Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Main stream

FOKUS – Rekord shkarkimesh të oficerëve të policisë në BM

23 July 2025 at 22:48

LONDËR, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Një numër rekord oficerësh të  policsë janë shkarkuar nga detyra në Angli dhe Uells gjatë vitit të fundit, sipas të dhënave të reja nga Ministria e Brendshme britanike.

Të dhënat tregojnë se 426 oficerë u pushuan nga puna ose ju ndërprenë kontratat në 12 muajt deri në mars, një rritje prej 17% krahasuar me rekordin e mëparshëm prej 365 oficerësh dhe më shumë se dyfishi i numrit të shkarkimeve në vitin 2019-20, kur ishin vetëm 164 raste.

Në maj, qeveria forcoi rregullat për standardet e sjelljes, përfshirë lehtësimin e shkarkimit të atyre që dështojnë në kontrollin e të dhënave personale ose kryejnë shkelje të rënda disiplinore.

Gjatë së njëjtës periudhë 12-mujore, 4 806 oficerë u larguan vullnetarisht nga puna, shifra e dytë më e lartë që nga viti 2006, megjithëse pak më e ulët se rekordi prej 5 15 largimesh në vitin 2023-24.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur forcat policore kanë paralajmëruar qeverinë se niveli i financimit nuk mjafton për të ruajtur trupën ekzistuese.

Në fund të marsit 2025, kishte 146 442 oficerë me kohë të plotë (FTE), një rënie prej pothuajse 1% nga rekordi prej 147 745 vitin e kaluar.

Metropolitan Police pati rënien më të madhe me 1 022 oficerë më pak ,një rënie prej 3%.

Planet për një rritje mesatare prej 2.3% në shpenzimet për polici u përballën me kritika të forta nga drejtuesit e policisë, të cilët paralajmëruan për një mungesë financimi që pritet të arrijë në 1,2 miliardë paund dhe që do të sjellë shkurtime të tjera.

“Do të humbim 10 000 oficerë me përvojë në vit deri në fund të periudhës së rishikimit të buxhetit, për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të papranueshme të punës”, tha Tiff Lynch, kryetare në detyrë e Federatës së Policisë, tha:“

Gavin Stephens, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë, shtoi se fondet e lëvrura janë larg nga çfarë nevojitet për të zbatuar planet e qeverisë dhe për të ruajtur stafin aktual.

Qeveria është zotuar të rekrutojë 13 000 oficerë patrullimi deri në vitin 2029, me 3000 rekrutime të reja që pritet të jenë aktive deri në pranverën e ardhshme.

Ndërkohë, numri i rekrutimeve të reja ra me 17%, në 7 874 rekrutë (pa përfshirë transferimet), nga 9,492 një vit më parë. Kjo ndjek një rënie dramatike prej 42% në vitin 2022-23, kur ishin rekrutuar 16 355 oficerë.

Reagime politike

Konservatorët e quajtën rënien e numrit të policëve një “goditje shkatërruese” për komunitetet që përballen me krime dhe sjellje antisociale në rritje.

Shifrat përfshijnë tre muajt e fundit të qeverisë konservatore dhe nëntë muajt e parë të laburistëve në pushtet.

Chris Philp, ish-sekretar hije për çështjet e brendshme nga radhët e konservatorëve, akuzoi laburistët duke thënë se “ata kanë zhgënjyer policinë dhe publikun. Kanë rritur ndjeshëm taksat, kanë shpërdoruar paratë dhe tani po pakësojnë numrin e policëve. Publiku është më pak i sigurt për shkak të paaftësisë së tyre.”

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme deklaroi se qeveria është e përkushtuar për të rikthyer policimin në lagje dhe se deri në mars 2026 do të ketë 3 000 oficerë dhe punonjës policie shtesë në komunitet, falë një investimi prej 200 milionë paundësh.

“Numri i oficerëve ka qenë i qëndrueshëm që nga korriku i kaluar, pavarësisht rënies mes marsit dhe qershorit 2024. Megjithatë, rritja premtuese në policimin në lagje tregon se po shohim më shumë oficerë në rrugët tona”, shtoi zëdhënësi.  /Ad.Ab./

 

The post FOKUS – Rekord shkarkimesh të oficerëve të policisë në BM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Kryebashkiaku i Londrës kërkon njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez

23 July 2025 at 22:29

LONDËR, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Kryetari i bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, ka shtuar presionin ndaj qeverisë britanike në lidhje me Izraelin, duke kërkuar nga ministrat që të “njohin menjëherë shtetin palestinez”.

Khan deklaroi se Britania e Madhe “duhet të bëjë shumë më tepër për të ushtruar presion ndaj qeverisë izraelite që të ndalë këtë vrasje të tmerrshme e të pakuptimtë”, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë për uri masive në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë të publikuar sot  në platformën X, Khan, që vjen nga Partia Laburiste, përmendi “fëmijë të uritur që kërkojnë ushqim mes rrënojave” dhe “anëtarë familjesh që vriten nga ushtarë izraelitë ndërsa kërkojnë ndihma ushqimore”.

“Komuniteti ndërkombëtar,  përfshirë qeverinë tonë, duhet të bëjë shumë më tepër për të ushtruar presion mbi qeverinë izraelite që të ndalojë këtë vrasje të pakuptimtë dhe të lejojë ndihmat jetike të hyjnë në Gaza”, shtoi ai.

“Britania duhet të njohë menjëherë shtetin palestinez. Nuk mund të ketë zgjidhje me dy shtete nëse nuk ka më një shtet të quajtur Palestinë”, tha Khan.

Kryepeshkopi i York-ut, Stephen Cottrell, figura më e lartë aktualisht në Kishën Anglikane, e quajti dhunën, urinë dhe çnjerëzimin ndaj popullsisë së Gazës nga qeveria izraelite si “të mbrapshtë dhe të pajustifikueshme”.

“Sanksionet, vonesat dhe fragmentimi nga ana e qeverisë izraelite nën një rrethim të plotë kanë krijuar kaos, uri dhe vdekje”, tha ai.

“Në emër të Zotit, ngre zërin kundër këtij sulmi barbar ndaj jetës dhe dinjitetit njerëzor. Është një njollë për ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe një shkelje e rëndë e ligjit humanitar ndërkombëtar,” tha ai.

