Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Main stream

Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian 

By: Kult Plus
14 July 2025 at 19:57

Fortesa Trekëndore është një nga objektet historike më të dukshme dhe më madhështore të Butrintit. Fortesa është vendi ideal për të interpretuar rolin e venecianëve në Butrint, bashkë me të edhe arkeologjinë pas-klasike, ku për ta vizituar udhëtohet me lundër përmes Kanalit të Vivarit. Lundra është mjeti  i aksesit për stafin e menaxhimit dhe vizitorët për në Fortesën Trekëndore.

Kjo kala ka nevojë për konservim dhe këto punime janë përfshirë në ndërhyrjet e rekomanduara në Planin e Konservimit të Planit te Menaxhimit te Integruar te Butrintit. Ajo ka një oborr të brendshëm mjaft të madh për komunitetin dhe kryerjen e veprimtarive të tjera.

Kalaja Trekëndore ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Emri rrjedh nga planimetria e saj në formën e një trekëndëshi. Në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore prej të cilave ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.

Ndërtimi i saj i takon disa fazave. Muret e kalasë, frëngjitë me mbulesë pllakash në formë çatie dhe kulla dykatëshe në pjesën jugperëndimore janë ndër ndërtimet më të hershme të saj.

Kalaja Trekëndore është pjesë e rëndësishme e sistemit fortifikues të Butrintit duke siguruar mbrojtjen si nga pjesa fushore ashtu dhe nga pjesa e detit Jon me të cilin lidhet përmes kanalit të Vivarit, shkruan atsh./KultPlus.com

Del në ankand Porsche e dizajnuar nga Dua Lipa

By: Kult Plus
14 July 2025 at 19:19

Gjatë fundjavës së Çmimit të Madh në Monako është prezantuar zyrtarisht një nga makinat më të veçanta të këtij viti: Dua Lipa Rennstall GT3 RS, një version ekskluziv i modelit 2024 Porsche 911 GT3 RS, krijuar në bashkëpunim me këngëtaren e njohur Dua Lipa dhe kompaninë Porsche.

Kjo makinë unike përmban paketën e kërkuar Weissach, me rrota prej magnezi, komponentë prej karboni, frenat Porsche Ceramic Composite, si dhe një motor atmosferik 4.0 litra flat-six, që arrin deri në 9,000 rpm, transmeton.

Pamja e jashtme e makinës është zbukuruar me një dizajn të veçantë dhe ngjyra të gjalla të krijuara nga vetë Dua Lipa, të frymëzuara nga energjia dhe stili vizual i turneut të saj Radical Optimism.

Të gjitha të ardhurat nga ankandi do të shkojnë për Fondacionin Sunny Hill themeluar nga Dua Lipa.

Makina do të ekspozohet në Goodwood Festival of Speed si dhe në #SothebysParis, ndërsa ankandi është i hapur deri më 31 korrik./KultPlus.com

Agjencia e Kosovës për Akreditim rikthehet si anëtare me të drejta të plota në EQAR

By: Kult Plus
14 July 2025 at 19:07

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas vlerësimit pozitiv nga ekipi i pavarur i ekspertëve të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA).

Sipas njoftimit të AKA, në letrën zyrtare të cilën, të hënën presidenti i EQAR-it, Stéphane Lauwick i ka dërguar drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, thuhet: “I nderuar z. Naim Gashi, Komiteti i Regjistrit ka shqyrtuar aplikimin tuaj të datës 02.02.2024 për (riperfshirjen) në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Aplikimi juaj është aprovuar dhe përfshirja juaj do të jetë e vlefshme deri më 31.12.2029. Ju lutem pranoni urimet e mia për aplikimin tuaj të suksesshëm dhe përgëzimet e mia të përzemërta për punën tuaj në emër të të gjithë anëtarëve të Komitetit të Regjistrit”.

EQAR është institucioni më i lartë evropian që regjistron agjenci të cilat veprojnë në përputhje me standardet evropiane për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë (ESG).

“Anëtarësimi në EQAR përfaqëson një njohje ndërkombëtare të punës së palodhshme dhe të përkushtuar të AKA-së në përmbushjen e standardeve më të larta evropiane, duke rritur ndjeshëm kredibilitetin dhe besueshmërinë e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se si rezultat, diplomat e studentëve kosovarë do të kenë vlefshmëri të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, si në kuptimin akademik ashtu dhe profesional në të gjithë Evropën dhe më gjerë, pasi që regjistrimi në EQAR është tregues se diploma vjen nga një program ose institucion që përmbush standardet rigoroze të cilësisë, duke siguruar studentët dhe punëdhënësit për vlerën e diplomës.

Nga ana tjetër, institucionet e arsimit të lartë në vend do të kenë qasje të plotë në programe të Bashkimit Evropian në fushën e arsimit, mundësinë për njohjen ndërkombëtare, partneritete, financim, tërheqje studentësh dhe zhvillim të vazhdueshëm.

Me anëtarësimin në EQAR, AKA bëhet institucion kredibil, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtarë, pasi që në kuptimin e cilësisë është e barabartë me agjenci tjera për të vlerësuar institucione të arsimit të lartë nëpër Evropë dhe më gjerë.

“Pas pranimit të vendimit për anëtarësimin e AKA në EQAR Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof. Hasnije Ilazi, potencoi se Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që arrin anëtarësimin në këtë institucion ndërkombëtar. “Ky është një sukses nacional dhe një arritje kolosale për studentët dhe të diplomuarit kosovarë, pasi që diplomat e tyre tashmë bartin vulën e cilësisë evropiane. Kjo rrit imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës si vend me arsim të lartë në përputhje me standardet e BE-së”, citohet Ilazi në komunikatë.

Drejtori i Përgjithshëm i AKA-së, Naim Gashi, theksoi se ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë. “Në vitin 2020 hartuam planin për përmbushjen e 14 standardeve. Pas anëtarësimit si affiliate në ENQA në shtator 2022 dhe pas aplikimit zyrtar për EQAR në dhjetor 2023, më 1 korrik 2024, një ekip prej pesë ekspertësh ndërkombëtarë vizitoi Kosovën dhe dha një vlerësim pozitiv,” tha Gashi.

Kryetarja Ilazi dhe drejtori Gashi falënderojnë për përkrahje Bordin e AKA-së, stafin profesional, Ministren e Arsimit znj. Arbërie Nagavci, Qeverinë, Kuvendin, shoqërinë civile, donatorët dhe agjencitë partnere ndërkombëtare që mbështetën këtë proces, në mënyrë të veçantë agjencitë homologe nga Kroacia, Austria dhe Gjermania./KultPlus.com

Kroçera “Nautica” me 676 turistë në Durrës, Rama: Përjetuan mikpritjen e pashoqe shqiptare

By: Kult Plus
14 July 2025 at 18:43

Porti i Durrësit edhe këtë sezon turistik është kthyer në ndalesën e kroçerave me turistë të huaj, të cilët ndalojnë për të vizituar qytetin bregdetar por jo vetëm.

Gjatë fundjavës që lamë pas në kalatën nr. 5 në portin e Durrësit u ankorua anija luksoze “Nautica”, duke sjellë në bregdetin tonë 676 vizitorë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga mbërritja e turistëve në port, të cilët më pas vizituan  Durrësin dhe zonat përreth.

