Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Main stream

Gara për kreun e BKH-së/ Kandidatët zhvillojnë testin e poligrafit, nesër intervista në panel

By: D Marku
27 July 2025 at 17:19

Shtatë kandidatët e mbetur në garë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar ditën e enjte dhe të premte në Akademinë e Policisë testin e poligrafit, ose i njohur ndryshe si testi i së vërtetës.

Gjatë monitorimit të poligrafit kandidatët iu përgjigjen pyetjeve provokuese. Specialistët e poligrafit, një prej të cilëve mësohet se ka mbërritur nga jashtë, ka vlerësuar reagimin e disa indikatorëve si pulsi, djersitja, etj.

Ndërkohë, SPAK ka njoftuar kandidatët se ditën e hënë do t’i nënshtrohen intervistës në panel, ku do të merren në pyetje me gojë përballë komisionit që monitorohet edhe nga disa përfaqësues të misioneve të ShBA dhe BE.

Ky është edhe testi i fundit, pasi më pas do të kalojnë në fazën e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.

Më pas, Komisioni i Përzgjedhjes, i cili përbëhet nga prokurorët e SPAK, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, do të zgjedhin kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Shtatë kandidatët e mbetur në garë janë Gledis Nano, Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Joni Keta.

Mediat kanë raportuar për një garë të paracaktuar, pasi dy kandidatët favoritë për të marrë postin e drejtuesit të BKH-së janë Joni Keta dhe Elton Kërluku, e cila ka sjellë edhe një përplasje mes Altin Dumanit dhe Arben Krajës.

Drejtueses aktuale të BKH-së, Aida Hajnajt, i përfundon mandati 5-vjeçar më 31 Gusht. Edhe pse kishte shprehur që më 28 mars interesin për një tjetër mandat, ajo u përjashtuar nga e drejta për rikandidim, pasi nuk dorëzoi dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar nga Komisioni i Përzgjedhjes deri më 7 maj.

The post Gara për kreun e BKH-së/ Kandidatët zhvillojnë testin e poligrafit, nesër intervista në panel appeared first on Albeu.com.

Ndodhej me pushime në Sarandë, gjendet pa shenja jete një 20-vjeçar nga Maqedonia e Veriut

By: D Marku
27 July 2025 at 17:13

Një 20-vjeçar nga Maqedonia e Veriut i cili ndodhej me pushime në Sarandë është gjetur pa shenja jete nga familjarët.

Në njoftimin e policisë thuhet se dyshohet se i riu ka ndërruar jetë për shkake natyrale.

Gjithashtu në njoftim thuhet se nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 26.07.2025, në lagjen nr. 1, Sarandë, në banesën ku qëndronte gjatë pushimeve, është gjetur pa shenja jete nga familjarët, shtetasi O. J., 20 vjeç, banues në Maqedoni. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune, dyshohet se 20 vjeçari ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

The post Ndodhej me pushime në Sarandë, gjendet pa shenja jete një 20-vjeçar nga Maqedonia e Veriut appeared first on Albeu.com.

“Ishte momenti më i vështirë si qenie njerëzore”/ Erjona Rusi shpërthen në lot teksa rrëfen dhimbjen për babain (VIDEO)

By: D Marku
27 July 2025 at 16:25

Moderatorja Erjona Rusi ishte e ftuara e puntatës së fundit të këtij sezoni në emisionin që vetë ajo ka moderuar gjatë gjithë vitit. Kësaj here, në një format të veçantë, ajo u vendos përballë ish-kolegut të saj Arjon Muça dhe rrëfeu më shumë nga vetja.

Ndër momentet më prekëse të bisedës, ishte rrëfimi i saj për periudhën kur babai i saj ishte i sëmurë. Me lot në sy, Erjona ndau me publikun një përvojë që e ka lënë thellë të prekur, duke prekur edhe problematikat e sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Erjona Rusi: Kam një kujtim shumë të keq që lidhet me sëmundjen e babit, më është ngulitur shumë thellë, momenti më i vështirë si qenie njerëzore dhe që ka të bëjë edhe me politikat e këtij shteti me faktin se sa social ka qenë shteti shqiptar.

