Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 August 2025Main stream

Luçjan Bedeni sjell librin “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni”

By: Kult Plus
7 August 2025 at 23:30

Një botim i ri pritet të dalë nga shtypi në ditët në vijim, duke sjellë për herë të parë një studim të thelluar mbi figurën e Pietro Marubbit, themeluesin e studios së parë fotografike në Shqipëri dhe një nga figurat më të rëndësishme të artit pamor të shekullit XIX.

Libri titullohet “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni” dhe është rezultat i 12 vjetëve kërkime të autorit Dr. Luçjan Bedeni, si pjesë e punës së tij doktorale,shkruan KultPlus.

Botimi sjell dokumente dhe të dhëna të panjohura më parë nga arkivat italiane, ruse, turke, kroate dhe britanike, që hedhin dritë mbi identitetin, jetën dhe rrugëtimin e Marubbit nga Italia në Dalmaci, Greqi dhe më pas në Shkodër, ku ai do të vendoste themelet e një tradite fotografike që do të ndikonte brez pas brezi.

Libri përfshin gjithashtu një rishikim kritik të rolit të Marubbit në artin pamor shqiptar, duke e paraqitur atë si më shumë se një fotograf – si arkitekt, piktor, mësues dhe vizionar, që solli një formë të re të të parit në shoqërinë shqiptare të kohës.

Redaktuar nga Dr. Primo Shllaku dhe i pajisur me dizajnin grafik të Nita Salihu Hoxhës, botimi përgatitet nga “Studio Permanent” dhe do të dalë në shtyp nga “Viprint”.

Ky libër pritet të jetë një referencë e re e rëndësishme për studiuesit e historisë së artit, fotografisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare./KultPlus.com

Gianni Berengo Gardin, mjeshtri i fotografisë bardh e zi të shekullit XX, shuhet në moshën 94-vjeçare

By: Kult Plus
7 August 2025 at 23:11

Një nga figurat më të mëdha të fotografisë dokumentare në Evropë, Gianni Berengo Gardin, ka ndërruar jetë sot në Gjenova, në moshën 94-vjeçare, njofton “Adnkronos”.

I lindur më 10 tetor 1930 në Santa Margherita Ligure, por i rritur në Venecie – qyteti që e konsideronte të vetin – Berengo Gardin nisi rrugën e fotografisë në rininë e tij dhe kurrë nuk u nda më prej saj. Gjatë shtatë dekadave të punës së tij, ai krijoi një arkiv monumental me mbi dy milionë negativë, duke dokumentuar jetën italiane me një sy empatik, të ndershëm dhe shpesh ironik, por kurrë cinik.

Fotot e tij bardh e zi tregojnë puthje të fshehta, gra punëtore, fëmijë në lojë, arkitekturë industriale, jetën në trenat e stërmbushur dhe fytyrat e panjohura të një Italie që ndryshonte. Ai nuk deshi kurrë ta quante veten artist: “Unë jam një zejtar. Nuk dua të interpretoj, dua të tregoj”.

Berengo Gardin ishte i pranishëm në ekspozita dhe institucione ndër më prestigjiozet në botë – nga MoMA në New York, Reina Sofía në Madrid, deri te Biblioteka Kombëtare e Francës dhe MAXXI në Romë. Ai botoi mbi 260 libra dhe realizoi mbi 360 ekspozita personale.

Krahasuar shpesh me Henri Cartier-Bresson, ai thoshte me modesti:
“Unë jam Willy Ronis italian. Por me krenari ruaj një dedikim nga Cartier-Bresson: ‘Për Gianni Berengo Gardin me simpati dhe admirim’. Të kesh admirimin e tij do të thotë që mund të vdesësh në paqe.”

Sot, ai iku në paqe duke lënë pas një trashëgimi që do të ndriçojë akoma përmes dritës së bardhë e zi./KultPlus.com

Lamtumire vëndet e mija

By: Kult Plus
7 August 2025 at 23:00

Gjergj Fishta

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka vale mbi vale.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill un tash do t’veta
Lamtumir atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser Nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkeretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Ka me prit pra motër zeza
Me i pru nanës në shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht kah kalbet për nan dhe…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumire ju mriza e stane!
Lamtumire ju “shkurre e mreta”!
Lamtumire ju o armt e t’parve
Lamtumire për sa t’jetë jeta./KultPlus.com

Besohet se ky është njeriu nga i cili u frymëzua autori kur e krijoi personazhin e Shrek-ut

By: Kult Plus
7 August 2025 at 22:45

Maurice Tillet, i njohur më mirë si Engjëlli Francez, ishte një legjendë e mundjes në vitet 1940. I lindur në Rusi në vitin 1903, Tillet zhvilloi akromegali, një sëmundje e rrallë që zmadhoi kockat e tij, duke i dhënë tipare të fuqishme dhe të veçanta – ato që më vonë e bënë ikonë të ringut të mundjes.

Por pas kësaj pamjeje të fuqishme fshihej një njeri i qetë dhe i zgjuar. Tillet fliste disa gjuhë, kishte studiuar jurisprudencë dhe letërsi, dhe ishte i njohur për natyrën e tij të matur jashtë ringut.

