Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Main stream

Nuk keni vendosur ende ku do të studioni? Gati portal U-Albania, ja për çfarë shërben

By: A R
27 July 2025 at 15:52

Nëse ende nuk keni vendosur për universitetin ku do të vijoni studimet e larta, keni edhe pak ditë kohë.

Më 29 korrik hapet zyrtarisht portali u-albania. Në këtë platform kanidatët për studentë do të gjejnë të gjitha informacionet dhe ofertat e reja akademike nga shkollat e larta.

Brenda 6 ditësh do të duhet të përzgjedhin 10 degë për studimet e larta. Në 10 vjet të funksionimit të portalit U-Albania, drejtori i Rrjetit Akademik, Arjan Xhelaj tregon rrugën se si duhet të veprojnë maturantët në formularin A2.

Por çfarë ndodh me aplikimin nëse të rinjtë janë me pushime apo jashtë të vendit? Në formularin A të rinjtë kanë mundësi të aplikojnë deri në 10 degë. Por çfarë këshillojnë specialistët për ta? Pas procesit të aplikimit në formularin A2, universitetet përpunojnë të dhënat e maturantëve duke shtuar edhe rezultatet e konkursve për ato dege që i aplikojnë.

Në fund të gushtit nis shpallja e kandidateve fitues për të nisur më pas regjistrimet siaps raundeve në 40 institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat.

The post Nuk keni vendosur ende ku do të studioni? Gati portal U-Albania, ja për çfarë shërben first appeared on JavaNews.al.

Polici dhunoi kamarierin në Vlorë, Rama: Pezullimi, masa e parë! Do përballet me drejtësinë sapo të dalë nga spitali

By: A R
27 July 2025 at 15:42

Pas lajmit për pezullimin nga detyra të efektivit të Policisë së Shtetit në Dibër, i përfshirë në një konflikt të dhunshëm në Vlorë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Në një postim në “X”, Rama thekson se ky pezullim është vetëm masa e parë ndëshkuese dhe kërkon përjashtimin e menjëhershëm e pa kthim të këtij efektivi nga radhët e policisë, si edhe ndjekjen e tij penale.

“Reforma e re e kontrollit të territorit shton përgjegjësitë ligjore të të gjithë punonjësve të shtetit që janë në kontakt me qytetarët dhe komunitetet. Asnjë shkelje nuk do të tolerohet, qoftë gjatë apo jashtë orarit të punës“, shkruan Rama.

Ai shton se çdo punonjës shtetëror që abuzon me detyrën, përfshirë ata që zotërojnë ndërtesa pa leje apo shfrytëzojnë hapësira publike për përfitim, do të ndiqet penalisht dhe përjashtohet pa të drejtë kthimi në sektorin publik për një periudhë të konsiderueshme.

Më poshtë, mund të shihni edhe pamjet e sherrit brenda lokalit në Vlorë, ku kamarieri 18-vjeçar goditet brutalisht nga një person në sy të nënkomisarit të policisë:

Madje zyrtari i policisë, me inicialet A.I, me detyrë në policinë kufitare të Dibrës, është i pari që nis konfliktin duke e kapur për mjekre të riun. Miku i tij, me inicialet L.B, 57 vjeç, e godet disa herë kamarierin, teksa polici nuk reagon, por bëhet spektator i kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ajo që e bën më skandaloze gjithë situatën është se dhuna ka ndodhur pas një debati absurd për një shishe ujë që kamarieri ka çuar më tepër në tavolinë.

The post Polici dhunoi kamarierin në Vlorë, Rama: Pezullimi, masa e parë! Do përballet me drejtësinë sapo të dalë nga spitali first appeared on JavaNews.al.

E konfirmon Tare: Kemi bërë ofertë tjetër për Jasharin

By: A R
27 July 2025 at 15:34

Igli Tare, drejtor sportiv i Milanit, ka konfirmuar se klubi italian ka dërguar një ofertë të re për Ardon Jasharin te Club Brugge.

Në një prononcim të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”, Tare deklaroi se kjo është oferta e fundit dhe nuk do të shkohet përtej çmimit të ofruar.

“Ne kemi marrëdhënie shumë të mirë me Club Brugge dhe kemi bërë një ofertë tjetër për Jasharin. Besojmë se është një ofertë e rëndësishme, që përshtatet me vlerën e lojtarit. Nuk kemi ndërmend të shkojmë përtej kësaj oferte”, deklaroi Tare.

Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një ofertë prej 33.5 milionë eurosh, plus 2 ose 3 milionë euro të tjera në formë bonusesh.

The post E konfirmon Tare: Kemi bërë ofertë tjetër për Jasharin first appeared on JavaNews.al.

Me kallashnikov të mbushur gati për vrasje, arrestohet 39-vjeçari në Lezhë

By: A R
27 July 2025 at 15:15

Policia e Lezhës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në fshatin Dajç, duke vënë në pranga një 39-vjeçar, i identifikuar si Arben leka, që qarkullonte i armatosur me kallashnikov dhe municion luftarak.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se autoritetet ndërhynë menjëherë pas marrjes së një informacioni se një shtetas po lëvizte me motomjet pa targa dhe i armatosur, me qëllim kryerjen e një akti kriminal të mundshëm, për shkak të një konflikti të mëparshëm.