Njerëzit e paralizuar apo me aftësi ndryshe përfitojnë kemp, një shumë qesharake, por që të përfitosh kempin duhet që pas një viti të bëhet një rikontroll, mjekët e kempit duhet të vërtetonin që i sëmuri vazhdon të jetë i sëmurë dhe unë i jam lutur, po lutur atyre mjekëve që të vinin ta shihnin babin tek shtëpia, unë sa kisha marrë një makinë të vogël dhe u thashë ju marr unë me makinë dhe hajdeni shiheni se babin s’e lëvizim dot, nuk erdhën, do ta sillni këtu thanë, unë me mamin dhe vëllanë e kemi marrë babin me batanije se nuk e ngrinim dot, e kemi futur në makinë që ta shihnin mjekët dhe të merrnim kempin pastaj ne. Po e di ç’ndjesi e ndyrë dhe e poshtër njerëzore është ta shohësh të afërmin tënd në atë gjendje? Isha shumë e vogël, të isha kjo Erjona që jam sot përpara atyre mjekëve, ata do ta harronin, unë kurrë s’do ta bëja, jo vetëm nga ana ekonomike se sot jam më mirë, por namin do të bëja.

Ishte edhe një rast kur isha në spital, isha gati t’i fusja thonjtë në fyt një mjeku se e hoqi nga reanimacioni dhe e çoi në dhomë se s’kishte marrë lekët, si mund të luash me jetët e njerëzve se s’ke marrë lekët, mbase emrat mund t’i kem harruar, por i mbaj mend, s’dua t’i takoj, kam urrejtje shumë, nuk janë të gjithë mjekët kështu. Kam pasur eksperienca të tmerrshme me babin dhe mjekët.

 

The post “Ishte momenti më i vështirë si qenie njerëzore”/ Erjona Rusi shpërthen në lot teksa rrëfen dhimbjen për babain (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

EMRAT/ Punëtori u dëmtua gjatë punës në kantier, arrestohet inxhinieri i ndërtimit. Nis hetimi për 21-vjeçaren

By: D Marku
27 July 2025 at 16:15

Një punëtor 58-vjeçar, Petrit Alkollari është dëmtuar gjatë punës në një kantier ndërtimi në Paskuqan dhe ndodhet në spital.

Për ngjarjen, policia ka arrestuar një inxhinier ndërtimi, Agim Spahiu, 56 vjeç dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për një inxhiniere tjetër, 21 vjeçe, pasi dyshohet se nuk kishin marrë masat e duhura për sigurinë në punë.

Njoftimi i policisë: 

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin A. S., 56 vjeç, me detyrë inxhinier ndërtimi si referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. M., 21 vjeçe, me detyrë inxhinier ndërtimi, pasi në Paskuqan, në një kantier ndërtimi, gjatë punës është dëmtuar punëtori shtetasi P. A., 58 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

The post EMRAT/ Punëtori u dëmtua gjatë punës në kantier, arrestohet inxhinieri i ndërtimit. Nis hetimi për 21-vjeçaren appeared first on Albeu.com.

Before yesterdayMain stream

“Televizionet marrin prezantuese që s’dinë të flasin!”/ E kishte me Heidi Bacin? Roza Lati sqaron deklaratën e bujshme

By: D Marku
25 July 2025 at 15:53

E ftuar ditën e djeshme në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ishte Roza Lati. Moderatorja e njohur u shpreh për sfidat, rritjen personale dhe punën me veten.

Lidhur me një postim të bujshëm të saj ‘më është shpifur televizioni’, të cilin portalet e komentuan se lidhej me Heidi Bacin, ajo u shpreh se s’ka asgjë personale me ish-banoren e edicionit të tretë të “Big Brother VIP”.

“S’ka asgjë personale me vajzën, ka edhe televizione të tjera që marrin prezantuese që s’dinë të flasin… Mendoj se syri i publikut është shumë i shkathët, ashtu siç jemi rrahur ne duke bërë televizion dhe syri i publikut është rrahur duke parë, rrjetet sociale ia ka hapur sytë, publiku e ka parë si kanë degraduar televizionet shqiptare. E kisha gjenerale. Siç më është shpifur mua”, tha Roza, e cila gjithashtu ka qenë banore në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, së bashku me Heidin.

The post “Televizionet marrin prezantuese që s’dinë të flasin!”/ E kishte me Heidi Bacin? Roza Lati sqaron deklaratën e bujshme appeared first on Albeu.com.

Fier/ Zbulohet parcelë me 190 bimë kanabis në Çipllakë, arrestohet 41-vjeçari që i kishte kultivuar

By: D Marku
25 July 2025 at 14:59

Vijon operacioni policor antikanabis i koduar “Koordinata”, i ndërmarrë nga strukturat e Komisariatit të Policisë Fier me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut.

Gjatë kontrolleve intensive dhe hetimeve të kryera me metoda proaktive, në territorin e fshatit Çipllakë, njësia administrative Libofshë, u zbulua një parcelë e mbjellë me 190 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa. Bimët ishin kultivuar në një sipërfaqe me shkurre, me synimin për t’u fshehur nga kontrolli ajror apo tokësor.

