Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2025Main stream

Sllovenia përfshihet nga stuhia, mijëra njerëz pa energji elektrike në Lubjanë

By: b b
21 July 2025 at 22:49

Sllovenia është përfshirë nga stuhi të forta me reshje të rrëmbyeshme shiu, erëra të forta dhe breshër.

Raportet për dëmet e shkaktuara nga stuhia tashmë po vijnë nga shumë vende. Disa mijëra përdorues të kompanisë “Elektro Ljubljana” mbetën pa energji elektrike. Agjencia e Mjedisit ka lëshuar një paralajmërim portokalli për pjesën më të madhe të vendit, raporton Index.hr.

Siç bëjnë me dije mediat vendase, pasdite, pjesa perëndimore e Sllovenisë, përgjatë kufirit me Italinë, u prek nga një stuhi më e fortë që po lëviz drejt lindjes së vendit.

Index raporton se gjatë pasdites, një stuhi më e fortë preku zonën e Bovacit dhe Kobaridit, dhe më pas u zhvendos drejt Kranjit dhe Kamnikut. Një lexues nga Horjul raportoi se era rrëzoi çatinë e një shtëpie të vjetër.

Për shkak të pemëve të rrëzuara në rrugë, trafiku është i vështirësuar në autostradat për në Dolenjska dhe Primorska, si dhe në rrugët anësore jugore dhe perëndimore të Lubjanës , njoftoi Qendra e Informacionit për Trafikun, e cila u bëri thirrje shoferëve të jenë të kujdesshëm dhe ta përshtatin drejtimin e tyre me kushtet e motit.

Në zonën e Lubjanës, më shumë se 6,000 përdorues të Elektro Ljubljana mbetën pa energji elektrike – kryesisht në zonat Horjul, Polhov Gradec, Domžale, Litija dhe Grosuplje.

Humbja në zgjedhje, kryeministri japonez zotohet se nuk do të ‘lëshoj’ postin

By: b b
21 July 2025 at 22:26

Koalicioni qeverisës në Japoni ka humbur shumicën në Dhomën e Lartë të Parlamentit, por kryeministri Shigeru Ishiba ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet nga detyra, pavarësisht rezultatit të pafavorshëm.

Zgjedhjet e zhvilluara të dielën u mbajtën në një klimë të shtuar pakënaqësie publike, të nxitur nga rritja e kostos së jetesës dhe tensionet në rritje në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Pas përfundimit të procesit të votimit, kryeministri Ishiba pranoi se rezultati ishte “i ashpër” dhe “i rëndë”, por nënvizoi se qeveria e tij do të vijojë punën për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe avancimin e negociatave tregtare.

Koalicioni i përbërë nga Partia Liberale Demokratike (LDP) dhe partnerja e saj, Komeito, kishte nevojë për të paktën 50 mandate për të ruajtur shumicën në dhomën me 248 vende. Në fund të procesit zgjedhor, arriti të siguronte vetëm 47 vende.

Ndërkohë, Partia Demokratike Kushtetuese, opozita kryesore, fitoi 22 mandate, duke u renditur si forca e dytë më e madhe politike në këto zgjedhje.

Në këtë proces u votua për gjysmën e vendeve në Dhomën e Lartë, anëtarët e së cilës zgjidhen për mandate gjashtëvjeçare. Humbja e fundit për koalicionin qeverisës vjen pas një tjetër disfate të rëndësishme në vitin e kaluar, kur humbi kontrollin edhe në Dhomën e Ulët, gjë që pritet të ndikojë ndjeshëm në axhendën legjislative të qeverisë.

Dorëheqjet/Mbi 160 qytetarë kanë aplikuar për vendet e reja të punës në Bashkinë e..

By: b b
21 July 2025 at 22:04

Rreth 167 qytetarë kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e administratës së bashkisë së Shkodrës deri më sot, 21 korrik, pas vendeve të reja që u hapën me dorëheqjet masive. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci e ka bërë të ditur numrin e aplikimeve përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njofton qytetarët se afati i fundit është data 25 korrik.

“Bashkia Shkodër fton të gjithë ata që duan të kontribuojnë në shërbim të komunitetit, të sjellin eksperiencën, energjinë dhe idetë e tyre për zhvillimin e qytetit dhe të gjithë territorit të saj”, shton Beci, duke u bërë thirrje qytetarëve të interesuar që të dërgojnë CV-të e tyre në emailin zyrtar të bashkisë.

Ai shton se: “Bashkia e hapur për profesionistët dhe për të gjithë ata që e duan Shkodrën.”

Pozicionet janë të hapura për arkitektë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, zjarrfikës, punonjës të Policisë Bashkiake dhe shumë profile të tjera.

Më herët edhe kryeministri Edi Rama i inkurajoi të interesuarit që të aplikojnë për pozicionet drejtuese në bashkitë e vendit, si pjesë e një procesi të ri që ai ka nisur për fuqizimin e administratës vendore. Sipas tij, synimi i gjithë kësaj është për të sjellë prurje të reja dhe për të ngritur cilësinë e qeverisjes vendore./tvklan.al

Yesterday — 21 July 2025Main stream

Ukraina arreston një zyrtar të dyshuar për spiunim për Rusinë

By: b b
21 July 2025 at 21:35

Shërbimet e sigurisë të Ukrainës kanë arrestuar një zyrtar nga një njësit kryesor kundër korrupsionit, nën akuza se ka spiunuar për Rusinë.

