Vajza e ish-kreut të Forumit Ekonomik Botëror nuk zbuloi komplotin për vrasjen e miliardave
Pretendimi: Nicole Schwab, vajza e ish kreut të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab, ka rrëfyer se WEF planifikon të vrasë miliarda.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se Nicole Schwab, vajza e ish kreut të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab, ka rrëfyer se WEF planifikon të vrasë miliarda.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.
Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 29 prill 2024 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Forumi Ekonomik Botëror, në veçanti, është një nga objektivat e tij të preferuar, siç e ka treguar vazhdimisht Faktoje.
Sipas postimit në Facebook, Nicole Schwab dyshohet se zbuloi një plan të supozuar sekret nga WEF për të “vrarë miliarda njerëz”. Këto zbulime të supozuara erdhën si pjesë e një hetimi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila pretendohet se dyshon Forumin Ekonomik Botëror për krime kundër njerëzimit.
Por kjo histori nuk ka kuptim. Asnjë nga njerëzit e akuzuar për krime kundër njerëzimit nga ICC, e cila gjykon individë, jo organizata, nuk është anëtar i WEF. As shtypi ndërkombëtar nuk ka raportuar ndonjë rast të tillë.
Më 22 prill 2025, ëall Street Journal zbuloi hapjen e një hetimi të pavarur ndaj Klaus Schwab nga Forumi Ekonomik Botëror.
Një ditë më parë, ekonomisti gjerman kishte njoftuar dorëheqjen e tij nga pozicionet e tij si president dhe anëtar i bordit të drejtorëve të organizatës, pa përmendur hetimin.
Ky hetim, i konfirmuar më vonë nga WEF për media të tjera, nisi pas akuzave për keqpërdorim financiar, të bëra në mënyrë anonime. Rasti përfshin gjithashtu Hilde Schwab, gruan e Klaus Schwab, e cila është gjithashtu aktive në Forumin e Davosit.
Çifti akuzohet për përdorimin e fondeve të organizatës për përfitime personale. Sipas ëall Street Journal, Schwab, i cili i mohon akuzat, dyshohet se i udhëzoi punonjësit të tërhiqnin “mijëra dollarë” nga llogaritë e WEF në emër të tij, të cilat dyshohet se i përdori për të paguar masazhet e hoteleve.
Megjithatë, ky është një hetim i brendshëm nga Forumi Ekonomik Botëror dhe jo një hetim ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit, siç pretendohet në postimet e rrjeteve sociale.
The post Vajza e ish-kreut të Forumit Ekonomik Botëror nuk zbuloi komplotin për vrasjen e miliardave appeared first on Faktoje.al.