Si rezultat i hetimeve të menjëhershme, u arrestua në flagrancë autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi L. T., 41 vjeç, banues në zonë. Ai akuzohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Një pjesë e bimëve narkotike u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies nga strukturat policore.

The post Fier/ Zbulohet parcelë me 190 bimë kanabis në Çipllakë, arrestohet 41-vjeçari që i kishte kultivuar appeared first on Albeu.com.

Tentoi të nxirrte nga Shqipëria mbi 48 mijë euro pa i deklaruar, e pëson 54-vjeçari

By: D Marku
25 July 2025 at 14:54

Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit Sh. B., ku u gjetën 48 400 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin Sh. B., 54 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

The post Tentoi të nxirrte nga Shqipëria mbi 48 mijë euro pa i deklaruar, e pëson 54-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Kalaja e Shkodrës dhe ajo e Lëkurësit do të jepen me qira, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore kundërshton projektin

By: D Marku
25 July 2025 at 13:43

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur një procedurë konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave shërbimi në dy monumente kulture të kategorisë së parë: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Qëllimi i kësaj nisme, sipas njoftimit zyrtar, është “rijetësimi” i këtyre pasurive kulturore.

Subjektet e interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë janë të ftuara të dorëzojnë dokumentacionin pranë protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, deri më 21 gusht. Megjithatë, dokumentet e shpallura nuk japin detaje mbi sipërfaqen që do të jepet në përdorim, mënyrën e shfrytëzimit apo masat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që mbartin këto objekte.

Kalaja e Lëkurësit ka qenë më parë dhënë në përdorim privat. Një procedurë e ngjashme u propozua në fund të mandatit të qeverisë Berisha në vitin 2013, duke shkaktuar debat të madh publik. Asokohe, Partia Socialiste – në opozitë – u shpreh kundër dhënies me qira të monumenteve kulturore dhe, sapo erdhi në pushtet, anuloi disa prej kontratave, përballje që më pas përfunduan në gjykatë me përfaqësues të biznesit.

Pas njoftimit të fundit nga Ministria, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka dalë kundër kësaj procedure. Përmes një reagimi publik, forumi e ka cilësuar nismën si “një shaka” dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi qëllimin e vërtetë të përdorimit të kalasë së Lëkurësit, duke pyetur nëse ajo është “Picerí apo Trashëgimi Kulturore?”

 

“Forumi kujton se Kalaja e Lëkurësit, e dhënë me qira që në kohën e ministrit Edi Rama, ishte parashikuar të shndërrohej në një pikë kulturore në shërbim të trashëgimisë së zonës. Sot, pas më shumë se 25 vitesh, ajo është kthyer në simbol të degradimit, ku vlera kulturore mungon pothuajse tërësisht,” thuhet në reagim.

Sipas Forumit, kalaja – e ndërtuar mbi rrënojat e një kishe bizantine – është kthyer në një kompleks restorantesh dhe kafenesash, duke humbur çdo funksion kulturor dhe historik.

Ndërkohë, Kalaja e Shkodrës, ose e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, mbart jo vetëm historinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, por edhe legjendën që i dha emrin – simbol i besës dhe sakrificës, që sot rrezikon të zbehet nën hijen e komercializimit.

The post Kalaja e Shkodrës dhe ajo e Lëkurësit do të jepen me qira, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore kundërshton projektin appeared first on Albeu.com.

Rakipi prezanton Kodin e ri Penal: Drafti, përgatitje korrekte për anëtarësimin në BE

By: D Marku
25 July 2025 at 13:32

Pas një punë disavjeçare nga një grup ekspertësh, i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, u prezantua sot drafti i Kodit të ri Penal.

Në fjalën e tij, Rakipi bëri edhe prezantimin e risive kryesore të propozuar për Kodin e ri Penal.

Rakipi u ndal fillimisht tek “shtimi i gamës së interpretimit të koncepteve në mënyrë që praktikat gjyqësore të mbështeten në një dokument të unifikuar”.

“Ato koncepte nuk lënë shteg më për t’u keqinterpretuar. Sistemi gjyqësor do të ketë një element më tepër pavarësie në raport me to. Përcaktimi ligjor i koncepteve është një element thelbësor për forcimin e pavarësisë këtij sistemi”, tha Rakipi.

Një çështje tjetër që Rakipi paraqiti si element me plot risi të reja ishte çështja e dënimit në tërësi.

“Dënimi në tërësi në Republikën e Shqipërisë është rregulluar nga dy dispozita të cilat në vetvete janë të pamjaftueshme për t’i dhënë rendësi asaj procedure dhe atyre elementëve që bazohet gjykata për ta mbështetur vendimin e saj. I kemi dhënë peshë specifike të gjitha elementëve mbi kriteret që bazohet vendimi. Është një garanci për të arritur në një dënim të drejtë”, tha Rakipi.

