Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 August 2025Main stream

VJENË – IEA bën thirrje për vetëpërmbajtje pas sulmit pranë centralit të Zaporizhias

3 August 2025 at 11:14

VJENË, 3 gusht /ATSH/- Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) bëri thirrje për vetëpërmbajtje maksimale ushtarake pranë objekteve bërthamore – pas një sulmi pranë centralit bërthamor në rajonin juglindor të Zaporizhias, në Ukrainë.

Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, duke cituar stafin në Centralin Bërthamor të Zaporizhias (ZNPP) – tha se një objekt ndihmës pranë centralit kryesor ishte sulmuar nga bombardimet dhe dronë.

Grossi tha në një deklaratë se ekipi i IAEA-s i vendosur në ZNPP kishte dëgjuar shpërthime dhe parë tym që vinte nga zona, e cila ndodhet 1,200 metra nga perimetri i termocentralit kryesor.

“Çdo sulm në afërsi të një centrali bërthamor – pavarësisht nga objektivi i synuar – paraqet rreziqe të mundshme edhe për sigurinë bërthamore dhe duhet të shmanget”, tha Grossi.

“Edhe një herë, bëj thirrje për vetëpërmbajtje maksimale ushtarake pranë objekteve bërthamore për të parandaluar rrezikun e vazhdueshëm të një aksidenti bërthamor”, tha ai.

I vendosur në qytetin e Enerhodarit të kontrolluar nga Rusia në bregun jugor të lumit Dnipro, centrali bërthamor është më i madhi në Evropë.

IAEA ka luajtur një rol qendror në mbrojtjen dhe monitorimin e gjendjes dhe sigurisë së centraleve bërthamore të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në vitin 2022.

Agjencia dërgon rregullisht ekipe ekspertësh në vendet e reaktorëve aktivë në rajonet perëndimore të Rivne dhe Khmelnytskyi, dhe ka qenë e pranishme përgjithmonë në centralin e Zaporizhias – që nga shtatori i vitit 2022.

Vendi ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i atij viti.//a.i/

The post VJENË – IEA bën thirrje për vetëpërmbajtje pas sulmit pranë centralit të Zaporizhias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Administrata Trump nis programin pilot për të mbuluar shpenzimet e “Ozempic”

3 August 2025 at 10:40

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH/ – Administrata Trump po përgatit një program pilot 5-vjeçar që do t’i lejonte “Medicare” dhe “Medicaid” të mbulonin disa nga ilaçet më të kërkuara për humbje peshe – një veprim që mund të transformonte trajtimin e obezitetit për miliona amerikanë.

Plani, i cili përfshin ilaçe të tilla si “Ozempic”, “Wegovy”, “Mounjaro” dhe “Zepbound” përfaqëson një përmbysje në politikën federale dhe sinjalizon një gatishmëri më të gjerë për të përdorur sigurimin publik për të adresuar epideminë e obezitetit në vend.

Pse ka rëndësi?
Barnat, të njohura si agonistë të receptorit GLP-1, u prodhuan fillimisht për të trajtuar diabetin e tipit 2, por janë bërë një fenomen kulturor për aftësinë e tyre për të ulur oreksin dhe për të ndihmuar pacientët të humbasin deri në 20 përqind të peshës së tyre trupore në provat klinike.

Programi pilot mbështetet në një propozim të prezantuar në muajt e fundit të administratës Biden, por u pezullua këtë vit – kur zyrtarët nën drejtimin e presidentit, Donald Trump njoftuan se “Medicare” dhe “Medicaid” nuk do të mbulonin barnat për humbje peshe.

Çfarë duhet të dini?
Sipas dokumenteve të siguruara nga “The Washington Post” – programi do t’u lejonte programeve shtetërore “Medicaid” dhe planeve të “Medicare Part D” të mbulonin vullnetarisht barnat GLP-1 për menaxhimin e peshës.

Iniciativa është planifikuar të fillojë në prill 2026 për “Medicaid” dhe në janar 2027 për “Medicare” dhe do të administrohet përmes Qendrës për Inovacionin e “Medicare” dhe “Medicaid”, e cila teston modele të reja pagese të dizajnuara për të ulur kostot dhe për të përmirësuar kujdesin.

“Chiquita Brooks-LaSure”, e cila drejtoi Qendrat për Shërbimet e “Medicare” dhe “Medicaid” nën drejtimin ish-presidentin Joe Biden, tha se eksperimenti do të ishte një “ndryshues i lojës” nëse zgjeron aksesin në trajtimet e obezitetit.

“Rritja e mbulimit të barnavr kundër obezitetit në “Medicare” dhe “Medicaid” ishte një përparësi gjatë mandatit tim sepse shkencëtarët dhe klinicistët besojnë gjithnjë e më shumë se obeziteti është një gjendje serioze shëndetësore që duhet të trajtohet në përputhje me rrethanat,” tha ajo.

Programi përballet me një pengesë të madhe: çmimin. Barnat GLP-1 zakonisht kushtojnë nga 5,000 deri në 7,000 dollarë në vit, duke ngritur pyetje nëse mbulimi i gjerë është i qëndrueshëm.

“Kostoja afatshkurtër është ende e madhe”, tha për “Newsweek” Dr. Cynthia Cox, nënkryetare në KFF (ish Fondacioni i Familjes Kaiser).

“1,000 dollarë në muaj për person është një shpenzim masiv”, tha ajo.

Një analizë e KFF zbuloi se çmimi i listuar i “Ozempic” në SHBA është 936 dollarë në muaj – më shumë se pesë herë më i lartë se kostoja në Japoni, ku shitet për 169 dollarë.

“Wegovy”, i cili përmban të njëjtin përbërës aktiv, kushton afërsisht 1,349 dollarë në muaj në SHBA, krahasuar me 328 dollarë në Gjermani.

Për momentin, 13 programe shtetërore “Medicaid” mbulojnë barnat GLP-1 për obezitetin.

“Medicare” kufizon mbulimin për pacientët me probleme si diabeti ose sëmundjet e zemrës.

Me rreth 70 milionë njerëz të regjistruar në “Medicaid” dhe 65 milionë në “Medicare”, edhe zgjerimi i pjesshëm mund të ndikojë në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

“Këto ilaçe ndihmojnë mbi 50 përqind të njerëzve të humbasin deri në 25 përqind të peshës së tyre trupore”, tha Dr. Robert Klitzman, nga Universiteti i Kolumbias, në një intervistë me “Newsweek”.

“Por ato kushtojnë rreth 12,000 dollarë në vit. Nëse dy të tretat e amerikanëve do të kishin nevojë për to, kjo do të falimentonte sistemin e kujdesit shëndetësor”, tha ai.

Pavarësisht shqetësimeve financiare, barnat GLP-1 po rrisin entuziasmin midis mjekëve për aftësinë e tyre për të përmirësuar shërbimet shëndetësorë përtej humbjes së peshës.

Provat klinike tregojnë se ato mund të ulin sheqerin në gjak, të ulin presionin e gjakut dhe të përmirësojnë rezultatet kardiovaskulare. //a.i/

The post SHBA – Administrata Trump nis programin pilot për të mbuluar shpenzimet e “Ozempic” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Si do të ndikojnë tarifat e Trump në BE në çmimet e barnave?

