SERBI – Sërish dhunë gjatë protestave kundër qeverisë
BEOGRAD, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Në ditën e katërt radhazi, protestat kundër qeverisë serbe u shoqëruan sërish me dhunë.
Dje në mbrëmje, trazirat më të rënda ndodhën në qytetin qendror të Valjevës, ku kundërshtarët e qeverisë i vunë flakën zyrës së Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe dëmtuan ndërtesat e administratës së qytetit dhe zyrën e prokurorit publik lokal.
Zemërimi i demonstruesve në qytetin 100 kilometra në jugperëndim të Beogradit ishte drejtuar kundër faktit se dy ditë më parë, njerën nga partia në pushtet SNS kishin shkatërruar një kafene në pronësi të një simpatizanti të lëvizjes protestuese.
Po atë natë, njerëzit e SNS sulmuan punishten e babait të një aktivisti studentor dhe rrahën keq operatorin e saj deri në shtrimin në spital.
Autoritetet nuk ndërmorën asnjë hap për të ndjekur penalisht këto akte dhune.
Kundërshtarët e qeverisë demonstruan në qytete të shumta në të gjithë Serbinë gjatë natës.
Përleshje me policinë ndodhën edhe në periferi të Beogradit.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç tha pak para mesnatës se një polic u plagos dhe se 18 demonstrues ishin arrestuar.
Autoritetet serbe nuk dhanë informacion mbi numrin e protestuesve të plagosur.
Serbët kanë demonstruar pothuajse çdo ditë kundër Vuçiçit që prej më shumë se nëntë muajsh.
Shkaku i protestave ishte shembja e një tendë stacioni të rinovuar rishtazi në qytetin verior të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, e cila rezultoi në vdekjen e 16 personave.
Ekspertë të pavarur dhe anëtarë të opozitës fajësojnë neglizhencën dhe korrupsionin nën qeverinë e Vuçiçit./ a.jor.
The post SERBI – Sërish dhunë gjatë protestave kundër qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.