Ai përsëriti thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve, dhe refuzoi çdo politikë që mund të çonte në spastrimin etnik të popullsisë palestineze nga Gaza. /Ad.Ab./

The post BM – Kryebashkiaku i Londrës kërkon njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 23 July 2025Main stream

TURQI -Përfundojnë bisedimet ruso-ukrainase në Stamboll

23 July 2025 at 21:20

MOSKË, 23 korrik/ATSH-DPA/ – Negociatorët nga Moska dhe Kievi u takuan sot për bisedime në Turqi, në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, takimi në Pallatin Çıragan në Stamboll përfundoi pas më pak se një ore. Fillimisht nuk pati informacione për rezultate konkrete.

Pritshmëritë ishin të ulëta. Të dyja palët ndërluftuese kishin deklaruar më herët se një përparim drejt një zgjidhjeje paqësore ishte i pamundur, pasi qëndrimet e tyre ishin shumë të largëta.

Lufta e nisur nga Rusia ka zgjatur tashmë më shumë se tre vjet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e kishte njoftuar takimin më herët këtë javë, por i kishte zbutur pritshmëritë. Ai tha se prioritet i Kievit ishte zgjerimi i shkëmbimeve të të burgosurve dhe kthimi i fëmijëve të rrëmbyer nga Rusia nga territoret e pushtuara.

Moska dhe Kievi rifilluan bisedimet direkte në maj për herë të parë që nga viti 2022. /Ad.Ab./

The post TURQI -Përfundojnë bisedimet ruso-ukrainase në Stamboll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz dhe Macron theksojnë partneritetin franko-gjerman në takimin mes tyre

23 July 2025 at 20:56

BERLIN, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron theksuan rëndësinë e partneritetit franko-gjerman në kohë sfidash politike globale.

“Ne mbështetemi në themelet e një miqësie të ngushtë franko-gjermane që është zhvilluar gjatë dekadave. Dhe të dy ndiejmë një detyrim të madh për të vazhduar punën në këtë drejtim në vitet që vijnë,” tha Merz në fillim të vizitës së punës së Macron në Berlin sot në mbrëmje.

Merz theksoi se marrëdhëniet franko-gjermane kanë rëndësi të veçantë edhe për të personalisht, duke përshëndetur mysafirin e tij në gjuhën frënge.

Ai shtoi se më shumë se gjysma e kabinetit të tij tashmë ka bërë vizita inauguruese në Francë që nga marrja e detyrës nga qeveria në fillim të majit.

Merz tha se ata do të diskutonin për politikën aktuale tregtare, përfshirë edhe mosmarrëveshjet mbi tarifat me Shtetet e Bashkuara, të Amerikës si dhe çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Duke folur për çështjen e tarifave, Macron theksoi se ata kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm gjatë ditëve të fundit për të koordinuar një përgjigje ndaj ofensivës së tarifave të presidentit amerikan Donald Trump.

“Italia dhe Komisioni Evropian janë përfshirë në këtë çëshjtje. Ata ndajnë dëshirën për të ofruar stabilitet dhe për të pasur tarifa sa më të ulëta”, tha Macron, duke shtuar se në të njëjtën kohë duan të respektohen si partnerë.

Macron vuri në dukje gjithashtu miqësinë personale mes tij dhe Merzit, si dhe mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet franko-gjermane dhe vullneti i përbashkët për të avancuar agjendat dypalëshe dhe evropiane janë thelbësore” ,tha presidenti francez. “Vielen Dank, Friedrich,” përfundoi ai deklaratën e tij, që në gjermanisht do të thotë “Faleminderit shumë, Friedrich”.

Kjo ishte vizita e parë e  presidentit Macron në Gjermani që kur qeveria e Merzit mori detyrën më 6 maj. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Merz dhe Macron theksojnë partneritetin franko-gjerman në takimin mes tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“NATURE” – Google nxjerr një mjet të IA-së që plotëson fjalët e munguara në mbishkrimet romake

23 July 2025 at 20:32

NOTINGHEM, 23 korrik /ATSH/ – Përveç higjienës, mjekësisë, arsimit, verës, rendit publik, ujitjes, rrugëve, sistemit të ujit të pijshëm dhe shëndetit publik, romakët prodhuan gjithashtu një numër të madh mbishkrimesh, shkruhet sot në gazetën “The Guardian”, duke ju refeuar një botimi në revisten “Nature”.

Të kuptuarit e këtyre teksteve të lashta është një sfidë për studiuesit, por një mjet i ri i inteligjencës artificiale nga “Google DeepMind” synon ta lehtësojë këtë proces.

I quajtur “Aeneas”, sipas heroit mitik trojan,  programi parashikon se ku dhe kur janë bërë mbishkrimet dhe jep sugjerime për fjalët që mungojnë.

Historianët që e testuan thanë se ky mjet u transformoi punën, duke i ndihmuar të identifikonin mbishkrime të ngjashme me ato që po studionin,  një hap kyç për vendosjen e tyre në kontekst ,  dhe duke sugjeruar fjalë për të plotësuar boshllëqet në artefaktet e dëmtuara nga koha.

“Aeneas ndihmon historianët të interpretojnë, atribuojnë dhe rikonstruktojnë tekstet e fragmentuara latine”, tha dr. Thea Sommerschield nga Universiteti i Nottingham. “Ky ishte qëllimi madhor që vendosëm të realizonim”.

Mbishkrimet janë ndër burimet më të rëndësishme për jetën në botën antike, që nga dekretet e perandorëve, grafitet politike, poezitë e dashurisë, regjistrat tregtarë dhe deri te epitafet në varre. Studiuesit vlerësojnë se çdo vit zbulohen rreth 1 500 mbishkrime të reja.

“Sipas tyre, janë vetë njerëzit e lashtë që flasin,nga të gjitha shtresat shoqërore”, tha Sommerschield. “Nuk është vetëm historia e shkruar nga fitimtarët”.

