Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 August 2025Main stream

Ish-sulmuesit të Barcelonës i ndodh e keqja, kafshohet në pjesët intime nga një qen

By: Ke Si
1 August 2025 at 10:00

Një aksident i çuditshëm i ka ndodhur Karles Perezit, ish-sulmuesit të Barcelonës dhe Romës, i cili tani luan për Aris Thesaloniki.

27-vjeçari katalanas u kafshua në pjesët intime nga një qen ndërsa po shëtiste kafshën e tij. Incidenti ndodhi të martën, më 29 korrik, dhe rezultoi në një plagë në pjesën e brendshme të kofshës, në zonën aduktor, e cila kërkoi qepje dhe një qëndrim të shkurtër në spital.

“U përpoqa ta ndaja qenin tim nga një tjetër gjatë një sherri të vogël, por më kafshoi. Lëndimi nuk është serioz, por nuk jam në formën më të mirë për të luajtur”, tha Perez në një deklaratë zyrtare.

Për shkak të lëndimit, ai humbi ndeshjen e dytë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës kundër Araz Nakhitchevan (2-2, 3-4 në total), një ndeshje që e ndoqi nga tribunat, duke brohoritur shokët e tij të ekipit. “Më vjen keq që nuk munda ta ndihmoja ekipin në një ndeshje kaq të rëndësishme. Isha tifozi i parë sonte. Pas pak ditësh, do të kthehem në fushë më i motivuar se kurrë.”

Lojtari, i cili bëri 13 paraqitje dhe shënoi dy gola për ekipin e parë të Barçës midis viteve 2018 dhe 2020, falënderoi tifozët për mbështetjen e tyre dhe i siguroi të gjithë për gjendjen e tij: “Jam mirë, tani do të shërohem në shtëpi.”/e.t

Gjermania gati t’i bashkohet Francës, Britanisë dhe Kanadasë për njohjen e Palestinës

By: Ke Si
1 August 2025 at 09:49

Gjermania po tregon sinjale të qarta se është gati të rishikojë qëndrimin e saj tradicional mbi çështjen palestineze, duke u bashkuar me vende të tjera perëndimore që po shtyjnë drejt njohjes zyrtare të Shtetit të Palestinës.

Sipas deklaratave të fundit, Berlini e konsideron njohjen e Palestinës si një objektiv të pashmangshëm që duhet të vijë në fund të një procesi politik. “Njohja duhet të vijë në fund të një procesi negociator, i cili duhet të fillojë tani,” theksoi Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, duke shtuar se në mungesë të progresit, Gjermania “nuk do të tërhiqet nga ky objektiv dhe do të detyrohet të reagojë me hapa të njëanshëm”.

Këto komente vijnë në një kohë kur Franca, Britania e Madhe dhe Kanadaja — tre vende anëtare të G7-ës — kanë paralajmëruar se do të deklarojnë mbështetjen për shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator në Nju Jork. Ndërkohë, Portugalia ka nisur zyrtarisht procesin për të shqyrtuar njohjen.

Qëndrimi i ri i Gjermanisë sinjalizon një ndryshim të kujdesshëm, por domethënës në politikën e jashtme gjermane, që tradicionalisht ka mbajtur një pozicion të kujdesshëm në raport me konfliktin izraelito-palestinez. Duke e lidhur njohjen me progresin në negociata, Berlini po përpiqet të mbajë një ekuilibër mes presionit ndërkombëtar dhe ruajtjes së ndikimit diplomatik në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, diskutimet për shtetësinë palestineze pritet të jenë një nga temat më të debatueshme në sesionin e ardhshëm të OKB-së, teksa gjithnjë e më shumë vende të Perëndimit duket se po kalojnë nga retorika në veprime konkrete./e.t

I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme viziton sot Gazën, çfarë pritet të ndodhë

By: Ke Si
1 August 2025 at 09:33

I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të vizitojë Gazën të premten, në një kohë kur rritet trysnia ndaj administratës së presidentit amerikan për të reaguar ndaj krizës humanitare në këtë zonë palestineze.

Gjatë qëndrimit të tij, Witkoff do të vizitojë një qendër për shpërndarjen e ndihmave humanitare, e cila operohet nga një organizatë e financuar nga SHBA.

Presidenti amerikan, Donald Trump, këtë javë e ka pranuar hapur se në Gaza ekziston “uri e vërtetë” – një deklaratë që duket se bie në kundërshtim me retorikën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Burime të cituara nga revista The Atlantic tregojnë se Trump mendon se Netanyahu po e zgjat konfliktin për arsye politike dhe për të ruajtur pushtetin.

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, kjo pakënaqësi e Trump nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim thelbësor në politikën e SHBA. Ai tani e sheh Hamasin si përgjegjës për përfundimin e luftës, dhe jo Izraelin./e.t

Ish-kryeministri izraelit sulmon Netanyahu-n: Ai duhet të shkarkohet

By: Ke Si
1 August 2025 at 09:31

Ehud Olmert, ish-kryeministër i Izraelit, dha një intervistë të rëndësishme për gazetën gjermane Der Spiegel. Një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Ariel Sharon, ai mori përsipër udhëheqjen e qeverisë pasi Sharon pësoi një goditje në tru në vitin 2006, dhe gjithashtu mori drejtimin e partisë së qendrës Kadima. Gjatë mandatit të tij, ai udhëhoqi negociatat për krijimin e një shteti palestinez, si dhe luftërat në Liban (2006) dhe Gaza (2008-2009). Ai dha dorëheqjen për shkak të akuzave për korrupsion. Sot ai është një kritik i ashpër i kryeministrit Benjamin Netanyahu. Kur u pyet se çfarë po përpiqet të arrijë Izraeli në Gaza, Olmert tha se as vetë nuk e di.

