Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Main stream

Zjarr në Kakavijë, digjen 4 shtëpi

24 July 2025 at 19:24

Nga Gazeta Si- Zjarri i rënë në Kakavijë pasditen e sotme ka marrë përmasa të mëdha, duke djegur 4 shtëpi ndërkohë që është dashur evakuimi i banorëve.

Kryetari i Bashkisë Dropull, Dhimitër Toli thotë për mediat se situate është emergjente.

“Janë djegur 3-4 shtëpi të fshatit. Ende nuk dihen motivet për zjarrin, policia po heton. Zjarri është në shumë zona të banuara të fshatit. Situata në këto momente është nën kontroll. Kanë ardhur zjarrfikëse nga Gjirokastra dhe nga ajri ka ardhur ndihmë nga Greqia. Shtëpitë kanë qenë të banuara, nxorëm 4 persona nga shtëpitë”, thotë Toli, duke shtuar se zona është plot me pisha dhe koha është shumë e papërshtatshme për këto situatë.

The post Zjarr në Kakavijë, digjen 4 shtëpi appeared first on Gazeta Si.

Kushtetuesja rrëzon kërkesën për shfuqizimin e VKM-së që përcakton pagën e mësuesve sipas nivelit të diplomave

24 July 2025 at 18:52

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Sindikatës së Mësuesve kundër VKM-së që përcakton pagat sipas nivelit të diplomave.

Për shkak të ndarjes së barabartë të votave, 4 me 4 në Gjykatë dhe mungesës së shumicës, kërkesa për shpalljen antikushtetuese të VKM-së u hodh poshtë.

Sindikata e Mësuesve kërkoi shfuqizimin e një pjese të VKM-së, duke argumentuar se vendimi krijon pabarazi dhe diskriminim, pasi sipas tyre ul pagat për një kategori të caktuar arsimtarësh.

The post Kushtetuesja rrëzon kërkesën për shfuqizimin e VKM-së që përcakton pagën e mësuesve sipas nivelit të diplomave appeared first on Gazeta Si.

Ndërron jetë legjenda e WWE, Hulk Hogan

24 July 2025 at 18:36

Hulk Hogan, një nga emrat më të mëdhenj në historinë e “wrestling” dhe një hero fëmijërie për shumë njerëz në të gjithë botën, ka vdekur në moshën 71-vjeçare.

Legjenda e mundjes dhe e televizionit amerikan ndërroi jetë pas një arresti kardiak.

Hogan, emri i vërtetë i të cilit ishte Terry Gene Bollea, u bë i famshëm në vitet ‘80 si fytyra e WWE.

Prania e tij e jashtëzakonshme dhe ndeshjet e paharrueshme e bënë atë një emër të njohur në të gjithë botën.

The post Ndërron jetë legjenda e WWE, Hulk Hogan appeared first on Gazeta Si.

Fier/ 26-vjeçarja mbyt babanë me tel dhe e kallëzon në polici si aksidentale: Më nxiu jetën

24 July 2025 at 17:45

Nga Gazeta Si- Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar në një familje në Fier mbrëmjen e së mërkurës, ku vajza E. R. 26 vjeç mbyti me tel babain e saj A. R. 56 vjeç.

Vajza ka vrarë babain duke e mbytur me tel, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në dijeni të krimit të rëndë ishte edhe mamaja e vajzës, pra bashkëshortja e të ndjerit, teksa të dyja bashkë pas vrasjes tentuan të fshihnin ngjarjen duke pastruar trupin e viktimës.

Pasi vrau të atin, vajza telefonoi pas dy orësh policinë duke pretenduar se babai kishte humbur jetën si pasojë e një ngjarje aksidentale.

Por gjatë marrjes në pyetje dhe deponimit të saj para grupit hetimor të Policisë së Fierit, hetuesit dyshuan mbi vërtetësinë e thënieve të 26-vjeçares, ku më pas zbuluan krimin.

Vajza ka pohuar në polici se e ka vrarë babain e saj sepse e urrente.

“I mbante lekët për vete. Nuk me blinte as rroba, asgjë. As nuk më linte të vishem si doja unë. Me ka nxirë jetën”, ka thënë vajza pasi ka pranuar vrasjen.

Ndërkohë nuk është ankuar për dhunë të asnjë lloj forme.

The post Fier/ 26-vjeçarja mbyt babanë me tel dhe e kallëzon në polici si aksidentale: Më nxiu jetën appeared first on Gazeta Si.

Kurbin/ Dy 16-vjeçarë hyjnë të lahen në kanalin e lagunës, mbytet njëri prej tyre

24 July 2025 at 17:05

Nga Gazeta Si- Sot, rreth orës 15:00, në lagunën e Patokut, dy 16-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë në det, duke kaluar përmes kanalit që lidh lagunën me detin.

Pas disa minutash, ndërsa ishin duke u larë dy djemtë kanë pasur probleme dhe me ndihmën e njerëzve, njëri prej tyre është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 16-vjeçari tjetër është mbytur.

Trupi i tij është gjetur pas dy orësh kërkime nga polumbarët.

