Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Aeroplani përplaset me zogun, detyrohet të bëjë ulje emergjente në Madrid

By: e xh
4 August 2025 at 23:19

Një aeroplan pasagjerësh Airbus është detyruar të bëjë ulje në tokë pasi pësoi dëmtime të mëdha nga një përplasje zogjsh gjatë ngritjes nga një aeroport spanjoll.

Fluturimi IB579 i Iberias, i cili ishte planifikuar të nisej nga Madridi për në Paris këtë pasdite, u detyrua të kthehej në Aeroportin Adolfo Suárez Madrid-Barajas pasi goditi një zog të madh gjatë ngritjes.

Fotot nga aeroporti tregojnë se hunda e aeroplanit ishte dëmtuar rëndë, me një pjesë të materialit në pjesën e përparme që ra plotësisht, sipas Daily Mail.

Të dhënat e FlightRadar tregojnë se aeroplani bëri një qark të shkurtër mbi Madrid para se të ulej, pak më shumë se një orë pas ngritjes.

Ndryshe, ky është rasti i fundit në një seri pengesash për industrinë e aviacionit këtë javë, pasi aeroportet kryesore – duke përfshirë Heathrow, Gatwick, Manchester, Edinburgh dhe Birmingham – u detyruan të pezullojnë fluturimet me mijëra pasagjerë të bllokuar në pistë.

Një problem teknik në qendrën e kontrollit të trafikut ajror NATS Swanwick la të anuluara të gjitha fluturimet në Londër, duke shkaktuar kaos në udhëtime.

Vrasja e 65-vjeçarit në Vaun e Dejës/ Viktima, i dënuar më parë për vrasje

By: e xh
4 August 2025 at 22:10

Një 65-vjeçar është vrarë me armë zjarri në fshatin Paçram të Vaut të Dejës këtë të hënë.

Sipas policisë, rreth orës 21:00 në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi Frrok Lleshaj, 65 vjeç.

Policia ndodhet në vendngjarje, ndërsa është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë mbrëmje.

Sipas informacioneve, Lleshaj ka qenë i dënuar me parë me burgim për veprën penale “Vrasje me dashje”.

Yesterday — 4 August 2025Main stream

Robotët luajnë futboll/ Kina përgatitet për lojërat e para botërore të humanoideve

By: e xh
4 August 2025 at 21:36

Nëse futbolli me yjet më të njohur nuk ju emocionon mjaftueshëm, teknologjia më e fundit ka bërë që ky sport të luhet edhe mes robotëve.

Ekipet e robotëve nga Kina dhe vende të tjera po stërviten për Lojërat e para Botërore të Robotëve Humanoide, të cilat janë planifikuar të zhvillohen midis 14 dhe 17 gushtit në Pekin.

Tridhjetë ekipe robotësh nga vende si Shtetet e Bashkuara, Brazili, Gjermania dhe Portugalia janë regjistruar për të luajtur në garën e futbollit.

Të pajisur me sensorë vizualë të përparuar, robotët janë në gjendje të identifikojnë topin dhe të vrapojnë në fushë me shkathtësi.

Ata janë gjithashtu të projektuar për t’u ngritur vetë pasi rrëzohen.

Kina po rrit përpjekjet për të zhvilluar robotë humanoide të mundësuar nga inteligjenca artificiale, duke përdorur garat sportive si maratona, boksi dhe futbolli si një fushë prove në botën reale.

Vritet me armë zjarri një person në Vaun e Dejës

By: e xh
4 August 2025 at 21:36

Një 65-vjeçar është vrarë me armë zjarri në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Policia shprehet se shtetasi F. Ll wshtë gjetur nw rruge pa shenja jete.

Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorit.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Tiranës dhe Skënderbeut i bllokohet merkatoja, arsyeja

By: e xh
4 August 2025 at 21:14

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur t’i bllokojë merkaton Tiranës dhe Skënderbeut.

Me vendimin e sotëm të Komisionit të Disiplinës, atyre u ndalohet regjistrimi i lojtarëve të rinj, me nga tre dritare të bllokuara për secilin rast në të cilin nuk kanë zbatuar vendimet e dhëna nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve.