“676 turistë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës janë ndalur këtë fundjavë në Portin e Durrësit me anijen kroçerë “Nautica”, ndërsa kanë eksploruar sitet historike të qytetit bregdetar dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar edhe mikpritjen e pashoqe shqiptare”, shkruan Rama.

Anija “Nautica”, me gjatësi 182 m dhe kapacitet për 684 udhëtarë, lundroi nën flamurin e ishujve Marshall dhe është pjesë e flotës prestigjioze të Oceania Cruises.

Gjatë ndalesës në Durrës, turistët eksploruan sitet historike të qytetit dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar mikpritjen shqiptare dhe ofertat autentike që ofron destinacioni ynë bregdetar./atsh/KultPlus.con

Laboratori i Restaurimit në Korçë shpëton ikonën e veçantë të Joan Pagëzorit

By: Kult Plus
14 July 2025 at 18:00

 Një tjetër thesar ikonografik ka shpëtuar falë ndërhyrjes së Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

Pas një pune disamujore, përfundoi ndërhyrja restauruese në ikonën “Joan Pagëzori” vepër e realizuar në vitin 1860. E veçanta e kësaj ikone është paraqitja në miniaturë e skenës së lindjes të Joan Pagëzorit.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti tha për ATSH-në se, procesi i restaurimit zgjati 10 muaj. Ishte një proces i gjatë por në fund i suksesshëm.

“Ikona i përket vitit 1860, viti i cili u identifikua pas procesit së restaurimit, pasi ikona kishte dëmtime të shumta në të gjithë komponentët. Suporti i drunjtë ishte tepër i dëmtuar, kishte rënë një pjesë e konsiderueshme e gruntit dhe pikturës. Kishte gufime të shtresave përgatitore dhe të pikturës. Verniku ishte i oksiduar dhe me depozitime mbi të”, sqaroi drejtoresha e MKAM.

Përveç figurës së Joanit, brenda kompozimit është pikturuar dhe skena e lindjes së tij, dhe kjo e bën ikonën të veçantë, ndryshe nga paraqitjet e zakonshme të Joan Pagëzorit në ikonografi. Poshtë kësaj skene është identifikuar viti i krijimit të ikonës dhe emrat e dhuruesve Kostandini dhe Anastasi.

Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar është një pjesë përbërëse, shumë e rëndësishme e MKAM, që në hapje të tij, prej 1980-ës./atsh/KultPlus.com

163 vjet nga lindja e Gustav Klimt, bohemit të pikturës simboliste vjeneze

By: Kult Plus
14 July 2025 at 16:59

Gustav Klimt do të mbamendet në historinë e artit ndër më të kurajshmit bohem të pikturës. Biri i një argjendari të pafat do të qëndiste me ar dhe zjarr penelatash të epshme përvojat dhe përjetimet më të zellshme të gjakut dhe kurmit. Klimt ndryshoi simbolikën tradicionale të deriatëhershme, ose më saktë e pasuroi atë duke e përjetësuar seksin dhe epshin me elementë dhe shprehës më cytës, gjithnjë brendandjesor dhe shpërthyes.

E lartësoi si pakkush tjetër deri asokohe femrën, duke e shndërruar atë në një simbolikë qëndore të universales. Ai e ngërthen në themel të gjithçkasë dhe e pjesëmerr në çdo ngjizje amshimi. Depërton brenda saj jo vetëm seksualisht. Rrëmon në fundin e kësaj qënie dhe gjen kuptimin e shumëçkasë dhe nuk druhet t’ia kumtojë botës si një zbulim. Në një shumësi punësh ai i’u kushtua trupit të gruas, spariherë si energji përtëritëse dhe si mjet komunikimi estetik. Kjo epërsi, ky dominim i femrës, nuk kridhet në tablonë e piktorit  në mënyrë rastësore. Ajo vendoset si element shprehës, si nevojë e mjeshtrit për ta orjentuar shpërthimin kumtues përnga gufojnë përjetimet dhe jetësimet në tablotë e tij monumentale.

Shpirti i këtij gjahtari gjendjesh të epshme priret të dëshmojë njëherash dhe botëkumtimin që ngas në këtë lojë të prushtë përjetimi dhe krijimi.

Gustav Klimt, siç dhe mëton në një perifrazë të tij, se “I gjithë arti është erotik”, në veprën që la, dëshifrojmë huazimin e marrëdhënieve mashkull-femër nga gjuha simbolike e ëndrrave. Një terren parafrojdian shtresohej prej humusit së tij kumtues. Në tablo, një hapësirë e zbrazët e ndjek si një domosdo për ta mbushur me ngjyrën që ai i jep ofsheve. Shpesh ky bosh i ngjan një jehone të frikshme, e mbushur me makth dhe panik. Sepse ai jeton tokësoren e konsumimit të këtij akti të hyjshëm. Jeton krisjen dhe thyerjen. Sprovon, ndalet dhe riniste sërish më me zjarr. Femra që ka marrë në dorë frerët e zotërimit të mashkullit e ngjeth piktorin dhe ai e dëshmon hera-herë.

Sfida e tij erotike është një përleshje me kohën dhe vetveten si vullnesë çliruese. Forca gllabëruese e femrës në pikturën e Klimt, e ka të përcaktuar qartë pozitat e saj, atë të dominimit, dhe e nis ta bëjë këtë duke sfiduar që nga tabloja. Klimt është i paparashikueshëm, te “Judith ose Salome” ai e gozhdon publikun para një “orgazme vrasëse” në praninë e një joshje fatale, në vend të portretit të një gruaje të virtytshme. Te “Frizën Beethoven”, një shpërthim estetik i jashtëzakonshëm i Klimt, parajsa është një nga motivet më të rëndësishme që shpërfaqet nën dominimin e një të arte diellore. Për të kulmuar te “The Kiss”, e cila është nga emblemat e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqsi të epshme një mantel i florinjtë, stolisur me një gjuhë simbolike, thellësisht erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat dhe ka nxjerr së andejmi mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin. Trupat i përthyen në densitetin e përqafimit. I mbërthen me gishtërinjë të stërgjatë e trupa që i zgjat joshja. Burri në ngulmin për të dominuar, e ka vënë parfundi objektin e joshjes së tij të epërme. Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gadishmërinë për tu dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është fikur në zjarrin e brendisë ku ajo po tretet. Në ngulme që nuk e ndalën, Gustav Klimtin, dallon prej tjetërkujt, teksa bashkon disa figura, të cilat i trajton po aq shkujdesshëm në telajon e bollshme sa dhe simbolet. Ai i vendos personazhet në hapsira që zbraztësinë e lëmojnë me një ngulm të rrafshët si jehonë e errët dhe boshe.

