Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 July 2025Main stream

Ronaldo rikthehet në Serie A? Klubi italian i befason të gjithë

By: el da
15 July 2025 at 22:26

Cristiano Ronaldo mund të rikthehet në Serie A!

Como raportohet se është i interesuar për transferimin e yllit portugez, edhe pse ai është në fund të karrierës.

CR7, i cili aktualisht është pjesë e Al Nassr në Arabinë Saudite, po jep maksimumin që ia lejon fakti se është 40 vjeç.

Trajneri i ekipit italian, Cesc Fàbregas, ka ambicie të mëdha për sezonin e ri dhe po mendon rikthimin e Ronaldos në Serie A, aty ku Como ka ambicie realisht të mëdha për të ardhmen. m.p.

Trump humb durimin: Nuk do mbaj anën e askujt

By: el da
15 July 2025 at 22:17

Donald Trump në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë ka deklaruar i prerë se në luftën Rusi-Ukrainë nuk mban anën e askujt.

Kjo deklaratë erdhi pas një telefonate të bërë me Zelenskyn, ku ky i fundit i kërkuar Uashingtonit raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, por administrata Trump ende nuk ka marrë ndonjë vendim për shkak të shqetësimeve në lidhje me përdorimin e tyre të pamatur.

“Administrata amerikane nuk ka ndërmend të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi’’, deklaroi më tej Presidenti Donald Trump.

FT vuri në dukje gjithashtu se administrata e mëparshme e Biden kishte ngritur shqetësime të ngjashme në lidhje me përdorimin e raketave lundruese kundër objektivave në tokën ruse, duke rrezikuar potencialisht një zgjerim të konfliktit. m.p.

Lojtari i Real Madridit nuk duron më: Dua të largohem

By: el da
15 July 2025 at 22:09

Alvaro Rodriguez, i cili sezonin e fundit ishte në huazim te Getafe, nuk u përfshi në skuadrën e Realit për Botërorin e klubeve dhe do largimin. Ai nuk u angazhua as në fazën përgatitore para sezonit të ri.

20-vjeçari e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet për të gjetur një skuadër ku i garantohen minuta.

“Mendoj se duhet të largohem. Nuk mund të pres më gjatë për ekipin e parë. Do të vazhdoj në rrugën time”, ka deklaruar Alvaro, por duke theksuar se dëshira e tij është rikthimi në Madrid. m.p.

Sanksionet e reja kundër Rusisë, BE dështon të bindë Sllovakinë

By: el da
15 July 2025 at 21:55

Bashkimi Evropian ka dështuar ta miratojë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë të martën, pasi Sllovakia kërkoi më shumë garanci se nuk do të dëmtohej nga një plan i veçantë i BE-së për ta ndalur gradualisht gazin rus.

Komisioni Evropian kishte deklaruar të publikuar nga zyra e kryeministrit sllovak, Robert Fico, se do të punonte për t’i adresuar shqetësimet e Sllovakisë, duke u përpjekur të hapte rrugën për një marrëveshje për sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Përfaqësuesi i Sllovakisë në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së të martën kishte për detyrë të kërkonte shtyrjen e votimit të planifikuar për sanksionet, tha Fico në një deklaratë.

“Koalicioni qeveritar refuzon propozimin idiot të Komisionit Evropian për të ndalur furnizimin me gaz rus nga viti 2028”, tha Fico.

“Megjithatë, është i gatshëm të bisedojë për garancitë që do t’i ofrojnë Sllovakisë njëfarë sigurie në furnizimin me gaz pas vitit 2028”, shtoi ai.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke folur pas takimit të ministrave të Jashtëm, tha se ndihej “vërtet e trishtuar” që sanksionet nuk u miratuan, duke shtuar se “tashmë topi është në fushën e Sllovakisë”.

Ajo shtoi se ka shpresë se një marrëveshje për sanksionet mund të arrihet të mërkurën.

Sllovakia e ka bllokuar paketën më të fundit të sanksioneve – e cila kërkon miratimin unanim të shteteve anëtare të BE-së – derisa të adresohen shqetësimet e saj lidhur me një propozim të BE-së për të ndalur importet e gazit rus deri më 1 janar 2028.

Sllovakia, e cila vazhdon të importojë energji ruse dhe shpesh mban qëndrime pro-ruse për Ukrainën, argumenton se ndërprerja e gazit rus mund të shkaktojë mungesa, rritje çmimesh dhe tarifash transiti, si dhe kërkesa për dëmshpërblime nga furnizuesi rus Gazprom.

Propozimet e BE-së për ndalimin e gazit rus deri më 2028 – me një fazë të ndërprerjes graduale që fillon vitin e ardhshëm – kanë nevojë për mbështetjen e një shumice të përforcuar të vendeve për të kaluar, që do të thotë se Sllovakia nuk mund t’i vërë veton e vetme. m.p.

Aplikacioni “Matrix”, Ervin Karamuço: Do të zbardhet fati i Ervis Martinajt

By: el da
15 July 2025 at 21:46

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka folur rreth zbulimit dhe zbërthimit të aplikacionit të koduar Matrix, teksa tregon se nga zbardhja e një sërë bisedash në atë aplikacion, do të zbulohen dhe fatet e shumë personazheve të botës së krimit.

