Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2025Main stream

“Konflikte dhe tradhti në fund të korrikut”, astrologia paralajmëron shenjat

By: b b
18 July 2025 at 13:57

Astrologia Chrysanthi Kalogeri në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan dha një parashikim të detajuar për klimën astrologjike të javëve të fundit të korrikut.

Sipas saj, periudha që nis tani dhe zgjat deri më 24 korrik do të karakterizohet nga tensione në marrëdhëniet personale dhe profesionale, me mundësi për konflikte, tradhti, por edhe lidhje erotike të papritura.

“Kujdes! Mund të kemi shpenzime të paplanifikuara dhe situata që kërkojnë durim e vëmendje,” paralajmëroi Kalogeri.

Në datën 22 korrik, Dielli kalon në shenjën e Luanit, duke sjellë një energji pozitive që do të forcohet edhe më shumë më 22 dhe 23 korrik.

Në 24 korrik do të ketë një Hënë të re në Luan, e cila do të shënojë një periudhë transformuese dhe mbyllje kapitujsh.

“Ndryshimet që do të ndodhin shpesh janë jashtë kontrollit tonë dhe kërkojnë përshtatje,” tha astrologia.

Gjatë kësaj periudhe, sipas Kalogerit, do të ketë zhvillime që lidhen me liderë dhe çështje territoriale, ndërsa më 31 korrik do të ndodhë takimi i Diellit me Mërkurin, që mund të sjellë zhbllokime, por edhe një klimë nervoze.

Në fund të muajit, Afërdita do të kalojë në Gaforre, duke krijuar situata të vështira në marrëdhëniet personale dhe duke kërkuar kujdes në vendimet financiare.

“Duke nisur që sot, por sidomos, por dhe në fundjavë e deri në datën 24 duhet të jemi shumë të kujdesshëm në marrëdhëniet personale, profesionale, sepse mund të kemi kontradikta, konflikte, madje edhe tradhti, por edhe shanse për lidhje erotike.

Njëkohësisht mund të kemi shpenzime më shumë nga sa duhet, madje edhe të paqëllimshme. Në datën 22 Dielli kalon në shenjën e Luanit dhe aty krijon disa aspekte shumë të mirë në datën 22-23. Në datën 24 kemi Hënën e re në shenjën e Luanit, e cila do të jetë një hënë transformuese, e cila ka për qëllim rinovimin dhe ky rinovim vjen pas mbylljes së një kapitulli.

Në këto raste ndoshta disa zhvillime, disa ndryshime vijnë nga ngjarje të cilat ndodhin jashtë vullnetit tonë dhe ndoshta në disa raste mund të dalin jashtë zonës së komfortit, gjithsesi duhet që t’u përshtatemi kushteve dhe të dimë që janë për të mbyllur një kapitull dhe të gjendemi në një trajektore të re.

Ndikimi i Hënës se re do të jetë deri në krijimin e një Hëne tjetër të re, e cila bëhet në shenjën e Virgjëreshës në datën 23 gusht, por rezultatet i ka kryesisht me hënën e plotë në shenjën e Ujorit. Gjatë kësaj periudhe mund të dëgjojmë ndryshime dhe ngjarje që kanë të bëjnë me lider, që kanë të bëjnë me udhëheqës ose me figura të rëndësishme.

Do të ketë dhe zhvillime që kanë të bëjnë kryesisht me pjesën territoriale. Në datën 31 dielli takohet me Mërkurin, kështu që disa gjëra që ndoshta që më përpara ishin të penguara, mund të bëhen atë ditë. Ka një nervozizëm ajo ditë dhe në përgjithësi do të thoja që duhet të keni kujdes për kujdesin e fëmijëve.

Ditën e fundit të muajit korrik kalon Afërdita në shenjën e Gaforres, ku në ditën e fundit dhe në ditët e para të gushtit gjërat janë pak si të ngurta dhe marrëdhëniet tona personale, nuk shkojnë ashtu siç ne do të donim dhe njëkohësisht lëvizjet financiare që mund të bëjmë ato ditë duhet të jemi më të kujdesshëm para se të marrim vendime dhe të veprojmë.

Në ato ditë takimet që do të kenë njerëzit përgjithësisht kanë një zhgënjim kanë një ndalesë, takohemi me njerëz, ku dashuria dhe marrëdhënia që ne krijojmë është e penguar”, tha astrologia Chrysanthi Kalogeri.

Edlira Cepani në 15-vjetorin e martesës: Dashuria që krijuam s’njeh kufij mes botëve

By: b b
18 July 2025 at 13:31

Aktivistja Edlira Çepani ka përkujtuar ditën e sotme 15-vjetorin e martesës me bashkëshortin e saj Gerti Bogdani, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 44-vjeçare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çepani ka ndarë një foto nga dasma e tyre teksa kujton se si nisi rrugëtimi i tyre të përbashkët.

Edhe pse sot Gerti Bogdani nuk gjendet pranë saj, aktivistja thotë se rrugëtimi i tyre do të vazhdojë përjetë, sepse dashuria mes të dyve nuk njeh kufij mes botëve.

“Rrugëtimi ynë ka pasur kaq shumë bekime, lumturi, sakrifica e kaq shumë dashuri si ato që rrallë gjenden në rruzull.

Rrugëtimi ynë nisi me ne të dy dhe u kurorëzua me Ajrën dhe Reinartin, si frytet e çdo gjëje të bukur që kishim krijuar bashkë! Kemi ecur gjithmonë bashkë për dore, mes vështirësish, dhimbjesh, lumturish dhe suksesesh…

Sot s’të kemi dot në krahun tonë fizikisht, por rrugëtimi ynë do të vazhdojë përjetë, sepse dashuria që krijuam nuk njeh kufij mes botëve.

Ti do të jesh gjithmonë drita në rrugën tonë, Gerti Bogdani!

Gëzuar përvjetorin e 15 viteve martesë, do të të duam gjithë jetën, zemra jonë!”, shkruan aktivistja.

Mungesa e dëshmitarit shtyn seancën për rastin “Banjska”

By: b b
18 July 2025 at 13:16

Një seancë gjyqësore të premten kundër tre të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – është shtyrë për të hënën për shkak të mungesës së dëshmitarit të thirrur nga Prokuroria.