“Por problemi qëndron në faktin se këto tekste janë shpesh të copëzuara ose aq të dëmtuara nga koha sa që pjesë të tyre janë të palexueshme. Shumë objekte me mbishkrime janë shpërndarë ndër vite dhe origjina e tyre është e pasigurt”, shtoi ai

Ekipi i Google, i udhëhequr nga Yannis Assael, bashkëpunoi me historianë për të krijuar një mjet të Inteligjencës artificiale që ndihmon në kërkime. Programi u trajnua me një bazë të dhënash prej afro 200 000 mbishkrimesh të njohura, me gjithsej 16 milionë karaktere.

“Aeneas” merr tekstin, dhe në disa raste imazhet,  nga mbishkrimi që po studiohet dhe e krahason me mbishkrimet ekzistuese nga shekulli i 7 p.e.s. deri në shekullin e 8-të e.s. Inteligjenca Artificiale nuk kërkon vetëm fjalë të ngjashme, por lidh mbishkrime përmes lidhjeve historike më të thella.

Duke u bazuar në trajnimin me këtë koleksion të pasur, “Aeneas” mund të caktojë një tekst studimi në një nga 62 provincat romake dhe të parashikojë kohën kur është shkruar me një saktësi brenda 13 vitesh. Gjithashtu sugjeron fjalë për të plotësuar boshllëqet, megjithëse kjo veçori është testuar vetëm me tekste të njohura ku disa fjalë janë fshehur qëllimisht.

Në një test, “Aeneas” analizoi mbishkrimin madhështor Res Gestae Divi Augusti të gdhendur në monumente të ndryshme të Perandorisë Romake, që përshkruan arritjet e perandorit August. Inteligjenca artificiale sugjeroi dy periudha të mundshme për tekstin,  dekada e parë para erës sonë ose periudha 10-20 e.s, pikërisht si debatet mes historianëve.

Në një rast tjetër, “Aeneas” analizoi mbishkrimet mbi një altar votiv në Mogontiacum (Mainz, Gjermani) dhe zbuloi përmes ngjashmërive të hollësishme gjuhësore se ai ishte ndikuar nga një altar më i vjetër në të njëjtin rajon. “Ishin momente mahnitëse për ne,” tha Sommerschield.

Detajet janë botuar në revistën “Nature”, dhe “Aeneas” është tashmë i disponueshëm  online për studiuesit.

Në një bashkëpunim, 23 historianë përdorën “Aeneas” për të analizuar mbishkrime latine dhe në 90% të rasteve, konteksti i ofruar nga inteligenca artificiale u konsiderua i dobishëm.

“Ky mjet ka potencial të jetë transformues”, tha Mary Beard, profesore e klasikes në Universitetin e Kembrixhit.

Profesor Jonathan Prag nga Universiteti i Oksfordit shtoi se Aeneas mund të përdoret për të rianalizuar mbishkrimet ekzistuese për të përmirësuar interpretimin. “Më parë, kjo kërkonte një njohuri të jashtëzakonshme personale ose një bibliotekë gjigante,” tha ai. “Por sigurisht, duhet ta përdorësh atë në mënyrë kritike”. /Ad.Ab./

 

The post “NATURE” – Google nxjerr një mjet të IA-së që plotëson fjalët e munguara në mbishkrimet romake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Dronë të prodhimit kinez janë përdorur nga ana e Rusisë në Ukrainë

23 July 2025 at 19:25

KIEV, 23 korrik /ATSH/ – Një dron “mashtrues” rus, i përbërë tërësisht nga pjesë kineze, zbulon bashkëpunimin në rritje mes Pekinit dhe Moskës, sipas gazetes “The Telegraph”.

Është zbuluar se një dron i ri “mashtrues” rus, i përdorur për të depërtuar në mbrojtjen ajrore të Ukrainës, është ndërtuar tërësisht nga pjesë kineze, një zhvillim i rëndësishëm që shënon  për herë të parë që Rusia përdor armë të prodhuara vetëm me komponentë nga Kina.

Ky zbulim u bë nga shërbimet sekrete ukrainase, të cilat arritën të kapin dhe çmontojnë dy dronë të tillë të rinj pa pilot (UAV).

Droni CBTS.611000 përdoret kryesisht për zbulim dhe si mjet mashtrues, por gjithashtu mund të mbajë një lëndë shpërthyese deri në 15 kg.

Gati gjysma e pjesëve të njërit prej dronëve ishin prodhuar nga kompania kineze “CUAV Technology”, me seli në provincën Guangdong, e cila reklamohet si ofrues i zgjidhjeve me burim të hapur për dronët. Komponentët përfshinin, kontrolluesin e fluturimit me autopilot, module navigimi dhe antena, sensorin e shpejtësisë së ajrit, si dhe një tub “pitot” (sensor për matjen e shpejtësisë së erës).

Pavarësisht se “CUAV Technology” në vitin 2022 kishte njoftuar ndalimin e eksporteve të produkteve të saj drejt Rusisë dhe Ukrainës për të parandaluar përdorimin ushtarak, këto pajisje po shfaqen sërish në armatimin rus.

Sipas inteligjencës ukrainase, përveç”CUAV Technology”,  në dron u gjetën një motor dhe një modul ndezjeje elektronike nga “Mile Haoxiang Technology”, një kamerë “FPV” nga “Foxeer Technology”, dhe një kopje kineze e modulit australian të transmetimit të të dhënave RFD900X nga RFDesign, i aftë të transmetojë të dhëna deri në 40 km largësi.

“Ky sistem krijon një kanal transmetimi të të dhënave nga UAV në stacionin tokësor apo mes UAV-ve, duke përmirësuar ndjeshëm aftësinë e tyre për zbulim”, njoftoi  burimi  shërbimeve secrete të Ukrainës.

Ajo ka vlerësuar më parë se 80% e elektronikës në dronët rusë është me origjinë nga Kina, një pretendim që është mbështetur edhe nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.

Ndërkohë , Kina ka mohuar vazhdimisht se furnizon me armë vdekjeprurëse ndonjë palë në konflikt dhe këmbëngul se kontrollon me rigorozitet eksportin e produkteve me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak).

Në një postim në “Telegram”, shërbimet secrete  ukrainase thanë se dronët kanë formë delta, të ngjashme me dronët Shahed-136 iranianë, të cilët Rusia i përdor me emrin Geran-2, por që janë më të vegjël në përmasa.

