Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Main stream

Vllaznia mposht islandezët, rrit shanset për kalimin e turit të dytë

By: A R
24 July 2025 at 23:00

Vllaznia fitoi 2-1 ndaj Vikingur Reykjavik, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Conference League, ndeshje që u luajt në Shkodër.

Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 10, kur ekipi nga Islanda ndëshkoi shkodranët me Gunnarsson.

Në pjesën e dytë, ishte Bajrami ai që vendosi ekuilibrat në minutën e 67.

Vllaznia përmbysi ndeshjen me golin e Malës, në minutën e 75.

Me këtë fitore, ekipi shkodran e nis me avantazh ndeshjen e kthimit në Islandë.

The post Vllaznia mposht islandezët, rrit shanset për kalimin e turit të dytë first appeared on JavaNews.al.

Ministria e Brendshme italiane: Protokolli me Shqipërinë, “model për Evropën”

By: A R
24 July 2025 at 22:52

Protokolli i bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë, i cili ka qenë sërish në qendër të diskutimeve për shkak të kostove të Qendrës së Pritjes dhe Ripatriimit (CPR) në Gjadër, po cilësohet nga burimet e Ministrisë së Brendshme italiane si një “investim themelor” dhe një “model i vlerësuar gjerësisht” në Evropë.

Sipas stafit editorial të ANSA-s, burimet nga Ministria e Brendshme e përshkruajnë këtë protokoll si një “përgjigje konkrete, e strukturuar dhe efektive”. Pritet që, sapo të bëhet plotësisht funksional, ai të ulë në mënyrë drastike kostot e pritjes së emigrantëve dhe të përshpejtojë riatdhesimet, në përputhje me rregulloret e reja evropiane që do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm.

Këto komente vijnë në një kohë kur organizata si ActionAid dhe Universiteti i Barit kanë analizuar kostot e qendrës së Gjadrit, duke shtuar në debatin publik rreth efikasitetit dhe ndikimit financiar të protokollit. Megjithatë, për Ministrinë e Brendshme italiane, kjo marrëveshje mbetet një shembull pozitiv për menaxhimin e flukseve migratore në kontinent.

The post Ministria e Brendshme italiane: Protokolli me Shqipërinë, “model për Evropën” first appeared on JavaNews.al.

Spahiu: Rithemelimi i PD është i vetmi në histori që nuk u rikthye asnjë themelues

By: A R
24 July 2025 at 22:44

Juristi Kreshnik Spahiu, ka deklaruar se në rithemelimin e PD nuk u rikthye asnjë themelues i kësaj partie.

Teksa u ndal tek zgjedhjet e 11 majit, ai tha se rezultati që mori PD ishte rezultati më maksimal që mund të merrte.

‘Ky ishte rezultati më maksimal që mund të merrte PD për hir të një realiteti që duhet thënë PD edhe sikur të vinte një tjetër në vend të Berishës vetëm me mënyrën si e ka ngrirur sistemin dhe si ka hyrë në zgjedhje. Unë nuk jam ndarë tezës se rezultati i zgjedhjeve është ndarë nga Rama dhe nga Berisha dhe do të shkatërrojnë edhe partitë e reja. Ata janë si dy nofulla të të njëjtës gojë dhe ata e kanë kuptuar këtë mekanizëm. Berisha ka marr sa ka dashur, ka marr logon dhe partinë dhe këtë e ka imponuar përmes forcës politike. As unë dhe askush nuk shkon tek SPAK dhe të bëjë deklarata të forta, dhe ai këtë e bënë këtë gjë. Kam dëgjuar shumë teori të hapet PD, po sikur edhe të hapi 10 dyer PD-ja nuk shkon njëri aty sepse mënyra si është ndërtuar se gjen veten në atë ambient. Rithemelimi i PD është i vetmi në histori që nuk u rikthye asnjë themelues tek kjo parti’, tha ai.

The post Spahiu: Rithemelimi i PD është i vetmi në histori që nuk u rikthye asnjë themelues first appeared on JavaNews.al.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, hyjnë zyrtarisht në fuqi afatet dhe standardet e reja për gjykimin e çështjeve

By: A R
24 July 2025 at 22:36

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar vendimin, i cili përcakton afate standarde minimale kohore dhe standarde minimale sasiore për gjykimin e çështjeve. Ky vendim, i cili ka hyrë të enjten zyrtarisht në fuqi, u propozua nga anëtarët Irena Plaku, Ridvan Hado dhe Markelian Koça. Ai synon të rrisë efikasitetin e gjykatave, të balancojë ngarkesën e punës së gjyqtarëve dhe të forcojë besimin publik tek sistemi i drejtësisë.

Vendimi, sipas KLGJ-së, bazohet në parimet e mirëqeverisjes, efektivitetit, transparencës dhe gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Afatet dhe standardet e përcaktuara në këtë vendim janë orientuese dhe aplikohen vetëm për ato çështje për të cilat ligji nuk parashikon afate gjykimi.

Synimi, sipas saj, “është rritja e efektivitetit të gjyqtarëve në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe administrativ (shkalla e parë dhe apelit), si dhe në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar (shkalla e parë dhe apelit).”

Standardi minimal kohor do të thotë që gjykimet duhet të realizohen brenda një afati kohor minimal, që fillon nga data e caktimit të gjyqtarit të çështjes. Për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, afati fillon nga data e nxjerrjes së çështjes për gjykim.

Ndërsa standardi minimal sasior nënkupton një ngarkesë pune minimale që gjyqtari duhet të realizojë brenda një viti kalendarik.

“Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve mund të përcaktojë standarde të tjera kohore dhe sasiore, duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjeve, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe uljen e çështjeve të prapambetura.”, thuhet në vendim, shkruan rtsh.al.

Afatet standarde minimale kohore për llojet e çështjeve

Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, sa i përket seksioni penal, lidhur me kërkesat penale dhe kundërvajtjet penale, nuk duhet ti shqyrtojë më gjatë se 2 muaj.