Një ngasje që të përfshihet stuhishëm në një gjëndje, gjithnjë të mbarsura me pasioni dhe pjesëmarrje të vetvetishme në atë shtjellë çuçuritëse ndjenjash dhe afshesh, nënshtrimi dhe dominimi seksual. Ky është sinopsi i gjithë çfarë mbërtheu në sëmbim krijues, Gustav Klimt. Ai është në të gjithmonshmen e pranisë artistike, vetëm brenda kësaj vorbulle, këtij shugurimi të epërm, të domosdosë së njeriut për të guxuar dhe për të dëshmuar, se në jetën e tij, seksi dhe femrat, janë të rëndësishme. Arti dhe familja gjithashtu, ishin dhe mbeten deri në fund për mjeshtrin e madh, një domethënie botkuptimi dhe shëmbëllimi sublim. Marrëdhëniet poligame, 14 fëmijet me bashkëshorten, një yshtje kjo në shumë prej kryeveprave që la pas, janë dëshmitar të asaj që përcaktojnë veçorinë dalluese të këtij kolosi të brendisë së emëtuar në pikturë.

Në galerinë e pamatë të piktorit, është e kudogjendur ajo që do ta bënte këtë penel, një admirim i gjithmonshëm, një kurth ku shkrehet çdo andje, joshja. Koloriti i zgjedhur, teknika e përdorur, përmasat dhe kumti i ligjërimit, ofrojnë bashkë me personazhin femër, universin e koduar të marrëdhënieve. Fillimisht të vet Klimt, e në vijimsi të femrës më realitetin seksual, me filozofinë e funksionimit të marrëdhënieve me meshkujt. Ai përgjon brenda vetes, si të mjaftueshme rrëmetin e përvojave, duke i vendosur ato kudo, si subjekt, ngjyrë, linjë, dritëhije a sfond.

Vetvetja i duket e mjaftueshme, dhe ashtu e lexojmë në punët e tij, në marrëdhënie me femrat, pasionin, seksualitetin, epshin dhe ndjesinë e dominimit prej këtij dimesionin ekzistencial. Klimt, me gjasë, s’kishte shumë më shumë se të tjerët për të thënë për seksin, për marrëdhëniet me femrat, për magjinë që kumton pasioni i shkulmeve uturitëse të gjakut dhe kurmit. Ai “guxoi” që tabutë ti kthente në shprehje estetike, në marrëdhënie artistike, një dimesion të ri komunikimi për botkuptimin e atëhershëm e të mëpasshëm. Dalldia seksuale duket se pasi ka mbushur deri në buzë pasionet babëzitëse të tij, pjesa që derdhët është jo më pak zjarrvënëse, ndjellëse, ngasëse, përjetuese, se e gjithë ajo masë që mbush e çmbush papushim atë. Duke e mëtuar kohës gjënë që kishte më të shtrenjtë, dhe duke e bërë këtë si kurrkush tjetër derimtash, jo vetëm guxoi dhe e pësoi, por ngulmoi dhe mbërriti. Po, përnjimend mbërriti në atë pjedestal që as ai vetë nuk e bluante në hamendjen e qasjeve për lavdi, që kaq të qëllimshme mbarteshin asokohe.

Femra një tipar joshës u përfshi në subjekt dhe impresion, mesazh dhe dekodim, në sfond e në kënd, në ngjyrë e në formë. Ai vetëm sa konstatoi atë qe ishim, jemi dhe do të mbetemi të njëmendtë. Femrë, dhe gjithçka që ajo është e destinuar të ofrojë e transformoi në një nocione soditëse. E gjitha kjo, që magjia të mos mbete një trill, një vegim, por një realitet.

Ajo është aty para nesh e gatshme të ofrohet dhe sejcili ndër ne të jepet.  Në pikturën e Klimt, veshjet nuk mbulojnë, ato përdoren qëllimisht për të zbuluar, për të dramatizuar situatën, për të kallur misterin e joshjes. Dhe këtë e bën duke e ndërfutur lakuriqsinë nën poren e delikate të qëmtesave simboliste. Kulturave të ndryshme, Klimt u merr elementet, si bima tokës, për t’i derdhur jo dhe aq shkujdesur mbi tablo si stoli, si ojna, si ornamente. Stolitë që i nderen përqark atij kurmi, janë pjesë nga armatura e kahershme e mashkullit të destinuar, e partnerit, të cilit nuk i mjafton vetëm prania. Etja prehistorike, që e djeg përbrenda, që e ysht ngutaz, kërkon gjuhë të shprehet, simbolikë të komunikojë, të dëshmojë tash, atë që u tha dhe mbase nuk e dëgjuan prej Egjiptit deri në Bizant. Tash kur mbetemi soditës, muzat e Klimtit i kanë hequr bashkë me petkat dhe mëdyshjet, dhe po presin. Këtë pritje e lexon sekush në sytë që shohin përmbytaz. Mrekullia grua është e aty, e gatshme për t’iu dhënë çdo soditjeje.

Ndërsa kureshtia dhe ama e adhurimit shkulmon prej dritës dhe zbraztësisë, abstraksionit dhe formave të tendosura në simbolizëm, ndjehet një frymëmarrje që shtërzen, një gulç që copëzohet e merr formë të avullt që rrethon subjektin. Kjo duket se ka lidhje me një ankth të brendshëm të artistit. Frika nga rreziku i tërheqjes seksuale, nga ana shkatërrimtare e një femre dhe mbi të gjitha, vuajtjen në sensin frojdian. Gjithëpoaq, Klimt s’ndalet. Gjithnjë e bukura ka diçka tjetërqysh pa thënë, epshi të tjera shkulme premton, yje pafund që i ndrijnë vagullt, në natën që i varet mbi, si një mantel.

Kush ishte themeluesi i shkëputjes vjeneze

Gustav Klimt lindi më 14 korrik të vitit 1862 në Baumgarten, në rrethinat e Vjenës. I ati, emigrant nga Bohemia, dështoi në zanatin prej argjendari dhe fëmijët e tij u rritën në varfëri të skajshme. Familja e Klimt, ashtu si shumë të tjera në Vjenën e viteve 1860, ishte në gjendje shumë të keqe financiare. Ata jetonin në shtëpi të vogla, të errëta, duke ndryshuar shpesh adresë, gjithnjë në kërkim të një strehe të lirë. Kur ishte vetëm 14 vjeç, Gustav la shkollën, por arriti më pas të regjistrohej në një kolegj lokal për art dhe punime artizanale. Në kolegjin “Bÿrgerschule”, aftësitë e tij artistike ranë menjëherë në sy. Aplikoi dhe siguroi një vend në “Kunstgewerbeschule”, Shkollën e Artit dhe Punimeve Artizanale në Vjenë, një prej dy shkollave publike në kryeqytet. Ai ishte aq i talentuar saqë fitonte duke hyrë në komisionet e pikturave në shkollë. Krijoi një shoqëri me vëllezërit Ernst dhe me një student tjetër, Franz Matsch. Deri në vitin 1890 kompania “Klimt-Matsch & Co.” fitoi shumë me anë të komisioneve për ndërtesat e reja që ngriheshin. Deri në fund të qëndrimit në “Kunstgewerbeschule”, Klimt së bashku me ortakët e tij themeloi edhe një shoqëri artistësh, “Kÿnstlercompanie”. Kur u largua nga shkolla në vitin 1883, Klimt dhe Matsch nisën të punonin me kohë të plotë për të piktuaruar me porosi. Klimt dëshironte të konsiderohej si një piktor i dekoracioneve arkitekturore, një reputacion që vihej në dukej nga natyra e komisioneve të hershme në karrierën e tij, ku përfshihen punimet në kisha, muzeume dhe teatër. Disa seri pikturash si “Alegoritë” dhe “Emblemat” u prodhuan me kërkesën e një pronari. Pas këtij suksesi iu kërkua një tjetër seri që u realizua në vitet 1896- 1900, ku përfshihet edhe piktura e Klimt “Tragjedia”. Në këtë pikturë, dolën në pah elementë që do ta karakterizonin artistin në veprat e mëvonshme: zona të përqëndruara në detaje, ngjyrat e arta, forma e femrës, simbolizmi klasik dhe hapësira abstrakte.