Rakipi shtoi po ashtu se i është dhënë peshë “aplikimit të dënimeve plotësuese”.

Një tjetër risi e Kodit të ri Penal, tha Rakipi do të jetë edhe për konfiskimet.

“Për veprat penale që krijojnë pasuri të padrejtë, është rekomanduar përveç rasteve kur konfiskimet janë të detyruara, kjo masë parandaluese të mund të ketë epërsi në të gjitha rastet e tjera, kur nuk është e detyruar. Është i pamjaftueshëm dënimi penal nëse rikuperimi ndaj veprës nuk është i plotë, siç është rasti i të mirave, të krijuara nga kryerja e veprës penale”, tha Rakipi.

Risi tjetër shtoi Rakipi, është edhe përfshirja e disa elementëve penal procedurale që lidhen me viktimën dhe me të drejtat e viktimës.

Sa i përket të miturve, Rakipi u shpreh se “kjo është një çështje mjaft e rëndësishme e karakterit jo vetëm penal, por edhe social e edukativ.

“Të gjithë ne kemi besuar që rinia është e ardhmja e vendit dhe nisur nga kjo jemi detyruar që qasjen ndaj tyre edhe në fushën penale ta kemi plot takt, dhembshuri dhe humanizëm të shtuar. Ne kemi bërë kujdes që të mund të jemi sa më të dhembshur në raport me to, që masat edukuese përreth tyre të jenë efikase”, tha Rakipi.

Një tjetër risi tha Rakipi është edhe propozimi për trajtimin si të mitur edhe të një 21-vjeçari, i cili deri tani është cilësohej i tillë kur është nën 18-vjeç.

“Risia tjetër është që tek grupmoshat e reja ta rrisim nivelin e moshës dhe kemi parashikuar, se nëse do të plotësohen disa kushte të tjera që janë shënuar në ligj, si i mitur të trajtohet edhe një 21-vjeçar. Është rezultat i një vlerësimi statistikor dhe logjik që mbështet tek pjekuria e tyre”, tha Rakipi.

I ndalur tek persona juridikë, Rakipi tha se “duhet te strukturohet nëpërmjet masash dhe strukturash të posaçme për të bërë të mundur evitimin e kryerjes së veprës penale”.

“Rritet kujdesi i posaçëm që aktiviteti i tyre të lejohet në përputhje me ligjin dhe mos të lejojë shtigje që paligjshmëria të zërë vend. Rregullimi është nja standard që bazohet në direktivat e BE-së të dhëna për akte të ndryshme të cilat sipas gjasave mund të krihen edhe nga personi juridik”, tha Rakipi.

Sa i përket risive të këtij projekti që lidhen me direktivat, Rakipi tha se direktivat janë dhënë për fusha të ndryshme.

“Direktiva lidhet me numrin e veprave penale, direktivat janë në fushën e kibernetikës, terrorizimit, krimet kundër njerëzimit, ushqimit, mjedisit, mbrojtja e kafshëve, financat e BE-së, financat, sistemi tatimor dhe doganor, prokurimet publike dhe elementë të shumtë që janë pasqyruar në këtë kod. Nevoja për t’i rivlerësuar rikonceptuar apo dispozita kanë bërë që numri i tyre të shtohet jo pak”, tha Rakipi.

I ndalur tek perspektiva e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Rakipi tha se drafti “është një përgatitje korrekte e jona për ta pritur me legjislacion penal të gatshëm”.

Rakipi bëri të ditur gjithashtu se është propozuar edhe aplikimi për lirimin parakohe me kusht për personat e dënuar më burgim të përjetshëm.

“Ne kemi patur në ligj disa pengesa që lidhen me lirimin parakohe me kusht sa lidhet me burgimin  e përjetshëm. Ne dolëm në përfundimin që “Po” mund të aplikojmë lirimin parakohe me kusht për dënimin me burgim të përjetshëm. Është një propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë. Sepse këtu mpleksen shumë gjëra, një pjesë së cilës janë viktima, procesi i edukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë përmirësohen, nëse kushtet me të cilët vendosen edhe puna me ta është e efektshme.

“Është një eksperiencë e përditshme që ndodh gjithandej, ndaj e përfundimisht e propozuam këtë zgjidhje. Mund të krijojë debate sidomos në ato çështje që kanë një karakter social mjaft të fortë. Presim të dalim më një zgjidhje të përbashkët. Këtë urim e kam më të gjithë specialistët që ta marrin me seriozitet dhe ta lexojnë me përgjegjësi, të analizojnë konceptin në mënyrë të përgjegjshme”, tha Rakipi.