Ndërsa çështjet penale me dënim deri në 10 vjet, jo më gjatë se 9 muaj.

“Çështjet penale me dënim mbi 10 vjet ose burgim të përjetshëm, jo më gjatë se 12 muaj.”, thuhet në vendim.

Seksioni civil

Kërkesat me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nuk duhet të shkojnë më gjatë se 1 muaj. Ndërsa çështjet civile pa palë kundërshtare, jo më gjatë se 2 muaj.

“Afati për çështjet civile me objekt marrëdhënie pune, nuk është më gjatë se 4 muaj. Çështjet tregtare dhe familjare pa palë kundërshtare, afati jo më gjatë se 4 muaj. Çështjet civile, tregtare dhe familjare me palë kundërshtare, jo më gjatë se 6 muaj. Çështjet civile themeli të natyrës komplekse, afati jo më gjatë se 12 muaj.”, thekson vendimi.

Lidhur me Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit Administrativ, kërkesat administrative me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, afati jo më gjatë se 1 muaj.

Kërkesat administrative pa palë kundërshtare, jo më gjatë se 2 muaj, ndërsa çështjet administrative me palë kundërshtare, jo më gjatë se 6 muaj.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Kundërvajtjet penale nuk duhet kanë si afat  jo më gjatë se 2 muaj, ndërsa kërkesat penale jo më gjatë se 3 muaj. Sa i përket çështjeve penale nga themeli, ato duhet të kenë si afat shqyrtimi jo më gjatë se 6 muaj.

“Kërkesat civile me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe ato pa palë kundërshtare, jo më gjatë se 2 muaj. Çështjet civile me objekt marrëdhënie pune dhe çështjet familjare, jo më gjatë se 4 muaj. Çështjet civile dhe tregtare me palë kundërshtare, jo më gjatë se 6 muaj. Çështjet civile me palë kundërshtare, të natyrës komplekse, jo më gjatë se 12 muaj.”, nënvizohet në vendim.

Gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, lidhur me kërkesat penale, vendimi përcakton se ato duhet të kenë si afat shqyrtimi jo më gjatë se 4 muaj.

“Çështjet penale me dënim deri në 10 vjet, jo më gjatë se 9 muaj. Çështjet penale me dënim mbi 10 vjet ose burgim të përjetshëm, jo më gjatë se 12 muaj.”, përcakton vendimi.

Standardet minimale sasiore (për gjykimin si relator brenda një viti kalendarik)

Gjyqtari i shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm duhet të ketë jo më pak se 200 çështje me palë kundërshtare dhe jo më pak se 200 çështje pa palë kundërshtare.

Gjyqtari i shkallës së parë të juridiksionit administrativ, jo më pak se 200 çështje me palë kundërshtare dhe jo më pak se 150 çështje pa palë kundërshtare.

Ndërsa gjyqtari i gjykatës së apelit (përgjithshëm dhe administrativ) duhet të ketë jo më pak se 200 çështje me palë kundërshtare.

“Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ketë jo më pak se 20 çështje me palë kundërshtare. Ndërsa gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ketë jo më pak se 20 çështje me palë kundërshtare.”, theksohet në vendim, shkruan rtsh.al.

Monitorimi dhe raportimi

Kryetarët e gjykatave do të monitorojnë zbatimin e këtyre standardeve çdo tre muaj dhe do të dërgojnë raportet përkatëse pranë KLGJ-së. Në rast se një gjyqtar nuk i arrin këto standarde, ai duhet të raportojë tek Kryetari i Gjykatës për arsyet e mosrealizimit dhe masat që do të ndërmarrë, duke përcaktuar edhe nevojën për burime njerëzore shtesë. Raporti i gjyqtarit do të përfshihet në raportimin e gjykatës drejt KLGJ-së.

Ky vendim, sipas KLGJ-së, shënon një përpjekje të rëndësishme për të sjellë më shumë efikasitet dhe transparencë në sistemin gjyqësor shqiptar, duke vendosur pritshmëri të qarta për gjyqtarët dhe duke synuar një drejtësi më të shpejtë dhe më të besueshme për qytetarët.

The post Këshilli i Lartë Gjyqësor, hyjnë zyrtarisht në fuqi afatet dhe standardet e reja për gjykimin e çështjeve first appeared on JavaNews.al.

“Është shans që i kemi, të rrojnë sa më gjatë”, Kapexhiu flet për Berishën dhe Ramën: Kanë mbetur në histori

By: A R
24 July 2025 at 22:29

Artisti Bujar Kapexhiu, I ftuar në emisionin “Të Pekspozuarit” në MCN TV u shpreh kundër thirrjeve për të larguar nga skena politike, figura të vjetra të saj si Sali Berisha dhe Edi Rama. Ai u shpreh se ata tashmë kanë hyrë në historinë e Shqipërisë dhe është një shans I madh që janë dhe duhet të jenë sa më gjatë.

« Unë jam më i madh në moshë se Sali Berisha se kam lindur disa muaj më parë se ai. Është shans që i kemi këta si Sali Berisha dhe le t’i kemi sa më gjatë. Duam s’duam, e do nuk e do ti figurën e Ramës dhe të Berishës janë figura që kanë mbetur në historinë shqiptare, tashmë i takojnë historisë. Kanë një kontribut të caktuar që njëra shumicë numëron vetëm të mirat, tjetra vetëm gabimet.

Berisha është shumë i respektueshëm. Më duket absurd që Ramës berisha u themi ik. Absudriteti më i madh është kur dëgjoj “Rama Ik”. Tani për Berishën dhe Ramën, njëri nuk është artist tjetri nuk është mjek. Ata janë politikanë tashmë dhe nuk mund t’u thuash ik.

Profesioni i tyre është politika.

A duan ta heqin Ramën? Janë 500 mijë që duan të heqin, por kur të bëhen shumicë le ta hiqen. Ai ka thënë se do të iki kur dua vetë. Mund t’i them edhe unë lëre mjaft, por ai e di më mirë vetë. Është si puna e futbollistit që lë kupucët kur bën golin dhe ikën.