Gjyqtari Arben Hoti tha se dëshmitari A2, i cili ishte paraparë të dëgjohej gjatë tërë ditës, mungon, prandaj e shtyu seancën për të hënën, raporton Betimi për Drejtësi.

“Konstatoj se për shkak të mungesës së dëshmitarit nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor”, tha Hoti.

Disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dëshmuar për prokurorinë deri më tani prej se filloi rasti “Banjska” më 17 prill.

Ata kanë dëshmuar se si janë përballur me një grup serbësh të armatosur kur ishin sulmuar natën e 24 shtatorit 2024 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë kolegu i tyre, rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Në Gjykatën Themelore për këtë rast janë duke u gjykuar Vlladimir Tolliç, Bllagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç, tre nga 45 të akuzuarit për sulmin në Banjskë.

Që të tre të akuzuarit i mohuan akuzat para gjykatës dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiç akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Gjykata theksoi në prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre në Kosovë.

Çfarë përmban aktakuza për rastin “Banjska”?

Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiç, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./REL

Punime pa leje në “Kodrën e Diellit”, arrestohet inxhinieri dhe punëtori

By: b b
18 July 2025 at 12:41

Policia ka arrestuar dy shtetas, pasi u kapën në flagrancë, duke kryer punime ndërtimi.

Po ashtu është shpallur në kërkim një 37-vjeçar, për llogari të të cilit po ndërtohej objekti, pa leje dhe është proceduar penalisht babai i tij, i cili ndiqte punimet.

“Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve që po kryhen me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 konstatuan se pas një banese ekzistuese në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, po kryheshin punime pa leje, për ndërtimin e një objekti të ri.

Për këtë rast:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit N. V., 37 vjeç dhe A. D., 28 vjeç, përkatësisht inxhinieri që drejtonte punimet dhe 1 punonjës;
-u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi S. I., 37 vjeç;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e 37-vjeçarit, shtetasin B. I., i cili ndiqte punimet.

Vijon puna për kapjen e shtetasit S. I..
Gjithashtu, vijojnë kontrollet për konstatimin e rasteve të ndërtimeve dhe zënies së hapësirave publike, pa leje”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

“Ministri ‘X’ e…”/Rama: Shumë shpejt mund të vijë dita që qeverinë mund ta kesh AI

By: b b
18 July 2025 at 12:20

Kryeministri Edi Rama ka folur sot nga Berati për zhvillimet e teknologjisë dhe Inteligjencën Artificiale.

Gjatë takimit me përfaqësues të teknologjisë dhe inovacionit, Rama deklaroi se shumë shpejt Inteligjenca Artificiale mund të implementohet në qeverisje.

Më tej, ai theksoi se qeveria nuk ka këtë gjë si synim, por do ta aplikonin me kënaqësi një projekt të tillë.

“Koha për të ndërtuar një administratë si në vendet lider të BE-së ka qenë krejtësisht e pamjaftueshme, se u bë në Shqipëri shumë zhurmë për një raport të auditit të brendshëm të Bashkimit Europian për fondet bujqësisë mirë po ajo që shohim sot në një tjetër vend të BE nga i njëjti audit është eksponecialisht më e frikshme se sa çfarë doli nga auditi i Shqipërisë.

Ai audit ka provuar se bë vendete e BE dhe në jnjë vend si Gjermani problematikat me fondet e bujqësie mbeten reale, sepse është njeriut në mes. Atëherë teknologjia këtu mund të na ndihmojë jashtëzakonisht.

Ne kemi dronët që i kemi marrë dhe nuk i kemi marrë për të bombarduar ndonjë vend larg qoftë, po i kemi marrë për të kontrolluar vendin tonë, ne kemi satelitët, mirë po ajo që na mungon është një sistem funksional informacioni që të mund të përpunohet në kohë reale.

Dhe nuk ka më nevojë as të ketë inspektorë në territor përveç se kur i çon ti vetë për të bërë operacionet përkatëse, as të presësh që njerëzit papritur të ndihen të pataksur nga ideja që kanë bërë një gafë të madhe se kanë hedhur lekët në lumë, sepse me atë sistem ne mund të marrim të gjitha të dhënat në kohë reale dhe me AI nuk është më thjesht një fluturim i dytë me dron ku ti do rrish të shohësh dhe bën sikur nuk sheh se aty tu shtua një objekt por ta thotë vetë se shiko se këtu…i thua nisu e më sill ça ka ndryshuar në territor dhe ai të thotë 1 2 3 katër këto pika ke ndryshim dhe kjo mund të bëhet.

Shumë shpejt AI mund të bëhet anëtari më efikas i bordit, shumë shpejt mund të vijë dita që qeverinë mund ta kesh AI.

Shumë shpejt mund të vijë dita që ti qeverinë ta kesh AI. Shumë shpejt mund të vijë dita që ti ministrin X e ke AI, s ka as kushëri për të fut në punë, nuk ka as interesa të asnjë natyre që të prishi proceset.

Nuk po them që ky është synimi ynë, megjithëse me shumë kënaqesi mund ta merrnim përsipër. Jam shumë dakord që në bashkëpunim me ju apo me këdo qoftë tjetër ne të bëjmë promovimin e këtyre produkteve”, tha Rama.

FSHF hedh shortin për sezonin e ri të Superligës

By: b b
18 July 2025 at 11:50

Federata Shqiptare e Futbollit ka hedhur sot shortin për Kategorinë Superiore, për edicionin 2025-2026.

Ky edicion do të jetë edicioni i 87-të në historinë e kampionatit më të lartë të futbollit shqiptar.

Java e parë është tashmë e konfirmuar dhe përballjet premtojnë emocion që në start.

Ndeshjet e javës së parë (sezoni 2025–2026):

Partizani – Vora

Teuta – Dinamo City

Vllaznia – Egnatia

AF Elbasani – Flamurtari

Bylis – Tirana

Sezoni i ri do të nisë më 23 gusht 2025 dhe është planifikuar të mbyllet në maj 2026.

24 vatra në 24 orët e fundit/ 4 prej tyre ende aktive, mbi 150 hektarë të djegura

By: b b
18 July 2025 at 11:20

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Mallakastër, Fier, Selenicë, Finiq, Himarë, Kolonjë, Korçë, Përmet, Dimal, Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Tiranë, Kavajë dhe Kamëz.