Në vitin 1897, ai ishte figura kryesore në themelet e shkëputjes vjenez, dhe pas pak vitesh ai kishte bërë përfaqësuesi më i mirë i stil modern. Në vitet e mëvonshme, ai tregoi një vlerësim të avant-gardës, tendencave të Ekspresionizmi. Talenti i jashtëzakonshëm i siguroi suksesin e punës që përmbante materiale të ndryshme shprehëse në një përbërje, duke kujtuar traditat gotike dhe bizantine, ndërsa gjithashtu duke parashikuar artin multimedial të shekullit të 20-të.

Synimi drejt kreut ia mbushën rrugën me gropa të thella dhe vramëndje të mëdha. Mitin e tij në embrion e sulmojnë skandalet periodike, si në rastin e pikturave të tij në Universitet, i cili më në fund duhej ti hiqte. Edhe pse Perandori Franz Josef I, e kishte nderuar Gustav Klimt me “Urdhërin e Artë e Meritës”.  Klimt vendos të rebelohet, të dëshmojë vetveten: “Mjaft prej censurës … Unë dua të largohem … unë refuzoj çdo formë të përkrahjes nga shteti, unë do të bëj pa të…” /albertvataj/ KultPlus.com

Granit Musliu pjesë e Operalias, garës më të madhe operistike të themeluar nga Placido Domingo

By: Kult Plus
14 July 2025 at 14:01

Tenori Kosovar, Granit Musliu është përzgjedhur që të jetë pjesë e Operalias, garës më të madhe operistike të themeluar nga një prej emrave më të njohur të muzikës operistike, Placido Domingo, përcjell KultPlus.

Kompeticioni botëror i operës, i cili u themelua në vitin 1993, këtë vit do të mbahet në Sofia të Bullgarisë.

“Lajm i gëzueshëm! Kam nderin të njoftoj se jam përzgjedhur për të marrë pjesë në Operalia, garën më të madhe operistike të themeluar nga Plácido Domingo. Si këngëtar nga Kosova, më bën fort të lumtur fakti që, bashkë me mua, Kosova do të jetë e pranishme në këtë kompeticion me histori të madhe dhe nivel të lartë, mes artistëve nga kombe të ndryshme nga e gjithë bota”, ka shkruar Musliu në profilin e tij në Facebook.

Ndërkaq, KultPlus ua sjell njoftimin zyrtar të kompeticionit Operalia, me emrat e të gjithë këngëtarvë e të përzgjedhur:

Jemi të lumtur të njoftojmë këngëtarët që janë përzgjedhur për të marrë pjesë në Konkursin Operalia të këtij viti, të prezantuar nga ROLEX në Sofje, Bullgari!

Amin Ahangaran, bas, Iran

Semyon Antakov, bariton, Rusi

Davide Battiniello, tenor, Itali

Nathan Bowles, tenor, SHBA

Bozhidar Bozhkilov, bas, Bullgari

Ekaterine Buachidze, mezo-soprane, Gjeorgji

Gabriela Celińska, mezo-soprane, Poloni

Mihai Damian, bariton, Rumani

Inna Demenkova, soprano, Rusi

Oleksandra Diachenko, mezo-sopranoja, Ukrainë

Aleksandra Domashchuk, soprano, Ukrainë

Samira Galimova, soprano, Rusi

David Goldberg, tenor, Izrael

Alexander Grassauer, bas-bariton, Austri

Hae Kang, bariton, Koreja e Jugut

Geon Kim, bariton, Koreja e Jugut

Miriam Kutrowatz, soprano, Austri

Natalie Lewis, mezo-sopranoja, SHBA

Grisha Martirosyan, bariton, Armeni

Dave Monako, tenor, Itali

Granit Musliu, tenor, Kosovë

Jejy Nam, soprano, Koreja e Jugut

Luna Seongeun Park, soprano, Koreja e Jugut

Valentina Puskás, soprano, Hungari

Ian Rucker, bariton, SHBA

Caterina Maria Sala, soprano, Itali

William Thomas, bas, Britani e Madhe

BaoPeng Wang, bas, Kinë

Bo Wang, bas-bariton, Kinë

Jasmin White, kontralto, SHBA

Elen Yeghiazaryan, soprano, Armeni

Egor Zhuravskii, tenor, Rusi./KultPlus.com

Festivali i Lahutës bashkon Hotin në Plavë e Guci

By: Kult Plus
14 July 2025 at 12:03

Është organizuar Festivali i Lahutës, në kuadër të takimeve të Hotit të Kujit mbi Plavë e Guci.

Ringjallja e identitetit dhe rikthimi i artit e kulturës në këto treva të banuara nga shqiptarët, konsiston si një ndër qëllimet kyçe të këtij festivali.

“Arsye kryesore për çdo aktivitet që e kemi marrë këto tetë vitet e fundit që jam këtu është për ta rikthyer identitetin edhe për të mos lejuar të zhduken shqiptarët që jetojnë në Hot e pastaj vazhdojmë në Plavë e më tutje. Shpeshherë them se ne që jetojmë si pakicë shqiptare në Mal të Zi, jemi ‘trohat e bukës’ së Shqipërisë dhe Kosovës, prandaj ato duhet t’i mbledhë dikush”, tha Kaltrina Hoti, organizatore.

Profesori Zymer Neziri, në kuadër të organizimit, thekson se përpos të tjerave, festivali bart rëndësinë hapsinore, pikërisht për shkak të vendit në të cilin zhvillohet, një vend tipik historik.

“Këtu nuk po vij për herë të parë kam qenë edhe herë të tjera nga rinia e hershme po vërtetë sa herë vij këtu zemra si thonë  më bëhet mal për këta njerëz se ende vazhdojnë jetën këtu, ende përpiqen të mbijetojnë dhe ende përpiqen të krijojnë edhe një brez tjetër të cilin e pamë këtu me paraqitjen e vet me valle po edhe me këngë pra edhe me instrumente muzikore.” – shprehet profesori.

Ndërsa profesori Binak Ulaj tha se me këto aktivitete Hoti ka filluar të gjallërohet. “Kësaj vlere ia shton peshën edhe ky manifestim që u mbajt këtu për arsye se jo vetëm që kultivon një kulturë tonën tradicionale, siç është Festivali i Lahutës por i bashkon njerëzit e të gjitha trojeve shqiptare dhe kjo ka një rëndësi të veçantë”, tha Ulaj.

Ky festival bart vlera kulturore për arsye se organizohet në tokat e humbura shqiptare, por jo të harruara. Kultivimi i vlerave kulturore dhe artistike shqiptare në këto troje shenjon edhe hapërimin drejt ruajtjes kolektive dhe kujtesës historike.