Shumë fansa besojnë se Tillet ishte frymëzimi real për Shrek-un – një teori që nuk është konfirmuar kurrë zyrtarisht, por që bëhet e vështirë për t’u mohuar sapo të shohësh ngjashmërinë./KultPlus.com

“Le Figaro”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira kulturore për të udhëtuar

By: Kult Plus
7 August 2025 at 22:35

E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve kulturore më të mira për të vizituar në një udhëtim të organizuar.

Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, këto destinacione ofrojnë një ndërthurje të peizazhit dhe kulturës.

Cilat janë destinacionet më të mira kulturore për udhëtime të organizuara?

1-Shqipëria dhe Thesaret e UNESCO-s

2-Një shëtitje në zemër të Uashington DC, Merilendit dhe Virxhinias

3-Salzburg: Mozarti dhe Shkëlqimet e Salzkammergut

4-Madhështitë e Saksonisë: Dresden dhe Leipzig, dy qytete të artit dhe historisë

5-Firence, toka e mjeshtrave: Ekspozita “Fra Angelico” dhe Thesaret e Rilindjes

Shqipëria dhe thesaret e UNESCO-s

Zbuloni këtë udhëtim në Shqipëri

Shqipëria, një perlë e vërtetë e fshehur e Ballkanit, joshëse me pasurinë e historisë së saj dhe diversitetin e peizazheve të saj.

Nga Tirana në Gjirokastër, nëpërmjet Beratit dhe Butrintit, ky udhëtim ju çon në gjurmët e qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këto toka: ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.

Një vizitë në një vend ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shqipërinë nuk do ta zbuloni vetëm përmes monumenteve të saj.

Ajo jeton në mikpritjen e popullit të saj, pasurinë e traditave të saj dhe shijet e gastronomisë së saj.

Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla – ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Këto janë vetëm disa nga përvojat që e bëjnë këtë udhëtim të paharrueshëm.

Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, një performancë vallesh popullore apo zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse./atsh

WhatsApp po merr një veçori që do të bëjë shumë përdorues të lumtur

By: Kult Plus
7 August 2025 at 22:16

WhatsApp po shumë mundësi do të prezantojë një funksion të ri që do të lejojë përdoruesit të zgjedhin cilësinë e automatikisht shkarkimit të fotografive dhe videove.

Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për ata që kanë kufizime në ruajtjen e të dhënave ose që përdorin lidhje interneti me shpejtësi të ulët.

Nëse jeni pjesë e programit beta të WhatsApp për Android, mund të keni mundësinë të aktivizoni këtë funksion duke shkuar te Settings > Storage and data > Media upload quality. Në këtë seksion, do të shihni një opsion të ri të quajtur Auto-download quality, ku mund të zgjidhni midis dy opsioneve:

Standard quality: Kjo do të shkarkojë përmbajtjen mediatike në cilësi të ulët, duke kursyer hapësirë dhe të dhëna.
HD quality: Kjo do të shkarkojë përmbajtjen mediatike në cilësi më të lartë, duke përdorur më shumë hapësirë dhe të dhëna.

Nëse zgjidhni “Standard quality” për shkarkimin automatik, do të keni ende mundësinë të shikoni përmbajtjen në cilësi HD manualisht, nëse ajo është ende e disponueshme në serverët e WhatsApp.

Aktualisht, ky funksion është në fazën e testimit dhe është i disponueshëm për disa përdorues të beta programit në Android.

Nuk ka një datë të saktë se kur do të bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit, por pritet që gjatë javëve të ardhshme të shpërndahet për një numër më të madh përdoruesish.

Nëse dëshironi të merrni pjesë në programin beta për të testuar këtë funksion, mund të regjistroheni përmes Google Play Store. Pas regjistrimit, mund të shkarkoni versionin beta të WhatsApp dhe të provoni funksionet e reja para se ato të bëhen të disponueshme për të gjithë./KultPlus.com

Yesterday — 7 August 2025Main stream

Kam dashur, po dua tani

By: Kult Plus
7 August 2025 at 21:49

Kam dashur, po dua tani
Gëte


Kam dashur, po dua tani më me zjarr,
Kam qene shërbyes, tani jam një skllav,
Me ç’zell kam shërbyer këdo!
Por befas më ndezi kjo mike besnike,
Dhe nis ma shpërblen çdo dhimbje fisnike,
Për mua s’ka tjeter si kjo!

Besova, tani besoj me pasion!
Në shkon jeta mbarë a barra ngarkon,
Besimi prej teje s’mërgohet!
Po ngryset kaq shpesh, po erret e nxin,
Shtrëngon kaq brenga, rreziku arrin,
Por qielli nis prap kthjellohet!

Kam ngrënë, tani po ha sa për tre,
Më ndriti krejt shpirti e zemra më rreh,
Gjithçka e harroj mes dëfrimi!
Rinia më zjen bërtas e gajas,
Kam mall që të shtrohem ndër vene plot gas,
Ngjeroj, më shijo fort ushqimi!

Kam pirë më parë, tani s’le sapllak,
Dhe vera na ngre, na bën me çakmak,
Dhe gjuhen na gjidh nga zinxhirat!
Nga vozat po zbrazet e rrjedh me rrëmbim,
Na ndez kaq dëshira, na ngjall kaq besim,
S’na ndalin hendeqet, rrepirat!