Rakipi shpjegoi gjithashtu edhe një tjetër risi që lidhet me shkeljet e punonjësve të administratës së Tatimeve.

“Një tjetër risi tjetër që doja ta përmendja lidhet me një proces dekriminalizimi që ne kemi bërë për një grup vepre të fushës së Tatim Doganave si tendencë që jep autoritet administratës publike në raport me shkeljet e para të vërtetuara. Ne kemi ndjekur alternativën që administrata tatimore dhe autoriteti tatimor do të vlerësojnë administrivisht shkeljet e para dhe nëse shkeljet e dyta do të pikasen atëherë merr juridiksion sistemi i drejtësisë penale”, u shpreh Rakipi.

“Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çështjeve por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse”, u shpreh ai.

The post Rakipi prezanton Kodin e ri Penal: Drafti, përgatitje korrekte për anëtarësimin në BE appeared first on Albeu.com.

FOTOLAJM/ Termometri shënon 43 gradë celcius, si po i përballojnë qytetarët temperaturat ekstreme

By: D Marku
25 July 2025 at 12:58

Shqipëria po përjeton një valë të nxehti ekstrem, me temperaturat që gjatë mesditës kanë arritur deri në 43 gradë Celsius. Kjo situatë ka vënë në sprovë qëndrueshmërinë fizike të banorëve, veçanërisht të të moshuarve dhe fëmijëve, ndërsa banorët e Tiranës po kërkojnë çdo mënyrë për t’i bërë ballë vapës përvëluese.

Një ndër zgjidhjet e shpejta dhe të aksesueshme për banorët kanë qenë burimet e ujit të vendosura në sheshin “Skënderbej”. Qytetarë të çdo moshe janë parë duke u freskuar, larë duart apo lagur fytyrën për të zbutur efektet e temperaturave ekstreme.

The post FOTOLAJM/ Termometri shënon 43 gradë celcius, si po i përballojnë qytetarët temperaturat ekstreme appeared first on Albeu.com.

Dropull/ Shkaktoi zjarrin që dogji 4 banesa, pjesë të pyllit dhe pemë frutore, përfundon në pranga 39-vjeçari

By: D Marku
25 July 2025 at 12:41

Policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe arrestuar autorin e zjarrvënies së ndodhur një ditë më parë në fshatin Kakavijë, njësia Dropull, ku u dogjën katër banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore, ndërsa u rrezikua edhe jeta e banorëve.

I arrestuari është K. V., 39 vjeç, banor i zonës, i cili dyshohet se gjatë punës me troko në oborrin e banesës së tij ndezi zjarr, i cili më pas, për shkak të erës së fortë, doli jashtë kontrollit dhe përfshiu një zonë të gjerë banimi.

Menjëherë pas njoftimit, forcat e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen, FRONTEX-in, Forcat e Armatosura dhe me ndihmën e helikopterëve të autoriteteve greke, ndërhynë për të shuar flakët dhe evakuuan banorët në kohë, duke shmangur pasoja më të rënda.

Materialet hetimore ndaj 39-vjeçarit janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

 

Drejtoria Vendore e Policisë në Gjirokastër u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos nisin asnjëherë zjarre të pakontrolluara. Çdo shkelës i ligjit do të përballet me pasojat penale. Qytetarët mund të denoncojnë çdo rast të tillë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

The post Dropull/ Shkaktoi zjarrin që dogji 4 banesa, pjesë të pyllit dhe pemë frutore, përfundon në pranga 39-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Ambasada Amerikane sqaron qytetarët: Kohëzgjatja e qëndrimit në SHBA nuk përcaktohet nga data e skadimit të afatit. Lidhet me…

By: D Marku
25 July 2025 at 12:31

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka sqaruar në lidhje me afatet mbi vizat amerikane dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në SHBA për vizitorët ndërkombëtarë.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada bën me dije se data e skadencës së vizës nuk përcakton kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit në SHBA.

Megjithatë, seancat e Kuvendit tashmë janë kthyer në formalitete që mbahen çdo 48 orë, pa pasur përpjekje të dukshme për zhbllokim të situatës dhe për konstituimin real të institucioneve.

Në seancën e sotme ishin të pranishëm edhe ambasadorë të vendeve partnere të Kosovës, të cilët ndjekin nga afër zhvillimet.

The post Ambasada Amerikane sqaron qytetarët: Kohëzgjatja e qëndrimit në SHBA nuk përcaktohet nga data e skadimit të afatit. Lidhet me… appeared first on Albeu.com.

