Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Main stream

E rëndë Vlorë, i riu mbërrin në spital i plagosur me thikë, detajet e para

By: M C
28 July 2025 at 19:46

Një 25-vjeçar dyshohet se është plagosur me thikë ditën e sotme në Vlorë. Bëhet me dije se i riu ka mbërritur në spital i qëlluar me thikë pranë zemrës dhe se aktualisht po i nënshtrohet kontrolleve.

Sipas informacioneve paraprake ai ka mbërritur në spital në gjendje koshiente. Momentalisht nuk dihen motivet e plagosjes së tij me thikë, teksa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

The post E rëndë Vlorë, i riu mbërrin në spital i plagosur me thikë, detajet e para appeared first on Albeu.com.

Gjendet një trup i pajetë pranë “Urës së Drinit të Zi” në Kukës, Policia: Personi ende të paidentifikuar

By: M C
28 July 2025 at 19:14

Një trup i pajetë është gjetur sot rreth orës 16:00 në Kukës pranë “Urës së Drinit të Zi”. Policia bën me dije se personi i pajetë është ende të paidentifikuar, por i përket i gjinisë mashkullore. Gjithashtu në njoftim thuhet se nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.

Njoftimi:

Kukës / Informacion paraprak
Rreth orës 16:00, Salla Operative e DVP Kukës ka marrë njoftim se pranë “Urës së Drinit të Zi” është konstatuar trupi i pajetë i një shtetasi ende të paidentifikuar, i gjinisë mashkullore. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.

The post Gjendet një trup i pajetë pranë “Urës së Drinit të Zi” në Kukës, Policia: Personi ende të paidentifikuar appeared first on Albeu.com.

Përplasja për karrigen e deputetit/ Daja i Endri Shabanit i kërkon KAS dhe KQZ-së të mos njohin dorëheqjet nga mandati

By: M C
28 July 2025 at 18:58

Daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shpalljen e pavlefshme të deklaratave të dorëheqjes së dhëna nga kandidatët përpara marrjes së mandatit parlamentar.

Kordhoni thotë se duhet të shpallen të pavlefshme dorëheqjet nga mandati, me arsyetimin e bazuar në nënin 164 të Kodit Zgjedhor, se një dorëheqje nga mandati është e vlefshme vetëm pasi kandidati e ka fituar dhe marrë zyrtarisht mandatin.

Ai shton se dorëheqjet e dhëna paraprakisht nuk gëzojnë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës zgjedhore. Daja i Shabanit pretendon se ka patur parregullsi në dorëheqjet e dhëna nga mandati, duke vënë në dyshim vërtetësinë e tyre.

“Kërkoj: shpalljen e pavlefshme të të gjitha deklaratave të dorëheqjes së dhëna përpara marrjes së mandatit parlamentar, si të kundërligjshme dhe në shkelje të nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Hetimin dhe verifikimin e rrethanave të nënshkrimit të këtyre deklaratave, përfshirë datën reale të nënshkrimit, vendndodhjen e secilit person nënshkrues dhe mënyrën në të cilën janë marrë këto deklarata. Theksoj se integriteti i procesit zgjedhor dhe respektimi i vullnetit të zgjedhësve kërkon që dorëheqjet e dhëna në mënyrë të parakohshme ose të falsifikuara të shpallen të pavlefshme”, thotë Kordhini.

Shkresa e Zeqir Kordhonit:

Në cilësinë e palës së interesuar dhe në mbështetje të nenit 164, pika 1 dhe 2, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, paraqes këtë kërkesë për shqyrtim dhe vendimmarrje mbi pavlefshmërinë e deklaratave të dorëheqjes së depozituara nga disa kandidate përpara marrjes së mandatit.

Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor (“Dorëheqja nga mandati”), një dorëheqje nga mandati është e vlefshme vetëm pasi kandidati e ka fituar dhe marrë zyrtarisht mandatin. Dorëheqjet e dhëna paraprakisht (pra përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar dhe marrjes së mandatit) nuk gëzojnë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës zgjedhore. Çdo akt dorëheqjeje i dhënë përpara momentit të fitimit të mandatit nuk mund të prodhojë efekt juridik dhe mund të shpallet i pavlefshëm nga ana e KQZ-së dhe KAS-it.

Kam gjithashtu arsye serioze për të vënë në dyshim vërtetësinë dhe rrethanat në të cilat janë nënshkruar këto deklarata. A kanë qenë të gjithë nënshkruesit fizikisht të pranishëm në datën që pretendohet se janë nënshkruar deklaratat? A janë nënshkruar këto deklarata në mënyrë të lirë dhe pa ushtruar dhunë apo presion psikologjik? A janë përgatitur dhe nënshkruar këto deklarata sipas formës dhe procedurave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor?

Në dijeninë time, të paktën një prej kandidateve, Entela Sula, që pretendohet se ka firmosur një deklaratë dorëheqjeje në datën 11 Maj, nuk ka qenë fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu dyshime ka edhe për kandidate të tjerë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët mund të mos kenë qenë në Shqipëri në datën që pretendohet se kanë firmosur dorëheqjen. Kjo gjë ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e këtyre akteve.

Në bazë të sa më sipër kërkoj:

Shpalljen e pavlefshme të të gjitha deklaratave të dorëheqjes së dhëna përpara marrjes së mandatit parlamentar, si të kundërligjshme dhe në shkelje të nenit 164 të Kodit Zgjedhor.