Në valle jam hedhur, në valle marr zjarr,
Asnjë shilarthar dhe asnjë valltar
S’erdh rrotull në valle si flutur!
Dhe kush shumë lule ia doli të thure,
Dhe kurrë s’i ndau, s’i shkeli në turr,
I mbeti kurora e bukur!

Ta thurim kuroren! Mos kini ngurrime!
Kush merr trëndafilin plot vese e shkëlqime
E çjerr vec pak gjemi i mprehtë.
Si dje edhe sot shkëlqejnë fort yjet,
Por larg mjaft i rrijnë kujt frikshem ul kryet
Dhe ngrys po gjithnjë po në jete!/KultPlus.com

Të jesh “së prapthi” nuk mjafton…

By: Kult Plus
7 August 2025 at 20:57

Nga Anila Bisha

Të dokumentosh kohën përmes hollësive të ngjarjeve të jetuara, ndjehesh sikur je duke e rijetuar edhe një herë një jetë, ku shumë syresh as e kanë njohur as e kanë jetuar.

Histori të thjeshta njerëzore familjarësh, histori rrugicash, histori të shtjelluara në detaje që plotësojnë të tërën e një kohe, sa të zymtë, aq edhe të jetueshme me ngjarje pa fund.

Konteksti politik dhe social, detajet e pasojave të agjitacionit e propagandës vijnë kaq natyrshëm në veshjen e personazheve të thjeshta, pa bërtitur, të fotografuara deri në detaje.

Stili letrar rrëfimtar e ndihmon autoren të na tregojë të vërteta që nuk humbasin nga letërsia.

Hera-herës, ndërsa lexon personazhin gjithnjë së prapthi e gjen veten duke qeshur, apo duke gjetur personazhe të njohur e të panjohur, që i zbulon përmes të vërtetave politike e sociale të kohës.

Mes të vërtetave të kohës dhe personazheve imagjinare apo reale autorja zbulon skuta njerëzore dhe histori njerëzore që të bëjnë të ndihesh edhe vetë personazh i librit apo së paku të gjesh veten në histori përgjimesh e biografish, që siç thotë autorja sado t’i ngjyrosje ato mbeteshin çuditërisht të bardha.

Ky është një rrëfim i fotografuar në kaq shumë detaje dhe i shkruar pa censurë, me çiltërsi dhe shpërfillje për të mos trukuar asgjë. As veten jo, por e zbulon vajzën e lindur së prapthi deri në imtësi.

Kujtesa e Ritës ose më saktë e shkrimtares bëhet kujtesa e bashkëkohësve të saj.

Pena e Ritës vazhdon të jetë e pacenueshme nga paragjykimet që ka përjetuar në botime të tjera, ajo mbetet po aq rebele duke na konfirmuar se të jesh së prapthi nuk mjafton, të ndihesh e lirë dhe e paautocensuruar është çështja! Përtej kësaj ne njohim shkrimtaren që me letërsinë e saj pagëzon Ritën si ROMANCIERE.

Shënim. Ndërsa mbarova librin rastësisht mësova se është përkthyer edhe në greqisht. Ndërsa pashë kopertinën kuptova se “Të lindësh së prapthi” ka edhe një tjetër këndvshtrim, ka sytë e Ritës që shohin deri në skutat më të errëta të qenies njerëzore!

Kush ka frikë nga Dukagjin Lipa?

By: Kult Plus
7 August 2025 at 20:34

Shkruan Klara Buda

Të jesh baba shqiptar dhe ta shohësh vajzën si subjekt të lirë, është një akt politik. Dukagjin Lipa nuk është thjesht menaxher i suksesit të Duas, ai është arkitekt i një modeli të ri atësie shqiptare. Në një kulturë që shpesh ndrydh, ai zgjedh të mbështesë. Dhe kjo është revolucionare.

Paris, më 3 gusht 2025

Në një kohë ku emri i Dua Lipës* ndriçon në skenat e botës, është lehtë të harrojmë se pas çdo superylli qëndron një histori e përditshme, një marrëdhënie njerëzore, një rrënjë intime. Babai i saj Dukagjin Lipa shumë i pranishëm në karrierën e saj cilësohet si menaxher brilant, si ideator strategjik i suksesit të vajzës së tij, por në disa gazeta londoneze edhe si baba patriarkal. Por për mua, ajo që Dukagjin Lipa mishëron është diçka që askush nuk guxon ta shprehë me dimensionin e saj të vërtetë, ajo që nganjëherë shkakton kundërshti : është historia e një babai shqiptar që refuzoi të ndrydhë vajzën e tij — dhe që, përmes kësaj zgjedhjeje, ka revolucionarizuar vetë idenë e atësisë shqiptare.

Shqiptarët kudo që janë — në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo mërgatë — e njohin një model atësie që është i rrënjosur thellë në ndërgjegje kolektive: babai si autoritet, babai si “koka e shtëpisë”, babai si figura që do të “ruajë” vajzën, shpesh nga vetvetja. Që në moshë të hershme, shumë vajza shqiptare e mësojnë se liria e tyre është për t’u “kontrolluar me mençuri”, se zërët e tyre duhet të jenë të butë, se trupat e tyre nuk u përkasin, ato janë pjesë e nderit të familjes.