Ndërkohë, është paralajmëruar edhe klubi i Dinamos, që nuk ka shlyer detyrimet ndaj ish-trajnerit Dritan Mehmeti dhe përgatitësit Corrado Sachone.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 04.08.2025:

KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 18, datë 25.07.2024 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 5, datë 15.08.2024 të Komisionit të Posaçëm i Kompensimit për Trajnim, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 9, datë 02.09.2024 të Komisionit të Posaçëm i Kompensimit për Trajnim, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
KF Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 1, datë 13.01.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
KF Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 4, datë 30.05.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
KF Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 6, datë 07.07.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
Pranimin e kërkesës së kërkuesit Dritan Mehmeti. FC Dinamo City sh.a, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 23, datë 29.10.2024 të Komisionit të Posaçëm i Kompensimit për Trajnim, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin.
Pranimin e kërkesës së kërkuesit Corrado Saccone. FC Dinamo City sh.a, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 31, datë 12.12.2024 të Komisionit të Posaçëm i Kompensimit për Trajnim, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin.

Netanyahu merr vendimin: Pushtim i plotë i Gazës

By: e xh
4 August 2025 at 20:38

Kryeministri Benjamin Netanyahu konfirmoi se është marrë vendimi për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacionet në zonat ku mbahen pengje.

Zyra e Kryeministrit i përcolli mesazhin Shefit të Shtabit: “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë duhet të jepni dorëheqjen.”

Njoftimi vjen pas muajsh bisedimesh në Doha midis Hamasit, Izraelit dhe ndërmjetësve për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe pengmarrjeje.

Hamasi kërkoi që qindra kamionë me ndihma do të duhej të hynin në Rripin e Gazës që grupi terrorist të rikthehej në negociata, pavarësisht përpjekjeve të shtuara ndërkombëtare për të ofruar burime në enklavën palestineze.

Hamasi publikoi gjithashtu video gjatë fundjavës, duke treguar pengje të dobësuar dhe duke pretenduar se ata po vdisnin urie si pasojë e urisë së përhapur në Rripin e Gazës.

Grenell zgjedh jugun e Shqipërisë për të pushuar, çfarë po diskuton me Fevziun

By: e xh
4 August 2025 at 20:19

Richard Grenell, i Dërguari për Misione Speciale i SHBA, ka zgjedhur jugun e Shqipërisë për të kaluar disa ditë pushimi.

Konkretisht, Grenell, i cili gjithashtu mban dhe detyrën e drejtorit ekzekutiv të qendrës “Kennedy”, po shijon plazhet në Sarandë, ku dhe është takuar me gazetarin Blendi Fevziu.

Richard Grenell e ka vizituar disa herë Shqipërinë edhe për shkak të detyrave që ai ka mbajtur në administratën amerikane.

Në mandatin e parë si president të Donald Trump, Grenell u emërua si i dërguari special për bisedimet Kosovë-Serbi.

Gjithashtu, Richard Grenell është një njohës i mirë i klimës së politikës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të cilat shpesh ka mbajtur edhe qendrimet e tij.

Kamioni përplas ambulancën në Itali, tre viktima e disa të plagosur

By: e xh
4 August 2025 at 19:56

Një aksident tragjik ndodhi në Itali në autostradën mes Arezzos dhe Firences, ku një kamion u përplas me një ambulancë dhe automjete të tjera.

Si pasojë e përplasjes, 3 persona humbën jetën dhe të paktën 15 të tjerë u plagosën.

Sipas mediave italiane automjetet kishin ndaluar në momentin e aksidentit, për shkak të bllokimit të trafikut.Sipas informacioneve fillestare, kamioni nuk pati kohë të frenonte dhe goditi automjete të tjera njëra pas tjetrës, duke përfshirë një kamion tjetër, një rulotë, një autobus turistik dhe një ambulancë.

Ambulanca po transportonte një pacient 75-vjeçar dhe përplasja vrau tre personat që ndodheshin në të: pacientin, si dhe dy ndihmës mjekët që ishin në pjesën e pasme të automjetit.

Nga 15 të plagosurit njëri është dërguar në gjendje kritike në spital, katër kanë pësuar lëndime serioze, ndërsa pjesa tjetër kanë pësuar lëndime të lehta.

Sipas dëshmitareve që ndodheshin në vendngjarje, ambulanca u shtyp nga përplasja më pas shpërthyen flakët. Disa shoferë arritën ta shuanin zjarrin para se të përhapej, teksa autostrada mbeti e mbyllur për disa orë.

Institucionet e pavarura mbeten peng i Kuvendit të Kosovës

By: e xh
4 August 2025 at 19:21

Dhjetëra institucione dhe agjenci të pavarura të Kosovës, organet kolegjiale dhe individuale të të cilave emërohen nga Kuvendi i Kosovës, janë jofunksionale ose funksionojnë me mungesa për shkak të mosveprimit të legjislativit.