Vatrat aktive janë si më poshtë:

Qarku Dibër – Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës, dy vatra janë ende aktive: njëra në krahun e Gurë Lurës, dhe zona tjetër afër kanalit të ujit të HEC-it, e cila konsiderohet e izoluar dhe është nën monitorim. Vatra e dytë, në krahun e Malit të Dejës, është e përhapur dhe ndihmuar nga era, me duke u zgjeruar drejt territorit të bashkisë Mat.

Qarku Dibër – Bashkia Bulqizë – Në zonën e “Malit të Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar. Deri tani janë përfshirë rreth 32 hektarë me shkurre dhe barishte. Zjarri është aktiv vetëm në një vatër mbi fshatin Vlash, që po monitorohet nga forcat operacionale.

Qarku Fier – Vatra e zjarrit në zonën Drenovë–Gorishovë, njësitë Qendër Dukas dhe Cakran, në bashkitë Mallakastër dhe Fier, vijon të jetë aktive. Për shkak të terrenit të thyer, erës së fortë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, kontrolli i situatës ka qenë i vështirë. Aktualisht zjarri vazhdon me intensitet në zonat me ullishte të fshatit Gorishovë.

Qarku Vlorë – Bashkia Himarë – Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Ndërhyrja vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes, por pa mundur izolimin e plotë të vatrës. Operacioni për shuarjen po vijon edhe sot, me mbështetjen e forcave të Forcave të Armatosura.

Si pasojë e zjarreve janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.

Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 57 automjete zjarrfikëse dhe 538 forca operacionale.

Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, janë përfshirë edhe 2 helikopterë, 5 automjete zjarrfikëse dhe 120 efektivë nga Forcat e Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në terren ndodhen 50 trupa ushtarake dhe 5 automjete zjarrfikëse me personel mbështetës.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje.

Sa i përket rrezikut për zjarre në pyje, niveli “I LARTË” pritet në qarqet: Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa niveli “I MODERUAR” në qarqet e tjera.

“Të bëhemi partnerë”/ Rama me përfaqësues të teknologjisë: Me sulmet kibernetike…

By: b b
18 July 2025 at 10:50

Kryeministri Edi Rama po zhvillon ditën e sotme një takim në Berat me përfaqësues të teknologjisë dhe start up-eve.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se duhet të krijohet një “urë komunikimi” me komunitetin teknologjik, që sipas tij edhe shteti të bëhet partner.

“Nëse nuk arrijmë të ngremë një urë komunikimi me komunitetin tuaj, dhe të përpiqemi të mësojmë dhe kuptojmë sa më shumë nga brendësia e jetës dhe sfidave të komunitetit tuaj. Pasi jam i bindur që nëse krijojmë një sinergji duke u përpjekur duke vënë në dispozicion mjetet që kemi, patjetër që mund të krijojmë edhe më shumë hapësirë, brumë për të pjekur në këtë furrë të re.

Kështu që çka i kam kërkuar ministres për Sipërmarrjen është që duke ftuar një numër prej jush, dhe duke përfshirë edhe një numër prej nesh, të kemi një ditë si kjo, dhe të trajtojmë në mënyrë sa më shumë shteruese, problematikat e kësaj bote të re që është krijuar në vendin tonë, duke folur për kapitalin njerëzor, dhe përshtatjen e aftësive, për transformmin dixhital dhe qeverinë elektronike, për të gjitha segmentet sektoriale dhe pozicionimin konkurrues, financimin sektorial, për integrimin ndërkombëtare, aksesin në tregje dhe gadishmërinë për eksport dhe të kuptojmë sesi këtë ndërveprim ta ngremë në një nivel të një komunikimi konstant, kur të mos i mbetet as rastësisë dhe as një pikë takimi në kohë.

Mundësia për të shprehur qoftë shqetësime, ide edhe propozime për bashkëpunim. Ne kemi filluar të kuptojmë se si mund të bëhemi partnerë të drejtëpërdrejtë me ju”, theksoi Rama.

Më tej, Rama theksoi se po forcohet vazhdimisht mbrojtja ndaj sulmeve kibernetike, megjithatë duhet punë, sidomos në sektorin privat.

“Kemi bërë goxha progres në këtë aspekt, kemi sot që flasim shërbimet tona dixhitale, jemi të pavarur. Jam njëkohësisht i vetëdijshëm se kemi boshllëqe sidomos në sektorin privat, ku ka mungesë të madhe informacioni dhe se çfarë dëmesh mund të vijnë nga ekspozimi ndaj sulmeve”, shtoi Rama.

Sherri në Sarandë/Policia:4 persona në kërkim, arrestohet dhe një prej të plagosurve

By: b b
18 July 2025 at 10:29

Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në Sarandë, ku dy shtetas mbetën të plagosur me armë zjarri.

Mësohet se janë shpallur në kërkim 4 shtetas të përfshirë në këtë ngjarje, njëri prej të cilëve tentoi të vriste me armë zjarri dy shtetasit.

Po ashtu është vënë në pranga edhe një prej të plagosurve, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë.

“Në vijim të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 17.07.2025, rreth orës 15:00, në një lokal, në lagjen nr. 3, Sarandë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të nevojshme për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ku si rezultat u shpallën në kërkim katër shtetas:

• R. Z., 43 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë.
• E. C., 36 vjeç, A. M., 43 vjeç, dhe K. J., 31 vjeç, të tre banues në Sarandë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për motive të dobëta, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht me shtetasit G. H., 33 vjeç, dhe E. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe gjatë këtij konfliktit, shtetasi R. Z. dyshohet se ka qëlluar drejt tyre me armë zjarri, duke i plagosur rëndë të dy. Shtetasit G. H, dhe E. L, ndodhen në Spitalin e Traumës, Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të ushtruara në kuadër të zbardhjes së kësaj ngjarjeje, shtetasit G. H. iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në vendngjarje u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri, një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 9 fishekë.

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./Opinion.al

BE-ja arrin pajtueshmëri për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

By: b b
18 July 2025 at 10:12

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar të premten për miratimin e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, si dhe për uljen e çmimit tavan për eksportet e naftës ruse.

Paketa e 18-të e ndëshkimeve ekonomike ndaj Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e vendit fqinj më 2022, u miratua pasi Sllovakia hoqi dorë nga kundërshtimi disa javor, pas bisedimeve me Brukselin lidhur me planet për t’i hequr gradualisht importet e gazit rus.

