Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Main stream

Kur një mëngjes

By: Kult Plus
30 July 2025 at 16:00


Dritëro Agolli
Kur një mëngjes

Do të jetë mëngjes e unë do të vi patjetër.
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e thanës së tharët.

Ahere ti s’do të jesh zgjuar akoma.
Une do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
“Ti çele herët, moj bajame!”

Do vërshëllej ngadalë-ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…/KultPlus.com

“Në qoftë se dëshironi ta njihni dhe ta doni atdheun tuaj, shkoni në të huajin”

By: Kult Plus
30 July 2025 at 15:35

KultPlus iu sjell disa thënie për atdheun.

“Në qoftë se dëshironi ta njihni dhe ta doni atdheun tuaj, shkoni në të huajin”. – Eric Berne

“Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe! Edhe më kënaqësi është të jetosh për të”. – Horaci

“Mos pyet se ç’do të bëjë atdheu për ty, pyet me gëzim ç’mund të bësh ti për të”. – Kenedi

“Atdheu është si familja: vlerën ia njohim vetëm atëherë kur e humbim”. – Floberi

“Të vdesësh për atdhe, kjo është punë mbretërish”. – Volteri

“Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”. – Sami Frashëri

“Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që të shtyn të mohosh kombin tënd”. – Naum Veqilharxhi

“Skllavëria më e madhe është të mos kesh liri, e të mos konsiderohesh i lirë”. – Gëte

“Më mirë me dekë nën dhe’ m’u kja, se për t’gjallë me mbetë nën shkja”. – Gjergj Fishta

“Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen”. – Naim Frashëri./ KultPlus.com

Evakuime në Hawaii: Oprah Winfrey hap rrugë private në rrezik tsunami pas tërmetit në Kamçatka

By: Kult Plus
30 July 2025 at 15:20

Tërmeti me magnitudë 8.8 që goditi gadishullin Kamçatka në Lindjen e Largët të Rusisë ka sjellë alarme për cunami në disa pjesë të Oqeanit Paqësor, përfshirë edhe Hawaii-n.

Në një reagim të menjëhershëm ndaj situatës emergjente, Oprah Winfrey ka hapur rrugën e saj private në ishullin Maui, për të ndihmuar në evakuimin e banorëve të zonës.

Zëdhënësi i saj ka konfirmuar për CNN se rruga është hapur në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe agjencinë federale të emergjencave (FEMA), ndërsa policia po menaxhon qarkullimin me hyrje të kontrolluar për 50 automjete njëherësh.

Ndërkohë, në qytetin Kahului është regjistruar një valë cunami mbi 1.5 metra, ndërsa portet detare janë mbyllur përkohësisht. Edhe pse rreziku është zbutur, autoritetet paralajmërojnë për rryma të forta dhe përmbytje të mundshme në zonat bregdetare./KultPlus.com

Australia ndalon fëmijët nën 16-vjeç përdorimin e YouTube

By: Kult Plus
30 July 2025 at 15:00

Përmes një ligji special, Qeveria në Australi ka ndaluar që fëmijët nën moshën 16 vjeçare të kenë qasje në “YouTube”.

Nga viti 2026 për të pasur një llogari në këtë rrjet social, shtetasi i Australisë duhet të ketë të paktën 16 vjeç.

Ky vendim vjen gati një vit pasi autoritetet Australiane vendosën masa kufizuese në rrjetet sociale Facebook, Instagram, Snapchat, Tik-Tok dhe X. “Analiza e bërë për vendimet paraprake dhe rezultate e treguara kanë arsyetuar vendimin për Youtube”, ka njoftuar shkurt Qeveria në Australi.

Kompania ka paralajmëruar kontest gjyqësor, duke pretendua se në përmbajtjen e tyre nuk ka pamje shqetësuese që duhet t’i ndalohen fëmijëve nën moshën 16 vjeçare

“Lost in Generations”, ekspozita e re multimediale instalative në Korçë

By: Kult Plus
30 July 2025 at 14:46

Galeria e Artit Digjital në Korçë (GAD) sjell këtë fundjavë ekspozitën multimediale instalative “Lost in Generations” (LIG).

LIG është një projekt artistik, një thirrje për reflektim mbi marrëdhëniet mes brezave dhe mënyrën sesi e shohim të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ky projekt vjen si bashkëpunim i Satellite Zone dhe Galerisë së Artit Digjital në Korçë.

Ekspozita sjell përvoja dhe histori të vërteta njerëzore, duke u fokusuar në lidhjet, boshllëqet dhe kontradiktat mes brezave. Ajo eksploron kujtesën, trashëgiminë dhe emocionet që na formësojnë si individë dhe si shoqëri.