Ik si kryetar partie, ik si kryeministër dhe hajde të rrimë bashkë si shok si mik”- tha Kapexhiu.

The post “Është shans që i kemi, të rrojnë sa më gjatë”, Kapexhiu flet për Berishën dhe Ramën: Kanë mbetur në histori first appeared on JavaNews.al.

Alarm në Itali nga virusi i Nilit Perëndimor, 32 raste dhe dy të vdekur

By: A R
24 July 2025 at 22:19

Italia ka konfirmuar 32 raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor dhe dy viktima që nga fillimi i vitit 2025, në një kohë kur në Europën Jugore është vënë re një rritje e përhapjes së sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat.

Virusi i Nilit Perëndimor përhapet kryesisht përmes pickimeve të mushkonjave të infektuara, zakonisht gjatë muajve të ngrohtë të verës. Raste të infektimit këtë vit janë raportuar edhe në Greqi dhe Itali.

Shumica e rasteve në Itali janë regjistruar në provincën Latina, në rajonin e Lazios, rreth 100 kilometra në jug të Romës. Instituti Kombëtar i Shëndetit (ISS) bëri publike të dhënat në raportin javor të së enjtes, duke vënë në dukje se “trendi epidemiologjik është në përputhje me vitet e mëparshme”, megjithëse shpërndarja gjeografike e rasteve “duket mjaft e ndryshme”.

Rastet janë konfirmuar gjithashtu në rajonet Piemonte, Veneto, Emilia-Romagna dhe Campania. Dy viktimat janë regjistruar njëra në qytetin Fondi dhe tjetra në provincën e Novarës.

“Virusi i Nilit Perëndimor është endemik në vendin tonë prej disa vitesh,” deklaroi Anna Teresa Palamara, drejtore e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISS. Ajo shtoi se janë marrë masa për të parandaluar përhapjen e tij.

“Të kujtojmë se 80 për qind e rasteve të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor janë asimptomatike dhe rreziku për pasoja të rënda është më i madh për personat më të brishtë,” theksoi Palamara.

Rajoni i Lazios konfirmoi 12 raste të reja të enjten, pas analizave të kryera në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive “Lazzaro Spallanzani” në Romë.

Sipas ISS, ethet e Nilit Perëndimor shkaktohen nga një virus që bën pjesë në familjen Flaviviridae dhe është identifikuar për herë të parë në vitin 1937 në rajonin Nilit Perëndimor të Ugandës.

Rezervuarët kryesorë të virusit janë zogjtë e egër dhe mushkonjat, kryesisht të llojit Culex. Infektimi tek njerëzit ndodh përmes pickimeve të mushkonjave, ndërsa nuk ka rrezik për përhapje nga njeriu te njeriu.

The post Alarm në Itali nga virusi i Nilit Perëndimor, 32 raste dhe dy të vdekur first appeared on JavaNews.al.

Vrasja e 56-vjeçarit në Fier, nënë e bijë inskenuan krimin, e çuan më parë te kardiologu që…

By: A R
24 July 2025 at 22:12

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja makabër në fshatin Frashër të Fierit, ku vajza vrau babanë me tel.

Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, ngjarja dyshohet se është planifikuar sepse para disa ditësh, nënë e bijë e kishin çuar 56-vjeçarin, Anesti Rama në spital për vizitë te kardiologu në mënyrë që të justifikonin vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa në orën 01:00 është telefonuar policia.

Emanilda Rama, 26-vjeçarja ka deklaruar në polici se babai ka rënë në tualet dhe vdiq. Së bashku me nënën e kanë larë dhe kanë veshur trupin e pajetë.

Kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, policia ka parë mavijosje në qafe nga ku kanë lindur dyshimet se vdekja nuk ishte natyrale.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Fier/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje.

Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.

Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.

Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.

Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).

Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.

53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.

Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

The post Vrasja e 56-vjeçarit në Fier, nënë e bijë inskenuan krimin, e çuan më parë te kardiologu që… first appeared on JavaNews.al.

Leka: E majta çahet vetëm nga ideali; Bejko: E djathta bashkohet vetëm nëse Berisha tërhiqet

By: A R
24 July 2025 at 22:03

Në një debat të zhvilluar në emisionin “Real Story” në ABC News, analistët Martin Leka dhe Roland Bejko trajtuan çështjen e fragmentimit të partive kryesore në Shqipëri, me fokus të veçantë mbi të majtën dhe të djathtën politike.

Leka theksoi se përçarja e së majtës së Ramës mund të vijë vetëm nga një forcë e majtë me ideale të qarta, duke kritikuar partitë e vogla që, sipas tij, thjesht qahen.

“Berisha thotë kërkon edhe të ikë Veliaj edhe të qëndrojë në bashki. Ai kërkon që të përçajë të majtën e Ramës. Partia e majtë e Ramës mund të çahet vetëm nga një parti e majtë apo e qendrës së majtë duke pasur ideale dhe programe të ndryshme nga këto partitë e vogla që qahen”, tha analisti Martin Leka.

Ndërkohë, Bejko argumentoi se vetëm largimi i Berishës, si akt i vetëdijshëm apo si pasojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, mund të çojë drejt një bashkimi të së djathtës dhe një ndryshimi të vërtetë politik.

“Partia çahet vetëm nëse Berishës i vjen një frymëzim hyjnor dhe dorëhiqet. E çan një e djathtë e bashkuar. Nëse Berisha tërhiqet dhe kujdeset për një proces të paanshëm, ose drejtësia dhe amerikanët”, u shpreh analisti Roland Bejko.

The post Leka: E majta çahet vetëm nga ideali; Bejko: E djathta bashkohet vetëm nëse Berisha tërhiqet first appeared on JavaNews.al.

Yesterday — 24 July 2025Main stream

‘Telenovela’ e Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ‘ngrin’ për 10 ditë çdo veprim

By: A R
24 July 2025 at 21:54

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka kthyer sot përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së, duke vendosur masë të përkohshme nga e diela 27 korrik deri më 8 gusht.