“BE-ja sapo miratoi një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më tani”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

“Çdo sanksion dobëson aftësinë e Rusisë për të bërë luftë. Mesazhi është i qartë: Evropa nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. BE-ja do të vazhdojë të rrisë presionin derisa Rusia të ndalojë luftën”, shtoi ajo.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i njohur për qëndrimet e tij proruse, hoqi dorë nga kundërshtimi pasi mori “garancitë” e kërkuara nga Brukseli në lidhje me çmimet e gazit, ndërkohë që blloku synon t’i ndërpresë plotësisht importet ruse deri në fund të vitit 2027.

Si pjesë e sanksioneve të reja që synojnë t’i dobësojnë financimet për luftën e Rusisë, diplomatët thanë se BE-ja është pajtuar ta ulë çmimin tavan për naftën ruse të eksportuar në vendet e treta 15 për qind nën vlerën e tregut.

Kjo ndodh pavarësisht se aleatët e BE-së nuk arritën ta bindin presidentin amerikan, Donald Trump, ta mbështesë planin.

Tavani i çmimit është një nismë e G7-ës që synon ta kufizojë shumën e parave që Rusia fiton nga eksporti i naftës në vende si Kina dhe India.

Çmimi tavan për naftën, i vendosur në 60 dollarë nga G7 në vitin 2022, synon ta kufizojë çmimin me të cilin Moska mund të shesë naftë nëpër botë, duke ua ndaluar kompanive të transportit dhe atyre të sigurimeve që të merren me eksportet ruse mbi këtë shumë.

Sipas skemës së re të BE-së – që pritet të mbështetet nga aleatë të G7-ës si Britania dhe Kanadaja – niveli i ri do të nisë me 47.6 dollarë dhe mund të rregullohet në të ardhmen në përputhje me ndryshimet në çmimet e naftës.

Gjithashtu, zyrtarët thanë se BE-ja do të vendosë në listën e zezë mbi 100 anije të tjera të ashtuquajturës “flotë në hije”, që janë cisterna të vjetra të përdorura nga Rusia për t’i anashkaluar kufizimet për eksportin e naftës.

Po ashtu, parashikohen masa për t’ua pamundësuar tubacioneve të gazit në Detin Baltik, Nord Stream 1 dhe 2, të bëhen sërish në punë.

Sanksione do të vendosen edhe ndaj një rafinerie nafte në Indi që është në pronësi ruse dhe ndaj dy bankave kineze, pasi BE-ja po përpiqet të kufizojë lidhjet e Moskës me partnerët ndërkombëtarë.

Sanksionet e reja pritet të miratohen zyrtarisht nga ministrat e BE-së më vonë gjatë ditës së premte./REL

Bankat përfitojnë nga kursi i Trumpit

By: b b
18 July 2025 at 10:02

Kur kompanitë hapin librat e tyre, fillon sezoni i fitimeve në tregun e aksioneve.

Tradicionalisht, në SHBA, bankat janë të parat. Por pavarësisht rezultateve të mira, rreziqet janë gjithashtu të dukshme.

Kur tregu i aksioneve rritet e bie, bankat mbushin xhepat e tyre.

Tre bankat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, JP Morgan Chase, Bank of America dhe Citigroup, kanë regjistruar rritje të fortë në operacionet tregtare në muajt e fundit.

Politika tarifore e Presidentit amerikan Donald Trump jo vetëm që gjeneron ankth, por edhe të ardhura të konsiderueshme për bankat. Luhatjet e tregut çojnë në vëllime të forta tregtare, të cilat u sjellin dobi bankave.

Dobësi ekonomike dhe shqetësime për kartat e kreditit

Situata e përgjithshme për bankat amerikane është e qëndrueshme. Lojtarët kryesorë shënuan fitime në miliona dollarë në tremujorin e fundit. Nuk ka shenja krize. Megjithatë, perspektiva për ekonominë amerikane është errësuar. Dobësia ekonomike mund të ndikojë edhe në bizneset e bankave.

“Për bankat amerikane, biznesi i kartave të kreditit është i rëndësishëm”, shpjegon Jarrid Klug i menaxherit të aseteve DWS.

Kartat e kreditit janë kredi të pasigurta, kështu që ato mbartin rrezik. Nëse një klient humbet punën, një humbje është e zakonshme. Nëse, përveç kësaj, ekonomia ngadalësohet dhe papunësia rritet, ky do të ishte një faktor negativ.

Shqetësime rreth inflacionit dhe normave të interesit

Tani, vëmendja përqendrohet kryesisht në pyetjen: si do të ndikojë politika tarifore e qeverisë amerikane në ekonominë amerikane? Ekonomistët presin që çmimet të rriten ndjeshëm si rezultat i tarifave.

Në qershor, kishte vetëm aludime për këtë. Megjithatë, sipas të dhënave të Departamentit të Punës të SHBA, inflacioni është rritur kohët e fundit, duke arritur në 2.7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Kjo zvogëlon hapësirën e manovrimit të Rezervës Federale për të ulur normat e interesit. Normat e larta të interesit dhe pasiguria e shtuar mund të ndikojnë në sjelljen e konsumatorit, dhe bankat e vënë re këtë kur klientët e tyre investojnë më pak.

Ky është edhe mendimi i analistit të tregut, Jochen Stanzl të CMC Markets. Sipas mendimit të tij, amerikanët mund të jenë më të pavullnetshëm për t’u angazhuar në shpenzime dhe eksperimente të mëdha. Ai e sheh këtë si një dobësi nga ana e bankave amerikane.

Reagimet e investuesve

Shqetësimi për ekonominë amerikane është bërë tashmë i dukshëm në tregjet financiare. Dollari po dobësohet dhe euroja është forcuar. Investuesit po ristrukturojnë fondet e tyre dhe po i vendosin ato, për shembull, në Evropë, gjë që i ka sjellë dobi edhe tregut gjerman të aksioneve.

Gjithashtu luajnë një rol shpresat se investimet shumëmiliardë dollarëshe të shpallura nga qeveria gjermane do të kenë ndikim pozitiv në ekonomi. Bankat evropiane mund të përfitojnë nga kjo në planin afatgjatë.

Një rreze shprese për bankat evropiane

Sipas mendimit të Stanzl-it, kjo përfaqëson një mundësi për bankat që të “përfitojnë nga kjo gjendje optimiste që ndihet aktualisht në tregun e aksioneve, në pritje të asaj që do të vijë”.