The post Kurbin/ Dy 16-vjeçarë hyjnë të lahen në kanalin e lagunës, mbytet njëri prej tyre appeared first on Gazeta Si.

Raporti: Nota mesatare në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi rënie historike, për herë të parë nën 7

24 July 2025 at 13:49

Nga Gazeta Si- Notat në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi kanë shënuar një rënie drastike, duke rënë për herë të parë nën notën 7 në vitin 2025.

Sipas raportit të fundit nga Qëndresa Qytetare, kjo sinjalizon dobësim në përgatitjen gjuhësore dhe shprehjen e nxënësve.

Ndërkohë, në të gjitha lëndët e maturës ka një rënie të kalueshmërisë nga viti 2024 në 2025. Rënia më e madhe shënohet në Matematikë, me një ulje prej -2.19% të kalueshmërisë së maturantëve në këtë provim, duke vijuar ta shkallëzojë lëndën e matematikës edhe këtë vit si më të vështirën për maturantët.

Pas matematikës, rënia më e lartë regjistrohet në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi, me -1.18%, duke vijuar me Gjuhën e Huaj, e cila ka pasur gjithashtu një rënie të lehtë prej -1.12%, por e cila nisur nga numri më i lartë i maturantëve pjesëmarrës vazhdon të mbetet lënda me përqindjen më të lartë të kalueshmërisë në të dy vitet.

Po t’i referohemi vetëm vitit të fundit, në provimet e Maturës Shtetërore, kemi një diferencë me rreth 0,34 njësi note krahasuar me vlerësimin e vazhduar gjatë 3 viteve të shkollimit.

“Të dhënat krahasuese midis notave mesatare të Maturës Shtetërore (NM) dhe notave mesatare vjetore (NV) tregojnë një diferencë të përgjithshme negative e cila përkthehet në një vështirësi në përballimin e provimit të maturës në mënyrë të konsoliduar me njohuritë e fituara përgjatë shkollimit”, thuhet në raport.

The post Raporti: Nota mesatare në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi rënie historike, për herë të parë nën 7 appeared first on Gazeta Si.

Shfrytëzonin të mitura për marrëdhënie se*suale kundrejt pagesës, arrestohen dy 19-vjeçarë

24 July 2025 at 13:02

Nga Gazeta Si- Dy 19-vjeçarë, S.C dhe A.K. janë arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi dyshohet se shfrytëzonin për marrëdhënie seksuale dy të mitura, 16 dhe 14 vjeçare.

Nga hetimet ka rezultuar se dy autorët shfrytëzonin për marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës dy të miturat.

Gjatë kontrolli fizik, A.K iu gjet edhe nja sasi kanabis.

The post Shfrytëzonin të mitura për marrëdhënie se*suale kundrejt pagesës, arrestohen dy 19-vjeçarë appeared first on Gazeta Si.

Vrau vëllain dhe kunatën, Prokuroria Tiranë kërkon burg përjetë për Arsen Muskurtin

24 July 2025 at 12:11

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Arsen Muskurtin, i cili vrau vëllain e të tij Dritan Muskurti dhe kunatën, Nora Muskurti në 30 gusht 2022, pas konflikteve të përsëritura.

Në mesditë, Arsen Muskurti hyri brenda agjencisë turistike “Nour Tours” dhe qëlloi për vdekje me armë të vëllanë dhe kunatën e tij.

Sipas Prokurorisë, i pyetur për ngjarjen, Arsen Muskurti është shprehur se drejt vrasjes e çuan problematikat e vazhdueshme me të vëllain, të cilin e akuzoi se shantazhonte atë dhe prindërit prej kohësh.

Debatet dhe konfliktet midis tyre kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe nuk janë zgjidhur edhe pse i ishin drejtuar gjykatës.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve asokohe, ai tregoi se krimin e rëndë e kishte kryer pasi kishte marrë një fletë-thirrje nga Gjykata Civile e Tiranës e cila do të shqyrtonte një kërkesë për urdhër-mbrojtje që kishte bërë vëllai i tij.

Ndërkohë, konfliktet mes tyre kishin nisur që prej vitit 2016 për bizneset, teksa viktima, i vëllai, i kërkonte në Gjykatë edhe kthimin e një borxhi, për të cilin Arsen Muskurti nuk pranonte se ia kishte.

Pasi ka vrarë vëllain dhe kunatën, Meskurti ka shkuar parë dyqanit të tij, që ishte afër me vendin e ngjarjes, ka lënë armën në kasafortë dhe më pas tentoi të arratisej, ndërsa u kap 2 orë më pas, në prani të bashkëshortes së tij dhe të një prej fëmijëve.

The post Vrau vëllain dhe kunatën, Prokuroria Tiranë kërkon burg përjetë për Arsen Muskurtin appeared first on Gazeta Si.

Shkencëtarët paralajmërojnë se një lloji bakteri, rezistent ndaj antibiotikëve, po përhapet në Europë

24 July 2025 at 11:53

Nga Gazeta Si- Një lloj i ri bakteri që mund të shkaktojë infeksione serioze tek fëmijët, por që i shmang trajtimet standarde, po përhapet në Europë.