Edhe pse Ukraina dhe Rusia kanë arrestuar dhjetëra spiunë të dyshuar gjatë luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022, rastet e spiunazhit brenda agjencive qeveritare janë të rralla.

“Një punonjës i zyrës qendrore të NABU-s [Byrosë Kombëtare të Ukrainës kundër Korrupsionit] është arrestuar”, tha shërbimi i sigurisë, SBU.

“Ai ka punuar në njësinë më elite, D-2 dhe ka spiunuar për shërbimet e posaçme ruse”, u tha në njoftim, ku nuk u publikua emri i zyrtarit të arrestuar.

Më herët, SBU-ja kreu bastisje në zyrat e NABU-s dhe në zyrën e prokurorëve të specializuar kundër korrupsionit.

NABU njoftoi se po zhvillon një “rishikim të brendshëm” dhe po “heton bazën ligjore të veprimeve të ndërmarra, përfshirë përdorimin e forcës ndaj një punonjësi”.

Kjo byro shtoi se më parë kishte kryer një hetim së bashku me SBU-në, i cili nuk kishte gjetur “asnjë provë” për të mbështetur akuzat kundër tij.

“Nuk ka prova që zyrtari në fjalë të ketë qenë i përfshirë në aktivitete kundër shtetit”, deklaroi NABU.

SBU-ja, ndërkohë, ka pretenduar se i dyshuari ka dërguar informacione të klasifikuara te një zëvendësshef i sigurisë së ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovich, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2014 dhe tani jeton në Rusi.

Një video e publikuar nga SBU-ja tregon persona të armatosur me uniforma kamuflazhi duke e nxjerrë të dyshuarin me forcë nga një veturë, duke e shtyrë përtokë dhe duke e prangosur.

Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në 15 vjet burg.

NABU u krijua pas revolucionit proevropian të vitit 2014, si pjesë e reformave që synonin ta afronin Kievin me Evropën, në një kohë kur vendi po përballej me separatistët e mbështetur nga Moska në lindje.

Durrës/ Humb jetën turisti nga RMV, pësoi arrest kardiak pasi hyri në det

By: b b
21 July 2025 at 21:08

Një turist nga Maqedonia e Veriut ka ndërruar jetë pasditen e sotme në Shkëmbin e Kavajës.

Sipas njoftimit të policisë, dyshohet se 66-vjeçari ka humbur jetën pas një arresti kardiak që pësoi pas hyrjes në det.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:00, në Shkëmbin e Kavajës, shtetasi Sh. A., 66 vjeç, banues në Maqedoni, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak pasi ka hyrë në det e për pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës së 66-vjeçarit.

 

“Beautiful Destinations” promovon Shqipërinë

By: b b
21 July 2025 at 21:01

Rrjetet sociale po shërbejnë si një mundësi e jashtëzakonshme promovimi për vendin tonë. Me video të shkurtra, ritmike dhe me pamje spektakolare nga destinacionet më unike që ka Shqipëria, në pak kohë merret një informacion që mund të ndikojë në planet e turistëve për ta vendosur vendin tonë në hartën e udhëtimeve.

“Beautiful Destinations”, një rrjet i njohur informimi dhe promovimi në Instagram dhe një nga platformat që krijon dhe shpërndan videot më të bukura, ka pasur një fokus të veçantë tek ajo çfarë ofron Shqipëria.

Video që ka marrë mijëra pëlqime, komente pozitive dhe shpërndarje virale ka nisur me plazhet, malet, ushqimin, mikpritjen, vendet historike dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Në pak sekonda përdoruesit e gjerë të rrjetit online kanë marrë një informacion të dobishëm se çfarë duhet të vizitojnë kur në planin e tyre të afërt, të zbresin në tokën e shqiponjave.

Klan News

Policia e Kosovës gjen raketahedhës në Mitrovicë të Veriut

By: b b
21 July 2025 at 20:43

Policia e Kosovës tha se gjatë një kontrolli të kryer më 21 korrik gjeti dy raketahedhës krahu në një kompleks të pabanuar banesor në Mitrovicë të Veriut.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, përfshirë edhe njësinë e specializuar për trajtimin e mjeteve shpërthyese. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë të llojit zolla [raketahedhës krahu], prodhim serb”, u tha në njoftimin e Policisë.

Sipas saj, armët janë sekuestruar dhe më pas Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me këtë rast reagoi edhe ministri në detyrë për Punë të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai fajësoi Serbinë se përveç se nuk distancohet nga këto armë të prodhimit serb “dhe veprimet në veri të vendit”, por “për vite me radhë i ka stimuluar, organizuar dhe furnizuar grupet terroriste dhe bandat kriminale, me të vetmin qëllim: cenimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Sveçla shtoi se pavarësisht shteti është i vendosur të çmontojë çdo prani kriminale apo potencialisht terroriste në Kosovë.