Hetimin dhe verifikimin e rrethanave të nënshkrimit të këtyre deklaratave, përfshirë datën reale të nënshkrimit, vendndodhjen e secilit person nënshkrues dhe mënyrën në të cilën janë marrë këto deklarata.

Theksoj se integriteti i procesit zgjedhor dhe respektimi i vullnetit të zgjedhësve kërkon që dorëheqjet e dhëna në mënyrë të parakohshme ose të falsifikuara të shpallen të pavlefshme.

The post Përplasja për karrigen e deputetit/ Daja i Endri Shabanit i kërkon KAS dhe KQZ-së të mos njohin dorëheqjet nga mandati appeared first on Albeu.com.

20 milionë euro, Granit Xhaka vendos të rikthehet në Premier League

By: M C
28 July 2025 at 18:41

Granit Xhaka bën rikthimin e bujshëm në Premier League, por këtë herë jo me Arsenal. Mesfushori shqiptar ka vendosur të mbyllë aventurën me Leverkusen, për të nisur një të re me Sunderland.

Xhaka do të firmosë me ekipin anglez një kontratë 3-vjeçare, pra të vlefshme deri në qershorin e vitit 2028. Ndërkohë që për të siguruar shërbimet e 32-vjeçarit, Sunderland do të shpenzojë 20 milionë euro.

Gjithçka është e kryer, teksa pritet vetëm zyrtarizimi. Kujtojmë se në garë serioze për shërbimet e mesfushorit ishte edhe Milan, por marrëveshja mes “Djallit” dhe Leverkusen nuk u arrit kurrë.

The post 20 milionë euro, Granit Xhaka vendos të rikthehet në Premier League appeared first on Albeu.com.

Gara për përzgjedhjen e Drejtorit të BKH-së, përfundojnë intervistat/ Shtatë kandidatët kalojnë në fazën e radhës

By: M C
28 July 2025 at 18:20

Ka përfunduar sot faza e intervistës në kuadër të procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

bkh-spak-1

Pas zhvillimit të testit të poligrafit më datat 24 dhe 25 korrik, intervistat me kandidatët u zhvilluan sot, duke nisur në orën 09:00 në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Secila intervistë zgjati rreth 45 minuta dhe u mbikëqyr nga përfaqësues ndërkombëtarë, për të garantuar standarde të larta transparence dhe integriteti.

Sipas SPAK, gjatë intervistave, kandidatët u vlerësuan mbi njohuritë e tyre profesionale, aftësitë drejtuese dhe qasjen e tyre ndaj sfidave që lidhen me drejtimin e BKH-së.

Në përfundim të kësaj faze, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët të kalojnë në fazën e radhës, atë të verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë.

Kujtojmë se kandidatët në garë janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Njoftimi i SPAK

Përfundon Faza e Intervistës në Procesin e Përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së

Pas zhvillimit të testit të poligrafit më datat 24 dhe 25 korrik, sot përfundoi edhe faza e intervistës për përzgjedhjen e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Intervistat nisën në orën 09:00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe zgjatën 45 minuta për secilin kandidat.

Kjo fazë, e monitoruar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, u fokusua në vlerësimin e njohurive profesionale, aftësive drejtuese dhe qasjen e kandidatëve ndaj sfidave që lidhen me pozicionin e Drejtorit të BKH-së.

Në përfundim të kësaj faze, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët t’i nënshtrohen fazës së verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë, në përputhje me nenin 6 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

SPAK rikonfirmon angazhimin për të garantuar një proces përzgjedhjeje transparent, të drejtë dhe të bazuar në kritere të qarta profesionale dhe ligjore.

The post Gara për përzgjedhjen e Drejtorit të BKH-së, përfundojnë intervistat/ Shtatë kandidatët kalojnë në fazën e radhës appeared first on Albeu.com.

OKB-ja e alarmuar nga rritja e dënimeve me vdekje në Iran: 48 persona janë në listë për t’u ekzekutuar

By: M C
28 July 2025 at 18:04

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Iranit që t’i ndalë dënimet me vdekje, duke përmendur “rritje shqetësuese të ekzekutimeve” këtë vit.

“Raportimet se janë kryer disa qindra ekzekutime në Iran vetëm këtë vit, tregojnë sa shqetësuese është situata, si dhe për nevojën urgjente për një moratorium të menjëhershëm në këtë shtet në kryerjen e dënimeve me vdekje”, ka thënë shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volder Turk përmes një deklarate.

Sipas të dhënave të mbledhura nga zyra e tij, të paktën 612 persona janë ekzekutuar në gjysmën e parë të vitit 2025. Kjo shifër është dyfish më e madhe sesa ajo e periudhës së njëjtë më 2024, kur autoritetet iraniane raportohet t’i kenë kryer të paktën 297 ekzekutime, është thënë në deklaratë. Sipas shefit të zyrës së OKB-së, minoritetet janë prekur në mënyrë joproporcionale.

“Është alarmante të shohim raportime që tregojnë se janë të paktën 48 persona në listë për t’u ekzekutuar”, ka thënë Turk.

Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejta të Njeriut ka thënë se informacioni i mbledhur nga zyra e tij tregon se në shumicën e rasteve, procedurat gjyqësore janë kryer me dyer të mbyllura dhe kështu nuk janë respektuar të gjitha ligjet që garantojnë proces të drejtë.

