësaj kohe duke arkëtuar 9.3 mld lekë në total.

Sigurimi vullnetar nga ana tjetër arkëtoi 6.15 mld lekë, me rritje modeste prej 3.25%. 2.6 mld lekë u arkëtuan vetëm nga portofoli i pronës, ku kryeson sigurimi nga zjarri dhe dëmtime të tjera. Gjithsesi, të ardhurat nga ky raportohen me ulje gjatë kësaj periudhe me 3.5%.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë janar – korrik 2025, vihet re një ulje prej 2.49% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.08% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me janar – korrik 2024.

Pagesat e dëmeve gjatë janar – korrik 2025 u rritën me 0.9%. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3.68 mld lekë, apo 76.69% të totalit të dëmeve të paguara bruto, 4.8 mld lekë.

The post Kompanitë e sigurimit mblodhën mbi 15 mld lekë, por dëmshpërblyen vetëm 1/3 appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Forcohet euro

25 August 2025 at 09:23

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet mbi vlerën 1.168 trenda do të jetë rritëse me target 1.187. Tregtimi nën vlerën 1.169 do të pasohej nga testimi i suportit 1.165.

Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet mbi vlerën 1.349 trenda do të jetë pozitive me objektiv 1.36 reagimi pozitiv ndaj të cilit e avancon lëvizjen rritëse drejt rezistencës 1.3725. Tregtimi nën vlerën 1.349 hap rrugën për ritestimin e suportit 1.346.

Për sa kohë USD/JPY do të tregtohet nën vlerën 147.1 trenda do të jetë rënëse me target 145.5. Tregtimi mbi vlerën 147.1 do të ndiqej nga testimi i rezistencës 1147.6.

Për sa kohë DOW JONES do të tregtohet mbi vlerën 45480 trenda do të jete pozitive me target 46380. Tregtimi nën vlerën 45480 hap rrugën për testimin e suportit 45000.

Për sa kohë CRUDE OIL do të tregtohet nën vlerën 64 trenda do të jetë negative me target 63.2. Tregtimi mbi vlerën 64 do të pasohej nga tentativa e testimit të rezistencës 64.8.

Për sa kohë BTC/USD do të tregtohet nën vlerën 113000 trenda do tëjetë rënëse me objektiv 107900. Tregtimi mbi vlerën 113000 do të pasohej nga avancim i mëtejshëm me target 114800.

The post Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Forcohet euro appeared first on Gazeta Si.

Tronditet Italia, zbulohet grupi i burrave që shpërndanin foto intime të grave të tyre

22 August 2025 at 13:08

Kompania Meta ka mbyllur një grup italian në Facebook ku burrat shpërndanin fotografi intime të grave të veta, pa dijeninë e tyre.

Grupi quhej “Mia Moglie” përkthyer në “Gruaja ime” dhe kishte nisur që në 2019-n pa asnjëlloj kufizimi për t’u bashkuar dhe numëronte 32 mijë anëtarë që ndanin qindra foto dhe komente seksiste.

Skandali ka ekspozuar një fenomen akoma më të rëndë në Itali, ku gratë mbeten viktimat kryesore të urrejtjes në rrjet, duke i bullizuar ato për pamjen e tyre fizike.

Qeveria e djathtë e drejtuar nga Giorgia Meloni po përballet me presion të fortë nga opozita. Ata i kanë kërkuar kryeministrisë të marrë masa direkte kundër mentalitetit patriarkal që i trajton gratë si objekte dhe instrumente.

Roberta Mori nga Partia Demokratike në Itali thotë se incidenti nuk është i izoluar, por një nga shumë rastet e dhunës digjitale që buron nga kultura patriarkale, si rasti i Gisele Pelicot në Francë, e cila ishte përdhunuar prej shumë vitesh nga bashkëshorti dhe shokët e tij.

Qeveria italiane nuk ka dhënë asnjë koment.

