Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 August 2025Main stream

Nëse do të dish të më rrish pranë

By: Kult Plus
3 August 2025 at 13:39

Poezi nga Pablo Neruda

Nëse do të dish të më rrish pranë,
dhe të mund të jemi të ndryshëm,
nëse Dielli do të na ndriçojë të dy,
pa u mbivendosur hijet tona,
nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë
dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë.

Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi
dhe jo të kujtojmë se cilët ishim,
nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit
pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit,
nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi…

Atëherë do të jetë dashuri
dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë./KultPlus.com

‘Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë’

By: Kult Plus
3 August 2025 at 12:20

Thënie nga Volteri

-Asnjë flokë bore në një ortek nuk ndjen se ka përgjegjësi.

-Triumfi i vërtetë i arsyes është se ne aftëson të vazhdojmë rrugën me ata që nuk e kanë.

-Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt.

-Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi.

-Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet.

-Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë.

-Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë.

-Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe.

-Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye.

-Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim.

-Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë.

Nëse një ditë do të kesh dëshirë të qash

By: Kult Plus
3 August 2025 at 11:50

Poezi nga Gabriel García Márquez

Nëse një ditë do të kesh dëshirë të qash, telefonomë:
Nuk premtoj të të bëj të qeshësh por mund
të qaj me ty.

Nëse një ditë do t’ia dalësh të ikësh,
mos hezito të më telefononosh:

Unë nuk premtoj të të kërkoj të qëndrosh,
por unë mund të vi me ty…

Nëse një ditë nuk do të flasësh me askënd:
më telefono: do të heshtim…

Por nëse një ditë ti më telefonon
dhe unë s’të përgjigjem,
eja duke vrapuar tek unë:
sepse sigurisht do të kem nevojë për ty !.

Përktheu: Faslli Haliti

‘Ndiq pasionin, dhe bota është e jotja’

By: Kult Plus
3 August 2025 at 11:20

Carmine Gallo

Në vitin 1997, Steve Jobs u rikthye tek Apple, pas një mungese 12-vjeçare. Kompanisë që ai kishte bashkëthemeluar po i mbaronin paratë dhe ishte pranë falimentimit. Jobs mbajti një mbledhje të stafit dhe shpjegoi rolin që pasioni do të luante në rigjallërimin e markës:

“Apple nuk është vetëm prodhim kutish me të cilat njerëzit të kryejnë punët e tyre, ndonëse edhe këtë ne e bëjmë shumë mirë. Apple është më shumë se kaq. Vlera e saj qëndron në faktin se ne besojmë që njerëzit që kanë pasion, mund ta ndryshojnë botë, për ta bërë më të mirë”.

Thjeshtë fraza – “njerëzit me pasion mund ta ndryshojnë botën” – përmban sekretin e suksesit në sipërmarrje. Pothuajse një dekadë më vonë, në vitin 2005, Jobs iu rikthye kësaj teme në fjalimin e tij të famshëm, përpara studentëve të Universitetit të Stanfordit.

“Duhet të gjesh atë që do të bësh”, tha Jobs. “E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha, është të duash atë që bën. Nëse nuk e keni gjetur ende, vazhdoni kërkoni. Mos rrini. Ashtu si me të gjithë gjërat që kanë të bëjnë me zemrën, do ta kuptoni kur ta keni gjetur”.

Pasioni është gjithçka. Ndjekja e pasionit është sekreti për të kapërcyer pengesat që ndeshin të gjithë sipërmarrësit, dhe për të ndërtuar rezistencë kundër nihilistëve të pashmangshëm, që do të vënë gjithmonë në dyshim vizionin tënd. Është gjithashtu një përbërës thelbësor në komunikimin e suksesshëm. Nëse nuk je ti pasionant për idetë që ke, askush tjetër nuk do të jetë.

Sipërmarrësit e suksesshëm e kanë pasionin me bollëk – por jo domosdoshmërisht për produktin. Ata janë pasionantë për misionin e tyre. Ata janë pasionantë, për domethënien që produkti ose shërbimi i tyre, ka në jetët e klientëve të tyre. Ata janë pasionantë për të ndryshuar botën.

Për shembull, Jobs nuk ishte pasionant për kompjuterët. Ai kishte për pasion ndërtimin e mjeteve që do të ndihmonin njerëzit të çlironin krijueshmërinë e tyre personale.

Kur intervistova CE)-në e Starbucks, Houard Schultz, ne folëm për më shumë se një orë, dhe ai nuk e përmendi asnjëherë fjalën “kafe”.

“Kafeja është produkti, por nuk është biznesi ku jemi ne”, më tha ai.

Schultzi ndërtoi një perandori të tërë nga hiçi, pikërisht sepse ai nuk ishte aq pasionant për produktin, se sa ishte për “krijimin e një vendi të tretë, mes punës dhe shtëpisë”. Çdokush mund ta shesë një filxhan kafe. Duhet një inovator i vërtetë për të krijuar një eksperiencë.