Sipas zyrës së tij, mbi 40 për qind e ekzekutimeve këtë vit janë kryer për shkelje të lidhura me drogën. Të tjerë janë dënuar për akuza sikurse “’armiqësia ndaj Zotit’, ‘korrupsion në Tokë’, dhe akuza tjera që përdoren shpesh nga autoritetet për t’i heshtur zërat kundërshtues”./ REL

The post OKB-ja e alarmuar nga rritja e dënimeve me vdekje në Iran: 48 persona janë në listë për t’u ekzekutuar appeared first on Albeu.com.

Zjarri në Dukat del jashtë kontrollit, flakët i afrohen me shpejtësi banesave

By: M C
28 July 2025 at 17:58

Duket se jugut të Shqipërisë nuk po i ndahen zjarret këtë verë, pasi me dhjetra hektarë janë shkrumbuar nga flakët.

U raportua se një vatër e madhe zjarri është aktivizuar këtë pasdite në fshatin Dukat i Ri, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë duke u përhapur me shpejtësi dhe tashmë po i afrohen rrezikshëm zonave të banuara.

U bë me dije se ndërhyrja nga toka është tepër e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe intensitetit të flakëve.

Banorët e zonës janë të alarmuar, pasi flakët po iu afrohen me shpejtësi banesave të tyre.

The post Zjarri në Dukat del jashtë kontrollit, flakët i afrohen me shpejtësi banesave appeared first on Albeu.com.

Ministri izraelit i Mbrojtjes paralajmëron: Nëse Hamas nuk liron pengjet, portat e ferrit do të hapen në Gaza

By: M C
28 July 2025 at 17:23

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Hamasit, duke deklaruar se “nëse nuk lirohen pengjet, portat e ferrit do të hapen në Gaza”. Deklarata është bërë publike nga agjencia e lajmeve Anadolu.

“Ky është një luftë shumë komplekse, më e ndërlikuar se çdo gjë që kemi parë më parë. Po i afrohemi fazave ku duhet të merren vendime të mëdha. Kjo ka të bëjë me udhëheqje – dhe përgjegjësinë e mbajmë ne, jo prokurorët apo të tjerët,” tha Katz gjatë një ceremonie për prishjen e godinave të dëmtuara nga sulmet me raketa në qytetin Holon, afër Tel Avivit.

Sipas autoriteteve izraelite, në Gaza ndodhen ende 58 pengje, nga të cilët 20 dyshohet se janë ende gjallë.

The post Ministri izraelit i Mbrojtjes paralajmëron: Nëse Hamas nuk liron pengjet, portat e ferrit do të hapen në Gaza appeared first on Albeu.com.

7 muaj nga “kopsitja” e dosjes për 7 grupe kriminale, “Revanshi” kalon për gjykim! Kush janë bosët që akuzohen bashkë me Ervis Martinaj

By: M C
28 July 2025 at 17:05

Anëtarët e shtatë grupeve kriminale do të gjykohen nga Gjykata e Posaçme, shtatë muaj pasi SPAK mbylli hetimet dhe rreth një vit e gjysmë pasi organi i akuzës nisi përndjekjen e krerëve dhe anëtarëve të këtyre bandave. Dosja mori emrin “Revanshi”, pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme.

Pjesë e këtyre 7 grupeve kriminale, veç njerëzve të botës së krimit, u evidentuan dhe emra zyrtarësh policorë, si ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri apo dhe politikanë si ish-deputeti socialist, Arben Ndoka, e vëllai i deputetit Eduard Ndreca, Armando Ndreca.

Në maj të vitit që lamë pas me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ranë në pranga 20 persona, 14 prej tyre në Shqipëri dhe 6 të tjerë jashtë vendit, 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 në Belgjikë.

Ky megaoperacion aso kohe erdhi pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet sekrete “Sky” dhe “EncroChat”.

Falë zbërthimit të këtyre bisedave u bë i mundur edhe zbulimi i aleancave dhe planeve sekrete të grupit të Ervis Martnajt, i cili në aleancë me grupin e drejtuar nga ish-deputeti socialist, Arben Ndoka rekrutonin vrasës me pagesë të cilët vepronin kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit.

SPAK bëri me dije se ish-deputeti socialist drejtonte një grup të fuqishëm kriminal në zonën e Lezhës dhe kishte lidhur aleancë me Ervis Martinaj për vrarë të fortin e Nikës, Durim Bamin dhe Fatmir Hysenin, i konsideruar një ndër vrasësit më të rrezikshëm me pagesë nga Vlora dhe i njohur me nofkën “Doqja”.

“Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit.

Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin Viktor Imerin, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni.

Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdyli, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndokën, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami, etj.

Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin Tesilvan Basho, të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit. Po kështu Emiljano Shullazi, siguron informacione për lëvizjet e Durim Bamit dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka”, thuhej në komunikatën zyrtare të Prokurorisë së Posaçme.

Ndërkohë, organi i akuzës zbardhi dhe aktivitetin kriminal të grupit të Niklës, që drejtohej pikërisht nga Durim Bami dhe pas lidhjes së aleancës me “Klanin Duka”, u interesua veçanërisht për elemiminimin e Ervis Martinaj, Arben Ndokës dhe njerëzve të tyre.

“Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka.

Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami, bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj, dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale”, thuhej në njoftimin zyrtar të SPAK.

Ndërkohë sa i përket ish-Policit të Qarkut të Lezhës, u njoftua se ai drejtonte aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në Lezhë sepse ishte kryepolic i qarkut, si dhe në bashkëpunim me shtetasin e skeduar për disa ngjarje kriminale Preng Gjini, lejonte lojërat e fatit.