Nuk është fjala për dhunën e hapur (edhe pse ajo ekziston), por për dhunën strukturore të përditshme — atë të heshtjes, të mosbesimit, të frikës së vazhdueshme: “Çfarë do të thotë bota?”, “Kush të pa?”, “Si u veshe?”. Në këtë mënyrë, shumë vajza nuk rriten, por ndrydhen, nuk bëhen individë, por figura që shërbejnë, që rregullojnë, që lënë mënjanë veten.

Filozofët si Michel Foucault na kanë mësuar se pushteti nuk vepron vetëm përmes ndalimit, por edhe përmes formësimit të vetëdijes. Babai tradicional shqiptar, edhe kur është i dashur, shpesh është instanca e parë që e ndrysh vajzën pasi i mëson se liria e saj është e rrezikshme.

Në këtë kontekst, Dukagjin Lipa është një “devijim” i bukur. Ai nuk e ndaloi Dua Lipën por i besoi që në moshën 12 vjeçare të studjojë e vetme në Londër larg familjes, nuk e “mbrojti” nga ekspozimi, nga dëshira për të krijuar. Përkundrazi — ai e ndihmoi ta ndërtojë këtë rrugë, jo si diktator por si një aleat i heshtur i një lirie që shkon përtej vajzës së tij. Tani ai nuk është vetëm baba, është bashkëkrijues i subjektit të saj të lirë.

Të jesh baba shqiptar dhe të mos jesh posesiv ndaj vajzës është një akt politik. Të mos ndërtosh gardh rreth ëndrrave të saj, të mos e kthesh trupin e saj në flamur morali, të mos e shohësh si pasqyrë të egos apo të krenarisë tënde, është revolucion. Dhe Dukagjin Lipa e ka bërë këtë revolucion — në heshtje, pa fjalime të mëdha, por me përkushtim të vazhdueshëm.

Kur e sheh në krah të vajzës së tij në çdo hap, nuk e sheh një burrë që kërkon vëmendje, por një prani mbështetëse, e rrallë për kulturën tonë. Ai nuk flet për të “ruajtur nderin e vajzës së vet”, por për ta ndihmuar të jetë e vetja, të guxojë, të jetë e ndërlikuar, e bukur, pa kërkuar leje.

Dukagjin Lipa është gjithashtu artist. Dhe kjo ka rëndësi. Sepse arti, ndryshe nga pushteti, kërkon bashkëkrijim, kërkon hapësirë, kërkon të dëgjosh pa të pasur frikë nga kaosi i tjetrit. Ndoshta, ky është sekreti i atësisë së tij revolucionare: ai e sheh vajzën si subjekt krijues, jo si një objekt për ta kontrolluar. Në këtë kuptim, ai është një filozof praktik i të përditshmes. Ai zgjedh të jetë baba si akt etik, jo si rol social. Ai nuk e shfrytëzon statusin e vet, por e ndan — dhe në këtë ndarje, ai e thyen formatin tradicional të atësisë shqiptare.

Çfarë është një baba i mirë? Jo ai që “sakrifikon” duke heshtur, por ai që guxon të jetë i dukshëm dhe i ndjeshëm. Jo ai që kontrollon, por ai që mbështet pa kusht. Jo ai që i mëson vajzës të ketë frikë nga jeta, por ai që i jep krahë për të fluturuar.

Figura e Dukagjin Lipës është e rëndësishme sepse ai është burrë shqiptar, baba shqiptar, dhe një model i ri që thyen format e vjetra pa i fyer ato. Ai nuk e refuzon kulturën tonë — ai e transformon atë nga brenda, me butësi, me dashuri dhe me vendosmëri.

Në një shoqëri ku shumë burra janë ose autoritarë, ose tërhiqen emocionalisht, ai zgjedh të jetë aktiv pa e zënë hapësirën e vajzës së tij. Ai është prezent, por jo hijë; mentor, por jo zotërues. Dhe kjo është rrallë.

Dukagjin Lipa është më shumë se një baba i një superylli. Ai është një shembull për çdo burrë shqiptar që dëshiron të jetë baba pa e ndrydhur vajzën në emër të dashurisë. Ky model i atësisë që ndërton dhe nuk kontrollon, që mbështet pa e penguar, u bë edhe më i dukshëm në skenën e Sunny Hill Festival, ku Dukagjin dhe Dua Lipa interpretuan së bashku këngën “ERA”. Nuk ishte vetëm një performancë artistike. Ishte një akt i ngarkuar me domethënie simbolike: një baba dhe një bijë, në skenë si të barabartë, të bashkuar në art, pa hierarki, pa censurë emocionale. Ishte një moment i rrallë, prekës dhe fuqishëm emancipues — që përmblodhi me elegancë gjithë atë çka kjo ese përpiqet të artikulojë.

Shihni vetë: Dueti ERA në Sunny Hill Festival

Ndoshta ndryshimi i madh në kulturën tonë nuk do të vijë nga ligjet, as nga reformat, por nga mënyra se si një baba sheh vajzën e tij. Nëse ajo shihet si qenie me zë, me trup, me vendime dhe të drejtë për t’i marrë ato, atëherë kemi bërë një hap drejt shoqërisë së lirë.