Në përmbyllje të këtij takimi tradicional, në skenë dolën dy vajza nga dy familje të asimiluara shqiptare në Rozhajë, të cilat tashmë kanë filluar të kthehen kah rrënjët e tyre./KultPlus.com

U përdhunua nga 50 burra për mbi 10 vite pasi drogohej nga bashkëshorti/ Gisele Pelicot nderohet me titullin më të lartë të Francës

By: Kult Plus
13 July 2025 at 23:15

Gisele Pelicot, gruaja franceze që ka fituar vëmendje ndërkombëtare pasi ka dëshmuar publikisht në gjyqin për dhunimin masiv që ka përjetuar, i është ndarë titulli më i lartë i Francës.

Kjo 72-vjeçare është emëruar Kalorëse e Legjionit të Nderit, sipas një liste të publikuar para Ditës Kombëtare të Francës.

Pelicot ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet në një gjyq të profilit të lartë kundër burrit të saj, i cili e ka droguar dhe dhunuar, si dhe i ka ftuar dhjetëra burra tjerë të huaj që të abuzojnë me të për gati një dekadë.

Pelicot është në mesin e 589 personave që u është ndarë ky çmim prestigjioz.

Ajo ka marrë pjesë në seancat gjyqësore pothuajse çdo ditë.

Ato kanë përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe Dominique Pelicotit, 72-vjeçar, i është dhënë dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka dhunuar Giselen dhe i ka rekrutuar rreth 50 burra për ta dhunuar, derisa ajo ka qenë pa vetëdije në shtrat.

“Dua që të gjitha gratë që janë dhunuar të thonë: Zonja Pelicot ia ka dalë, mundem edhe unë”, u ka thënë më parë ajo gazetarëve, duke treguar se ka vendosur ta bëjë të hapur procesin gjyqësor për “t’ia ndërruar vendin turpit” duke e bartur nga viktima te dhunuesi.

Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka nderuar publikisht figurën e saj, duke thënë se “dinjiteti dhe kuraja e saj e kanë inspiruar Francën dhe botën”.

Sipas avokates së saj, një libër me hollësi për përjetimet e Gisele Pelicotit do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm./ REL/ KultPlus.com

Shkodra, qyteti ku lindi fryma feministe shqiptare dhe u ripërcaktua roli i gruas në familje dhe shoqëri

By: Kult Plus
13 July 2025 at 23:00

Nga Albert Vataj

Fotografia që e sjell si ilustrim është një imazh i rrallë dhe jashtëzakonisht domethënës, një grua shkodrane, e veshur me kostum tradicional, e ulur me një qasje të lirshme e vetbesuese, pozon duke pirë një cigare, një ikonografi që thyen shumë nga normat gjinore të kohës. Kjo pamje, e kapur me mjeshtëri në studion Marubi, përfaqëson më shumë se një pozë fotografike, është një manifest i qetë por i fuqishëm i ndryshimit të rolit të gruas në shoqërinë shqiptare të fillimshekullit XX.


Në një kohë kur pjesa tjetër e Shqipërisë po përpiqej ende të dilte nga errësira e analfabetizmit dhe izolimit, Shkodra shndërrohej në vatër të emancipimit, qytet i mendimit, artit dhe gruas së vetëdijshme për rolin e saj në shoqëri.


Qysh në vitin 1919, Shkodra thyen tabu, në dramën “Eminia e vorfën”, për herë të parë në historinë e skenës shqiptare, një grua, dhe jo një burrë i veshur si femër, siç ishte zakon, ngjitet në skenë për të interpretuar një rol femëror. Ky ishte një akt i guximshëm artistik dhe emancipues, që hodhi themelet e një mendësie të re në kulturën shqiptare. Akti nuk ishte vetëm estetik apo teatral, por simbolik, ishte vetë zëri i gruas që për herë të parë fliste me zërin e vet në publik.


Konkretizim: Më 11 gusht të vitit 1919, në Teatrin e Shoqnisë “Vllaznia” në Shkodër, u vu në skenë drama me tri akte “Erminia e vorfën”, e shkruar nga Kolë Gurakuqi. Kjo shfaqje shënon një moment historik në skenën teatrore shqiptare: për herë të parë, roli kryesor i një gruaje u interpretua nga një grua e vërtetë — Roza Sovaria Shoshi.


Roza, e cila më vonë do të njihej edhe si nëna e Tonin Topallajt (i burgosur me grupin e studentëve të Gjimnazit “28 Nëntori”), pati guximin të thyejë një rregull të pathënë të kohës, ku rolet femërore interpretoheshin ekskluzivisht nga burra të maskuar si gra. Me interpretimin e saj të Erminisë, Roza jo vetëm që solli një realizëm të ri në artin skenik, por u bë edhe simbol i një emancipimi të hershëm, duke i hapur rrugën grave të tjera drejt skenës dhe zërit të tyre të merituar në artin shqiptar.


Në vitet që pasuan, konkretisht më 1921-1922, Shkodra njohu një lulëzim artistik me shfaqje si “Katër caqet themelore” dhe “E tradhtuemja”, të interpretuara tërësisht nga aktore femra, Tina e Gjon Ashikut, Kristina e Zef Gjonej, Ida e Kel Kodhelit, Marta e Logorecit, dhe shumë të tjera. Këto vajza dhe gra, me guximin e tyre, shkelën në skenën teatrore me zërin e zemrës dhe me vetëdijen se po ndryshonin përjetësisht rolin e gruas në art dhe në shoqëri.


Por ky emancipim nuk ishte rastësor. Ai ishte fryt i vetë Shkodrës, qytet i konsullatave, i misioneve katolike e shkollave laike, i Gjuhadolit dhe Sarreqit që zienin nga librat, ideologjitë dhe përplasjet kulturore të një Evrope që derdhej përmes artit, gazetës dhe mendimit tek qytetarët. Ishte një qytet ku kultura e huaj nuk ishte kërcënim, por frymëzim; ku fjala e shkruar, muzika dhe arti ishin mjet për të ngritur vetëdijen, edhe atë të grave. Një mënyrë e qasshme e jetes perëndimore në një realitet ku ende ishin të dukshme orientalizmat dhe ndikimi i thellë që ishte pleksur nën trysninë e sundimit kohëgjatë dhe një asimilimi asgjësues.


Në një Shqipëri ku zëri i gruas dëgjohej rrallë, Shkodra kishte gra me veshje elegante, me libra në dorë, me këngë në buzë, ëndrra në dëshirime, histori dashurie në zemra, dhe me një qëndrim kritik ndaj shoqërisë patriarkale. Ato nuk ishin vetëm të bukura, por të mençura dhe të zëshme. Ato e morën hapësirën që iu mohua brezave të mëparshëm, dhe këtë e bënë me dinjitet dhe pasion.


Fotografia që sjell këtë histori, një grua shkodrane, e ulur lirshëm, me cigaren në dorë e vështrimin sfidues, është portreti i një kohe që ndryshoi. Është një dëshmi vizuale e vetëbesimit, e sfidimit të normave, e një feminizmi të heshtur por rrënjësor që Shkodra e përqafoi shumë përpara se fjala “feminist” të bëhej pjesë e fjalorit tonë kulturor./ KultPlus.com

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 90

Rama: Porto Palermo zbukurohet nga tingujt e orkestrës simfonike të FA

By: Kult Plus
13 July 2025 at 22:02

Vajzat dhe djemtë e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, dhuruan emocione dhe spektakël me performancën e tyre në kalanë e Porto Palermos, duke e bërë eksperiencën e pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj më të paharrueshme.