Në kuadër të këtij megaoperacioni vitin e kaluar u sekuestruan pasuri me vlerë mbi 4.5 milion euro, përfshirë para cash, ora të shtrenjta, makinat të blinduara dhe florinj.

The post 7 muaj nga “kopsitja” e dosjes për 7 grupe kriminale, “Revanshi” kalon për gjykim! Kush janë bosët që akuzohen bashkë me Ervis Martinaj appeared first on Albeu.com.

U raportua i zhdukur në Sarandë, gjendet i mbytur në det turisti portugez

By: M C
28 July 2025 at 16:46

Një 57-vjeçar portugez u raportua i zhdukur ditën e djeshme në det, në afërsi të lagunës, në vendin e quajtur “Buka e Vivarit” në qytetin e Sarandës.

Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të bërë në afërsi të zonës ku ai ishte parë për herë të fundit kanë gjendur trupin e e pa jetë të shtetasit me iniciale A.G..

Bëhet me dije se trupi i pa jetë i 57-vjeçarit do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e autopsisë, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes, e cila dyshohet paraprakisht të jetë shkaktuar nga mbytja në det.

Njoftimi i plotë i Policisë

Sarandë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 27.07.2025, lidhur me shtetasin portugez A. G., 57 vjeç, i cili ishte raportuar i zhdukur në det, në afërsi të lagunës, në vendin e quajtur “Buka e Vivarit”, ju informojmë se:

Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë bërë të mundur gjetjen në det të trupit të pajetë të këtij shtetasi, në afërsi të zonës ku ai ishte parë për herë të fundit.

Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e autopsisë, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes, e cila dyshohet paraprakisht të jetë shkaktuar nga mbytja në det.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

The post U raportua i zhdukur në Sarandë, gjendet i mbytur në det turisti portugez appeared first on Albeu.com.

Osmani kërkon ndaljen e katastrofës humanitare në Gazë

By: M C
28 July 2025 at 16:26

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se katastrofa humanitare dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm në Gazë duhet të marrin fund.

Sipas saj, Kosova mbështet përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për armëpushim dhe lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve.

“Në ndërkohë, sigurimi i qasjes në ushqim, ujë dhe ilaçe për personat më të cenueshëm duhet të mbetet prioritet për të lehtësuar vuajtjen e shkaktuar te të pafajshmit nga dhuna”, tha Osmani përmes një reagimi në X.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Edhe disa pengje ende mbahen në territorin palestinez.

Si pasojë e ofensivës izraelite, më shumë se 59.000 palestinezë janë vrarë dhe vendi me mbi 2 milionë banorë po përballet me krizë të thellë humanitare. Organizatat ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për raste të shumta të kequshqyerjes në Gazë.

Presidentja Osmani tha se Kosova vazhdon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare që synojnë një të ardhme të drejtë, të qëndrueshme e paqësore, ku “izraelitët e palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me një përkushtim të përbashkët për mbrojtjen e jetës së njerëzve”.

“Derisa të arrihet kjo e ardhme, duhet bërë çdo përpjekje për të parandaluar humbjen e mëtejme të jetës së pafajshme dhe të lehtësohen vuajtjet e të gjithë njerëzve”, tha Osmani.

Reagimi i Osmanit vjen disa ditë pasi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një letre drejtuar asaj dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kërkuan që ata të reagonin lidhur me krizën humanitare në Gazë.

“AGK-ja i kërkon presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë Kurti që të marrin qëndrim të qartë rreth kësaj krize, dhe të bëjnë thirrje publike për ndaljen e vrasjes së civilëve dhe gazetarëve nëpërmjet metodës së urisë, të orkestruar nga shteti i Izraelit”, tha AGK-ja.

Një ditë më parë, Izraeli – që ka synim ta shkatërrojë Hamasin – njoftoi për një “pauzë të kufizuar taktike” të operacioneve të tij ushtarake, me qëllim që të lejojë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë për të dërguar ndihma në territorin palestinez.

Ndërkaq, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën thanë se kanë hedhur nga ajri 25 tonë ndihma në Gazë, për të lehtësuar krizën e thellë të urisë. REL/

The post Osmani kërkon ndaljen e katastrofës humanitare në Gazë appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 27 July 2025Main stream

Horoskopi 27 Korrik, ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju

By: M C
26 July 2025 at 23:48

Dashi

Dashuria: Ata që kanë takuar kohët e fundit një person të veçantë, tashmë do të fillojnë të ndiejnë fluturat në stomakun e tyre, me të vërtetë mund të jenë të duhurat me të cilët të ndërtojnë një të ardhme të fortë. Për beqarët, një ditë e mbushur me takime dhe kënaqësi po formësohet.

Puna: Dita mund të jetë sfiduese në punë, të përpiqeni të përmirësoni gjendjen shpirtërore dhe të jeni më pak impulsiv.

Demi

Dashuria: Ushqeni marrëdhënien në çift me disa befasi për t’i bërë partnerit. Një udhëtim, një darkë romantike do të thotë shumë! Beqarët mund të bëjnë pushtime dhe të argëtohen me disa njohje të reja pa u angazhuar vetë.

Puna: Sot situatat profesionale do të përmirësohen dhe do të ketë disa të ardhura shtesë që do t’ju lejojnë të bëni plane.

Binjakët

Dashuria: Rimëkëmbje e madhe nga pikëpamja sentimentale, falë aspektit të shkëlqyeshëm të Venusit që së shpejti do të favorizojë një rikuperim të mirë edhe në dashuri. Beqarët që kanë mundësinë të zbulojnë ndjenjat e tyre, gjithashtu favorizohen.