“Kushdo që është pasionant, zhytet i tëri në një fushë të caktuar. Dëshiron të dijë gjithçka për të”, thotë Maxine Clark, themeluese e “Build-a-Bear”.

Gjatë një bisede të kohëve të fundit, Clark më rrëfeu se sa shumë admironte Steve Jobsin, si një njeri që ndoqi pasionet e tij, kudo ku ata e çuan.

“Ai ishte kurioz. Kishte studiuar kaligrafinë, artin, muzikën dhe i bashkoi të gjitha bashkë, për ne të tjerët”, thotë ajo.

Clark nuk është më CEO e kompanisë që vetë e krijoi dhe tani po investon në kompanitë që ndodhen në faza të hershme, si dhe si mentore sipërmarrësish. Ajo thotë se pasioni është një tipar themelor, të cilin ajo e kërkon kur duhet të vendosë se kë të mbështesë dhe këtë mësojë. Ajo dëgjon me vëmendje fjalët që përdorin njerëzit. Për shembull, nëse dikush dëshiron që “thjeshtë të bëhet i pasur”, dhe nuk ka pasion për atë ide të caktuar, Clarku e anashkalon. “Nuk më mjafton. Nuk ka nxitim për të krijuar një biznes, për të cilin nuk ke pasion”, thotë ajo. “Në terma afatgjatë nuk do të funksionojë. Duhet të vësh zemrën. Është zemra që do të të udhëheqë pastaj, për të fituar para”.

Shumë investitorë u kanë bërë jehonë vëzhgimeve të Clarkut. Kohët e fundit më ndodhi të takoj Doug Leonen e Sequoia Capital. Investitori legjendar ka mbështetur Google, AirBnB, whatsApp dhe qindra kompani të tjera.

“Cila është cilësia që e kanë të gjithë sipërmarrësit e suksesshëm?”,- e pyeti një pjesëtar i audiencës. “Nuk e bëjnë për paratë”, u përgjigj atypëraty Leone. “Kanë pasion për misionin e tyre”.

Ndiq pasionin, dhe bëj diferencën. /KultPlus.com

Një mijë vizitorë gjatë korrikut në Kalanë e Lezhës

By: Kult Plus
3 August 2025 at 10:49

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se, Kalaja e Lezhës gjatë muajit korrik ka pritur mbi 1 000 vizitorë.

Vizitorët, vendas e të huaj, i bashkon pasioni dhe dëshira për të njohur vlerat arkeologjike dhe historike të kësaj kalaje, por edhe për të shijuar peizazhin përreth që ajo ofron.

Kalaja e Lezhës, e vendosur si një kurorë dhe e rrethuar plot me histori nga bukuritë e qytetit, ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit të Lezhës, pjesë e qytetit antik Lissus.

Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e qytetit të Lezhës, luginës së Drinit dhe e Detit Adriatik. Këtu mund të gjejmë gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine, veneciane dhe osmane./atsh/KultPlus.com

Rama: Energji pushimesh në Gjirin e Gramës

By: Kult Plus
3 August 2025 at 10:07

Gjiri i Gramës, një nga plazhet më spektakolare të jugut të Shqipërisë, tërheq çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj, është ndër atraksionet absolute të pushimeve për turistët e huaj, por edhe ata vendas.

I fshehur në vijëzimin bregdetar të Karaburunit, Gjiri i Gramës është një destinacion i preferuar për pushuesit që zgjedhin bregdetin e jugut të Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një grupi pushuesish që shijojnë ujërat e kaltra të Gjirit të Gramës, ndërsa kanë ngritur çadra kampingu në rërën e plazhit.

“Dhe me këtë energji pushimesh nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjiri i Gramës gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit (Vlorës).

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga stuhitë detare.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në Antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com

‘Mikja, zemra ime, ku je?’

By: Kult Plus
3 August 2025 at 09:32

Poezi nga Sadik Bejko:

Mikja, zemra ime, ku je?
Ku jemi ne? Të kam menduar,
Po të shkruaj nën Pandemi
Mos jemi avulluar. Të sëmurë,
bërë si retë e tjerrura brigjeve,
të padukshëm për cilindo tani.
Dikur, harruar vetes, u dhuruam te kohërat tona.
Te ato që shkuan e vanë,
kohëra që gjaku
u shterrte në atë që quhej “atdhe”.
U blatuam nga ç’ish vetja jonë.
Tash kocka.
Nuk na njeh njeri.
Tash atdheu na qenkej tjetër.
Dhe kuptime, jetë na janë tjetër.
Vetja, e vockëla, ish vetja jonë ku mbeti?
Ku.. ku ndodhet ajo ish “e bukura” jonë?
Kush? Pyet kush?
Kush do të dijë për të tani?
Mikja ime, (ku je?) M’u zgjove
Të kërkova nën Pandemi./KultPlus.com

“The National”: Tirana në 48 orë: Vizitoni atraksionet kryesore të kryeqytetit plot jetë të Shqipërisë

By: Kult Plus
3 August 2025 at 09:01

Me fluturime direkte nga Abu Dhabi që do të vazhdojnë deri në fund të gushtit, tani është koha ideale për të zbuluar qytetet interesante të Ballkanit me kosto të përballueshme, shkruan Phil Johnson në një artikull të botuar në të përditshmen “The National” – në pronësi të shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, që botohet në Abu Dhabi.