“Nuk mendoj se dikush në një pozicion përgjegjësie mund të shpjegojë logjikisht se çfarë po bëjmë atje. Jam i bindur se një vit më parë arritëm gjithçka që mund të arrihej në këtë luftë”, tha Olmert, duke iu referuar momentit të vrasjes së Yahya Sinwar, udhëheqësit të Hamasit në Gaza dhe organizatorit kryesor të sulmit terrorist më 7 tetor 2023. Izraeli po zbaton një politikë të tokës së djegur në Gaza, me elementë gjenocidi. Ai duhet të sanksionohet. Kur u pyet nëse Netanyahu duhet të çohet para Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, Olmert tha se do të donte që Netanyahu të akuzohej në Izrael. Në fillim të korrikut, Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se qeveria planifikonte të krijonte një “qytet humanitar” në jug të Gazës për të strehuar përkohësisht 600,000 njerëz në një kamp përpara se ata të detyroheshin të largoheshin nga Gaza. Por Olmert tha se ishte një plan i neveritshëm dhe një debat i tmerrshëm që duhet të ndalet menjëherë. “Thashë se mund të interpretohet si një kamp përqendrimi, dhe kjo është mjaft e frikshme”, tha ai./e.t

Kosova dështoi në Konstituimin e Kuvendit, çfarë pritet nga Gjykata Kushtetuese?

By: Ke Si
1 August 2025 at 09:25

Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë me terma të prerë mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe të tregojë se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit nuk është konsumuar.

Kështu vlerëson Zahir Çerkini, profesori i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Ai pret që Gjykata Kushtetuese ta ritheksojë se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur të deputetëve.

“Kështu edhe e tha Gjykata (më 26 qershor), por e tha me terma më kushtetues. Pres të jetë më e hapur, më e artikuluar në drejtim të obligimit që institucionet të ulen dhe të votojnë në mënyrë të hapur për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, thekson Çerkini për Radion Evropa e Lirë.

Për t’i sqaruar çështjet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese i janë drejtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ata janë në pritje të një vlerësimi të ri të Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi i saj i 26 qershorit nuk arriti të sqaronte në mënyrë të prerë rrugën për konstituimin e Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese, më 26 qershor, u dha 30 ditë afat deputetëve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e Kuvendit.

Por, pas 52 përpjekjeve, ata nuk arritën ta përmbyllin këtë proces.

Presidentja e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.

Kërkesa është regjistruar si lëndë e veçantë nga ana e gjykatës.

Çerkini shpreh mendimin se Gjykata Kushtetuese duhet ta konfirmojë se ky afat duhet të rikthehet në pikën e rrjedhjes, aty ku rendi i ditës së seancës ka devijuar.

“Pres nga Gjykata Kushtetuese që të tregojë se afati 30 ditësh nuk është konsumuar ende, për faktin se nuk është shkuar në atë që ka thënë Gjykata, pra që të shkohet në votim për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, pra për konstituimin e Kuvendit, por vazhdimisht është tentuar që të votohet Komisioni (për votim të fshehtë)”, thotë Çerkini.

Sipas tij, kjo nënkupton që afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, të rikthehet në proces e sipër, në ditën kur kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka ndryshuar rendin e ditës, duke kërkuar votimin e Komisionit për votim të fshehtë.

Idenë e Komisionit për votim të fshehtë, Dehari e propozoi më 1 maj, duke u kërkuar partive politike nga një anëtar për komisionin për votimin e fshehtë.

Deri atëherë, në vazhdimet e seancës konstituive të Kuvendit, e cila nisi më 15 prill, e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, disa herë nuk arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme të deputetëve për këtë post, përmes votimit të hapur.

Partitë tjera kryesore, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në vazhdimësi kanë refuzuar votimin e fshehtë dhe propozimin e anëtarëve për Komisionin për votim të fshehtë.

Më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme, që nënkupton se nga 27 korriku deri më 8 gusht deputetët nuk duhet të veprojnë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Veprimet e Deharit dhe kandidatura e përsëritur

Në fillim të korrikut, PDK-ja i është drejtuar për vlerësim Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për propozime për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; si dhe ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

Po ashtu, LDK-ja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit të 26 qershorit. Kjo parti beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës, si dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se nga Gjykata Kushtetuese pritet që të vlerësojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e veprimit të kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit.

“Duhet sqaruar në mënyrë të prerë edhe veprimet e zotit Dehari, në cilësinë e kryesuesit të seancës së Kuvendit, për të përcaktuar dhe elaboruar shkeljet e bëra nga ana e tij deri më tani”, thekson Shala.

Ai shton se Gjykata Kushtetuese duhet ta elaborojë çështjen e të drejtës së propozimit të mandatarit për kryetar të Kuvendit, përkatësisht nëse Lëvizja Vetëvendosje, si parti me më së shumti vota, ka keqpërdorur këtë të drejtë duke propozuar në vazhdimësi të njëjtin emër, pavarësisht se nuk i ka siguruar votat e nevojshme për miratim.

“Gjykata Kushtetuese e ka theksuar se në këto raste kërkohet që të ketë kompromis për të vazhduar tutje dhe thjesht, Gjykata tash duhet të tregojë se si duhet proceduar tutje nëse nuk ka kompromis”, thekson Shala.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Çerkini, i cili thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të përcaktojë qartë se çfarë ndodh në rast se kandidati i njëjtë për kryetar të Kuvendit nuk i merr votat në disa tentime radhazi.

“Për të dalë nga kjo situatë, është mirë që Gjykata Kushtetuese mbase të tregojë edhe me enumeracion pozitiv (përshkrim konkret, me fakte dhe hollësi të numëruara njëra pas tjetrës) se sa herë një kandidat mund të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit… të tregohet një numër i caktuar se sa herë, brenda sa ditësh, një emër mund të vendoset në kandidaturë”, thekson Çerkini.

Ai shtoi se sqarimi i tillë nuk nënkupton humbjen e të drejtës së partisë së parë fituese për ta propozuar kryetarin e Kuvendit.

Kushtetuesja “t’i përjashtojë zgjedhjet”

Në pamundësi për të siguruar votat për kryetare të Kuvendit, deputetja e Lëvizjes vetëvendosje, Albulena Haxhiu, qysh në muajin qershor hodhi idenë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale, më vonë këtë vit.

Kjo ide u përsërit edhe nga kolegia e saj partiake, Mimoza Kusari-Lila, e cila duke potencuar hezitimin e partive të caktuara për bashkëqeverisje, ka thënë se zgjidhje mund të jenë zgjedhjet e parakohshme.