Më herët këtë muaj, pamje të një Geran-2 të dëmtuar zbuluan gjithashtu se pjesë të tij ishin prodhuar nga një kompani mekanike në provincën Suzhou në Kinë.

Ky rast nënvizon rritjen e ndihmës teknologjike dhe indirekte që Rusia mund të jetë duke marrë nga Kina, pavarësisht deklaratave publike për neutralitet. /Ad.Ab./

 

The post FOKUS – Dronë të prodhimit kinez janë përdorur nga ana e Rusisë në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TOKIO – Von der Leyen: BE-ja dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për politikat tregtare

23 July 2025 at 17:32

TOKIO, 23 korrik /ATSH/ – Bashkimi Evropian dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për të kundërshtuar shtrëngimin ekonomik dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare, tha sot për gazetarët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sipas Reuters.

Deklaratat e von der Leyen vijnë pas një samiti BE-Japoni me kryeministrin japonez Shigeru Ishiba, në një kohë kur BE-ja po has vështirësi në përfundimin e një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetëm një ditë para takimeve të mundshme sfiduese me udhëheqësit kinezë.

Ndërkohë, Japonia arriti  dje një marrëveshje tregtare me SHBA-në, e cila ul tarifat për importet e makinave në këmbim të investimeve dhe huave drejt SHBA-së.

Von der Leyen tha se BE-ja dhe Japonia do të synojnë forcimin e sigurisë ekonomike.

“Do të punojmë më ngushtë për të kundërshtuar shtrëngimin ekonomik dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare”, tha ajo. “Ne besojmë në konkurrencën globale dhe ajo duhet të sjellë përfitime për të gjithë”, shtoi von de Leyen.

Nga ana e tij, Ishiba u tha gazetarëve se BE-ja dhe Japonia do të punojnë për të ruajtur dhe forcuar një rend ekonomik të lirë, të drejtë dhe të bazuar në rregulla.

Ai shtoi se BE-ja dhe Japonia kanë rënë dakord të punojnë për forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe të nisin bisedimet për një marrëveshje sigurie informacioni.

“Në fushën e sigurisë, ramë dakord të bashkëpunojmë për të nisur një dialog mbi industrinë e mbrojtjes me qëllim forcimin e bazës industriale të mbrojtjes, që është një përparësi për të dyja palët, dhe për të filluar negociatat zyrtare për një marrëveshje sigurie informacioni midis Japonisë dhe BE-së”, tha Ishiba. /Ad.Ab/

The post TOKIO – Von der Leyen: BE-ja dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për politikat tregtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz pret Macron-in për darkë në Berlin

23 July 2025 at 16:48

BERLIN, 23 korrik /ATSH -DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz do të presë sot në mbrëmje presidentin francez Emmanuel Macron për një takim pune dhe darkë në Berlin.

Kjo do të jetë vizita e parë e Macron-it në Gjermani që kur qeveria e Merz-it mori detyrën më 6 maj.

Vetëm një ditë pas zgjedhjes së tij, Merz udhëtoi në Paris për të sinjalizuar një “fillim të ri” në marrëdhëniet franko-gjermane, të cilat ishin ftohur ndjeshëm gjatë mandatit të ish-kancelarit Olaf Scholz.

Tani, të dy liderët synojnë të thellojnë bashkëpunimin “në të gjitha nivelet”.

Temat kryesore të diskutimit përfshijnë përpjekjet për të forcuar pavarësinë e Evropës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diskutimet për një mburojë bërthamore evropiane, një koncept që ish – kancelari Scholz, thuhet se e kishte kundërshtuar me skepticizëm të madh.

Megjithatë, mes dy vendeve ekzistojnë ende mospajtime të rëndësishme. Parisi po insiston për  një borxh të përbashkët evropian me qëllim forcuimin e industrinë së mbrojtjes, një propozim që Berlini e refuzon.

Franca gjithashtu mbështet përdorimin e energjisë bërthamore, ndërsa Gjermania e ka ndërprerë plotësisht atë.

Mospajtime ka edhe në zhvillimin e përbashkët të armëve. Në projektin FCAS, sistemi ajror i luftës i zhvilluar bashkë me Spanjën, të dy vendet ende kanë qëndrime të ndryshme mbi përfshirjen përkatëse në projekt.

Nga këndvështrimi francez, qëllimi i darkës së sotme është përgatitja për mbledhjen e Këshillit ministro-shtetëror franko-gjerman, që do të mbahet në Francë në fund të gushtit.

Në fokus do të jenë konkurrueshmëria evropiane, siguria dhe mbrojtja, si dhe reformat ekonomike dhe sociale.

Darka do të zhvillohet në Villa Borsig, një rezidencë buzë liqenit Tegel, që dikur i përkiste familjes industriale Borsig dhe që sot shërben si shtëpi pritjeje e Ministrisë së Jashtme gjermane. /Ad.Ab./

Bottom of Form

 

The post GJERMANI – Merz pret Macron-in për darkë në Berlin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Më shumë se 1 400 të vrarë gjatë dhunës së marsit në vend

22 July 2025 at 22:43

DAMASK, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Një komision hetimor sirian konfirmoi sot se 1 426 persona, kryesisht civilë, përfshirë shumë anëtarë të komunitetit alavi,  janë vrarë gjatë një vale dhune në provincat bregdetare të vendit, mes datave 6 dhe 9 mars.

Sipas zëdhënësit të komisionit, Yasser al-Farhan, përplasjet filluan kur njësi të grupeve të armatosura të lidhura me diktatorin e rrëzuar Bashar al-Asad ndërmorën sulme të koordinuara kundër forcave qeveritare në Latakia, Tartus dhe Hama, duke vrarë 238 ushtarë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Ndër viktimat ishin edhe 90 gra, shumica prej tyre civile të paarmatosura, tha komisioni në një konference  shtypi në Damask.

Sulmuesit u përshkruan si grupe të organizuara dhe të paligjshme, besnike ndaj regjimit të përmbysur të Asadit, që tani veprojnë në mënyrë të pavarur dhe kundërshtojnë autoritetet në këtë fazë tranzicioni .

“Këto grupe ndërmorën sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave ushtarake dhe të sigurisë, bllokuan rrugë dhe përdorën armë të rënda ”, tha al-Farhan.