GAD fton të gjithë artdashësit të përfshihen në këtë eksperiencë të re, që të bën të humbasësh e njëkohësisht të rigjesh veten mes historive të kaluara e të tashme.

Ekspozita do të çelet pasditen e së premtes (1 gusht), me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

Kush ishte Elena Peshkopia,shqiptarja e parë me doktoraturë në Filozofi

By: Kult Plus
30 July 2025 at 14:29

Elena Lucrezia Peshkopia është e para grua shqiptare në botë që në vitin 1678 ka arritur të marrë doktoraturën në filozofi. Gjatë shekullit ku jetoi ajo ishte gruaja më e ditur në Europë. Statuja e Elenës që u gjet në Universitetin e Padovës, një prej universiteteve më të vjetër dhe ndër më të njohurit në Europë, dëshmon për vlerat e arritjeve të jetës së saj. Portreti i saj është gjithashtu edhe në dritaren e qelqit rreth 7 metra të lartë në bibliotekën “Frederick Ferris Thomson” në kolegjin Vassar të Nju Jorkut në SHBA ku Elena është portretizuar duke mbrojtur tezat e saj mbi Aristotelin.

Elena Peshkopia lindi në Venecia në 1646, ajo përfundoi shkollën e shqiptarëve “Santa Maria dhe San Gallo” në Venecia (Scuola di Santa Maria e di San Gallo degli Albanesi), shkruan “ATA”.

Shkolla ku Elena mësoi është themeluar nga fisnikët e edukuar shqiptarë në 22 tetor 1442 dhe për rreth 200 vite vazhdoi të funksionojë për arsimimin e shqiptarëve deri në fund të shekullit të 18-të. Që prej fillimit, djemtë dhe vajzat e frekuentonin këtë shkollë së bashku, institucioni financohej nga taksat që paguanin shqiptarët. Në detyrimet përfshiheshin edhe gratë por ato edhe do të mund të përfitonin. Godina e shkollës ishte dizenjuar nga shqiptari Viktor Karpaçi, artist i njohur gjatë periudhës së Rilindjes Europiane, ai mbikëqyri ndërtimin e ndërtesës dhe dekorin e fasadave të shkollës, pikturat e tij janë gjetur në galeritë e Venedikut, Milanos, Parisit (Luvër), Vjenë, Londër.

Prezenca e madhe e shqiptarëve në Republikën e Venecias është lidhur me zhvendosjet e tyre sa më shumë drejt perëndimit si pasojë e pushtimit osman.

Elena, e talentuar edhe në muzikë vazhdoi studimet në filozofi dhe astronomi duke ndjekur edhe programin e doktoraturës në Universitetin e Padovës. Ajo mbrojti teoritë e saj të doktoraturës në 25 qershor 1678 para profesorëve të filozofisë dhe logjikës, mjekësisë dhe teologjisë. Ajo u bë një lektore në matematikë në Universitetin e Padovës ku qëndroi deri në fund të jetës së saj së shkurtër.

Elena Peshkopia ndërroi jetë nga tuberkulozi në 26 korrik të vitit 1684 në moshë shumë të re, vetëm 38 vjeç. Ajo prehet në kishën e Shën Lukës në Padova të Italisë./KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e shkrimtarit të njohur gjerman, Martin Walser

By: Kult Plus
30 July 2025 at 14:18

Shkrimtari Martin Walser vdiq më 28 korrik 2023 në moshën 96-vjeçare në Ibrelingen, ku kaloi gjithë jetën. Walser la pas një vepër të gjerë, por edhe të diskutueshme. Deri në pleqëri, ai shkroi dhe botoi romane, tregime dhe përmbledhje tregimesh, drama, radiodrama dhe përkthime, si dhe ese e leksione.

Në moshën 95-vjeçare botoi “Traumbuch” (Libri i ëndrrave), e një vit më parë edhe përmbledhjen me poezi “Sprachlaub”.

Analist i shoqërisë perëndimore

Ai shpesh quhej “autori i shekullit” dhe një analist i palëkundur i shoqërisë gjermane perëndimore. Si asnjë shkrimtar tjetër bashkëkohor gjerman, Walser tematizoi jetën e përditshme të klasës së mesme.Heronjtë e tij janë zyrtarë, mësues, njerëz të thjeshtë, konfliktet mes bashkëshortëve, shefave, miqve apo të dashuruarve me aspiratat e tyre, duke i bërë shpesh këto personazhe edhe tragjikë të kohës së tyre. Me ironi dhe simpati, Walser portretizoi heronjtë e tij që jetojnë me një ndjenjë inferioriteti dhe e shohin veten si humbës. Në të gjitha veprat ai mbështetet në përvojat e veta. Romanet pa pjesë biografike nuk janë romane, por vepra sociologjike, deklaroi dikur.