3 August 2025 at 09:51

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH/- Ekspertët thonë se marrëveshja tregtare e presidentit amerikan, Donald Trump me Bashkimin Evropian mund të shkaktojë çmime më të larta për barnat e markave të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – duke përfshirë barnat më të suksesshme si “Ozempic” dhe “Wegovy”, sipas “NBC News”.

Produktet farmaceutike janë importi i pestë më i madh i Shteteve të Bashkuara, tha Dr. Aaron Kesselheim, një profesor i mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit.

Evropa është një qendër e madhe prodhimi për ilaçet me emër të markave në veçanti.

Pothuajse gjysma e përbërësve aktivë për ilaçet me emër të markave që merren në Shtetet e Bashkuara prodhohen në vende evropiane si Irlanda, Gjermania, Italia dhe Belgjika, tha Kesselheim.

Evropa është gjithashtu vendi ku shumë prodhues ilaçesh bëjnë hapat e fundit, siç janë mbushja dhe paketimi.

Barnat e “Novo Nordisk” për diabetin dhe obezitetin, “Ozempic” dhe “Wegovy” prodhohen të dyja në Danimarkë.

“Botox”, i prodhuar nga “Allergen”, dhe ilaçi kundër kancerit “Keytruda” nga prodhuesi i barnavr “Merck” prodhohen në Irlandë. (Megjithatë, vitet e fundit, shumica e prodhimit të Keytruda është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

Ndërsa barnat me emër të markave përbëjnë vetëm rreth 10% të recetave të lëshuara në SHBA – përbëjnë rreth 80% të të gjitha shpenzimeve për ilaçet.

Kjo për shkak se çmimet e tyre janë shumë të larta.

Çdo statinë [gjenerike] individuale kushton vetëm disa qindarka, ndërsa “Botox” kushton mijëra deri në dhjetëra mijëra dollarë.

“Në afat të shkurtër, kompanitë farmaceutike mund të rrisin çmimet e këtyre produkteve për të llogaritur koston më të lartë”, tha Rena Conti, një profesoreshë e asociuar në Shkollën e Biznesit Questrom të Universitetit të Bostonit.

“Konsumatorët amerikanë do të paguajnë më shumë për këto ilaçe”, tha Conti.

“Ajo që pacientët paguajnë në farmaci pasqyron listën e çmimeve të përcaktuara nga kompanitë farmaceutike.

Marrëveshja tregtare, e njoftuar të dielën, vendos një tarifë prej 15% për shumicën e mallrave të importuara nga BE-ja, duke përfshirë edhe produktet farmaceutike.

Ndërsa kjo është shumë më poshtë tarifave prej 200% që Trump kishte kërcënuar për importet farmaceutike në fillim të këtij muaji, ajo do të ketë ende një ndikim. //a.i/

The post FOKUS – Si do të ndikojnë tarifat e Trump në BE në çmimet e barnave? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“The National”: Tirana në 48 orë: Vizitoni atraksionet kryesore të kryeqytetit plot jetë të Shqipërisë

3 August 2025 at 07:34

ABU DHABI, 3 gusht /ATSH/- Me fluturime direkte nga Abu Dhabi që do të vazhdojnë deri në fund të gushtit, tani është koha ideale për të zbuluar qytetet interesante të Ballkanit me kosto të përballueshme, shkruan Phil Johnson në një artikull të botuar në të përditshmen “The National” – në pronësi të shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, që botohet në Abu Dhabi.

Kryeqyteti dinamik i Shqipërisë ofron një ndërthurje magjepsëse të ndikimeve osmane, të epokës komuniste dhe bashkëkohore, perla e Ballkanit e rrethuar nga vargmali Skënderbej është një destinacion interesant.

Qendra e qytetit është vetëm gjysmë ore larg aeroportit me autobus dhe mjaft kompakte për të lëvizur tërësisht në këmbë.

Por, në muajin gusht mund të jetë vapë, rreth 8°C më freskët se në Abu Dhabi në verë, kështu që të ecësh përreth për të parë pamjet është e realizueshme.

Dhe ka shumë atraksione interesante për vizitorët kuriozë për 48 orë, veçanërisht ata me një buxhet të kufizuar.

1-Sheshi Skënderbej: Zemra e qytetit

Shumica e librave udhëzues rekomandojnë fillimin e një aventure në Tiranë në Sheshin Skënderbej, sheshin qendror që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbej.

Komandanti ushtarak vdiq në vitin 1468 dhe kujtohet për udhëheqjen e një rebelimi kundër Perandorisë Osmane.

Ky shesh, është i rrethuar nga monumente si Muzeu Historik Kombëtar dhe Teatri i Operas.

Statuja e vetë Skënderbeut mbi kalë është një pikë qendrore e sheshit, sfondi i saj i fasadave në ndryshim pasqyron një qytet që ka një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë.

2-Xhamia e Et’hem Beut: Një dëshmi e qëndrueshmërisë

Ngjitur me Sheshin Skënderbej ndodhet Xhamia e mrekullueshme e Et’hem Beut, një dëshmi e qëndrueshmërisë fetare.

E ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX – afresket e saj të ndërlikuara dhe arti delikat janë një pamje e rrallë në arkitekturën islame, duke përshkruar peizazhe natyrore dhe jetën e qetë.

Xhamia i mbijetoi mrekullisht politikave ateiste të regjimit totalitar, duke shërbyer si një simbol i fuqishëm i shpirtit elastik të Shqipërisë dhe ringjalljes së lirisë fetare.

Hyrja është falas dhe një vështrim përreth nuk zgjat më shumë se gjysmë ore.

3-Bunk’Art 1: Zbulimi i një të kaluare të fshehur

Duhen vetëm disa minuta për të ecur nga xhamia në një nga atraksionet turistike më interesante të qytetit.

Bunk’Art 1, një rrjet bunkerësh nëntokësorë të ndërtuar fillimisht për elitën politike – në rast të një sulmi bërthamor, është transformuar në një muze dhe hapësirë arti bashkëkohor magjepsës.

Vizitorët mund të zhyten në historinë komuniste të Shqipërisë dhe të eksplorojnë korridoret dhe dhomat e saj të ftohta.

Ekspozitat detajojnë paranojën dhe shtypjen e regjimit të Hoxhës në vend, duke ofruar një pasqyrë të fuqishme të një epoke të kaluar.

Hyrja është 500 lekë dhe rekomandohet të paktën një orë për ta shijuar të gjithën.

4-Ngjitja e piramidës: Historia me një pamje

Nevojiten 10 minuta për të ecur në atraksionin që ofron një pamje të horizontit të qytetit nga lart.

Ngjitja e Piramidës së Tiranës – një aktivitet tjetër falas – ndihet si ngjitja në një relike betoni të historisë, anët e saj të pjerrëta, por krenare.

Fillimisht, e ndërtuar në vitin 1988 si një muze për të nderuar diktatorin komunist Enver Hoxha, struktura dikur madhështore – tani simbolizon me guxim identitetin në ndryshim të Shqipërisë.