MRSA (Staphylococcus aureus rezistent ndaj meticilinës) është një lloj bakteri që ka evoluar deri në atë pikë sa antibiotikët nuk funksionojnë më kundër tij, duke e bërë më të vështirë trajtimin e tij. Mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore nëse futet brenda trupit, duke shkaktuar më shumë se 100,000 vdekje në të gjithë botën në vitin 2019.

Një lloj i ri i MRSA-së u identifikua në Gjermani dhe Holandë gati një dekadë më parë dhe që atëherë është përhapur në të paktën nëntë vende të tjera europiane, sipas një studimi të ri nga Instituti Statens Serum (SSI) i Danimarkës.

Shkencëtarët filluan të shqetësoheshin se lloji mund të qarkullonte në Danimarkë pasi 32 fëmijë dhe anëtarë të familjes zhvilluan ulçera që u shkaktuan nga një lloj specifik i bakterit stafilokok në verën e vitit 2023. Një vit më vonë, ata identifikuan një shpërthim tjetër nga i njëjti bakter diku tjetër në vend.

Ata dyshuan se Danimarka nuk ishte vendi i vetëm i prekur nga lloji i ri, të cilin e quajnë “klon” i një lloji tjetër të MRSA-së sepse kanë disa ngjashmëri gjenetike.

Kur analizuan mostrat në të gjithë Europën, ata gjetën bakteret në 11 vende: Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Luksemburg, Holandë, Norvegji, Spanjë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Ky klon, i cili u gjet për herë të parë në Gjermani dhe Holandë në vitin 2014, është një nëntip i ri” i baktereve”, tha në një deklaratë Andreas Petersen, studiues i MRSA në SSI i cili drejtoi studimin.

Hulumtuesit publikuan gjetjet e tyre në revistën Eurosurveillance.

Lloji është gjenetikisht i ngjashëm me një formë tjetër të MRSA që duket se shkakton impetigo, një infeksion bakterial i lëkurës që shkakton formimin dhe shpërthimin e plagëve të kuqe rreth hundës dhe gojës.

Më i zakonshmi tek fëmijët e moshës dy deri në pesë vjeç, impetigo është shumë ngjitës dhe mund të përhapet lehtësisht brenda familjeve. Shpërthimet zakonisht ndodhin në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës.

Impetigo zakonisht nuk është e rrezikshme, por ndërlikimet e rralla përfshijnë dëmtimin e veshkave si dhe mund të jetë kërcënues për jetën nëse përhapet në nyjet limfatike dhe qarkullimin e gjakut.

Acidi fusidik, një krem antibiotik, përdoret zakonisht për të trajtuar infeksionet e impetigos, por nuk funksionon mirë kundër llojit MRSA.

Kjo është arsyeja pse mjekët në të gjithë Europën duhet të dinë nëse infeksioni mund të jetë duke u përhapur në komunitetet e tyre, thanë studiuesit.

MRSA është vetëm një nga shumë kërcënimet shëndetësore që shfaqen për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve. Infeksionet nga të ashtuquajturit superbaktere mund të vrasin më shumë se 39 milionë njerëz në të gjithë botën gjatë 25 viteve të ardhshme, sipas një studimi historik të publikuar vitin e kaluar.

Rezistenca ndaj antibiotikëve gjithashtu ndikon negativisht në sistemin shëndetësor. Së bashku, 11 vendet ku është identifikuar lloji i ri i MRSA-së shpenzuan gati 11.4 miliardë euro duke trajtuar pacientët me infeksione rezistente ndaj ilaçeve në vitin 2022, sipas vlerësimeve të fundit nga Qendra për Zhvillim Global.

Hulumtuesit danezë besojnë se lloji i ri mund të përhapet pa u zbuluar edhe në pjesë të tjera të Europës.

Ai është gjetur tashmë jashtë spitaleve dhe azileve të pleqve, të cilat kanë protokolle të rrepta për të shmangur MRSA-në.

The post Shkencëtarët paralajmërojnë se një lloji bakteri, rezistent ndaj antibiotikëve, po përhapet në Europë appeared first on Gazeta Si.

Studimi i ri: Vetëm 7,000 hapa në ditë ulin rreziqet shëndetësore

24 July 2025 at 11:30

Një studim i ri sugjeron se të ecësh 7 mijë hapa në ditë mund të jetë e mjaftueshme për të rritur fuqinë e trurit dhe për të ndihmuar në mbrojtjen nga një sërë sëmundjesh të ndryshme.

Mund të jetë një objektiv më realist sesa 10,000 hapa, i cili shpesh shihet si pikë referimi për t’u arritur.

Hulumtimi, i botuar në Lancet Public Health, zbuloi se shifra ishte e lidhur me një rrezik të reduktuar të problemeve serioze shëndetësore, duke përfshirë kancerin, demencën dhe sëmundjet e zemrës.

Gjetjet mund të inkurajojnë më shumë njerëz të ndjekin hapat e tyre si një mënyrë praktike për të përmirësuar shëndetin e tyre, thonë studiuesit.

“Ne kemi këtë perceptim se duhet të bëjmë 10,000 hapa në ditë”, thotë autorja kryesore Dr. Melody Ding, “por kjo nuk bazohet në prova”.