Efektivët lokalizuan motomjetin dhe neutralizuan drejtuesin e tij, i cili tentoi të largohej nga vendngjarja. Gjatë kontrollit, në motomjet u gjet një armë zjarri automatike me fishek në fole (gati për qitje), një sasi municioni luftarak si dhe vetë motomjeti pa targa, shkruan A2 CNN.

Njoftimi:

Lezhë / Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”.

Arrestohet në flagrancë 39-vjeçari që qarkullonte me motomjet pa targa, i armatosur me armë zjarri automatike me fishek në fole, gati për qitje.

Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak, si dhe motomjeti me të cilin qarkullonte i arrestuari.

Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, pas marrjes së një informacioni në rrugë operative, se një shtetas i armatosur po lëvizte me motomjet në fshatin Dajç, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje kriminale për shkak të një konflikti të mëparshëm, organizuan punën dhe ndërhynë menjëherë për neutralizimin e situatës.

Shërbimet e Policisë lokalizuan motomjetin pa targa ku drejtuesi i tij tentoi të largohej, por u neutralizua me profesionalizëm nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në motomjet, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike, me fishek në fole gati për qitje, një sasi municioni luftarak dhe motomjeti pa targa me të cilin lëvizte shtetasi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. L., 39 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.

The post Me kallashnikov të mbushur gati për vrasje, arrestohet 39-vjeçari në Lezhë first appeared on JavaNews.al.

Ngacmoi seksualisht vajzën e tij të mitur, arrestohet 55-vjeçari në Lezhë

By: A R
27 July 2025 at 15:06

Një 55-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Lezhë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ngjarja dyshohet se ka ndodhur në banesë.

Ndërkohë materialet iu referuan Prokurorisë Lezhë për veprime të mëtejshme proceduriale.

Njoftimi:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Gurra”, Lezhë.

55-vjeçari dyshohet se në banesë, ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur, 14 vjeçe.

Materialet procedurale iu referuan Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.

The post Ngacmoi seksualisht vajzën e tij të mitur, arrestohet 55-vjeçari në Lezhë first appeared on JavaNews.al.

Zjarret nën kontroll, Çako: Falënderim për mbështetjen ndërkombëtare dhe sakrificën e forcave vendase

By: A R
27 July 2025 at 14:56

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se situata e zjarreve në vend është aktualisht nën kontroll. Nga baza ajrore e Kuçovës, ai falënderoi ekuipazhin hungarez, i cili për katër ditë mbështeti forcat shqiptare në operacionet për shuarjen e flakëve në disa zona të vendit.

“Pas disa ditësh operacion, ndodhemi në bazën e Kuçovës, ku kemi pasur mundësi të falenderojmë dhe të përcjellim ekuipazhin hungarez, i cili mori pjesë prej katër ditësh në mbështetje të ekuipazheve tona për menaxhimin e zjarreve në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht, situata e zjarreve është në kontroll. Kanë qenë dy ditë shumë të ngarkuara, dy ditë dhe netë, sidomos mbrëmja dhe nata ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm zjarresh, çka ka bërë të domosdoshme aktivizimin dhe organizimin e të gjithë forcave të strukturave operacionale të nivelit vendor, qendror, të forcave të armatosura të policisë së shtetit dhe gjithçka ka qenë e nevojshme, ashtu sikurse aktualisht vazhdojnë të jenë në operim në terren”, tha Çako.

Sipas tij, ndër vatrat më problematike kanë qenë ato në Malin e Shpiragut, zonën e Shashicës në Vlorë mbi Kaninë, si dhe në Bulqizë, Brosh dhe Piqeras. Në disa raste është dashur edhe evakuimi i banorëve, për të garantuar sigurinë e tyre, derisa situata është stabilizuar dhe ata janë rikthyer në banesat e tyre.

Çako theksoi se dita e sotme ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm në situatën e zjarreve, edhe falë kushteve më të favorshme atmosferike.

“Disa nga vatrat më problematike, të cilat kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe normalitetin e banorëve ka qenë në Malin e Shpiragut, në disa fshatra, në qytetin e Vlorës, në Malin e Shashicës, mbi Kaninën. Po ashtu, problem ka pasur në Bulqizë. Por edhe në Brosh, edhe në Piqeras, ku ka pasur prezencë të shtuar të forcave dhe të strukturave, të cilët kanë mundur në mënyrë të jashtëzakonshme, së pari të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe vendbanimet e tyre. Kur jo në pak raste është dashur dhe ka dalë e nevojshme evakuimi i banorëve, derisa situata është normalizuar dhe është bërë rikthimi i tyre në vendbanimet e tyre. Vlen të theksohet fakti që dita e sotme është me një përmirësim të konsiderueshëm të vatrave të zjarrit, ndonëse kemi ende një numër të madh të tyre, po monitorohen me forca të shumta. Dhe falë ndryshimit edhe të kohës, jemi në një situatë krejt të favorizueshme që shpresojmë ta menaxhojmë në nivel kombëtar pa dëme dhe rreziqe për qytetarët tanë”, tha Çako.