Institucioni i Avokatit të Popullit, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komisioni i Pavarur i Mediave janë në listën e këtyre institucioneve, të cilës pritet t’i shtohet edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kuvendi është përgjegjës për emërimet e drejtuesve dhe anëtarëve të bordeve, komisioneve dhe agjencive të ndryshme, si dhe mbikëqyrjen e punës së tyre.

Për shkak të mospajtimeve politike të subjekteve parlamentare, deputetët e legjislaturës së nëntë, e cila doli nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin që nga 15 prilli e deri më tash.

Më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme, që nënkupton se nga 27 korriku deri më 8 gusht deputetët nuk duhet të veprojnë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në shkurt të këtij viti dhe çfarë duhet të ndodhë tutje.

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, thotë se një numër i madh i institucioneve dhe agjencive që varen nga emërimet nga Kuvendi, mbeten peng i moskonstituimit të tij.

“E vendos në dyshim dhe në një situatë tepër të vështirë funksionimin demokratik të krejt institucioneve në Kosovë. Në anën tjetër, pasojat direkte të kësaj papërgjegjësie politike dhe institucionale i bart qytetari i Kosovës”, thekson Qelaj.

Në Institucionin e Avokatit të Popullit, katër zëvendësavokatëve u ka përfunduar mandati më 14 qershor. Ndërkaq, vetë Avokatit i përfundon mandati në muajin shtator.

Megjithëse ligjërisht ata e vazhdojnë punën e tyre deri në emërimet e reja nga Kuvendi, Qelaj shton se pasojat janë të pashmangshme në funksionimin e institucionit, në aspektin e planifikimit, dërgimit të rekomandimeve te institucionet tjera, si dhe në punët e përditshme.

AKP-ja së shpejti në listën e subjekteve me funksionalitet të kufizuar

Institucioni i Avokatit të Popullit është vetëm njëri nga institucionet që funksionon me mungesë të anëtarëve me mandat të rregullt.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në fillim të korrikut, publikoi një raport, në të cilin listoi 17 institucione, agjenci, komisione e borde që funksionojnë me mungesa, por edhe që janë krejtësisht jofunksionale.

IKD-ja e bën përgjegjës kryesor për këtë situatë shumicën parlamentare të legjislaturës së kaluar, e cila, sipas këtij instituti, “ndonëse kishte fuqinë për t’i realizuar këto emërime, zgjodhi të mos veprojë, duke lënë pas dore dhe neglizhuar obligimet kushtetuese dhe ligjore”.

“Kjo situatë çon në vonesa në ofrimin e shërbimeve publike, ndërprerje të mbikëqyrjes institucionale dhe dobësim të llogaridhënies në sektorët më të ndjeshëm për qytetarët”, është thënë në raportin e IKD-së.

Ky institut bëri thirrje për konstituimin e menjëhershëm dhe pa vonesa të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të fillojë përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për emërimin e anëtarëve në institucionet e pavarura.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është në mesin e institucioneve, të cilat pritet të hyjnë në fazën e funksionimit me mungesë.

Mentor Hyseni, kryesues i Bordit të AKP-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda katër vjetësh, 80 për qind të aseteve të saj janë kategorizuar për transformim në interes publik.

Planifikimet aktuale janë që edhe 5 për qind e aseteve të përgatiten për transformim në interesin publik, por Bordi i kësaj agjencie, që nga 6 gushti do të mbetet pa gjashtë anëtarë, të cilëve u përfundon mandati.

Pa emërimet e anëtarëve të rinj të Bordit nga Kuvendi, sipas tij, kuorumi për vendimmarrje do të mungojë dhe puna do të ngecë.

“Në këtë 5 përqindëshin e aseteve, neve na pengon [mos]konstituimi i Kuvendit. Unë jam kryesues i Bordit dhe i kam edhe dy vjet [mandat], bashkë me kryesuesin e Komitetit të auditimit, por nuk kemi kuorum për t’i shtyrë këto procese”, thekson Hyseni.

Ai shton se megjithatë, puna në përgatitjen e lëndëve do të vazhdojë. Por, për finalizimin e tyre, duhet pritur emërimet e reja në bordin e agjencisë.