Qeveria e re ndërmori një operacion ushtarak për të shtypur dhunën.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me bazë në Britani, vlerësoi në atë kohë se mbi 1 600 persona, kryesisht nga pakica alavite, ishin vrarë gjaë trazirave.

Më shumë se gjashtë muaj pas rrëzimit të ish presidentit Asad nga një aleancë rebele e udhëhequr nga elemente islamikë, dhuna vazhdon të tronditë edhe jugun e Sirisë, ku forcat  druze të milicisë po përplasen me grupe fisnore sunite beduine të mbështetura nga Damasku.

Megjithëse Presidenti Ahmad al-Sharaa është zotuar të mbrojë pakicat, kritikët e akuzojnë qeverinë e tij për arrestime simbolike dhe mungesë përgjegjësie. /Ad.Ab./

Bottom of Form

 

The post SIRI – Më shumë se 1 400 të vrarë gjatë dhunës së marsit në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Uashingtoni kërkon zgjatje të negociatave tregtare me Kinën

22 July 2025 at 22:31

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH – DPA/ – Shtetet e Bashkuara duan të diskutojnë një zgjatje të afatit për mosmarrëveshjen tarifore me Kinën, deklaroi sot sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

“Do të jem në Stokholm të hënën dhe të martën me homologët e mi kinezë dhe do të punojmë për atë që ka shumë gjasa të jetë një zgjatje. Mendoj se tregtia është në një pozicion shumë të mirë me Kinën”, tha Bessent në një intervistë për transmetuesin amerikan Fox Business.

Afati aktual pritet të skadojë më 12 gusht, pasi tarifat ishin reduktuar për 90 ditë për të lejuar zhvillimin e negociatave mes dy vendeve.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur në disa hapa tarifat ndëshkuese ndaj importeve kineze në SHBA deri në 145%. Pekini, nga ana tjetër, u kundërpërgjigj me tarifa të veta prej 125% dhe vendosi kontrolle eksporti për mineralet e rralla me rëndësi industriale dhe magnetët e prodhuar prej tyre.

Njëkohësisht, Bessent rikonfirmoi afatin e mëparshëm të 1 gushtit për konfliktin tarifor me vendet e tjera, duke deklaruar se SHBA-ja planifikon të vendosë tarifa me nivele të ndryshme për importet nga këto vende. “Ky afat është mjaft i prerë”, tha Bessent.

I pyetur nëse kjo vlen edhe për BE-në, ai konfirmoi se afati zbatohet për të gjitha vendet.

Komisioni Evropian ka qenë duke negociuar me Uashingtonin për çështjen e tarifave prej disa kohësh. Trump kishte paralajmëruar tarifa prej 30% për importet e produkteve nga BE duke filluar nga 1 gushti.

Në rast se SHBA zbaton nivelin e ri të tarifave, BE-ja planifikon të kundërpërgjigjet me tarifa të tjera. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Uashingtoni kërkon zgjatje të negociatave tregtare me Kinën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermani – Merz dhe Fiala kërkojnë një zgjidhje evropiane për sigurinë kufitare

22 July 2025 at 22:07

BERLIN, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermania dhe Republika Çeke ranë dakord që kontrollet në kufirin e përbashkët duhet të jenë vetëm të përkohshme, deklaruan kancelari Friedrich Merz dhe kryeministri Petr Fiala pas një takimi sot në Berlin.

“Ne duam një zgjidhje evropiane”, siguroi Merz. “Por përderisa nuk jemi në gjendje të mbrojmë më mirë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, duhet të kryejmë kontrolle në kufijtë e brendshëm evropianë”.

Gjermania dhe Çekia ndajnë një kufi prej më shumë se 800 kilometrash. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, urdhëroi intensifikimin e kontrolleve në këtë kufi vetëm pak orë pasi mori detyrën në fillim të majit.

Për shkak të migracionit të parregullt, Fiala shprehu mirëkuptim për qasjen gjermane. Megjithatë, ai theksoi se në vend të kontrolleve kufitare, duhet të ketë një zgjidhje afatgjatë për kufirin e jashtëm të BE-së.

“Një zgjidhje afatgjatë duhet të jetë një zgjidhje evropiane, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të kalojmë lirshëm kufijtë e brendshëm të BE-së”. /Ad.Ab./

The post Gjermani – Merz dhe Fiala kërkojnë një zgjidhje evropiane për sigurinë kufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

GJERMANI – Dyzet e tre irakianë deportohen drejt Bagdadit

22 July 2025 at 21:23

LEJPSIG, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Dyzetë e tre persona u deportuan sot nga Gjermania drejt Bagdadit, konfirmoi Ministria e Brendshme, duke shënuar fluturimin e parë të tillë që nga muaji shkurt.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, i cili është shfaqur në mbështetje të një qasjeje më të ashpër ndaj migracionit, deklaroi për gazetën “Bild” se ky fluturim është pjesë e politikave të tij të reja, ndërsa vazhdon të kërkojë më shumë riatdhesime, marrëveshje me vende të tjera dhe një luftë më të fortë kundër trafikantëve të njerëzve.

Sipas autoriteteve në landin e Thuringisë, 43 personat  që ndodheshin në bord kishin detyrim ligjor për të lënë vendin. Të gjithë ishin të pamartuar dhe disa prej tyre kishin dënime penale.

Një fotograf i agjencisë DPA përshkroi përgatitjet e policisë për nisjen e fluturimit, ku pasagjerët u transportuan me automjete policie dhe dy autobusë të mëdhenj të aeroportit. Secili pasagjer u shoqërua veçmas nga një oficer policie deri në avion.

Pas uljes në kryeqytetin irakian, pasagjerët kaluan disa procedura të emigracionit, sipas burimeve nga aeroporti.

Transferimi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në Irak, megjithatë mbeti e paqartë se ku do të dërgoheshin peesonat pas hyrjes në vend.

Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, vitin e kaluar janë deportuar 816 irakianë. Disa janë dërguar në vende të tjera të BE-së për përpunimin e kërkesave për azil, ndërsa 615 janë dërguar direkt në Irak.