I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mhillin, Karamuço thekson se nga zbardhja e komunikimeve të kryera me Matrix do të zbulohet dhe fati i Ervis Martinajt, por dhe i Talo Çelës. Eksperti tregon se persona të afërt me Martinajn ose të dyshuar që mund të kenë pasur dorë ose angazhim në një rrëmbim apo zhdukje të tij, kanë përdorur aplikacionin e komunikimeve Matrix.

“Zbardhja e komunikimeve të Matrix do të jetë një avantazh i madh. Edhe Nuredin Dumani ka thënë që komunikonin edhe me Matrix. Mendoj se do të zbardhen shumë ngjarje që janë të pazbardhura dhe që sot po hetohen nga policia. Disa janë të pezulluara. Mund të zbardhet fati i Ervis Martinajt, fati i Talo Çelës, sepse mendohet që mund të kenë të njëjtin fat.

Jam i bindur se zbardhja e komunikimeve në Matrix do të ndihmojë për të zbuluar fatin e Martinajt, sepse përdorues të afërt me të, ose të atyre grupeve që policia dyshon se mund të jenë përfshirë në arratisjen apo ekzekutimin e tij të mundshëm, kanë përdorur Matrix. Kjo shton avantazhet dhe premisat që të zbulojmë këtë rast dhe gjithashtu edhe rastin e Talo Çelës.

Edhe ai mendohet se është arratisur ose është vrarë dhe zhdukur. Kemi edhe një rast të një personi nga jugu që është zhdukur në Tiranë dhe nuk po gjendet. Po kërkohet nga policia. Këto ngjarje, sigurisht, nëse nuk i zbulon kur ndodhin, edhe pse mund të kesh dyshime, këto lloj aplikacionesh i zbardhin plotësisht. Dhe ky është një fat i madh që kemi, nëse kanë ngelur gjurmë nëpër serverë,” – tha Karamuço. m.p.

Eksperti: Taksa që fillon më 1 janar mund të sjellë rënie çmimesh të apartamenteve

By: el da
15 July 2025 at 21:38

Qeveria shqiptare po përgatit ndryshime në taksimin e pronës, të cilat pritet të prekin drejtpërdrejt qytetarët që zotërojnë më shumë se një banesë.

Lidhur me këtë eksperti imobiliar Armand Shkëmbi, në emisionin ‘Frontline Interview’ tha se do të ketë një dyfishim të kësaj takse.

‘Kush ka banesë të dytë do të paguajë më shumë taksë prone. Sot që flasim në Shqipëri ne paguajmë 0.05 % të çmimit të referencë të pronës si taksë mbi pronën. Që do të thotë për një pronë që e ka çmimin referencë 100 mijë euro.

Ne paguajmë 50 euro në vit taksë prone që i bie 3 deri në 5 euro në muaj. Tani qeveria duhet që ti jap mundësi bashkive që të taksojnë nga 0.1 % deri në 0.2% që i bie dyfishim deri në 4- fishim të kësaj takse. Pra nga 5 euro në muaj mund të shkojë 10 ose 20 euro në muaj. E kombinuar kjo edhe me rritje çmimi të referencës mund të shkojë edhe më shumë se aq, pra për pronën e dytë’, tha ai.

Sipas ekspertit, kjo do të prek ata pronarë që i kanë aktualisht pronat e dyta dhe për ata që do ti blejnë pas 1 janarit 2026 kur ligji të hyjë në fuqi.

‘Janë pronat e dyta dhe të treta ato që do të taksohen dhe do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026. Do të jetë edhe për ata që i kanë sot edhe ata që do ti blejnë pas një janarit. Taksa e pronës të dytë dhe të 3 duke ushtruar presion fiskal mbi njerëzit që i mbajnë bosh unë mendoj se do të detyrohen që ti shesin ato prona do dalin më shumë prona në treg dhe mund të kemi edhe ulje të çmimeve brenda viti 2026’, tha ai.

I pyetur sa kohë mund ti duhet një çifti të ri për të blerë një banesë, ai tha se duhen shumë vite pasi çmimet janë të larta.

‘Një jetë. Në Tiranë janë 70 mijë apartamente bosh dhe klasa punëtore dhe njerëzit e thjeshtë nuk blejnë dot shtëpi, çmimet janë të larta. Vetëm në Shqipëri është ky mekanizmi që ti mund të blesh në ndërtim e sipër, në botën perëndimore ti mund të rezervosh dhe jo të blesh. Dhe është ky fenomen që ndërtuesi s’ka peshë fiskale që ka çuar shumë lekë tek ndërtesat e reja’, tha ai. m.p.

A mund ta frikësojnë Putinin kërcënimet e Trump?

By: el da
15 July 2025 at 21:27

Donald Trump e ashpërsoi retorikën kundër Vladimir Putinit dhe kërcënoi me sanksione kundër Rusisë. Por deklaratat e forta nga Uashingtoni nuk ka gjasa të shkaktojnë trazira në Moskë për momentin.