Jofunksionaliteti i institucioneve “prek interesin e qytetarëve”

Pamundësia për të nisur procesin e emërimeve në institucionet dhe agjencitë e pavarura dhe ato që janë nën mbikëqyrje të Kuvendit, për shkak të moskonstituimit të legjislativit, do t’i mbajë ato pjesërisht funksionale ose jofunksionale fare, deri në fund të vitit, vlerësojnë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara – GAP.

Bekim Salihu nga ky institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se konstituimi i Kuvendit ende nuk duket në horizont, në mënyrë që më pas t’u qaset emërimeve në institucione dhe agjenci të pavarura.

Pasojat apo efektet e mundshme, sipas tij, do të jenë të drejtpërdrejta te qytetarët, për shkak se këto institucione ofrojnë shërbime që ndërlidhen me interesat e qytetarëve.

“Për shembull: Organi Shqyrtues i Prokurimit, në momentin që mbetet jofunksional, e që aktualisht është i tillë, atëherë nënkupton që të gjitha kontratat që janë lidhur në fushën e investimeve kapitale, që kanë të bëjnë me qytete, me lagje, me fshatra, me vendbanime, lokalitete etj., të gjitha këto kontrata mbesin të bllokuara”, thotë Salihu.

Ai shton se kontratat e tilla nuk mund të ekzekutohen nga autoriteti kontraktues, qoftë nga komuna apo instancat tjera.

Efektet e moskonstituimit të Kuvendit, siç thekson Salihu, përveç që po cenojnë qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve, buxhetin për to, janë duke ekspozuar mundësinë e cenimit të të drejtave të njeriut.

Në këtë kontekst, ai e sheh edhe jofunksionalitetin e Komisionit të Pavarur të Mediave, për shkak të mungesës së pesë anëtarëve të bordit të tij, mbetet jofunksional.

“Është një organ shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e qytetarëve nga cenimet që mund të vijnë nga media të caktuara, por edhe për mbrojtjen e mediave nga vetë pronarët dhe bartësit e këtyre subjekteve”, thekson Salihu.

Ditë më parë, organizatat që merren me të drejtat e gazetarëve, por edhe institucione të tjera ndërkombëtare, kanë ngritur shqetësimin se punëtorët e transmetuesit publik – Radio Televizionit të Kosovës – do të mbesin pa paga për muajin korrik.

“Vetë puna e këtij institucioni rrezikohet për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mungesës së themelimit të Komisionit parlamentar për buxhet”, ka paralajmëruar transmetuesi publik, më 24 korrik.

Shqetësimet lidhur me situatën financiare të transmetuesit publik i ka shprehur edhe Avokati i Popullit, Qelaj, i cili thotë se ky transmetues duhet të mbetet i pavarur dhe të funksionojë pa ndërprerje – edhe në kohë krizash politike e institucionale.

Qelaj thekson se me situata të ngjashme mund të përballen edhe institucione të tjera, të pavarura apo edhe të mbikëqyrura nga Kuvendi, për shkak të moskonstituimit të tij.

“Unë e kam parë këtë situatë, jo vetëm problematike në raport me funksionimin kushtetues të institucioneve, por edhe si një rast kur cenohet i tërë funksionimi demokratik në vend”, thekson Qelaj.

Nga Instituti GAP vlerësojnë se gjasat që Kuvendi i Kosovës të konstituohet së shpejti janë të pasigurta, ndërkohë që edhe në rast se kjo ndodh shpejt, emërimet në bordet e institucioneve dhe agjencive, si dhe miratimi i tyre nga Kuvendi, marrin kohë për disa muaj.

Kosova, sipas GAP-it, jo vetëm që rrezikon të futet në vitin 2026 me një listë prej rreth 20 institucionesh dhe agjencish që funksionojnë me mungesa ose që nuk funksionojnë fare, por lista pritet të zgjerohet edhe më shumë./REL

Trump kërcënon Indinë: Nëse vazhdoni të blini naftë nga Rusia, do rris tarifat

By: e xh
4 August 2025 at 18:46

Donald Trump kërcënoi sot se do të rrisë ndjeshëm tarifat që planifikon të vendosë për produktet e importuara në Shtetet e Bashkuara nga India, duke e akuzuar vendin se blen “sasi të mëdha nafte ruse”.

“India jo vetëm që blen sasi të mëdha nafte ruse, por më pas, pjesën më të madhe të naftës që blen, e shet në Tregun e Hapur për një fitim të madh. Ata nuk interesohen se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga makineria ruse e luftës”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.