Kushtetuesja ka lejuar që të rrjedhë afati 30 ditor që përfundon të shtunën. Prej të dielës pastaj Kuvendi nuk ka të drejtë të mblidhet dhe as të marrë vendime.

Në Kushtetuese është edhe një kërkesë e presidentes Vjosa Osmani për të cilën ende nuk është shprehur Kushtetuesja.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur ex officio masë të përkohshme në rastet KO193/25 dhe KO196/25, të parashtruara nga: Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është të përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25.

 Gjykata, më 24 korrik 2025, ka vendosur njëzëri:

TË CAKTOJË ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25;

TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025 në kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025;

T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;

 TË PUBLIKOJ këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 Ky Vendim hyn në fuqi më 27 korrik 2025.

The post ‘Telenovela’ e Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ‘ngrin’ për 10 ditë çdo veprim first appeared on JavaNews.al.

Franca krijon regjim të ri burgu për bosët e drogës, hidhet dritë mbi pasardhësin e mundshëm të Macronit

By: A R
24 July 2025 at 21:48

Franca po merr masa drastike për të luftuar krimin e organizuar, me Ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin, që ka urdhëruar transferimin e 100 bosëve më të rrezikshëm të drogës në një burg me siguri maksimale në Francën veriore, Vendin-le-Vieil. Ky veprim i diskutueshëm, i njoftuar të enjten, vjen ndërsa Darmanin pozicionohet si një kandidat i mundshëm për pasardhës të Presidentit Emmanuel Macron në zgjedhjet e vitit 2027.

Sipas Darmanin, këta të burgosur janë aq të pasur dhe të fuqishëm saqë, edhe pas hekurave, ata mund të vazhdojnë të urdhërojnë vrasje, të drejtojnë operacione të trafikimit të drogës dhe të pastrojnë para. Zgjidhja e tij është ndërtimi i një regjimi të rreptë burgimi, i cili ka ngjallur polemika dhe krahasohet nga kritikët me burgjet e ashpra amerikane si “Supermax” ose regjimin italian “carcere duro” për anëtarët e mafias.

Kushtet e rrepta në burgun Vendin-le-Vieil

Në burgun e përforcuar Vendin-le-Vieil, të burgosurit e përzgjedhur do të mbyllen në qeli individuale për 23 orë në shumicën e ditëve. Kjo masë synon t’i shkëpusë ata kryesisht nga bota e jashtme, duke i penguar të nxisin dhunën e lidhur me drogën, e cila është bërë një çështje politike në Francë.

“Ne jemi këtu për të garantuar që ata të mos flasin me jashtë, që të mos vazhdojnë trafikimin e tyre jashtë, që të mos korruptojnë oficerët e burgut, magjistratët, oficerët e policisë dhe xhandarët,” deklaroi Darmanin në televizion, pas transferimit të 17 të burgosurve të parë këtë javë, ndjekur nga 12 të tjerë të enjten.

Vajdin-le-Vieil tashmë strehon disa nga të burgosurit më famëkeq të Francës, përfshirë Salah Abdeslam, i mbijetuari i vetëm i sulmeve terroriste të vitit 2015 në Paris. Për t’i hapur rrugë të sapoardhurve, shumë të burgosur të tjerë janë zhvendosur. Të ardhurit e rinj do të grupohen në “Seksionin për Luftimin e Krimit të Organizuar”, me siguri dhe rregullore të përforcuara, të pajisur me sisteme bllokuese të sinjaleve të telefonave celularë dhe dronëve. Ndër të transferuarit është edhe Mohamed Amra, i njohur si “Miza”, i cili organizoi një arratisje vitin e kaluar duke vrarë dy roje.

Kufizime drastike dhe shqetësime për të drejtat

Kushtet në Vendin-le-Vieil janë “jashtëzakonisht të vështira”, sipas Darmanin. Të burgosurve do t’u lejohet vetëm një orë në ditë në oborrin e ushtrimeve, në grupe jo më shumë se pesë persona. Qelitë individuale janë të pajisura me vrima për prangosje dhe sisteme rripash për dyert.

Raporti i rojeve me të burgosur është shumë i lartë, me 250 roje për 100 të burgosur, krahasuar me raportin normal prej 20 rojesh për 100 të burgosur. Kontaktet me familjarët do të kufizohen në maksimum dy orë, dy herë në javë, dhe dhomat e vizitave do të kenë ndarëse xhami sigurie për të parandaluar kontrabandën. Gjithashtu, të burgosurve nuk do t’u lejohen të drejtat për kohë intime me partnerët dhe anëtarët e familjes, të ofruara në burgjet e tjera.

Kritika dhe aspiratat politike të Darmanin

Ndërsa Darmanin argumenton se këto masa janë të nevojshme për të parandaluar që Franca “të zhytet në narko-banditizëm”, kritikët shprehin shqetësim. May Sarah Vogelhut, avokate e njërit prej të burgosurve të transferuar, thekson rrezikun e grupimit të kaq shumë kriminelëve të rrezikshëm dhe paralajmëron se kushtet e vështira mund të shkaktojnë ndikime të papranueshme në shëndetin mendor të të burgosurve.

“Është pothuajse më shumë si një klub rrjetëzimi për trafikantët miliarderë të drogës,” tha Vogelhut, duke shtuar se barriera prej xhami në dhomat e vizitave është “çnjerëzore” dhe do t’i “dehumanizojë” të burgosurit.

Këto masa shihen edhe si një lëvizje politike nga Gérald Darmanin, i cili, pasi ka shërbyer si ministër i Llogarive Publike, ministër i Brendshëm, dhe së fundmi si ministër i Drejtësisë, ka demonstruar besnikëri ndaj Macronit. Ndërsa lidhjet me një president jopopullor mund të dëmtojnë kandidaturën e tij, përvoja qeveritare dhe retorika e ashpër ndaj krimit mund të jenë tërheqëse për votuesit.