“Çdo ditë e më shumë po e kthejmë rendin në atë pjesë të territorit dhe, bashkë me të, edhe investimet dhe zhvillimin për të gjithë qytetarët, pa dallim”, shkroi ai në Facebook.

Autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Në maj, autoritetet thanë se kishin gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut dhe gjatë aksionit u raportua se u sekuestruan sasi armatimi dhe pjesë të ndryshme të armëve./REL

Ballkani përballet me zjarre

By: b b
21 July 2025 at 20:25

Zjarrfikësit janë përballur me zjarre në mbarë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 21 korrik, teksa një valë e re e të nxehtët ka goditur rajonin e Ballkanit.

Shtatë zjarre të mëdha janë raportuar në Maqedoninë e Veriut ku temperaturat pritet të arrijnë në 42 gradë Celsius të martën, thanë autoritetet.

Pesë zjarre janë jashtë kontrollit në Shqipëri, ku temperaturat të hënën ishin nga 37 deri në 41 gradë Celsius.

Në Kroaci, një zjarr afër qytetit turistik Sibhik ka shpërthyer dhe dhjetëra ekspertë të emergjencave civile dhe gjashtë avionë janë angazhuar për shuarjen e flakëve.

Disa nga vatrat e zjarreve në Kroaci janë aktive që disa ditë, teksa kryetarët e komunave janë ankuar se nuk kanë burime të mjaftueshme për t’i luftuar zjarret.

Kosova po ashtu përballet me temperatura të larta, sikurse edhe Serbia.

Ndërkaq, veriu i Bosnje e Hercegovinës pritet të përballet me temperatura deri në 40 gradë Celsius./rel

Fiket zjarri në Belsh, në ndihmë të shuarjes së flakëve edhe vendet fqinje

By: b b
21 July 2025 at 20:07

Ministria e Mbrojtjes njoftoi pasditen e sotme se shërbimet zjarrfikëse me ndihmën e ndërhyrjes nga ajri kanë arritur të fikin zjarrin në Belsh që rrezikonte zonat e banuara.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, bëhet me dije se në zonë do të vijojnë qëndrimin forcat e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e plotë të terrenit për të shmangur rindezjen e ndonjë vatre të fshehur.

Po ashtu, Ministria theksoi se pas thirrjes për ndihmë, Italia ka dërguar dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë aktualisht në zonën e “Liqenit të Luleve”, brenda Parkut Kombëtar të Lurës, ndërsa Greqia ka angazhuar dy avionë Canadair në përballimin e zjarrit në Dukat të Vlorës

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Pas një operacioni të koordinuar dhe intensiv është bërë e mundur fikja e të gjitha vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Rrasë, në bashkinë Belsh.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga MZSH Belsh, Cërrik, Gramsh, Elbasan, Peqin dhe Njësia Nerat Kuçovë si dhe angazhimit të dy mjeteve zjarrfikëse dhe efektivëve të FA u arrit të shmangej përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.

Në operacion morën pjesë edhe dy helikopterë që ndërhynë nga ajri, duke ndihmuar në neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht, në terren ndodhen ende efektivët e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e zonës për të shmangur riaktivizimin e ndonjë vatre të fshehur.

Ndërkohë, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka ardhur në ndihmë me trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës. Kjo ndërhyrje synon të përshpejtojë shuarjen e vatrave aktive në këtë zonë me rëndësi të lartë natyrore. Po përmes Mekanizmit Evropian te Mbrojtjes Civile, Greqia erdhi në ndihmë me dy avionë Canadair në vatrën e zjarrit në Dukat, Vlorë.

Forcat operacionale, nën koordimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në vatrat e tjera, në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës.

 

Kina fillon ndërtimin e një dige gjigante në Tibet

By: b b
21 July 2025 at 19:50

Kina ka filluar ndërtimin e një dige tjetër masive në Tibet. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, Kryeministri Li Qiang njoftoi fillimin e projektit me një ceremoni simbolike në Nyingchi, në jug të rajonit autonom, pranë kufirit me Indinë.

Me digën në lumin Yarlung Tsangbo, Kina synon të transportojë sasi të mëdha energjie elektrike në zona të tjera, por edhe të sigurojë energji për rajonin. Sipas të dhënave zyrtare, Pekini vlerëson se ndërtimi i digës, e cila do të përbëhet nga pesë termocentrale, do të kushtojë 1.2 trilion juanë (pothuajse 144 miliardë euro).

Tre herë më e madhe se Diga e Tre Grykave
Partia Komuniste e kishte përfshirë ndërtimin e digës në planin aktual pesëvjeçar. Dhjetorin e kaluar, Pekini më në fund i dha dritë të gjelbër projektit. Diga pritet të gjenerojë 300 miliardë kilovat orë energji elektrike në vit. Kështu, do të ketë tre herë më shumë kapacitet se Diga e famshme e Tre Grykave në lumin Jance dhe do të jetë diga më e madhe në botë. Kina beson se projekti kontribuon në qëllimin e saj për të arritur kulmin e emetimeve të dioksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe për t’u bërë neutral ndaj klimës deri në vitin 2060.