Duke vlerësuar punën e bërë nga të gjitha strukturat, Çako shprehu mirënjohje të veçantë për komandën e bazës së Farkës dhe pilotët shqiptarë.

“Një falënderim i jashtëzakonshëm për komandantin Vini dhe të gjithë stafin e pilotëve heroikë, të cilët kanë punuar dhe kanë sakrifikuar gjithçka këto ditë, duke ardhur në ndihmë qytetarëve, duke mbështetur strukturat operacionale në momentet më kritike, ndaj dhe falenderoj komandant Vinin”, tha Çako.

The post Zjarret nën kontroll, Çako: Falënderim për mbështetjen ndërkombëtare dhe sakrificën e forcave vendase first appeared on JavaNews.al.

U dhunua nga ish-shefi i Qarkullimit, flet kamarieri: Më goditi në fytyrë dhe qafë, më rrëzoi edhe syzet

By: A R
27 July 2025 at 14:49

A2 CNN ka siguruar dëshminë e kamarierit 18-vjeçar të dhunuar nga ish-shefi i Qarkullimit Rrugor të Vlorës, Ardian Isufi, në ambientet e një hoteli në zonën e Skelës.

I riu tregoi se konflikti nisi për një shishe uji, teksa ai po shërbente si gjithmonë. Sipas tij, Oficeri i Policisë, së bashku me një tjetër person, e dhunuan pa ndonjë arsye të fortë.

Ai tregoi se u godit me gryshta e shpulla në fytyrë dhe qafë, teksa shtoi se i pranishëm në vendngjarje ishte edhe menazheri i lokalit.

Kujtojmë se Oficeri i pezullua përkohësisht nga Policia, derisa të sqarohen plotësisht detajet e ngjarjes.

“Erdhën dy zotërinj u ulën në tavolinë, porosinë e mori dikush tjetër dhe thjesht më thanë çfarë duhet të çoja. Porosia ishte një shishe ujë e madhe, një e vogël dhe një makiato.

Nuk e donte njërin ujë. Më tha hiqe ujin dhe i thash ok, vetëm mos shaj e ofendo, sepse edhe ai tjetri pa dashje e ka bërë. Vijnë të dy burrat nga 40 vjeç e sipër më ndoqën deri në banak. I thash të lutem mos kap me dorë. Ishte edhe menaxheri.

Më goditi një herë me shpullë dhe dy herë me grushte. Për një bidon ujë godet tjetri, në fytyrë dhe qafë. Më hodhi edhe syzet mirë që nuk mi theu. Sapo i kam mbushur 18-vjeç”, tha kamarieri.

The post U dhunua nga ish-shefi i Qarkullimit, flet kamarieri: Më goditi në fytyrë dhe qafë, më rrëzoi edhe syzet first appeared on JavaNews.al.

Vengu e Kumbaro nga Vlora: Zonat turistike të sigurta, vatrat e zjarrit po shuhen

By: A R
27 July 2025 at 14:42

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha po ndjekin nga afër situatën e krijuar me zjarrin në Vlorë e jo vetëm.

Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Vlorë, ministri Vengu theksoi se angazhimi i institucioneve është i plotë dhe po punohet intensivisht për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

“Situata është shumë më pozitive, si në aksin Korçë-Lukovë, ashtu edhe në lartësitë e Kaninës, ku vatrat janë shuar plotësisht. Vijojmë të jemi vigjilentë, me trupa të angazhuar në terren dhe mbështetje nga ajri,” u shpreh ministri.

Ndërkohë, Ministrja Kumbaro dha një mesazh për garantimin e sigurisë në të gjitha itineraret turistike, duke theksuar se në asnjë pikë të populluar nuk ka pasur problematika.

“Çdo masë merret paraprakisht, çdo sinjal apo alarm që na ndihmon duhet të njoftohet menjëherë. Jemi të gjithë të koordinuar, të gjithë në alert. Kërkojmë mirëkuptim dhe bashkëpunim nga banorët, kryepleqtë dhe sidomos barinjtë,” tha ajo.

Ministrja vuri në dukje se zonat e mbrojtura janë më të rrezikuarat. “E shpëtuam Llogaranë dhe duam të parandalojmë çdo vatër në Karaburun, ndaj jemi të shpërndarë në gjithë territorin,” shtoi Kumbaro.

Edhe Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi nga baza ajrore e Farkës se dita e sotme ka njohur përmirësim, pas dy ditëve tejet të vështira.

Sipas tij, vatrat më problematike janë regjistruar në malin e Shpiragut, qytetin e Vlorës, malin mbi Kaninë, si dhe në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Bulqizës. Në shumë raste, theksoi ai, ka qenë e domosdoshme evakuimi i banorëve për të garantuar sigurinë e tyre.

Forcat e Armatosura, strukturat e Policisë së Shtetit, shërbimet vendore dhe ato qendrore janë angazhuar maksimalisht në terren, plus ndërhyrja nga ajri.