Shifra prej 10,000 hapash mund të gjurmohet që nga një fushatë marketingu e viteve 1960 në Japoni. Në prag të Lojërave Olimpike të Tokios në vitin 1964, u lançua një markë pedometri e quajtur manpo-kei, që përkthehet si “metër 10,000 hapash”.

Ding thotë se kjo shifër u “nxor jashtë kontekstit” dhe u bë një udhëzues jozyrtar, të cilin shumë gjurmues dhe aplikacione fitnesi vazhdojnë ta rekomandojnë.

Studimi i Lancet analizoi hulumtimet dhe të dhënat e mëparshme mbi shëndetin dhe aktivitetin e më shumë se 160,000 të rriturve në të gjithë botën.

Krahasuar me ata që ecnin 2,000 hapa në ditë, u zbulua se 7,000 hapa lidheshin me uljen e rrezikut të:

-sëmundjeve kardiovaskulare – më pak se 25%

-kancerit – më pak se 6%

-demencës – më pak se 38%

-dhe depresionit – më pak se 22%

Megjithatë, studiuesit thonë se disa shifra mund të jenë më pak të sakta se të tjerat pasi ato nxirren vetëm nga një numër i vogël studimesh.

Në përgjithësi, shqyrtimi i tyre sugjeron që edhe numri modest i hapave prej rreth 4,000 hapash në ditë është i lidhur me shëndet më të mirë krahasuar me aktivitetin shumë të ulët prej vetëm 2,000 hapash në ditë.

Për shumicën e problemeve shëndetësore, përfitimet uleshin përtej 7,000 hapave, megjithëse kishte avantazhe shtesë për të ecur më tej për zemrën.

Shumica e udhëzimeve për ushtrime përqendrohen në kohën e kaluar duke bërë aktivitet fizik në vend të numrit të hapave.

Për shembull, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se të rriturit duhet të bëjnë të paktën 150 minuta aktivitet aerobik të moderuar ose 75 minuta aktivitet aerobik të fuqishëm çdo javë.

Dr. Daniel Bailey, ekspert i sjelljes sedentare dhe shëndetit nga Universiteti Brunel i Londrës, thotë se studimi sfidon “mitin” se 10,000 hapa në ditë janë të nevojshëm.

Ndërsa 10,000 hapa është një qëllim i përshtatshëm për ata që janë më aktivë, ai thotë se synimi për 5,000 deri në 7,000 mund të jetë një “objektiv më realist dhe i arritshëm” për të tjerët.

Andreë Scott, pedagog në Universitetin e Portsmouth, pajtohet që numri i saktë nuk është i rëndësishëm.

Ai thotë se “më shumë është gjithmonë më mirë” dhe njerëzit nuk duhet të shqetësohen shumë për arritjen e një objektivi specifik, veçanërisht në ditët kur aktiviteti është i kufizuar.

The post Studimi i ri: Vetëm 7,000 hapa në ditë ulin rreziqet shëndetësore appeared first on Gazeta Si.

Aksident i rëndë në Gjirokastër, përplaset ambulanca, 6 të plagosur

24 July 2025 at 11:19

Rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm, një aksident rrugor ka ndodhur pranë urës së Kardhiqit, ku një autoambulancë me drejtues Gj. Sh. është përplasur me një automjet tjetër të drejtuar nga D. K.

Si pasojë e përplasjes janë plagosur drejtuesi i ambulancës, pacienti që po transportohej, shoqëruesja dhe infermierja që ndodheshin në autoambulancë, si dhe drejtuesi dhe një pasagjere në automjetin tjetër.

Pacienti, I. M., ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.

The post Aksident i rëndë në Gjirokastër, përplaset ambulanca, 6 të plagosur appeared first on Gazeta Si.

Në mesditë rriten temperaturat, shkojnë 41 gradë

24 July 2025 at 08:28

Në orët e para të mëngjesit dhe mesditës parashikohet që në të gjithë vendin tonë të ketë dominim të intervaleve të gjata me diell, ku më të dukshme do të jenë në zonat jugore.

Ndërsa pjesa e dytë e ditës pritet të sjellë kalime të lehta vranësirash kryesisht në zonat malore, por nuk do të ketë reshje.

Vija bregdetare dhe pjesërisht qytetet e zonës së ulët gjatë pasdites dhe mbrëmjes do të vijojnë të jenë nën ndikimin e kthjellimeve.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në mëngjes por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 11°C vlera minimale deri në 41°C maksimalja në rang territori.

The post Në mesditë rriten temperaturat, shkojnë 41 gradë appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 23 July 2025Main stream

Himarë/ Po zbriste me litar nga shkëmbi te ‘Gjiri i Filikurit’, vdes turistja 23-vjeçare nga Holanda

23 July 2025 at 13:59

Një turiste 23-vjeçare holandeze ka humbur jetën teksa është rrëzuar aksidentalisht gjatë zbritjes me litar nga shkëmbi në vendin e quajtur “Gjiri i Filikur” në Himarë.

Policia e Vlorës thotë se dyshohet që gjatë zbritjes nga shkëmbi me litar, turistja M. B., 23 vjeçe, është rrëzuar aksidentalisht dhe ka marrë dëmtime serioze.