Shumica e rreth njëzet romaneve të tij janë bestsellerë, mbi të gjitha romani “Ein fliehendes Pferd” (Kali në vrap) i vitit 1978.https://zeri.info/inarticle.html

Poezitë e para, publicistika…

Lindi në Wasserburg afër liqenit të Konstancës më 24 mars 1927, djali i një hanxhiu dhe një tregtari qymyrguri. Ai humbi babanë e tij në moshë të re, ndërsa vëllai i tij i madh u vra në Luftën e Dytë Botërore. Ai vetë ishte një ushtar i Wehrmachtit për një kohë të shkurtër.

Walser filloi të shkruante poezi në moshën dymbëdhjetë vjeç. Pas studimeve për letërsi dhe filozofi në Regensburg dhe Tübingen, ai punoi për disa vite si reporter, redaktor dhe autor i dramave radiofonike në Süddeutsche Rundfunk. Në vitin 1950, ai u martua me Katarina Neuner-Jele. Nga kjo martesë kanë vajzat Françeska, Johana, Alisa dhe Teresia – të gjitha merren me letërsi apo aktrim. Ai kishte një djalë, Jakob Augstein, gazetar dhe botues, me Maria Karlsson, më pas partnere dhe më vonë gruaja e themeluesit të Spiegel, Rudolf Augstein, për të cilën publiku mësoi në vitin 2009.

Walser u bë shpejt një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më të diskutueshëm në letërsinë gjermane të pasluftës. Për tregimin “Templones Ende” (Fundi i Templonit) të botuar në përmbledhjen me tregime “Ein Flugzeug über dem Haus” (Aeroplani mbi shtëpi) të vitit 1955, ai mori çmimin e grupit legjendar 47.

Dy vjet më vonë, ai botoi romanin e tij të parë “Ehen in Philipsburg” (Martesat në Philipsburg) në 1957, për të cilin mori çmimin Herman Hesse. Në vitin 1981, Walser mori çmimin letrar “Georg Büchner”.

Libri i tij “Ein liebender Mann” (Një burrë i dashuruar) është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. 

Deklarata e Aushvicit

Si shumë nga kolegët e tij, Walser ishte politikisht aktiv në vitet 1960, duke kundërshtuar luftën në Vietnam dhe duke favorizuar socialdemokratin Willy Brandt si kancelar.Walser konsiderohej si i majtë. Dhe kjo është arsyeja pse ai shkaktoi zemërim të madh më 11 tetor 1998, kur në fjalimin e tij pas prezantimit të çmimit prestigjioz të paqes të shitësve të librave, u deklarua kundër “instrumentalizimit të Holokaustit”. “Aushvici nuk është i përshtatshëm për t’u bërë një kërcënim rutinë, i cili mund të përdoret në çdo kohë si një mjet frikësimi ose një kupë morale,” tha Walser në atë kohë.

Presidenti i atëhershëm i Këshillit të Hebrenjve gjermanë, Ignatz Bubis, ishte i pranishëm dhe më vonë kritikoi ashpër Walser. Pasuan disa vite diskutime publike. Walser tha se i vinte keq që fjalimi i tij kishte ofenduar Bubis dhe shpjegoi në një intervistë të vitit 2015 me Spiegel se ai nuk i referohej instrumentalizimit të Aushvicit në marrëdhëniet gjermano-hebreje, por atij në politikën ditore gjermane, siç praktikohej për shembull nga Günter Gras, në refuzimin e tij të ribashkimit të Gjermanisë apo Joshka Fischer në mbështetjen e pjesëmarrjes së Gjermanisë në bombardimet e Jugosllavisë./dw/ KultPlus.com

Tragjedi pranë setit të ‘The Devil Wears Prada 2’: Katër të vdekur në të shtënat në New York

By: Kult Plus
30 July 2025 at 14:04

Meryl Streep dhe Anne Hathaway ishin në qendër të vëmendjes teksa xhironin vazhdimin e shumëpritur të filmit The Devil Wears Prada në Manhattan të hënën, por vetëm disa blloqe më larg ndodhi një tragjedi që tronditi qytetin.

Vetëm 15 minuta në këmbë nga vendi i xhirimeve, një person i armatosur hapi zjarr brenda një rrokaqiejli në 345 Park Avenue, duke lënë pas katër viktima, përfshirë një oficer policie.
Sipas CNN, personi i armatosur, 27-vjeçari Shane Tamura nga Las Vegas, hyri në hollin e ndërtesës me një pushkë të pajisur me silenciator dhe dylbi rreth orës 18:30, ndërkohë që aty ndodheshin rreth 30 persona, shkruan DailyMail.