The post Vengu e Kumbaro nga Vlora: Zonat turistike të sigurta, vatrat e zjarrit po shuhen first appeared on JavaNews.al.

Fundjavë me fluks në Morinë, policia kufitare e Kosovës hap sportele shtesë

By: A R
27 July 2025 at 14:31

Është fundjava e fundit e këtij korriku dhe mund të cilësohet mbrëmja më e ngarkuar përsa i përket fluksit të mjeteve dhe qytetarëve në pikën e përbashkët kufitare të Morinit. Ndalesat për kontroll në kufi nuk janë të shumta, por kolonat e mjeteve nuk kanë të ndalur. Pasi kanë mbaruar pushimet në qytete të ndryshme të bregdetit të Shqipërisë, ata po kthehen në Kosovë.

Mes tyre ka edhe emigrantë të shumtë që vijnë nga shtete të Perëndimit pranë familjeve dhe më pas, bashkë me familjet, nisen për pushime në bregdet. Për pushuesit nga Kosova, gjithçka ka kaluar më së miri, duke vlerësuar plazhin, mikpritjen, por edhe çmimet.

“Vij nga Norvegjia dhe kam ardhur të kalojë pushimet në Kosovë dhe Shqipëri.”

“Kemi bërë pushimet në Shëngjin dhe kaluam shumë mirë. Çmimet janë normale, jo të shtrenjta.”

“Vijmë nga Kosova dhe pushuam në Vlorë.”

“Erdhëm për pushime në Durrës” thanë disa nga qytetarët.

Për shoqëritë e transportit të udhëtarëve, kërkesat më të shumta do të jenë gjatë muajit gusht.

“Për Shëngjin, Velipojë dhe Durrës kërkesat muajin tjetër do të jenë të larta”, tha njëri prej tyre.

Në pikun e sezonit, veçanërisht fundjavat janë të ngarkuara me trafik, por për qytetarët e Kosovës në këtë periudhë është i pashmangshëm dhe duhet mësuar edhe me trafik.

Policia kufitare e Kosovës ka hapur sportele shtesë, duke përdorur herë pas here edhe sportelet e Shqipërisë në hyrje, por fluksi i pazakontë nuk ka shmangur kolonat deri në thellësi të territorit tonë. Nuk ka një shifër të saktë, por ato të përafërta për këtë fundjavë në hyrje dhe dalje të territorit të Shqipërisë flasin për më shumë se 80 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj.

The post Fundjavë me fluks në Morinë, policia kufitare e Kosovës hap sportele shtesë first appeared on JavaNews.al.

‘Lapsusi’ i SPAK, lirohet i arrestuari gabimisht! GJKKO jep masat e sigurisë për pesë të tjerët

By: A R
27 July 2025 at 14:24

Shtetasi Ilir Lloshi është liruar nga gjykata pas u ndalua gabimisht, pasi përkonin gjeneralitetet dhe vendbanimi i tij me personin që dyshohej të ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Lloshi e ka mohuar çdo lidhje me këtë aktivitet kriminal, duke u shprehur në gjykatë se nuk ka dalë asnjëherë jashtë vendit.

Në seancën gjyqësore, Lloshi u përball me bashkëpunëtorin e drejtësisë Erion Alibej, dhe pas ballafaqimit me fotot, gjyqtari konfirmoi se nuk bëhej fjalë për të njëjtin person. Kjo ka çuar në lirimin e tij, pasi nuk ka prova të mjaftueshme që lidhin Lloshin me grupin kriminal.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka konfirmuar masat e sigurisë arrest me burg për pesë shtetas të tjerë të dyshuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës, të zbuluar nga të dhënat e siguruara nga platforma e komunikimit Sky ECC dhe nga deklaratat e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej. Ata janë:

Artur Hoxhosmani, Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndrejaj, Erjon Alibej dhe Plarent Dervishaj.

Vëllezërit Hoxhosmani kanë mohuar përdorimin e platformës Sky ECC. Edhe Ermir Ndrejaj ka kërkuar një masë më të butë sigurie, për shkak se vuan nga një sëmundje e rëndë. Ndërsa Plarent Dervishaj ka preferuar të largohet nga salla e gjyqit pas një paralajmërimi nga gjykata për mosfolur pa leje.

Grupi eshte zbuluar jo vetem nga te dhenat e siguruara nga Sky ecc por dhe deklarimet e bashkepunetorit te drejtesise Erion Alibej.

The post ‘Lapsusi’ i SPAK, lirohet i arrestuari gabimisht! GJKKO jep masat e sigurisë për pesë të tjerët first appeared on JavaNews.al.

VIDEO / Rama ndan pamjet pas aksionit: Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht!

By: A R
27 July 2025 at 13:52

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në rrjetet sociale një video nga Shkodra, ku është zbatuar aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara.

“Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike dhe bashkëpunimit me bizneset, të cilat kanë kuptuar rëndësinë po edhe interesin reciprok të kësaj përpjekjeje që do të vijojë”, shkruan Rama krahas videos.

The post VIDEO / Rama ndan pamjet pas aksionit: Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht! first appeared on JavaNews.al.