Aktivistët që kanë denoncuar grupin e quajnë një “përdhunim virtual në grup”. Policia italiane ka regjistruar rreth 2.800 ankesa për këtë rast.

“Kemi marrë një numër tepër të lartë ankesash, nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha Barbara Strappato, zv/drejtoreshë e Policisë Postare. “Nuk kishte asnjë autorizim për përdorimin e imazheve intime.”

Autoritetet italiane thanë se nuk e dinin saktësisht për sa kohë burrat e kishin përdorur grupin për të shkëmbyer fotografi. Por fakti që grupi qëndroi aktiv për gjashtë vjet, pavarësisht ndalimit të qartë të Metës për imazhet shfrytëzuese seksuale, ngre pikëpyetje në lidhje me aftësinë e tij për të zbatuar rregullat.

Meta në fillim të këtij viti zbuti disa nga politikat e saj të moderimit të përmbajtjes për të qetësuar administratën Trump, pavarësisht thirrjeve nga grupet e të drejtave civile për më shumë përmbajtje policore.

Marisa Marraffino, një avokate e specializuar në çështjet penale në internet, tha se anëtarët e grupit që shpërndanin foto intime ose komentonin mbi to, mund të përballen me akuza penale të dënueshme deri në gjashtë vjet burg.

Veprat e mundshme përfshijnë ndarjen e paligjshme të imazheve intime – ose pornografi hakmarrëse – shkelje të privatësisë, shpifje të rënduara dhe pornografi për fëmijë, tha Marraffino.

Sipas ligjit italian, gratë kanë gjashtë muaj kohë për të ngritur akuza kundër autorëve të mundshëm të pornografisë hakmarrëse, tha ajo, duke shtuar se “mund të rezultojë në një gjyq maksimal që përfshin mijëra familje”./FinancialTimes

The post Tronditet Italia, zbulohet grupi i burrave që shpërndanin foto intime të grave të tyre appeared first on Gazeta Si.

Turistëve të huaj u ikën interesi për Shqipërinë. Shqiptarët po pushojnë jashtë!

22 August 2025 at 12:27

Nga Gazeta ‘SI’ – Shifrat e turizmit për sezonin veror 2025 tregojnë një panoramë jo fort entuziaste.

INSTAT raporton, se në korrik të këtij viti janë regjistruar vetëm 0.4% më shumë të huaj se një vit më parë, ose 1.8 mln.

Në total, gjatë korrikut në Shqipëri raportohen 2.6 mln hyrje, me një rritje modeste prej 1.5% nga korriku i shkuar, kur rritja ishte 2.7%. Në shumicën e rasteve qëllimi i hyrjeve në Shqipëri është për pushime, por treguesi është rritur me vetëm 0.2% nga një vit më parë.  

Vizitorët nga Europa zënë 95% të hyrjeve të regjistruara, kryesisht Europa jugore. Në tendencë rritëse janë edhe vizitorët nga SHBA, Afrika e Azia.

INSTAT raporton një rritje të ndjeshme të shqiptarëve që kanë dalë nga vendi gjatë këtij muaji, 11%, përkthyer në 782 mijë. Korrikun e shkuar ky tregues ishte 1.7%.

Sezoni 2025, ndonëse nuk ka përfunduar ende është përshkruar si i zbehtë nga operatorët dhe turistët, ndryshe nga dy vitet paraardhëse. Për bizneset dhe qytetarët, problemet e shumta në infrastrukturë, fasilitete dhe informaliteti po mbajnë “peng” potencialin turistik të Shqipërisë.

Gjithsesi, Shqipëria vazhdon të dominojë listat e mediave botërore si një ndër vendet që duhet të vizitohet.

The post Turistëve të huaj u ikën interesi për Shqipërinë. Shqiptarët po pushojnë jashtë! appeared first on Gazeta Si.

Kënaqësia financiare e shqiptarëve më e ulëta në Europë

22 August 2025 at 11:01

Nga Gazeta ‘SI’ – Kënaqësia financiare e shqiptarëve është e ulët , duke u rreshtuar krahë shteteve në nivelet minimale.