“Për shkak të kësaj, unë do të rris ndjeshëm tarifat që India u paguan Shteteve të Bashkuara”, vazhdoi presidenti amerikan. Ai nuk hyri në detaje rreth shifrave të sakta.

Trump tha javën e kaluar se do të vendoste një tarifë prej 25% për mallrat e importuara nga India dhe shtoi se ekonomia e pestë më e madhe në botë do të përballet gjithashtu me një dënim të paspecifikuar, por nuk dha detaje.

Gjatë fundjavës, dy burime qeveritare indiane i thanë Reuters se India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia pavarësisht kërcënimeve të Trump.

Pas 11 vitesh në burg, ish-Kryeministri kroat Ivo Sanader lirohet me kusht

By: e xh
4 August 2025 at 18:38

Ivo Sanader, ish-Kryeministri i Kroacisë në periudhën 2003–2009, është liruar me kusht nga burgu, pas një vendimi të Gjykatës së Sisakut.

Ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 18 vite burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Sanader vuajti 11 vite burgim, duke i mbetur edhe 7 vite të tjera e 15 ditë burg. Për dënimin e mbetur, ish-Kryeministri kroat do të duhet të mbajë kontakt të rregullt me Zyrën e Shërbimit të Provës në Zagreb deri më 15 Gusht 2032.

Gjykata vlerësoi se Sanader kishte plotësuar kushtet për t’u liruar para përfundimit të plotë të dënimit.

Megjithatë, ai ishte parë më herët në publik në Zagreb dhe Kutina, pasi kishte përfituar edhe më parë dalje të përkohshme nga burgu.

Avokati i tij, Çedo Prodanoviç, shprehu habinë për vendimin, duke thënë se nuk ishte informuar për seancën që u mbajt në gjykatë.

“Nuk kam marrë asnjë njoftim dhe kjo është hera e parë që dëgjoj për këtë”, deklaroi ai për gazetën Jutarnji List.

72-vjeçari Sanader u dënua në vitin 2012 me shtatë vite burg për kanalizimin e fondeve nga ndërmarrje shtetërore drejt një fondi të paligjshëm të partisë së tij, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), si dhe për mosdeklarimin e donacioneve në financat e partisë.

Më pas, ai u dënua me gjashtë vite të tjera për marrje ryshfeti në shumën e 2.3 milionë eurove nga biznesmeni Stjepan Fioliç, lidhur me shitjen e një ndërtese, si dhe për dorëzimin e kontrollit të kompanisë shtetërore të naftës INA, në favor të një kompanie hungareze, në këmbim të një ryshfeti prej 10 milionë eurosh.

Mandati i tij si Kryeministër i Kroacisë u shoqërua nga një sërë skandalesh financiare, por ai njihet gjithashtu për qetësimin e krahut të djathtë brenda HDZ-së dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me pakicën serbe në Kroaci.

Sanader dha dorëheqjen papritur nga posti i Kryeministrit në vitin 2009, por arsyet e këtij vendimi nuk janë bërë kurrë të qarta.

Kërkonin ndihma ushqimore, 33 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite

By: e xh
4 August 2025 at 18:31

33 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit ndërsa përpiqeshin të siguronin ndihma ushqimore në Gaza, sipas spitaleve të zonës.

Dëshmitarë raportuan se u përballën me breshëri plumbash teksa turma të uritura po i afroheshin pikave të ndarjes së ndihmave.

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se një punonjës i saj u vra kur forcat izraelite granatuan zyrën e tyre.

Dy spitale në jug dhe qendër të Gazës raportuan se kanë pranuar trupa të vrarësh përgjatë rrugëve që çojnë drejt pikave të ndihmës të mbështetura nga Izraeli, përfshirë 11 të vrarë në zonën Teina, teksa po përpiqeshin të arrinin një pikë shpërndarjeje në Khan Younis.

Tre dëshmitarë palestinezë thanë për Associated Press se panë ushtarë që hapnin zjarr përgjatë këtyre rrugëve, të cilat ndodhen në zona ushtarake.

Njëri prej tyre, Yousef Abed, përshkroi se ishte vënë nën zjarr të pakontrolluar dhe pa të paktën tre persona të plagosur rëndë në tokë.

“Nuk munda t’i ndihmoja nga të shtënat”, ka thënë ai.

Basketboll/ Thirrje raciste kundër Shqipërisë, Federata denoncon ngjarjen në FIBA

By: e xh
4 August 2025 at 18:14

Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) bën me dije se ka denoncuar zyrtarisht në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) thirrjet raciste ndaj vendit tonë gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA World Cup mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, në qytetin e Kumanovës.