50 ditë, ky është afati i fundit. Pastaj vendosen tarifa ndëshkuese 100 për qind. Si afati ashtu edhe kërcënimi vijnë direkt nga Shtëpia e Bardhë dhe shënojnë ndryshimin e qëndrimit tëDonald Trump, për momentin. Presidenti amerikan po i jep Kremlinit afat deri në fillim të shtatorit për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës. Nëse deri atëherë nuk ka një “marrëveshje” ose të paktën një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, tha presidenti amerikan, tarifat ndëshkuese prej 100 përqind do të vendosen për të gjithë ata që ende bëjnë biznes me Rusinë, duke mbushur kështu “arkën e luftës” të Kremlinit.

Pas muajsh bisedimesh, duket se durimi i Donald Trump me Vladimir Putinin po merr fund. Trump tha, se ka dëgjuar shumë fjalë (nga pala ruse), po pastaj Kievi bombardohet përsëri natën tjetër. “Nëse doni të dini të vërtetën, Putini po na flet shumë budallallëqe.”

Sanksionet dytësore mund ta godasin rëndë Rusinë

Sanksionet dytësore, me të cilat kërcënon Trump mund ta ndryshojnë gjendjen. Ato do ta godisnin fort Rusinë, sepse synojnë edhe burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Rusisë: shitjen e lëndëve të para, veçanërisht naftës dhe gazit. Rreth gjysma e buxhetit të shtetit rus financohet nga burimet e lëndëve të para. Gjatë tre viteve e gjysmë të luftës, nuk është arritur të ulen ndjeshëm të ardhurat ruse nga biznesi i naftës dhe gazit. Kremlini i anashkaloi sanksionet e mëparshme, për shembull, me të ashtuquajturën flotë në hije. Kërcënimet e Trump, të ashtuquajturat sanksione dytësore, shkojnë një hap më tej: Ato kanë për qëllim të dekurajojnë blerësit e lëndëve të para ruse. Nëse të ardhurat e Rusisë nga biznesi i naftës dhe gazit do të reduktoheshin ndjeshëm, kjo do të krijonte probleme të mëdha financiare për Kremlinin dhe ta bënin më të vështirë mbajtjen në punë të makinerisë së luftës.

Kërcënime me pikëpyetje

Megjithatë, kërcënimi i Trump, sado i fortë që mund të tingëllojë, është i mbushur me disa pikëpyetje. Mënjanimi i naftës ruse nga tregu, e cila përbën 10 përqind të tregut global, ka të ngjarë të shoqërohet me turbulenca masive në çmimet e naftës dhe nuk do të jetë e realizueshme në një afat të shkurtër.

Pikëpyetja tjetër: A do të ishte Donald Trump realisht i gatshëm të rrezikonte për Ukrainën një mosmarrëveshje të re tarifore me Kinën ose Indinë, ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse. Pasojat e një mosmarrëveshjeje të tillë tarifore do të ndikonin edhe në Shtetet e Bashkuara dhe ka të ngjarë të çonin në trazira të reja në tregun global. Kurse lidhur me gazin rus, sanksionet dytësore do të ishin gjithashtu problematike edhe për partnerët evropianë. Si Austria edhe Hungaria gjithashtu blejnë gaz rus.

Senatori republikan Lindsey Graham, i cili e mbështet propozimin për sanksione dytësore, kishte bërë thirrje më parë për tarifa deri në 500 përqind. Graham bëri fjalë për një “çekiç goditës” në dispozicion të Trump për t’i dhënë fund luftës. Por duket se Donald Trump ka zgjedhur opsionin shumë më pak të ashpër.

50 ditë i ofrojnë presidentit amerikan mundësi të mjaftueshme për të ndryshuar edhe më tej qëndrimin e tij, por edhe Rusisë mundësinë për të përparuar më tej në fushën e betejës. Tarifat prej 100 përqind do të ishin gjithashtu dukshëm më të ulëta se sa janë diskutuar më parë. E ndoshta prandaj edhe bursa e Moskës reagoi ndaj deklaratës së Trump me rritje të kursit.

Bursa e Moskës u rrit me më shumë se dy përqind pas deklaratave të Trump, me shumë mundësi nga lehtësimi i ndjerë që kërcënimi i presidentit amerikane ishte më pak drastik nga sa kishin frikë disa. m.p.

De Bruyne te Napoli merr numrin e legjendës Maradona! Presion për belgun?

By: el da
15 July 2025 at 21:18

Napoli ka nisur përgatitjet për sezonin 2025-2026, me përforcimin e ri, Kevin De Bruyne, që i është bashkuar skuadrës për testet fizike së bashku me shokët e tij të ekipit.

Ylli belg zhvilloi ditën e tij të parë të përgatitjeve parasezonale në qendrën stërvitore të Napolit në Castel Volturno.

Në fotot e publikuara nga “Gazzetta dello Sport” mesfushori shihet duke buzëqeshur gjatë stërvitjes me bashkëlojtarët.

Ndërsa në fotografitë e publikuara nga klubi, vihet re një detaj shumë i rëndësishëm pasi De Bruyne do të mbajë uniformën me numrin 10, një numër legjendar që i përkiste Diego Maradonës.

Ky është një nder dhe shenjë e madhe besimi për belgun, i cili u bashkua me Napolin këtë verë, pas një dekade në futbollin anglez.

Duke zgjedhur kampionët e Italisë, ai iu bashkua mikut të tij Romelu Lukaku dhe do të vazhdojë të luajë në nivelet më të larta të futbollit.