Çdo hap në ngjitje zbulon më shumë nga sharmi kaotik i qytetit, i rrethuar nga grafiti. Në majë, hapet panorama, me qytetin e shtrirë poshtë dhe vargmalin e bukur në distancë.

5-Turneu i stadiumit “Air Albania”: Një pikë referimi moderne sportive

Stadiumi kombëtar i futbollit përfaqëson me krenari arkitekturën më moderne të qytetit.

Për adhuruesit e sportit, një turne në stadiumin “Air Albania” ia vlen dhe është vetëm 10 minuta larg nga Piramida në këmbë.

Stadiumi, i hapur në vitin 2019, ndodhet në ish-stadiumin Qemal Stafa.

I ndërtuar si një vend kompakt në stilin anglez me spektatorë të ulur afër fushës, ai ka një kapacitet prej 22,000 vendesh dhe biletat shiten për çdo ndeshje të ekipit kombëtar.

6-Shëtitje në Parkun e Madh dhe liqen: Një oaz i gjelbër

Parku i Madh i Tiranës dhe liqeni i tij artificial janë vetëm pesë minuta larg në këmbë, nëpërmjet Sheshit Nënë Tereza, nga stadiumi.

Kjo hapësirë e gjerë dhe e qetë është një vend i preferuar për vendasit, duke ofruar shtigje për ecje dhe vrap, kafene dhe vende të qeta për t’u çlodhur dhe për t’i shpëtuar zhurmës urbane.

Ecja në unazën prej 5,3 km rreth liqenit zgjat rreth 45 minuta. I formuar nga një digë në mesin e shekullit XX, liqeni ofron një pamje piktoreske.

Pse duhet ta vizitoni tani

Nga bunkerët e Luftës së Ftohtë, te shëtitjet buzë liqenit dhe pamjet e horizontit nga çatitë plot me grafite, Tirana ofron një gamë të gjerë atraksionesh për t’u vizituar.

Një mbrëmje e kaluar në Bllok, zona elegante dhe e gjallë e kafeneve dhe restoranteve të qytetit, është mënyra perfekte për të përfunduar ditën tuaj.

Udhëtimi drejt majës së malit të Dajtit me teleferik; vizita në tregun e Pazarit të Ri; dhe shëtitja nëpër Kalanë e Tiranës – një fortesë mesjetare – e cila tani është një rrugë për këmbësorë me një sërë restorantesh dhe dyqanesh artizanale – janë disa nga vendet kryesore që mund të zbuloni.

Tirana është një perlë e Mesdheut – e lehtë për t’u eksploruar. Me linjën direkte të “Wizz Air” nga Abu Dhabi në kryeqytetin shqiptar – mund të shijoni pushime cilësore me një kosto të përballueshme. //a.i/

https://www.thenationalnews.com/travel/2025/08/02/tirana-in-48-hours-six-things-to-do-in-albanias-vibrant-capital/

 

 

 

 

The post “The National”: Tirana në 48 orë: Vizitoni atraksionet kryesore të kryeqytetit plot jetë të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 2 August 2025Main stream

“The Sun”: Vizitoni plazhet mahnitëse përgjatë Rivierës Shqiptare

2 August 2025 at 07:34

LONDËR, 2 gusht /ATSH/- Plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat kristalore të Shqipërisë – të konsideruara nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës” – janë vetëm pak orë larg Britanisë së Madhe, shkruan Cyann Fielding në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Sun”.

“Wizz Air” po lançon fluturime direkte nga Aeroporti “Gatwick” i Londrës për në Tiranë – kryeqytetin e Shqipërisë – për vetëm 19,99 paund.

Gjithashtu, kompania ajrore tani ka shtuar një itinerar të dytë nga Britania e Madhe për në Evropë.

Fluturimet do të kryhen pesë herë në javë, dhe do të nisin më 26 tetor.

Kjo shënon itinerarin e dytë të “Wizz Air” për në qytetin shqiptar. Linja ajrore do të kryejë fluturime gjithashtu për në Tiranë nga Aeroporti “Luton” i Londrës.

Ndërsa Tirana është një destinacion pushimesh më vete, shumica e turistëve e përdorin atë si bazë për të udhëtuar në Rivierën Shqiptare.

Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe shtëpia e shumë bunkerëve.

Larg qytetit, mund të eksploroni vendpushime të tjera të vendit, të cilat e kanë bërë destinacionin evropian të quhet “Maldivet e Evropës”.

Përgjatë vijës bregdetare të vendit ka ujëra të pastra kristalore, plazhe me rërë të bardhë dhe bukuri natyrore.

Ka edhe shumë bare plazhi për të eksploruar, të cilat shpesh shërbejnë kuzhinë tipike mesdhetare.

Për shembull, në qytetin e Sarandës, i cili është i vendosur midis detit Jon dhe kodrave të valëzuara, ndodhet hoteli “Lost Seaside”.

Këtu, vizitorët mund të shijojnë restorantin, pishinën, plazhin me rërë dhe ujërat e pastra kristalore – duke përfshirë shezlongje që varen mbi det dhe pishinë.

Në të njëjtin vend, ju mund të kaloni ditën në kasolle mbi ujë të stilit “Maldive”.

Çmimet në Shqipëri janë zakonisht shumë të lira. Ju mund të merrni një krikëll birrë për vetëm 250 lekë (2,22 paund) ose një gotë verë për 200-400 lekë (1,78- 3,55 paund).

Ushqimi është gjithashtu i lirë, një vakt mesatar me tre pjata për dy persona kushton rreth 4500 lekë (39,94 paund).

“Çmimi mesatar i një dhome dyshe në Shqipëri është 83 paund nata”, sipas “Kayak”.

“Me Shqipërinë që po njihet gjithnjë e më shumë si “Maldivet e Evropës”, fluturimet do t’u mundësojnë turistëve të zbulojnë destinacione të pashfrytëzuara në të gjithë Evropën Juglindore”,  tha Yvonne Moynihan, drejtoreshë menaxhuese në “Wizz Air UK”.

Një gazetar i “The Sun” vizitoi së fundmi, Shqipërinë për të parë nëse vendi i vogël evropian ofronte pushime cilësore në plazh dhe me një buxhet të kufizuar.

“Shqipëria është shndërruar në një destinacion të preferuar për turistët që kërkojnë pushime me diell dhe të përballueshme.

Duke fluturuar nga Aeroporti “Gatwick” i Londrës, po shpresoja për pushime të lira dhe të gëzueshme, dhe pikërisht këtë mora.

Çmimet e ulëta ishin një surprizë e këndshme. Në qytetin e Vlorës, koktejet kushtonin vetëm 3,70 paund.

Një pjatë me linguine me prodhime deti kushtonte vetëm 5,20 paund, dhe një drekë e plotë në plazhin e Ksamilit kushtonte vetëm 11,30 paund.

Qëndrova kryesisht në “Airbnb”, të cilat varionin nga 14-21 paund për person në natë.

Ujërat mahnitëse përgjatë vijës bregdetare shqiptare ishin ngjyrë bruz – të ngjashme me detet që gjenden në Korfuz apo Sardenjë.