Ajo, gjithashtu, e ka përmendur mundësinë e marrjes së mandatit të deputetëve të Kuvendit, si pasojë e pamundësisë që ta konstituojnë Kuvendin.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak të bllokimit të konstituimit të Kuvendit, ëshët parë si opsion i mundshëm edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Por, lideri i saj Memli Krasniq, ka përjashtuar mundësinë që ato të mbahen bashkë me ato lokale këtë vit.

LDK-ja nuk e ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ndërkaq AAK-ja ka thënë se nuk i kërkon ato, por është e gatshme, nëse zgjedhjet mbahen.

Profesor Çerkini thekson se Gjykata Kushtetuese nuk duhet fare të merret me këtë ide.

“Idenë se a mund t’iu merret mandati deputetëve nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duke e dërguar vendin në zgjedhje… unë mendoj se Gjykata nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë. Nuk i takon Gjykatës Kushtetuese që të ndërhyjë në pushtetin politik për të dërguar vendin në zgjedhje”, thotë Çerkini.

Me këtë pikëpamje pajtohet edhe Shala nga IKD-ja. Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit nuk është rrethanë e paraparë në Kushtetutën e Kosovës, e cila do të përcaktonte marrjen e mandateve të deputetëve.

Edhe pse nuk dihet saktësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Shala thotë se praktikat nga vendimmarrjet e kaluara të kësaj Gjykate tregojnë se nuk mund të ketë zgjedhje të reja përmes aktgjykimeve të saj.

“Vetë Gjykata Kushtetuese, më 2014, ka thënë se askund në Kushtetutë nuk thuhet se moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit e çon vendin në zgjedhje. Mirëpo, nuk e dimë nëse Gjykata Kushtetuese do ta ndërrojë praktikën”, thekson Shala.

Të dy njohësit e çështjeve juridike – kushtetuese vlerësojnë se mbetet e pasigurt se kur Gjykata Kushtetuese mund të dalë me sqarime lidhur me kërkesat e parashtruara në adresë të saj nga PDK-ja dhe LDK-ja, si dhe nga presidentja Osmani.

Megjithtatë, marrë parasysh që më 8 gusht skadon afati i masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon veprimin e deputetëve në drejtim të konstituimit të Kuvendit, ata presin që një vendimi i kësaj gjykate mund të shpallet para kësaj date. /REL//e.t

Tërmeti shkakton shembjen e minierës në Kili, viktima dhe të zhdukur

By: Ke Si
1 August 2025 at 09:16

Një minator ka vdekur, pesë janë të zhdukur dhe nëntë të tjerë kanë pësuar lëndime, pasi një tërmet me magnitudë 4.1 në Rancuaga të Kilit shkaktoi shembje në minierën e bakrit El Teniente.

Kompania shtetërore e minierave e Kilit, Codelco, njoftoi lajmin: “Me trishtim dhe solidaritet me familjet e prekura, njoftojmë ndarjen nga jeta të kolegut tonë Paulo Marín Tapia, i kompanisë Salfa Montajes, i cili punoi në Projektin e Andezitit”.

Codelco tha se menjëherë pezulloi aktivitetet në zonën e prekur dhe filloi një hetim për të përcaktuar shkakun e incidentit.

El Teniente është depozita më e madhe nëntokësore e bakrit në botë dhe miniera kryesore e Codelco-s. /e.t

Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

By: Ke Si
1 August 2025 at 09:14

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 84.2 lekë dhe do shitet me 85.5 lekë.

Screenshot_1

Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 96.7 lekë dhe do shitet me 97.7 lekë.

Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 103.5 lekë dhe do shitet me 104.8 lekë.

Ndërsa paundi britanik do blihet me 111.4 lekë dhe do shitet me 113 lekë./e.t

Yesterday — 31 July 2025Main stream

Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira

By: Ke Si
31 July 2025 at 15:59

Demush Shasha 

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian është dashur të shërbejë si “plumbi i argjendtë” për zgjidhjen e sfidave të procesit të zgjerimit. Pasi që procesi i zgjerimit ngeli i bllokuar me dekada, pushtimi rus i Ukrainës krijoi momentum të ri. Këtë momentum, BE-ja synoi ta shfrytëzojë përmes Planit të Rritjes.

Ideja ishte që vullneti i ri politik brenda BE-së të mbështetet me 6 miliardë euro, të cilat do të shërbenin për të kthyer fjalimet e bukura në reformat thelbësore dhe kështu do të afronte rajonin me BE. Kësisoj, vetë presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, tha: “Plani i Rritjes është përshpejtuesi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane – është një element thelbësor për të përshpejtuar dhe thelluar integrimin me BE-në”.

Së paku ky ishte plani. Por sikur në fjalët e bukura të Mike Tysonit: “Çdokush e ka një plan derisa nuk e ha një boks fytyrës”, kësisoj edhe për BE-në realiteti doli diçka tjetër.

Në këtë drejtim, rasti i Serbisë, si vendi më i madh i rajonit, është shembull i mirë i sfidave të Planit të Rritjes të BE-së. Kur BE-ja i miratoi fondet për Serbinë nga Plani i Rritjes, ajo foli në superlativ për reformat në Serbi. Në mes tjerash, konkludoi se “Serbia synon vazhdimisht të përmirësojë sistemin zgjedhor për të forcuar besimin në institucionet demokratike, ta bëjë procesin më gjithëpërfshirës dhe transparent, si dhe të përdorë kuadrin ligjor si një mjet për të arritur këtë qëllim…Lidhur me lirinë e shprehjes, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor që do të çonte në një përmirësim të prekshëm në fushën e lirisë së shprehjes… Serbia ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit. Serbia e kupton plotësisht nevojën për të siguruar planifikim dhe rregullim gjithëpërfshirës dhe sistematik të proceseve antikorrupsion”.

Po, paralelisht me këtë botë të Brukselit, në Beograd realiteti ishte krejtësisht ndryshe. Pas tragjedisë së Novi-Sadit, Qeveria bëri çdo gjë në fuqinë e saj për ta fshehur korrupsionin që qëndronte prapa kësaj tragjedie. Asnjë vendimmarrës i nivelit të lartë politik nuk u arrestua. Protestave paqësore, ajo iu përgjigj me dhunë dhe kërcënime. Rektorët, studentët dhe aktivistët u arrestuan dhe u sulmuan fizikisht. Ata u quajtën terroristë dhe organizatorë të “revolucionit” të mbështetur nga agjenturat perëndimore.