Për momentin, De Bruyne dhe Luca Mariannucci janë përforcimet e reja të Napolit, ndërsa Noa Lang dhe Sam Beukema pritet t’i bashkohen së shpejti.

Një grup tjetër lojtarësh iu nënshtrua testeve mjekësore të hënën, më 14 korrik. m.p.

Pjerin Ndreu: Në Tiranë, lokali i parë që u çmontua ishte i vëllait tim

By: el da
15 July 2025 at 21:08

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ishte i ftuar këtë të martë në “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv, ku dha këndvështrimin e tij për valën e shembjeve të ndërtimeve pa leje në Theth, sezonin turistik në qytetin që ai qeveris, shkarkimet e nënkryetarëve, drejtorëve dhe kryetarëve të njësive administrative në bashkitë e vendit, si dhe rezultatin historik që Partia Socialiste mori në zgjedhjet e 11 majit.

Ndreu theksoi dakordësinë e tij për aksionin e lirimit të hapësirave publike, duke treguar publikisht se subjekti i parë që u prek ishte vëllai i tij, që zotëronte një lokal në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë.

“Gjithmonë ka pasur ndërhyrje të tilla. Qeveria nuk është ajo që kujdeset për hapësirat publike, e ka pushteti lokal, bashkitë e kanë detyrë. U përmend Lezha dhe unë mendoj se edhe Lezha ka probleme. Lokali i parë që është rrëzuar te bulevardi Zogu i Parë është lokali i vëllait tim, këtu në Tiranë. Ka pas disa vite që paguante taksa, por në fund të fundit ka një filozofi, një mënyrë si trajtohen hapësirat publike. Ka një klauzolë për leje provizore që duhet të rinovohen një herë në vit. Shumica e atyre nuk kanë ardhur për t’i rinovuar. Bashkia nuk mund të lërë leje të përhershme në hapësirë publike. Leje të lehta me rinovim”,- tha Ndreu.

Shembja e ndërtimeve pa leje në fshatin turistik të Thethit, për Ndreun është një vendim i përligjur e qeverisë, por mendon se koha që duhej të zhvillohej do të ishte më e duhur ajo pas sezonit turistik.

“Kam konflikt interesi se Thethi është dashuria ime e pikave malore në Europë. Thethi për mua është diçka që e adhuroj. Jam frekuentues familjarisht i Thethit prej vitesh dhe banorët e Thethit janë më të mirët që kam parë. Nuk janë banorët e Thethit shumica e atyre që kanë hyrë tani në Theth. Janë shumë të tjerë që nuk kanë lidhje me shtëpitë e vjetra të Thethit. Kam frikë se kanë përfituar njerëz në paligjshmëri. Kryeministri u ka thënë që do t’u japë tapitë tokat, të gjitha atyre që kanë paur bujtina, kanë pas një shtëpi. Kisha një vit e sa pa hyrë në Theth, ishte komplet tjetër gjë. Kam ngelur i befasuar nga një bum shumë i madh ndërtimi. Unë mendoj që institucionet që e kanë pasur për detyrë atë punën e kanë pasur përgjegjësinë. Nëse unë shkoj ndërtoj aty dhe nuk më thotë njeri gjë, unë mund të ndërtoj”,- tha Ndreu.

Numri një i qeverisë “shkundi” pushtetin lokal nga Vlora, ku nisi me shkarkimin e 27 drejtorëve të Bashkisë, dhe më pas, me të njëjtin vrull kërkoi edhe nga bashkitë e tjera të vendit “pastrimin” e organikës drejtuese përfshirë nënkryetarët dhe krerët e njësive administrative. Kryebashkiaku i Lezhës tha se kjo “reformë” e Ramës nuk është ndërhyrje në pushtetin lokal, por ka si qëlim përmirësimin e qeverisjen vendore.

“Rama të lërë të gjithë hapësirën e nevojshme që të ushtrosh kompetencën tënde. Askujt, as edhe një kryetari bashkie, nuk i thotë pse e keni marrë këtë në punë apo pse e ke marrë këtë se është i djathtë apo… Për hir të kësaj sjellje ai kërkon faturën, që fatura është puna. Do që t’i dalësh për zot territorit. Në Lezhë po vlerësojmë, po bëjmë vlerësimin njëherë. 2 nënkryetarë sapo i kam ndërruar. Njëra ka 3 muaj, tjetri ka 6-7 muaj. Janë sapo të ndërruar. Shumica e administratorëve janë të ndryshuar brenda një viti”,- tha Ndreu.

Kreu i pushtetit vendor në Lezhë tha se kryeministri kërkon vetëm që t’i “heqësh dhimbjen e kokës” për qeverisjen e bashkive, dhe për mënyrën se si të arrihet kjo, ai nuk vendos asnjë kufizim për kryebashkiakët, mjafton që puna të bëhet mirë. m.p.

Vjosa Osmani: Në vendin tim, ndikimi i Rusisë është zero

By: el da
15 July 2025 at 20:59

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë me dije se Serbia është shndërruar në shtet satelit të Rusisë e cila synon të krijojë efekt destabilizues në rajon.

Këto deklarata Osmani i bëri gjatë vizitës së saj në Letoni, që është e para e një presidenti të Kosovës në këtë shtet.