SHBA kritikon ashpër vendimin e Macron për të njohur shtetin palestinez

By: D Marku
25 July 2025 at 12:11

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar ashpër njoftimin e presidentit francez, Emmanuel Macron se ai do të njohë një shtet palestinez, duke e quajtur këtë veprim të pamatur dhe dëmtues për përpjekjet për paqe.

“Ky vendim i pamatur i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe e pengon paqen”, shkroi sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio në X.

Ky veprim ishte “një shuplakë në fytyrë” për viktimat e masakrës së 7 tetorit 2023 të kryer nga Hamasi dhe grupe të tjera ekstremiste në Izrael.
Presidenti Macron tha dje në X se synon ta njohë zyrtarisht Palestinën si shtet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

Deklarata e Rubios pasqyroi kritikat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se veprimi i Macron do të shpërblente terrorizmin.

“Një shtet palestinez në këto kushte do të ishte një platformë nisjeje për të shkatërruar Izraelin”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.

Sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi, në të cilin u vranë më shumë se 1 200 persona dhe mbi 250 u rrëmbyen në Gaza, shkaktoi luftën midis Izraelit dhe grupit militant.
SHBA mbetet aleatja më e ngushtë e Izraelit.

The post SHBA kritikon ashpër vendimin e Macron për të njohur shtetin palestinez appeared first on Albeu.com.

Sekuestrohen pasuritë e ish-ambasadorit në Katar, Edmond Çaça dhe bashkëshortes

By: D Marku
25 July 2025 at 11:54

Prokuroria e Tiranës ka njoftuar sot se janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Katar, Edmond Çaça, si dhe të bashkëshortes së tij, Bianka Çaça, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi për sekuestrim vjen pas një hetimi të nisur në vitin 2019, mbi bazën e kallëzimit të ILDKPI-së, që e akuzon Çaçën për mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurive, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale.

Prokuroria thekson se gjatë periudhës 2014-2017, kur Çaça ka qenë subjekt deklarimi pranë ILDKPI-së, ai ka falsifikuar dhe fshehur pasuri të konsiderueshme në bashkëpronësi edhe me bashkëshorten. Pas një analize financiare të thelluar nga auditues ligjorë, rezultoi se pasuritë nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme.

Njoftimi:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u sekuestruan pasuritë e pajustifikuara dhe padeklaruara të shtetasit Edmond Çaça ish-Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Doha, Katar dhe bashkëshortes së tij, Bianka Çaça.

Hetimet mbi procedimin penal nr.1838 të vitit 2019, nisën pas referimit të materialit kallëzues nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILDKPI) për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim“ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “, parashikuar nga neni 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal.

Pas hetimeve të kryera, rezultoi se shtetasi E. Ç., ka kryer veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe “interesave privatë” të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal, pasi në periudhën e viteve 2014 – 2017 ka qenë subjekt deklarimi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar dhe ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive dhe “interesave private”.

Për sa më sipër, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është regjistruar kryesisht, procedimi pasuror nr. 07/R, i vitit 2025, në ngarkim të këtij shtetasi dhe personit të lidhur (B.C), bazuar në Ligjin nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.

Pas hetimit pasuror të kryer dhe bazuar në analizën financiare të realizuar nga audituesi ligjor, është arritur në konkluzionin se subjekti i hetimit pasuror E.Ç. dhe personi i lidhur, nuk justifikojnë me burime të ligjshme të ardhurash, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në vlerë të konsiderueshme.
Sa më sipër, prokuroria kërkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, sekuestrimin e pasurive të paluajtshme/luajtshme si më poshtë:

1. Pasuri e paluajtshme, “Truall“, Nr.2/279 në pronësi të E. Ç., e mbyllur, e cila aktualisht vijon në:
a) Pasurinë nr.2/285, vol. 68, fq.71 dhe pasurinë nr 2/286, vol.68, fq. 72, Z.K. 8330.
b. Pasurinë nr 2/371, vol. 61, fq. 153, Z.K. 8330.
Pjesa takuese e shtetases B.C. është 10/33 e pasurisë truall, me siperfaqe 8250 m2;

2. Pasuri e paluajtshme, apartament, nr.146/46+1-34, vol. 54, fq. 194, ZK 3292, me sipërfaqe 65.5 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;

3. Pasuri e paluajtshme “Pyll”, Nr. 182/11, vol. 7, fq. 20, ZK 2380, me sipërfaqe 500 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;

4. Pasuri e paluajtshme “Pyll”, Nr. 182/20, vol. 6, fq. 232, ZK 2380, me sipërfaqe 300 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;

5. Pasuri e paluajtshme “Pyll” me sipërfaqe 10.000 m2 dhe e kufizuar në favor të E.Ç. dhe B. C. sipas Kontratës së Shitjes së Pasurisë së Paluajtshme me Rezervë me Kalim Pronësie Nr. 4094 Rep, Nr. 978 Kol datë 09.08.2020, me referencën nr. 3829; dhe

6. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, nr 1/51+3-19, e zones kadastrale 2364 me siperfaqe 52.63 m2;

II. Sekuestrimin e pasurive të luajtshme si më poshtë vijon:

1. Llogari ndihmese interesi në “Credins Bank”, gjendje kreditore 90.093,76 euro, në emër të shtetases B.C.

Kërkesa e Prokurorisë u gjet e drejtë nga Gjykata e cila vendosi sekuestrimin e pasrive si më sipër, cituar, me vendimin nr. 6047 akti, datë 24.07.2025.

The post Sekuestrohen pasuritë e ish-ambasadorit në Katar, Edmond Çaça dhe bashkëshortes appeared first on Albeu.com.

Kosovë, Kuvendi dështon për herë të 52-të të konstituohet, nesër seanca e radhës

By: D Marku
25 July 2025 at 11:44

Për herë të 52-të me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej, duke shtyrë edhe më tej ngërçin institucional në vend. Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të shtunën, më 26 korrik, në orën 14:00.

“Dje jeni njoftuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme e cila hyn në fuqi të dielën. Duke pasur parasysh që nesër përfundon afati kushtetues prej 30 ditësh dhe të dielën hyn në fuqi masa e përkohshme, seancën e radhës e mbajmë nesër në orën 14:00

Megjithatë, seancat e Kuvendit tashmë janë kthyer në formalitete që mbahen çdo 48 orë, pa pasur përpjekje të dukshme për zhbllokim të situatës dhe për konstituimin real të institucioneve.

Në seancën e sotme ishin të pranishëm edhe ambasadorë të vendeve partnere të Kosovës, të cilët ndjekin nga afër zhvillimet.

The post Kosovë, Kuvendi dështon për herë të 52-të të konstituohet, nesër seanca e radhës appeared first on Albeu.com.

Vajza mbyti babanë me tel, arrestohet edhe e ëma, policia: Pastroi trupin e bashkëshortit që të mos zbulohej krimi

By: D Marku
25 July 2025 at 10:46

Fier

Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau me mjet strangulues, për motive të dobëta, babanë e saj.

Arrestohet nëna e 26-vjeçares, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale në lidhje me këtë ngjarje të bashkëshortes së shtetasit A. R., shtetases V. R., 53 vjeçe, të shoqëruar në Polici menjëherë pas ngjarjes, informojmë se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçares, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pas vrasjes, shtetasja V. R. ka ndihmuar vajzën e saj, për të pastruar trupin e 56-vjeçarit, me qëllim që të mos zbulohej e vërteta dhe humbja e jetës të dukej aksidentale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

The post Vajza mbyti babanë me tel, arrestohet edhe e ëma, policia: Pastroi trupin e bashkëshortit që të mos zbulohej krimi appeared first on Albeu.com.

“Afati i fundit për largimin vullnetar, 31 korriku”, Rama: Ka nisur përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve

By: D Marku
25 July 2025 at 10:28

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook, duke njoftuar nisjen e një aksioni të gjerë për çlirimin e hapësirave publike buzë rrugëve kombëtare, nga çfarë ai cilëson si “rraqe të llojllojshme” të bizneseve.

“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës”, shkruan Rama, duke theksuar se bizneset që operojnë përgjatë akseve rrugore kanë afat deri më 31 korrik, për të larguar vetë çdo material që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës, sipas distancës së sigurisë të përcaktuar me ligj.

Sipas Kryeministrit, materialet në oborret e përparme të bizneseve, përfshirë edhe gardhet, duhet të tërhiqen në përputhje me projektet që do t’u dorëzohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Rama paralajmëroi gjithashtu masa ndëshkuese për të gjithë ata që nuk zbatojnë afatin.

Postimi i plotë:

Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës🧹

Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH

Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në Fuji.

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE

The post “Afati i fundit për largimin vullnetar, 31 korriku”, Rama: Ka nisur përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve appeared first on Albeu.com.

“Toyota Yaris”/ Tentuan të korruptojnë gjyqtarin, SPAK çon për gjykim të pandehurit Astrit Vladi dhe Erida Lazimi

By: D Marku
25 July 2025 at 10:18

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy persona të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj një gjyqtari në një çështje penale të vitit 2020.

Të pandehurit Astrit Vladi dhe Erida Lazimi do të përballen me drejtësinë për akuzat përkatëse sipas nenit 245/1 të Kodit Penal (në versionin para ndryshimeve të vitit 2021). Sipas hetimeve, Astrit Vladi i kërkoi avokates Erida Lazimi të ndikonte në mënyrë të paligjshme te gjyqtari i çështjes penale kundër Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për mosdeklarim të hollash në kufi.