Kryeministri Edi Rama tha në një postim në rrjetet sociale, që “Porto Palermo, pikëtakimi më i veçantë i pasurisë natyrore me trashëgiminë kulturore që zbukurohet edhe më shumë nga tingujt e spektaklit të dhuruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura”.

Në kuadër të sezonit turistik, Porto Palermo ishte ndalesa e radhës e formacionit të OSFA-së.

Ky aktivitet përfaqëson një angazhim konkret të Forcave të Armatosura në mbështetje të jetës komunitare dhe nxitjes së turizmit kulturor në qytetet shqiptare.

Përmes këtij formacioni, Forcat e Armatosura kontribuojnë në gjallërimin e jetës sociale dhe kulturore, duke sjellë një produkt artistik të aksesueshëm për publikun vendas dhe vizitorët.

Yesterday — 13 July 2025Main stream

‘SpaceX’ investon 2 miliardë dollarë në startup-in ‘xAI’ të Elon Musk

By: Kult Plus
13 July 2025 at 20:47

“SpaceX” – kompania amerikane e teknologjisë hapësinore me qendër ne Teksas – ka financuar 2 miliardë dollarë për “xAI” – si pjesë e një raundi investimesh prej 5 miliardë dollarësh, duke thelluar lidhjet midis sipërmarrjeve të miliarderit të teknologjisë Elon Musk, ndërsa startup-i i tij i inteligjencës artificiale garon për të konkurruar me rivalin “OpenAI”, raportoi “Wall Street Journal”.

Investimi vjen pas bashkimit të “xAI” me X dhe e vlerëson kompaninë e kombinuar në 113 miliardë dollarë, me chatbot-in “Grok” që tani fuqizon mbështetjen e “Starlink” dhe synon integrimin e ardhshëm në robotët “Optimus” të Tesla-s.

Pavarësisht polemikave të fundit që kanë të bëjnë me përgjigjet e “Grok”, Musk e ka quajtur atë IA-në më të zgjuar në botë ndërsa “xAI” vazhdon të shpenzojë shumë për trajnimin e modeleve të reja dhe infrastrukturën. /atsh/ KultPlus.com

Kënga e vallëzimi vijnë si pikëtakim i identitetit njerëzor në Natën e tretë të Etno Fest

By: Kult Plus
13 July 2025 at 20:16

Agron Gërguri

Natën e tretë të Etno Fest 2025 e nisi këngëtarja Vjosa Robelli – Mripa me këngë të njohura të përpunuara në jazz.


Shumë këngë të mia janë investim në identitet dhe vijnë nga trashëgima e pasur e identitetit tonë  kulturor tha në nisje të koncertit të saj këngëtarja Vjosa Robelli. Këngët e përpunura në  jazz preknin thellësin e vlerave të etnosit dhe përpikshmërisht intehrohesjin në ambientet dhe frymen e Etno Fest-it i cili po bëhet vendtakim jo vetëm i artistëve dhe traditës por tashmë edhe me artistë e arye të kombeve tjera.


Këngëtarja me një zë të ëmbël të cilën e përcillte trio e instrumentistëve: Nikos Ziarkas (gitarë), Theodoros Ziarkas (kontrabas), Gizem Altınordu (perkusion) përveç tjerash solli një rrëfim për vitet e 90 – ta kur pësuan shumë fëmijë me një kënga dedikuar atyre që shkaktojë emocione të fuqishme. Vjosa këndoj për Nënën si mbretëreshë e jetës,  vajzërinë e dashurinë duke përmbushë kënaqësin e spektatorëve të cilët disa nga këngët i kënduan bashkë me Vjosën. 



Spektakël i vallëzimit dhe akrobacioneve mahnitëse të grupit ” Sarkassi dancer” nga Kenia 

Në skenën e re të Etno Festit në platon e së cilës  dominon piktura “Qilimi fluturues i gjyshes” u paraqiten dance grupi “Sarakassi Dancer”  nga Kenia të cilët me vallëzim e akribacione mahnitëse rrëfyen për
jetën, dashurinë,  vdekjen, lirinë, gëzimin, pikëllimin të gjitha me një ritëm.të “çmendur” si shprehje fundamentale e mundësive fizike,  duke krijuar figura të kuptueshme që prodhonin emocione dhe krahasueshëm shtrohej  pyetja  njerëzit gjithëandej  kanë kaluar nëpër shumë ravgime e krajata për ta dëshmuar identitetin dhe se  ky pikëtakim sonte në etno fest ishte madhështor. Përveçse një spektakël i lëvizjes harmonisë ritmit dhe shprehjes plotë ndjenja përmes vallëzimit dhe akrobaconeve në fund vallëzuan bashkë me grupin të gjithë spektatorët që ishinë sonte në Etno Fest, edicioni i 25 -të.  Një pamje madhështore që krijoj emocione gëzimi e hareje e cila e përligjte thënien ” ate që s’ta them dot me fjalë ta tregoj me vallëzim”.


Për të vazhduar etno nejen me grupin e Nezafete Shalës “Melodia e vjetër” të cilët e kapen emocionin aty ku e la danc grupi nga Keni,  vallëzimi e kënga vazhduan duke u bërë një me dëshirat e shumë spektatorëve të etnofestit i cili sivjet po prek dimensione të reja të vlerave të etnosit si urë komunikimi midis popujve në shërbim të identitetit njerëzor ku dashuria dhe respekti për tjetrin bëhen mënyrë e komunikimit.


  Konstatojmë se në natën e tretë  të Etno Festit përmes muzikës, vallëzimit dhe zërit dhe gjuhës së trupit  dhe melodisë u prekën rrënjët  e identitetit njerëzor.

Zbulim befasues në Mount Vernon/ Arkeologët gjejnë dy shishe të vulosura që datojnë që nga koha e George Washington

By: Kult Plus
13 July 2025 at 19:55

Arkeologët zbuluan së fundmi dy relike të jashtëzakonshme nën dyshemetë e rezidencës së George Washington në Mount Vernon. Këto shishe të vulosura, të ruajtura për më shumë se dy shekuj, janë fshehur nën një dysheme me tulla që është vendosur fillimisht në vitet 1770. Zbulimi ofron një vështrim të rrallë dhe të paçmuar në Amerikën para-revolucionare, duke hedhur veçanërisht dritë mbi praktikat dhe jetën e përditshme të atyre që banonin në pronë. Sipas Popular Mechanics, shishet pritet të ofrojnë njohuri të rëndësishme historike që do të rrisin kuptimin tonë të epokës. Ky zbulim thekson rëndësinë e përpjekjeve të tilla arkeologjike në zbulimin e aspekteve të harruara të historisë.

Zbulimi ndodhi gjatë një projekti rivitalizimi në Mount Vernon, ku arkeologët hoqën një dysheme me tulla që ishte instaluar në vitet 1770. Poshtë dyshemesë, ata zbuluan një gropë të vogël që përmbante dy shishe qelqi me ngjyrë jeshile të errët, krejtësisht të paprekura dhe të mbyllura.