“Serbia vazhdimisht përpiqet të destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne vazhdimisht vetëmbrohemi. Në historinë e ekzistencës së shtetit tonë, asnjëherë nuk kemi pushtuar apo sulmuar as edhe një centimetër të territoreve të fqinjëve tanë.

Ajo që kemi bërë gjithmonë – dhe që do të vazhdojmë të bëjmë – është të mbrojmë pavarësinë tonë, integritetin tonë territorial, paqen dhe lirinë që e kemi fituar me shumë sakrifica. Në vendin tim, ndikimi i Rusisë është zero. Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për vendin fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet-satelit të Rusisë, qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak.

Përmes Serbisë, Rusia përpiqet të krijojë një efekt destabilizues zinxhir në rajon, sepse sa më shumë destabilizim në Evropë, aq më shumë i shërben interesave të Rusisë. Kjo është ajo që duan, por ne do të punojmë ngushtë me aleatët tanë në BE dhe NATO, përmes parandalimit dhe zmbrapsjes, për të siguruar që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të realizuara përmes Serbisë, të mos ketë sukses”, tha Osmani. m.p.

Ngjarja në Mat/ Autori i dyshuar, dëshmitar okular në atentatin ndaj Azem Hajdarit

By: el da
15 July 2025 at 20:46

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e të riut Renis Dobra pranë liqenit të Shkopetit mëngjesin e 9 korrikut. Hetuesit kanë arritur të identifikojnë autorin e dyshuar për krimin.

Një prej tyre është Petrit Çakrri. Ky i fundit, rezulton të jetë një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së ish-deputetit të PD, Azem Hajdari mbrëmjen e 12 Shtatorit 1998.

Sipas raportimeve, Çakrri kishte marrë me qira dy makina në Rinas, një Range Rover dhe një Hyundai të bardhë. Çakrri u tradhtua nga kamerat e sigurisë dhe GPS e makinës që kishte marrë me qira dhe që përdori në krim.

Sipas pamjeve filmike u zbulua pika e dhënies së automjeteve me qira ndërsa rezulton se pasi kanë dorëzuar makinat që përdoren në krim, kanë marrë automjete të tjera po me qira.

GPS e makinës i ka mundësuar grupit të hetimit se automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, që tashmë e ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha ka lëvizur në trajektoren ku ka lëvizur edhe Renis Dobra.

Pas krimit, Petrit Çakrri është larguar nga Shqipëria dhe besohet të ketë dalë jashtë vendit nga pika e kalimit kufitar të Morinës.

Nipi i tij u ndalua nga policia dhe iu sekuestrua celulari, aty ku besohet se janë gjendur prova të shumta që mund të zbërthejnë detaje të mëtejshme për vrasjen e Renis Dobrës.

Çakrri rezulton një person me precedentë të shumtë penalë ndërsa nuk kanë munguar dhe përplasjet e tij me policinë.

Çakrri në vitin 2017 u arrestua nën dyshimet se kishte mashtruar një biznesmen në Vorë duke i marrë 4.4 milionë lekë të reja duke u prezantuar si tregtar. Çakrri i premtoi biznesmenit se do t’i siguronte mallra me çmim të lirë. m.p.

Franca lëshon alarmin: Rusia gati për luftë, rrezik në Ballkan

By: el da
15 July 2025 at 20:35

Franca ka bërë një rishikim strategjik kombëtar, në të cilin lëshohet alarmi për rrezikun e një lufte në Evropë. Kërcënimi serioz, si ushtarak dhe bërthamor, vjen nga Rusia, ndërsa përmendet me shqetësim dhe Ballkani Perëndimor si një nga rajonet e vendosura në shënjestër.

Në raportin vjetor, shteti francez vlerëson se Moska përbën një kërcënim të vazhdueshëm për europën dhe pretendon se është në një gjendje thuajse në luftë. “Në periferinë e afërt të Bashkimit Europian, si Bjellorusia, Ballkani dhe Moldavia, veprimet e Rusisë kanë rritur tensionet e sigurisë”, shkruhet në dokumentin e Rishikimit Strategjik Kombëtar.

Qeveria e Francës vlerëson më tej se mundësia e një sulmi të ri nga Rusia kundër Europës brenda 3 apo 5 viteve të ardhshme është prezente.

“Ofensivat e Rusisë kundër Ukrainës, në Moldavinë fqinje, në Ballkan apo kundër shteteve anëtare të NATO-s, për të testuar unitetin e aleancës, janë të mundura. Rreziku më i madh është se një agresion i tillë mund të përkojë me operacione të mëdha në vende të tjera të botës, për të ndarë forcat e ushtrisë Amerikane.”

Qeveria e Francës i ka kushtuar një rëndësi të konsiderueshme luftës ndaj përpjekje të Rusisë për të destabilizuar europën dhe Ballkanin në fushën e sigurisë kibernetike. Gjithashtu nënvizon se rriti investimet në rajonin tonë dhe mbështeti progresin për anëtarësim në BE.