Kjo do të çonte, ndër të tjera, në përmirësim në biznesin e huadhënies.

Megjithatë, një vështrim në bilancet e bankave zbulon se ende, edhe institucionet më të mëdha financiare evropiane, nuk mund të konkurrojnë me liderët e tregut amerikan.

Pavarësisht pasigurisë së madhe që rrethon ekonominë amerikane, fuqia e bankave amerikane nuk ka gjasa të ndryshojë në plan afatshkurtër./DW

“Mirror”: Eksploroni Shqipërinë, perlën evropiane me plazhe mahnitëse

By: b b
18 July 2025 at 09:54

Perla evropiane krenohet me plazhet mahnitëse, malet, qytetet historike dhe trashëgiminë kulturore, shkruan Lauren Haughey në të përditshmen britanike “Mirror”.

Një eksperte udhëtimesh, Jordynn, e cila ndan aventurat e saj në TikTok, ka rekomanduar Shqipërinë si një vend të veçantë, me plazhe marramendëse, male dhe qytete të paharrueshme.

Sipas saj, perla e fshehur është një parajsë edhe për turistët me një buxhet të kufizuar, falë çmimeve të përballueshme për ushqim dhe akomodim.

“Këto nuk janë Filipinet, kjo nuk është Zvicra, nuk është Greqia, kjo nuk është Italia, as Tajlanda! Nuk është as Portugalia! Kjo është Shqipëria”, tha ajo në një postim në TikTok.

“Ky vend na habiti vërtetë. Shqipëria ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi dhe ju ofron një përvojë kaq të larmishme.. mes maleve, detit të kristaltë dhe të qetë dhe plazheve të mrekullueshme në jug, kulturës dhe historisë së pasur në qytet, qyteteve të vjetra me kalldrëm dhe vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – me çmime të përballueshme”, tha ekspertja.

“Shqipëria i ka vërtet të gjitha. Mund të vizitoni shumë vende: Shkodrën, Valbonën, Thethin, Tiranën, Beratin, Gjirokastrën, Sarandën, Himarën, çdo vend ofron diçka të ndryshme. Qëndrova dy javë në Shqipëri dhe mund të kisha qëndruar lehtësisht një muaj të plotë”, tha ajo.

Edhe pse kaloi vetëm një javë në Shqipëri, Jordynn ndjeu se mund ta kishte zgjatur me kënaqësi qëndrimin e saj në një muaj të plotë, duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e përvojave që ofron ky vend evropian.

Ajo rekomandon një vizitë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, i njohur për muzetë e tij të pasura, ndërtesat historike dhe jetën e gjallë të natës.

Për adhuruesit e plazhit dhe ushqimeve të detit, qyteti bregdetar i Sarandës është gjithashtu një vend që duhet vizituar me patjetër.

Mos humbisni gjithashtu Gjirokastrën – një qytet magjepsës i listuar si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, rreth një orë larg me makinë nga Saranda.

Byreku është padyshim një nga gatimet më të famshme të Shqipërisë, i cili shpesh mund të blihet në dyqanet lokale.

Turistët që pëlqejnë ëmbëlsirat mund të tundohen gjithashtu nga Bakllavaja e famshme e vendit – një tjetër ushqim i shijshëm me arra e zhytur në shërbet./ATSH

Lëvizte me armë zjarri dhe municion luftarak, arrestohet 28-vjeçari në Vaun e Dejës

By: b b
18 July 2025 at 09:38

Policia e Vaut të Dejës ka vënë në pranga një 28-vjeçar, pasi është kapur me armë zjarri pistoletë, në fshatin Nënshat.

Mësohet se i riu lëvizte me armë zjarri pistoletë dhe me municion luftarak, që i posedonte pa leje.

Uniformat blu kanë sekuestruar armën e zjarrit me municion luftarak.

“Në vijim të aksioneve policore me objektiv identifikimim dhe ndalimin e shtetasve që lëvizin të armatosur, duke rrezikuar sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në kuadër të operacionit “Brezi”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.

Për këtë rast u vu në pranga shtetasi E. P., 28 vjeç, banues në fshatin Nënshat.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Nënshat, duke lëvizur me armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që i posedonte pa leje”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të metejshme.

Aksioni për hapësirat publike/ IMT: Lirohen 17 mijë m² në Tiranë

By: b b
18 July 2025 at 09:23

IMT ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike në Tiranë.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit mësohet se deri më sot janë liruar plot 17 mijë e 334 metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme.

Përmes një deklarate zyrtare, IMT ka publikuar shifrat zyrtare lidhur me këtë aksion, ku njofton se janë realizuar edhe 352 çmontime vullnetare nga subjektet përkatëse.

Shifrat:

1. Janë njoftuar 1428 subjekte për lirimin e hapësirave të zëna;

2. Janë realizuar 352 çmontime vullnetare nga subjektet përkatëse;

3. Janë hartuar 32 akt-konstatime për kundravajtje, ndaj atyre që nuk kanë respektuar afatet apo urdhrat ligjorë.

Në kryeqytet ky operacion është fokusuar fillimisht në akset kryesore, por pritet të shtrihet edhe në zonat periferike.

Dy miliard euro për shtatë vite, pse Berlini refuzoi buxhetin e Brukselit?

By: b b
18 July 2025 at 08:55

Dy bilionë euro për shtatë vjet: Komisioni Evropian ka plane të mëdha me një buxhet edhe më të madh. Por qeveria gjermane nuk është dakord, as ekonomia e shoqatat mjedisore.

Berlini zyrtar nuk e pranon buxhetin e BE e priten negociata të vështira në këshillimet midis shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian në të ardhmen.

Qeveria gjermane i ka kritikuar propozimet kryesore të Komisionit Evropian për planet e ardhshme të buxhetit. Qeveria gjermane nuk e ka të mundur ta pranojë propozimin e Komisionit, sipas zëdhënësit të qeverisë Stefan Kornelius.

“Një rritje e përgjithshme në buxhetin e BE është e panegociueshme në një kohë kur të gjitha shtetet anëtare po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të konsoliduar buxhetet e tyre kombëtare,” tha Kornelius.