“Federata Shqiptare e Basketbollit informon se pas ngjarjes së ndodhur gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA World Cup mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në qytetin e Kumanovës ku u dëgjuan thirrje me përmbajtje raciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve ka ndërmarrë hapa zyrtarë për ta adresuar këtë çështje”, lexohet në njoftimin e FSHB-së.

“FSHB ka dërguar një letër zyrtare pranë FIBA World, duke denoncuar ngjarjen dhe kërkuar që të merren masa të qarta ndaj çdo veprimi që bie ndesh me frymën e barazisë dhe respektit që promovon sporti. Federata thekson se basketbolli duhet të jetë një hapësirë për bashkëpunim, respekt dhe përfaqësim dinjitoz, larg gjuhës së urrejtjes dhe çdo forme diskriminimi”, shton njoftimi.

Rama publikon pamjet nga lirimi i hapësirave publike: Iku dhe treni, vazhdojmë

By: e xh
4 August 2025 at 18:06

Këtë të hënë kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në vend.

“Iku dhe treni… vazhdojmë”, ka shkruar Rama krahas videos së publikuar.

Një lokal i ndërtuar në trotuarin ku kalojnë këmbësorët është çmontuar në videon e publikuar. Kreu i qeverisë ka ironizuar ndërtesën duke e cilësuar si “tren”.

Aksident në rrugën Fier-Levan, makina përplaset me shtyllën elektrike

By: e xh
4 August 2025 at 18:00

Një aksident ka ndodhur këtë të hënë në aksin  Fier- Levan, në afërsi të “ Kthesës së Zhupanit” .  Një automjet  ka humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur me shtyllën elektrike.

Nga përplasja e fortë ka mbetur i lënduar drejtuesi i automjetit , i  cili është transportuar drejt Spitalit Rajonal Fier për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë në vendngjarje ndodhet policia dhe grupi hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e shkaqeve të aksidentit në fjalë dhe punonjësit e OSHEE , për të bërë të mundur riparimin e kabujve të tensionit të lartë, të cilët ranë përtokë duke penguar edhe qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë.

Putin i përgjigjet lëvizjes së nëndetëseve nga Trump, zhvendos 4 bombardues drejt…

By: e xh
4 August 2025 at 17:54

Shqetësime të reja në lidhje me përshkallëzimin bërthamor midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë po ngrihen nga zhvendosja e të paktën katër bombarduesve bërthamorë strategjikë Tupolev Tu-95MS drejt perëndimit, më afër Evropës, nga Vladimir Putin, sipas informacionit nga shërbimi hetimor ukrainas “Insider UA”.

Bombarduesit të cilët përdoren shpesh për sulme në Ukrainë, por gjithashtu i përkasin arsenalit bërthamor të Moskës thuhet se janë tashmë të pajisur me raketa, gjë që sipas të njëjtit burim rrit ndjeshëm mundësinë e një sulmi të madh të afërt.

Tu-95MS thuhet se u zhvendosën nga baza ajrore Ukrainka në Lindjen e Largët në bazat Oleny dhe Engels-2 në Rusinë perëndimore vende të braktisura më parë për shkak të frikës nga sulmet ukrainase.

Lëvizjet, nëse konfirmohen, vijnë vetëm 24 orë pasi Donald Trump zbuloi se kishte urdhëruar lëvizjen e dy nëndetëseve bërthamore amerikane “më afër Rusisë”, në përgjigje të deklaratave të Dmitry Medvedev, i cili kërcënoi me luftë bërthamore.

“Nëndetëset tani janë aty ku duhet të jenë”, tha presidenti amerikan të dielën vonë në mbrëmje, duke shtuar se i kishte dhënë Putinit një ultimatum për të ndaluar zjarrin deri të premten ose për t’u përballur me sanksione të reja të SHBA-së.

I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë për në Moskë të mërkurën për bisedime. Sipas Trump, kërkesa për kontakt erdhi nga vetë regjimi i Putinit.

Kremlini: “Deklarat e Medvedevit nuk shprehin një qëndrim zyrtar”

Zëdhënësi i Kremlinit u përpoq të distancohej nga deklaratat e Medvedevit, duke vënë në dukje se “në Rusi, politika e jashtme përcaktohet ekskluzivisht nga presidenti Putin”.