Pasi nxorën me kujdes përmbajtjen e lëngshme, ekspertët u habitën nga aroma e pagabueshme e luleve të qershisë, duke ofruar një të dhënë rreth përmbajtjes së tyre. Këto shishe, me shumë gjasa të prodhuara në Evropë gjatë viteve 1740 ose 1750, u vendosën në gropë para instalimit të dyshemesë në vitet 1770, gjë që i bën qershitë brenda të jenë ndoshta frut i periudhës para-Revolucionare.

Thirty Five Glass Bottles Containing Preserves Were Discovered In The Cellar Of George Washingtons Mount Vernon Mount Vernon Ladies Association 1200x750

Rikuperimi i këtyre shisheve të vulosura konsiderohet një “zbulim i jashtëzakonshëm”, siç është vënë në dukje nga Doug Bradburn, president dhe drejtor ekzekutiv i Mount Vernon.

“Jo vetëm që gjetëm shishe të paprekura dhe të vulosura, por ato përmbanin materiale organike që mund të na ofrojnë një pasqyrë dhe perspektivë të vlefshme mbi jetën e shekullit të 18-të në Mount Vernon”, tha Jason Boroughs, arkeologu kryesor i Mount Vernon.

Shishet kanë mbetur të paprekura, duke ruajtur një pamje të jetës në Mount Vernon shumë kohë para Luftës Revolucionare.

Pas shqyrtimit të mëtejshëm, arkeologët zbuluan se shishet ishin të mbushura me qershi, duke përfshirë kërcejtë dhe bërthamat e tyre. Ky zbulim shkon përtej vetë shisheve, pasi materiali organik brenda ofron të dhëna rreth metodave të ruajtjes së shekullit të 18-të.

Përmbajtja e shisheve ofron një pasqyrë të teknikave të ruajtjes së ushqimit, ku frutat si qershitë ruheshin në mënyra që i lejonin ato t’i mbijetonin kohës. Siç shpjegon Boroughs,

“Ekzistojnë rrëfime të shekullit të 18-të që flasin për mënyrat e duhura të ruajtjes së frutave dhe perimeve. Një nga më të zakonshmet, veçanërisht për manaferrat, është tharja e tyre sa më shumë që të jetë e mundur… vendosja e tyre në një shishe të thatë, mbyllja e tapës… dhe pastaj groposja.”

Kjo metodë ruajtjeje ishte një praktikë e zakonshme në shekullin e 18-të përpara frigoriferimit, duke lejuar që frutat të ruheshin për përdorim të mëvonshëm në gatim ose pjekje. Ruajtja e jashtëzakonshme e qershive pas më shumë se 250 vjetësh dëshmon për efektivitetin e këtyre metodave.

Rëndësia e këtij zbulimi nuk kufizohet vetëm te objektet fizike të gjetura. Përmbajtja e shisheve – qershitë – zbulon zgjuarsinë e teknikave të ruajtjes së ushqimit gjatë shekullit të 18-të. Këto metoda, të tilla si tharja dhe mbyllja e frutave në shishe për t’i mbrojtur ato nga elementët, ishin thelbësore për njerëzit që jetonin pa luksin e frigoriferëve modernë. Sipas arkeologut Jason Boroughs:

“Këto shishe kanë potencialin për të pasuruar rrëfimin historik dhe jemi të emocionuar që përmbajtja do të analizohet në mënyrë që ta ndajmë këtë zbulim me studiues të tjerë dhe publikun vizitor.”

Ruajtja e qershive në një mjedis kaq të mbyllur ofron jo vetëm një lidhje unike fizike me të kaluarën, por edhe një vështrim në praktikat bujqësore dhe kulinare të kohës.

Ky zbulim ofron një pasqyrë të vlefshme të jetës së përditshme në Mount Vernon, duke nxjerrë në pah mënyrat se si njerëzit e asaj epoke mbështeteshin në burimet e disponueshme për të ruajtur dhe ruajtur ushqimin për një kohë të gjatë.

Ndërsa George dhe Martha Washington njiheshin për shijen e tyre si adhurues të qershive, nuk ka gjasa që ata të kenë pasur në dorë këto shishe specifike. Në kohën e vdekjes së Washington, Mount Vernon strehonte mbi 300 individë të skllavëruar, dhe shishet mund të jenë përgatitur dhe varrosur prej tyre, si pjesë e punës së tyre të përditshme. Kjo i shton një shtresë shtesë kompleksiteti rrëfimit historik, pasi zbulimi ofron një pamje të jetës si të familjes Washington ashtu edhe të skllevërve që jetonin dhe punonin në pronë.

Ky zbulim nënvizon kontributet shpesh të anashkaluara të individëve të skllavëruar në Mount Vernon, të cilët luajtën një rol vendimtar në ruajtjen e operacioneve bujqësore të pronës. Zbulimi gjithashtu hedh dritë mbi kontekstin historik të ruajtjes së ushqimit, i cili ishte kritik për mbijetesën në shekullin e 18-të, dhe na jep një lidhje të prekshme me të kaluarën./balkanweb/ KultPlus.com

‘Marsi’ në ankand/ Meteoridi 25 kilogramësh do të shitet për 2 deri në 4 milion dollarë

By: Kult Plus
13 July 2025 at 19:24

Një nga sendet më të rralla që është zbuluar ndonjëherë në Tokë do të dalë në ankand të mërkurën në New York. Bëhet fjalë për një meteorid 25 kilogramësh, i njohur si NWA 16788, i cili besohet se është fragmenti më i madh i Marsit i gjetur ndonjëherë në planetin tonë.

Shtëpia e ankandeve Sotheby’s ka vlerësuar çmimin e tij nga 2 deri në 4 milionë dollarë.
Ky shkëmb i jashtëzakonshëm, me ngjyra të kuqe, kafe dhe gri, besohet se është flakur nga sipërfaqja e Marsit pas një goditjeje të fuqishme nga një asteroid dhe ka përshkuar rreth 225 milionë kilometra për të rënë në shkretëtirën e Saharës, në Niger, në nëntor të vitit 2023.

Sipas Sotheby’s, meteori përbën rreth 7% të të gjithë materialit marsian të njohur në Tokë dhe është 70% më i madh se fragmenti i dytë më i madh i gjetur deri më sot. Testimet laboratorike kanë konfirmuar se ai ka përbërje identike me shkëmbinjtë marsianë të studiuar nga sonda “Viking” në vitin 1976.

Në të njëjtin ankand do të dalë edhe një tjetër zbulim mbresëlënës: skeleti i një Ceratosauri të ri, një dinozaur që jetoi rreth 150 milionë vite më parë. Skeleti, i cili është mbi 2 metra i lartë dhe afro 3.5 metra i gjatë, u zbulua në vitin 1996 në Wyoming të SHBA-së dhe është rikonstruktuar me përpikmëri nga ekspertët.

Ky ankand është pjesë e “Javës së Geek-ut 2025” në Sotheby’s dhe përfshin gjithashtu fosile, meteorë dhe minerale të rralla. Pasioni për historinë natyrore dhe shkencën po tërheq gjithnjë e më shumë koleksionistë që janë gati të paguajnë miliona për të pasur një copëz nga universi ose nga koha e dinozaurëve./abcnews.al/ KultPlus.com

Nga erdhi uji i Tokës?

