Çfarë armësh nuk do t’i dërgojë më Gjermania Izraelit?
Pas vendimit të Izraelit për pushtimin e Gazës, kancelari gjerman, Friedrich Merz këtë të premte ka njoftuar se Gjermania nuk do t’i furnizojë më Izraelit pajisje ushtarake “që mund të përdoren në Rripin e Gazës”.
Politikani i CDU-së mori këtë vendim pasi u bë e qartë se Izraeli po përgatit “veprime ushtarake edhe më të ashpra në Rripin e Gazës”.
Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite po merr përgjegjësi edhe më të madhe sesa më parë për furnizimin e popullsisë civile.
Qeveria izraelite duhet të sigurojë qasje të plotë për ndihmën humanitare, si për organizatat e OKB-së, ashtu edhe për organizata të tjera joqeveritare.
Çfarë furnizon Gjermania për Izraelin?
Për shembull, armë kundër tankeve dhe municion – të cilat gjithashtu mund të përdoren në Gaza.
Në një përgjigje të qeverisë gjermane në fillim të qershorit ndaj një pyetjeje parlamentare nga partia e Majtë, u bë e ditur se furnizimet për Izraelin përfshinin “ndër të tjera armë zjarri, municion, pjesë armësh, pajisje të veçanta për ushtrinë tokësore dhe marinën, pajisje elektronike si dhe automjete të blinduara speciale”.
Kjo deklaratë i referohet periudhës nga 7 tetori 2023 deri më 13 maj 2025. Pajisjet ushtarake nuk janë specifikuar më tej.
Janë përmendur disa të ashtuquajtura pozicione të listave të eksportit (A0001 deri A0022), të cilat sipas Rregullores për Tregtinë e Jashtme ndahen më tej në nënkategori.
Në të kaluarën, Gjermania ka furnizuar edhe nëndetëse, të cilat nuk përdoren në Gaza. Gjithashtu, armët që mund të përdoren për mbrojtje nga sulmet nga Irani nuk do të përfshihen në ndalimin e furnizimit. /Telegrafi/
The post Çfarë armësh nuk do t’i dërgojë më Gjermania Izraelit? appeared first on Telegrafi.