SPAK thotë se Lazimi pranoi të ndërmjetësonte ndikimin te gjyqtari i Gjykatës së Tiranës kundrejt një përfitimi të parregullt monetar, me synim që të favorizonte të pandehurit në atë procedim.

Kjo çështje është ndarë nga një procedim më i gjerë penal, që përfshin edhe akuza për korrupsion, trafik droge dhe pastrim parash. SPAK njofton gjithashtu se vijon hetimet për elementë të tjerë të përfshirë në episode të korrupsionit aktiv e pasiv në sistemin e drejtësisë.

 

Dosja tashmë i është kaluar Gjykatës për shqyrtim të mëtejshëm.

Njoftimi i SPAK:

SPAK dërgon në gjyq çështjen për ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj një gjyqtari

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më 24.7.2025, ka dërguar për gjykim procedimin penal, nr.26/1/1 viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:

Astrit Vladi, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, i parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (1) të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021).
Erida Lazimi, e akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021).
Ky procedim penal është ndarë nga ai i mëparshëm me nr.26/1, datë 26.12.2024, për veprat penale: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Trafikim i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 245/1, 319/ç, 283/a dhe 287 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal janë mbledhur provat e nevojshme të cilat provojnë se:

Në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë në datën 14.09.2020 është zhvilluar seanca paraprake për gjykimin e kërkesës për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.71 viti 2020 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” , e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera është provuar se i pandehuri, Astrit Vladi i ka kërkuar të pandehurës, Erida Lazimi, e cila ushtron profesionin e avokates, të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, me qëllim për të favorizuar shtetasit, Alfred Vladi etj.

E pandehura Erida Lazimi i ka premtuar dhe i ka siguruar të pandehurit, Astrit Vladi aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, kundrejt përfitimit të parregullt në formë monetare, me qëllim për të favorizuar përsonat, për të cilët ishte kërkuar dërgimi i çështjes në gjyq në atë procedim penal.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vijon hetimet paraprake për episode të tjera të kryerjes së veprave penale të korrupsionit aktiv dhe korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, si dhe rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.

The post “Toyota Yaris”/ Tentuan të korruptojnë gjyqtarin, SPAK çon për gjykim të pandehurit Astrit Vladi dhe Erida Lazimi appeared first on Albeu.com.

EMRI/ Në kërkim ndërkombërar, arrestohet 54-vjeçarja, pritet ekstradimi drejt Spanjës

By: D Marku
25 July 2025 at 09:56

Akuzohet nga autoritetet spanjolle, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike, kapet në Kavajë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Spanjë, 54-vjeçarja, Valjeta Beni.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, kanë sigururar informacione për vendndodhjen e një shtetaseje në kërkim ndërkombëtar dhe mbi bazën e tyre kanë organizuar punën për kapjen e saj.

Si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe i shkëmbimimit të informacioneve më Interpol Tiranën, u lokalizua dhe u arrestua shtetasja shqiptare Valjeta Beni 54 vjeçe, banuese në Golem.

Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Sabadell, Spanjë, me vendimin e datës 30.06.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, për të cilat maksimumi i dënimit është 6 vjet.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e kësaj shtetaseje

The post EMRI/ Në kërkim ndërkombërar, arrestohet 54-vjeçarja, pritet ekstradimi drejt Spanjës appeared first on Albeu.com.

Aksident tragjik në Palasë/ Automjeti u përplas me bordurën anësore, ndërron jetë 9-vjeçari, arrestohet shoferi. Ishte i dehur në timon

By: D Marku
25 July 2025 at 09:13

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e datës 24 korrik, rreth orës 23:10, në aksin Palasë–Dhërmi, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë 9-vjeçar dhe është plagosur një tjetër pasagjer.

Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Vlorës, Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 36 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se M. K., në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin e automjetit që drejtonte dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës. Përplasja fatale i mori jetën në vendngjarje njërit prej pasagjerëve – një fëmijë 9 vjeç

“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin M. K., 36 vjeç, banues në Librazhd, pasi më datë 24.07.2025, rreth orës 23:10, në aksin rrugor Palasë–Dhërmi, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, një i mitur 9 vjeç. Gjithashtu, është dëmtuar pasagjeri tjetër, shtetasi E. A., 20 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”,thuhet në njoftimin e policisë.

The post Aksident tragjik në Palasë/ Automjeti u përplas me bordurën anësore, ndërron jetë 9-vjeçari, arrestohet shoferi. Ishte i dehur në timon appeared first on Albeu.com.

❌
❌