Ai u përplas me forcat e rendit dhe përfundoi i vdekur në katin e 33-të nga një plagë vetëvrasëse. Autoritetet besojnë se ai kishte një objektiv të caktuar dhe e kishin marrë seriozisht kërcënimin, duke mobilizuar edhe FBI-në.

Ndërsa policia dhe autoritetet po përballeshin me këtë krizë, xhirimet e filmit po zhvilloheshin në 1221 Avenue of the Americas, ku Streep, Hathaway dhe Stanley Tucci po interpretonin skena nga vazhdimi i filmit kult të vitit 2006.

Për momentin, nuk ka pasur komente nga përfaqësuesit e aktorëve, por prania e forcave të sigurisë u shtua në të gjithë zonën pas incidentit.

Ngjarja tragjike ka tronditur qytetin dhe ka hedhur hije mbi atmosferën e punës në një prej projekteve më të mëdha të Hollywood-it këtë vit.

Guvernatorja Kathy Hochul dhe kryebashkiaku Eric Adams deklaruan se janë të angazhuar për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe janë në kontakt të ngushtë me autoritetet.
Ndërkohë që adhuruesit e filmit presin me padurim rikthimin e personazheve legjendarë të modës, incidenti në Midtown është një kujtesë e dhimbshme se dhuna me armë mbetet një sfidë e rëndë edhe në qytetet më të mëdha dhe më të mbrojtura në botë./KultPlus.com

‘Under’, restoranti nën det që po e bën Norvegjinë destinacion gastronomik

By: Kult Plus
30 July 2025 at 13:52

Në bregdetin e ashpër të jugut norvegjez, ku deti Skagerrak përplas dallgët mbi shkëmbinj, një strukturë betoni shfaqet si një portë misterioze për në botën e heshtur nën ujë. Ky është “Under”, restoranti i parë nënujore në Evropë dhe njëkohësisht më i madhi i këtij lloji në botë. I hapur në vitin 2019 në Båly të Lindesnes, ky destinacion unik ka transformuar jo vetëm mënyrën se si përjetohet gastronomia, por edhe vetë lidhjen mes njeriut dhe natyrës detare.

Projektuar nga studioja e famshme arkitekturore norvegjeze Snøhetta, “Under” është një skulpturë funksionale e zhytur rreth 5 metra nën sipërfaqen e detit. Me një dritare panoramike prej 11 metra gjerësi, vizitorët shijojnë një spektakël të vërtetë natyre: peshq që lëvizin ngadalë, algat që valëviten dhe një botë detare që rrallë shihet nga afër. Fasada e betonit është projektuar të shërbejë si “breg artificial”, duke tërhequr gjallesa detare dhe duke përmirësuar biodiversitetin e zonës.

Në kuzhinën e “Under” mbretëron shefi danez Nicolai Ellitsgaard, i cili sjell një menu degustimi prej 18 deri në 22 pjata që ndryshojnë sipas stinëve. Kraba e egër, algat, molusqet dhe barishtet detare janë vetëm disa nga përbërësit e zgjedhur me kujdes nga brigjet e Norvegjisë. Vetëm një vit pas hapjes, restoranti fitoi një yll prestigjioz Michelin, duke e pozicionuar si një prej destinacioneve më të kërkuara të gastronomisë skandinave./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare nis organizimin e koleksionit të artit bashkëkohor

By: Kult Plus
30 July 2025 at 13:33

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” po zhvillon një projekt të rëndësishëm për evidentimin, klasifikimin dhe organizimin e koleksionit të artit bashkëkohor që ndodhet në Bibliotekën e Arteve Bashkëkohore.

Koleksioni përfshin libra tematikë dhe monografi për artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, katalogje ekspozitash, materiale digjitale si CD dhe DVD, pllaka vinili me regjistrime arkivore, revista dhe botime periodike në gjuhë të ndryshme, përfshirë anglisht, gjermanisht, turqisht, kroatisht, koreanishte, tajvanez, bullgarisht, maqedonisht dhe shqip. Botimet vijnë nga Evropa, Azia, Amerika dhe Ballkani Perëndimor.

Figura kryesore të koleksionit janë artistë të njohur si Salvador Dalí, Pablo Picasso, Jean-Antoine Watteau dhe Mario Sironi, si dhe artistë modernë dhe bashkëkohorë të tjerë.

Procesi i punës po zhvillohet në tri faza: evidentimi dhe regjistrimi i materialeve me detaje të plota, klasifikimi alfabetik për lehtësimin e kërkimit dhe renditja fizike në rafte për akses të lehtë për publikun dhe studiuesit.