Plazhet ishin gjithashtu të qeta, falë zonës që ishte ende një perlë e pazbuluar.

E qetë, piktoreske dhe perfekte për turistët me buxhet të kufizuar, Shqipëria është vendi ideal për pushime.

Është një perlë e fshehur që ofron vlera të jashtëzakonshme pa bërë kompromis me bukurinë”.  //a.i/

https://www.thesun.co.uk/travel/36110583/new-flights-maldives-europe-cheap/

 

 

 

The post “The Sun”: Vizitoni plazhet mahnitëse përgjatë Rivierës Shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA-NATO mekanizëm të ri financimi për transferimin e armëve në Ukrainë

1 August 2025 at 22:55

UASHINGTON, 1 gusht /ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO po punojnë për një qasje të re për të furnizuar Ukrainën me armë – duke përdorur fonde nga vendet e NATO-s – për të paguar blerjen ose transferimin e armëve amerikane, sipas tre burimeve, raportoi “Reuters”.

Bashkëpunimi i ripërtërirë transatlantik për Ukrainën vjen ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump ka shprehur zhgënjim nga sulmet e vazhdueshme të Moskës ndaj fqinjit të saj.

Trump, i cili fillimisht mbajti një ton më pajtues ndaj Rusisë ndërsa përpiqej t’i jepte fund luftës trevjeçare në Ukrainë, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa dhe masa të tjera nëse Moska nuk tregon progres drejt përfundimit të konfliktit deri më 8 gusht.

Presidenti tha muajin e kaluar se SHBA-ja do të furnizonte Ukrainën me armë – të paguara nga aleatët evropianë, por nuk tregoi se si do të kryhej ky proces.

“Vendet e NATO-s, Ukraina dhe SHBA-ja po ndërtojnë një mekanizëm të ri – që do të përqendrohet në dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë – nga Lista e Kërkesave Prioritare të Ukrainës, e njohur nën akronimin PURL”, thanë burimet.

Ukraina do t’i japë përparësi armëve që i nevojiten – në këste prej rreth 500 milionë dollarë – dhe aleatët e NATO-s – të koordinuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte – do të negociojnë se kush prej tyre do të dhurojë ose paguajë për artikujt në listë.

“Përmes kësaj qasjeje, aleatët e NATO-s shpresojnë të sigurojnë 10 miliardë dollarë për armët që do t’i dërgohen Ukrainës”, tha një zyrtar evropian, duke folur në kushte anonimiteti.

“Kjo është pika e fillimit dhe është një objektiv ambicioz drejt të cilit ne po punojmë. Aktualisht, jemi në këtë trajektore”, tha zyrtari evropian.

Forcat ruse po avancojnë gradualisht në Ukrainë dhe kontrollojnë një të pestën e territorit të vendit. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA-NATO mekanizëm të ri financimi për transferimin e armëve në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE hesht për vonesën e hyrjes në fuqi të tarifave të reja amerikane

1 August 2025 at 22:14

BRUKSEL, 1 gusht /ATSH-DPA/- Një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel nuk pranoi të komentonte sot për vonesën e dukshme të hyrjes në fuqi të tarifave të reja amerikane ndaj importeve të Bashkimit Evropian.

Ai iu referua vetëm një mesazhi të postuar në rrjetet sociale nga komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, i cili bëri vetëm komente të përgjithshme mbi një urdhër ekzekutiv përkatës nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“Tarifat e reja të SHBA-së pasqyrojnë rezultatet e para të marrëveshjes BE-SHBA, veçanërisht kufirin tarifor gjithëpërfshirës prej 15%”, tha Sefcovic në X.

“Kjo përforcon stabilitetin për bizneset e BE-së, si dhe besimin në ekonominë transatlantike”, shtoi ai.

“Eksportuesit e BE-së tani përfitojnë nga një pozicion më konkurrues. Puna vazhdon”, tha ai.

Pas marrëveshjes midis Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen fundjavën e kaluar, BE kishte supozuar se kufiri i ri prej 15% për tarifat ndaj pothuajse të gjitha importeve do të hynte në fuqi më 1 gusht.

Në veçanti, pritej gjithashtu që tarifat aktuale speciale për automjetet dhe pjesët e tyre prej 27,5% të uleshin në 15%.

Megjithatë, kjo nuk përmendet në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Trump të enjten.

Trump i përshkroi tarifat si “reciproke” – të cilat tani do të hyjnë në fuqi një javë më vonë, më 7 gusht.

Trump i referohet tarifave si “reciproke”, pasi ato kanë për qëllim të kompensojnë çekuilibrat dhe disavantazhet e supozuara për Shtetet e Bashkuara të Amerikes në tregtinë ndërkombëtare.

Ajo që do të ndodhë më pas, fillimisht ishte e paqartë. Në teori, Brukseli mund të vonojë koncesionet tregtare të premtuara si pjesë e marrëveshjes së tarifave, siç është lehtësimi i eksportit të mallrave amerikane në BE. //a.i/

The post BRUKSEL – BE hesht për vonesën e hyrjes në fuqi të tarifave të reja amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

LUBJANË – Sllovenia ndalon tregtinë e armëve me Izraelin për shkak të veprimeve në Gazë

1 August 2025 at 20:29

LUBJANË, 1 gusht /ATSH/- Sllovenia ka njoftuar se do të ndalojë importin, eksportin dhe tranzitin e të gjitha armëve për në dhe nga Izraeli në përgjigje të veprimeve të vendit në Gaza, sipas AP.

Në fillim të korrikut, Sllovenia ndaloi hyrjen në vend të dy ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë, duke i akuzuar ata për nxitje të “dhunës ekstreme dhe shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut të palestinezëve” me “deklaratat e tyre gjenocidale”.

Në qershor 2024, parlamenti i Sllovenisë miratoi një dekret që njeh shtetësinë palestineze, duke ndjekur hapat e Irlandës, Norvegjisë dhe Spanjës.

Sllovenia e vogël nuk ka pothuajse asnjë tregti armësh me Izraelin dhe vendimi për të ndaluar tregtinë e armëve me Izraelin është kryesisht një mesazh diplomatik – që synon të rrisë presionin ndërsa zemërimi ndërkombëtar për sjelljen e Izraelit dhe krizën e urisë në Gaza rritet.

Vitin e kaluar, qeveria e kryeministrit britanik, Keir Starmer pezulloi eksportet e disa armëve në Izrael – pasi ato mund të përdoren për të shkelur ligjin ndërkombëtar.

Spanja tha se ka ndaluar shitjet e armëve në Izrael në tetor 2023. Holanda gjithashtu ka marrë masa të ashpra kundër tregtisë së armëve me Izraelin.//a.i/

The post LUBJANË – Sllovenia ndalon tregtinë e armëve me Izraelin për shkak të veprimeve në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump urdhëron zhvendosjen e nëndetëseve bërthamore pas deklaratës së ish-presidentit rus

1 August 2025 at 21:35

UASHINGTON, 1 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ka urdhëruar zhvendosjen e dy nëndetëseve bërthamore “në rajonet e duhura” në përgjigje të deklaratës provokuese të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev, sipas BBC.