Gjermania kontribuon me pothuajse një të katërtën

Në të ashtuquajturin Kornizë Financiare Shumëvjeçare (KFSH), Komisioni Evropian propozon një buxhet prej dy bilionë eurosh për periudhën 2028-2034. Kjo është e barabartë me rreth 700 miliardë euro më shumë sesa për periudhën aktuale buxhetore shtatëvjeçare.

Ndër të tjera, janë planifikuar më shumë para për mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë. Si shteti anëtar me peshën më të madhe ekonomike, Gjermania në përgjithësi kontribuon me pothuajse një të katërtën e fondeve.

KFSH është krijuar për një periudhë shtatëvjeçare dhe fillimisht propozohet nga Komisioni Evropian përpara se të debatohet nga shtetet anëtare të BE dhe Parlamenti Evropian.

Buxheti afatgjatë përcakton kufijtë maksimalë për shpenzimet vjetore të BE dhe mënyrën se si përdoren ato.

Kritika ndaj taksimit shtesë të korporatave

Si një nga burimet e reja të të ardhurave për buxhetin e BE, Komisioni propozon një taksë mbi kompanitë e mëdha me një qarkullim vjetor prej më shumë se 100 milionë eurosh.

Edhe kjo taksë shtesë mbi kompanitë e mëdha, e cila synon të lehtësojë buxhetet e shteteve anëtare, nuk e ka mbështetjen e qeverisë federale gjermane.

Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil deklaroi në kuadër të një takimi të ministrave të Financave të G-20-ës në Afrikën e Jugut se qeveria gjermane dëshiron të forcojë ekonominë gjermane, të garantojë punësimin dhe të tërheqë investime në vend.

“Dhe në këtë kontekst, taksa e korporatave e propozuar tani nga Komisioni Evropian, në formën aktuale, dërgon sinjal të gabuar.

Klingbeili kritikoi gjithashtu nivelin e planifikuar të shpenzimeve të Komisionit: “Ne duhet të ruajmë një proporcion absolut në aspektin e financave. Nuk mendoj se po përmbushet”, tha politikani i SPD-së.

Megjithatë, qeveria gjermane mirëpret qasjen reformuese të Komisionit Evropian, veçanërisht zhvendosjen në buxhet drejt prioriteteve të reja si konkurrueshmëria dhe aftësia mbrojtëse.

Brukseli deklaroi në projektbuxhet, ndër të tjera, se do të zvogëlojë numrin e programeve të ndihmës në mënyrë që të shpërndajë më shumë fonde në mënyrë më të zhdërvjellët.

Kritika nga biznesi, cënohet rritja ekonomike

Shoqatat e biznesit janë veçanërisht të kujdesshme ndaj rregullave të mundshme tatimore për kompanitë: shoqata e industrisë automobilistike VDA kishte deklaruar më parë se kompanitë në Gjermani dhe Evropë janë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë ekonomike. “Prandaj, çdo rritje e taksave ose futja e taksave shtesë është e pabëshme, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian”, deklaroi Presidentja e VDA Hildegard Müller.

Një taksë e veçantë mbi fitimet duhet të konsiderohet veçanërisht e dëmshme për rritjen, pasi do të dobësonte konkurrueshmërinë e kompanive të BE.

Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) kishte deklaruar që para prezantimit të propozimit të Komisionit se një masë e tillë do të dërgonte “sinjal krejtësisht të gabuar”.

Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme Helena Melnikov, kompanitë kanë nevojë për një nxitje, jo për taksa shtesë.

“Një zero për mbrojtjen e natyrës”

Grupet mjedisore besojnë se interesat e tyre nuk merren mjaftueshëm parasysh në projektbuxhet: Federata Gjermane për Mjedisin dhe Mbrojtjen e Natyrës (BUND) e quan propozimin e Komisionit “një zero për mbrojtjen e natyrës”.

Sipas presidentit të saj, Olaf Bandt, mungojnë angazhime konkrete financimi, për shembull, për zbatimin e Aktit të BE-së për Rivendosjen e Natyrës për restaurimin e natyrës.

WWF kritikoi shkurtimet e propozuara për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës pavarësisht krizave në përkeqësim, “dhe kjo në një verë tjetër me valë të nxehti, zjarre pyjore dhe përmbytje”./DW

Tiranë/Shpërthim me lëndë plasëse në një lokal në rrugën e Durrësit

By: b b
18 July 2025 at 08:42

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në një lokal në Rrugën e Durrësit.

Mësohet se lënda plasëse ishte vendosur pranë derës hyrëse të lokalit.

Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe raportohet se nuk ka persona të lënduar.

“Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse të lokalit.

Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar”, njofton policia.

Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Rrjetet që përdor Rusia për rekrutim të shtetasve të vet për luftë

By: b b
18 July 2025 at 08:30

Kur presidenti rus, Vladimir Putin e ka urdhëruar atë që e ka quajtur “mobilizim të pjesshëm” të burrave të moshës së lejuar për luftë, shtatë muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022, efekti i vendimit ishte vërejtur nëpër rrugë dhe kufijtë shtetërorë.

Rekrutuesit kanë bastisur zyra, kanë vëzhguar jashtë ndërtesave të banimit dhe stacioneve të trenave, në kërkim të burrave që do të duhej të lajmëroheshin për luftë. Ndërkohë qindra mijëra rusë kanë ikur nga shteti për të shmangur luftën, duke iu bashkuar kështu eksodit të nisur në ditët e para të luftës.

Më vonë Putini duket se ka dashur ta shmangë këtë hap dhe ushtria ruse u është kthyer metodave tjera për të siguruar numrin e nevojshëm të ushtarëve, qoftë përmes rekrutimeve nëpër burgje, apo edhe nëpër qendra të strehimit për të varfrit, ndonëse disa prej këtyre formave janë ilegale.

Në dhjetor të vitit 2023, Skemat dhe Sistema – dy njësi për hulumtime në shërbimet ruse dhe ukrainase të Radios Evropa e Lirë – kanë zbuluar se Redut, një kompani private mercenarësh, që ka dërguar mijëra burra për të luftuar në Ukrainë, është një fakt një entitet i kontrolluar nga shteti, një rrjet rekrutimi që udhëhiqet nga agjencia kryesore e inteligjencës ushtarake të Rusisë, e njohur si GRU.

Një hulumtim i ri i Sistemas tregon se si ushtria e ka zgjeruar rrjetin e vet duke përdorur një sistem alternativ të quajtur Dobrokor – shkurtesë për Dobrovolchesky Korpus (Korpusi i Vullnetarëve) – për t’i joshur të rekrutuarit që mund t’i kundërshtojnë rregullat ose kushtet që i paraqesin agjencia Redut apo Ministria e Mbrojtjes.