Darmanin ka njoftuar plane për të paktën dy njësi të tjera burgu të sigurisë së lartë për trafikantët e drogës, përfshirë një në Guianën Franceze. Vogelhut akuzon Darmanin se po përpiqet të fitojë vota duke luajtur me “frikën dhe ankthet e francezëve” dhe se këto masa “nuk do të zgjidhin asnjë problem” apo nuk do të çojnë në uljen e krimit. AP

The post Franca krijon regjim të ri burgu për bosët e drogës, hidhet dritë mbi pasardhësin e mundshëm të Macronit first appeared on JavaNews.al.

“Pallatet e vjetra do ngelen pa shitur!”

By: A R
24 July 2025 at 21:38

Pas publikimit të çmimeve të reja të referencës, ndërtimet e vjetra rrezikojnë të mbeten jashtë tregut.

“Gjithmonë ato që janë më të prekurat, apo që do të dëmtohen më shumë janë ndërtimet e vjetra, ndërtime që kanë vite në treg do të penalizohen ose mund të mbeten edhe të pashitura” shprehet agjenti imobiliar Ervin Demirxhiu pas publikimit të çmimeve të reja të referencës.

Çmimet e referencës për apartamentet po përgatisin qytetarët për një valë të re rritjeje në vitet e ardhshme. Por nga ana tjetër, ato sjellin një penalitet të drejtpërdrejtë për pallatet e vjetra. Tirana, zona e plazhit në Durrës dhe Ishulli i Sazanit janë ndër pikat ku pritet të ndihen më së shumti efektet e reja të çmimeve.

“Normalisht do të ndikojnë negativisht sepse do të jetë një barrë për qytetarin, dhe kjo do të vihet re më shumë tek pronat që janë nën nivelin e çmimeve të referencës,”- u shpreh ai.

Rritjen më të madhe të çmimeve të referencës e kanë marrë sigurisht zonat ku po ndërtohet Porti i ri i Durrësit nga miliarderi Mohamed Alabbar me çmime që arrijnë deri në 2000 euro/m², si dhe Ishulli i Sazanit, ku pritet të ndërtohen resortet luksoze nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

“Për bregdetin ishte e pritshme që do të kishim një rritje të madhe sepse ka vite që në bregdet nuk janë rishikuar çmimet e referencës dhe çmimet e tregut janë shumë të larta,”- deklaroi Demirxhiu.

Edhe zonat e tjera bregdetare si Shkëmbi i Kavajës, Golemi, Lezha dhe Saranda, kanë përjetuar rritje të ndjeshme të çmimeve të referencës, duke zhvendosur vëmendjen e investitorëve drejt bregdetit.

The post “Pallatet e vjetra do ngelen pa shitur!” first appeared on JavaNews.al.

KB i Tiranës miraton disa vendime. Ristani apel qytetarëve për kujdes ndaj zjarreve dhe lirimin e hapësirave publike

By: A R
24 July 2025 at 21:29

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, i bëri thirrje qytetarëve për vëmendje të shtuar ndaj rrezikut të zjarreve gjatë këtyre ditëve të nxehta vere, duke kërkuar një bashkëpunim të gjerë për raportimin në kohë të çdo vatre të dyshuar.

“Jemi në ditët më të nxehta të korrikut dhe rreziku për zjarre është shumë i lartë. Ju ftoj të gjithëve për bashkëpunim. Jeni përfaqësues të komuniteteve tuaja dhe mund të jepni ndihmesë të çmuar për të parandaluar përhapjen e flakëve. Vetëm së fundmi, në zonën e Teleferikut u përfshinë nga zjarri rreth 3000 metra katrorë. Dua të falënderoj të gjithë zjarrfikësit dhe shërbimet publike për ndërhyrjen në kohë dhe shmangien e pasojave,” u shpreh Ristani.

Në vijim të fjalës së saj, ajo falënderoi qytetarët për bashkëpunimin e treguar deri më tani në lirimin e hapësirave publike dhe i inkurajoi që të vazhdojnë të raportojnë raste të tilla.

“Faleminderit për gjithë bashkëpunimin tuaj, sinjalizimet, durimin. Ajo që dua të bëjmë të gjithë bashkë është të kuptojmë se jemi këtu për një mision të përbashkët: për t’u rikthyer hapësirat publike qytetarëve. Kemi një numër të kufizuar forcash ndërhyrjeje, ndërkohë që çdo ditë marrim nga 500 deri në 2000 denoncime. Për këtë arsye, kërkoj mirëkuptimin tuaj që çdo shqetësim do të trajtohet sipas rendit dhe në kohën e duhur,” theksoi ajo.

Një tjetër moment i rëndësishëm i mbledhjes ishte njoftimi për rijetëzimin e Pallatit të Kongreseve, që shumë shpejt do të kalojë në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Sipas Ristanit, “Pallati i Kongreseve, pavarësisht mirëmbajtjes ndër vite, ka shfaqur shenja të qarta amortizimi. Për këtë arsye, institucione të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të marrë përsipër rijetëzimin e tij.

Ky projekt synon ta shndërrojë godinën në një qendër multifunksionale për konferenca, evente kulturore, tubime publike dhe politike.

Do të përmirësojë infrastrukturën, do të nxisë turizmin dhe zhvillimin ekonomik lokal, si dhe do të krijojë mundësi për investime, punësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, kulturor e intelektual.”

Ndërkohë, në rendin e ditës u miratuan edhe një sërë vendimesh të rëndësishme me karakter social. U miratuan familjet përfituese nga programi i bllok-ndihmës ekonomike për periudhën maj-qershor 2025, si dhe individët dhe familjet që do të përfitojnë bonusin e qirasë, si pasojë e prekjeve nga projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e aksit Thumanë–Vorë–Kashar.

Po ashtu, u trajtuan me subvencion qiraje disa familje në nevojë që nuk mund të përballojnë tregun e lirë të banesave. Në fund, u miratua edhe kompensimi ushqimor për nxënësit e shkollave publike, të përfshirë në projektin “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, për periudhën prill-qershor 2025.