“Këto deklarata të pamenduara dhe nxitëse janë më shumë se kaq. Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, shpresoj se ky nuk do të jetë një nga këto raste”, tha Trump në media sociale.

Presidenti i SHBA-se nuk dha detaje se ku do të dislokoheshin dy nëndetëset bërthamore.

Medvedev ka postuar disa komente ditët e fundit duke kërcënuar SHBA-në në përgjigje të ultimatumit të Trump ndaj Moskës për të rënë dakord për një armëpushim në Ukrainë, ose në të kundërt do të përballej me sanksione të ashpra.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump iu përgjigj dje ish-presidentit rus dhe zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë Dmitry Medvedev, i cili paralajmëroi në X disa ditë më parë se “çdo ultimatum i SHBA-së ishte një hap drejt luftës”.

“Ish-presidenti i dështuar i Rusisë, i cili ende mendon se është president, duhet të ketë kujdes se çfarë thotë”, tha Trump.

“Ai po hyn në një territor shumë të rrezikshëm”, tha presidenti i SHBA-se në “Truth Social”.

Në përgjigje të thirrjes së fundit të Trump, ish-presidenti rus, Medvedev tha në Telegram: “Nëse disa fjalë të ish-presidentit rus provokojnë një reagim kaq nervoz tek një president kaq i frikshëm amerikan, kjo do të thotë se Rusia ka të drejtë për gjithçka dhe do të vazhdojë të ndjekë rrugën e saj”.

“Trump duhet të kujtojë se sa e rrezikshme mund të jetë e famshmja “Dead Hand”, tha Medvedev – duke iu referuar sistemit gjysmëautomatik të kontrollit të armëve bërthamore të epokës së Luftës së Ftohtë – i cili u ndërtua nga Bashkimi Sovjetik – i projektuar për të garantuar një sulm hakmarrës nëse lidershipi i Moskës shkatërrohej.

Sistemi mbetet në përdorim në Federatën Ruse post-sovjetike. //a.i/

The post SHBA – Trump urdhëron zhvendosjen e nëndetëseve bërthamore pas deklaratës së ish-presidentit rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Sistemi biometrik do të zëvendësojë vulat në pasaporta në kufirin e BE-së nga 12 tetori

1 August 2025 at 19:15

BRUKSEL, 1 gusht /ATSH/- Zyrtarët kanë konfirmuar se vulat në pasaportat e njerëzve do të zëvendësohen me kontrolle biometrike për njerëzit që udhëtojnë brenda dhe jashtë BE-së nga 12 tetori, sipas BBC.

Sistemi i Hyrjes/Daljes (EES) do të zëvendësojë kontrollet aktuale në letër dhe do të thotë se pasagjerët nga Mbretëria e Bashkuar do të duhet të skanojnë gjurmët e gishtërinjve dhe fytyrën për të kaluar një kufi të BE-së.

Skema do të zbatohet në të gjitha vendet anëtare gjatë gjashtë muajve, që do të thotë se nuk do të zbatohet plotësisht deri më 10 prill 2026.

Ky vendim pritej të hynte në fuqi nëntorin e kaluar, por është përballur me vonesa teknologjike.

Sipas sistemit të ri, qytetarët nga vendet jo anëtare të BE-së, përfshirë britanikët – do të duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre biometrike së bashku me të dhënat e pasaportës së tyre për të hyrë në një vend të BE-së.

Kushdo që refuzon të japë të dhënat biometrike do t’i mohohet hyrja në BE.

Aktualisht, udhëtarët duhet t’ia paraqesin pasaportën e tyre një zyrtari kufitar për t’u kontrolluar dhe vulosur.

Të dhënat do të mblidhen në pikën e nisjes – qoftë në një aeroport, port apo stacion treni – ku do të ketë kabina të dedikuara për skanimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe për të bërë një foto.

Ky regjistrim do të jetë i vlefshëm për tre vjet dhe do të thotë se në udhëtimet e mëvonshme, oficerët kufitarë do të duhet vetëm të verifikojnë të dhënat biometrike të një personi, gjë që BE tha se do të marrë më pak kohë.

Personat me pasaporta elektronike do të jenë gjithashtu në gjendje të përdorin portat elektronike.

Nuk ka kosto për regjistrimin në EES.

Për shumicën e turistëve, të dhënat digjitale do të mbahen vetëm për tre vjet e një ditë – por për ata që kalojnë kufirin 90-ditor pa vizë, të dhënat e tyre do të mbahen për pesë vjet.

Sistemi synon të forcojë sigurinë kufitare, por ka ngritur shqetësime për radhë të gjata.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka paralajmëruar udhëtarët të jenë të përgatitur të presin gjatë kohërave të ngarkuara – kur të fillojë skema, pasi kontrollet do të zgjasin disa minuta për t’u përfunduar.

Megjithatë, BE ka thënë se, pasi të zbatohet, EES do të shkurtojë pritjet në kufi duke mundësuar kontrolle më të shpejta dhe duke u lejuar pasagjerëve të japin informacionin e tyre paraprakisht.

Që kur Britania e Madhe u largua nga BE-ja, aeroportet në shumë destinacione të njohura evropiane për pushime kanë përjetuar radhë të gjata udhëtarësh britanikë pasi pasaportat e tyre i janë nënshtruar kontrollit. //a.i/

The post BRUKSEL – Sistemi biometrik do të zëvendësojë vulat në pasaporta në kufirin e BE-së nga 12 tetori appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Putin: Raketa hipersonike e Rusisë ka hyrë në shërbim dhe do të dislokohet në Bjellorusi

1 August 2025 at 18:40

MOSKË, 1 gusht /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se Rusia ka filluar prodhimin e raketave të saj më të reja hipersonike dhe rikonfirmoi planet e saj për t’i dislokuar ato në Bjellorusinë aleate, këtë vit.

I ulur përkrah presidentit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko në ishullin Valaam pranë Shën Peterburgut, Putini tha se ushtria tashmë ka zgjedhur vendet e dislokimit për raketën balistike me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”, në Bjellorusi.

“Puna përgatitore është duke vazhduar dhe ka shumë të ngjarë që ne do ta përfundojmë atë para fundit të vitit”, tha Putin, duke shtuar se seria e parë e “Oreshnik” dhe sistemet e tyre janë prodhuar dhe kanë hyrë në shërbimin ushtarak.

Rusia e përdori për herë të parë “Oreshnik”, që në rusisht do të thotë “pemë lajthie”, kundër Ukrainës në nëntor, kur qëlloi armën eksperimentale në një fabrikë në Dnipro që ndërtonte raketa kur Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Ai e paralajmëroi Perëndimin se Moska mund ta përdorte atë kundër aleatëve të Ukrainës në NATO, të cilët i lejuan Kievit të përdorte raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar brenda Rusisë.

Shefi i forcave raketore të Rusisë ka deklaruar se Oreshnik, i cili mund të mbajë koka luftarake konvencionale ose bërthamore, ka një rreze veprimi që i lejon asaj të arrijë në të gjithë Evropën.

Vjeshtën e kaluar, Putini dhe Lukashenko nënshkruan një traktat që i jepte Bjellorusisë garancitë e sigurisë nga Moska, duke përfshirë përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore ruse për të ndihmuar në sprapsjen e çdo agresioni.