Megjithatë, ky megaprojekt ngre shqetësime mjedisore për dëmtime serioze të natyrës. Në të kaluarën, ekspertët kanë paralajmëruar vazhdimisht për pasojat shkatërruese ekologjike të një dige kaq gjigante. Për më tepër, zona është e prirur ndaj tërmeteve.

Shqetësime për një “luftë uji”
Për më tepër, projekti është shqetësues për Indinë dhe Bangladeshin, vende të vendosura në rrjedhën e poshtme të Yarlung Tsangpo-së. Yarlung Tsangpo, i quajtur Brahmaputra në Indi, është një nga lumenjtë më të gjatë në botë, me rreth 3.000 kilometra. Nga Himalajet në Tibet, ai rrjedh nëpër Indi dhe Bangladesh, ku derdhet në Ganges dhe përfundimisht në Gjirin e Bengalit. Nëse Kina do të ndërtonte digë për ujin në rrjedhat e sipërme, kjo do të kishte pasoja për vendet fqinje. Ekspertët kanë paralajmëruar tashmë për një “luftë uji”.

Prandaj, India e ka paralajmëruar Kinën se diga nuk duhet të ndikojë në furnizimin me ujë të vendeve fqinje. Për më tepër, diga ndodhet pranë një zone mbi të cilën Pekini dhe Nju Delhi kanë pretenduar prej kohësh të drejta territoriale. Kina e quan rajonin Zangnan, ndërsa në Indi njihet si Arunachal Pradesh. Mosmarrëveshja për territorin ka çuar në tensione të përsëritura diplomatike midis dy vendeve më të populluara në botë në muajt e fundit./dw

Mbyllja e mediave që mbulojnë Ballkanin Perëndimor dhe pasojat

By: b b
21 July 2025 at 19:38

Ballkani Perëndimor – me rreth 20 milionë banorë – rrezikon të mbetet pa burime informacioni nga mediat që nuk janë nën ndikimin e forcave kryesore politike në shtetet e rajonit.

Goditja fillestare u dha me ndërprerjen e fondeve nga buxheti i ish-USAID-it, ndërsa befasia më e fundit ishte mbyllja e projektit rajonal, Al Jazeera Balkans – i financuar nga Katari.

Më shumë se 200 punonjës të këtij rrjeti mediatik mbetën pa punë, ndërsa arsyet konkrete për mbylljen, sipas njoftimit të Al Jazeera-s, lidhen me një vendim që është “pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e pranisë digjitale dhe zgjerimin në platforma të reja mediatike”.

USAID-i – Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, që dikur mbështeste shumë media të pavarura përmes granteve – në praktikë nuk funksionon më; Zëri i Amerikës nuk ka publikuar asgjë që nga marsi; Radio Evropa e Lirë po përballet me mungesë fondesh prej katër muajsh, ndërsa pronarët e televizioneve N1 dhe Nova janë në proces riorganizimi dhe ndryshimesh në udhëheqje.

Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, paralajmëron se pa media të pavarura, “njerëzit do të jenë më pak të informuar ose të informuar keq, sepse përmbajtja e paverifikuar nga rrjetet sociale dhe burime të tjera të pasigurta, do ta mbushë boshllëkun”.

Sipas saj, mediat në të gjithë rajonin operojnë në një mjedis të vështirë, duke përfshirë “presione politike, kërcënime fizike dhe online, sulme ligjore, vështirësi financiare dhe kushte të këqija pune”.

“Gazetaria hulumtuese po bëhet gjithnjë e më e rrallë dhe vetë gazetaria nuk konsiderohet më një profesion tërheqës, për shkak të rreziqeve me të cilat përballen gazetarët”, thotë Kusari.

Si nisi?
Problemet për mediat e pavarura në rajon nisën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, urdhëroi ngrirjen e një pjese të madhe të ndihmës së jashtme amerikane.

Kjo preku edhe USAID-in, i cili, sipas të dhënave të vitit 2023, mbështeste mbi 6.200 gazetarë dhe 707 organizata mediatike në më shumë se 30 vende.

Të dhëna të sakta për numrin e mediave që USAID-i mbështeste në Ballkanin Perëndimor, nuk ka.

Në fillim të korrikut, kjo agjenci u shpërbë dhe, tani e tutje, ndihmën amerikane për vendet e huaja do ta menaxhojë Departamenti amerikan i Shtetit.

“Financimi nga USAID-i u mundësonte gazetarëve të prodhonin raporte të pavarura dhe të detajuara, si dhe organizatave mediatike t’u kushtoheshin temave që mediat e zakonshme kryesisht i neglizhojnë, si të drejtat e njeriut, çështjet LGBTI dhe komunitetet pakicë”, thotë Kusari.

Goditja e radhës ndodhi në mars, kur Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që parashikonte reduktime drastike të numrit të punonjësve dhe të fondeve për shtatë agjenci federale, përfshirë Agjencinë amerikane për Mediat Globale (USAGM), e cila, ndër të tjera, mbikëqyr punën e Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë.