Disa protestues u shtypën me vetura gjatë protestave, ndërsa dhuna fizike ndaj protestuesve u bë përditshmëri. Kulminacioni i dhunës u arrit në mars të këtij viti, kur pushteti përdori top zanor ndaj 300 mijë protestuesve me qëllim të krijimit të trazirave masive publike. E gjithë kjo e shtyri komisionerin evropian për të drejtat e njeriut të deklarojë se është “i shqetësuar për situatën aktuale të të drejtave të njeriut në Serbi, ku, pavarësisht garancive që mora nga autoritetet gjatë vizitës sime në prill, po përdoret forcë e tepruar për të frenuar demonstratat”.

Po të njëjtën ditë, “Amnesty Intenational” reagoi duke thënë se “pamjet e policisë serbe që shënjestrojnë pa dallim protestuesit paqësorë janë alarmante. Ka pasur arrestime të shumta dhe akuza për përdorim të tepruar dhe të paligjshëm të forcës kundër studentëve protestues”.

Por gjatë gjithë kësaj kohe, BE-ja ngeli e heshtur. Ajo ngeli e heshtur, sepse e vendosi veten në një pozitë të palakmueshme. Në një pozitë dobësie. Ajo kishte deklaruar se Plani i Rritjes do të jetë sukses spektakolar. Ajo deshi patjetër që Plani i Rritjes të jetë sukses spektakolar. Kësisoj, vetë presidentja Von der Leyen deklaroi se ishte e “impresionuar nga puna e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në agjendat e tyre reformuese. Kjo tregon se ata janë të përkushtuar ndaj suksesit të Planit të Rritjes”.

Ndonëse ajo kishte qëllime fisnike, plani i saj u shpërbë pa filluar mirë zbatimin. Ai dështoi, sepse u ndërtua mbi themelet e gabuara. Themeli i tij ishte supozimi se vetëm paratë do të mjaftojnë që pushteti i Vuçiqit të bëhet më demokratik dhe më i drejtë. Por kjo ishte shpresë naive. Kësisoj, ky episod i fundit i rolit të BE-së në rajonin tonë na shërben si përkujtim i asaj thënieje të vjetër se: “Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”./e.t

Ose je peng ose i pafytyrë ekstrem/ Jamarbër Malltezi sulmon Dumanin dhe Gjokën

By: Ke Si
31 July 2025 at 15:44

Në vijim të fushatës së ashpër të sulmeve ndaj institucioneve të drejtësisë, Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka vijuar të hedhë akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka.

Malltezi, i cili po përballet me drejtësinë në çështjen e shumëpërfolur të kompleksit “Partizani”, ka përdorur të njëjtën gjuhë të ashpër si vjehrri i tij, duke e cilësuar Dumanin “ose peng, ose të pafytyrë ekstrem”. Ai i është referuar një vendimi të fundit ku, sipas tij, “kërkohet konfirmimi i faktit penal”, duke e cilësuar këtë një akt të papranueshëm për një organ hetimor serioz.

“Sa palaço duhet të jesh që të thuash se “duhet konfirmuar fakti penal”? Ose je peng ose i pafytyrë ekstrem:

1. Irena me 3 mbiemra ka 2 dëbime nga Greqia për të cilat ka firmos prokurë për ti kundërshtuar

2. Ka 1 dënim penal të formës së prerë e cila ka ardhur me vulë apostile (forma më e lartë e çertifikimit)

3. Ka mashtrim me paratë e pista të paktë për 60 miljon lekë që ka paraqit në veting kobtratë gjoja të 1996 me nene të kodit civil të 2015!

4. Ka falsifikim formular dekriminalizimi se nuk ka paraqit as dëbimet e as dënimin në Greqi.” – shkruan Malltezi.

Megjithëse sulme të tilla përbëjnë një presion të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, asnjë reagim zyrtar nuk ka ardhur deri më tani nga institucionet përkatëse, ndërsa retorika e linçimit publik duket se po kthehet në normë në përballjen e politikës me sistemin e drejtësisë së re./e.t

Hiqeshin si hetues financiarë e policë, SPAK godet call-centerin që mashtronte gjermanët

By: Ke Si
31 July 2025 at 15:40

Një operacion i përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve gjermane ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që ushtronte mashtrime kompjuterike ndaj shtetasve gjermanë, duke operuar nga një Call Center i vendosur në Shqipëri.

Hetimet për këtë rast nisën në fund të vitit 2023 në Gjermani, dhe më pas u transferuan në Shqipëri gjatë vitit 2024. Grupi kriminal përdorte metoda të sofistikuara për të mashtruar viktimat, duke u prezantuar fillimisht si oficerë policie ose hetues financiarë, me pretendimin se po hetonin humbje të ndodhura në investime në Forex apo kriptovaluta.

Pasi fitonin besimin e viktimave, anëtarët e grupit i shtynin ata të kryenin pagesa të reja, duke i zhytur edhe më thellë në mashtrime. Sipas të dhënave të mbledhura gjatë hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj qytetarëve gjermanë përllogaritet në rreth 365 mijë euro.

Gjatë operacionit “Pandora”, autoritetet shqiptare kryen kontrolle në një qendër Call Center, duke bërë të mundur sekuestrimin e provave dokumentare dhe digjitale që vërtetojnë aktivitetin kriminal.

SPAK ka kërkuar dhe siguruar nga gjykata shqiptare masa sigurie për 8 persona, ndër to 5 masa “arrest në burg” dhe 3 masa “arrest në shtëpi”. /e.t

“Largohuni tani urgjent!” Rusia pushton qytetin strategjik ukrainas

By: Ke Si
31 July 2025 at 15:33

Qyteti strategjik ukrainas i Chasiv Yar ka rënë plotësisht nën kontrollin rus. Kremlini ka bërë të ditur se kishte pushtuar qytetin Chasiv Yar në Ukrainën lindore pas gati 16 muajsh luftimesh, duke hapur rrugën për përparime të mëtejshme të mundshme.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë të shkurtër se forcat e saj kishin “çliruar” qytetin. Çasov Yar luan një rol të rëndësishëm për shkak të vendndodhjes së tij. Ky qytet përfaqësonte një nga linjat kryesore të mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Ukrainës në pjesën veriore të RDPR-së për shkak të rëndësisë së tij strategjike. Çlirimi i saj do t’u lejojë trupave ruse të zhvillojnë një ofensivë në boshtin Kramatorsk.