“Dialogu politik dhe ushtarak është intensifikuar, përfshirë edhe me tre aleatët e NATO-s në rajon. Franca ka rritur angazhimin e saj ndaj operacioneve dhe aftësive të inteligjencës kombëtare, veçanërisht duke riinvestuar në Forcën e Kosovës (KFOR) dhe duke marrë komandën strategjike të misionit EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë. Stabiliteti dhe siguria e Ballkanit do të mbetet një shqetësim kyç për sigurinë e kontinentit europian, duke pasur parasysh vatra të vazhdueshme tensioni (Bosnja dhe Hercegovina, Serbi-Kosovë) dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme dypalëshe.”

Mes tjerash qeveria e Francës thekson se do të vazhdojë të fuqizojë marrëdhëniet me shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht ata që zotërojnë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. m.p.

Komentet e turistëve të huaj: Shqipëria e lirë, por benzina…

By: el da
15 July 2025 at 20:29

Nami i mirë në Itali na ka dalë e kurioziteti edhe më i fortë nga turistët e vendit fqinj po vijon edhe këtë vit.

Emi, Letizzia dhe Irene, tre vajza të reja nga jugu i Italisë tregojnë edhe mbi “joshjen shqiptare” që po krijon një “pushtim të dytë” italian, në një intervistë për televizionin A2.

“Kemi paguar vetëm 30 eurobiletë vajtje-ardhje. Ne kemi shumë miq italianë e shqiptarë që kanë qenë këtu më herët dhe kjo na shty të vinim”, shprehet Emi.

“Jemi shumë afër dhe çmimet janë shumë të lira. Që nga mishi, kafja, por edhe akomodimi nuk kushtojnë shumë. Me përjashtim të benzinës që është goxha shtrenjtë”, shton Irene.

Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vetëm në tre muajt e parë të vitit vendin e vizituan mbi 204 mijë pushues italianë. Në raport me janar-marsin e një viti më parë, Shqipërinë e vizituan 7.5 për qind më tepër italianë.(

“Deri 3-4 vite më parë te ne ka ekzistuar një perceptim jo fortë pozitivë për Shqipërinë. Po kur e shikon vetë, kupton që veçanërisht njerëzit janë miqësorë”, deklaron Fabrizzio.

Por italianët, ashtu si edhe për turistë nga vende të tjera… kanë edhe ankesa.

“Problem kryesor unë has orientimin. Në Google Maps shpesh ngatërrohesh. Me euron gjithashtu shohim se është zhvlerësuar shumë”.

Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vitin e shkuar Shqipërinë e vizituan mbi 1.2 milionë italianë, 31.6 për qind më tepër se në 2023-shin. m.p.

“Kur hyn Shqipëria në BE? Mund të ndodhë në 2030!”

By: el da
15 July 2025 at 20:20

Ekspert i Integrimit Gledis Gjipali ka deklaruar se gjasat që Shqipëria, të futet në BE deri në 2030 janë të mëdha. I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’, me gazetarin Arbër Hitaj, ai tha se Shqipëria dhe Mali i Zi janë duke ecur me ritme të shpejta në rrugën drejt integrimit.

‘Po Shqipëria dhe Mali i Zi po mbështeten, sepse po ecin mire në këtë proces duke lënë pas Serbinë ku në disa çështje ka bërë edhe hapa pas. Ne do të ecim me ritëm të shpejtë në zbatim të reformave dhe mund të jemi pjesë e BE në 2030. Kemi që në 2013 që nuk kemi zgjerim në BE, madje kemi zvogëlim për shkak të daljes së Britanisë së Madhe’, tha ai.

Ai tregoi edhe kush është sfidë kryesore për vendin tonë.

‘Sfidë kryesore është mbyllja e piketave për grupkapitullin e parë, sepse deri më sot kemi hapjen e disa grupkapitujve dhe priten që të mbyllen deri në vjeshtë’, tha ai.

I pyetur nëse situata politike brenda vendit ndikon tek integrimi në BE, ai tha se po.

‘Qëndrimi i opozitës ndikon, sepse mund të vonojë procesin. Ne jemi në një moment që jemi në hapjen e negociatave dhe roli i opozitës merr një rëndësi të madhe’, tha ai. m.p.

“Me Berishën s’ka ndryshim, ka bërë shumë krime”

By: el da
15 July 2025 at 20:07

Juristi Romeo Kara, ka deklaruar se PD nuk ka asnjë shans për ndryshim apo për të ardhur në pushtet për sa kohë drejtohet nga Sali Berisha.

I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, ai tha se demokratët duhet që të distancohen prej tij.

“Me Berishën s’ka ndryshim, nuk ka shanse të ndryshojë opozita, por duhet që të distancohen nga Berisha. Kaq shumë krime sa ka Berisha nuk fiton më, këtë e ka të sigurt. Këta akoma se besojnë presin 2029, edhe të ik Rama, këdo të ketë ai përballë nuk fiton”, tha ai.

Teksa komentoi daljen nga burg të Ervin Salianjit, ai e cilësoi atë si një zë opozitar të nevojshëm.

‘Ai person është një zë opozitar që është i nevojshëm për opozitën, pavarsisht se ai ishte një gabim e vuajti, mund edhe të mos e vuante me burg. Ai kur ishte në burg i mungonte kësaj opozitë. Unë se shoh më si një djal të ri në politikë’, tha ai.

Një koment e pati edhe dorëheqjet e drejtorëve në disa bashki të vendit pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama.