Kryeqyteti dinamik i Shqipërisë ofron një ndërthurje magjepsëse të ndikimeve osmane, të epokës komuniste dhe bashkëkohore, perla e Ballkanit e rrethuar nga vargmali Skënderbej është një destinacion interesant.

Qendra e qytetit është vetëm gjysmë ore larg aeroportit me autobus dhe mjaft kompakte për të lëvizur tërësisht në këmbë.

Por, në muajin gusht mund të jetë vapë, rreth 8°C më freskët se në Abu Dhabi në verë, kështu që të ecësh përreth për të parë pamjet është e realizueshme.

Dhe ka shumë atraksione interesante për vizitorët kuriozë për 48 orë, veçanërisht ata me një buxhet të kufizuar.

1-Sheshi Skënderbej: Zemra e qytetit

Shumica e librave udhëzues rekomandojnë fillimin e një aventure në Tiranë në Sheshin Skënderbej, sheshin qendror që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbej.

Komandanti ushtarak vdiq në vitin 1468 dhe kujtohet për udhëheqjen e një rebelimi kundër Perandorisë Osmane.

Ky shesh, është i rrethuar nga monumente si Muzeu Historik Kombëtar dhe Teatri i Operas.

Statuja e vetë Skënderbeut mbi kalë është një pikë qendrore e sheshit, sfondi i saj i fasadave në ndryshim pasqyron një qytet që ka një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë.

2-Xhamia e Et’hem Beut: Një dëshmi e qëndrueshmërisë

Ngjitur me Sheshin Skënderbej ndodhet Xhamia e mrekullueshme e Et’hem Beut, një dëshmi e qëndrueshmërisë fetare.

E ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX – afresket e saj të ndërlikuara dhe arti delikat janë një pamje e rrallë në arkitekturën islame, duke përshkruar peizazhe natyrore dhe jetën e qetë.

Xhamia i mbijetoi mrekullisht politikave ateiste të regjimit totalitar, duke shërbyer si një simbol i fuqishëm i shpirtit elastik të Shqipërisë dhe ringjalljes së lirisë fetare.

Hyrja është falas dhe një vështrim përreth nuk zgjat më shumë se gjysmë ore.

3-Bunk’Art 1: Zbulimi i një të kaluare të fshehur

Duhen vetëm disa minuta për të ecur nga xhamia në një nga atraksionet turistike më interesante të qytetit.

Bunk’Art 1, një rrjet bunkerësh nëntokësorë të ndërtuar fillimisht për elitën politike – në rast të një sulmi bërthamor, është transformuar në një muze dhe hapësirë arti bashkëkohor magjepsës.

Vizitorët mund të zhyten në historinë komuniste të Shqipërisë dhe të eksplorojnë korridoret dhe dhomat e saj të ftohta.

Ekspozitat detajojnë paranojën dhe shtypjen e regjimit të Hoxhës në vend, duke ofruar një pasqyrë të fuqishme të një epoke të kaluar.

Hyrja është 500 lekë dhe rekomandohet të paktën një orë për ta shijuar të gjithën.

4-Ngjitja e piramidës: Historia me një pamje

Nevojiten 10 minuta për të ecur në atraksionin që ofron një pamje të horizontit të qytetit nga lart.

Ngjitja e Piramidës së Tiranës – një aktivitet tjetër falas – ndihet si ngjitja në një relike betoni të historisë, anët e saj të pjerrëta, por krenare.

Fillimisht, e ndërtuar në vitin 1988 si një muze për të nderuar diktatorin komunist Enver Hoxha, struktura dikur madhështore – tani simbolizon me guxim identitetin në ndryshim të Shqipërisë.

Çdo hap në ngjitje zbulon më shumë nga sharmi kaotik i qytetit, i rrethuar nga grafiti. Në majë, hapet panorama, me qytetin e shtrirë poshtë dhe vargmalin e bukur në distancë.

5-Turneu i stadiumit “Air Albania”: Një pikë referimi moderne sportive

Stadiumi kombëtar i futbollit përfaqëson me krenari arkitekturën më moderne të qytetit.

Për adhuruesit e sportit, një turne në stadiumin “Air Albania” ia vlen dhe është vetëm 10 minuta larg nga Piramida në këmbë.

Stadiumi, i hapur në vitin 2019, ndodhet në ish-stadiumin Qemal Stafa.

I ndërtuar si një vend kompakt në stilin anglez me spektatorë të ulur afër fushës, ai ka një kapacitet prej 22,000 vendesh dhe biletat shiten për çdo ndeshje të ekipit kombëtar.