Sipas OKB-së, 1,2 milionë irakianë janë të zhvendosur brenda vendit dhe rreth 3 milionë varen nga ndihma humanitare. Shumë prej të kthyerve kanë vështirësi të përmbushin nevojat bazë për jetesë.

Në një sondazh të kryer nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në vitin 2023, pothuajse gjysma e migrantëve të kthyer në Irak thanë se dëshironin të largoheshin përsëri nga vendi brenda gjashtë muajve. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Dyzet e tre irakianë deportohen drejt Bagdadit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI -Shefja e Bundestagut pro ndalimit të simboleve dhe stemave politike

22 July 2025 at 20:36

BERLIN, 22 korrik / ATSH-DPA/ – Udhëheqësit administrativë të Bundestagut, dhoma e poshtme e parlamentit gjerman, po përpiqen të ndalojnë që deputetët të mbajnë stema apo simbole me mesazhe politike në sallën plenare.

Sipas një letre të kryetares së Bundestagut, Julia Klockner, për sekretaren e parë parlamentare të Partisë së Gjelbër, Irene Mihalic, përjashtim do të bëhet vetëm për simbolet zyrtare shtetërore që janë të dukshme në sallë; shqiponja federale, flamuri gjerman dhe flamuri i Bashkimit Evropian.

“Debati në sallën plenare zhvillohet me fjalë dhe vetëm përmes fjalëve”, thuhet në letrën e Klockner.

Ajo paralajmëroi se çdo simbol tjetër përveç atyre shtetërore mund të shkaktojë probleme ndarjeje dhe përplasje interpretimesh. Sipas saj, simbolet zyrtare përfaqësojnë trashëgiminë demokratike të Republikës Federale të Gjermanisë.

Por Mihalic ka kritikuar këtë direktivë, duke thënë se ajo mund të ndezë një “luftë kulturore” dhe të shmangë vëmendjen nga debatet reale politike.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për flamurin kombëtar, por edhe për simbole që përfaqësojnë mbrojtjen e vlerave themelore të kushtetutës sonë”, shkroi Mihalic.

Debati për simbolet në parlament gjerman pason një klimë gjithnjë e më të tensionuar në lidhje me identitetin politik, lirinë e shprehjes dhe kufijtë e saj në hapësirat institucionale. /Ad.Ab./

Top of Form

Bottom of Form

 

 

The post GJERMANI -Shefja e Bundestagut pro ndalimit të simboleve dhe stemave politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Ministrja e Kulturës, Dati dhe ish-shefi “i Renault-Nissan”, Ghosn, në gjyq për korrupsion

22 July 2025 at 19:46

PARIS, 22 korrik /ATSH/ – Gjykatës francezë urdhëruan sot që ministrja e Kulturës, Rachida Dati, dhe ish-drejtuesi i njohur i industrisë së makinave, Carlos Ghosn, të përballen me gjyq për akuza lidhur me korrupsion dhe abuzim me pushtetin, njoftoi një burim gjyqësor.

Prokuroria financiare franceze (PNF) kishte kërkuar qysh në nëntor të vitit 2024 që Dati dhe Ghosn të gjykoheshin si pjesë e një hetimi për korrupsion.

Hetuesit kishin vënë në pikëpyetje pagesat për konsulencë që Dati kishte marrë nga aleanca “Renault-Nissan,  pasi ajo kishte dhënë dorëheqjen nga posti i ministres së Drejtësisë në vitin 2009 për të kandiduar në Parlamentin Evropian.

Dati ka mohuar çdo parregullsi në lidhje me pagesat që ka marrë gjatë asaj kohe.

Edhe Ghosn, i cili u arratis nga Japonia në vitin 2019 duke u vendosur në Liban ka mohuar akuzat për keqmenaxhim.

Përfaqësuesit e Datit nuk kanë komentuar menjëherë, ndërsa përfaqësuesit e Ghosn nuk kanë qenë të disponueshëm  për koment.

Ghosn, i cili ka shtetësi franceze, libaneze dhe braziliane, nuk ka dalë nga Libani që nga viti 2019, për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Japonia. /Ad.Ab./

 

The post FRANCË – Ministrja e Kulturës, Dati dhe ish-shefi “i Renault-Nissan”, Ghosn, në gjyq për korrupsion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SKOCI- SWINNEY: Vizita e Trumpit nuk e “vendos në një pozicion të dëmshëm”policinë në vend

22 July 2025 at 18:53

EDINBURG, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Forcat e rendit në Skoci nuk do të “vendosen në një pozicion të dëmshëm” për shkak të kostove të vizitës së presidentit Donald Trump, deklaroi sot kryeministri skocez John Swinney.

Presidenti i SHBA-së pritet të mbërrijë në Skoci këtë javë dhe të vizitojë të dy fushat e tij të golfit në vend, por janë ngritur shqetësime për  një operacion të gjerë të sigurisë.

Gjatë vizitës së tij të fundit të presidentit Trump në Skoci, kur  ai nuk ishte në detyrë, pati protesta të shumta.

Ai pritet të takohet si me kryeministrin britanik Keir Starmer, ashtu edhe me  Swinney gjatë qëndrimit të tij në Skoci.

Të gjithë oficerët e kontaktit të Policisë së Skocisë pritet të angazhohen për të përballuar protestat gjatë vizitës, ndërsa është kërkuar ndihmë edhe nga forca të tjera policore.

“Policia skoceze do të merret me rrethanat që do të paraqiten në lidhje me operacionin e sigurisë,” tha kryeministri Swinney. “Ne do të bashkëpunojmë me Policinë e Skocisë, Autoritetin Policor të Skocisë dhe me qeverinë e Britanisë së Madhe për kostot”, shtoi ai

I pyetur nëse fondet do të dalin nga buxheti aktual i policisë, kryeministri u përgjigj:
“Do të punojmë ngushtë me Policinë e Skocisë për financimin e këtij operacioni dhe do të sigurohemi që shërbimi i policisë në Skoci të mos dëmtohet për shkak të vizitës së presidentit Trump”.

Ndërkohë, një zyrtare e lartë e policisë i bëri thirrje atyre që planifikojnë të protestojnë gjatë vizitës së Trump që të respektojnë ligjin.

Duke folur sot me gazetarët, ndihmëskomisionerja Emma Bond inkurajoi grupet protestuese që të diskutojnë paraprakisht planet e tyre me policinë.