The post KB i Tiranës miraton disa vendime. Ristani apel qytetarëve për kujdes ndaj zjarreve dhe lirimin e hapësirave publike first appeared on JavaNews.al.

“Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që studioja për aktor”, Kapexhiu rrëfen si “dezertoi” nga Inxhinieria e Ndërtimit

By: A R
24 July 2025 at 21:21

Artisti shumëplanësh Bujar Kapexhiu, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për të rrëfyer jetën dhe veprën e tij të gjatë dhe të larmishme.

I lindur në Tiranë, Kapexhiu është shquar si aktor, regjisor dhe më vonë edhe si karikaturist. Ai tregoi se edhe pse mori të drejtën e studimit për inxhinieri, triumfoi dashuria që kishte për teatrin, e cila e çoi të konkuronte dhe të hynte në Institutin e Arteve dhe kjo pa dijeninë e prindërve, të cilëve ua mbajti të fshehtë për gati dy vite, derisa u emërua që të jetë regjisor në Estradën e Tiranës.

“Unë kam lindur në Tiranë, në një lagje që është afër Liceut Artistik, rruga “Qamil Guranjaku”. Në atë rrugë jam lindur dhe rritur dhe jam larguar nga viti 1972 sepse shtëpitë tona përdhese me qerpiç, ato bahçet e mëdha me pemë frutore të bukura dhe filloi ndërtimi i pallateve. Me nostalgji kur kaloj ndonjëherë gjej shtëpinë, portën…

“Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që studiova

Nëna ime tërë jetën e saj punoi si kuzhiniere dhe rrobaqepëse dhe të gjitha rrobat i bënte ajo.

Unë kam lindur në Tiranë, por prindërit e mi, babai është nga Dibra e Madhe që erdhi në vitin 1013, nëna im ishte nga Korça. Po të marrësh hartën dhe ta palosësh në mes Dibra bie mbi Korçë.

“Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që studiova
Prindërit e Kapexhiut

Nuk kam qenë fëmijë i prapë, por i shkathët, i lëvizshëm dhe që fëmijë jam marrë me teatër lagjeje.

“Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që studiova

Motra dhe vëllai im ishin binjakë. Tani ata me siguri janë në parajsë dhe na shohin nga lart. Motra iku para 3-4 vitesh, vëllai më shpejt.

“Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që studiova
Kapexhiu me binjakët, motrën dhe vëllain

Adoleshenca për mua ishte kohë kur e kalova bukur, mirë, këndshëm. Isha nxënës shumë i mirë, kam mbaruar shkollën  «Kosova».

Dashuria ime e parë ka qenë 10-12 vjeç që mendoja dikë që e kisha në lagje, që e ndjeja shumë të afërt. Unë kam patur një shans se kam patur shtëpi me oborr me shumë fruta dhe në mes ka qenë një man i madh ku mblidhej gjithë lagjja kur shkundej dhe kurr rritej në maksimum bëhej rozë. Atëherë vinte edhe ajo vajza. Mbeti një dëshirë platonike dhe kënaqësi kur rrinim bashkë.

Që në vogëli jam marrë me teatër, me teatrin e hijeve me perde kur i vendonim drita prapa, jam marrë me pikturë, recitoja jashtëzakonisht shumë. Kur vinin mysafirët në shtëpi unë i thoja nënës : Të filloj të recitoj? Çdo vit fitoja fletë kampi me recitime, në Durrës, në Vlorë, Pogradec.

“Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që studiova
student inxhinierie

Në gjimnaz filloi konflikti familjar. Prindërit donin që të bëhesha inxhinier se atëherë doktor dhe inxhinier kishin vlerë. Donin të bëhesha arkitekt, meqë merresha me pikturë. Unë desha teatrin. Mua më doli e drejta e studimit për inxhinieri ndërtimi dhe unë mbarova vitin e parë. Në këtë kohë kur unë bëja praktikën e gjeodezisë erdhi Dhimitër Pecani që ishte në vitin e parë për aktor dhe më thotë eja se ka nisur konkursi. I mora leje profesorit dhe mora provën. Pasi recitova pedagogët më thanë fiton.

“Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që studiova
Kapexhiu si volejbollist

Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që isha për aktor. Nëna me thoshte që në vitin e parë bëja shumë vizatime tani jo. I bëjmë në shkollë, i thashë.

Nëna ime ishte te kuzhina, im atë te mekaniku, ndërsa unë vazhdoja shkolën dhe kur mbarova ata u gëzuan shumë se të gjithë shokët e inxhinierisë i dërguan në veri, mua më mbajtën në Tiranë. Unë u caktova regjisor në Estradën e Tiranës, meqë merrsha me humor, me karikaturën”- rrëfeu Kapexhiu.

The post “Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që studioja për aktor”, Kapexhiu rrëfen si “dezertoi” nga Inxhinieria e Ndërtimit first appeared on JavaNews.al.

Marrëveshja për emigrantët, raporti: Italisë i kushtoi 114 mijë euro në ditë qendra në Gjadër

By: A R
24 July 2025 at 21:13

Marrëveshja me Shqipërinë për ndërtimin e dy qendrave të ndalimit për emigrantët po rezulton e shtrenjtë për Italinë. Sipas një raporti të publikuar nga ActionAid dhe Universiteti i Barit, ky model është “jashtëzakonisht i kushtueshëm, i padobishëm dhe çnjerëzor”.

Sipas raportit, qendrat në Shëngjin dhe Gjadër, të hapura në tetor 2024, kanë konsumuar miliona euro fonde publike të Italisë.

Vetëm për ndërtimin e qendrës në Gjadër janë shpenzuar 74.2 milionë euro, me një kosto prej 153 mijë eurosh për çdo shtrat. Në kontrast, një qendër e ngjashme në Itali (Porto Empedocle) ka kushtuar vetëm 21 mijë euro për shtrat.

Në vetëm 5 ditë operimi real gjatë vitit 2024-ës, qendrat shqiptare i kanë kushtuar shtetit italian 570 mijë euro, ose thënë ndryshe, 114 mijë euro në ditë për të mbajtur vetëm 20 persona, të cilët më pas u liruan.