‘Rama e bënë këtë se ka fuqi ta bëjë apo e bënë këtë se u ndërgjegjësua? Rama tha Shqipërinë e bëjmë vetëm, ne tani ekipin e shpërbëu tani i bie e bënë vetëm Rama. Duhet të hiqen në mënyrë ligjore jo Rama dhe kur të vijnë të tjerët ti vërë prap ligji, sepse prap do ti vërë Rama. Nuk mund ta heqësh tjetrin nëse nuk është ligjore jo me aksion. Edhe ai që është në administratë që është për burg duhet që të trajtohet me ligj. Nuk mund ta bëjë këtë duke hequr njerëzit kështu’, tha ai. m.p.

Tregtarët romë kundërshtojnë bashkinë, vijojnë shitjet në tregun e vjetër

By: el da
15 July 2025 at 19:57

Gjatë kësaj të marte një pjesë e tregëtarëve rom në Gjirokastër kanë dalë sërish për të tregëtuar në mjediset e tregut të vjetër, në lagjen “Gërhot”. Megjithë ndërhyrjen e bashkisë për lirimin e kësaj hapësire dhe zhvendosjen e tregëtarëve në tregun e ri në lagjen “Zinxhira” sërish ata kundërshtojnë largimin.

Sipas tregëtarëve rom zhvendosja në tregun e ri po i godet ekonomikisht ndërsa ata sigurirojnë mbijetesën me të ardhurat e fituara.

“Ne jemi tregëtarë këtu, jemi të gjithë romë, përfaqësoj romët, ne jemi të gjithë hallexhinj, kërkojmë nje treg edhe ne si gjithë të tjerët”, tha një zotëri.

“Këtu ishte një mjedis shumë i mirë, të jemi në rradhë të rregullt, të na sigurojnë edhe tualetet dhe furnizmin me ujë”, u shpreh një tjetë banor.

“Ndodhi kjo për romët, që duan të na heqin nga vendi , të na bëjnë, të na rregullojnë vendin këtu, që të hamë edhe ne, të rrojmë”,

Ditën e hënë Bashkia e Gjirokastrës ndërmori një aksion për lirimin e mjediseve të përdorura ndër vite si treg nga pjesëtarë të komunitetit rom dhe zhvendosjen e tyre në një treg të ndërtuar rishtazi. m.p.

Putin injoron kërcënimet e Trump, lufta vazhdon

By: el da
15 July 2025 at 19:42

Burime pranë Kremlinit thanë se Presidenti rus Vladimir Putin do të vazhdojë të luftojë në Ukrainë pavarësisht kërcënimeve të Donald Trump për sanksione më të ashpra dhe armë shtesë për Kievin.

Sipas mediave të huaja, udhëheqësi rus beson se ekonomia e tij është mjaftueshëm e fortë për t’i bërë ballë presionit të tarifave “të rënda” që Trump kërcënoi të vendoste.

“Putini mendon se askush nuk është angazhuar seriozisht me të për detajet e paqes në Ukrainë, përfshirë amerikanët, kështu që ai do të vazhdojë derisa të marrë atë që dëshiron”, tha një nga burimet për Reuters.

Kujtojmë se Trump i la afat 50 ditë Rusisë për të ndërmarrë hapa drejt paqes në Ukrainë, në të kundërt, Presidenti i SHBA-së tha se do të vendosë sanksione të ashpra tregtare ndaj Moskës. m.p.

Zbulohet paga e Luka Modric te Milani

By: el da
15 July 2025 at 19:25

Luka Modric, është tashmë lojtar i ri i Milanit.

Ai iu bashkua gjigantëve italianë menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, ku zhvilloi ndeshjen e tij të fundit për Real Madridin.

Modric ka qenë pjesë e klubit madrilen që nga viti 2012, duke u bërë kapiten, legjendë dhe lojtari më i dekoruar në historinë e klubit me plot 28 trofe të fituar.

Modric ka pranuar një ulje të konsiderueshme page për të nënshkruar me Milanin. Në Itali, ai do të fitojë midis 2.5 dhe 3 milionë euro bruto në sezon.

Për krahasim, te Real Madridi ai përfitonte rreth 10 milionë euro në vit, ndërsa në sezonin e fundit paga e tij ishte përgjysmuar, duke arritur në rreth 5 milionë euro bruto. m.p.

Relax me borxh, kredia pushuese që mund të të ndjekë gjithë vitin

By: el da
15 July 2025 at 19:17

SHPETIM LUKU – Një reklamë televizive: dy të rinj të buzëqeshur takohen “rastësisht” në hyrje të një institucioni financiar dhe nisin bashkëbisedimin.
“Po ti, ç’po bën këtu?”
“Po mendoja të merrja një kredi për pushime. Ti?”
“Edhe unë! E shoh që kemi shije të përbashkëta!”

Kamerat i ndjekin ndërsa imagjinata e tyre fluturon drejt plazheve me rërë të bardhë, pamjeve në Instagram, koktejeve dhe relaksit. Në sfond një muzikë e lehtë verore. Në fund, me zë të ulët dhe të shpejtë dëgjohet: “Kujdes, kredia ka kosto financiare. Ju lutemi lexoni me kujdes kushtet e marrëveshjes.”