Rusia ka ecur ngadalë përpara në Ukrainën lindore, ndërsa bisedimet për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare e gjysmë nuk kanë arritur të bëjnë përparim drejt një armëpushimi, duke bërë që Presidenti i SHBA-së Donald Trump të kërcënojë me sanksione të reja ndaj Rusisë dhe blerësve të eksporteve të saj nga java e ardhshme.

Forcat e Moskës po ushtrojnë gjithashtu presion të fortë mbi qytetin e Pokrovsk, 60 km (37 milje) në jugperëndim të Chasiv Yar. Analisti ushtarak Emil Kastehelmi, bashkëthemelues i Black Bird Group me seli në Finlandë, tha se ka të ngjarë që betejat të vazhdojnë pranë Chasiv Yar. “Terreni i Chasiv Yar ka favorizuar mbrojtësin. Zonat pyjore, kanalet ujore, kodrat dhe një stok i larmishëm ndërtesash i kanë mundësuar Ukrainës të kryejë një operacion mbrojtës që zgjati më shumë se një vit, në të cilin rusët kanë bërë përparim minimal mujor”, tha ai për Reuters.

Kastehelmi tha se ka të ngjarë që rënia e qytetit, nëse konfirmohet, do të krijojë kushte që Rusia të përparojë më tej në Ukrainën lindore, por vetëm gradualisht. Beteja për Chasiv Yar filloi në prill të vitit të kaluar, kur parashutistët rusë arritën në skajin lindor të saj. Mediat shtetërore ruse raportuan atëherë se ushtarët rusë kishin filluar t’u telefononin homologëve të tyre ukrainas brenda qytetit për të kërkuar që të dorëzoheshin ose të zhdukeshin nga bombat ajrore të drejtuara. Qyteti, tani në rrënoja, kishte një popullsi para luftës prej më shumë se 12 000 banorësh dhe ekonomia e tij bazohej në një fabrikë që prodhonte produkte betoni të armuar dhe argjilë të përdorur në tulla./e.t

Ose deti është i shtrembër, ose ne s’vosisim drejt!

By: Ke Si
31 July 2025 at 15:23

Nga Andi Sefa

Në një vend ku realiteti shpesh refuzohet si pasqyrë dhe për çdo dështim gjejmë një fajtor: motin, gjeografinë, historinë, armiqtë imagjinarë; është e kuptueshme pse shprehja popullore: “Ose deti është i shtrembër, ose ne s’vosisim drejt.”, me një dozë ironie therrëse, mbetet kaq aktuale.

Kemi ndërtuar një kulturë të të justifikuarit.

Në administratë, kur një projekt dështon, nuk pyetet se ku gabuam, por sa u penguam. Kur qytetet vuajnë nga plehrat, nga trafiku, nga kaosi urban, nga mungesa e shërbimeve bazë, thirrja është e njëjtë: “Janë të gjithë kundër nesh!”

Jo, ndoshta thjesht nuk po vosisim drejt!

Po të shikosh sektorin publik, shpesh nuk ka as plan, as vizion, as ndershmëri për të pranuar gabimet. Ka vetëm rotacion justifikimesh. Investime që nisin, por nuk mbarojnë kurrë. Reforma që emërtohen si historike, por nuk ndryshojnë jetën e askujt. Mungesë përgjegjësie e maskuar me fjalime patriotike. Disa madje përpiqen të na bindin që deti është me të vërtetë i shtrembër – se Shqipëria është një vend që nuk mund të qeveriset, nuk mund të pastrohet, nuk mund të funksionojë “si Zvicra” sepse ne jemi të mallkuar nga gjeopolitika ose “nga natyra”.

Në shoqëri, ndodh njësoj. Kur qytetarët i hedhin mbeturinat në rrugë, nuk mendojnë se janë pjesë e problemit, por fajësojnë bashkinë. Kur vetë vendosin të mos paguajnë dritat, ujin, taksat, apo t’i vjedhin, janë “të revoltuar” nga shteti që nuk u kthen shërbime.

Kur shohin që diçka nuk shkon, i bien qafës kujtdo tjetër, vetëm jo vetes.

Vozitja është kthyer në një akt anarkik: secili shkon nga i do mendja, pastaj çuditet pse përfundojmë në një rreth vicioz.

E vërteta është se deti është det!

I hapur, i drejtë, i thellë, i rrezikshëm, i njëjtë për të gjithë!

Janë vozitësit që duhet të shohin horizontin, të rregullojnë drejtimin, të mësojnë bashkëjetesën në një barkë që quhet shoqëri, shtet, qytetari.

Nuk na mbyt dallga, na mbyt mungesa e drejtimit.

Dhe kjo nuk është metaforë, është diagnozë.

Në vend që të ankohemi për mungesën e mundësive, pse të mos pyesim veten nëse kemi ndërtuar strukturat që i krijojnë ato mundësi?

Në vend që të kritikojmë çdo qeveri, a kemi ndërtuar një kulturë qytetare që kërkon meritokraci, transparencë e llogaridhënie?

Në vend që të thërrasim për largimin e trurit, a kemi pyetur veten pse të rinjtë nuk shohin një të ardhme këtu?

Ore, nuk është gjithmonë bota që është në gabim — ndonjëherë jemi ne ata që nuk e kuptojmë, nuk dimë, apo nuk duam ta drejtojmë rrugën tonë siç duhet.

Politika shqiptare sot nuk vuan vetëm nga korrupsioni, por nga legjitimiteti që i jep një shoqëri e lodhur, e zhgënjyer dhe shpesh e tërhequr nga përgjegjësia qytetare.

Një shoqëri që thërret për drejtësi, por hesht kur komshiu ngre shtëpi pa leje. Një shoqëri që proteston kundër padrejtësisë, (zakonisht nga divani i sallonit dhe përpara ekranit të kompjuterit), por nuk denoncon asnjëherë kur vetë përfiton nga ajo.