Raporti thekson se janë shpenzuar edhe 528 mijë euro shtesë për akomodimin dhe ushqimin e personelit të policisë që shërbente në këto struktura, pa llogaritur kostot e transportit detar nga Italia në Shqipëri.

Në prill 2025, pas dështimit të tre operacioneve të para për transferimin e azilkërkuesve, qeveria italiane e ndryshoi funksionin e qendrës në Gjadër dhe e përdori për emigrantët në pritje për dëbim. Por edhe kjo strategji, për ActionAid duket absurde, pasi në strukturat ekzistuese italiane ka ende 263 vende bosh.

Fabrizio Coresi nga ActionAid tha se “shfrytëzimi i Gjadrit është jo vetëm i pakuptimtë, por edhe irracional”.

Qeveria italiane po e përdor marrëveshjen me Shqipërinë si një model për të ardhmen. Komisioni Europian i Ursula von der Leyen dhe disa vende anëtare të BE-së po e shohin këtë eksperiment si shembull të mundshëm për qendra ndalimi jashtë BE-së, sipas modelit të “vendit të tretë të sigurt”.

Madje kjo ide  kryeministres italiane ka fituar terren mes europianëve. Më 22 korrik gjatë një takimi në Kopenhagen mes ministrave të Brendshëm të vendeve të BE-së, plani mori miratimin fillestar të Francës dhe Gjermanisë. Nëse mbështetja për këtë qasje zgjerohet, propozimi mund të shndërrohet në politikë zyrtare të BE-së deri në fund të vitit.

The post Marrëveshja për emigrantët, raporti: Italisë i kushtoi 114 mijë euro në ditë qendra në Gjadër first appeared on JavaNews.al.

Sherri Shabani-Lapaj, Mërtiri: Përçarja nuk do të thotë se s’ka ideale.‘Të vegjlit’ duhet të…

By: A R
24 July 2025 at 21:05

Analisti Ergys Mërtiri komentoi për ‘Real Story’ përçarjen brenda lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ mes Lapajt dhe Shabanit. Mërtiri tha se debatet brenda kësaj partie vijnë për shkak të mandateve të limituara dhe nuk ka një korelacion mes mungesës së idealeve dhe përçarjes politike.

Më tej në analizën e tij, Mërtiri tha se partitë e vogla duhet të bashkohen brenda një boshti politik.

“Fakti që zihen për një mandat, janë banale. Nuk do të thotë se ata nuk kanë parime apo nuk e duan këtë vend. Nuk mund tua mohojmë këtë gjë vetëm se tregojnë papjekuri në këtë aspekt. Nuk mund ju vendosim vizën. Mund ta quaj dhe egoizëm që këta nuk u bën bashkë përpara zgjedhjeve. Po të ishin bërë bashkë, do kishin bërë një goditje.

Do kishte mandate për të gjithë dhe nuk do ziheshit. Ata kanë një mandat prandaj zihen. Është e vështirë të mbash aktivistë të bashkuar dhe përçarja është normale. Njerëzit që përçahen nuk do të thotë që nuk kanë ideale. Duhet të ketë një bashkim, duhet të sillen si një bosht. Nëse flitet për ideale, ideali nuk mund të shkojë përpara pa thyer sistemin.” 

The post Sherri Shabani-Lapaj, Mërtiri: Përçarja nuk do të thotë se s’ka ideale.‘Të vegjlit’ duhet të… first appeared on JavaNews.al.

I shoqi në Japoni, ajo me CEO-n / Prapaskena e videos virale në koncertin e Coldplay

By: A R
24 July 2025 at 20:57

CEO i Privateer Rum, Andrew Cabot, ndodhej në një udhëtim pune kur gruaja e tij, Kristin Cabot, u kap nga kamera e puthjeve në koncertin e Coldplay. Sipas New York Post, të afërmit e çiftit u shastisën nga skandali.

Sipërmarrësi ndodhej në një udhëtim në Japoni dhe kur u kthye, e gjeti veten dhe familjen në mes të një ’stuhie’ mediatike.

“Andrew ishte në Azi për disa javë dhe u kthye të shtunën, kështu që ai kishte ikur kur ndodhi e gjithë kjo”, tha burimi, i cili kërkoi të mbetej anonim. “I gjori!”

Kristin dhe Andrew Cabot kishin disa kohë të martuar para finalizimit të divorcit të saj në vitin 2022.  Burimi tha se nuk kishte pasur shenja problemesh mes çiftit para videos virale në koncert.

“Familja tani thotë se kanë pasur probleme prej disa muajsh dhe po diskutonin ndarjen, çka më duket interesante sepse një muaj më parë po thoshin sa të dashuruar ishin”, vijoi burimi.

Çifti kishte blerë një rezidencë me vlerë 2.2 milionë dollarë vetëm pesë muaj para skandalit. Andrew Cabot është pjesë e një prej familjeve më të vjetra dhe të pasura të Bostonit.

Kompania e tij shet pije të cilat mund të shkojnë deri në 100 dollarë për shishe.

The post I shoqi në Japoni, ajo me CEO-n / Prapaskena e videos virale në koncertin e Coldplay first appeared on JavaNews.al.

Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan të tjera pamje: Vazhdon të rikthehet ajri për komunitetin

By: A R
24 July 2025 at 20:47

Pasi nisi një aksion të gjerë kundër zaptimit të hapësirave publike, kryeministri Edi Rama po përqendrohet tani tek efektet që ka sjellë ai. Sot më 24 korrik, Rama ka shpërndarë disa pamje nga zona e Freskut në Tiranë.

“Në Tiranë vazhdon të rikthehet ajri për komunitetin”, shkruan ai në rrjetet sociale teksa në një prej komplekseve të zonave po hiqen strukturat që pengonin kalimin e qytetarëve në trotuare.