Shtohen rastet nga pickimet, mjekët këshillojnë përkujdes të shtuar: Mos neglizhoni!

By: A R
27 July 2025 at 13:38

Më shumë sesa rastet e zakonshme të alergjive, ky sezon karakterizohet nga shtimi i reaksioneve të shkaktuara nga pickimet e insekteve, veçanërisht bletët dhe grerëzat. Konsumimi i ushqimeve dhe pijeve të ëmbla në ambiente të hapura rrit ndjeshëm rrezikun nga pickimet.

Mjekja alergologe, Mirela Hitaj, thekson se reaksionet janë të disa llojeve deri tek më të rëndat.

“Përgjithësisht, trendi në gjithë botën tregon se më shumë preken të rriturit sesa fëmijët. Zakonisht, kemi dy lloje reagimesh: ato lokale, që janë më të thjeshta, dhe ato sistemike, që mund të çojnë në shok anafilaktik dhe janë potencialisht kërcënuese për jetën. Më të rrezikuarit janë pacientët me sëmundje shoqëruese, si ato kardiake apo pulmonare,” shpjegon dr. Hitaj.

Sa më shpejt shfaqen reaksionet aq më serioze është edhe situata, ndaj disa këshilla të domosdoshme ndihmojnë në parandalimin e keqësimit të gjendjes.

Në rast pickimi, pjesa ku ka ndodhur nuk duhet të shtypet. Me shumë kujdes mund të largohet thumbi, nëse është ende aty, por më e rëndësishmja është që personi të shkojë menjëherë në një qendër shëndetësore për ndihmë. Grerëza mund të te sulmojë në momentin që është duke ngrënë diçka nga produktet tona ose kur konsumojnë pije të ëmbla, mund të jetë futur brenda dhe duke mos kontrolluar pijen që pi, ajo mund të shkojë bashkë me lëngun dhe mund të bëjë pickime në gjuhë si edhe mund të japë dëmtim të laringut të cilat janë shumë të rrezikshme. Në qoftë se pacienti shfaq dhe marrje frymë, takikardi, hipertension, atëherë këto janë shenjat e mirëfillta të një fillimi të një shoku anafilaktik”, theksoi mjekja.

Sipas mjekes Hitaj, deri tani nuk ka patur forma të reja të pickimeve, por thekson se asnjëherë gjendja nuk duhet të nënvlerësohet duke rekomanduar paraqitjen tek specialisti.

The post Shtohen rastet nga pickimet, mjekët këshillojnë përkujdes të shtuar: Mos neglizhoni! first appeared on JavaNews.al.

Analiza: Trump-Von der Leyen: Takimi që shpëton apo “fundos” Europën?

By: A R
27 July 2025 at 13:30

Analizë e La Stampa – përshtatur në shqip

Në skajin më të largët të Evropës, buzë Atlantikut, zhvillohet sot, 27 korrik, takimi mes presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Donald Trump, një takim që mund të përcaktojë drejtimin e marrëdhënieve transatlantike në epokën e Trump.

Tema kryesore e bisedimeve janë tarifat doganore, shtuar gazi natyror amerikan (LNG) dhe shpenzimet për mbrojtjen. Me një president amerikan që e përdor politikën e tarifave si mjet kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare, rezultatet e këtij takimi do të ndikojnë thellë në klimën e marrëdhënieve mes BE-së dhe SHBA-ve.

Përtej manovrave paraprake, një luftë tregtare do të ishte e vështirë të bashkëjetonte me aleancën në fushën e sigurisë. Njëra palë duhet të bëjë lëshim! Ose shmanget lufta, ose aleanca kërcënohet seriozisht. Bisedimet e sotme janë kryesisht tregtare, por pasojat janë thellësisht gjeopolitike.

Të dy protagonistët e dinë mirë këtë, ndaj edhe po takohen tani. Von der Leyen ka kërkuar prej muajsh të takohet me Trump-in, i cili deri më tani e ka shmangur.

Takimi i vetëm i shpejtë ka qenë në Romë, në ceremoninë e varrimit të Papës Françesku, falë ndërmjetësimit të Giorgia Melonit. Gjatë dy-tri javëve të fundit, negociatorët amerikanë dhe europianë kanë punuar intensivisht dhe kanë arritur një marrëveshje në parim.

Mungon vetëm miratimi i presidentit, pa të cilin çdo marrëveshje do të ishte e pavlefshme. Trump mund ta shpallë atë edhe me një postim të shkurtër në “Truth Social”, siç ka bërë herë të tjera, por ka zgjedhur të takohet personalisht me presidenten e Komisionit. Kjo mund të jetë për të kërkuar më shumë, duke rrezikuar marrëveshjen, ose sepse e konsideron marrëveshjen thelbësore, pavarësisht kritikave që i ka bërë BE-së.