“Turistes iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua me ndihmën e Policisë Kufitare, por për shkak të dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë”, tha policia vendore.

Gjithashtu, si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, turistja tjetër franceze J. L., 18 vjeçe, e cila ndodhej në afërsi.

The post Himarë/ Po zbriste me litar nga shkëmbi te ‘Gjiri i Filikurit’, vdes turistja 23-vjeçare nga Holanda appeared first on Gazeta Si.

Pse është kaq i rrallë kanceri i zemrës?

23 July 2025 at 13:51

Me siguri njihni dikë që është prekur nga kanceri. Kjo sëmundje ndodh kur qelizat ndahen në mënyrë të pakontrolluar dhe mund ta sëmurin një person, ndonjëherë shumë rëndë.

Kanceri mund të ndodhë kudo në trup sepse çdo ind dhe organ përbëhet nga miliarda apo edhe triliona qeliza. Por ka disa pjesë të trupit ku kanceri ndodh shumë më rrallë, si zemra. Studimet tregojnë se vetëm 3 në 10,000 njerëz zhvillojnë kancer të zemrës. Në krahasim, 1 në 20 gra pritet të zhvillojë kancer gjiri. Pse ndodh kjo?

Unë jam biologe dhe jam e specializuar për enët e gjakut të sistemit kardiovaskular. Një pjesë e madhe e punës sime përqendrohet në mënyrën se si qelizat bashkëveprojnë me mjedisin përreth për të rregulluar funksionimin e indeve dhe organeve. Sëmundja mund të zhvillohet kur diçka nuk shkon mirë.

Qelizat e zemrës kanë veçori unike që i bëjnë jashtëzakonisht rezistente ndaj kancerit.

Si fillon kanceri

Qelizat prodhojnë më shumë qeliza për t’u rritur, për të zëvendësuar ato të vjetra ose të dëmtuara, apo për të riparuar inde të dëmtuara. Ky proces quhet ndarje qelizore. Çdo lloj qelize në trup ndahet me ritme të ndryshme, në varësi të disa faktorëve, përfshirë funksionin e saj dhe moshën e një personi.

Për shembull, qelizat e një embrioni njerëzor në zhvillim ndahen jashtëzakonisht shpejt, duke kryer katër ndarje brenda tri ditëve. Qelizat që formojnë lëkurën, thonjtë dhe flokët rigjenerohen vazhdimisht gjatë gjithë jetës. Qelizat e kockave ndahen me një ritëm të tillë që ju jep një skelet tërësisht të ri afërsisht çdo 10 vjet.

Nëse dhe sa shpesh ndahet një qelizë kontrollohet në mënyrë të rreptë nga një seri kontrollesh molekulare. Gjatë ndarjes, gjenet brenda ADN-së dyfishohen dhe ndahen në mënyrë të barabartë në dy qeliza bijë. Dëmtimet në këto gjene, të shkaktuara nga kimikate të dëmshme, drita ultravjollcë ose rrezatim, mund të rezultojnë në mutacione që çojnë në sëmundje. Mutacionet mund të ndodhin edhe rastësisht. Kur ndodhin te gjenet që rregullojnë ndarjen qelizore, mund të zhvillohet kanceri.

Çfarë i mbron qelizat e zemrës nga kanceri?

Edhe pse zemra është organi i parë që formohet dhe nis punën gjatë zhvillimit të hershëm, qelizat e saj në moshën e rritur ndahen shumë pak pas lindjes, dhe ndarja bie ndjeshëm pas moshës 20 vjeç. Në fakt, më pak se 50% e qelizave të zemrës zëvendësohen gjatë gjithë jetës mesatare të një njeriu. Kjo do të thotë se gjysma e qelizave të zemrës me të cilat lindni do të vazhdojnë të pompojnë gjak gjatë gjithë jetës suaj.

Ky ritëm i ulët ndarjeje qelizore në zemrën e rritur ndoshta është mbrojtja kryesore kundër kancerit. Sa më rrallë të ndahet një qelizë, aq më pak mundësi ka për gabime gjatë kopjimit të ADN-së.

Gjithashtu, zemra është më pak e ekspozuar drejtpërdrejt ndaj faktorëve që shkaktojnë kancer, si drita UV që prek lëkurën ose substanca të thithura në mushkëri, për shkak të pozicionit të saj të mbrojtur në kraharor.

Fatkeqësisht, ky ritëm i ulët ndarjeje ka edhe disavantazhet e veta, si aftësi e reduktuar për të riparuar apo zëvendësuar qeliza të dëmtuara nga sëmundjet, dëmtimet apo plakja.

Pse ndodh ende kanceri i zemrës

Edhe pse zemra është rezistente ndaj kancerit, tumoret mund të formohen përsëri. Kur gjendet kancer në zemër, zakonisht është rezultat i përhapjes së qelizave kancerogjene nga një pjesë tjetër e trupit, një proces që quhet metastazë. Disa lloje kanceri të lëkurës ose në zonën e kraharorit kanë më shumë gjasa të përhapen në zemër, edhe pse kjo është ende e rrallë.