Angazhimi në luftë përmes këtyre kompanive, Redut apo Dobrokor, dallon nga nënshkrimi i një kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes. Kontratat me ministrinë zgjaten automakisht deri në përfundim të atij që Rusia e quan “operacion special ushtarak”, që nënkupton se këta ushtarë nuk lirohen derisa të përfundojë lufta.

Në kontratat e kompanive mercenare përmenden afatet kohore – zakonisht gjashtë, tetë apo 12 muaj – dhe ato nuk vazhdohen automatikisht.

Mirëpo, këtu ekziston një pengesë potencialisht vdekjeprurëse, pasi ka të dhëna se ushtarët e rekrutuar përmes rrjeteve vullnetare mund të shihen nga pjesëtarët e ushtrisë si mish për top për ushtrinë ruse teksa ajo përparon në fushëbetejë. Deri në verë të këtij viti besohet se Rusia i ka humbur mbi 1 milion ushtarë.

“Këmbësori e dorës së dytë”

Në një bisedë të incizuar me oficerë, e cila ka qarkulluar në fund të vitit të kaluar, Aleksandr Borodai, ligjvënës rus që udhëheq grupin e titulluar Sindikata e Vullnetarëve të Donbasit, ka thënë se ushtarët i shohin vullnetarët si “këmbësori të dorës së dytë”, dhe që detyra e tyre është “dërrmimi i forcës së armikut” sa më shumë që është e mundshme, para se të nisë sulmi i njësiteve të rregullta ushtarake.

Në incizimin e njëjtë, ai iu referohet vullnetarëve si “fuqi punëtore e shpenzueshme”.

Dobrokor dhe Redut udhëhiqen prej GRU-së dhe të dyja rekrutojnë individë me interesa të ndryshme, nisur nga bindjet nacionaliste apo ato ortodokse, të tjerë fokusohen në tifozë futbolli apo grupime tjera. Në faqen e Dobrokorit renditen 27 njësite në total.

Të gjithë burrat e moshave 18-55 dhe gratë e moshave 18-45 mund të anëtarësohen përmes kompanive Dobrokor dhe Redut. Gratë shërbejnë në njësitet mjekësore.

Pagesa nis nga 2.600 dollarë në muaj dhe mund të jetë edhe më e lartë, varësisht nga roli i mercenarit.

Megjithatë, ekziston një dallim i madh mes këtyre dy kompanive. Kompania Redut operon në një zonë gri, gjysmë ligjore – çka i ka të mirat dhe të metat për rusët që anëtarësohen përmes saj.

Më 2023, personat e rekrutuar nga kompania Redut, i kanë treguar Radios Evropa e Lirë se në mesin e përfitimeve përfshihet mundësia për t’u larguar nga lufta edhe para përfundimit të kontratës, pa ndonjë kërcënim për përfundim në gjyq, si dhe pagesat mund të kryhen me para të gatshme, çka mundëson fshehjen e të hyrave nga kreditorët, gjykatat apo qeveria.

Kompania Redut është krijuar “që njerëzit të mund t’iu shmangen taksave apo ndonjë pagese në gjykatë”, ka thënë një rekrut për Sisteman në atë kohë.

Mënyra më e lehtë për t’iu bashkuar ushtrisë është përmes kompanisë Redut. Kërkesat për kontrolle shëndetësore dhe mirëqenie në përgjithësi, janë shumë fleksibile dhe nuk ka ndonjë barrierë nëse dikush ka ndonjë rast të hapur në gjyq.

Por, ekzistojnë edhe të metat nga rekrutimi përmes saj. Rekrutët nuk mund të përfitojnë nga bonueset rajonale, e që janë të konsiderueshme dhe mund të jetë shumë e vështirë për veteranët apo të mbijetuarit që të sigurojnë pensione për ndonjë paaftësi apo vështirësi tjera.

‘Inekzistent’

Një vullnetar i rekrutuar përmes sistemit Dobrokor e ka statusin e një anëtari në shërbim ushtarak dhe atij i garantohen të gjitha pagesat sociale, ka treguar një i rekrutuar në njësitin e ashtuquajtur Nevsky, në disa përgjigje për Sisteman.

Ai ka thënë se nëse dikush angazhohet përmes kompanisë Redut, në aspektin ligjor ai person “nuk ekziston”.

“Nuk i ofrohet hospitalizim, as rehabilitim, asgjë”.

Për qëllime të këtij artikulli, gazetarët e Sistemas i kanë telefonuar kompanitë rekrutuese përmes kontakteve publike.

Nëse një rekrut anëtarësohet përmes Dobrokorit, ai konsiderohet më i sigurt dhe ka qasje në përfitime dhe bonuse. Mirëpo, për dallim prej kompanisë Redut, një rekrut i Dobrokorit nuk mund të tërhiqet edhe para se t’i skadojë kontrata pa rrezikuar ndonjë pasojë, përfshirë padi penale për dezertim.

“Nuk mund të ikësh – të paktën jo pa telashe”, ka treguar Irina, një e rekrutuar, në disa përgjigje për Sisteman.

Deri në muajin maj, prokurorët ushtarakë kanë dërguar në gjykatat ruse më shumë se 20.000 raste të dezertimit, të cilat datojnë prej ditëve të para të luftës, ka raportuar platforma në gjuhën ruse Mediazona.

Bonuset për të rekrutuarit përmes kompanisë Dobrokor janë më të vogla sesa ato për ata që shkojnë përmes Ministrisë së Mbrojtjes, ku përfitimet mund të shkojnë në deri 46.000 dollarë.

“Burra prej rajoneve të ndryshme shkruajnë ‘bonusi këtu është 1.280 dollarë, këtu është 640 dollarë”, ka treguar një i rekrutuar në njësitin e mercenarëve Vostok, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Përveç kompanive Dobrokor dhe Redut, Ministria e Mbrojtjes e ka krijuar edhe një tjetër kanal rekrutimi, BARS.

Disa organizata rekrutimi, sikurse Sindikata e Vullnetarëve të Donasit, i mbledhin rekrutët përmes këtyre tri sistemeve.