Ne nuk jemi vetëm viktima të sistemit; shpesh jemi edhe bashkëpunëtorë të tij të heshtur.

Në aspektin social, mungesa e solidaritetit dhe mosbesimi te institucionet kanë krijuar një klimë të ngurtë, gati cinike. Kultura e “indiferencës” është bërë alibia e një status quo-je ku askush nuk ndryshon gjë sepse të gjithë ndihen të pafuqishëm, ose më keq, të kënaqur me përfitimet e vogla të një padrejtësie të madhe.

Por e vërteta është kjo: as politika nuk do të pastrohet vetë, as shoqëria nuk do të shërohet vetë. Ne duhet të mësojmë të vozisim drejt, në ujërat shpesh të trazuara të demokracisë dhe qytetarisë aktive.

Sepse nëse vazhdojmë të fajësojmë detin, pa e parë timonin në duart tona, rrezikojmë të fundosim jo vetëm barkën tonë, por edhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ky shkrim nuk është për të ulëritur e për të treguar me gisht. Është thirrje për reflektim. Është koha që të ndalojmë së vëni faj detit dhe të fillojmë të mësojmë si vozitet me përgjegjësi.

Sepse, në fund të fundit, deti nuk ka asnjë faj që s’na mbërrin dot barka askund.

Trump mesazh krahut të djathtë të Putin: Ish-president i dështuar, kujdes çfarë thua

By: Ke Si
31 July 2025 at 15:09

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi tarifa të reja për mallrat indiane, duke u ndalur edhe tek marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe ish-presidentin e saj, Dmitry Medvedev.

Ai e akuzoi Indinë se ka tarifa shumë të larta dhe marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Prandaj, nga 1 gushti, ai po prezanton një tarifë prej 25 përqind për eksportet indiane, me penalitete shtesë për blerjet e armëve dhe naftës ruse.

“Nuk më intereson çfarë bën India me Rusinë. Sa më përket mua, ata mund të shkatërrojnë ekonomitë e tyre të vdekura së bashku. Ne kemi bërë shumë pak biznes me Indinë, tarifat e tyre janë shumë të larta, ndër më të lartat në botë.

Gjithashtu, Rusia dhe SHBA-të mezi bëjnë biznes me njëra-tjetrën. Le të mbetet kështu. I thoni Medvedevit, ish-presidentit të dështuar të Rusisë, i cili mendon se është ende president, të ketë kujdes me fjalët e tij. Ai po hyn në një territor shumë të rrezikshëm”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth.

SHBA-të aktualisht nuk ndajnë marrëdhënie të qeta me Rusinë, pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se do të vendoste tarifa brenda 10 ditëve nëse ata nuk bien dakord të ndalin luftën në Ukrainë.

“Trump po luan një lojë ultimatumi me Rusinë: 50 ditë ose 10… Ai duhet të mbajë mend dy gjëra: Rusia nuk është Izrael, apo edhe Iran. Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij. Mos ec në rrugën e të përgjumurit Joe”, iu përgjigj Medvedev në platformën X./E.T

Sot afati i fundit/ Bizneset dorëzojnë pasqyrat financiare, ose përballen me ligjin

By: Ke Si
31 July 2025 at 15:07

Brenda ditës së sotme, bizneset duhet të dorëzojnë online në Qendrën kombëtare të Biznesit pasqyrat e tyre financiare për vitin 2024.

QKB rikujton se kush nuk e dorëzon, do të përballet me penalitetet që parashikon ligji “Për regjistrimin e biznesit” i ndryshuar.

Detyrimin për të dorëzuar pasqyrat financiare për vitin 2024 e kanë rreth 35 mijë subjekte dhe të gjithë ata që nuk e dorëzojnë në afat gjobiten në vlerën 60 mijë lekë.

Dorëzimi i tyre mund të behet online në e-albania, ku janë të sqaruar hapat që duhen ndjekur nga subjektet. Detyrimin për dorëzimin e bilancit, e kanë Shoqëritë tregtare (sh.p.k, sha), Organizatat jofitimprurëse, nëse ushtrojnë veprimtari ekonomike dhe Shoqëritë e huaja të regjistruara në Shqipëri./e.t

Këshilli i Ministrave shpall Konispolin si Ansambël Arkitektonik Urban

By: Ke Si
31 July 2025 at 14:55

Me vendim të Këshillit të Ministrave, Konispoli është shpallur Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore.

Lajmin e ka bërë të ditur Blendi Gonxhja, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja thotë se Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit.

Postimi i plotë:

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore, një vendim që i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë.

Me banesa tradicionale që datojnë në shek. XIX-XX, gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri te lagjet me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave, Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë.

Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë.

Ky vendim vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në përputhje me Ligjin Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta./e.t

Jamie Lee Curtis kundër kirurgjisë kozmetike: Një brez grash që kanë shpërfytyruar veten

By: Ke Si
31 July 2025 at 14:45

Jamie Lee Curtis ka folur fuqishëm kundër kirurgjisë kozmetike dhe presionit në rritje për t’u përshtatur me standardet joreale të bukurisë. Në një intervistë të kohëve të fundit me The Guardian të shtunën, aktorja 66-vjeçare e quajti atë që ajo e përshkruan si një “gjenocid të një brezi grash” për shkak të ndikimit të industrisë kozmetike.

Curtis theksoi ndikimin dëmtues të procedurave kozmetike, duke deklaruar:

“Është deklarata ime kundër kirurgjisë kozmetike. Kam folur shumë për gjenocidin e një brezi grash nga kompleksi industrial kozmeceutik, të cilat e kanë shpërfytyruar veten. Buzët prej dylli e bëjnë vërtet të qartë këtë. Ne kemi fshirë një ose dy breza të pamjes natyrale njerëzore”.

Ajo përdori buzët me dyll në fotosesionin e saj për të simbolizuar shtrembërimin e shkaktuar nga përmirësimet kozmetike. Aktorja gjithashtu theksoi se si inteligjenca artificiale dhe filtrat në mediat sociale kontribuojnë në problemet e imazhit të trupit, veçanërisht tek të rinjtë.