Qëllimi i projektit është ruajtja dhe dokumentimi i fondit ekzistues, përmirësimi i qasjes në materiale të specializuara dhe nxitja e kërkimit shkencor në fushën e artit bashkëkohor në Kosovë.

Pas përfundimit, koleksioni do të jetë në dispozicion të studiuesve, artistëve, studentëve dhe publikut të gjerë, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore bashkëkohore.

Faleminderit stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për përkushtimin dhe angazhimin në këtë projekt të rëndësishëm/KultPlus.com

Balada e djalit të vogël që shëtit me hënën

By: Kult Plus
30 July 2025 at 13:29

Balada e djalit të vogël që shëtit me hënën
Teodor Keko


Babai pinte ditën dhe natën bënte sherr
me nënën,
vogëlushi lemerisej, dënesë kishte këngën,
kruspullosur në kuvertë dridhej nëpër lot
derisa vinte gjumi i madh e shpëtimplot.
Një ditë babai s’piu. Qetësi e madhe ra,
vogëlushi deri vonë iu përkëdhel në krah,
i lumtur s’desh të flinte, “O ba nuk kam
gjumë fare!”,
po ba-ja e çoi hopa në shtratin nën dritare.
Vogëlushi qeshte vetëm në errësirë me zë,
kjo mbrëmie ish dhe lodër dhe përrallë për atë
dhe ndërsa lumturia në gjumë po e ndillte
krejt i habitur ndjeu në xham një trokitje.
U ngrit i çuditur mbi doçkat e holla,
pa hënën pranë të ndritur edhe i iku goja,
iu duk hëna si ftua, iu duk si gji plot qumësht
dhe doçkat sakaq zgjati drejt saj fare
hutueshëm.
“A vjen me mua, hëna i tha lehtas në vesh,
të shkojmë bashkë në pyll, të Bukurën të gjesh?”
Dhe djali shkoi pas saj zbathur me kanotiere,
Ra në një pyll të bukur mbushur me ketra
degëve.
Atje… Çudi e madhe! E BUKURA E DHEUT
ish nëna e tij. Ai syçkat i shqeu.
Iu hodh nënës në qafë, me shpirt hënës i tha:
“E sheh? Është mami ime! Ej, më të bukur s’ka!”
Po dheu zu të tundej dhe mami u tmerrua,
Nga ferrat doli xhindi, kuçedër ish, dragua,
ku shkelte shtypte lulet, drurët digjte zjarr,
vogëlushi njohu babin, e zu një tmerr i madh.
Ai pinte raki, kish vrarë zogj dhe drerë,
me shishen në kokë i ra mamit ca herë.
I vogli u tmerrua, pas hënës u ngjesh,
I lutej e i lutej: “Hajde të ikim shpejt!”
Në vesh hëna e pyeti: “Babi yt është ky?”
Vogëlushi tundi kokën: “Jo!” Veç s’e pa në sy.
Një gur në tokë rrëmbeu dhe bamb shishes i ra,
u derdh në fushë rakia dhe xhindi u bë plak.
Pastaj dhe më i ri, pastaj i mirë u bë…
Dhe djali humbi rrugën dhe s’mbajti mend
asgjë.
U zgjua vogëlushi, në dhomë syçkat derdhi,
Ai kërkonte hënën, në xham tani ish dielli.
“Ç’po bën i tha i ati, vishu të shkojmë në kopësht!”
Ku humbi hëna, tha vogëlushi nëpër lot.
Unë mbrëmë dola shëtitje me hënën e verdhë…
Dhe gjithë ç’kish parë të atit ia tha menjëherë.
Pastaj pa befas nënën që qante e që dridhej
dhe thirri: “Ma, mos qaj! Babit ia theva shishen!…”

Liqeni i Shkodrës në UNESCO, mbahet konferenca përfundimtare Shqipëri – Mali i Zi

By: Kult Plus
30 July 2025 at 13:05

Në Mal të Zi u mbajt konferenca e përbashkët përfundimtare për përgatitjen e dosjes drejtuar UNESCO-s për shpalljen e Liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosfere Ndërkufitare.

Konferenca e përbashkët mblodhi mbi 70 pjesëmarrës nga palët dhe grupet e interesit, aktorët lokalë, donatorët, ekspertët, ministritë përkatëse dhe sekretariati i UNESCO-s.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se, dosjet përkatëse të nominimit janë gati për t’u dorëzuar në ministritë përkatëse dhe do të shërbejnë për dy komponentë të rëndësishëm: prezantimin e rezultateve e arritjeve të projektit, si dhe dakordësimin mbi hapat e mëtejshëm të nevojshëm për të krijuar SLW – TBR (Shkodra Lake Watershed-Transboundary Biosphere Reserve/ Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Shkodrës-Rezervë Biosferë Ndërkufitare).