Kur ndodhin, tumoret e zemrës mund të jenë shumë serioze dhe më agresive se llojet e tjera të kancerit. Një studim që analizoi më shumë se 100,000 raste me kancer në zemër në Shtetet e Bashkuara zbuloi se pacientët që u trajtuan me kirurgji dhe kimioterapi jetuan më gjatë sesa ata që nuk u trajtuan.

Trajtimi i suksesshëm i kancerit përfshin disa fusha të mjekësisë. Këto përfshijnë kujdesin paliativ, që përqendrohet në lehtësimin e dhimbjes dhe simptomave, si dhe mjekësinë integruese, që merr parasysh lidhjen mendje-trup-shpirt.

Kanceri i zemrës jep të dhëna për rigjenerimin e zemrës

Të kuptuarit se si ndahen qelizat e zemrës dhe çfarë e ndryshon këtë proces jep të dhëna për sëmundjet dhe ndihmon në formësimin e trajtimeve të reja.

Për shembull, kërkimet mbi ndarjen e qelizave të zemrës ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë pse zemra nuk shërohet mirë pas një ataku kardiak. Studiuesit zbuluan se, edhe pse zemrat e dobësuara kanë më shumë qeliza që ndahen sesa zemrat e shëndetshme, ato ende kanë nevojë për ndihmë për të shëruar plotësisht.

Teknologjitë e reja, si aftësia për të riprogramuar qelizat e gjakut në qeliza të zemrës, u kanë mundësuar studiuesve të krijojnë modele të reja për studimin e sëmundjeve të zemrës, me synimin që një ditë të arrijnë rigjenerimin e saj. Kjo hap dyert për trajtime të reja për sëmundjet e zemrës, përfshirë edhe kancerin.

Të kuptuarit pse nuk ndodh kanceri është po aq e rëndësishme për zhvillimin e trajtimeve të reja dhe më të mira sa edhe të kuptuarit pse ndodh. Përgjigjet e të dyja pyetjeve ndodhen, fjalë për fjalë, në zemër.

Burimi: The Conversation. Përshtati: Gazeta Si.

The post Pse është kaq i rrallë kanceri i zemrës? appeared first on Gazeta Si.

Kleana Xhuveli merr mandatin e koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Tedi Mula të PSD-së

23 July 2025 at 13:27

Nga Gazeta Si- Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka vendosur ditën e sotme se mandati i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, i ka kaluar Kleana Xhuvelit.

Në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, u vendos që dorëheqjet e kandidatëve për deputetë në listat e mbyllura të koalicionit, nuk ishin miratuar nga KQZ në heshtje, ashtu siç sipas tij ishte pretenduar.

Me këtë vendim u zgjidh edhe një ngërç i madh i krijuar mes drejtuesve të koalicionit, ku Lapaj si më i votuari i listës së hapur të koalicionit pretendonte ta merrte vetë mandatin, ndërkohë që vendin e deputetit e pretendoi edhe daja i Endri Shabanit, i cili pasi kishte dhënë dorëheqjen nga kandidimi në listën e mbyllur, e revokoi këtë. Pas tij e revokoi edhe Kleana Xhuveli, e afërmja e Lapajt.

“Përfundimi është se nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi, pasi listat janë miratuar. Dhe kjo është kështu për çdo lloj shkaku. Kështu që duke qenë se Kleana Xhuveli është renditur para Zeqir Kordhonit në listën e mbyllur të koalicionit, i takon asaj të marrë mandatin e këtij koalicioni.

Përfundimisht shpall kandidat fitues zonjën Kleana Xhuveli”, tha Celibashi.

Gjithashtu, KQZ ka vendosur që mandatin e PSD në Tiranë ta marrë Tedi Mula.

Tedi Mula ishte më i votuari në listën e hapur të kësaj force politike në kryeqytet dhe zgjedhja e tij erdhi pasi PSD kërkoi ditën e sotme djegien e listës së mbyllur të Tiranës, kërkesë që u pranua nga KQZ.

The post Kleana Xhuveli merr mandatin e koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Tedi Mula të PSD-së appeared first on Gazeta Si.

‘Kopshti i Edenit’/ Shqipëria synon kultivimin e frutave ekzotike për Europën

23 July 2025 at 12:52

Nga Gazeta Si- Fruti i pasionit, guava, fruti i dragoit ose kiëano, ndryshimi i klimës po i nxit fermerët shqiptarë të fillojnë të kultivojnë fruta ekzotike për t’i shitur në Europë.

Ferma e vogël e agronomit veteran Irakli Shkoza, jo shumë larg detit në Shqipërinë qendrore, është një lloj Kopshti i Edenit në diellin e Adriatikut.

Me temperaturat që rriten çdo vit, Shkozës i lindi ideja për të diversifikuar prodhimin në vitin 2019, në një kohë kur bashkëmoshatarët e tij do të kishin qenë prej kohësh në pension.

75-vjeçari solli fillimisht farat nga Afrika dhe Amerika dhe i mbolli në parcelën e tij prej dy hektarësh.

Të gjitha bimët janë përshtatur shumë mirë me klimën e ngrohtë lokale.