Dukagjin Lipa nuk është vetëm një baba që “e lejoi” vajzën të ndjekë ëndrrat — ai është një baba që ndërtoi një hapësirë ku ëndrrat e saj ishin të ligjshme, të dëgjuara, të ndjekura. Dhe në këtë proces, ai nuk ndërtoi vetëm një yll, por ndoshta frymëzon një brez të ri të baballarëve shqiptarë. Dhe disa të tillë që merren me zgjedhjet vestimentare te Duas, do të qe mirë të mësojnë nga Dukagjin Lipa.

Sepse ndonjëherë, revolucioni më i thellë ndodh në heshtje — në mënyrën si një baba zgjedh të mos e ndrydhë vajzën e vet.

Çfarë duhet të bëjë babai shqiptar për të mos e ndrydhur vajzën?
Pyetja është urgjente. Sepse shumë burra shqiptarë e duan vajzën e tyre, por dashuria e tyre vjen e përzierë me frikë, kontroll dhe moralizim. Ja disa parime që mund të mësojmë nga modeli i Dukagjin Lipës:

Të heqë dorë nga ideja se vajza është simbol i moralit të tij. Ajo është individ, jo pronë e nderit familjar .
Të mësojë të dëgjojë pa ndërhyrë. Pyetja “çfarë ndjen?” është më e rëndësishme se “çfarë do të thotë bota?”
Të jetë i pranishëm, por jo gjykues. Të jesh aty për vajzën nuk do të thotë ta ngulfatësh me këshilla, por ta mbështesësh me qetësi.
Të lejojë lirinë e saj trupore dhe emocionale. Trupi i vajzës nuk është “tokë e shenjtë” për ruajtje, por shtëpi që ajo vetë duhet ta zotërojë e ta qeverisë.
Të mësojë që dështimi është pjesë e rritjes. Të mos kërkojë vajzën perfekte, por vajzën e lirë.
*Dua Lipa është një vajzë e re e emancipuar dhe një model frymëzimi. Kjo ese fokusohet në një aspekt të veçantë të formimit të saj dhe i kushtohet mjedisit që e ka ndihmuar të rritet. Roli i nënës së saj është padyshim thelbësor; megjithatë, në kulturën shqiptare, është më së shpeshti figura e babait — dhe patriarkati në kuptimin më të gjerë — që përplaset me vlerat moderne. Siç e tregon edhe titulli, kjo ese është një reflektim mbi një aspekt, jo një analizë e plotë e botës së Dua Lipës./KultPlus.com

Jubile i artë për Charlize Theron

By: Kult Plus
7 August 2025 at 20:20

Ylli i kinemasë, Charlize Theron mbush sot 50 vjeç dhe nuk mund të ishte më e lumtur se kaq.

“I thashë mamasë se mezi po e prisja këtë ditë ndërsa ajo më tha se do të jem më mirë kur të mbush 70 vjeçe!’, thekson aktorja hollivudiane.

“Ndihem padyshim me fat dhe e bekuar me gjene të shkëlqyera. Mendoj se do të jem mirë që këtej e tutje”, shton ajo.

Nëna e saj ishte një fanse e filmave të Chuck Norris dhe Charles Bronson, dhe babai i aktores preferonte shumë filmat Mad Max.

Gerda dhe Charles Jacobus Theron e kishin atë si fëmijën e tyre të vetëm në Benoni, Afrikën e Jugut, dhe e rritën në fermën familjare jashtë qytetit.

E regjistruar në kurse vallëzimi që në moshë të re, Charlize filloi karrierën e saj si balerinë.

Ajo kërkoi punë fillimisht në Evropë dhe më pas në Nju Jork.

Ishte nëna e saj Gerda ajo që i bleu biletën e parë për në Los Anxheles.

“Si fëmijë, kryesisht shikoja filma aksioni. Më pas shtova disa drama si ‘Kramer vs Kramer”, thotë ajo.

Kështu lindi një yll pa paragjykime gjinore, e aftë të ishte intensive dhe shkatërruese, ironike dhe sensuale.

Fama erdhi në vitin 1997 me ”Devil’s Advocate”, në të cilin ajo luajti gruan naive të Keanu Reeves, një praktikante avokate në studion ligjore të djallit Al Pacino.

Në vitin 1999, ajo luajti të dashurën e bukur të Paul Rudd, Candy, në ”The Cider House Rules”, dhe më pas luajti një paciente me diagnozën e kancerit në ”Sweet November”, përsëri me Reeves.

Zbulimi i saj erdhi në vitin 2004 me ”Monster”, në të cilin ajo luajti një prostitutë të shndërruar në vrasëse seriale pas viteve të abuzimit dhe dhunës.

Një rol për të cilin ajo nuk kishte asnjë hezitim për ta transformuar rrënjësisht fytyrën e saj, duke i fituar asaj çmimin Oskar si ‘’Aktorja më e Mirë’’.

Pasuan role të tjera sfiduese, si ‘’North Country’’ (2005), ku ajo luan një grua në vështirësi financiare që vuante ngacmimet në punë dhe në Bombshell (2019), rreth rastit të ngacmimit seksual që përfshin Roger Ailes, drejtorin e fuqishëm ekzekutiv të Fox News.