Ndërsa pranoi se ka “zëra të vijës së ashpër” si në Rusi ashtu edhe në Perëndim, ai theksoi: “Ne nuk duam të përfshihemi në një luftë bërthamore. Ne jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çdo deklaratë të tillë. Rusia mbetet përgjegjëse dhe e përkushtuar ndaj mospërhapjes bërthamore. Nuk mund të ketë fitues në një luftë bërthamore”.

Gonxhja: Kredi pa interes për disa kategori, 20% grant për blerjen e banesës

By: e xh
4 August 2025 at 17:51

Qeveria ka miratuar vendimin për të lehtësuar përballimin e kostos së strehimit për disa kategori të veçanta, duke ofruar mundësinë e një kredie me interes 0%, e cila do të subvencionohet nga buxheti i shtetit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se programi i mbështetjes përfshin disa kategori të rëndësishme të shoqërisë dhe një nga përfitimet e këtij programi është një grant i menjëhershëm prej 20% të çmimit të banesës, i cili do t’u ofrohet familjeve të punonjësve të rendit që kanë rënë në detyrë dhe fëmijëve në përkujdesje të Republikës, një nismë që synon të mbështesë ata në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare.

“Mund të përfitojnë nga ky program familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë rënë në detyrë, fëmijët në përkujdesje të Republikës si dhe familjet qiramarrëse në ish-prona private. Një nga përfitimet e këtij programi është një grant i menjëhershëm prej 20% të çmimit të banesës, i cili do t’u ofrohet familjeve të punonjësve të rendit që kanë rënë në detyrë dhe fëmijëve në përkujdesje të Republikës, një nismë që synon të mbështesë ata në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare”, tha Gonxhja.

Për ata që duan të aplikojnë për këtë mundësi, procesi është i thjeshtë.

Së pari, ata duhet të hyjnë në portalin e-Albania, ku mund të kërkojnë shërbimin “Aplikim për përfitim kredie me 0% interes – Enti Kombëtar i Banesave”. Pasi të plotësojnë formularin elektronik dhe të ngarkojnë dokumentacionin e kërkuar, ata mund të dërgojnë aplikimin.

Aplikimi mund të bëhet në çdo kohë, pa afat të caktuar dhe nuk kërkohet thirrje nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).

Zgjedhjet 2023/ SPAK çon për gjykim pesë persona për blerje votash në Rrogozhinë

By: e xh
4 August 2025 at 17:45

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykim të çështjes penale nr. 161 të vitit 2023, në ngarkim të shtetasve:

Limon Shala

Fatmir Thaçi

Florant Saraçi

Engjell Cara

Shkëlqim Hoxha

Në përfundim të hetimeve të kryera, të mbështetura në prova dhe analiza ligjore, ka rezultuar se:

Shtetasit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi janë vënë nën akuzë për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50, germa “h” të Kodit Penal.

Shtetasi Shkëlqim Hoxha akuzohet për veprën penale“Moskallëzim i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Hetimet treguan se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që të votonin në favor të kandidatit, Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.

Gjithashtu, ka rezultuar se shtetasi Shkëlqim Hoxha ishte në dijeni të kësaj veprimtarie të paligjshme, më konkretisht se shtetasit Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të angazhuar në sigurimin dhe ofrimin e biletave të udhëtimit për persona të ndryshëm, me qëllim pjesëmarrjen në votime si dhe dhënien e votës në favor të tij, për shkak të cilësisë së tij si kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë Ai nuk e ka kallëzuar në organet kompetente, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, konkretisht nenin 300 i Kodit Penal.

Procedimi penal nr. 161/2023 është bashkuar me procedimin penal nr. 162/2023, duke u hetuar si një çështje e vetme, për shkak të përputhjes së fakteve dhe subjekteve nën hetim.

Regjistrimi i procedimeve është bërë mbi bazën e referimeve të përcjella nga strukturat hetimore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Moti i keq në Britaninë e Madhe, dëmtime hekurudhore dhe rrugore nga erërat e forta

By: e xh
4 August 2025 at 17:17

Erëra me shpejtësi që tejkalojnë 160 kilometra në orë kanë goditur Britaninë, ndërsa stuhia Floris ka përfshirë vendin, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në udhëtime, mungesë të energjisë elektrike dhe anulime masive të ngjarjeve në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas The Guardian, zonat më të goditura ishin Skocia qendrore dhe veriore, ku është lëshuar një paralajmërim portokalli dhe autoritetet kanë urdhëruar ndalimin e udhëtimit deri në mbrëmje.