Kujtojmë se aksionet për lirimin e hapësirave publike nisën nga Vlora, aty ku kryeministri bëri kritika të forta. Më pas nisi verifikimi në të gjithë territorin, ku në Theth pati edhe shembje të ndërtesave pa leje.

Kreu i qeverisë është shprehur se nuk do të ketë më tokë të zëna dhe ka paralajmëruar një reformë në territor për t’u dhënë fund ndërtimeve abuzimeve, zaptimeve të hapësirave publike dhe rregullimit të hapësirave të përbashkëta.

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan të tjera pamje: Vazhdon të rikthehet ajri për komunitetin first appeared on JavaNews.al.

Shtojca e re e WhatsApp s’ju lë të harroni asnjë mesazh!

By: A R
24 July 2025 at 20:40

WhatsApp po zhvillon një opsion të ri “Remind Me” që përdoruesit të mos humbasin bisedat e rëndësishme.

Risia po testohet me përdoruesit beta në Android dhe lejon vendosjen e kujtesave për mesazhe individuale në çfarëdo bisede. Ideja e kësaj është që ju mos të humbisni ose të harroni t’i përgjigjeni diçkaje të rëndësishme në bisedat personale ose në grup.

“Remind Me” funksionon edhe për fotot, videot dhe GIF. Mbani shtypur mesazhin dhe më pas klikoni  menunë. Aty mund të caktoni një interval kohor prej 2, 8 ose 24 orë apo ta përshtasni sipas nevojës.

Një ikonë zileje do të shfaqet krah mesazhit.

Kur plotësohet koha, WhatsApp dërgon një njoftim me etiketën “Reminder”. Aty përfshihet mesazhi, emri i dërguesit ose grupit dhe një përmbledhje nëse ka imazhe. Njoftimi është si një lajmërim i zakonshëm duke ju rikthyer vëmendjen te mesazhi në fjalë.

Veç kësaj, WhatsApp po punon edhe për një shtojcë automatike që do t’ju lajmërojë për mesazhet e palexuara nga kontaktet me të cilët flisni shpesh.

Momentalisht, shtojca e “Remind Me” është e disponueshme vetëm për përdoruesit e Android beta.

The post Shtojca e re e WhatsApp s’ju lë të harroni asnjë mesazh! first appeared on JavaNews.al.

“Pas humbjes së zgjedhjeve Berishën e pret burgu”, Çupi: Dosjet e tij janë njëra pa tjetrës

By: A R
24 July 2025 at 19:52

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka krahasuar situatën e dy figurave të njohura të politikës shqiptare: Erion Veliaj dhe Sali Berisha.

Ai theksoi kontrastin mes qëndrimit të secilit ndaj drejtësisë, duke nënvizuar se ndërsa Veliaj përballet me hetime pa reaguar publikisht, Berisha sipas tij sulmon vazhdimisht institucionet si SPAK dhe drejtësinë në tërësi.

Çupi paralajmëron se pas humbjes së zgjedhjeve, Berisha mund të përballet me pasoja të rënda ligjore, për shkak të një sërë dosjesh të hapura ndaj tij.

“Kemi dy personalitet politike ballë-përballë, Erion Veliaj dhe Sali Berisha. Veliaj u thirr para disa muajsh, kurse Berisha vjet. Ndërkohë që Veliaj është i burgosur, Berisha është i lirë. Veliajt nuk i është mbyllur hetimi. Veliaj nuk ka bërë asnjë revoltë kundër drejtësisë, kurse Berisha bën grushte të fuqishme kundër SPAK dhe drejtësisë. Berisha në kundërshtim me ligjin i ka bërë të gjitha. Jemi në kohën kur krimin i madh po bëhet prezumor në çështje të tjera. Duket sikur Veliaj dhe çdo njeri tjetër i mazhorancës është si kukull në dorë në Berishës. Pas humbjes së zgjedhjeve Berishën e pret burgu, dosjet e tij janë njëra pa tjetrës. Patjetër që duhet të japë edhe dorëheqjen. Duhet zgjuar ndërgjegjja dhe vetëdija”, tha analisti.

The post “Pas humbjes së zgjedhjeve Berishën e pret burgu”, Çupi: Dosjet e tij janë njëra pa tjetrës first appeared on JavaNews.al.

VIDEO / Rama ndan reportazhin e BBC: Lini, vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë

By: A R
24 July 2025 at 19:44

Arkeologë shqiptarë dhe zvicerianë kanë gjetur materiale të reja në kërkimet disavjeçare në në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec, të cilat flasin për vendbanimin më të hershëm liqenor në Europë.

Sipas analizave laboratorike mbetjet e drurit të shtëpive të zbuluara në ujë datojnë rreth 8000 deri në 4000 vjet p.e.s.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga reportazhi i BBC-së, që përshkruhet se është vendbanim disa qindra vjet më i vjetër se vendet e njohura më parë të banimit të liqeneve në rajonet e Mesdheut dhe Alpine.

“Arkeologët kanë zbuluar atë që besohet të jetë vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë, në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri. Dëshmitë tregojnë se një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe bujqish ka jetuar aty deri në 8 000 vjet më parë”, thuhet në një reportazh të fundit të rrjetit mediatik të BBC.

Rama shkruan se grupi i arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë të intervistuar thonë se po vijojnë të punojnë çdo ditë mbi këtë zbulim, duke u zhytur në 3 metra thellësi.

“Deri më tani nuk është zbuluar as 1% e asaj që mendohet të ketë qenë pjesë e këtij vendbanimi të hershëm, ku janë gjetur mostra druri, kockash, qeramike dhe materialesh të tjera”, shtoi Rama.

Të dhënat tregojnë se zona ka shërbyer si qendër ku zhvillohej bujqësia, zejtaria dhe peshkimi rreth 8 500 vite më parë, çka e bën vendbanimin më të vjetrin e zbuluar tani edhe në krahasim me vendbanime të ngjashme.

The post VIDEO / Rama ndan reportazhin e BBC: Lini, vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë first appeared on JavaNews.al.

❌
❌