“Ky është një operacion i madh dhe kompleks, por policia e Skocisë ka përvojë të jashtëzakonshme në organizimin e ngjarjeve të tilla”, tha ajo.

Plani i sigurisë përfshin oficerë lokalë, kombëtarë dhe specialistë nga policia e Skocisë, si dhe nga forca të tjera të mbështetjes.

“Qëllimi kryesor është të sigurojmë që presidenti i Shteteve të Bashkuara  të Amerikës të ketë një vizitë të sigurt dhe paqësore në Skoci, ndërsa policia e Skocisë të vazhdojë të ofrojë shërbimet e saj për komunitetin gjatë kësaj periudhe”, shtoi ajo. /Ad.Ab./

The post SKOCI- SWINNEY: Vizita e Trumpit nuk e “vendos në një pozicion të dëmshëm”policinë në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Arrestohet zëvendësguvernatori i një rajoni rus pranë kufirit me Ukrainën

22 July 2025 at 17:45

BRYANSK, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Punonjës të Ministrisë së Brendshme të Rusisë dhe Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (FSB) kanë arrestuar zëvendësguvernatorin e rajonit kufitar të Bryanskut, Nikolai Simonenko, nën akuzat për mashtrim.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS njoftoi sot se Simonenko dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë përvetësuar të paktën 818 milionë rubla (rreth 10,4 milionë dollarë amerikanë) gjatë ndërtimit të fortifikimeve përgjatë kufirit me Ukrainën.

Sipas burimeve të sigurisë, kjo ka dobësuar aftësitë mbrojtëse të Rusisë kundrejt Ukrainës.

Simonenko rrezikon deri në 10 vjet burg.

Janë nisur gjithashtu hetime ndaj shefit të departamentit të ndërtimit në kryeqytetin rajonal Bryansk,  Jevgeny Shura.

Raste të ngjashme janë regjistruar dhe me parë edhe në rajonin fqinj të Kurskut, gjithashtu pranë kufirit me Ukrainën në juglindje të Bryanskit.

Në muain prill, ish-guvernatori i Kurskut, Aleksei Smirnov, dhe zëvendësi i tij u arrestuan për mashtrim të dyshuar në lidhje me ndërtimin e fortifikimeve.

Pararendësi i Smirnovit, Roman Starovoi, kishte deklaruar më parë se punimet ishin përfunduar dhe më pas u emërua ministër i transportit.  Në fillim të korrikut, presidenti Vladimir Putin e shkarkoi papritur nga detyra pa dhënë arsye, dhe vetëm disa orë më vonë u njoftua vdekja e Starovoit.

Autoritetet hetimore thanë se bëhej fjalë për vetëvrasje, por rasti ka ngritur shumë pikëpyetje./Ad.Ab.

The post RUSI – Arrestohet zëvendësguvernatori i një rajoni rus pranë kufirit me Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS- Turistët dhe punëtorët kërkojnë freski ndërsa Greqia dhe Ballkani përfshihen nga vala e të nxehtit

22 July 2025 at 17:03

ATHINË, 22 korrik /ATSH/ – Punëtorët ndërprisnin sot punën në dhe turistët kërkonin hije, ndërsa Greqia digjet nga vala e tretë e të nxehtit për këtë verë, dhe temperaturat e larta përfshinë edhe rajonin më të gjerë të Ballkanit, duke shkaktuar zjarre në Shqipëri, sipas Reuters.

E vendosur në skajin jugor të Evropës, Greqia, e cila pret miliona turistë çdo vit, gjithmonë ka pasur verëra të nxehta dhe të thata.

Por vitet e fundit, ndryshimet klimateriike kanë sjellë valë të të nxehti më të gjatë dhe më të ashpër, si dhe përmbytje e zjarre shkatërruese.

Matthew Enos, një vizitor 18-vjeçar nga New Orleans, tha se nuk kishte qenë i përgatitur për një valë kaq të fortë të nxehti kur mbërriti në kryeqytetin grek, Athinë.

“Qenka paksa e vështirë. Nuk është ndjesia më e mirë”, tha ai. “Kështu që jam përshtatur duke pirë shumë, shumë ujë”.

Korrierët, shpërndarësit e ushqimit dhe ndërtuesit në dhe përreth Athinës, si dhe në rajone të tjera, u urdhëruan të ndërprisnin punën nga mesdita deri në orën 17:00, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 43°Celcius, njoftoi Ministria greke e Punës.

Punonjësit me probleme shëndetësore u këshilluan të punonin në distancë për të shmangur rrezikun e goditjes nga të nxehtit.

Turistët kërkojnë  restorante dhe dyqane me ajër të kondicionuar në Athinë, një nga kryeqytetet më të dendura të Evropës, i vendosur në një fushë të rrethuar me male.

Një 39-vjeçar nga SHBA-ja, që u prezantua si Craig, tha se kishte marrë me qira një taksi për të bërë vizitat në qytet, pasi ishte shumë nxehtë për të ecur.

“Ishte jashtëzakonisht nxehtë,  por pushimet midis vendeve që vizituam ndihmojnë shumë,” tha ai.

Autoritetet njoftuan se Akropoli, i cili ndodhet në një kodër shkëmbore pa hije, dhe që është vendi më i vizituar arkeologjik në Greqi, do të qëndrojë i mbyllur për pesë orë nga mesdita sot dhe nesër, një masë e zakonshme kur temperaturat janë ekstreme.

Shërbimi meteorologjik grek tha se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri të dielën.

Të njëjtat temperatura përvëluese prekën sot edhe Bullgarinë, ku autoritetet u kërkuan bizneseve të shpërndajnë ujë falas dhe të ndalojnë punët fizike gjatë orëve me rrezik të lartë.

Në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, javët pa reshje dhe rritja e prodhimit të energjisë elektrike thuajse boshatisën liqenin e Fierzës, një burim i rëndësishëm i energjisë hidrike.

Lopët kullosnin në fundin e tharë të liqenit.

Në Kosovë, Milazim Duraku, një fermer 62-vjeçar nga Prizreni, kritikoi të rinjtë që kërkonin hije ndërsa ai mblidhte speca për shitje në treg të nesërmen.