Një paralajmërim i verdhë u dha njëkohësisht për Irlandën e Veriut, pjesë të Uellsit Verior dhe Anglinë Veriore, ku meteorologët paralajmëruan për “erëra jashtëzakonisht të forta dhe potencialisht shkatërruese”.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Britanik, në Malësitë e Skocisë u regjistruan erëra që arritën deri në 170 kilometra në orë, ndërsa në zonat e populluara ato shkuan deri në 144 kilometra në orë. Shumë udhëtarë në Britani janë përballur me vështirësi, pasi një numër i madh i shërbimeve hekurudhore janë pezulluar. ScotRail ka vendosur një kufi shpejtësie prej 50 mph në disa nga linjat e saj, për shkak të rrezikut të lartë.

Në një postim në rrjetet sociale, kompania hekurudhore u bëri thirrje banorëve që jetojnë pranë linjave hekurudhore të sigurojnë mobiljet e kopshtit dhe trampolinat, për të shmangur rrëzimin e tyre në shina. Disa linja në Skoci u dëmtuan nga pemët që ranë mbi to, duke ndërprerë plotësisht trafikun hekurudhor në disa zona.

Shoferët britanikë janë paralajmëruar të tregojnë durim, pasi Ura Forth dhe ura të tjera të rëndësishme janë mbyllur për autobusët me dy kate, automjetet e mëdha, motoçiklistët dhe këmbësorët. Në autostradën A87, disa karvanë u përmbysën për shkak të erërave të forta. Pemët e rrëzuara kanë bllokuar rrugë në Skoci dhe kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë.

Disa ngjarje të planifikuara për ditën e hënë janë anuluar. Më e spikatura është Royal Edinburgh Military Tattoo, e cila u anulua për herë të parë në historinë e saj 75-vjeçare, për shkak të kushteve ekstreme të motit.

Stuhia Floris është cilësuar si më e forta që ka goditur Britaninë gjatë këtij muaji gusht. Meteorologu i Met Office, Peter Sloss, i tha BBC Radio Scotland se kjo ishte një situatë “në territor të paeksploruar”.

 

Storm floris hits london, uk today#storm #StormFloris #london #unitedkingdom pic.twitter.com/MGIQrlYaLm

— ONE man (@JOSHUA_LORDP) August 3, 2025

5 shenjat e horoskopit që do të kenë një javë plot surpriza

By: e xh
4 August 2025 at 16:58

Pavarësisht problemeve që mund të keni pasur më parë, kjo javë do të jetë e mbushur plot me surpriza.

Nëse u përkisni shenjës së Gaforres, Virgjëreshës, Akrepit, Shigjetarit apo shenjës së Peshqve atëherë jeni një nga “të favorizuarit e universit”. Shfrytëzoni mundësitë për rritje, komunikim dhe krijim!

Gaforrja
Këtë javë do të përfshiheni nga një atmosferë ripërtëritjeje dhe vendosmërie. Në vend që të kërkoni vlerësim të jashtëm, do të vini re se vetëbesimi juaj forcohet përmes fitoreve të vogla dhe zbulimeve personale. Është koha ideale për të ripërcaktuar prioritetet dhe për të guxuar të bëni një hapa të mëtejshëm.

Virgjëresha
Java ju fton t’i besoni procesit, pa u përpjekur të kontrolloni gjithçka. Bashkëpunimet dhe shkëmbimet e ideve janë veçanërisht të frytshme. Nëse u hapni derën të tjerëve, do të zbuloni se mbështetja është më afër nga sa mendonit.

Akrepi
E vërteta, sado e dhimbshme të jetë, të çliron. I drejtohesh vetëanalizës së brendshme dhe kupton se disa marrëdhënie ose perceptime kanë bërë një rreth të plotë. Kjo është koha për sqarim, pastrim të mendjes që hapin shtigje të reja.

Shigjetari
Entuziazmi dhe zjarri juaj i brendshëm do të bëhen udhërrëfyesit tuaj. Në vend që të prisni që rrethanat të “piqen “, do të ndjeni dëshirën për t’i krijuar ato vetë. Këtë javë, fati ju favorizon – veçanërisht kur bëhet fjalë për njohje të reja.

Peshqit
Ëndërroni shumë dhe tani ato ëndrra po fillojnë të marrin formë. Nëse e keni injoruar intuitën tuaj, këtë javë do ta dëgjoni më qartë se kurrë. Po ju thërret që të vini idetë tuaja në veprim.

❌
❌