I vendosur midis tokës bujqësore të valëzuar dhe detit, rajoni i Divjakës ishte ‘hambari’ i Shqipërisë, me fermerët që kultivonin perime dhe shalqinj për tregjet lokale dhe të eksportit.

Planeti në ngrohje ndryshoi planet

Por rritja e temperaturave dhe mungesa e punëtorëve kanë lënë gjurmën e tyre në ferma.

“Frutat ekzotike kanë nevojë për më pak ujë dhe mirëmbajtje, gjë që i bën kostot e prodhimit më të ulëta”, tha Shkoza.

Klima tipike mesdhetare e Shqipërisë, me verë të nxehtë dhe të thatë dhe dimra të butë, ka ndryshuar për shkak të ngrohjes globale.

Deri në fund të shekullit, temperaturat mesatare në Ballkanin Perëndimor parashikohet të rriten midis 3.5 dhe 8.8 gradë Celsius, bazuar në një studim të vitit 2022, duke supozuar se emetimet e gazrave serrë nga mesatarja deri në të larta do të vazhdojnë.

“Valët e nxehtësisë ndoshta do të dëmtojnë rendimentet e të korrave, veçanërisht në Shqipëri, ku temperaturat mesatare janë më të larta gjatë verës”, sipas studiuesve Daniel Muller dhe Max Hofmann nga Instituti Leibniz i Zhvillimit Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion.

Por ndryshimi i klimës nuk ka pse të jetë plotësisht katastrofik, tha Shkoza, nëse përshtatemi për të përfituar prej tij.

“Fermerët shqiptarë duhet të fillojnë të prodhojnë shumë fruta ekzotike për të përfituar nga klima e tyre e favorshme”, këmbënguli ai.

“Këto fruta janë shumë të kërkuara në tregun europian, por ato vijnë nga larg, Amerika Latine, Azia Juglindore, Zelanda e Re, Australia.”

“Transporti i tyre në Europë ka një kosto, si financiare ashtu edhe në aspektin e freskisë. Nëse do të vinin nga Shqipëria, jo vetëm që do të ishin më të lira, por do të ishin edhe më të freskëta”, argumentoi agronomi Altin Hila.

Papajat që gjenden në tregjet europiane mblidhen ndërsa janë ende të gjelbra dhe më pas sillen në Europë ku piqen artificialisht”, thotë Vasil Nikolovski, menaxher prodhimi nga Maqedonia e Veriut i cili ka punuar në Divjakë për disa vite.

“Këtu, ato mund të piqen në pemë,” shtoi ai.

“Shqipëria ka kapacitetin për të përmbushur kërkesat e tregut europian dhe me eksportet e frutave ekzotike mund të bëjë një xhiro prej 100 deri në 200 milionë eurosh në vit.”

Shkoza tashmë po eksporton fruta dragoi, fruta pasioni dhe ‘pepinos’, ose dardha me pjepër që vijnë nga Amerika Latine, në tregjet europiane.

Me fermerë të tjerë në rajonin e Divjakës, ai kohët e fundit dërgoi 30 ton kiëano, i njohur edhe si kastraveci afrikan, te blerësit në Kroaci.

“Dhe korrja e këtij viti duket se do të jetë e bollshme,” tha ai duke parë sythat në lulet e tij të frutave të dragoit.

Rreth 55 kilometra në perëndim pranë Elbasanit, Lulzim Bullari ka filluar të kultivojë kivi.

“Nuk mund të ankohemi për temperaturat e larta, prodhimi i kivit në dy vitet e fundit ka qenë një bekim,” i tha ai AFP-së duke qëndruar në mes të 40 hektarëve të tij me pemishte.

Kivit që ai kultivon janë pothuajse ekskluzivisht për eksport në Zvicër dhe Holandë.

Kohët e fundit, Bullari ka filluar të kultivojë edhe fiq nga Afrika e Veriut, të cilët janë shumë rezistentë ndaj klimës së butë të dimrit, në rreth 15 hektarë.

“Fati i favorizon të guximshmit dhe duhet të vraposh për ta kapur atë,” tha Bullari.

Burimi: AFP. Përshtati: Gazeta Si.

The post ‘Kopshti i Edenit’/ Shqipëria synon kultivimin e frutave ekzotike për Europën appeared first on Gazeta Si.

Kontrabandë bagëtish nga Greqia, arrestohen 4 veterinerë. Shpallet në kërkim 39-vjeçari

23 July 2025 at 12:31

Katër veterinerë, B. M., K. A., D. K. dhe E. L. kanë rënë në prangat e Policisë në Korçë, pasi dyshohet se matrikulluan 120 bagëti të imëta dhe gjedhë, të kontrabanduara.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se është shpallur në kërkim një 39-vjeçar që dyshohet se ka kontrabanduar bagëtitë dhe gjedhët nga Greqia, si dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas që kanë mbajtur në stallat e tyre bagëtitë dhe gjedhët. 

Sipas burimeve, prej 6 muajsh bagëtitë dhe gjedhët kontrabandoheshin nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Greqia në Shqipëri, në drejtim të Devollit e më pas matrikulloheshin e hidheshin në treg.

