Uji dhe shëndeti, sa duhet të pimë realisht?
Trupi i njeriut përbëhet rreth 60% nga uji, dhe ne humbasim ujë gjatë gjithë ditës — përmes urinës, djersës, por edhe përmes frymëmarrjes dhe funksioneve të zakonshme të trupit.
Për të shmangur dehidratimin, duhet të marrim ujë vazhdimisht gjatë ditës, si nëpërmjet pijes, ashtu edhe ushqimeve që konsumojmë.
Sa ujë duhet të pimë çdo ditë?
Përgjigjja nuk është njësoj për të gjithë. Ekspertët nuk janë plotësisht dakord, por në të kaluarën është përdorur një rregull i njohur si “8×8” – që do të thotë tetë gota ujë (rreth 2 litra në ditë).
Ky rregull është i lehtë për t’u mbajtur mend, por nuk është i saktë për çdo njeri.
Sot, disa specialistë sugjerojnë që duhet të pimë ujë gjatë gjithë ditës, madje edhe kur nuk ndiejmë etje.
E vërteta është se nevojat për ujë ndryshojnë nga personi në person, në varësi të një sërë faktorësh si vendndodhja, klima, aktiviteti fizik, dieta apo gjendja shëndetësore.
Rekomandimi zyrtar
Sipas Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA, sasia e përgjithshme e ujit që duhet të marrim në ditë është:
2.7 litra (rreth 11.5 gota) për gratë
3.7 litra (rreth 15.5 gota) për burrat
Kjo sasi përfshin ujin që pimë, lëngjet e tjera si çaj apo lëng frutash, dhe rreth 20% vjen nga ushqimet – sidomos frutat dhe perimet.
Kur ke nevojë për më shumë ujë?
Ka disa situata që kërkojnë marrje më të madhe të lëngjeve:
Moti dhe klima
Në vende me klimë të nxehtë, të thatë ose të lagësht, apo në zona me lartësi të madhe, trupi ka nevojë për më shumë ujë.
Dieta që ndjek
Nëse konsumon shumë kafe ose pije me kafeinë, trupi mund të humbasë më shumë lëngje përmes urinës.
Gjithashtu, ushqimet e kripura, pikante apo shumë të ëmbla rrisin nevojën për ujë. Nëse nuk konsumon shumë fruta dhe perime, do të duhet të pish më shumë.
Temperatura dhe stina
Gjatë verës ose kur bën vapë, trupi djersit më shumë dhe ka nevojë për më shumë hidratim.
Aktiviteti fizik
Nëse lëviz shumë gjatë ditës, në këmbë apo në palestër, djersit më tepër dhe ke nevojë për më shumë ujë sesa dikush që kalon ditën ulur.
Gjendja shëndetësore
Në raste sëmundjesh, si ethe, të vjella apo diarhe, trupi humbet lëngje dhe duhet të zëvendësohen shpejt.
Disa sëmundje kronike, si diabeti, apo medikamente të caktuara (si diuretikët), gjithashtu kërkojnë që të pish më shumë ujë.
Shtatzënia dhe gjidhënia
Nëse je shtatzënë ose ushqen me gji, trupi yt ka nevojë për më shumë ujë, sepse po punon për dy persona. /Telegrafi/
The post Uji dhe shëndeti, sa duhet të pimë realisht? appeared first on Telegrafi.