Erë e keqe dhe zhurmë e çuditshme, po e shkatërroni makinën larëse pa dijeninë tuaj duke bërë këto veprime
Nga mbushja e tepërt e kazanit te zgjedhja e programit të gabuar – miliona prej nesh po e dëmtojnë lavatriçen pa e kuptuar.
Sipas Andrew Wright, ekspert i pajisjeve të kuzhinës dhe themelues i markës Cookology, gabimet e vogla që bëjmë gjatë larjes po i kushtojnë familjeve kohë, para dhe rroba që nuk kanë aromë të freskët.
“Ne të gjithë e përdorim lavatriçen, por shumë pak e përdorin siç duhet,” thotë Wright. “Edhe ndryshime të vogla në mënyrën se si e mbushim, e pastrojmë dhe e mirëmbajmë mund të kenë ndikim të madh në performancë dhe jetëgjatësi. Lavatriçet janë ndërtuar për të zgjatur mbi 10 vjet, por vetëm nëse kujdesemi siç duhet për to. Me disa zakone të thjeshta, mund të shmangni prishjet dhe të mbani rrobat të pastra, të freskëta dhe me aromë të mirë”.
Nëse jeni duke ripastruar rrobat sepse kanë erë të keqe apo makina bën zhurma të çuditshme, mund të jeni duke bërë një nga këto 6 gabime të zakonshme:
Zgjedhja e gabuar e programit apo temperaturës
Sipas ekspertit, një nga gabimet më të mëdha është zgjedhja e temperaturës apo programit të gabuar.
Edhe pse është joshëse të lash gjithçka në 30°C për të kursyer energji, me kalimin e kohës kjo lejon grumbullimin e baktereve dhe mbetjeve të detergjentit, sidomos në kazan dhe tuba.
Temperaturat më të larta vrasin mikrobet më mirë dhe ndihmojnë në shpërbërjen e papastërtive dhe yndyrave, duke e bërë detergjentin më efektiv.
Për shembull, një larje në 60°C është e përshtatshme për të vrarë mikrobet në rroba shumë të pista si peshqirët dhe çarçafët.
Wright këshillon të bëni një larje bosh në temperaturë 60°C deri në 90°C me detergjent ose pastrues special për lavatriçen, një herë në muaj – për ta mbajtur të pastër dhe higjienike.
Mbushja e tepërt e kazanit
Sipas Wright, një nga gabimet më të zakonshme është mbushja e tepërt e kazanit.
Kur fusni shumë rroba, uji dhe detergjenti nuk qarkullojnë siç duhet. Si rezultat, rrobat nuk lahen mirë dhe makina lodhet për të rrotulluar, gjë që dëmton motorin dhe kushinetat.
Për një larje normale, kazani duhet të jetë rreth 75% i mbushur – duhet të mund të fusni një dorë mbi rrobat brenda.
Përdorimi i tepërt i detergjentit
Sipas ekspertit, më shumë shkumë nuk do të thotë rroba më të pastra. Detergjenti i tepërt mbetet brenda makinës dhe në rroba, duke shkaktuar mbetje, irritime të lëkurës dhe madje myk në sirtar dhe kazan.
Ndiqni gjithmonë udhëzimet e prodhuesit të detergjentit.
Mbyllja e derës dhe sirtarit pas larjes
Shumë njerëz, sapo mbaron larja, mbyllin menjëherë derën dhe sirtarin e detergjentit – duke krijuar një mjedis të lagësht ku zhvillohet myku dhe shfaqen erëra të këqija.
Wright këshillon të lini gjithmonë derën dhe sirtarin pak hapur pas larjes, për të lejuar qarkullimin e ajrit dhe për të parandaluar grumbullimin e mykut.
Mos pastrimi i filtrit
Shumica e njerëzve harrojnë që lavatriçja ka një filtër, por ai është shumë i rëndësishëm, thotë Wright.
Pluhur, monedha, kapëse flokësh dhe mbetje të tjera grumbullohen aty dhe mund të shkaktojnë probleme me kullimin, erë të keqe apo edhe përmbytje.
Kontrolloni dhe pastroni filtrin (zakonisht ndodhet në pjesën e përparme poshtë makinës) çdo 4 deri në 6 javë – sidomos nëse vini re që makina vonon apo ka aromë të pakëndshme.
Mosleximi i etiketave të kujdesit në rroba
Nëse pulovra juaj prej leshi është tkurrur apo xhinset kanë dalë të ngurta dhe të zbehura, ka shumë mundësi që nuk keni ndjekur udhëzimet në etiketë.
Disa materiale kërkojnë temperatura, shpejtësi rrotullimi apo mënyra larjeje të veçanta.
Mësohuni të ndani rrobat jo vetëm sipas ngjyrës, por edhe sipas llojit të materialit dhe udhëzimeve të larjes. Garderoba juaj – dhe lavatriçja – do t’ju jenë mirënjohëse.
The post Erë e keqe dhe zhurmë e çuditshme, po e shkatërroni makinën larëse pa dijeninë tuaj duke bërë këto veprime appeared first on Telegrafi.