Charlize Theron është ambasadore e OKB-së për luftën kundër dhunës ndaj grave.

Ndërkohë, Theron fitoi gjithashtu titullin e mbretëreshës së filmave aksion nga ”Fury Road” (2015) te ”Atomic Blonde” (2017), ”Fast & Furious” dhe ”The Old Guard”./ atsh/ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare ia dhuron asaj të Gjakovës 1097 ekzemplarë

By: Kult Plus
7 August 2025 at 19:40

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka vazhduar shpërndarjen e librave nëpër komunat e vendit, duke i dorëzuar Bibliotekës së Gjakovës 87 tituj.

Bibliotekës komunale” Ibrahim Rugova” i është dorëzuar një kontingjent me 87 tituj dhe 1097 ekzemplarë, të përzgjedhur nga fondi i Shtëpisë Botuese “Rilindja”.

Librat janë të përgatitur me qëllim që t’u shërbejnë sidomos shkollave dhe nxënësve të nivelit parauniversitar. Ato do të shpërndahen nga biblioteka komunale në bibliotekat e shkollave të qytetit.

Në mesin e titujve gjenden edhe dy botime me rëndësi të veçantë për kujtesën historike:

• Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës

• Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Shpërndarja do të vazhdojë edhe në komunat tjera./ KultPlus.com

“Palace of Youth” me premierë sonte në DokuFest, Rita Ora: “E nderuar që jam pjesë e diçkaje kaq të vërtetë”

By: Kult Plus
7 August 2025 at 19:09

Sonte në mbrëmje, në kuadër të DokuFest në Prizren, do të ketë premierën dokumentari “Palace of Youth”, një projekt i realizuar ndër vite që sjell në ekran realitetin e të rinjve kosovarë përmes muzikës, tregimeve personale dhe shprehjes kreative.

Regjisorja Maddie Gwinn sjell një pasqyrë të skenës muzikore underground në Kosovë, duke ndjekur jetën, sfidat dhe ëndrrat e një brezi që përfaqëson mbi 55% të popullsisë, të rinj nën moshën 25 vjeç, shkruan KultPlus.

Këngëtarja me prejardhje shqiptare Rita Ora, që është edhe producente ekzekutive e dokumentarit, ndau emocionet në rrjetet sociale:

“Jam shumë e emocionuar që sonte ‘Palace of Youth’ do të ketë premierën në DokuFest – ka qenë një proces shumëvjeçar. Kur Odessa, Maddie dhe ekipi ma prezantuan këtë projekt, e pranova menjëherë për të vënë në pah talentin e jashtëzakonshëm të të rinjve në Kosovë. Përmes muzikës zbulojmë historitë, rrugëtimet, sfidat dhe fitoret e tyre. Të dëgjosh gjithçka ka qenë jashtëzakonisht prekëse. Jam e nderuar që jam pjesë e diçkaje kaq të vërtetë.”

Muzika në dokumentar vjen nga artistë të rinj kosovarë si Suada Abazi, Edona Vatoci, Lekë Morina dhe Donat Vatoci, të cilët sjellin një tingull autentik dhe bashkëkohor që lidhet ngushtë me realitetin kulturor të vendit.

Palace of Youth zgjat 66 minuta dhe përmes pamjeve, tingujve dhe tregimeve personale, sjell në ekran një brez të rritur në një vend me sfida të shumta, por me një potencial të jashtëzakonshëm përmes artit dhe vetë-shprehjes./KultPlus.com

Robert De Niro fotografohet në rrugët e New Yorkut, publiku vëren ndryshime në pamjen fizike të aktorit

By: Kult Plus
7 August 2025 at 18:47

Robert De Niro, një nga figurat më ikonike të kinematografisë botërore, është fotografuar ditët e fundit në rrugët e Manhattanit, duke tërhequr sërish vëmendjen e publikut. Aktori 80-vjeçar është parë i veshur thjesht dhe rehatshëm, ndërsa shumë kanë vënë re se ai duket më i dobët dhe fizikisht më i brishtë se zakonisht.

Pavarësisht pamjes së ndryshuar, De Niro mbetet aktiv si në fushën profesionale, ashtu edhe në jetën personale. Ai është bërë së fundmi baba për herë të shtatë, në një moshë kur shumica mendojnë për pension. Vajza e tij më e vogël, Gia, është dy vjeç, dhe aktori e përshkruan si një “gëzim të pastër”.

“Nuk bëj pjesën më të vështirë, por e mbështes partneren. Të jesh prind në këtë moshë është ndryshe, por çdo ditë sjell diçka të bukur,” është shprehur ai në një intervistë.

Së fundmi, De Niro ka hapur një studio filmike gjigante në Queens, së bashku me djalin e tij dhe një partner biznesi. Projekti synon të ringjallë industrinë filmike në New York dhe pritet të përfitojë nga fondet shtetërore që synojnë të rikthejnë produksionet në qytet.

Edhe pse në moshë të thyer, Robert De Niro vazhdon të jetë një emër i fuqishëm në botën e filmit – dhe një figurë që ngjall interes e respekt në çdo paraqitje publike./KultPlus.com

Nesër nis edicioni i 3-të i ‘Mitrovica International Jazz Days’

By: Kult Plus
7 August 2025 at 18:46

Nesër, në qytetin e Mitrovicës nis edicioni i tretë i “Mitrovica International Jazz Days”, i cili sivjet organizohet nën moton“MitroLove”.