Pakti vjen pas rishikimit të doktrinës së saj bërthamore nga Kremlini, i cili për herë të parë e vendosi Bjellorusinë nën ombrellën bërthamore ruse mes tensioneve me Perëndimin për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Vendosja e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, e cila ka një kufi prej 1,084 kilometrash (673 milje) me Ukrainën, do t’u lejonte avionëve dhe raketave ruse të arrinin objektivat e mundshme më lehtë dhe shpejt – nëse Moska vendos t’i përdorë ato.

Gjithashtu zgjeron aftësinë e Rusisë për të synuar disa aleatë të NATO-s në Evropën Lindore dhe Qendrore.

Doktrina bërthamore e ripërpunuar që Putini nënshkroi vjeshtën e kaluar thotë – se Moska mund të përdorë armë bërthamore “në përgjigje të përdorimit të armëve bërthamore – dhe llojeve të tjera të shkatërrimit në masë” kundër Rusisë ose aleatëve të saj –  si dhe “në rast agresioni” kundër Rusisë dhe Bjellorusisë me armë konvencionale që kërcënojnë “sovranitetin dhe/ose integritetin e tyre territorial”. //a.i/

The post MOSKË – Putin: Raketa hipersonike e Rusisë ka hyrë në shërbim dhe do të dislokohet në Bjellorusi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Zyrtarët e Trump vizitojnë vendet e shpërndarjes së ndihmës

1 August 2025 at 17:55

TEL AVIV, 1 gusht /ATSH-DPA/- Dy zyrtarë të lartë të administratës Trump vizituan sot vendin e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës, ndërsa aleati i ngushtë i Uashingtonit, Izraeli, përballet me një protestë ndërkombëtare për urinë e përhapur në territorin palestinez – të shkatërruar nga lufta.

I dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee vizituan një vend të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i cili mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Huckabee ndau foto të vizitës në X, duke e quajtur punën e GHF-së “të pabesueshme”.

“Ne morëm informacione nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe folëm me njerëzit në terren”, shkroi ai.

Huckabee tha se qëllimi i vizitës në Gazë me Witkoff ishte për të “mësuar të vërtetën” rreth situatës humanitare – pas 21 muajsh lufte.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt njoftoi dje në mbrëmje se dy zyrtarët do ta shfrytëzonin vizitën për të ndihmuar në “sigurimin e një plani për të shpërndarë më shumë ushqim” në Gazë.

Me ndihmën e kontraktorëve amerikanë, GHF shpërndan ndihma humanitare përmes kanaleve që anashkalojnë agjencitë e OKB-së, të cilat prej kohësh kanë luajtur një rol kryesor në shpërndarjen e ushqimit, barnave dhe furnizimeve për palestinezët.

Ka raportime të shpeshta për palestinezë të uritur që vriten ndërsa përpiqen të kenë akses në ushqim në vendet e shpërndarjes së GHF-së.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të hënën se në Gazë po ndodhte “uri e vërtetë”.

Izraeli ka kufizuar ndjeshëm shpërndarjen e ndihmës për muaj të tërë, duke lejuar pak ose aspak akses humanitar në territorin bregdetar, megjithëse kufizimet e tij janë lehtësuar ditët e fundit. //a.i/

 

The post GAZË – Zyrtarët e Trump vizitojnë vendet e shpërndarjes së ndihmës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Italia do të evakuojë fëmijët e Gazës për trajtim mjekësor

1 August 2025 at 17:11

ROMË, 1 gusht /ATSH-DPA/- Italia planifikon të evakuojë fëmijët e sëmurë palestinezë nga Rripi i Gazës për trajtim, në kuadër të përkeqësimit të situatës humanitare, tha sot ministri i Jashtëm, Antonio Tajani.

Tajani tha se Roma po punonte për një plan për të dërguar me avion rreth 50 persona, përfshirë të rritur për të shoqëruar fëmijët.

Ai gjithashtu njoftoi se Italiaka planifikuar t’u bashkohet me vendeve të tjera që kanë dërguar ndihma nga ajri mbi Gazë ditët e fundit, megjithëse nuk përmendi një datë specifike.

Italia, gjithashtu ka vendosur të sigurojë 5 milionë euro të tjera (5,7 milionë dollarë) që do të shpenzohen për ushqim për banorët e Gazës.

Avionët nga Izraeli, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hedhur paleta me ushqime në Gaza që nga e diela, kur Izraeli filloi të lejojë më shumë ndihmë në territoret e mbyllura – pas disa muajsh bllokade, pothuajse totale.

Gjermania dhe Franca gjithashtu bashkuan përpjekjet për të ofruar ndihmë në Gaza – mes paralajmërimeve për një krizë urie.

Megjithëse OKB-ja dhe organizata të tjera ndihme i kanë kritikuar masa të tilla si kryesisht simbolike, duke argumentuar se është dukshëm më pak e kushtueshme dhe më efikase të ofrohet ndihmë nëpërmjet tokës.

Që nga e diela, përveç autorizimit të dërgesave nga ajri, Izraeli ka lejuar hyrjen e rreth 200 kamionëve në ditë nga agjencitë e OKB-së dhe organizata të tjera. //a.i/

The post ROMË – Italia do të evakuojë fëmijët e Gazës për trajtim mjekësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putini fajëson Ukrainën për bllokimin e bisedimeve për armëpushim

1 August 2025 at 16:40

MOSKË, 1 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin u përpoq sot t’ia kalojë përgjegjësinë Ukrainës për mungesën e progresit në negociatat për t’i dhënë fund luftës që ai nisi më shumë se tre vjet më parë.

Putini tha se mbështet angazhimin në bisedime me Ukrainën, ndersa shtoi se pritshmëritë për rezultate nuk duhet të jenë “të larta”.

Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi me udhëheqësin bjellorus Alexander Lukashenko në Valaam, një ishull në veriperëndim të Rusisë.

“Për të arritur një zgjidhje paqësore, na duhen bisedime të plota, jo publike. Kjo duhet të bëhet në heshtje, në heshtjen e “procesit të negociatave”, tha Putin, sipas agjencisë së lajmeve TASS.

“Nëse udhëheqja ukrainase beson se tani nuk është koha, se duhet të presim, atëherë jemi gati të presim”, shtoi ai.

Presidenti rus po i përgjigjej deklaratave të fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, në të cilat ai tha se negociatat kuptimplote do të ishin të mundura vetëm pas një ndryshimi të pushtetit në Moskë.

Megjithatë, Zelensky sinjalizoi sot se ishte i hapur ndaj dialogut.

Në një postim në X menjëherë pas deklaratës së Putinit, Zelensky shkroi: “Nëse këto janë sinjale të një gatishmërie të vërtetë për t’i dhënë fund luftës me dinjitet dhe për të vendosur një paqe vërtet të qëndrueshme – dhe jo thjesht një përpjekje për të fituar më shumë kohë për luftë ose për të vonuar sanksionet – atëherë Ukraina rikonfirmon edhe një herë gatishmërinë e saj për t’u takuar në nivelin e udhëheqësve në çdo kohë”.