4.8 vlerësohet kënaqësia financiare në Shqipëri nga 10 që është maksimumi. Kjo është norma më e ulët e raportuar pas 4.6, që ka Turqia dhe Bullgaria.

Eurostat sqaron se niveli i kënaqësisë nuk lidhet vetëm me nivelin e të ardhurave, por edhe me moshën dhe përbërjen e familjes. Të rinjtë shprehen më të kënaqur dhe ata që jetojnë në familje me të paktën dy të rritur.

Finlanda dhe vendet e tjera skandinave raportojnë kënaqësi të lartë financiare, maksimumi i regjistruar, 7.6.

Nga viti 2013 deri në vitin 2022, kënaqësia e njerëzve me gjendjen e tyre financiare u rrit në shumicën e vendeve të BE-së. Përjashtim bënë Danimarka, Luksemburgu dhe Suedia, ku ra pak, dhe Franca dhe Finlanda, që mbeti në vend.

The post Kënaqësia financiare e shqiptarëve më e ulëta në Europë appeared first on Gazeta Si.

Shtrenjtë dhe larg! Shqipëria ka numrin më të lartë të të sëmurëve që nuk marrin trajtim shëndetësor

22 August 2025 at 10:33

Nga Gazeta ‘SI’ – Kostot e larta financiare apo distanca gjeografike, i ka detyruar shqiptarët të mos I shkojnë pas nevojave shëndetësore.

Sipas gjetjeve të Eurostat, Shqipëria ka numrin më të lartë në Europë, të qytetarëve që kanë lënë shëndetin e tyre pas dore, 15.2%. 10.2% e tyre përmendin kostot ose udhëtimet e largëta si arsye e mosndjekjes së problmeve shëndetësore. 5% përmendin “arsye të tjera” ku përfshihen mungesa e kohës, e informacioneve apo frika ndaj spitaleve dhe mjekëve.

Në Bashkimin Europian, përqindja e njerëzve që nuk kanë plotësuar nevojat shëndetësore raportohet 3.8%. Qipro raporton nivelin më të ulët të këtij problemi, 0.1%. Në BE, 2 arsyet kryesore më të zakonshme për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor në 2024 ishin për shkak të listave të pritjes ose se ishte shumë e shtrenjtë.

Eurostat ndan edhe grupmoshat që kanë shmangur kontrollet shëndetësore në Shqipëri, ku vendin e parë e zënë pensionistët, ata mbi 65 vjeç, 15% e të cilëve nuk kanë marrë trajtim apo kujdes për shëndetin.

Në norma të larta janë edhe personat e moshës së mesme, 45-64 vjeç, 14% e të cilëve nuk janë trajtuar dhe rreth 8% e të rinjve, grupmoshës 16-44 vjeç.

Shifrat e Eurostat i referohen vitit 2024, matur sipas personave që kanë pasur nevojë për trajtim shëndetësor.

The post Shtrenjtë dhe larg! Shqipëria ka numrin më të lartë të të sëmurëve që nuk marrin trajtim shëndetësor appeared first on Gazeta Si.

Sigurimi i detyrueshëm, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Ndëshkon shtresat në nevojë. Drafti i paqartë!

21 August 2025 at 12:57

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave të rishikojë draftin e sigurimit të detyrueshëm të banesave me shqetësime mbi transparencën dhe trajtimin e shtresave në nevojë.

AmCHam thotë se ndalimi i shërbimeve publike për ata që nuk bëjnë sigurimin e detyrueshëm do të ndëshkojë fort familjet e varfëra dhe sugjeron përjashtime ose lehtësira për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike.

Krijimi i Fondit për Tërmetet, ku do të shkojnë paratë e sigurimeve, shikohet me optimizëm nga shoqata e bizneseve, por ngre shqetësimin se Ministria e Financave ka fuqi të tepruara mbi emërimet dhe mbikëqyrjen, duke vënë në dyshim pavarësinë e tij.