6-Shëtitje në Parkun e Madh dhe liqen: Një oaz i gjelbër

Parku i Madh i Tiranës dhe liqeni i tij artificial janë vetëm pesë minuta larg në këmbë, nëpërmjet Sheshit Nënë Tereza, nga stadiumi.

Kjo hapësirë e gjerë dhe e qetë është një vend i preferuar për vendasit, duke ofruar shtigje për ecje dhe vrap, kafene dhe vende të qeta për t’u çlodhur dhe për t’i shpëtuar zhurmës urbane.

Ecja në unazën prej 5,3 km rreth liqenit zgjat rreth 45 minuta. I formuar nga një digë në mesin e shekullit XX, liqeni ofron një pamje piktoreske.

Pse duhet ta vizitoni tani

Nga bunkerët e Luftës së Ftohtë, te shëtitjet buzë liqenit dhe pamjet e horizontit nga çatitë plot me grafite, Tirana ofron një gamë të gjerë atraksionesh për t’u vizituar.

Një mbrëmje e kaluar në Bllok, zona elegante dhe e gjallë e kafeneve dhe restoranteve të qytetit, është mënyra perfekte për të përfunduar ditën tuaj.

Udhëtimi drejt majës së malit të Dajtit me teleferik; vizita në tregun e Pazarit të Ri; dhe shëtitja nëpër Kalanë e Tiranës – një fortesë mesjetare – e cila tani është një rrugë për këmbësorë me një sërë restorantesh dhe dyqanesh artizanale – janë disa nga vendet kryesore që mund të zbuloni.

Tirana është një perlë e Mesdheut – e lehtë për t’u eksploruar. Me linjën direkte të “Wizz Air” nga Abu Dhabi në kryeqytetin shqiptar – mund të shijoni pushime cilësore me një kosto të përballueshme./atsh/KultPlus.com

BBC: Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës – “Dy anët e mia u bënë një”

By: Kult Plus
2 August 2025 at 23:55

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë zyrtarisht shtetësinë e Kosovës në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Prishtinë, ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani, shkruan BBC.

E lindur në Londër nga prindër kosovarë-shqiptarë, Lipa e ka jetuar një pjesë të fëmijërisë së saj në Prishtinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Marrja e shtetësisë kosovare për të përfaqëson një përmbushje të identitetit të saj të dyfishtë, transmeton KultPlus.

“Kjo më bën të ndjehem e plotë – si dy anët e mia që më në fund janë bërë një. E dua këtë vend dhe kjo ka një domethënie të madhe për mua dhe për familjen time,” – deklaroi Lipa.

Presidentja Osmani e quajti Duan “një nga figurat më ikonike kulturore në historinë e Kosovës”, ndërsa shtoi:

“Nga skenat më të mëdha të botës te zemrat e miliona njerëzve, ajo e ka bartur historinë tonë me forcë, krenari dhe hir.”

Në ceremoni, një kor fëmijësh interpretoi këngën “Levitating”, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se “si Britania, ashtu edhe Kosova e quajnë Duan një nga të tyret.”

Dua Lipa, që tashmë zotëron shtetësitë e Britanisë, Shqipërisë dhe Kosovës, është në Prishtinë për të performuar në festivalin Sunny Hill, të cilin e ka themeluar bashkë me babain e saj që nga viti 2018.

Përmes këtij festivali dhe punës së saj humanitare, Lipa ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për Kosovën dhe në promovimin e saj ndërkombëtar si një vend i gjallë, kulturor dhe me potencial./BBC/KultPlus.com

Gratë në letërsinë shqipe – Zëra që formësuan kulturën tonë

By: Kult Plus
2 August 2025 at 23:50

Nga Naim Frashëri e deri te Mitrush Kuteli e Ismail Kadare, letërsia shqipe ka qenë për një kohë të gjatë një fushë ku dominonin burrat në tekst, në histori dhe në kanon. Megjithatë, zërat e grave nuk munguan. Ato e shkrinë heshtjen përmes poezisë, prozës e dramës, duke krijuar një identitet të veçantë letrar që shpesh u la në hije.

Gratë shqiptare në letërsi kanë shkruar mes dy botësh: një realiteti të fortë patriarkal dhe një bote artistike që kërkon shprehje të lirë. Që nga fillimi i shekullit XX e deri më sot, shumë prej tyre kanë sfiduar jo vetëm normat shoqërore, por edhe modelet e krijimit, duke sjellë rrëfime të reja për dashurinë, jetën, luftën, dhe qenien grua në një shoqëri në ndryshim.

Nga Musine Kokalari te Mimoza Ahmeti: një rrugëtim i gjatë
Musine Kokalari, e para shkrimtare shqiptare që botoi një libër në gjuhën shqipe, është një figurë themelore për historinë letrare dhe politike. E përndjekur për bindjet e saj politike, ajo mbeti e izoluar për vite me radhë, por zëri i saj vazhdoi të jetojë përmes teksteve që sot lexohen me respekt dhe admiracion.