Moska dhe Kievi rifilluan diskutimet e drejtpërdrejta në maj për herë të parë që nga viti 2022.

Tre raundet pasuese të bisedimeve rezultuan në shkëmbime të të burgosurve dhe trupave, por pa ndonjë progres në ndalimin e luftimeve. //a.i/

The post RUSI – Putini fajëson Ukrainën për bllokimin e bisedimeve për armëpushim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Justin Timberlake diagnostikohet me sëmundjen Lyme

31 July 2025 at 22:50

LOS ANXHELES, 31 korrik /ATSH/- Justin Timberlake është diagnostikuar me sëmundjen Lyme, sipas AP.

Timberlake e ndau lajmin në një postim në Instagram – në përkujtim të turneut të tij “Forget Tomorrow”, i cili përfundoi dje në Turqi, duke shtuar se “kjo sëmundje të dobësonte si mendërisht ashtu edhe fizikisht”.

Këngëtari i “SexyBack”, i cili e përshkroi veten si një person privat, shkroi se e kishte menduar përfundimin e turneut kur u diagnostikua, por shkroi se “vendosi që gëzimi që më sjell performanca ia kalon shumë stresit kalimtar që ndjente trupi im. Jam shumë i lumtur që vazhdova”.

Sëmundja Lyme transmetohet nga rriqrat Ixodes, të njohura edhe si rriqrat e drerit.

Mund të shkaktojë gjendje të ngjashme me gripin, probleme neurologjike, dhimbje të kyçeve dhe simptoma të tjera.

Në shumicën e rasteve, sëmundja Lyme trajtohet me sukses me antibiotikë.

“Sinqerisht nuk e di se cila është e ardhmja ime në skenë, por gjithmonë do ta çmoj këtë performancë! Dhe të gjitha ato më parë. Ka qenë legjendë për mua”, shkroi Timberlake.

Timberlake anuloi dhe shtyu disa koncerte gjatë turneut, duke përmendur problemet shëndetësore, përfshirë bronkitin dhe laringjitin.

Gjashtë nga koncertet e tij në SHBA të planifikuara në tetor dhe nëntor u shtynë në shkurt.

Timberlake anuloi koncertin e fundit të turneut në Ohio për shkak të gripit në shkurt.

Fituesi i 10 çmimeve “Grammy” e përfundoi postimin duke falënderuar bashkëshorten e tij, Jessica Biel, dhe dy djemtë e tyre, Silas dhe Phin, duke thënë: “Asgjë nuk është më e fuqishme se dashuria juaj e pakushtëzuar. Ju jeni zemra dhe shtëpia ime”. //a.i/

The post Justin Timberlake diagnostikohet me sëmundjen Lyme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LISBONË – Portugalia shqyrton njohjen e shtetit palestinez

31 July 2025 at 22:01

LISBONË, 31 korrik /ATSH/- Qeveria e qendrës së djathtë e Portugalisë do të konsultohet me partitë kryesore politike dhe presidentin konservator, Marcelo Rebelo de Sousa në lidhje me njohjen e mundshme të shtetit palestinez, tha sot kryeministri, Luis Montenegro sipas “Reuters”.

Ndryshe nga Spanja fqinje, qeveria e majtë e së cilës njohu shtetësinë palestineze në maj të vitit 2024 – së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera të BE-së të bënin të njëjtën gjë – Portugalia ka ndjekur një qasje më të kujdesshme, duke thënë se dëshironte të shihte fillimisht, një qëndrim të përbashkët me vendet e tjera të BE-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi javën e kaluar se vendi i tij, një fuqi e madhe në BE, planifikon të njohë shtetin palestinez, duke u bërë shteti i parë i madh perëndimor që e bën këtë.

Lëvizja e tij erdhi mes një proteste globale në rritje për krizën e urisë dhe shkatërrimin në Gaza, ndërsa Izraeli zhvillon luftën kundër militantëve të Hamasit atje.

Britania e Madhe dhe Kanadaja thanë se mund të njohin gjithashtu shtetin palestinez.

“Qeveria vendosi të nxisë konsultimet me presidentin dhe partitë politike të përfaqësuara në parlament – me qëllim që të shqyrtohet njohjen e shtetit palestinez në një proces që mund të përfundojë … në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator”, tha Mali i Zi në një deklaratë.

Rreth 144 nga 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara e njohin Palestinën si shtet, duke përfshirë pjesën më të madhe të jugut global, si dhe Rusinë, Kinën dhe Indinë. //a.i/

The post LISBONË – Portugalia shqyrton njohjen e shtetit palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – SHBA drejtuar OKB-së: Trump kërkon marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë deri më 8 gusht

31 July 2025 at 21:10

NJU JORK, 31 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka bërë të qartë se kërkon një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë deri më 8 gusht, tha sot diplomati i lartë amerikan, John Kelley duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas “Reuters”.

“Si Rusia ashtu edhe Ukraina duhet të negociojnë për një armëpushim dhe një paqe të qëndrueshme. Është koha për të bërë një marrëveshje. Presidenti Trump e ka bërë të qartë se kjo duhet të arrihet deri më 8 gusht. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përgatitura të zbatojnë masa shtesë për të siguruar paqen”, i tha diplomati i lartë Kelley, këshillit prej 15 anëtarësh.

Ky veprim përputhet me premtimin e fushatës së Trump për të zgjidhur shpejt konfliktin në Ukrainë pas marrjes së detyrës në janar 2025.

Fillimisht, Trump kritikoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe pezulloi furnizimet me armë të SHBA-së.

Megjithatë, më vonë ai ndryshoi mendje, dhe rifilloi ndihmën dhe kërcënoi Rusinë me sanksione të ashpra nëse nuk arrihej një marrëveshje.

Këtë javë, Trump tha se po e shkurtonte afatin 50-ditor – që i dha Rusisë për të negociuar një marrëveshje paqeje me Ukrainën – në “10 ose 12” ditë, duke theksuar zhgënjimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin për shkak të luftimeve të zgjatura midis dy vendeve.

Zyrtarët ukrainas, përfshirë shefin e stafit të Zelensky, Andriy Yermak, mirëpritën qëndrimin e Trump të hënën – duke theksuar se “Putini kupton vetëm forcën”. //a.i/

The post NJU JORK – SHBA drejtuar OKB-së: Trump kërkon marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë deri më 8 gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Medvedev po hyn në një territor shumë të rrezikshëm, bëj kujdes çfarë thua

31 July 2025 at 20:00

UASHINGTON, 31 korrik /ATSH-ANSA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, iu përgjigj sot ish-presidentit rus dhe zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë Dmitry Medvedev, i cili paralajmëroi në X disa ditë më parë se “çdo ultimatum i SHBA-së ishte një hap drejt luftës”.

“Ish-presidenti i dështuar i Rusisë, i cili ende mendon se është president, duhet të ketë kujdes se çfarë thotë”, tha Trump.

“Ai po hyn në një territor shumë të rrezikshëm. Nuk më intereson se çfarë bën India me Rusinë”, tha presidenti i SHBA-se në “Truth Social”.