Dhoma Amerikane thekson se drafti përkufizon qartë banesat dhe seksionet e brendshme, por lë paqartësi për ndërtesat me përdorim të përzier apo për ato që janë vetëm pjesërisht rezidenciale.

Gjithashtu, drafti parashikon që dëmshpërblimet të jepen pas 3 muajsh nga aplikimi i qytetarit, por sipas Dhomës, nuk sqarohet çfarë ndodh në rast vonese apo refuzimi. Ankimi para një komisioni ad-hoc nuk është i detajuar, ndërsa përfshirja e ndërmjetësimit apo arbitrazhit do të siguronte më shumë besim.

Një tjetër vërejtje lidhet me krijimin e regjistrit të sigurimit dhe shkëmbimin e të dhënave mes institucioneve, ku sipas Dhomës, nuk është parashikuar qartë përputhshmëria me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Po ashtu, drafti trajton si sigurimin e detyrueshëm ashtu edhe atë vullnetar, por mungon koordinimi mes tyre dhe renditja e pagesave, duke lënë hapësira për konfuzion.

Dhoma Amerikane kërkon që këto problematika të adresohen para miratimit, në mënyrë që ligji të garantojë qartësi, pavarësi institucionale dhe mbrojtje reale të qytetarëve.

The post Sigurimi i detyrueshëm, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Ndëshkon shtresat në nevojë. Drafti i paqartë! appeared first on Gazeta Si.

‘Cilësi e parë’/ Veshjet imitim të firmave luksozve nuk do të futen më në Shqipëri!

21 August 2025 at 11:17

Nga Gazeta ‘SI’ – Produktet imitime të markave luksoze nuk do të futen dot më në Shqipëri.  

Me një ligj të ri, Shqipëria ka forcuar masat për të mbrojtur markat tregtare dhe për të luftuar falsifikuesit e tyre. Çdo produkt “fake” nga tregtarët apo qytetarët do të bllokohet në pikat doganore.

Ligji i ri ndalon importin dhe eksportin e mallrave që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale dhe merr masa kundër mallrave false.

Po ashtu, udhëtarët që vijnë në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësor edhe detare, lejohen të kenë në bagazhin personal vetëm mallra jo-tregtare, brenda limiteve duty free dhe pa tregues të dyshimtë. Ligji përcakton një mbrojtje të veçantë për markat me reputacion të mirë, duke i mbrojtur ato edhe në rastet kur mallrat ose shërbimet nuk janë të ngjashme.

Gjithashtu u jepet e drejta pronarëve të markave që të ngrenë padi për imituesit e produkteve të tyre. Madje në nenin 87 thuhet se pronari i markës ka të drejtën edhe të kërkimit të dëmshpërblimit për dëmet që mund t’i jenë shkaktuar si rezultat i përdorimit të paautorizuar të markës së tij nga tregtare abuzivë.

Pronarët mund të kërkojnë nisjen e hetimeve nga Drejtoria e Pronësisë Industriale kundrejt një pagese në rast se konstatojnë ngjashmëri të një marke tjetër me markën e tyre.

Ky ligj është vazhdimësi e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të luftuar tregun e mallrave “fake” që e ka kthyer Shqipërinë në një Turqi të dytë me dyqane të shumta online e fizike që shesin “imitime të para” të firmave ekstraluksoze si Louis Vuitton, Prada, Dior, Dolce&Gabbana etj.

Gjatë 2024-s, Dogana ka deklaruar se ka bllokuar më shumë se 40 mijë produkte të firmave të falsifikuara.

The post ‘Cilësi e parë’/ Veshjet imitim të firmave luksozve nuk do të futen më në Shqipëri! appeared first on Gazeta Si.