Për Ursula von der Leyen, qëllimi është të marrë sa më shumë nga negociatorët e saj. Edhe nëse marrëveshja është disi e pabarabartë, është më e mira që mund të arrihet për momentin me Shtetet e Bashkuara. Pastaj mbetet për t’u parë…

Me Trump tarifat nuk do të zhduken kurrë, por mund të ketë një “armëpushim”, ndryshe do të jetë një luftë e vazhdueshme. Kjo është gjithsesi më mirë sesa një konflikt i hapur, që do të dobësonte dhe ndante BE-në. Në botën e sotme, për të mbyllur një marrëveshje, të gjithë shkojnë tek Trump. Diplomacia tradicionale “ping-pong” mes Washingtonit dhe Pekinit është zëvendësuar nga ajo e golfit në Mar-a-Lago apo Turnberry në Skoci.

Në tryezën e bisedimeve, përtej tarifave, është shumë më tepër sesa një marrëveshje doganore mes SHBA-ve dhe BE-së.

Përmbajtja e saj, përveç nivelit të pritshëm të tarifës amerikane mbi eksportet evropiane, pritet të jetë rreth 15%, do të jetë e ngushtë dhe e thjeshtë, siç kanë qenë edhe marrëveshjet e shpejta të administratës amerikane me Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Vietnamin, Filipinet, apo Japoninë. Pas marrëveshjes, përgjegjësia për funksionimin do të bjerë mbi ekspertët teknikë. Por pavarësisht rëndësisë së tarifave, vendimtare do të jetë dallimi mes marrëveshjes dhe mosmarrëveshjes, sepse mosmarrëveshja do të ishte një shenjë e fortë mosrespekti nga SHBA-të ndaj BE-së. Në atë rast, lufta tregtare do të ishte e pashmangshme.

Një konflikt tregtar mes Washingtonit dhe Brukselit do të shkatërronte lidhjen strategjike dhe të sigurisë transatlantike. Një ndarje euro-amerikane do të prodhonte dy rrugë të kundërta: njëra do të afronte Evropën me Kinën, e cila, pavarësisht fjalëve të bukura, nuk do të bënte asnjë kompromis në konkurrencë dhe tregti; tjetra do të forconte afrimin e Trump me Putinin, që do të çonte në braktisjen e Ukrainës dhe tërheqjen e SHBA-ve nga siguria evropiane.

Nëse interesat amerikane përqendrohen në hemisferën perëndimore, me fokus edhe marrjen e Groenlandës, dhe në Paqësor për sfidën ndaj Kinës, Europa do të duhet të përballet vetëm me Rusinë, me Ukrainën që paguan çmimin e parë.

Përpjekjet e Volodymyr Zelenskyt për të ruajtur mbështetjen amerikane rrezikojnë të dështojnë nëse BE-ja humbet mbështetjen transatlantike.

Mbajtja e Washingtonit në krahun e Ukrainës, edhe me koston e furnizimit me raketa Patriot, mbetet pika kyçe strategjike dhe gjeopolitike në këtë histori të tarifave, ku Donald Trump tregon se balanca tregtare është po aq e rëndësishme për të sa aleancat strategjike, si në Evropë, ashtu edhe në Azi.

Duke shkuar në Skoci për të takuar Trump, Ursula von der Leyen i bashkohet një “pelegrinazhi” udhëheqësish që pranojnë rregullat e lojës së tij. Problemi është se sa më shumë i pranojnë, aq më shumë Trump i ndryshon sipas dëshirës.

Nuk është kështu me Vladimir Putinin, Xi Jinpingun, Benjamin Netanyahun, apo Mark Carney-n. Tre vitet e gjysmë të mbetura të presidencës Trump kërkojnë reflektim jo vetëm mbi mënyrën se si mund të përballohet, por edhe si mund të mbahet në kontroll. Por aktualisht, Von der Leyen nuk ka tjetër zgjidhje veçse të përpiqet të sigurojë marrëveshjen për tarifat, jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë europiane e të Kievit në veçanti.

The post Analiza: Trump-Von der Leyen: Takimi që shpëton apo “fundos” Europën? first appeared on JavaNews.al.

“Borshi shpëtoi nga zjarri”, Inspektori i Përgjithshëm iu drejtohet pushuesve: Mirë se të vini!

By: A R
27 July 2025 at 13:22

Pas orësh të tëra përpjekjesh në terren për shuarjen e zjarreve në jug të vendit, Inspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari ka reaguar me një mesazh falënderues për të gjitha forcat që morën pjesë në operacionin e shpëtimit në Borsh.

“Borshi shpëtoi, turistë e pushues mirë se të vini!”, shkruan ai, duke vlerësuar kontributin e zjarrfikësve, Forcave të Armatosura, punonjësve të policisë dhe gjithë pjesëmarrësve në ndërhyrje. Ai thekson gjithashtu përkushtimin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, të cilët ishin në terren gjatë gjithë kohës.

“Situatë e parë me sy dhe jetuar me zemër prej disa orësh”, përfundon Inspektori i Përgjithshëm, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mobilizimit të të gjitha strukturave për mbrojtjen e jetës dhe pronës në këto ditë të vështira.

The post “Borshi shpëtoi nga zjarri”, Inspektori i Përgjithshëm iu drejtohet pushuesve: Mirë se të vini! first appeared on JavaNews.al.