Ndërsa dekadat kalonin, emra si Flutura Açka, Helena Kadare, Elvira Dones, Mimoza Ahmeti dhe Lindita Arapi e shtuan gamën e temave dhe stileve. Ato sollën një ndjeshmëri të re ndaj trupit, identitetit, përkatësisë dhe të huajës duke krijuar letërsi që fliste si për brendësinë e shpirtit, ashtu edhe për dhimbjet kolektive të migrimit, represionit, dashurisë dhe humbjes.

Një përpjekje për të rishkruar historinë
Historianët e letërsisë shqiptare për vite me radhë kanë pasur tendencën të nënvlerësojnë ose injorojnë zërin femëror. Sot, një brez i ri kritikësh, studiuesish dhe lexuesish po i kthehet kësaj trashëgimie me vëmendje dhe ndjeshmëri më të thellë.

Në tekstet e grave shqiptare gjejmë një gjuhë ndryshe, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në formë: më shpesh poetike, intime, shpërthyese, një jehonë e përvojave që nuk janë rrëfyer në mënyrë tradicionale.

Gratë sot: më shumë zëra, më shumë guxim
Sot, letërsia shqipe po përjeton një ringjallje të autorëve gra, të cilat po botojnë jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në përkthime të shumta jashtë vendit. Romane që trajtojnë migrimin, identitetin gjinor, luftën, jetën urbane dhe përvojën e diasporës shqiptare – po hapin rrugë të reja për lexuesit dhe krijuesit e rinj.
Kjo është një kohë kur fjala e gruas shqiptare në letërsi është më e pranishme dhe më e fuqishme se kurrë. Një letërsi që nuk kërkon vetëm barazi në numra, por barazi në ndikim, në kujtesë dhe në kanon./KultPlus.com

BE-ja fut në fuqi rregullat e reja për inteligjencën artificiale

By: Kult Plus
2 August 2025 at 23:22

Rregulla të reja transparence për modelet e inteligjencës artificiale si ChatGPT, Gemini dhe të ngjashme, hynë në fuqi sot në Bashkimin Evropian, si pjesë e një akti të rëndësishëm të inteligjencës artificiale të miratuar në vitin 2024.

Sipas rregullave të reja, zhvilluesit duhet të zbulojnë se si funksionojnë modelet e tyre dhe cilat të dhëna janë përdorur për t’i trajnuar ato.

Për modelet veçanërisht të përparuara, të cilat konsiderohen rreziqe të mundshme për publikun, masat e sigurisë duhet të dokumentohen gjithashtu.

Ligji synon pjesërisht të mbrojë më mirë të drejtat e autorit. Zhvilluesit tani duhet të raportojnë burimet e të dhënave të tyre të trajnimit dhe nëse kanë përdorur mbledhjen e automatizuar të të dhënave nga faqet e internetit.

Ata gjithashtu duhet të rendisin hapat e ndërmarrë për të mbrojtur pronën intelektuale dhe të krijojnë pika kontakti për mbajtësit e të drejtave.

Ndërsa individët mund të padisin ofruesit e shërbimeve të inteligjencës artificiale sipas ligjit të ri, Zyra Evropiane për Inteligjencën Artificiale do të fillojë zbatimin vetëm më vonë.

Zyra do të monitorojë modelet e reja nga gushti 2026 dhe modelet e publikuara para 2 gushtit 2025, duke filluar nga gushti 2027.

Shkeljet mund të rezultojnë në gjoba deri në 15 milionë euro ose 3 për qind të shitjeve vjetore globale.

Bashkëpunimi në mbrojtje, temë kryesore në takimin Kurti–Baker

By: Kult Plus
2 August 2025 at 22:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në Prishtinë Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker, së bashku me ekipin e tij, në një takim që vjen pas një jave të mbushur me thellim të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-të i japin Kosovës.


“Angazhohemi çdo ditë për miqësi edhe më të thellë, partneritet edhe më të gjerë dhe aleancën edhe më të fortë,” u shpreh kryeministri.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

Ky takim nënvizon rëndësinë që Kosova i kushton sigurisë dhe aleancave strategjike, veçanërisht me SHBA-në, në rrugën e saj drejt forcimit të shtetësisë dhe synimit për anëtarësim në NATO./KultPlus.com

Dugi për shtetësinë kosovare të Duas: Kënaqësi dhe privilegj

By: Kult Plus
2 August 2025 at 22:27

Babai i yllit me famë botërore, Dua Lipës, Dukagjini, ka folur për shtetësinë kosovare që vajza e tij e mori me dekret presidencial.

Dukagjin Lipa ekskluzivisht në “Prive” në Klan Kosova tha se është kënaqësi ta pranosh një dhuratë të tillë, teksa e cilësoi ka qenë e rrugës që Dua ta ketë edhe shtetësinë e Kosovës.