 

 

“Më mirë është false”, paralajmëroi Curtis, duke i nxitur gratë të përqafojnë veten e tyre natyrale.

E njohur për sinqeritetin e saj, Curtis përfundoi:

“Je e bukur dhe perfekte pikërisht ashtu siç je”./e.t

6 milionë USA për të gënjyer DASH, lobistët e Berishës: Hiqjani ‘non gratën’

By: Ke Si
31 July 2025 at 13:41

Sali Berisha e ka përdorur kontratën e lobimit me vlerë 6 mln dollarë, të nënshkruar para zgjedhjeve të 11 majit, për të gënjyer Departamentin Amerikan të Shtetit. Përmes një tjetër dokumenti të dërguar DASH, siguruar edhe nga Report Tv, kompania lobuese Continental Strategy ka kërkuar heqjen e non gratës për Sali Berishën.

Dhe kësaj radhe argumenti është një gënjeshtër tjetër. Në dokumentin që mban datën 22 korrik, Continental Strategy thotë se heqja e non gratës për Sali Berishën duhet bërë edhe për faktin se ai tashmë nuk është më një politikan aktiv. Por e vërteta është se Berisha dhe lobistët e tij po gënjejnë hapur DASH. Të gjithë e dimë që Berisha është një ndër politikanët më aktivë, madje ai iu rikthye politikës menjëherë sapo u sanksionua si non grata nga SHBA, duke rimarrë drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend, e ndërsa vijon ende të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

“Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon”, thuhet në materialin e hartuar nga kompania lobuese amerikane./e.t

Ëndrra me të atin që e përndjek ende Edi Ramën, por që e bëri ministër

By: Ke Si
31 July 2025 at 13:25

Rama ka pasur jo pak çaste të ulëta dhe kulminante në jetën e tij, të cilat e kanë shndërruar nga një figurë sportive, në artistike, e më pas edhe politike.

Por, ndoshta, nuk ka pasur asgjë më shënjuese në jetën e tij se sa një ngjarje, e cila edhe sot e përndjek.

Në një intervistë me gazetën gjermane Zeit, Rama ka rrëfyer aspekte të jetës së tij, të cilat jo gjithkush ka guximin t’i shpalosë kur kthehet person publik.

Megjithatë, njëra, i ka lënë gjurmën, që e ktheu nga çunakun e rebelimit artistik, në politikanin që do të bëhej kryeministri i vendit të tij.

Rama rrëfen ëndrrën (makth) me të atin, që e përndjek edhe sot:

Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë dhe njëherazi artist me karrierë ndërkombëtare, rrëfen sesi kaloi nga studioja e tij në Paris në zyrën e Ministrit të Kulturës në Tiranë – një tranzicion që ai vetë e quan “humori i universit”.

“Në ëndrrën time, isha në studion e babait tim, i cili punonte si skulptor. Babai im nuk ishte aty; e kërkova më kot. Një erë e papritur përplasi derën e studios dhe unë mbeta i bllokuar. Vetëm. Ku ishte babai im? Kur u zgjova, doja t’i telefonoja prindërit e mi, por nuk e bëra.

Në vend të kësaj, një nga miqtë e mi më telefonoi. Ai më tha: “Edi, më vjen keq, babai yt ka vdekur. Ai vdiq këtë mëngjes në studion e tij”. Pastaj shkuan në funeral. Isha shumë i trishtuar për vdekjen e babait tim, por më duhej të prisja një ditë dhe një natë të tërë derisa të mund të hipja në një aeroplan për në Tiranë. Dhe u rrova pa krem rroje.

Ngadalë dhe me dhimbje, e hoqa mjekrën me brisk. Prita që nata të kalonte; doja ta ndjeja dhimbjen. Hoqa vathin, mora hua një kravatë nga ambasadori ynë në Paris dhe vesha një kostum për të shkuar direkt në funeral. Dukesha disi si ministër.

Pas funeralit, Kryeministri shqiptar ju pyeti nëse donit të bashkoheshit me qeverinë e tij. Dhe ju pranuat.

Po, dita e funeralit ishte dita e fundit e riorganizimit të qeverisë së tij. Kur u ktheva nga funerali, shkova në shtëpinë e prindërve të mi për të bërë kafe. Telefoni ra dhe u dëgjua zëri i Kryeministrit: “Z. Ministër i Kulturës, doni të qëndroni apo të largoheni përsëri?” – “Po qëndroj,” u përgjigja. “A keni nevojë për pak kohë për të menduar?” pyeti ai. “Jo,” u përgjigja, “sepse nëse dua, do të largohem përsëri!”.

Ishte kaq e thjeshtë. Kur të gjithë ikën, e pyeta nënën time: “Kush mendon se do të jetë Ministër i Kulturës nesër”. Ajo u përgjigj: “Nuk më intereson fare”. Kur e pyeta: “Po sikur të jem unë, mami?” ajo u përgjigj: “Ka qenë një ditë e gjatë, je i lodhur, sensi yt i humorit është i prishur – shko në shtrat”.

Por kur e kuptoi se po flisja seriozisht, filloi të qante. Prindërit e mi gjithmonë donin që unë të qëndroja larg politikës. “Çfarë është më keq,” tha ajo mes lotësh, “që babai yt të vdesë, apo që ti të bëhesh ministër?”.

Unë thashë: “Çfarë duhet të bëj tani, mami”? Dhe ajo u përgjigj: “Shko menjëherë në shtëpinë e Kryeministrit dhe i thuaj se je ngatërruar për vdekjen e babait tënd – merre fjalën mbrapsht”. Thashë se ishte turp, nuk mund ta bëja. “Nëse nuk guxon të japësh dorëheqjen tani”, shtoi ajo, “do të mbetesh i bllokuar në këtë rrëmujë politike për gjithë jetën tënde”.

Por ju nuk dhatë dorëheqjen; ju u bëtë ministër. Cilat janë çastet më të këqija në politikë për ju?

Gjëja më e keqe është humbja. E përjetova këtë, për shembull, në vitin 2009 kur kandidova për herë të parë për kryeministër dhe humba me një diferencë shumë të ngushtë. Kjo ishte vërtet e dhimbshme.