Kur detyrat kushtetuese dhe publike përdoren si pronë private

By: A R
27 July 2025 at 12:00

Nga Endri Kajsiu/

Pse mungoi kryeprokurori në prezantimin e draftit të kodit të ri penal dhe heshtja e çuditshme e organit të “akuzës”?

Më 25 korrik 2025, në Hotel Tirana, në një sallë të mbushur me profesionistë të drejtësisë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe studentë të drejtësisë, u prezantua zyrtarisht drafti i ri i Kodit Penal të Shqipërisë. Një dokument themelor për shtetin e së drejtës, hartuar me kontributin e dhjetëra ekspertëve vendas dhe të huaj.

Por mungesa e një figure qendrore ishte flagrante: Prokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Çela.

Burime të besueshme konfirmojnë se z. Çela ishte i ftuar zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë, ashtu si të gjithë prokurorët e juridiksionit të përgjithshëm. Por jo vetëm që refuzoi të marrë pjesë, por u dërgoi edhe email vartësve të tij duke i “lënë të lirë” të mos marrin pjesë, me justifikimin absurd: “Nuk kemi qenë pjesë e grupit të punës”.

Ky qëndrim bie poshtë nga vetë dokumentet zyrtare të Ministrisë, që tregojnë pjesëmarrjen në takime të caktuara të grupit të punës të prokurorëve nga struktura e tij, zotërinjtë: Kujtim Luli, Arqile Koça dhe Gëzim Spahiu, me urdhër të vetë z. Çela.

Pra, në vend të përballjes publike, z. Çela zgjodhi rrugën e mungesës, të heshtjes dhe të gënjeshtrës — një sjellje e papranueshme për një funksionar të lartë kushtetues. Më keq akoma, emaili i tij i brendshëm është jo vetëm një akt i turpshëm intimidimi ndaj prokurorëve por edhe shkelje e rëndë e kushtetutës dhe ligjit që cënon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Prokuroria nuk është bunker personal, dhe Prokurori i Përgjithshëm nuk është pronar i Kodit Penal. Roli i tij nuk është të tërhiqet kur ligji troket në derë, por të përballet dhe të japë mendim, sado kritik të jetë ai.

Në kontrast me këtë qëndrim, Kryetari i Gjykatës së Lartë mori pjesë me dinjitet institucional në aktivitet. Ai mbajti qëndrim, ndau mendime dhe tregoi se përfaqësimi nuk është luks, por detyrë publike. Sjellja e tij ishte shembull përfaqësimi kushtetues, ndryshe nga mungesa me alibi dhe heshtje e Kryeprokurorit.

Përballë kësaj sjelljeje të padenjë, pati prokurorë që guxuan të marrin pjesë. Ashtu si dhe prokurorët e SPAK, të cilët treguan se drejtësia nuk hesht kur thirret në emër të ligjit.

Po aq zhgënjyese ishte edhe mungesa e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, veçanërisht e kreut të saj, z. Maksim Haxhia, që sipas burimeve kishte koordinuar më herët qëndrimin me z. Çela, duke u justifikuar me një vizitë të planifikuar “në Kosovë”. Mungesa e tyre ishte një akt simbolik mospërfilljeje ndaj një momenti themelor për profesionin e tyre, por edhe turpërues për institucionet dhe komunitetin e prokurorëve dhe avokatëve që ato përfaqësojnë respektivisht.

Në fund të ditës, Shqipëria nuk ka nevojë për drejtues institucionesh që fshihen pas emaileve dhe alibive, por për përfaqësues që përballen me përgjegjësinë publike.

Në një shtet të së drejtës, detyrat kushtetuese nuk trajtohen si prona private. Ato janë barrë publike dhe kërkojnë guxim, integritet dhe përballje.

Kush nuk ka kurajën të përfaqësojë institucionin në ditët më të rëndësishme, nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë në atë zyrë.

lexo.al

The post Kur detyrat kushtetuese dhe publike përdoren si pronë private first appeared on JavaNews.al.

Dhunoi kamarierin 18 vjeçar, pezullohet nga detyra oficeri i policisë, ndodhej jashtë shërbimit

By: A R
27 July 2025 at 11:54

Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës

Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:

-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;

-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.

Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.

The post Dhunoi kamarierin 18 vjeçar, pezullohet nga detyra oficeri i policisë, ndodhej jashtë shërbimit first appeared on JavaNews.al.

Propozimi për ridimensionimin e PD, Mustafaj: Do e prezantoj në shtator

By: A R
27 July 2025 at 11:37

Andi Mustafaj, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, deklaroi se do të çojë para Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike propozimin për një ridimensionim të partisë.

Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit tha: “Po diskutohet dhe do e çoj para Këshillit Kombëtar. Në shtator besoj se do e prezantoj”.

“Aktualisht, PD-ja është e angazhuar në dokumentimin e farsës zgjedhore. Po nxjerrim çdo ditë fakte të rëndësishme”, tha Mustafaj.