“Shumë mirë, është një kënaqësi të pranosh një dhuratë të tillë. Dua e ka shtetësinë edhe të Shqipërisë edhe ka qenë e rrugës ta ketë edhe shtetësinë e Kosovës. Është kënaqësi dhe privilegj ta ketë shtetësinë e Kosovës”, tha Lipa, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai foli edhe për atmosferën e jashtëzakonshme që tash e disa vite po mbretëron në “Sunny Hill”, duke thënë se është një nga festivalet e vetme në botë që për disa edicione me radhë s’e ka asnjë incident.

“Ne kemi punë me 40 mijë njerëz, normal që do të ketë në një moment apo tjetrin diçka që nuk shkon mirë, por deri tani nuk kemi asnjë problem. Jemi një prej festivale shumë të rralla në botë që në 7 edicione kemi zero incidente”, tha ai.

Yesterday — 2 August 2025Main stream

Fluks turistësh në Apoloni, Rama ndan pamjet

By: Kult Plus
2 August 2025 at 22:00

Apolonia është ndër parqet arkeologjike më të mëdha në vend dhe pret një numër relativisht të lartë vizitorësh të kombësive të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto të turistëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur që të vizitojnë qytetin antik të Apolonisë për trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore.

Parku Arkeologjik i Apolonisë ndodhet në jugperëndim të Fierit. Vizitorët e këtij parku, përveç qytetit antik të Apolonisë dhe monumenteve të tij, mund të shohin edhe objekte të tjera të vendosura në muzeun brenda parkut. Ky muze Arkeologjik është ndër më të pasurit e vendit, me objekte unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj.

Apolonia e Fierit është një nga sitet më të mëdhenj në vend, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë sonë arkeologjike.

Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.

Alexander Graham Bell, shpikësi i telefonit, që u bë zëri i dashurisë për nënën dhe gruan e tij të shurdhër

By: Kult Plus
2 August 2025 at 21:45

Duhej një ironi fati që të kishte një Alexander Graham Bell. Që ai të kishte nënën dhe gruan të shurdhra, që ai ta kthente në një sfidë personale, krijimin e objekteve të dëgjimit, mes të cilave, ai që fitoi famë botërore do të ishte telefoni.

Nëse nuk e dinit, ja ku e mësuat, se gjithçka e atij telefoni që keni në dorë, ati mjeti komunikimi që ju bashkon me njerëzit dhe po e bën botën gjithnjë e më të vogël, është në sajë të këtij burri, të kësaj mendjeje, të këtij shpirti trazimtar, që i ndëshkuar nga fati të kishte dy njerëz të shtrenjtë me probleme serioze dëgjimi, të sillte në jetë magjistarin e komunikimit në distancë, telefonin.

Alexander Graham Bell (3 mars 1847 – 2 gusht 1922) ishte një shkencëtar, shpikës, inxhinier dhe inovator skocez, që është vlerësuar për shpikjen e telefonit të parë praktikë dhe për bashkëthemelimin e Kompanisë Amerikane të Telefonisë dhe Telegrafisë (AT&T) në 1885.
Babai, gjyshi dhe vëllai i Bellit, kishin qenë të gjithë të lidhur me punën e oratorisë dhe fjalimeve, dhe si mamaja ashtu dhe gruaja e tij ishin shurdhe, duke e ndikuar thellësisht punën e jetës së tij. Kërkimet e tij mbi dëgjimin dhe fjalimet e çuan atë më tej në eksperimentimin me mjete dëgjimi që kulminikuan në shpërblimin e Bellit me patentën e parë amerikane për telefonin në vitin 1876.

Bell e konsideronte shpikjen e tij më të famshme një hyrje në punën e tij të vërtetë si shkencëtar dhe refuzoi të kishte një telefon në studion e tij. Jetën e tij të mëvonshme e shënuan shumë shpikje të tjera, duke përfshirë punën e tij inovatore mbi telekomunikimet optike, hidroplanet dhe aeronautikën. Megjithëse ai nuk ishte një nga 33 themeluesit i National Geographic Society, ai gjithashtu kishte një ndikim të fortë në revistë ndërsa shërbente si presidenti i dytë nga 7 janari i vitit 1898 deri në vitin 1903.

Puna e tij u ndërtua mbi punën e Hermann von Helmholtz, i cili kishte arritur të përçonte tingujt zanore duke përdorur një akordim kontrapion pirun. Bell kuptoi se kjo nënkuptonte mundësinë e komunikimit të të folurit të artikuluar. Pushimi i madh i Bell erdhi pas përdorimit të një fonautografi, i cili vizatonte formën e valëve të zërit në xhamin e tymosur duke gjurmuar dridhjet e tyre. Më pas ai shpiku një mënyrë për ta shndërruar këtë lëvizje në ndryshime të rrymës elektrike, e cila më pas, në fundin marrës, mund të shndërrohej përsëri në zë./AlbertVataj/

Edhe vendet nordike po përballen me një valë të nxehti të pazakontë këtë verë

By: Kult Plus
2 August 2025 at 21:31

Në pjesët veriore të Evropës, ku zakonisht mbizotërojnë temperaturat e ulëta, temperaturat këtë verë kanë kapërcyer 30°C për periudha të zgjatura. Në Arktikun norvegjez, për shembull, një stacion moti ka shënuar temperatura mbi 30°C për 13 ditë rresht në korrik. Ndërkohë, në Finlandë, vala e të nxehtit ka zgjatur tri javë me temperatura të larta – më e gjata që nga viti 1961, dhe 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm.