Një paralajmërim thuajse i pavërejtshëm, por që në fakt duhet të ishte pika e parë ku duhet të ndalonte çdo qytetar para se të vendoste të hynte në borxh për një luks që zgjat dhjetë ditë dhe paguhet për muaj të tërë.

Me afrimin e verës, reklamat për kredi të shpejta “për pushime të paharrueshme” pushtojnë mediat, rrjetet sociale dhe çdo ekran bankomati. Institucionet financiare, bankare apo jo, ofrojnë kredi konsumatore për të mbuluar shpenzimet e pushimeve verore. Në pamje të parë, këto produkte tingëllojnë si një zgjidhje e shpejtë dhe e arsyeshme. Por në thelb, janë një ftesë për të konsumuar sot me para që nuk i ke, dhe për të paguar më vonë me interesa që shpesh nuk janë të ulëta.

Vetë ideja që dikush të marrë hua për të pushuar është një paradoks. Pushimet janë të rëndësishme për mirëqenien mendore dhe sociale, por sërish mbeten një luks. Ndërkohë, kredia është një detyrim afatmesëm që do të rëndojë buxhetin e familjes për muaj me radhë.

Po nëse një familje nuk arrin dot të kursejë gjatë vitit për pushime, si mund të përballojë një kredi që kërkon çdo muaj të kthejë më shumë sesa mori?

Këto kredi, sidomos ato që ofrohen nga institucione mikrofinanciare apo kompani që premtojnë “kredi të menjëhershme”, shpesh kanë interesa të larta. Më të ekspozuarit janë pikërisht ata që nuk kanë stabilitet ekonomik, persona të cilët bien më lehtë pre e tundimit për të përjetuar “një pushim si gjithë të tjerët”, pa patur bazë reale financiare. Pra ata që vendosin sipas vendosmërisë së tipit “qeni qepën të hajë”.Por pas pushimeve vjen realiteti.

Reklamat përpiqen ta paraqesin borxhin si një mjet për “kujtime të bukura”. Por në realitet, bëhet fjalë për konsum të parapaguar me para që nuk ekzistojnë. Ajo që nisi si relaks, për shumë familje kthehet në stres të përmuajshëm që ndonjëherë zgjat deri në sezonin tjetër veror atëhere kur, sërish, nuk do të kenë para për pushime.

Pushimet janë të bukura kur nuk të kushtojnë paqen mendore. Nuk ka asgjë të keqe të pushosh brenda vendit, për pak ditë, ose edhe fare pak ditë, por pa hyrë në borxh. Sepse asnjë foto në Instagram nuk mbulon faturën e një kredie me përqindje të lartë interesi .

Zgjedhjet individuale dhe përgjegjësia institucionale

Ekonomia e shëndoshë nuk ndërtohet vetëm nga politika makroekonomike, por nga zgjedhje të kujdesshme individuale. Pushimet mund të organizohen me buxhet modest, brenda mundësive reale, pa e kthyer relaksin në një barrë financiare.

Ndërkohë, institucionet financiare duhet të jenë më të ndershme në komunikim: nuk mjafton të thuash në fund të reklamës se “kredia ka kosto financiare” me një zë të shpejtë dhe të zbehtë. Kjo kosto duhet të jetë pikërisht në qendër të reklamës, jo në fund të saj.

Pushimi i vërtetë nuk merret me kredi

Pushimet janë të domosdoshme, por jo nëse për të pushuar sot, duhet të vuash për muaj të tërë. Kujdesi financiar është një formë tjetër qetësie. Dhe ajo nuk ka nevojë për hua. m.p.

SPAK mbyll hetimin ndaj ish-deputetit Çyrbja (3 vepra penale)

By: el da
15 July 2025 at 18:55

SPAK, ka përfunduar hetimin e nisur ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja. Në dosjen e dërguar në gjykatë, ku janë të pandehur edhe Ahmet Masha dhe Altin Hajri, SPAK kërkon gjykimin e tyre për veprat penale të “tregimit të sekretit shtetëror”, “përkrahje të autorit të krimit” dhe të “korrupsionit në zgjedhje”.

Sipas SPAK, në 8 episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020- mars 2021, të pandehurit janë vënë në dijeni të të dhëna nga sistemi “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informatave sekrete të Policisë së Shtetit për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Referuar hetimit, këto informacione i janë përcjellë të kërkuarve përmes aplikacionit SKY ECC, çka i ka ndihmuar ata t’i shpëtojnë arrestimit.

Nga ana tjetër, SPAK pretendon ish-deputeti Çyrbja ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, aktualisht i shpallur në kërkim edhe për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës. Të njëjtit, ai akuzohet se i ka premtuar ushtrim të ndikimit në Polici dhe prokurori në këmbim të mbështetjes elektorale.

Për llogari të hetimit të kësaj çështjeje, SPAK ka analizuar jo vetëm komunikime në platformën “SKY EÇ”, por edhe në atë “Matrix”. Në përmbajtjen e tyre evidentohet njohja mes të pandehurve, veprimet e paligjshme të pretenduara nga SPAK, por edhe pohim i vendtakimeve me punonjës të policisë, nga janë informuar për operacionet policore. Struktura e Posaçme njoftoi zyrtarisht se ka veçuar një hetim, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tre të pandehurve, të cilët kanë zbuluar akte “sekret shtetëror”. m.p.

❌
❌