Projektet e energjisë, BE i jep 32 mln euro ndihmë Shqipërisë

21 August 2025 at 10:53

Nga Gazeta ‘SI’ – Bashkimi Europian ka dhënë dritën jeshile për një paketë të re mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të Planit të Rritjes, BE ka miratuar 87.7 mln euro ndihmë, nga të cilat Shqipëria përfiton 32 mln euro për tre projekte të lidhura me fushën e energjisë.

Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro.

Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. Investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro.  Projekti i tretë është Linja e re Rrashbull – Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro.

Serbia është vendi që ka fituar më shumë nga BE, 41 mln euro për dy projekte që kushtojnë 186 mln euro, ndërsa Mali i Zi ka përfituar 10 mln euro me projekte që kushtojnë rreth 54 mln euro.

Digjitalizimi në fushën e energjetikës dhe energjia e pastër janë projektet e para që përfshin Plani i Rritjes së BE-së.

The post Projektet e energjisë, BE i jep 32 mln euro ndihmë Shqipërisë appeared first on Gazeta Si.

NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, 5% për të tjerat. Tatimi 15% nxit informalitetin

20 August 2025 at 20:22

Nga Gazeta ‘SI’- Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë, NAREA i ka kërkuar qeverisë që tatimi për banesat në rivlerësim të vendoset në masën 3% dhe për çdo tipologji tjetër pasurie në masën 5%.

Projektligji i propozuar nga qeveria parashikon nivelin 5% për të gjitha pronat

Në emër të mbi 115 Zyrave të Real Estate, NAREA argumenton se tatimi 15% i ka shkaktuar shtetit shqiptar më shumë humbje se sa fitim, si pasojë e informalitetit.

“Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, në vitet 2020-21-22 kur tatimi ka qenë në nivelet 3%, në buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura në vit nga rishitja pasurive të paluajtshme. Kjo shifër është 60% me tepër në krahasim me vitet kur tatimi ka qenë 15%. Një e barrë fiskale kaq e lartë ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, me të paktën 40 milionë euro në vit si edhe nxit informalitetin”.

Propozohet që periudha e Rivlerësimit të jetë të paktën 12-mujore dhe jo 9-mujore, siç e ka projektligji. NAREA thotë se nga 4.5 milionë pasuri të paluajtshme, vlerësohet se vetëm 250 mijë pasuri kanë arritur të rivlerësohen në të shkuarën.

“Duke marrë në konsideratë eksperiencën në 3 periudhat e rivlerësimit, kur janë procesuar mesatarisht 30 mijë -33 mijë aplikime në vit, periudha 9 mujore e propozuar në projektligj vlerësohet si shumë e shkurtër dhe që nuk do arrij efektet e synuara”, shprehet shoqata në fjalë.

NAREA propozon gjithashtu “që të përfshihen si objekt i këtij ligji edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces, nëpërmjet kontratave të porosive, të cilat janë depozituar dhe regjistruar në ASHK në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

The post NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, 5% për të tjerat. Tatimi 15% nxit informalitetin appeared first on Gazeta Si.

‘Më kanë arrestuar’, familjarët denoncojnë zhdukjen e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t

20 August 2025 at 19:50

Nga Gazeta ‘SI’ – Zhduket ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare dhe Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima.

Kanë qenë familjarët e tij që kanë denoncuar në polici humbjen e të afërmit që prej mesditës.

Më saktësisht, e ëma ka shkuar në komisariatin numër 1 të kryeqytetit për të kallëzuar zhdukjen e djalit.

“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Shima, e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin Danie Shima, 34 vjeç”, njoftoi policia.

Përpara se të humbte kontaktet, Shima është shprehur se po e arrestonin në Tiranë. Ka qenë e dashura e tij, ajo që ka dëshmuar një gjë të tillë në polici.

“Më tha se po e shoqëronin në polici”, është shprehur ajo.

Deri më tani nuk dihet asnjë informacion për vendndodhjen e ish-zv/drejtorit të AKSHI-t. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tij.

The post ‘Më kanë arrestuar’, familjarët denoncojnë zhdukjen e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t appeared first on Gazeta Si.

❌
❌