“Ata mund të shkatërrojnë ekonomitë e tyre, për sa më përket mua. Ne kemi bërë shumë pak biznes me Indinë, tarifat e tyre janë shumë të larta, ndër më të lartat në botë”, tha Trump.

“Në mënyrë të ngjashme, Rusia dhe SHBA-ja nuk bëjnë pothuajse asnjë biznes së bashku”, shtoi ai. //a.i/

The post SHBA – Trump: Medvedev po hyn në një territor shumë të rrezikshëm, bëj kujdes çfarë thua appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump pezullon tarifat ndaj Meksikës për 90 ditë të tjera

31 July 2025 at 19:40

UASHINGTON, 31 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se po i jep Meksikës, partnerit më të madh tregtar të vendit, një pezullim 90-ditor të tarifave të reja – për të arritur një marrëveshje tregtare.

Trump shkroi në platformën e tij “Truth Social” se kishte biseduar me presidenten meksikane. Claudia Sheinbaum në telefon, duke e përshkruar diskutimin e tyre si “shumë të suksesshëm”.

Status quo-ja do të vazhdojë ndërsa të dyja palët vazhdojnë negociatat.

Ndërkohë, shumica e mallrave meksikane vazhdojnë të përballen me një tarifë prej 25%.

Në korrik, Trump paralajmëroi se do të rriste normën me 30%.

Sheinbaum shprehu kënaqësinë e saj pas telefonatës.

“Ne shmangëm rritjen e tarifave të njoftuara për nesër dhe fituam 90 ditë për të ndërtuar një marrëveshje afatgjatë përmes dialogut”, shkroi ajo në platformën X.

Tarifa më të larta do të aplikohen për importet amerikane nga shumë vende nga e premtja, ndërsa fillon faza tjetër e politikës tregtare ndëshkuese të Trump.

Disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Japoninë, kanë arritur tashmë marrëveshje me qeverinë amerikane për të ulur tarifat.

Bashkimi Evropian ra dakord për një marrëveshje tregtare me SHBA-në të dielën pas disa muajsh bisedimesh me rrezik të lartë.

Sipas marrëveshjes, eksportet në SHBA do t’i nënshtrohen një tarife bazë prej 15%. //a.i/

 

The post SHBA – Trump pezullon tarifat ndaj Meksikës për 90 ditë të tjera appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Wadephul thirrje Izraelit “të korrigjojë” menjëherë situatën katastrofike në Rripin e Gazës

31 July 2025 at 19:24

JERUSALEM, 31 korrik /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i ka bërë thirrje Izraelit të mundësojë një qasje të sigurt tokësore në Rripin e Gazës – të shkatërruar nga lufta – duke thënë se kjo është e vetmja mënyrë për të lehtësuar vuajtjet “e paimagjinueshme” të popullsisë.

“Vetëm nëpërmjet tokës mund të arrijnë sasi të mjaftueshme ndihme tek njerëzit”, tha SOT Wadephul përpara se të nisej në Tel Aviv.

“I bëj thirrje qeverisë izraelite që t’u lejojë OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës qasje të sigurt dhe, mbi të gjitha, shpërndarje të sigurt dhe efektive”, tha ai.

Wadephul mbërriti në Tel Aviv sot pasdite dhe udhëtoi për në Jerusalem, ku u takua me homologun e tij izraelit Gideon Saar, kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog.

Mes presionit në rritje në vend, ministri i Jashtëm gjerman ka kërkuar mënyra për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve në Rripin e Gazës dhe për t’i dhënë fund luftës pas gati 22 muajsh.

Ai gjithashtu planifikon të takohet me zyrtarë nga Autoriteti Palestinez (AP) në Ramallah gjatë vizitës së tij dyditore në rajon.

Wadephul tha se vdekjet në Gazë kanë ‘arritur përmasa të paimagjinueshme’

Përpara largimit të tij, Wadephul theksoi se Izraeli duhet të korrigjonte menjëherë, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme situatën katastrofike në Rripin e Gazës, ku  vdekjet dhe vuajtjet kishin “arritur përmasa të paimagjinueshme”.

Ai theksoi se Gjermania do të vazhdonte të qëndronte në anën e Izraelit për të siguruar që Hamasi të lironte pengjet e mbetura, të cilët përfshijnë shtetas gjermanë.

“Milicia islamiste palestineze duhet të çarmatoset dhe të mos ushtrojë më asnjë ndikim politik në territoret palestineze”, tha ai.

“Ajo nuk duhet të përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, ministri paralajmëroi Izraelin për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, duke thënë se Gjermania gjithashtu do të detyrohej t’u përgjigjej hapave të njëanshme.

Nuk ka njohje të shtetit palestinez për momentin

Wadephul përsëriti se Gjermania aktualisht nuk po shqyrton njohjen e shtetin palestinez dhe se një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetej e vetmja mënyrë për t’u mundësuar njerëzve në të dyja anët të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet.

“Për Gjermaninë, njohja e Palestinës ka më shumë gjasa të vijë në fund të këtij procesi”, tha ai.

Berlini shqyrton me kujdes sanksionet

Sipas kancelarit Friedrich Merz, rrjedha e bisedimeve mund të ndikojë nëse Gjermania pranon sanksione kundër partnerit të saj të ngushtë, Izraelit.

Ndërsa Gjermania, ndryshe nga vendet e tjera, deri më tani ka hezituar të vendosë sanksione ndaj aleatit të saj të ngushtë, Merz tha se qeveria gjermane rezervon të drejtën për të ndërmarrë hapa të tillë.

Komisioni Evropian ka rekomanduar që pjesëmarrja e Izraelit në programin e financimit të kërkimit “Horizon Europe” të pezullohet pjesërisht, menjëherë. Mbetet për t’u parë nëse Gjermania e mbështet një masë të tillë.

Merz nën presion 

Përpara se Wadephul të nisej në Tel Aviv, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) – partneri i vogël në koalicionin e Merz – i kërkoi qeverisë të ushtrojë më shumë presion mbi qeverinë izraelite – për të lejuar që ndihma të arrijë te palestinezët e dëshpëruar nëpërmjet rrugëve tokësore.

Zëvendëskryetarja e grupit parlamentar të partisë, Siemtje Moller, tha sot se duhej të kishte “presion të vërtetë” për t’i dhënë fund vuajtjeve në Gazë.

Moller, e cila është pjesë e delegacionit që shoqërin Wadephul në rajon, përsëriti gjithashtu qëndrimin e SPD-së se dërgimi i armëve për veprime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, të tilla si ato në Rripin e Gazës, nuk duhet të autorizohet më.

Bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër në opozitë, Franziska Brantner, tha gjithashtu se Wadephul duhej të nxiste “me të gjithë fuqinë e tij” për aksesin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, lirimin e pengjeve dhe një proces politik për t’i dhënë fund luftës.

“Qëndrimi i Gjermanisë për këtë çështje – si një mbështetëse e fortë e Izraelit – po bllokon veprimin evropian”, tha Brantner. //a.i/

The post KOMENT – Wadephul thirrje Izraelit “të korrigjojë” menjëherë situatën katastrofike në Rripin e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