Sipas Mika Rantanen nga Instituti Meteorologjik Finlandez, kjo valë është tepër e pazakontë, me temperatura që shkojnë deri në 33°C. Edhe në zonat arktike janë regjistruar temperatura mbi 25°C për tri javë, çka mund të thyejë rekorde edhe në muajin gusht. Edhe Instituti Meteorologjik i Norvegjisë ka raportuar temperatura mbi 30°C për 12 ditë të ndryshme në pjesët më të largëta të veriut të vendit.

Suedia gjithashtu po përjeton të nxehtë të madh. Në qytetet Haparanda dhe Jokkmokk temperaturat kanë qëndruar mbi 25°C për dy javë rresht, nivele që nuk janë parë për më shumë se një shekull.

Ndërkohë që këto vende janë të pajisura mirë për të përballuar dimra të ashpër, infrastruktura e tyre nuk është ndërtuar për temperaturat e larta. Sipas studiuesve, numri i ditëve të nxehta në këto rajone pritet të rritet gjithnjë e më shumë në të ardhmen.

Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës dhe feston në Sunny Hill: “E dua jetën!”

By: Kult Plus
2 August 2025 at 20:44

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë me ndjekësit një moment historik në jetën e saj, marrjen e shtetësisë së Kosovës, vetëm një natë përpara se të performonte në Sunny Hill Festival në Prishtinë.

Në një postim plot energji në Instagram, ajo shkroi:
“E mora shtetësinë një natë më parë dhe pastaj festova fort në @sunnyhillfestival natën pas saj!!!!! E dua jetënnn 🫶🎉🇽🇰

E shoqëruar me një fotografi nga skena, ku Dua shfaqet me duart lart dhe një buzëqeshje të madhe, mesazhi i saj përçoi gëzim, krenari dhe një lidhje të thellë me vendlindjen.

Ky zhvillim shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në raportin e artistes me Kosovën. Përmes festivalit Sunny Hill, të themeluar bashkë me të atin, Dukagjin Lipa, Dua ka ndihmuar në vendosjen e Prishtinës në hartën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës bashkëkohore.

Marrja e shtetësisë nga ana e saj është më shumë se një formalite, është një deklarim i fortë dashurie dhe përkatësie.
Dua Lipa nuk është vetëm një ambasadore e muzikës,ajo është tashmë edhe zyrtarisht një ambasadore e kulturës dhe shpirtit të Kosovës./KultPlus.com

NASA: Katër astronautë ulen në ISS

By: Kult Plus
2 August 2025 at 20:31

Katër astronautë kanë mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas një udhëtimi 15-orësh në një kapsulë SpaceX, njoftoi sot NASA.

Misioni komandohet nga astronautja amerikane Zena Cardman. Anëtarët e tjerë të ekuipazhit janë Michael Fincke i SHBA-së, astronautja japoneze Kimiya Yui dhe kozmonauti rus Oleg Platonov.

Ata u nisën një ditë më parë në bordin e një rakete Falcon 9 të operuar nga kompania hapësinore SpaceX e miliarderit të teknologjisë Elon Musk, nga porti hapësinor Cape Canaveral në Florida.

Ky është misioni i 11-të i rregullt me ekuipazh i SpaceX në ISS.

Ekuipazhi do të qëndrojë në bordin e postit orbital, të vendosur afërsisht 400 kilometra mbi Tokë, për disa muaj, duke kryer një sërë eksperimentesh shkencore.

Aktualisht në stacion ndodhen 11 astronautë.

Por të sapoardhurit ndërrohen me katër astronautë të tjerë që kanë qenë atje që nga marsi.

Ata janë planifikuar të kthehen në Tokë në ditët e ardhshme. /atsh/ KultPlus.com

FEST64 zyrtarisht i hapur! Drejtoresha Artistike Elhaida Dani ka një mesazh për artistët pjesëmarrës

By: Kult Plus
2 August 2025 at 20:00

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH është hapur zyrtarisht.

Spoti i shumëpritur i Fest64 sapo është publikuar, duke dhënë startin e thirrjes për këngëtarët shqiptarë kudo që ndodhen – nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në diasporë! Të gjithë janë të ftuar të bëhen pjesë e Festivalit që çon Shqipërinë në Eurovizion.

Përmes një videoje të xhiruar në një skenografi magjike, Drejtoresha Artistike e Festivalit të Këngës në RTSH, Elhaida Dani, tha se asnjë artist shqiptar nuk duhet ta humbasë mundësinë për t’u bërë pjesë e historisë së muzikës shqiptare.