Nata e parë e festivalit do të prezantojë artistët: Mike del Ferro nga Holanda, anglezja Emma Smith, “Eyrie” nga Japonia, si dhe “Hakan Başar Trio” nga Turqia.

Në natën e dytë do të performoj “Sheki Hoxha and Friends”, teksa do të ketë edhe përzierje mes muzikës jazz dhe hip – hop nga Mc Kresha dhe Lyrical Son.  

Ndërsa, në natën e tretë dhe përmbyllëse, do të performojnë Gianluca Petrella nga Italia, treshja “HAEZZ” nga Austria, si dhe Ilir Bajri, Visar Kuçi e Enes Beu me grupin “Introspective” nga Kosova./ KultPlus.com

Topi i Artë 2025: Zbulohet lista zyrtare e të nominuarve, mungon fituesi i vitit të kaluar

By: Kult Plus
7 August 2025 at 18:27

Ceremonia prestigjioze e Topit të Artë 2025 do të zhvillohet më 22 shtator në Théâtre du Châtelet në Paris, një muaj më herët se zakonisht. Organizatorët e “France Football” kanë publikuar listën e plotë të kandidatëve në të dy kategoritë – femra dhe meshkuj, duke ndezur garën për çmimin më të rëndësishëm individual në futbollin botëror.

Në listën për meshkuj bie në sy mungesa e fituesit të vitit të kaluar, Rodri, i cili e humbi pjesën më të madhe të sezonit për shkak të një dëmtimi. Kështu, në këtë edicion pritet të kemi një emër të ri në fron.

Paris Saint-Germain dhe Barcelona dominojnë listën e meshkujve, ndërsa Arsenali kryeson me më shumë emra tek femrat, pas triumfit në Ligën e Kampionëve.

Favoritët kryesorë për meshkuj janë:

Ousmane Dembélé (PSG) – sezon fantastik me tripletë të fituar

Mohamed Salah (Liverpool) – formë e lartë në Premier League

Lamine Yamal (Barcelona) – talent i spikatur, pavarësisht dështimit evropian

Në kategorinë e femrave, garë e fortë mes:

Alexia Putellas dhe Aitana Bonmatí nga Barcelona

Alessia Russo dhe Leah Williamson nga Arsenal

Barbra Banda (Orlando Pride) dhe Pernille Harder (Bayern Mynih)

Ceremonia pritet të jetë një natë spektakolare, ku do të shpallen më të mirët e vitit në futboll./KultPlus.com

Kush është Philippe Petit – Njeriu që ecën në qiell

By: Kult Plus
7 August 2025 at 18:00

Më 7 gusht 1974, Philippe Petit, një francez i apasionuar pas artit të lartësive, realizoi një nga aktet më të pabesueshme dhe të rrezikshme të shekullit: ai eci mbi një litar të hollë të shtrirë mes dy kullave binjake të World Trade Center në New York.

Pa leje, pa sigurime, dhe vetëm me një shufër balancuese në duar, Petit qëndroi për 45 minuta në lartësinë 417 metra, duke kaluar tetë herë nga njëra kullë në tjetrën.

Ky akt artistik sfidoi jo vetëm ligjet e gravitetit, por edhe kufijtë e frikës dhe imagjinatës njerëzore.

Sot, Philippe Petit konsiderohet një legjendë e performancës ekstreme, dhe ngjitja e tij në qiell është bërë simbol i guximit dhe lirisë krijuese. Historia e tij është përjetësuar edhe në dokumentarin e njohur Man on Wire dhe në filmin artistik The Walk./KultPlus.com

Sot shënohet “Purple Heart Day”: Nderim për të plagosurit dhe të rënë në shërbim të SHBA-së

By: Kult Plus
7 August 2025 at 17:30

Më 7 gusht, Shtetet e Bashkuara shënojnë Purple Heart Day, një ditë përkujtimore që nderon ushtarakët amerikanë të plagosur apo rënë në vijën e frontit, të cilët janë dekoruar me Medaljen Purple Heart, një nga nderimet më të vjetra dhe më të respektuara në ushtrinë amerikane.

Kjo medalje simbolike ka një ngjyrë të veçantë vjollcë dhe portretin e George Washington-it, themeluesit të saj. Ajo u krijua më 7 gusht 1782 dhe vazhdon të mbetet një prej medaljeve më të ndjera, pasi nuk jepet për fitore, por për sakrificë.

Në këtë ditë, amerikanët në mbarë vendin kujtojnë ata që dhanë gjithçka për vendin e tyre – shpesh edhe jetën. Në shumë qytete, ndërtesa publike ndriçohen me ngjyrën vjollcë në nder të të dekoruarve.