Që nga marsi, Zëri i Amerikës nuk transmeton përmbajtje, ndërsa Radio Evropa e Lirë vazhdon të publikojë, por, njëkohësisht, përballet edhe me një proces gjyqësor kundër USAGM-së në Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë ndërmori masa të rrepta për uljen e shpenzimeve, duke përfshirë dërgimin e disa punonjësve në pushim të detyrueshëm dhe anulimin e kontratave me punonjësit me honorarë.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit e Grupit United, ku bëjnë pjesë televizionet rajonale N1 dhe Nova, u shkarkuan gjatë qershorit – gjë që bëri që redaktorët e këtyre mediave të shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm politik.

Grupi United operon në: Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Greqi dhe Bullgari.

Pronare e kompanisë është ndërmarrja investuese BS Partners, me seli në Londër, e cila që nga viti 2019 ka blerë shumicën e aksioneve në Grupin United.

Autoritetet në Serbi, me presidentin Aleksandar Vuçiq në krye, prej shumë vitesh kritikojnë mediat që bëjnë pjesë në Grupin United. Në fillim të korrikut, gazetarët e Televizionit N1 morën kërcënime me vdekje në adresë të redaksisë.

Kosova – vendi me lirinë më të kufizuar të mediave
Kusari thotë se përkeqësimi i lirisë së mediave në Kosovë, ka ndodhur kryesisht për shkak të veprimeve të Qeverisë dhe partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qeveria miratoi një ligj antikushtetues për median, i cili më vonë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Gazetarët, mediat dhe aktivistët përballen me sulme verbale dhe ngacmime të shënjestruara nga politikanët, përfshirë kryeministrin Albin Kurti”, thotë Kusari.

Ajo shton se në Kosovë është bërë “pothuajse e pamundur të fitosh qasje në dokumente publike”, se transparenca është në nivelin më të ulët dhe se partia në pushtet ushtron vazhdimisht presion mbi rregullatorët dhe bordet e transmetuesve publikë.

Nëse Qeveria në Prishtinë vazhdon në këtë rrugë, sipas saj, Kosova mund të kalojë nga vendi më i mirë për lirinë e mediave në rajon në një nga rastet më shqetësuese të përkeqësimit të saj.

Në raportin më të fundit për lirinë e mediave të organizatës Reporterët pa Kufij, për vitin 2025, Kosova u rendit më poshtë se të gjitha vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor – në vendin e 99-të.

Tri pozita më lart ishte Serbia, dhjetë pozita më lart ishte Bosnje dhe Hercegovina, ndërsa më së miri në rajon ishte Mali i Zi – në vendin e 37-të.

Pasojat në Bosnje dhe Hercegovinë
Drejtori i Qendrës Mediale në Sarajevë, Boro Kontiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e vështirë të parashikohet se si do të duket e ardhmja e mediave në Ballkanin Perëndimor.

Ai beson se për mbijetesën e mediave të pavarura, është e nevojshme që të angazhohet edhe komuniteti mediatik, por edhe shteti.

Mediat, sipas tij, janë një nga shtyllat e shoqërisë demokratike.

“Është e pamundur të bësh ndonjë gjë nëse nuk ekziston një komunitet i fortë mediatik, gazetari profesionale, që është kritike dhe që, në njëfarë mënyre, përfaqëson zërin e publikut”, thotë Kontiq.

Ai paralajmëron se edhe ata që gëzohen për situatën, së shpejti do ta kuptojnë se sa e dëmshme është ajo për shoqërinë.

Me zhdukjen e mediave të mëdha të pavarura, humbet edhe komuniteti mediatik, sipas tij.

“Me ekzistencën e tyre, ju ruani diçka që në çdo shoqëri është normale – që të ketë zëra kritikë, të ketë hulumtime. Sepse, në atë rast, askush nuk mund të bëjë çfarë të dojë”, thotë Kontiq.

Kthimi i shtetit në mediat në Serbi
“Shuarja e një mediumi të mirë e cilësor është gjithmonë humbje për të gjithë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Snjezhana Millivojeviq, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

“Përveç gazetarëve profesionistë që mbesin pa punë – çka përbën një goditje të posaçme për profesionin e gazetarisë këtu – humbja për publikun e gjerë nënkupton edhe humbje të një mediumi që mbante standarde të larta profesionale, kishte program të larmishëm dhe kontribuonte në pluralizmin mediatik”, shton ajo.

Millivojeviq kujton se mediat rajonale në Ballkan, në përgjithësi, janë themeluar nga pronarë të huaj, por shton se përballja me rezistencë ka qenë e madhe.

“Paralelisht me largimin e pronarëve të huaj po ndodh edhe një lloj rikthimi i shtetit në media. Së paku në Serbi kjo është e dukshme, përmes Telekomit shtetëror dhe një sërë kanalesh të tij, përfshirë edhe disa që paraqiten si media me dimension rajonal”, thotë ajo.

Millivojeviq thekson se presioni i fortë politik ndaj mediave, ka bërë që “sektori i ndihmës ndërkombëtare për media, praktikisht, të shpërbëhet para syve tanë”.