Prej më shumë se gjysmëshekulli, këtu lindin këngët të cilat kthehen në kujtime. Nëse ke një këngë me shpirt, që flet me zemër dhe e cila tingëllon shqip, tani është momenti ta ndash me ne. Eja të shkruajmë së bashku kapitullin e radhës të muzikës shqiptare,” tha Dani, e cila prej një viti ka kthyer klasin dhe emocionin në skenën shqiptare në rolin e Drejtoreshës Artistike të Festivalit.

Regjia e spotit të Fest64 sivjet u realizua nga Redi Treni, sikurse në edicionin e kaluar. Videoja e shfaq Elhaidën në mes të detit, elegante dhe pranë një pianoje të bardhë – një metaforë për thirrjen artistike që prek çdo shqiptar me këngë në shpirt.

Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre muzikore vetëm përmes email-it zyrtar festivali64@rtsh.al.

Në email çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:

  • Këngën e plotë në formatin MP3;
  • Orkestralen bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;
  • Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;
  • Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;
  • Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);
  • Ditën e lindjes, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;
  • Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet e tij në festivale, si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);
  • Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;
  • Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;
  • Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me Stafin e Festivalit;
  • Këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) do të skualifikohen menjëherë. /rtsh.al/ KultPlus.com

Panajot Kanaçi, babai i koreografisë shqiptare

By: Kult Plus
2 August 2025 at 19:48

Përkujtohet në ditën e lindjes babai i koreografisë shqiptare, të madhin, Panajot Kanaçi.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor soli në këtë ditë disa nga momentet kyçe të jetës dhe karrierës së tij duke vënë në dukje se Panajot Kanaçi është emri që i ka dhënë vlera të mëdha baletit dhe valles shqiptare.

Ende sot, pas kaq dekadash, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor mbeten të gjalla krijimet e tij koreografike, baletet dhe vallet, me të cilat Shqipëria është prezantuar denjësisht para publikut shqiptar e të huaj dhe ka fituar çmime e vlerësime.

Panajot Kanaçi u lind në Delvinë më 2 gusht 1923. Kreu Liceun Artistik në vitin 1943 dhe iu përkushtua me pasion artit të kërcimit.

Ishte viti 1946 kur Kanaçi nisi pranë Shkollës Pedagogjike punën koreografike me një grup vajzash; më pas mblodhi rreth vetes djem e vajza që kishin dëshirë të kërcenin dhe me to krijoi bërthamën e parë të trupës artistike të baletit.

Me krijimin e Filarmonisë në vitin 1950 nisi një periudhë e rëndësishme e krijimtarisë së Kanaçit. Ai jo vetëm që ndihmoi në vënien e disa veprave të rëndësishme nga regjisori rus Perkun, por ishte edhe interpretues i shkëlqyer i roleve kryesore në dy baletet e asaj kohe: “Shatrivani i Bahçisarait” dhe “Esmeralda”.

Kreu studimet e larta për regjisor-baletmaestër në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë, ku krahas studimeve zhvilloi edhe një veprimtari të dendur krijuese me valle shqiptare dhe balete klasike.
Në vitin 1961 u kthye nga studimet në Moskë dhe nisi punën e tij krijuese.

Si udhëheqës artistik dhe baletmaestër i trupës së baletit të TOB-it, Kanaçi vuri në skenë baletin e parë kombëtar shqiptar “Halili dhe Hajrija” në vitin 1963, që u pasua nga baletet “Delina”, “Joniada”, “Shota dhe Azem Galica”, “Bijtë e peshkatarit” etj. Në karrierën e tij nuk mungojnë edhe baletet e huaja si “Franceska da Rimini”, “Paganini” apo miniatura baletesh.

Panajot Kanaçi ishte mjeshtër i madh i artit koreografik shqiptar dhe krijues i valleve popullore të të gjitha trevave të vendit. Mjeshtri Kanaçi realizoi një fond të pasur vallesh, të cilat kanë vlera të veçanta.
Sukseset e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, me të cilin ai ishte ngushtësisht i lidhur, janë kryesisht sukseset e tij.

Vallet e profesorit kanë korrur sukses në Evropë, Azi, Afrikë, SHBA, Kinë, Kanada, duke filluar me “Vallëzimin e shqipeve”, ku çdo valltar ishte një shqipe e gjallë në skenë. Më pas vijoi me krijime të tjera të çdo krahine si:
“Mal e ngritëm lumturinë”, “Valle e liqenit”, “Vallja e Osman Takës”, “Festë në Dropull”, “Sup më sup të lidhur jemi”, “Motive çame”, “Valle me motive kosovare”, “Oshtima e maleve”, “Luftëtarët e lirisë”, duke arritur majat artistike me vallen madhështore “Festë të madhe ka sot Shqipëria”.

Ai është nderuar me tituj të shumtë, ndër të cilët “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”./atsh/

❌
❌