Shqiptaro-amerikanët, të cilët kanë kontribuar ndër vite në forcat e armatosura të SHBA-së, po ashtu nderohen në këtë ditë, duke qenë pjesë e rrëfimeve të guximit dhe përkushtimit./KultPlus.com

DokuFest: Shpallen fituesit e Forumit të Filmit të Shkurtër

By: Kult Plus
7 August 2025 at 17:12

DokuFest ka njoftuar se janë shpallur fituesit e edicionit të parë të Forumit të Filmit të Shkurtër, gjatë një recepsioni me datën 6 gusht 2025, organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) në Prizren. Ceremonia e ndarjes së çmimeve shënoi përmbylljen e këtij edicioni të parë që mblodhi së bashku tetë projekte të veçanta nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Forumi i Filmit të Shkurtër është krijuar për të mbështetur dhe zhvilluar talentët e rinj në fushën e filmit të shkurtër në rajon, duke ofruar mentorim profesional, mundësi bashkëpunimi dhe prezantimi para industrisë.

Më poshtë gjeni listën e plotë të çmimeve dhe filmave fitues më poshtë:

Çmimi EURO CONNECTION

I Still Haven’t Cried / Regjia: Flaka Kokolli (Kosovë)

Çmimi AGORA MARKET

Discobox / Regjia: Romina Ruda (Shqipëri)

Çmimi YOU ONLY PITCH TWICE

Who Is Singing? / Regjia: Ana Morina (Kosovë)

Çmimi FESTIVAL STRATEGY prezantuar nga Square Eyes

Soil / Regjia: Kiril Karakash dhe Svetislav Podleshanov (Maqedonia e Veriut)

Çmimi TALENT DOC nga Qendra Kinematografike e Kosovës

Soundtrack of a People: Boom / Regjia: Fjolla Muharremi (Kosovë)

Çmimi BEST PITCH nga DokuFest

sveti antun pustinjak / Regjia: Antonio Dimovski (Maqedonia e Veriut)

Çmimi BEST PROJECT – Creative Force nga Ambasada Suedeze (Sweden in KS)

Who Is Singing? / Regjia: Ana Morina (Kosovë)

Këto çmime vlerësojnë krijimtarinë, origjinalitetin dhe përkushtimin e autorëve të rinj që po formësojnë gjeneratën e re të kinemasë në rajon. Forumi u mbështet nga Ambasada e Suedisë në Kosovë, Qendrat e filmave të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe atë të Malit të Zi, e cila do t’i bashkangjitet forumit të vitit të ardhshëm./ KultPlus.com

Turqia realizon film për sulmin në Banjskë – Së shpejti premiera e “Në Errësirën e Diellit – Kosova”

By: Kult Plus
7 August 2025 at 17:00

Turqia ka finalizuar një film që trajton një nga ngjarjet më të ndjeshme dhe tronditëse të viteve të fundit në Kosovë – sulmin terrorist në Banjskë, të kryer nga grupe paramilitare serbe më 24 shtator 2023.

Filmi mban titullin “Në Errësirën e Diellit – Kosova” dhe pritet të shfaqet premierë më 5 shtator 2025 në kinematë e Turqisë, e më pas edhe në Kosovë dhe në vende të tjera të Ballkanit.

Ky prodhim kinematografik vjen si bashkëpunim mes profesionistëve të njohur të industrisë së filmit në Turqi, dhe synon të sjellë në ekran një rrëfim dramatik, emocional dhe vizualisht të fuqishëm për ngjarjen që tronditi opinionin publik, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, përcjellë KultPlus.com

Detajet rreth kastës dhe skenarit mbahen ende konfidenciale, por thuhet se filmi do të fokusohet në historitë njerëzore brenda ngjarjes, pasojat në nivel shoqëror dhe politik, si dhe mesazhin për qëndresë dhe drejtësi.

Ky është një nga filmat e parë ndërkombëtarë që trajton drejtpërdrejt një ngjarje kaq të afërt dhe të dhimbshme për Kosovën, duke shënuar edhe një kapitull të ri në mënyrën se si arti dhe kinematografia reflektojnë mbi konfliktet dhe traumën kolektive./KultPlus.com

Posta e Kosovës mirëpret diasporën me pulla postare të vitit 2025

By: Kult Plus
7 August 2025 at 16:40

Në kuadër të angazhimit për t’i qëndruar afër qytetarëve brenda dhe jashtë vendit, Posta e Kosovës ka zhvilluar një aktivitet simbolik për të mirëpritur bashkatdhetarët që po rikthehen për pushime në vendlindje.

Përfaqësues të Postës u takuan me mërgimtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku iu dhuruan pulla postare nga emisionet filatelike të vitit 2025, si shenjë falënderimi për lidhjen e tyre të fortë me vendin dhe për kontributin e vazhdueshëm, transmeton KultPlus.

“Posta për Diasporën” është një nismë që synon të vlerësojë rolin e diasporës si ura lidhëse me botën, ambasadorë të kulturës dhe identitetit shqiptar. Në njoftimin zyrtar, Posta e Kosovës ka shprehur mirënjohje për dashurinë, përkushtimin dhe ndihmesën që bashkatdhetarët vazhdojnë të japin për Kosovën.

“Urojmë që të kaloni çaste të lumtura në gjirin e familjes dhe miqve,” thuhet më tej në njoftim.

Kjo iniciativë e veçantë është pritur me entuziazëm nga qytetarët që po rikthehen nga mërgata, duke sjellë emocione dhe ndjenja të veçanta në një periudhë të mbushur me vizita dhe gëzim familjar./KultPlus.com

❌
❌