“Mediat që kanë ambicie serioze për të informuar mbi gjendjen në rajon, apo për të ngritur standardet profesionale, tani janë lënë në mes të një presioni të madh politik nga autoritetet vendore dhe të një mospërfilljeje ose mungese gatishmërie nga publiku demokratik ndërkombëtar për t’i ndihmuar”, vlerëson ajo.

Një skenë mediatike dukshëm më ndryshe në Mal të Zi
Ky është një trend shqetësues, thotë për Radion Evropa e Lirë Millka Tadiq Mijoviq, drejtoreshë e Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi.

“Të gjitha këto media kanë pasur rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ne në Mal të Zi, por për të gjithë rajonin. Bëhet fjalë për media me trashëgimi, që kanë pasur rol dhe rëndësi të madhe edhe gjatë periudhës më të errët të viteve ’90”, thotë ajo.

Tadiq Mijoviq thekson se këto janë media “që kanë mbajtur një distancë të caktuar nga të gjitha autoritetet në Ballkan, të cilat tradicionalisht duan të kontrollojnë dhe kapin median”.

“Këta zëra të pavarur ishin shumë të rëndësishëm dhe domethënës për ne, dhe kam frikë se pas mbylljes së këtyre mediave, skena jonë mediatike do të jetë dukshëm më ndryshe”, thotë Tadiq Mijoviq.

Ajo paralajmëron se tani në Ballkanin Perëndimor po krijohet hapësira për “udhëheqësit autoritarë dhe elitat e korruptuara të biznesit që t’i kontrollojnë mediat”.

“Nga ana tjetër, në ato vende kemi shërbime publike të pareformuara dhe shumë media tabloide. Dhe, një gjë tjetër është rrezik i madh: kemi rrjete sociale, përmes të cilave dezinformimi përhapet me shpejtësinë e dritës”, përfundon Tadiq Mijoviq./rel

Balluku inspekton sportelet për e‑Albania në Patos: Abuzuesit do ndëshkohen…

By: b b
21 July 2025 at 15:54

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka inspektuar sot një nga sportelet e dedikuara për asistencë ndaj qytetarëve në përdorimin e portalit “e-Albania” në Bashkinë e Patosit.

Gjatë vizitës së saj, Balluku tha se ky shërbim siguron që çdo qytetar të ketë mundësi të barabartë për të përdorur teknologjitë e reja pa pengesa financiare.

“Ne kishim identifikuar në terren prej disa kohësh që në disa raste kishte një shkelje të plotë me ligjin, në zyrat e noterisë apo edhe në zyrat e disa avokatëve jepej shërbim për e-Albania. Një shërbim që qeveria shqiptare e ofron falas, pensionistët shkonin dhe paguanin.

Për këtë arsye ne kemi ndërmarrë gjithë këtë proces dhe ua bëmë me dije gjithë qytetarëve, jo vetëm moshave të treta, por edhe ata qytetarë që nuk kanë akses të mundshëm në pajisjet elektronike që ofrojnë aksesin direk në e-Albania.

Ky është një nga shërbimet digjitale që administrata shqiptare është shumë krenare që e ofron prej kaq kohësh, ku mund të aksesohen një sërë shërbimesh që janë të kërkuara si certifikatat personale e shumë të tjera dhe janë falas”, tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

GJKKO reagon pas deklaratave të Berishës: S’kemi asnjë konflikt institucional

By: b b
21 July 2025 at 15:31

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, të bëra jashtë ambienteve të SPAK-ut.

Berisha tha për mediat se drejtuesi i institucionit, Altin Dumani, kishte qenë pranë një përplasjeje fizike me një gjyqtare gjatë një operacioni për sekuestrimin e një kompjuteri.

Përmes një reagim zyrtari, GJKKO sqaron se nuk ka pasur asnjë incident, përplasje apo tension gjatë këtij procesi në ambientet e SPAK.

Reagimi:

Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.

Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.

Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme.

Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës.

Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike.

Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.

Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.

Tentoi të hynte në Shqipëri, kapet në Morinë turku i shpallur në kërkim ndërkombëtar

By: b b
21 July 2025 at 15:17

Policia Kufitare e Morinës ka kapur në tentativë për të hyrë në Shqipëri një 35-vjeçar turk, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga verifikimet rezultoi se 35-vjeçari ishte dënuar nga autoritetet gjyqësore turke, me 4 vjet burgim për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës”.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e krimeve kufitare dhe për parandalimin e lëvizjes së shtetasve që janë në kërkim, kanë siguruar informacion për një shtetas në kërkim që po tentonte të hynte në Shqipëri.

Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare, me shërbimet e DVP Kukës, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk Kadir Kuçukologu, 35 vjeç, banues në Turqi.

Nga verifikimet rezultoi se 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Gjykata e Lartë për Krimet në Karsikaya, Turqi, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Vjedhja me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës””, njofton policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Turqi, vijon procedurat për ekstradimin e shtetasit Kadir Kuçukologu.

Rituali i dollisë/ Gonxhja: Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore!

By: b b
21 July 2025 at 14:56

Rituali i Dollisë është shpallur Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Lajmin e bëri të ditur ministri Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka ndarë pamje dhe skena të dollive të realizuara në filma të ndryshëm shqiptarë.