A keni modele në politikë? Shpesh keni folur me admirim për Angela Merkel.

Kancelarja Angela Merkel ishte një politikane thjesht racionale. Nga të gjitha figurat politike që kam takuar, ajo ishte e vetmja që nuk u impresionua nga sharmi. Angela udhëhoqi nga prapaskena dhe drejtoi politikën prapa skenave. Jam i sigurt se ajo mund të ishte e pamëshirshme kur donte të eliminonte kundërshtarët politikë për të siguruar pushtetin e saj dhe për të mbajtur partinë e saj nën kontroll. Por në skenë, ajo ishte një forcë shumë e sigurt dhe qetësuese që arriti të krijonte harmoni dhe të bëhej fytyra më e admiruar e Gjermanisë në mbarë botën.

Angela do të kishte gjetur një mënyrë për të parandaluar këtë konflikt të përshkallëzohej në një luftë agresioni. Ajo kishte gjithçka që i nevojitej për të gjetur një zgjidhje me Putinin – një kompromis. Nuk mund ta vërtetoj këtë, por jam i bindur për këtë. Fatkeqësisht, askush nuk e parashikoi dramën dhe pasojat tragjike që solli sulmi ndaj Ukrainës. Angela ishte ndryshe. Ajo ishte shumë punëtore dhe nuk do t’i kishte nënvlerësuar kurrë pasojat e një konflikti kaq shkatërrues.

Përvojat e saj me diktaturën në RDGJ dhe aftësia e saj për të empatizuar me ish-agjentin e KGB-së në Kremlin do ta kishin ndihmuar të shihte diçka që të tjerët në Perëndim për fat të keq nuk e panë.

Një tjetër tërmet i fuqishëm godet gadishullin Kamchatka në Rusi

By: Ke Si
31 July 2025 at 13:12

Një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.7 ballë ka goditur mëngjesin e sotëm Gadishullin Kamchatka në Rusi, njofton Shërbimi i Unifikuar Gjeofizik i Akademisë Ruse të Shkencave.

Epiqendra e tërmetit ndodhej rreth 178 kilometra nga qyteti Petropavlovsk-Kamchatsky, qendra administrative e rajonit, ku lëkundjet u ndien fuqishëm, duke shkaktuar shembjen e disa ndërtesave. Deri më tani, nuk raportohet për viktima, sipas autoriteteve ruse të emergjencave.

Ky tërmet vjen vetëm një ditë pas lëkundjeve më të forta të regjistruara ndonjëherë në gadishullin Kamchatka, që u pasua nga mbi 100 lëkundje të tjera me magnitudë mbi 5.0. Aktiviteti sizmik ka shkaktuar edhe një cunami, duke çuar në paralajmërime për të në të gjithë rajonin e Ishujve Kuril.

Alarme për cunami janë lëshuar edhe në Japoni, ndërsa një kërcënim për dallgë të mëdha është shpallur përgjatë gjithë bregut lindor të Paqësorit.

Sipas të dhënave, valët e cunamit, që arritën deri në dy metra lartësi, kanë shkuar deri në brigjet e Perusë në Amerikën e Jugut dhe kanë arritur edhe në Ishullin e Pashkëve (Rapa Nui), ku nuk janë konsideruar të rrezikshme.

Në Kili, autoritetet nisën evakuimin e popullsisë nga zonat bregdetare si masë paraprake ndaj rrezikut të cunamit. Monitorimi i situatës vijon në shumë vende përgjatë Paqësorit./E.T

VIDEO/ Truproja e Messit në fushë gjatë sh*rrit, priten masa shembullore nga MLS

By: Ke Si
31 July 2025 at 13:11

Lionel Messi është sërish protagonist absolut me Inter Miami.

Në fushë, “Pleshti”, tani i shoqëruar edhe nga Rodrigo De Paul, dha dy asistime vendimtare për fitoren 2-1 ndaj Atlas në “Leagues Cup”.

Argjentinasi ra në sy edhe pas përfundimit të ndeshjes, por jo për arsye sportive.

Pas golit të fitores që erdhi në kohën shtesë, ku Messi asistoi, ai festoi në fytyrën e një kundërshtari, Coccaro, i cili nuk e priti mirë këtë veprim.

Në fund të ndeshjes shpërtheu një sherr i fortë mes lojtarëve në fushë, me Messin në qendër të tensionit.

Në një moment, ai kapi për fyti lojtarin e Atlas, Gustavo Ferrareis, duke shkaktuar një përplasje të shkurtër mes të dyja skuadrave. Fatmirësisht, shokët e skuadrës ndërhynë menjëherë dhe situata nuk degradoi më tej.

Gjithsesi, përplasja nuk përfundoi këtu. Në fushë hyri edhe Yassine Cheuko, truprojë personale e Messit, i cili nuk kishte leje për të ndërhyrë dhe shtyu disa lojtarë të Atlas për të ndaluar çdo kontakt të mundshëm me Messin.

Ky veprim ka shkaktuar polemika dhe mund të sjellë ndëshkime të rënda, pasi shkel rregullat e sigurisë të vendosura nga MLS në prill 2025.

Që prej tre muajsh, është e ndaluar me rregullore që truprojat personale të hyjnë në fushë, pavarësisht nivelit të tyre.

MLS ka marrë përsipër menaxhimin e plotë të sigurisë, duke ndaluar ndërhyrjet private që shpesh janë konsideruar të ekzagjeruara, sidomos në rastet kur Cheuko ka ndalur me forcë tifozë që hynin në fushë, apo është përfshirë në përplasje me personel të skuadrave kundërshtare.

Edhe “Concacaf” e ka përjashtuar më parë Cheuko nga ndeshjet për arsye të ngjashme.

Në rastin e fundit, pamjet tregojnë qartë se ai hyn në fushë për të mbrojtur Messin, por me këtë ka shkelur protokollin dhe tani rrezikon masa disiplinore nga MLS, pavarësisht se bëhej fjalë për një tjetër kompeticion.

Rregullat janë të qarta: siguria në fushë është vetëm përgjegjësi e ligës, ndaj ndërhyrjet si kjo mund të çojnë në ndëshkime të rënda, si për Cheuko, ashtu edhe potencialisht për klubin./E.T

❌
❌