Konferenca përfundimtare shërbeu për të prezantuar arritjet dhe për të përcjellë një mesazh angazhimi dhe bashkëpunimi rajonal për publikun e gjerë. Përmes programit të rezervave të biosferës, një zhvillim i qëndrueshëm i gjelbër është i mundur për rajonin dhe për ta arritur këtë, ndryshimi i mentalitetit dhe i qëndrimit është i domosdoshëm. Gjithashtu, një harmonizim dhe partneritet i palëve të interesuara, është çelësi i suksesit.

Në fund të konferencës panairi i kulturave dhe natyrës shfaqi mundësitë dhe potencialet e rajonit të ardhshëm të Biosferës./atsh/KultPlus.com

Skena që nuk ishte në skenar, por bëri histori në Pretty Woman

By: Kult Plus
30 July 2025 at 12:45

Një nga skenat më ikonike dhe të dashura të filmit të njohur Pretty Woman ajo ku Richard Gere i tregon Julia Roberts një gjerdan të çmuar fsheh një moment magjik që nuk ishte parashikuar në skenar.

Gjatë xhirimeve, në momentin kur Julia Roberts u përpoq të prekte gjerdanin e vendosur në një kuti elegante, Richard Gere mbylli kutinë papritur si shaka. Kjo veprim i papritur nxiti një të qeshur të sinqertë dhe të çastit nga Julia, që nuk ishte aspak pjesë e skenarit.

Regjisori Garry Marshall, duke parë skenën në monitor, kuptoi menjëherë se kishte kapur një moment të veçantë dhe vendosi ta lërë ashtu në film.

Sot, ajo e qeshur spontane dhe e ëmbël është bërë një nga simbolët më të dashur të filmit, një dëshmi e magjisë së kinemasë ku momentet më autentike dhe të papritura arrijnë të prekin zemrat më shumë se çdo dialog i shkruar.

Ky detaj i vogël, si një kuti që mbyllet papritur dhe një e qeshur që mbetet e gjallë, është pjesë e asaj që bën Pretty Woman një përrallë të përjetshme, plot mirësi njerëzore dhe emocione autentike./KultPlus.com

Poezia e Bekim Lumit kushtuar nënës

By: Kult Plus
30 July 2025 at 12:40

Poezinë “Of Nanë” Bekim Lumi e shkroi në vitin 1996 në Shqipëri.

Siç ka treguar ai: “Në një nga ato netët e mallit e të mërzisë, gjatë studimeve në Tiranë, kur, për shkak se Nanën nuk e kisha pa për disa vjet, dojsha me i kërkue falje për shumëçka të thanun e të pathanun”.

Of Nanë

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si rr’fe prej qielle
Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si ilaç për nerva
Emnin tand ndër dhambë e kafshova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta
Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si barrën e druve përmi shpinë
Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si bojaxhi i keq që jam
Flok’t me gëlqere t’bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si mbi jastëk andrrash
Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta

Of Nanë
Pashë Zotin
Pashë Ty
Pashë Babën
Pashë Mue
M’fal
Si mëkatar i keq që jam
Po t’lutem shumë
M’fal
Për dhembjet
Për sëmundjet
Për nervat
Për zjarminë
Për brengat
Për borxhet
Për mallin
Për mërzinë
Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme
M’fal
Njimijë herë m’fal
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë. /KultPlus.com

Arnold Schwarzenegger feston 78-vjetorin: Nga “Terminator” në guvernator, një jetë si në film

By: Kult Plus
30 July 2025 at 12:26

Sot, më 30 korrik 2025, aktori legjendar, ish-kulturisti dhe politikani Arnold Schwarzenegger feston 78-vjetorin e lindjes. I lindur në Thal të Austrisë në vitin 1947, Schwarzenegger është kthyer në një figurë ikonë të kinematografisë botërore, politikës amerikane dhe aktivizmit mjedisor.

Emri i tij është i lidhur me disa nga rolet më të famshme në historinë e filmit sidomos si “Terminator”, por edhe në filma të tjerë të suksesshëm si Predator, Total Recall, Commando dhe Conan the Barbarian.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Hollywood, ai mori një kthesë të papritur në karrierë: në vitin 2003 u zgjodh guvernator i Kalifornisë, një nga shtetet më të mëdha dhe me ndikim në SHBA. Ai shërbeu për dy mandate, deri në vitin 2011, duke u fokusuar në çështje si ekonomia, mjedisi dhe reformat sociale.