“Mirëmëngjes dhe me Ritin e Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale, ju urojmë një javë të mbarë”, shkruan Gonxhja.

Deputetja Albana Vokshi shpallet e pafajshme për shpifje ndaj Vilma Nushit

By: b b
21 July 2025 at 14:39

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshme deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në procesin gjyqësor për shpifje të ngritur nga biznesmenia Vilma Nushi.

Sipas prokurorit të SPAK, deklaratat e Vokshit janë bërë në kuadër të detyrës së saj si deputete dhe nuk përmbajnë elementë të veprës penale të shpifjes.

Pas vendimit, Vokshi ka thënë për gazetarët se e vërteta vonon, por nuk harron.

Më tej, ajo paralajmëroi se denoncimet e saj do të vijojnë.

“Sqarova edhe njëherë duke vënë në dispozicion dokumentacionin zyrtar të marrë nga unë si deputete, vërtetova që çdo thënie e imja qëndron dhe ka qenë e vërtetë. Zonja Nushi në një moment të caktuar u nervozua pasi përmenda faktin e ditur botërisht që ka qenë sponsore e PS dhe Edi Ramës. U nervozua për këtë fakt. Në fund, gjykata mori vendimin për të më shpallur të pafajshme. Kam kryer detyrën time si deputete, si kryetare e komisionit hetimor. SPAK vërtetoi faktin se Nushi është përsëri nën hetime për shkak të denoncimit që unë kam bërë para 5 viteve.

Betejën time do ta vijoj siç e kam bërë deri më tani për 10 vite me radhë. Do të vazhdoj të denoncoj skandalet në shëndetësi. Deri në fund, deri në zbardhjen e koncesionit të check-up dhe sterilizimit, do të depozitoj pranë SPAK dokumente të tjera. E vërteta vonon, por nuk harron. Nëse beteja është për interes publik, në fund të ditës është një betejë e fituar”, tha Vokshi.

Kontrollet në Elbasan, arrestohet vëllai i deputetit socialist

By: b b
21 July 2025 at 14:26

Policia e Elbasanit ka arrestuar vëllain e deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla.

Sipas uniformave blu mësohet se ai është vënë në pranga gjatë kontrolleve të zhvilluara mëngjesin e sotëm, në kuadër të hetimeve të prokurorisë për djegiet e ndodhura në landfillin e Elbasanit.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 30 fishekë luftarakë.

“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve:

-B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë;

-D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak“, thuhet në njoftimin e policisë.

Pengesë për zjarrfikësen, shemben mure rrethuese në Shkodër

By: b b
21 July 2025 at 14:10

Bashkia Shkodër ka shembur gardhe dhe mure rrethuese që pengonin hyrjen e mjeteve zjarrfikëse, pranë pallateve tek “Kryqëzimi i spitalit”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci ka bërë publike hartën me 41 pikat kritika që janë në evidentuar në qytetin e Shkodrës, të cilat bllokojnë hyrjen në godinë.

“41 pika kritike janë identifikuar në qytet, ku ndërtime të ngritura prej mbi 30 vitesh bllokojnë hyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

Sot strukturat e Bashkisë ndërhynë në njërën prej tyre, pranë kryqëzimit të spitaleve, ku jo vetëm që mungonte hapësira për raste emergjente, por edhe banorët hasnin vështirësi në qarkullim.

Paralelisht me lirimin e hapësirave publike do të vijojnë ndërhyrjet edhe në këto zona problematike, për t’i çliruar dhe për të shmangur çdo rrezik për qytetarët”, shkruan kryebashkiaku Benet Beci.

Opozita serbe në Kosovë në kërkim të bashkimit për zgjedhjet lokale

By: b b
21 July 2025 at 13:59

Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të caktuara për 12 tetor, brenda komunitetit serb po shtohen zërat që kërkojnë bashkim dhe krijim të një platforme të përbashkët veprimi.

Nisma për formimin e një lëvizjeje më të gjerë popullore, e cila, siç thuhet, do t’u kundërvihej politikave aktuale në Prishtinë dhe Beograd, vjen nga radhët e aktorëve opozitarë, që janë të pakënaqur me pozitën e serbëve në Kosovë.

Kreu i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, thotë se ka ardhur koha që lufta politike të zhvillohet në mënyrë të qartë, pa ndarje, frikë apo kalkulime partiake.

Ndërsa, Stefan Velkoviç, nga Partia Demokracia Serbe, thotë se thirrjet e tyre për veprime konkrete në terren, prej kohësh injorohen.

Ai nuk e përjashton bashkëpunimin me të tjerët, përveç me zyrtarët e lartë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka përkrahje nga Beogradi.

Politologu serb, Ognjen Gogiç, vlerëson se tek aktorët opozitarë serbë, nuk ka ende vetëdije të pjekur për bashkim, dhe se Lista Serbe nuk do të rrezikohet ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë, ka nisur procesin e aplikimeve për certifikimin e partive dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale, i cili do të zgjasë deri më 13 gusht.

Kujt i drejtohet thirrja për bashkim?