“Në histori shpesh fitojnë autokratët. Detyra e opozitës është nxjerrja e të gjithë skandaleve dhe po bëjmë detyrën tonë politike. Sa i përket fushatës, historia do e tregojë se fushata pozitive ishte zgjedhja e duhur. Se çfarë mund të bënin më mirë strukturat, nuk mund të vlerësohet nën efektin e emocionit. Duhet qetësi dhe çdo gjë analizë duhet bërë në kohën e vet”, shtoi Mustafaj në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Kur u pyet nëse ka autokraci edhe në drejtimin e opozitës, Mustafaj u përgjigj: “Pjesa më e rëndë është autokracia në ushtrimin e pushtetit. Nuk i shpëtojmë dot autokracisë shtetërore, ndërsa autokracisë partiake, nëse ka, i shpëton. Nëse pranojmë që në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje, por pavarësisht kësaj kërkohet dorëheqja e kupolës drejtuese të PD-së, kjo do ishte padrejtësi e madhe”.

Në lidhje me impaktin e LaCivita në fushatën e demokratëve, Mustafaj deklaroi: “Zgjedhjet nuk u fituan, por ka pasur ndikim pozitiv në ligjërimin e PD-së. Unë jam shumë krenar që kam qenë zëdhënës i një fushate pozitive. Bëmë fushatë mbi konceptin e përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe kjo është pozitive për politikën shqiptare.

The post Propozimi për ridimensionimin e PD, Mustafaj: Do e prezantoj në shtator first appeared on JavaNews.al.

Flakët në jug të Shqipërisë, avioni “Canadair” niset nga Italia për ndihmë emergjente

By: A R
27 July 2025 at 11:30

Në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një avion zjarrfikës Canadair është nisur nga Italia dhe do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.

Ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona.

Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore do të angazhohen pranë fshatit Zhulat, në rajonin e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafëbuallit, pranë Bulqizës.

Siç raporton Ministria e Mbrojtjes, janë 21 vatra aktive zjarri në vend dhe 16 nën monitorim.

Situata mbetet kritike në zonat e Lurës, Bulqizës, Delvinës, Tiranës dhe Korçës, ku janë angazhuar mbi 1350 forca operacionale dhe 65 automjete zjarrfikëse. Përveç ndërhyrjeve nga toka, po përdoren edhe helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë për të frenuar përhapjen e flakëve.

The post Flakët në jug të Shqipërisë, avioni “Canadair” niset nga Italia për ndihmë emergjente first appeared on JavaNews.al.

Polonia në alarm: Rusia do na sulmojë në vitin 2027

By: A R
27 July 2025 at 11:21

Evropa dhe Polonia duhet të jenë të përgatitura për një konflikt të mundshëm të madh me Rusinë që në vitin 2027. Alarmin e ka ngritur Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Qeveria e tij do t’i shfrytëzojë maksimalisht dy vitet e ardhshme për të stabilizuar situatën në Poloni dhe për të siguruar sigurinë. Tusk e njoftoi këtë në një takim në bashki në qytetin Pabianice pranë Lodzit, siç raportohet nga mediat gjermane Die Welt.

Kreu i qeverisë polake përmendi një vlerësim të ngjashëm nga Komandanti i ri Suprem i NATO-s, Alexus Grynkevich, me të cilin kishte folur pak më parë. Sipas këtij vlerësimi, Rusia dhe Kina mund të bëhen aq të forta deri në vitin 2027 sa të kërkojnë një përballje të koordinuar me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

Në dritën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ekspertët ushtarakë perëndimorë po qarkullojnë vlerësime të ndryshme se kur agresioni mund të drejtohet kundër shteteve të tjera në Evropë. Viti 2027 është afati më i shkurtër kohor i përmendur deri më tani. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) parashikon vitin 2029. Shtetet e BE-së po riarmatosen dhe duan të jenë në gjendje të zmbrapsin një sulm rus deri në vitin 2030.

Rusia po zgjeron gjithashtu forcat e saj të armatosura. Megjithatë, udhëheqja e Moskës e quan të pakuptimtë sugjerimin se territori i NATO-s duhet të sulmohet. Gazeta ruse Komsomolskaya Pravda kohët e fundit e përmbysi këtë narrativë dhe sugjeroi se NATO synon të sulmojë Rusinë në vitin 2027.

The post Polonia në alarm: Rusia do na sulmojë në vitin 2027 first appeared on JavaNews.al.

Trafiku nga Kolumbia në Europë, grupi i drogës del para GJKKO-së

By: A R
27 July 2025 at 11:14

Gjashtë anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës, kanë dalë sot, 27 korrik, në GJKKO për masat e sigurisë.

Mes tyre janë Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj. Ata janë nën hetim edhe për dosjen “Plumbi i Artë”.

SPAK njoftoi dje, 26 korrik, se si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar 6 ton lëndë narkotike (kokainë e kanabis) me një vlerë në treg prej 411 milionë eurosh.

“Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim: A. H, K. H, E.N, E. A, P. D, I. Ll. Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë. Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit,  Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shumë monetare (43 mijë euro), karta banke, automjete (një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan), tre pistoleta, celularë, karta banke, dornë, hard disqe, si dhe një skaf luksoz.

Në dorën e SPAK kanë rënë edhe dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.

The post Trafiku nga Kolumbia në Europë, grupi i drogës del para GJKKO-së first appeared on JavaNews.al.

❌
❌