By: Kult Plus
13 July 2025 at 18:12

Ekziston një enigmë që i ka magjepsur të gjithë shkencëtarët: kur Toka u formua 4,5 miliardë vjet më parë, planeti ynë në thelb ishte një top shkëmbi i shkrirë, sipas BBC.

Uji që mund të ketë qenë i pranishëm gjatë formimit të planetit – me siguri do të ishte zhdukur menjëherë. Megjithatë, sot, uji mbulon rreth 70% të sipërfaqes së Tokës.

Pra, nga erdhi i gjithë ky ujë? Dhe akoma më intriguese, kur mbërriti në Tokë?

Një ekip kërkimor nga Universiteti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka publikuar së fundmi një studim të ri në “Nature Astronomy”, një nga revistat kryesore ndërkombëtare në astronomi.

Studimi paraqet prova të reja që sugjerojnë se uji ekzistonte në univers para se të formoheshin blloqet ndërtuese të galaktikës sonë, gjë që sfidon dhe ripërcakton kuptimin shkencor të formimit të ujit dhe potencialin për jetë në universin e hershëm.

Dr. Muhammad Abdul Latif, Profesor i Asociuar në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe autor kryesor i studimit, shpjegoi se hulumtimi hedh dritë mbi rolin e supernovave të para në formimin e ujit.

“Grumbullime të dendura të pasura me ujë mund të kenë formuar disqe proto-planetare, duke çuar potencialisht në krijimin e planetëve të qëndrueshëm në agimin e universit dhe mundësinë e ekzistencës së jetës shumë më herët sesa mendohej më parë”, tha ai.

Studimi ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme globale.

Toka e hershme nuk ishte një vend miqësor me ujin – një peizazh i shkëmbinjve të shkrirë, shpërthimeve vullkanike dhe bombardimeve të vazhdueshme nga kometat dhe asteroidet, me nivele të larta të rrezatimit diellor.  Këto kushte do ta kishin avulluar ujin.

Gjithashtu, Prof. Richard Greenwood nga “Open University”, tha se bërthama prej hekuri e shkrirë e Tokës do të kishte qenë një top ndryshku nëse do të kishte pasur ujë në përzierjen proto-tokë.

Pra, nëse uji nuk ka qenë gjithmonë këtu, nga ka ardhur?

Në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër, Prof. Sara Russell ka krahasuar “gjurmën e gishtërinjve” izotopike të ujit të Tokës me ujin e gjetur në asteroidin Bennu – të kapur dhe të sjellë nga misioni i fundit i NASA-s “Osiris Rex”. / atsh/ KultPlus.com

UNESCO shpall kështjellat e mbretit të Bavarisë Ludwig II, trashëgimi e kulturës botërore

By: Kult Plus
13 July 2025 at 17:48

Kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig II, Komisioni i UNESCO-s i ka shpallur trashëgimi e kulturës botërore. Krahas Neuschweinstein kategorizohen edhe tri kështjella të tjera si trashëgimi e kulturës botërore.

Në mbledhjen e Komisionit të Trashëgimisë së Kulturës Botërore të UNESCO-s në Paris u pranuan në listën e objekteve të mbrojtura të kulturës botërore kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig i II si dhe shtëpia mbretërore në Berg.

Këto kështjella në mjedise idilike natyrore që prej mëse 140 vjetësh janë si një magnet për turistët. Vetëm vitin e kaluar janë joshur të vizitojnë këto vepra mjeshtërore rreth 1,7 milionë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.

Tri kështjellat e famshme të Ludwig-ut të II u ndërtuan gjatë mbretërimit të tij me shuma maramendëse parash. Kështjellat Linderhof dhe Herrenchiemsee, ku janë vendosur ekspozitat qëndrore në kujtim të Ludwig-ut të II, si dhe kështjella Neuschwanstein.

Mbreti i famshëm bavarez

Ludwig i IIështë konsideruar në gjithë botën si gjermani më i njohur, megjithëse parë hollë ai ka qenë bavarez: Mbreti Ludwigu i II ka lindur më 25 gusht 1845 në kështjellën Nymphenburg afër Mynihut dhe ka vdekur më 13 qershor 1886 në liqenin Starnberger. Ludwigu i II. ka sunduar nga 1864 deri në vdekjen e tij si mbreti i Bavarisë. Ai nuk ka qenë mbret “konvencional”, të cilit nuk i interesonte shumë politika, lufta dhe administrata. Ai angazhohej për artin, ndërtimin e kështjellave shumë pompoze, mbështeste Richard Wagnerin dhe muzikën e tij.

Ekspozita ‘Nënqyteti’ e Anastas Kostandinit rikthen historinë urbane të Pogradecit

By: Kult Plus
13 July 2025 at 17:12

Përmes 31 vizatimeve nga piktori i merituar Anastas Kostandini dhe një gjuhe sa vizuale, poetike por edhe intime, është ndërtuar një hartë ndryshe e Pogradecit, e zonave të ndryshuara apo harruara, por që vijojnë të jetojnë në kujtesën kolektive dhe strukturën urbane të qytetit.

Sipas Tasos, “Nënqyteti” është më shumë se një ekspozitë, është një udhëtim në kohë, një rikthim përmes kujtesës, vëzhgimit të imët dhe rrëfimit artistik, i cili shpaloset si në formë fizike, ashtu edhe virtuale.

“Ky projekt i veçantë synon të ndezë reflektimin mbi identitetin urban dhe memorien qytetare, duke e vendosur artin në funksion të dialogut me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Pogradecit, me fokus të kryesor zhvillimin e turizmit të trashëgimisë historike.

Për Drejtorin e Turizmit, Ledjan Zeqollari, zonat e risjella përmes QR kodeve dhe vizatimeve të Tasos i shërbejnë masivisht turizmit dhe vizitorëve,” thotë Anastas Kostandini, artist.

“Mevlan Shanaj tha se një ekspozitë e tillë të bën të kuptosh që nuk je në një Pogradec provincial,” thotë Ledian Zeqollari, Dr. i Turizmit në Pogradec.

“Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, ndërsa të 31 punimet janë të vendosura në zonat respektive të qytetit, ku përmes telefonit mund të skanohen dhe të lexohet i gjithë informacioni për lagjet, godinat e vjetra, muzeun, ish kinemanë, zonat historike etj.,” thotë Mevlan Shanaj, regjizor.

‘Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba’

By: Kult Plus
13 July 2025 at 16:15

Tregim i thjeshtë

Poezi nga Martin Camaj

Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba,
i thashë tim vëllau gjak-nxehtë.
“S’asht ajo punë për ne!”
S’kuptove, i thashë, due me shkue ndër këndime.
“Latinishtja – tha s’asht punë për ne:
mëso gjuhën e gjarpnit ma parë!”

Im vëlla gjak-nxehtë,
gjashtë vjec dinte me e ngulë fluturimthi
bizin në dhé,
dhetësh – tri pëllambë mbi krye thikën
ne drunin e njomë. Si ma njofti menden
befas nisi të pleqnojë e tha:
“Dy duer na jemi e nji krye, po i ndajmë na punët:
unë shpatën – ti pendën!”/KultPlus.com

❌
❌