Puna: Në punë, kundërshtimi i Mërkurit mund ta vështirësojë marrëdhënien tuaj me partnerë dhe bashkëpunëtorë.

Gaforrja

Dashuria: Në dashuri do të dëshironit më shumë konfirmim, veçanërisht sepse disa dyshime mund t’ju shtyjnë të rishqyrtoni rëndësinë e një lidhjeje. Për momentin, beqarët duhet të shmangin marrjen e vendimeve sentimentale shumë të rrezikshme.

Puna: Lajmet e rëndësishme në vendin e punës janë duke shkuar. Diçka po ndryshon, edhe nëse është një evolucion i ngadaltë.

Luani

Dashuria: Sigurisht që shumë probleme në çift janë tejkaluar, por sipas yjeve në ditët në vazhdim do të na mbetet akoma të marrim disa gjëra prapa. Nëse jeni beqar mund të detyroheni të rivlerësoni zgjedhjet e së kaluarës, ose mund të filloni përsëri.

Puna: Sot do të ketë një shans të mirë për të marrë një konfirmim në punë, do t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë se ku të shkoni.

Virgjëresha

Dashuria: Do të shqetësoheni për disa situata në të cilat do të udhëhiqeni të bëni një zgjedhje. Partneri do ju mbështesë në të gjitha zgjedhjet tuaja dhe gjithashtu do t’ju japë këshilla të vlefshme. Njohje të reja vijnë për beqarët, do të bëni marrëveshje me njerëz shumë të ndryshëm nga ju.

Puna: Disa prej jush do të ndjehen të inkurajuar të ndërmarrin studime të reja ose mënyra të reja të punës. Lajmet vijnë mjaft pozitive.

Peshorja

Dashuria: Do të jetë një ditë mjaft e bezdisshme, do të jetë e lehtë të bëni gabime shpërqendrimi ose ta lini veten të ndikohet nga reagime tepër impulsive. Ata që janë afër jush mund ta kundërshtojnë atë. Shumë beqarë po revolucionarizojnë aspekte të ndryshme të jetës së tyre, duke filluar nga miqësitë.

Puna: Në punë, kjo është koha kur ju mund t’i jepni më shumë hapësirë ​​interesave dhe përparësive tuaja.

Akrepi

Dashuria: Marrëdhënie të mira në çift dhe takime të reja, por kujdes nga Hëna e kundërt, kjo mund t’ ju krijojë një vonesë të vogël ose më keq. Beqarët mund të përfitojnë nga mundësitë e mira të krijuara nga yjet për të jetuar në mënyrë aktive jetën e tyre të dashurisë.

Puna: Do të keni vendosmëri dhe aftësi të jashtëzakonshme dhe do të jeni në gjendje të theksoni veten. Mos e humbni kohën.

Shigjetari

Dashuria: Përballë Venusit mund të shkoni në disa keqkuptime në dashuri ose familje. Ka çështje të pazgjidhura që nuk mund të shtyhen më. Nëse jeni beqarë, përpiquni të merrni pak kohë për t’u çlodhur.

Puna: Në punë do të jeni në gjendje të mbani një ekuilibër të caktuar dhe t’i përkushtoheni angazhimeve përkundër vështirësive.

Bricjapi

Dashuria: Venusi në tranzit në shenjë sjell avantazhe në dashuri. Ka vendime të rëndësishme për të marrë, madje edhe në familje kjo është koha e duhur për të paraqitur idetë tuaja. Beqarët do u duhet t’i kushtojnë vëmendje takimeve të reja dhe të vlerësojnë mirë.

Puna: Në përgjithësi është një periudhë veçanërisht pozitive edhe në punë, projektet që lindin tani favorizohen mbi të gjitha.

Ujori

Dashuria: Dashuria sot do t’ju japë kënaqësi të madhe. Edhe çiftet që janë bashkë për një kohë të gjatë mund të gjejnë më shumë mirëkuptim. Venusi i bën takimet speciale dhe beqarët mund të takojnë shpirtin binjak. Dëgjo zemrën!

Puna: Shmangni ndjekjen e polemikave ose provokimeve që rrezikojnë të krijojnë vështirësi veçanërisht në menaxhimin e punës.

Peshqit

Dashuria: Një ditë e bukur për ndjenjat, sot mund të mbështeteni në një gjendje pozitive astrologjike. Takimet janë të preferuara, kështu që lërini të shkojnë. Sensual dhe tërheqës, beqarët do godasin dhe do të jenë në qendër të vëmendjes dhe do të bëjnë kaq shumë pushtime.

Puna: Një lajm i mirë që vjen në punë, pavarësisht konkurrencës ju do të jeni në gjendje të arrini atë që dëshironi në fund.

The post Horoskopi 27 Korrik, ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju appeared first on Albeu.com.

Izraeli rifillon dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, IDF: Nuk ka zi buke këtu, është fushatë e rreme e promovuar nga Hamasi

By: M C
26 July 2025 at 23:30

Ushtria izraelite ka nisur të hedhë ndihma humanitare nga ajri në Gaza mbrwmjen e sotme. Burime palestineze konfirmuan se pakot kishin filluar të binin në Rripin verior të Gazës. Sipas ushtrisë, hedhjet nga ajri përfshinin shtatë paleta me artikuj të tillë si sheqer, miell dhe ushqim të konservuar, të ofruar nga organizatat ndërkombëtare.