Javën e kaluar, udhëheqësi i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, u bëri thirrje aktorëve politikë, studentëve, përfaqësuesve të shoqatave dhe organizatave, bizneseve dhe intelektualëve që ta mbështesin, të tregojnë pjekuri dhe guxim për veprim të përbashkët.

Megjithatë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se kjo ftesë nuk vlen për përfaqësuesit e Listës Serbe ose Nenad Rashiçin – ministër në Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Ne mendojmë se kjo politikë që ka ndjekur Lista Serbe, por edhe [Nenad] Rashiç, i cili është pjesë e institucioneve në Prishtinë, nuk është e mirë për popullin tonë. Me ta nuk ka hapësirë për dialog. Ata kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes në terren”, vlerëson Bishevac.

Ai kritikon Beogradin që, siç thotë, për vite me radhë ka mbështetur vetëm Listën Serbe, e cila, sipas tij, ka qenë e përfshirë në skandale dhe nuk ka sjellë asnjë të mirë për serbët në Kosovë.

Për institucionet në Prishtinë, Bishevac thotë se ato nuk interesohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, nuk duan dialog dhe zgjidhje paqësore, por se me veprimet e tyre, “nxisin nacionalizmin” dhe përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike.

Velkoviç: “Të orientohemi te kush është shtylla kryesore e bashkimit”

Partia Demokracia Serbe i ftoi, gjithashtu, qytetarët, aktorët shoqërorë dhe politikë, si dhe palët e tjera të interesuara që t’i bashkohen në “vazhdimin e luftës”.

Nënkryetari i kësaj partie, Stefan Velkoviç, thotë për Radion Evropa e Lirë se, gjatë vitit të fundit, ata i kanë ftuar aktorët opozitarë për bashkim “kundër represionit” të autoriteteve të Kosovës, por se nuk kanë gjetur mirëkuptim.

“Tani nuk shohim hapësirë për ndonjë bashkëpunim të madh, sepse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur, dhe ne kemi fituar më shumë vota si parti opozitare serbe. Ndaj, duhet të orientohemi te kush është shtylla kryesore e bashkimit”, thotë Velkoviç, duke shtuar se opozitarët “duhet të dëshmohen”.

Velkoviç thotë, gjithashtu, se anëtarët e Partisë Demokracia Serbe janë arrestuar disa herë.

Ai thotë se udhëheqësi i tyre, Aleksandar Arsenijeviç, po “persekutohet” dhe se askush nuk ka reaguar.

Arsenijeviç nuk gjendet në Kosovë, pasi është në kërkim, sepse në pronën e tij janë gjetur armë, për të cilat ai vetë ka thënë se “janë kurdisur”.

Më parë, Arsenijeviç dhe disa anëtarë të tjerë të partisë së tij janë arrestuar për “shqetësime” ose “shkelje të rendit publik” – kryesisht kur kanë protestuar kundër politikanëve shqiptarë të Kosovës që kanë vizituar pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

“Bashkimi i opozitës do të ndodhë vetëm nëse ka përfitim politik”

Politikologu Ognjen Gogiç thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët në Kosovë gjenden midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si dhe midis dy sistemeve, dhe është e vështirë për ta që të qëndrojnë jashtë këtij ndikimi.

“Reale është, por në praktikë është e vështirë”, vlerëson ai.

Ai shton se në komunitetin serb të Kosovës, nuk ka shumë aktorë opozitarë, dhe se me shumë mundësi pozitat e kryetarëve në dhjetë komunat me shumicë serbe do t’i takojnë sërish Listës Serbe.

“Nëse nga njëra anë keni Listën Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi, dhe nga ana tjetër është Rashiçi, i cili është i lidhur me Prishtinën, nuk mendoj se ka një rrugë të tretë për serbët. Nëse ka bashkim, do të jetë për arsye pragmatike, që të shpaguhet politikisht”, thotë Gogiç.

Sipas tij, mundësitë për bashkëpunim të opozitës serbe janë të vogla, edhe për faktin se në zgjedhjet lokale është më e lehtë të fitohen mandatet e këshilltarëve në kuvendet komunale.

Megjithatë, Gogiç thekson se zgjedhjet lokale të tetorit janë të rëndësishme për komunitetin serb në veri të Kosovës, sepse përfaqësuesit serbë do të rikthehen në kuadrin institucional, që e kanë braktisur në nëntor të vitit 2022 me iniciativë të Listës Serbe./REL

Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon 57 vite burg për vëllezërit Duka

By: b b
21 July 2025 at 13:46

Prokuroria e Posaçme ka dhënë konkluzionet përfundimtare në seancën gjyqësore ndaj të pandehurve për ekzekutimin e ish-policit, Santiago Malko, krim i ndodhur më 27 Gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Mësohet se ndaj të pandehurve, SPAK ka kërkuar masën e dënimit:

Leonard Duka – 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.

Erlis Duka – 25 vjet burgim

Fatmir Hyseni – 32 vite burgim

Aleksandër Manxhaku- 22 vjet burgim

Oltjon Loga – 23 vjet burgim

Dritan Agai- 23 vjet burgim

Ata akuzohen për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal.

❌
❌