GJERMANI – Gjykata kërcënon qeverinë me gjobë për vizat e afganëve
BERLIN, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane rrezikon një gjobë prej 10 000 eurosh në mosmarrëveshjen lidhur me dhënien e vizave për afganët që duan të hyjnë në Gjermani.
Gjykata Administrative e Berlinit vendosis ot se gjoba do të paguhet nëse brenda tre javësh nuk merret një vendim për aplikimet e dorëzuara nga dy familje afgane, tha një zëdhënëse e gjykatës.
Në një rast, gjoba e mundshme është 2 500 euro nëse nuk merret vendim deri më 10 shtator për atë familje, ndërsa në tjetrin është 10 000 euro. Gjykata theksoi se duhet merrt një vendim, por ai nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht në favor të aplikuesve.
Ministria e Jashtme fillimisht nuk ishte e disponueshme për koment.
Çështja lidhet me programin federal të pranimit për afganët veçanërisht të rrezikuar, të cilin qeveria e re gjermane e pezulloi në fillim të majit. Aktualisht, Gjykata Administrative e Berlinit po trajton një numër rastesh të ngritura nga afganë që luftojnë për të marrë viza.
Më herët këtë javë, qeveria gjermane njoftoi se 211 persona nga programi i pranimit u deportuan së fundmi nga Pakistani drejt vendit të tyre të origjinës. Ministria e Jashtme tha se Pakistani kishte arrestuar rreth 450 persona nga ky program, ndërsa ambasada gjermane në Islamabad dhe Ministria arritën të siguronin lirimin e 245 prej tyre.
Deri tani, gjykatësit kanë urdhëruar qeverinë gjermane të lëshojë viza në 22 raste, ndërsa tre kërkesa për zbatim të vendimeve janë ende pezull.
Në total, mbi 2 000 afganë po presin të largohen drejt Gjermanisë në kuadër të programeve të ndryshme të pranimit. Ata janë ish-punonjës lokalë ose konsiderohen veçanërisht të rrezikuar. /Ad.Ab./
The post GJERMANI – Gjykata kërcënon qeverinë me gjobë për vizat e afganëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.