“Rinia nuk e mban dot të nxehtin. Ata punojnë vetëm pak në mëngjes ose në mbrëmje”, tha ai.

Në Shqipëri, zjarrfikësit me ndihmën e katër avionëve nga Italia dhe Greqia po luftonjnë  dy vatra zjarri, një në një park kombëtar në veri dhe një tjetër pranë fshatit Dukat në jugperëndim.

Muajin e kaluar, pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore u përfshinë nga një tjetër valë e fortë të nxehti, që solli viktima dhe zjarre të shumta.

Në Itali, vala e të nxehti muajin e kaluar shkaktoi  ndërprerje të energjisë elektrike, në Firence dhe Milano. Konsumi i energjisë elektrike në qershor u rrit me 7.4% krahasuar me një vit më parë, njoftoi operatori kombëtar “Terna”, duke e lidhur këtë me temperaturat e larta.

Në nivel global, viti 2024 ka qenë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, me temperatura që tejkaluan për herë të parë 1.5°C mbi nivelet para-industriale.

Një studim i publikuar javën e kaluar tregoi se temperatura në sipërfaqen e tokës përreth Athinës u rrit me deri në 10°C që nga korriku 2024, pasi zjarret shkatërruan fushat dhe pyje. /Ad.Ab./,

 

The post FOKUS- Turistët dhe punëtorët kërkojnë freski ndërsa Greqia dhe Ballkani përfshihen nga vala e të nxehtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Anulohet koncerti i dirigjentit rus Valery Gergiev, i afërt me Putinin

21 July 2025 at 22:47

ROMË, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Një koncert nga dirigjenti rus Valery Gergiev, i njohur për lidhjet e tij me Kremlinin, është anuluar në qytetin italian Caserta pas një vale kritikash të forta në lidhje me luftën në Ukrainë.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, ekzistonin shqetësime për protesta nga organizata ukrainase.

Gergiev, aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, pritej të dirigjonte më 27 korrik në kuadër të një festivali muzikor në oborrin barok të Pallatit Mbretëror të Caserta-s, vendndodhje e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ministria italiane e Kulturës u distancua nga organizimi, duke deklaruar se pjesëmarrja e dirigjentit të afërt me presidentin Putin mund të kthente ngjarjen muzikore “në një zëdhënëse të propagandës ruse”.

Edhe Yulia Navalnaya, e veja e liderit opozitar rus Alexei Navalny, i cili vdiq në burg, bëri thirrje për anulimin e koncertit në një artikull të botuar në gazetënLa Repubblica.

Gergiev, 72 vjeç, që prej vitit 2023 udhëheq si Teatrin “Bolshoi” në Moskë, ashtu edhe Teatrin “Mariinsky” në Shën Peterburg, dhe prej vitesh njihet si një mbështetës i shquar i Putinit.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, shumë institucione kulturore ndërkombëtare, përfshirë Filarmoninë e Mynihut dhe  teatrin “La Scala” në Milano, ndërprenë bashkëpunimin me të për shkak të refuzimit për të dënuar konfliktin. /Ad.Ab./

The post ITALI – Anulohet koncerti i dirigjentit rus Valery Gergiev, i afërt me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zyrtarë konsullorë talebanë akreditohen për herë të parë në Gjermani

21 July 2025 at 22:11

BERLIN, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Për herë të parë që nga rikthimi i talebanëve në pushtet, qeveria gjermane ka lejuar hyrjen në vend të personelit konsullor afgan për të ndihmuar në fluturimet e dëbimit drejt Afganistanit.

Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, misionet diplomatike afgane në Gjermani deri tani ishin drejtuar nga persona të akredituar përpara kthimit të talebanëve në pushtet,

“Qeveria gjermane ka interes që shtetasit afganë në Gjermani të marrin mbështetje të mjaftueshme konsullore, kjo përfshin, për shembull, lëshimin e pasaportave”, shpjegoi Ministria e Jashtme.

Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Kornelius, konfirmoi në Berlin se akreditimi i dy zyrtarëve afganë lidhej me një fluturim të fundit dëbimi nga Gjermania.

Të premten, 81 afganë u dëbuan nga Gjermania, hera e parë që nga marrja e detyrës nga koalicioni i ri qeveritar në maj.

Kancelari Friedrich Merz ka theksuar se nuk do të ketë njohje diplomatike të talebanëve islamikë.

Ai tha se janë zhvilluar vetëm kontakte të ashtuquajtura “teknike”, të ndërmjetësuara nga Katari, për të përgatitur dëbimin.

Qeveria gjermane nuk mban marrëdhënie zyrtare me talebanët, të cilët janë në pushtet në Afganistan që nga viti 2021 dhe vazhdojnë të jenë të izoluar ndërkombëtarisht për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj grave. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Zyrtarë konsullorë talebanë akreditohen për herë të parë në Gjermani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT  NEWS – Microsoft : “Notre Dame” në Paris do të paraqitet në platformë digjitale

21 July 2025 at 21:35

PARIS, 21 korrik /ATSH-DPA/  – Katedralja “Notre Dame” në Paris do të paraqitet në platformë digjitale nga gjiganti amerikan i teknologjisë “Microsoft”, me qëllim zbulimin  e çdo detaji të skulpturave të saj gotike.

Projekti pritet të zgjasë të paktën një vit dhe të kushtojë disa milionë dollarë, i tha sot revistës “Le Pointpresidenti i “Microsoft-it, Brad Smith.

Duke ndjekur shembullin e projekteve të mëparshme të digjitalizimit, si ai i Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, katedralja do të skanohet me teknologji shumë të avancuar për t’u ruajtur në mënyrë digjitale për brezat e ardhshëm.

Monumenti i famshëm i Parisit rihapi dyert në dhjetor pas një zjarri shkatërrues në prill të vitit 2019 dhe disa viteve restaurimi.

Smith, i cili ndodhet në kryeqytetin francez, gjithashtu njoftoi se rreth 1 500 modele historike të skenografisë nga Opera e Parisit do të digjitalizohen në bashkëpunim me Ministrinë franceze të Kulturës. /Ad.Ab./

The post SOFT  NEWS – Microsoft : “Notre Dame” në Paris do të paraqitet në platformë digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