UEFA përjashton një klub për 10 vjet nga garat evropiane për trukim ndeshjesh – dy lojtarë përjashtohen nga futbolli përgjithmonë
UEFA ka përjashtuar një klub nga të gjitha garat e saj për një periudhë prej dhjetë vitesh dhe e ka gjobitur me 500 mijë euro, pas akuzave për manipulim të ndeshjeve dhe shkelje të rregullave të integritetit.
Organi më i lartë i futbollit evropian ka ndëshkuar klubin malazez KF Arsenal Tivat, i cili mori pjesë në Ligën e Konferencës për sezonin 2023/24, pas një hetimi mbi dyshimet për trukim të ndeshjes së zhvilluar kundër Alashkert FC në korrik të vitit 2023.
Vendimi i UEFA-s nënkupton se FK Arsenal Tivat nuk do të mund të marrë pjesë në asnjë garë të organizuar nga UEFA – përfshirë Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës – deri në sezonin 2034/35.
Breaking: UEFA bans FK Arsenal Tivat from its competitions for TEN YEARS for match fixing linked to Conference League matches
— Rob Harris (@RobHarris) July 16, 2025
Në deklaratën zyrtare të publikuar të mërkurën, UEFA sqaroi: “Pas një hetimi dhe procedurave disiplinore kundër FK Arsenal Tivat dhe individëve të tjerë, lidhur me shkelje të dyshuara të Rregullores Disiplinore të UEFA-s gjatë ndeshjes së Ligës së Konferencës mes Alashkert FC dhe FK Arsenal Tivat në korrik 2023, Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës (CEDB) ka marrë këto vendime:
Akuzat ndaj FK Arsenal Tivat:
Shkelje të parimeve të përgjithshme të sjelljes (Neni 11).
Manipulim i ndeshjeve dhe shkelje të integritetit të garave (Neni 12).
Vendimi:
FK Arsenal Tivat dënohet me një gjobë prej 500,000 eurosh.
FK Arsenal Tivat përjashtohet nga të gjitha garat e UEFA-s për dhjetë vjet, deri në sezonin 2034/35.
FIFA kërkohet të zgjasë këtë ndalim në të gjitha kompeticionet në nivel global”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së futbollit evropian.
Përveç klubit, disa individë të përfshirë janë dënuar rëndë. Lojtari Nikola Celebic është ndaluar përjetësisht nga çdo aktivitet i lidhur me futbollin, ndërsa Cetko Manojlovic është pezulluar për dhjetë vjet.
Radule Zivkovic dhe Dushan Puletic janë gjithashtu pezulluar për dhjetë vjet për përfshirje në manipulim të ndeshjeve.
Drejtori sportiv i klubit, Ranko Krgovic, është dënuar me përjashtim të përjetshëm nga çdo aktivitet i lidhur me futbollin.
Ky është dënimi më i rëndë që UEFA ka dhënë për një klub që nga viti 2009, kur FK Pobeda nga Maqedonia e Veriut u përjashtua për tetë vjet për trukim të ndeshjeve. /Telegrafi/
The post UEFA përjashton një klub për 10 vjet nga garat evropiane për trukim ndeshjesh – dy lojtarë përjashtohen nga futbolli përgjithmonë appeared first on Telegrafi.