“IDF thekson se nuk ka zi buke në Rripin e Gazës. Kjo është një fushatë e rreme e promovuar nga Hamasi”, shtoi deklarata e ushtrisë. “Përgjegjësia për shpërndarjen e ushqimit për popullsinë e Gazës i takon OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës. Prandaj, ne presim që OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare të përmirësojnë efikasitetin e shpërndarjes së ndihmës dhe të sigurojnë që ndihma të mos përfundojë te Hamasi”, vazhdoi deklarata.

Izraeli është përballur me kritika të ashpra nga agjencitë e ndihmës, të cilat e kanë akuzuar atë për kufizimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare. Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e ka përshkruar krizën si një “zi masive të shkaktuar nga njeriu”.

Izraeli, i cili ndërpreu furnizimet për Gazën në fillim të marsit, por i rifilloi ato pjesërisht në maj, thotë se është i përkushtuar të lejojë ndihmën, por duhet ta monitorojë atë për të parandaluar plaçkitjen e saj nga grupet e armatosura. Ai thotë se ka lejuar ushqim të mjaftueshëm në Gaza gjatë luftës dhe fajëson Hamasin për gjendjen e vështirë të 2.2 milionë banorëve të enklavës.

Izraeli gjithashtu akuzon Kombet e Bashkuara se nuk kanë vepruar në kohë, duke thënë se 700 dërgesa ndihmash janë në Gaza, por nuk janë shpërndarë. Më shumë se 125 njerëz kanë vdekur nga kequshqyerja, dhe 85 prej tyre ishin fëmijë, njoftoi më parë Ministria e Shëndetësisë e Gazës.

The post Izraeli rifillon dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, IDF: Nuk ka zi buke këtu, është fushatë e rreme e promovuar nga Hamasi appeared first on Albeu.com.

Dështon seanca e 54-ët për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përfundon afati i Gjykatës Kushtetuese

By: M C
26 July 2025 at 23:23

Edhe në përpjekjen e fundit që erdhi rreth tetë orë pas asaj parapake, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan në tentimin për ta konstituuar Kuvendin.

Tani, pasi është mbyllur afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të Kuvendit, sipas vendimit të 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e konfirmoi se ai gjatë ditës ka zhvilluar një takim, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, ai tha se gjatë këtij takimi nuk pati asnjë diskutim përtej asaj që është thënë në publik më parë dhe se nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Dhe, epilogu i seancës së 54-t konstituive ishte i njëjtë si i atyre paraprake: kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga LVV-ja, u kërkoi Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ta propozojnë nga një kandidat për të themeluar komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Këto parti nuk dhanë propozime dhe nuk pati kuorum për formimin e këtij komisioni, duke dështuar kështu konsituimi i Kuvendit.

Lëvizjes Vetëendosje do t’i kishin mjaftuar votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrateve dhe deputetëve të minoriteve, përveç atyre të Listës Serbe, për t’i siguruar 61 votat e nevojshme.

Pak para seancës, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha përmes një postimi në Facebook se atyre “u duhen votat, por jo me çdo kusht dhe jo nga e me bindjen e ndokujt që i duket se ‘i erdhi dita’”.

Tani, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.

Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Që nga fillimi më 15 prill e deri të premten, Kuvendi është mbledhur në 52 përpjekje për ta zgjedhur kryetarin, pa arritur shumicën prej së paku 61 votave.

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja.

Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.

Përveç duke argumentuar se kompromisi nuk duket se është afër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.

Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.

Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja.

Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe diplomatë të huaj të premten, si ambasadorët e Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe të tjerë që ishin të pranishëm në seancën e 52-të konstituive./ REL

The post Dështon seanca e 54-ët për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përfundon afati i Gjykatës Kushtetuese appeared first on Albeu.com.

Përhapet zjarri në malin e Shashicës, flakët ju afrohen zonave të banuara në Kaninë

By: M C
26 July 2025 at 22:58

Zjarri vijon aktiv në malin e Shashicës, ndërsa flakët vijojnë të përhapen. Situata po përshkalllëzon dhe zjarri po i afrohet më tepër shtëpive të banuara të Kaninës. Raportohet se ndërhyrjet nga ajri janë ndalur për shkak të errësirës. Ndërkohë tymi ka mbuluar në total bregdetin e Vlorës, duke u dukur nga kilometra larg.

Situata paraqitet kritike edhe në Borsh, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë shumë afër zonave të banuara dhe kjo ka ka shkaktuar panik dhe shqetësim tek banorët e zonës. Kjo vatër zjarri është aktive prej 48 orësh, ndërsa ka munguar një reagim nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e flakëve.

Edhe në fshatin Piqeras në Lukovë të Vlorës flakët janë vetëm 150 metra larg banesave dhe objekteve tregtare. Deri më tani nuk ka raportime për dëme. Edhe në këtë fshat ndërhyrja është shumë e vështirë për shkak të terrenit dhe infrastrukturës. Ndërkohë era e fortë dhe bimësia e dendur dhe e thatë po favorizojnë përhapjen e zjarrit.

The post Përhapet zjarri në malin e Shashicës, flakët ju afrohen zonave të banuara në Kaninë appeared first on Albeu.com.

U arratis nga dhomat e paraburgimit 8 muaj më parë, vihet në pranga Nazmi Liçi, autor i disa grabitjeve

By: M C
26 July 2025 at 22:34

Nazmi Liçi është arrestuar ditën e sotme në Kavajë, pasi ishte shpallur në kërkim për një grabitje në qytetin e Elbasanit.