Edhe pse larg politikës aktive, Schwarzenegger mbetet i angazhuar fuqimisht në çështje mjedisore dhe humanitare. Ai është një nga zërat më të fortë në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës dhe promovimin e energjisë së pastër.

“Transformimi është i mundur – për individin dhe për botën,” ka thënë shpesh Schwarzenegger, i cili është kthyer në simbol të suksesit përtej kufijve të një fushe të vetme./KultPlus.com

Kumbaro: Kostumografia shqiptare në fondin e AKT-së përmes konkursit “Wanderlust in Albania 2”

By: Kult Plus
30 July 2025 at 11:56

Një pjesë e kostumografisë shqiptare është dokumentuar në fondin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit përmes konkursit “Wanderlust in Albania 2”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot disa foto nga një pjesë e kostumografisë shqiptare, ndërsa e cilësoi këtë si një ndër pasuritë e çmuara të etnografisë dhe shpirtit të krahinave shqiptare.

Kumbaro tha se ato “janë të skalitura përjetësisht në kostumografinë tonë madhështore, disa prej të cilave dokumentuar në fondin e Agjencia Kombëtare e Turizmit përmes konkursit “Wanderlust in Albania 2″”.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.

Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.

Një pjesë e kostumografisë shqiptare e dokumentuar në fondin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit./atsh/KultPlus.com

“Independent”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira për pushime në vitin 2025

By: Kult Plus
30 July 2025 at 11:54

Jeni duke kërkuar një vend për pushime me buxhet të ulët? Ne ju rekomandojme pese destinacionet më të mira në vitin 2025 – nga Spanja në Shqipëri – për pushime të përballueshme, shkruan Sarah Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Independent”.

Shumica e turistëve britanikë do të donin të eksploronin destinacione të reja dhe në zhvillim, në vend të destinacioneve të njohura, të mbipopulluara dhe të shtrenjta për pushime.

Për fat të mirë, ka mjaft mundësi për të zgjedhur nëse doni të kurseni para pa bërë kompromis me diellin apo cilësinë e përvojave.

Shqipëria: Vendi më i mirë për aventura

Qoftë duke shëtitur nëpër rrugët me kalldrëm, duke zbuluar majat e maleve apo duke notuar në ujërat e kaltra të shndritshme, Shqipëria ka një ngjashmëri të madhe me fqinjën e saj elegante përtej detit Adriatik.

Por krahasuar me Italinë, plazhet janë më të qeta, vendet e fshehura janë më të shumta dhe çmimet janë dukshëm më të lira.

I specializuar në udhëtime për turistë 18-35 vjeç, “Contiki” është operatori i parë turistik për të rinj që ofron udhëtime në të gjithë vendin ballkanik.

Mësoni rreth të kaluarës përmes arkitekturës osmane, fashiste dhe sovjetike të kryeqytetit, Tiranës, ecni në shtigjet që të çojne në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe relaksohuni në plazhet e arta të Rivierës Shqiptare.

Udhëtimi tetëditor kushton 1,025 euro për person, duke përjashtuar fluturimet.

“Independent” rendit vendet më të mira për t’u vizituar në vitin 2025 – për pushime të përballueshme:

Vendi më i mirë për aventura: Shqipëria

Vendi më i mirë për plazhet: El Gouna, Egjipt

Vendi më i mirë për familjet: Galicia, Spanjë

Vendi më i mirë për ski: Voss, Norvegji

Vendi më i mirë për natyrën: Bosnjë-Hercegovina/atsh/

    Posta e Kosovës nderon regjisorin Bekim Lumi

    By: Kult Plus
    30 July 2025 at 11:34

    Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar, Bekim Lumi.

    Bekim Lumi (1966-2018) la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë, si regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe si pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar i dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar.

    Prej vitit 2006 deri më 2010, ai nxori revistën teatrore “Loja”. Me shfaqjet e tij ka marrë pjesë në dhjetëra festivale teatrore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si në: Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, e në vende të tjera.

    Për punën e tij regjisoriale është shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat veçohet ai i vitit 2006, kur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në Teatrin “Dodona”, fitoi çmimin kryesor ”Shfaqja më e mirë”.

    Po ashtu, në vitin 2016 u nderua nga Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin vjetor “Regjisor i vitit”. Për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, më 2019, Lumi u nderua nga MKRS-ja me shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit” dhe shfaqja u shpall “Shfaqja më e mirë e vitit”.

    Më 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave në fushën teatrore.