Një tjetër dallim mes kompanive Redut dhe Dobrokor: të rekrutuarit përmes Dobrokorit pajisjen me uniforma dhe gjëra tjera bazike, ndërsa ata të kompanisë Redut “me asgjë”, ka thënë një i rekrutuar në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Të paktën jo në fillim. Të rekrutuarit përmes kompanisë Redut kanë thënë se u jepet një kompensim prej 640 dollarëve për blerjet që i kanë bërë, dhe atë në muajin e tretë të shërbimit ushtarak – nëse janë gjallë deri atëherë./REL

Nga tregjet bujqësore te thertoret, aksioni për faturimin do shtrihet në 3 faza

By: b b
18 July 2025 at 08:25

Prej disa ditësh tatimorët kanë nisur aksionin për kontrollin e tregtimit të produkteve bujqësore me qëllim gjurmueshmërinë e mallrave për forcimin e sigurisë ushqimore.

Ndërmarrja e aksionit parashikohet të zbatohet nëpërmjet disa fazave sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), ku përveç subjekteve në Tiranë aksioni do të zhvendoset drejt rretheve dhe më pas te pikat e grumbullimit dhe përpunimit.

Gjatë këtyre ditëve aksioni i tatimorëve është fokusuar në tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore dhe blegtorale, baxhot dhe thertoret në Tiranë.

Në Tiranë në 3 ditët e para të aksionit janë kontrolluar 87 subjekte dhe janë sekuestruar 20 ton mallra blegtorale që kanë rezultuar se tregtoheshin pa faturë.

“Fokusi i aksionit për tregtimin e mallrave me faturë do të jenë tregjet e mëdha, thertoret, baxhot, më pas grumbulluesit dhe përpunuesit të cilat kanë volum tregtar të lartë që më pas tregtohen në të gjithë vendin.

Nga kontrollet e kryesore deri tani më problematik për tregtim të mallit pa faturë rezultojnë tregjet e mëdha të mallrave bujqësore dhe blegtorale dhe thertoret”, pohon administrata tatimore.

Në fazën e dytë, sipas drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përveç Tiranës dhe zonave përreth saj, aksioni do të shtrihet edhe në rrethe, ku fokusi do të jenë tregjet e mëdha, baxhot e grumbullit të qumështit dhe thertoret e kafshëve.

Në fazën e tretë, administrata tatimore parashikon që aksioni të shtrihet te pikat e grumbullimit dhe përpunimit të mallrave blegtorale.

Administrata Tatimore thekson sërish se fokusi i aksionit është forcimi i kontrollit në terren mbi lëshimin e autofaturës për tregtimin e produkteve blegtorale, te tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore, thertoret, baxhot dhe më pas grumbulluesit dhe përpunuesit e mëdhenj.

Tatimet pohojnë se tregtarët e vegjël dhe ambulantët nuk janë në fokus të aksionit. Ndërsa numri i supermarketeve të kontrolluara deri tani mbetet i ulët. Aksioni i ndërmarrë nga aksioni tatimet synojnë të rrisin të ardhurat, dhe të forcojnë sistemin për gjurmueshmërinë e mallit.

Në mbyllje të aksionit nëpërmjet të cili synohet të rritet autofaturime për mallrat e tregtuara nga fermeri, qeveria parashikon të nisë zbatimin e skemës së rimbursimit të TVSH-së në masën 10% për fermerin. Projektligji për kthimin e skemës së kompensimit të TVSh-së pritet të shqyrtohet për miratim vitin e ardhshëm, ku dhe do të nisë zbatimin.

Pas ndryshimeve që u bënë në vitin 2019 në skemën e rimbursimit të TVSH-së ku nga 20% u ul në 6%, prej 2022 TVSH-ja e kreditueshme për blerjet e mallrave nga fermerët u shfuqizua./Monitor

Parashikimi i motit 18 korrik 2025

By: b b
18 July 2025 at 08:18

Ditën e premte, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët si dhe vranësira përgjatë maleve, kryesisht në veri dhe jug nga ku do të pasohen me reshje të dobëta shiu në formë pikash.

Era me drejtim nga kuadrati i perëndimit me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e dhe zonat luginore, era fiton shpejtësi 6-10 m/s.

Valëzimi i detit pritet të jetë 1-2 ballë.

Horoskopi për ditën e sotme, 18 korrik 2025

By: b b
18 July 2025 at 08:17

Dashi – Mund të ndiheni të ngarkuar nga përgjegjësitë, por intuita ju udhëheq drejt vendimeve të drejta. Kujdes me shpenzimet impulsive.

Demi – Dita favorizon komunikimin me persona të afërt. Një lajm i mirë financiar mund të vijë nga një burim i papritur.

Binjakët – Yjet ju shtyjnë drejt eksplorimit të ideve të reja. Kujdes në marrëdhënie, një keqkuptim i vogël mund të rritet nëse nuk menaxhohet.

Gaforrja – Me Diellin ende në shenjën tuaj, dita është e mbushur me energji pozitive. Ndiheni të mbështetur emocionalisht, ideal për të bërë një hap të rëndësishëm personal.

Luani – Dita nis me energji të ulët, por gradualisht rritet. Mos lejoni që komentet e të tjerëve të ndikojnë në vetëbesimin tuaj.

Virgjëresha – Një takim i papritur mund të sjellë një mundësi të re pune apo bashkëpunimi. Bëhuni të hapur, por ruani kujdesin në vendimmarrje.

Peshorja – Fokusohuni te balanca mes jetës personale dhe asaj profesionale. Një projekt i lënë pezull kërkon vëmendjen tuaj.

Akrepi – Ka tension në ajër, por ju dini si ta menaxhoni. Një çështje e vjetër emocionale mund të rishfaqet, mos e shmangni përballjen.

Shigjetari – Rritet dëshira për të udhëtuar ose për të mësuar diçka të re. Dita është e favorshme për të bërë plane afatgjata.

Bricjapi – Fokusohuni te stabiliteti financiar. Është momenti të rishikoni prioritetet dhe të flisni hapur për atë që dëshironi.

Ujori – Mund të ndiheni të pavendosur për një çështje personale. Yjet ju këshillojnë të dëgjoni zemrën, jo vetëm mendjen.

Peshqit – Intuita juaj është e fortë sot, besojini ndjesive të para. Një bisedë e sinqertë me një mik mund të sjellë qartësi.

❌
❌