Liçi u arratis nga dhomat e paraburgimit në dhjetor të vitit të kaluar. Ai dyshohet se është edhe autor i pesë vjedhjeve në Kavajë dhe Golem. Pas arrestimit, Liçi do të përballet me akuzat që janë ngritur në ngarkim të tij.

The post U arratis nga dhomat e paraburgimit 8 muaj më parë, vihet në pranga Nazmi Liçi, autor i disa grabitjeve appeared first on Albeu.com.

Tapë në timon dhe refuzoi testin e alkoolit, policia i vendos prangat 75-vjeçarit nga Kosova në Lezhë

By: M C
26 July 2025 at 22:19

Policia e Lezhës ka arrestuar një 75-vjeçar shqiptar nga Kosova pasi refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit. Sipas policisë, i moshuari shfaqi shenja të dukshme të gjendjes së dehur.

Pas shoqërimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, F.G., 75 vjeç, pranoi të testohej me aparatin alkooltestues Dräger, ku rezultoi: Testi i parë 2.43 mg/l dhe testi i dytë 2.32 mg/l.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi F. G., 75 vjeç, nga Kosova, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Njoftimi i Policisë

Në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, shërbimet e Policisë Rrugore kanë intensifikuar kontrollet në zonat turistike dhe në akset me fluks të lartë automjetesh.

Shërbimet e Policisë morën informacion për një drejtues automjeti që dyshohej se po qarkullonte në gjendje të dehur në zonën e plazhit të Shëngjinit. Pas kontrolleve në terren, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin për të cilin disponohej informacioni, në drejtim të të cilit ishte shtetasi F. G., i cili shfaqte shenja të dukshme të gjendjes së dehur dhe fillimisht refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit.

Pas shoqërimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ky shtetas pranoi të testohej me aparatin alkooltestues Dräger, ku rezultoi: Testi i parë 2.43 mg/l dhe testi i dytë 2.32 mg/l.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi F. G., 75 vjeç, nga Kosova, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të mos drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur apo nën efektin e substancave narkotike, pasi sjellje të tilla përbëjnë rrezik të shtuar për jetën dhe sigurinë në rrugë.

Në këtë periudhë me fluks të lartë qarkullimi dhe pushuesish, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur përbën një kërcënim serioz për jetën e të gjithëve. Respektoni rregullat e qarkullimit, mbroni jetën!

The post Tapë në timon dhe refuzoi testin e alkoolit, policia i vendos prangat 75-vjeçarit nga Kosova në Lezhë appeared first on Albeu.com.

Before yesterdayMain stream

Zjarret ‘mbërthejnë’ Shqipërinë, PD akuza Ramës: Ti e ke fajin! Nuk shuhen flakët me pagure e shkurre! Me lekët e shtetit bën shpenzime luksi

By: M C
26 July 2025 at 21:55

Teksa e gjithë Shqipëria po lufton me flakët, Partia Demokratike i ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar. Partia Demokratike përmes një deklarate për mediat, shprehet se me Edi Ramën kështu do të jetë situata këtë vetë dhe në tjetrën. PD akuzon kreun e qeverisë se paratë e shtetit i përdor për shpenzime luksi.

Në reagimin e selisë blu thuhet se qeveria dërgon ushtrinë dhe zjarrfikësit të cilët i sulen zjarreve me shkurre, lopata e batanije, si në një vend të botës së tretë apo të sapodalë nga lufta dhe në mungesë te mjeteve bazike.

Sipas PD-së, për Edi Ramën prioritet absolut është uzurpimi i pushtetit lokal dhe jo zjarret dhe dhjetëra probleme që kërcënojnë qytetarët dhe jetën e tyre.

Sakaq, PD thekson në deklaratë se për Edi Ramën prioritet është spektakli me satelitët “Albania 1” dhe “2”, apo dronët për të cilët, pasi i hedh në Facebook për t’u mburrur nuk ka kush as t’i lexojë dhe as kush t’i komandojë.

Selia blu, shprehet se jeta e qytetarëve është në rrezik ndërsa Edi Rama shijon pushimet pas zhurmës që bëri me drejtorët, heqjen e tendave të bizneseve dhe terrorizmin e Thethit.

Reagimi i plotë i Partisë Demokratike

Nga Jugu në Veri, Shqipëria është pushtuar nga zjarret. Ndërkohë që, u bëjmë thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara, dhe të ndihmojnë këdo në rrezik. Partia Demokratike shpreh indinjatën e thellë me reagimin minimalist dhe thuajse përqeshës të autoriteteve.

Jo vetëm ndërhyrjet bëhen me vonesë, por janë mungesa e alarmit dhe angazhimit që e bëjnë situatën të duket edhe më kaotike, kërcënuese dhe dëshpëruese.

Zjarret, përmbytjet, fatkeqësitë natyrore përsëriten në Shqipëri, si në të gjithë botën, dhe kjo nuk është në dorë të qeverive, por përgatitjet, gatishmëria, vullneti, janë detyrë dhe në dorë të tyre.

Siç e kemi parë prej vitesh, qeveria dërgon ushtrinë dhe zjarrfikësit, të cilët u sulen zjarreve me shkurre, me lopata dhe batanije, si në një vend të Botës së Tretë, apo të sapodalë nga lufta dhe në mungesë të mjeteve bazike.