    Bekim Lumi, si pedagog dhe profesor, ishte figurë formuese e brezave të aktorëve të rinj dhe regjisorëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik dhe skenik në vend.

    Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia i ka botuar veprat, si: “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” 2019, një studim krahasues, librin me poezi “Engjëlli blu” 2021, si dhe librin “Loja e Bekim Lumit”, kritika, shqyrtime dhe shënime.

    Figura dhe veprat e Bekim Lumit vazhdojnë të mbesin inspirim për brezat që vijnë./KultPlus.com

    Sunny Hill Festival rikthehet më madhështor se kurrë

    By: Kult Plus
    30 July 2025 at 11:19

    Edicioni i sivjetmë mbahet prej 1 deri me 3 gusht me yjet të skenës ndërkombëtare si: Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anyma, Headie One, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro etj.

    Edicioni i sivjetshëm i Sunny Hill Festival sjell një nivel të ri madhështie, me skena gjigante që premtojnë një përvojë spektakolare për publikun.

    Skena kryesore ka përmasa mbresëlënëse: 62 metra gjerësi e mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi, duke krijuar hapësirë për performanca të jashtëzakonshme vizuale dhe muzikore. Dua Lipa, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Ledri, Yanina, Pint, Tayna, Era e Kida janë veç disa prej emrave që do të performojnë në këtë skenë.

    Ndërsa, skena C4 është 34 metra e gjerë e mbi 20 metra thellësi dhe 13 metra e lartë, e dizajnuar për artistët që sjellin energji alternative dhe eksperimentale duke ju mbajtur nën ritme të muzikës deri në orët e para të mëngjesit. Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin janë artistët që këtë edicion do performojnë në këtë skenë që këtë vit për herë të dytë, ia shton madhështinë festivalit.

    Mos e lini pa vizituar edhe skenën “The next stage”. Organizatorët aty kanë krijuar një vend ideal për ata që kërkojnë një atmosferë të veçantë ku dominojnë zërat e artistëve të rinj.

    Por Sunny Hill nuk është vetëm për muzikë. Festivali ofron edhe një përvojë të paharruar kulturore. Në parkun e Festivalit këtë edicion do zënë vend mbi 10 tenda promocinale dhe argëtuese me lojëra interaktive e aktivitet të ndryshme. E aty, do zënë vend edhe mbi 15 vendor të ushqimit që do ofrojnë mundësi të ndryshme për të shijuar opsione me të mira nga kuzhina vendase dhe ndërkombëtare.

    E veçanta e këtij edicioni padyshim mbetet fakti se Festivali Sunny Hill, këtë vit sjell më shumë artistë se çdo edicion tjetër. Artistë ndërkombëtarë, yje të skenës botërore bashkë me emra të dashur nga skena vendore dhe rajoni do e bëjnë këtë edicion të paharrueshëm.

    Nëse tashmë nuk e keni siguruar biletën tuaj, atë mund ta blini në: https://sunnyhillfestival.com/tickets/

    Meliza Krasniqi nderohet me çmimin “Dega e ullirit” në Panairin e Librit “Ulqini 2025” për librin dedikuar fëmijëve

    By: Kult Plus
    30 July 2025 at 11:13

    Shkrimtarja dhe autorja e njohur për fëmijë, Meliza Krasniqi, është nderuar me çmimin prestigjioz “Dega e ullirit” në kuadër të edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit “Ulqini 2025”, për librin e saj më të fundit “Me quajnë Nexhmije Pagarusha”.

    Çmimi u nda gjatë ceremonisë solemne të hapjes së panairit, në prani të figurave të rëndësishme të letrave dhe kulturës shqiptare në rajon. Juria e përbërë nga emra të njohur si Liridon Mulaj (kryetar), znj. Irena Toci, drejtoreshë e Institutit të Librit dhe të Promocionit, z. Genci Nimanbegu, kryetar i Komunës së Ulqinit, dhe z. Čazim Hodžič, vlerësuan lart vlerat artistike dhe edukative të veprës.

    Në një reagim publik, Krasniqi u shpreh thellësisht e nderuar për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë emocionale që ky çmim ka për të.

    “Ky çmim ka domethënie të veçantë për mua — si degë ulliri që më kujton se fjala për fëmijë mbjell paqe, kujtesë dhe shpresë”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.

    “Me quajnë Nexhmije Pagarusha” është një vepër që i prezanton gjeneratave të reja figurën madhështore të “Bilbilit të Kosovës”, në një mënyrë të ndjeshme, edukative dhe letrare. Libri konsiderohet një ndër përpjekjet më të arrira të autorës për të ndërtuar ura mes historisë kulturore dhe lexuesve të vegjël./KultPlus.com

    ❌
    ❌