The post Kontrabandë bagëtish nga Greqia, arrestohen 4 veterinerë. Shpallet në kërkim 39-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

11 vatra zjarri aktive, problematike situata në Dukat, Lurë dhe Mat

23 July 2025 at 11:55

Nga Gazeta Si- Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim.

Aktualisht mbeten aktive vatra në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, ku vazhdon zjarri në tre vatra, por me intensitet të ulët gjatë natës.

Në fshatin Ulëz, bashkia Mat, situata është shumë e vështirë pasi zjarri po zhvillohet në drejtim të pyjeve. Për shkak të terrenit dhe përmasave të zjarrit, forcat operacionale nuk kanë mundur ta vënë nën kontroll.

Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, ende nuk është shuar zjarri pasi relievi shkëmbor dhe shumë i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.

Në vendin e quajtur “Maja e Pliskës”, mbi fshatin Dukat, zjarr është shumë intensiv në sipërfaqe shkurre, kullotë dhe pylli me pishë. Flakët të ndihmuara nga era përfshinë edhe kurorat e pishës, duke e bërë problematike gjendjen.

Edhe në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra vazhdon të përhapet në drejtim të verilindjes drejt Ҫardhakut, i ndihmuar nga era dhe bimësia e shumëllojshme.

Ndërsa në malin Sukë, bashkia Kukës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre ka marrë përmasa dhe rrezikon banesat e fshatit Mamëz.

Si pasojë e zjarreve të rënë,  kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore janë djegur rreth 17 hektarë.

Sipas informacionit të nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), për zjarret në pyje sot pritet nivel rreziku “I lartë” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Durrës dhe Shkodër pritet nivel rrezik “I moderuar”. Rrezik “I lartë” pritet gjithashtu nё zona tё lokalizuara të qarkut Shkodër (Jug)  dhe qarkut Durrës (Jug Lindje).

The post 11 vatra zjarri aktive, problematike situata në Dukat, Lurë dhe Mat appeared first on Gazeta Si.

OBSH paralajmëron për përhapjen e virusit të rrezikshëm nga mushkonjat

23 July 2025 at 10:22

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje urgjente për të parandaluar përsëritjen e një epidemie të virusit ‘chikungunya’, i cili përhapet nga mushkonjat dhe ka përfshirë botën para dy dekadash.

Shkak për shqetësimin janë shpërthimet e reja në rajonin e Oqeanit Indian, që tashmë po përhapen edhe në Europë dhe kontinente të tjera.

Sipas zyrtares së OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 vende jetojnë në zona ku ekziston rreziku nga ky virus, i cili shkakton ethe, dhimbje të forta në nyje dhe mund të çojë në paaftësi afatgjate.

“Po shohim përsëritjen e historisë”, tha ajo, duke e krahasuar situatën aktuale me epideminë e viteve 2004-2005, e cila preku afro gjysmë milioni njerëz, kryesisht në territore të vogla ishullore, përpara se të përhapej në gjithë botën.

Vala e fundit e përhapjes nisi në fillim të vitit 2025, me shpërthime të mëdha në të njëjtat ishuj të Oqeanit Indian që ishin prekur edhe më parë, përfshirë La Reunionin dhe Mauritiusin.

Alvarez tha se virusi ka prekur tashmë rreth një të tretën e banorëve në La Reunion.

Përhapja po vazhdon edhe në vende të tjera, si Madagaskari, Somalia dhe Kenia, ndërsa raste të shumta janë shënuar edhe në Indi dhe në pjesë të Azisë Juglindore, sipas saj.

Një shqetësim i veçantë është edhe rritja e numrit të rasteve të importuara brenda Evropës.

Që nga 1 maji, në Francë janë regjistruar rreth 800 raste të importuara të virusit ‘chikungunya’, tha Alvarez.

‘Chikungunya’, për të cilën nuk ekziston trajtim specifik, mund të shkaktojë shpërthime të shpejta dhe të mëdha.

Për shkak se mushkonjat pickojnë gjatë ditës, parandalimi është thelbësor, duke përdorur insekticidë dhe veshje me mëngë të gjata, rekomandon OBSH-ja.

The post OBSH paralajmëron për përhapjen e virusit të rrezikshëm nga mushkonjat appeared first on Gazeta Si.

Në Shkodër dhe Elbasan temperaturat shkojnë mbi 40 gradë

23 July 2025 at 09:10

Territori Shqiptar do të mbetet nën ndikimin e të nxehtit afrikan, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura shumë të larta, ku sërish goditen nga vlera ekstreme qarku i Shkodrës dhe Elbasanit.

Në këto dy qarqe maksimumi do të ngjitet mbi 40 gradë celcius. Pjesa e dyte e ditës do të sjellë vranësira të herë pas-herëshme përgjatë zonave malore Lindore duke lënë bregdetin dhe zonat e ulëta vetëm me kthjellime.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në vlerat minimale, ku zonat malore do të shënojnë 12°C ndërsa maksimumi do të mbetet lehtësisht mbi 40°C përkatësisht në Koplik, Urën Vajgurore si edhe Cërrik.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 2-3 ballë.

The post Në Shkodër dhe Elbasan temperaturat shkojnë mbi 40 gradë appeared first on Gazeta Si.

❌
❌