Një pamje tjetër shohim prej tri javësh në Theth, Tiranë dhe gjithandej nëpër Shqipëri. Për të shembur bujtinat në Theth dhe marrë para shitësit të rigonit në Sarandë, qeveria dërgoi IMT, Tatimet, Policinë dhe Ushtrinë, me mjete të rënda, me arrogancë, të armatosur deri në dhëmbë, në luftë me qytetarët.

Për Edi Ramën, prioritet absolut është uzurpimi i pushtetit lokal, jo zjarret dhe dhjetëra problemet që kërcënojnë qytetarët dhe jetën e tyre.

Për Edi Ramën, prioritet është spektakli me satelitët “Albania 1” dhe “2”, apo dronët për të cilët, pasi i hedh në Facebook për t’u mburrur nuk ka kush as t’i lexojë dhe as kush t’i komandojë. Sepse, Edi Rama e ka bërë ushtrinë e një vendi të NATOs, një organizatë që shkon të fikë zjarret me shkurre dhe pagure.

Prandaj, përballja me zjarret dhe fatkeqësitë natyrore që kërcënojnë qytetarët janë të mekura.
Do të jetë kështu këtë verë dhe tjetrën, sepse Edi Rama nuk kujtohet dhe as kujdeset për infrastrukturën e shtetit, për fondet e emergjencave, për modernzimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit.

Paratë që i merr nga taksat i bën shpenzime luksi për vete dhe ministrat, udhëtime me carter, koncerte të shtrenjta apo kopësht 4 milion euro në oborrin e Kryeministrisë.

Edi Rama është me pushime, pasi bëri zhurmën me drejtorët, me heqjen e tendave dhe terrorizimin e Thethit, por zjarret nuk bëjnë pushim dhe pyjet, territori, bizneset, shtëpitë dhe jeta e qytetarëve është në rrezik.

Edi Rama nuk është zjarrfikës, por ai nuk mund të lejohet të jetë Kryeministri që hedh Shqipërinë në zjarr.

The post Zjarret ‘mbërthejnë’ Shqipërinë, PD akuza Ramës: Ti e ke fajin! Nuk shuhen flakët me pagure e shkurre! Me lekët e shtetit bën shpenzime luksi appeared first on Albeu.com.

Zjarri në Borsh del jashtë kontrollit, flakët i afrohen zonave të banuara, alarmohen pushuesit dhe banorët: I lanë pas dore vatrat, zjarrfikësit s’kanë nga futen

By: M C
26 July 2025 at 21:36

Një vatër zjarri me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë një masiv kodrinor në zonën e Borshit, duke krijuar një situatë alarmante për banorët dhe pushuesit në këtë zonë bregdetare të njohur.

Pushues dhe banorë të zonës shprehen të indinjuar për vonesën në ndërhyrje.

“Zjarri nisi që dje, ishte shumë më i vogël dhe mund të ishte fikur në kohë, por u la pas dore. Zjarri po i afrohet shtëpive, dhe zjarrfikëset nuk kanë nga futen”, thonë banorët e Borshit.

Flakët, të favorizuara nga era e fortë që po fryn prej orësh, janë përhapur me shpejtësi, duke e bërë tepër të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Sipas raportimeve nga terreni, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe është afruar drejt zonave të banuara, duke rrezikuar disa banesa në periferi të fshatit.

Për momentin nuk raportohen persona të lënduar, por autoritetet vendore kanë shtuar forcat në terren, ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme dhe në zhvillim.

Banorët janë paralajmëruar të jenë të kujdesshëm dhe, në disa raste, po merren masa paraprake për evakuim të mundshëm.

Strukturat e emergjencës bëjnë thirrje për bashkëpunim dhe mirëkuptim, ndërkohë që po shqyrtohet edhe mundësia për ndërhyrje ajrore, nëse situata përkeqësohet më tej.

The post Zjarri në Borsh del jashtë kontrollit, flakët i afrohen zonave të banuara, alarmohen pushuesit dhe banorët: I lanë pas dore vatrat, zjarrfikësit s’kanë nga futen appeared first on Albeu.com.

Zjarri në Qafë Buall, Ministria e Mbrojtjes: Po angazhohen mbi 90 forca dhe dy helikopterë për izolimin e flakëve

By: M C
26 July 2025 at 21:07

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar për një operacion të gjerë për shuarjen e zjarrit që ka rënë në zonën e Qafë Buallit, pranë qytetit të vjetër të Bulqizës dhe fshatit Plan i Bardhë.

Vatra e zjarrit ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të thatë, ndërsa operacioni për izolimin e flakëve po zhvillohet si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

Në terren janë angazhuar:
• 8 mjete zjarrfikëse
• 40 efektivë të MZSH
• 15 efektivë të Policisë së Shtetit
• 25 forca të bashkisë
• 10 forca vullnetare

Po ashtu, në ndihmë të operacionit janë përfshirë edhe 2 helikopterë, të cilët po kryejnë ndërhyrje ajrore me hedhje uji në mënyrë të vazhdueshme dhe në rotacion.

Autoritetet janë në monitorim të pandërprerë të situatës, ndërsa po vlerësohet nevoja për shtim të forcave apo për masa shtesë në varësi të përhapjes së flakëve.

Për momentin, nuk raportohet për rrezik të banesave, por për shkak të terrenit të thepisur dhe erërave, operacioni për shuarjen e zjarrit mbetet kompleks.

The post Zjarri në Qafë Buall, Ministria e Mbrojtjes: Po angazhohen mbi 90 forca dhe dy helikopterë për izolimin e flakëve appeared first on Albeu.com.

❌
❌